NË VEND TË HYRJES

Kush nuk ka një qëllim të epërm, nuk ka as rrugë në të cilën të përparojë, as energji me të cilën të mund ta vërë veten në lëvizje, e aq më pak një synim për të arritur. Ai, qysh prej kohës kur e ka lëshuar veten në plogështi, duke u kthyer si në një nga ato gjallesat e pajeta që nuk mund të lëvizin prej shushatjes e topitjes, e duke lidhur qaforen e fatkeqësisë së dëshirave të tyre trupore, është transformuar në një njeri që i ndien këmbët të prangosura. E kjo sjell për pasojë të zënët erë, kalbjen, deri edhe në dekompozimin e brendshëm. Në fakt, në themel të maktheve të njëpasnjëshme që kemi përjetuar prej shekujsh në jetën tonë individuale, familjare, ekonomike dhe politike, qëndron pikërisht kjo jetë e pamotivuar prej mendimesh sublime dhe qëllimesh të epërme.

Andaj, e mira më e madhe që mund t’u bëhet brezave të sotshëm është mundësia e ritakimit të tyre me një mendim qëllimi epëran, që do t’i mësojë atyre rrugën që të çon nga potenciali njerëzor i njeriut në njeriun e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës “njeri”. Po, një qëllim i këtillë i epërm ka për të kryer detyrën e një himni që do t’i vërë në lëvizje këta breza; rolin e një dinamoje që do të ushqejë energjinë e tyre të pashtershme, e të një burimi të kulluar pasionesh dhe emocioni. Mendoni njëherë, në një kohë kur njerëzimi sillet kuturu mes një errësire të kahdoshme, burimi kryesor i forcës për udhëtarët e qëllimit të epërm, i cili lindi në gjirin e shkretëtirës për t’u kthyer në frymim jete për tërësej tri kontinente, ishte besimi, dhe me atë besim ushqenin idealet e mbushjes së zemrave të të tjerëve me frymëzimin që u vlonte thellë brenda kraharorëve të tyre. Edhe në mesin e ëndrrës osmane, e cila bëri të mundur të ngrihej një qytetërim prej njerëzish, të cilët u nisën prej stepave të Azisë në drejtim të Anadollit, për të themeluar e ngritur mandej një perandori, më të madhen e të gjitha kohërave përgjatë historisë, të njëjtat dinamika viheshin në veprim; patjetër, që, në fakt, edhe në mendjet e heronjve që ia dolën mbanë Përpjekjes Kombëtare, ishin pikërisht po ato.

Nga ky këndvështrim, mund të thuhet, më shumë se sa për këtë gjë, apo atë, ne kemi nevojë për heronj të tillë qëllimesh të epërme, të cilët derdhen rrugëve për të ngjallur dëshirën e jetës së të tjerëve në vend të të jetuarit për vete, me ndërgjegjet të thella dhe trimëri të pashembullt. Këta heronj, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, pa u ndalur asfare, në çdo frymëmarrje të tyre, në fillim për popullin e tyre, e mandej do të ngarendin për tërë një njerëzim, me ndjenjën më të thellë të mëshirës, dhe kur t’ia ngrenë duart Zotit, për t’iu lutur, në fillim nuk do të mendojnë veten e tyre, por të tjerët. Nganjëherë si toka, do ta shtrijnë veten e tyre, me gjithë fatin e të ardhmen, për t’u sjellë lumturinë të tjerëve, e nganjëherë do ta përplasin veten sa andej këndej, e si në ujin e një lumi në vërshim, do të dinë si të pastrohen prej çdo vuajtjeje a fatkeqësie, për të ditur se si të rrjedhin si jetë për mbarë të tjerët. Po, ndonjëherë do të thonë: “ O Zot, sakrifikomë mua, vetëm mbaje lart krenarinë e popullit tim ”, duke i dhënë zë kësisoj një qëllimi të epërm kombëtar; kurse një tjetër herë, me fjalët: “ Sikur ta shoh besimin e popullit tim të shëndoshë, jam i kënaqur edhe sikur të digjem në flakët e ferrit. ”, do të rendin drejt një tjetër përtej qëllimi të epërm; nganjëherë, pavarësisht vuajtjeve a përndjekjeve që mund t’u vijë prej popullit me të njëjtën shprehje universale të mëshirës njerëzore, duke thënë: “ O Zot, fali këta njerëz, sepse nuk më njohin [1] , për të vënë në jetë qëllimin e lartë, që rrotullohet rreth orbitës së mëshirës dhe përgjegjësisë.

