MOSPRITMËRI GJATË TËRË JETËS

MOSPRITMËRI GJATË TËRË JETËS

Pyetje: Mospritmëria përmendet si një nga mekanizmat kryesorë të dedikimit të plotë të vetes ndaj një kauze. Në cilat çështje duhet të tregojmë më tepër kujdes, për ta kthyer moralin e mospritmërisë në një pjesë të pandashme në çdo grimë-çast të jetës sonë?

Fillimisht është me vend të themi se mospritmëria fsheh brenda vetes një pasuri të atillë, që një njeri mospërfillës ndaj përfitimeve, me gjendjen e tij, mund t’i dalë përballë gjithë universit. Sepse një njeri që ka fituar krahë prej shpirtit të mospritmërisë, i ka grilat të ulura karshi çdo lloj dëshire a kërkese, qoftë kjo materiale, qoftë shpirtërore; ia ka mbyllur portat me aq shumë rezè, saqë nuk ka askënd tjetër për të cilin t’i duhet të ndjejë ndofarë detyrimi a mirënjohjeje, përveç Allahut.

Ata që përulen përpara postit të parë që u ofrohet

Por, nuk duhet harruar assesi, se mospritmëria nuk është një sjellje që tregohet vetëm karshi sendeve materiale, pasurisë apo pronave. Ajo është njëkohësisht cilësori i të qëndruarit i palëkundur karshi çdo lloj dëshire a kërkese egoiste, siç mund të jenë posti, titulli, lavdërimi, duartrokitja... Për shembull, sot, edhe sikur t’ju tërheqin mënjanë për t’ju thënë