Pikërisht, kur ta shqyrtoni me kujdes këtë vepër që po mbani në duar, të titulluar “Udhëtim qëllimi të epërm”, do të dëshmoni sa e sa këshilla, nxitje, ndriçime, meditime, mësime, paralajmërime dhe kritika, të cilat janë shtyllat kryesore që mund të bëjnë të mundur lindjen ndër zemra, mëkëmbjen dhe ruajtjen përherë të gjallëruar të një qëllimi të tillë të epërm.

Për shembull, në pjesën e titulluar “ Arkitektët e shpirtit trimëror” do të shihni se mendimtari M. F. Gylen shprehet: “Një prej faktorëve më të rëndësishëm të trimërisë është edhe zotërimi i shpirtit të përkushtimit. Domethënë, përkushtimi i vetvetes ndaj idealit tënd, duke i nxjerrë mënjanë të gjitha mendimet që nuk kanë të bëjnë me atë. Një shpirt i përkushtuar duhet të thotë: “Detyra ime parësore, është që sido që të jetë situata, të përhap gjithkah emrin e patëshoq dhe patëmetë.” Ashtu siç është shprehur edhe herë të tjera, në lidhje me disa çështje po të tjera, Emri i Patëshoq dhe Patëmetë është vetvetiu i lartë. [2] Mirëpo, që ai të njihet dhe prej të tjerëve, duhet treguar një përpjekje e pareshtur. Një njeri që i është përkushtuar idealit të vet, të gjitha ndjenjat, mendimet, lëvizjet dhe reagimet e tij duhet të rendin veç pas këtij synimi, dhe herë pas here t’i lutet Allahut falënderueshëm pse Ai ia ka bërë të mundur që të gjendet në këtë rrugë. Asisoj, që ky njeri të jetë i mbushur prej dëshirës për të jetësuar, derisa të fillojë të harrojë edhe rrugën e shtëpisë, apo fytyrat e familjarëve dhe fëmijëve të tij.”

Ndërsa në ligjëratën “Llojet e sprovimeve”, na tregon se në përpjesëtim me madhështinë e qëllimit të epërm që e udhëheq, edhe sprovimet me të cilat do të përballet çdokush do të jenë të ndryshme: “Meqë edhe vështirësia apo vuajtja qenkan po aq të rëndësishme sa edhe shpërblimi dhe mirësitë, edhe sprovimi i një personi që kërkon të ngjitet majave më të larta, poaq i vështirë ka për të qenë, gjithnjë në raport me vlerën dhe madhështinë e synimit. Për shembull, të biesh dëshmor duke fluturuar drejt një tjetër horizonti jete, është një arritje shumë e madhe. Mirëpo, një arritje e tillë është e lidhur me luftimin, plagosjen, e nganjëherë edhe me sakrifikimin e jetës në rrugën e Allahut. Kështu që, një njeri që i ka vendosur vetes një synim të këtillë, duke u përpjekur që t’i realizojë një më një të gjitha kërkesat që të parashtron kjo lloj rruge, cilatdo qofshin fatkeqësitë apo vuajtjet që mund t’i dalin përballë, ai duhet të dijë si të durojë; të mund të jetojë pavarësisht vetvetes.”

Në fakt, një udhëtim qëllimi të epërm për të mund të fituar kënaqësinë e Allahut (xh.xh.), është një rrugëtim i përjetshëm kah pafundësia. E nga ky këndvështrim, është njëherazi plot fryte kënaqësish shpirtërore dhe burim shprese të vazhdueshme. Megjithëse, njëkohësisht, kjo rrugë ka poaq ulje-ngritje, po aq të përpjeta; lumenj, kodra, e sa e sa kurthe që mund ta ngacmojnë njeriun, si e si që ta tërheqin të kthehet pas. Prandaj, udhëtari i këtij rrugëtimi duhet të jetë vazhdimisht në një përpjekje të pashtershme, duke e zotëruar egon e tij, i zotëruar vetëm prej të vërtetës, i painteresuar asfare për famë a pozitë të kësibotshme, dhe i pajisur me një botëkuptim, që secilën prej famës, grykësisë, dëshirave trupore apo prirjes për rehati i sheh si helm për jetën e tij. Në vetëllogarinë që na ka ofruar nëpërmjet shkrimit “Mundësitë materiale dhe kriteri në planifikimin e të ardhmes” , autori na ofron kriterin thelbësor me anë të të cilit mund të bëhet planifikimi i një jete me bosht “qëllimin më të epërm”, i cili mbyllet me fjalët: “Besimtari asnjëherë nuk duhet të veprojë apo të bëjë punë vetëm për të fituar simpatinë dhe vlerësimet e të tjerëve, apo të veprojë vetëm për llogari të kësaj bote. Ai duhet të ngarendë përherë për të çuar edhe në zemrat e të tjerëve ato vlera universale të cilat burojnë që prej thellësive të tij të shpirtit, madje duke u përpjekur që të jetë një mekanizëm kyç në ekuilibrin e vlerave në rruzull. Për hir të këtij qëllimi, ai herë-herë përballet me vështirësi nga më të ndryshmet, përjeton dhimbje pas dhimbjeje, derisa bëhet dysh prej vuajtjes. Mirëpo ai e di më së miri, se një njeri që jeton brenda një rrethi të tillë qëllimi, të gjitha vuajtjet dhe dhimbjet që përjeton, kanë për t'i përftuar një shpërblim të atillë që, nuk mund të arrihet as me rrugëtimin soditës të shpirtit.”

As që mund të pritet, që njerëzit që e kanë lidhur jetën e tyre me një qëllim të thjeshtë që vërtitet rreth trinomit “të hash-të pish-të rrish” ta kuptojnë këtë qëllim të lartë dhe epërm, e aq më pak t'i perceptojnë dot udhëtarët e kësaj rruge. Prandaj, egoistët dhe grykësit që nuk e dinë se ç’është sakrifica, me dyshimin se aman mund t’u preken interesat e tyre, nganjëherë mund të përpiqen që t’ua kthejnë atyre botën në një birucë, duke iu gjendur vazhdimisht me akuza, sulme dhe përgojime të ulëta, t’u thurin intriga sipas parimit “lufta ka edhe hile!”, po, po, mund të ngarendin nga komploti në komplot, mund të përpiqen t’i mashtrojnë njerëzit, të cilët i kanë quajtur armiq dhe rivalë, madje po të jetë nevoja, edhe duke përdorur rrugët më çnjerëzore karshi njeriut, siç janë gënjeshtra, përgojimi dhe shpifja. Ndaj, përballë gjithë këtyre, detyra që u takon të kryejnë rrugëtarët e qëllimit të epërm është të thonë Neve na mjafton Allahu!, dhe duke u mbrojtur në fuqinë dhe mbështetjen e Tij të pashoqe, të mund të vazhdojnë të ecin në rrugën e tyre që dinë, pavarësisht rreziqeve apo kërcënimeve, pa ia vënë veshin sulmeve apo shpifjeve të qenieve që janë të identifikuara me shpifjen, pasi ata kështu e kanë nisur këtë rrugë, duke e ditur mire se ç’mund t’i priste. Pavarësisht, ata i qëndrojnë fjalës së dhënë që në fillim: “Vetëm do të ecim, dhe prej njeriut të sotëm që ka mbetur në stanjacion, duke u kthyer në një shoqëri masë amorfe, për të nxjerrë breza të artë, që do të premtojnë veç gjëra të reja… pa përfolur a përgojuar kënd; më shumë duke ia përshtatur mendimet tona veprimit, dhe duke i organizuar veprimet tona si polumbarët që përpiqen të shpëtojnë jetë njerëzish… për të mund të treguar se mund të realizohet edhe nëpërmjet rrugësh pa gjak e pa limfë, pa mllef e pa urrejtje, por vetëm duke ecur pa u kapur pas rrugës, apo pas pafatësive që mund të ndeshim gjatë saj…”

Thelbi i fjalës; “udhëtimi i qëllimit të epërm” është një rrugë plot dhimbje e vuajtje, me kthesa e me kodra, që zgjat gjer në përjetësi, megjithatë, njëkohësisht ajo është një profesion ndërgjegjeje të thellë, lumturie dhe kënaqësie shpirtërore, që synon gjetjen e lumturisë pikërisht në lumturinë e të tjerëve. Duke besuar, se ky libër që keni tanimë në duar, të mund t’ju bëhet udhërrëfyes në udhëtimin tuaj të lumturisë së përjetshme, lus Zotin që t’ju bëjë të mundur kryerjen e falënderimit ndaj autorit, duke e lexuar dhe diskutuar sa më shumë mes vedi.

Hamdi İşcan

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.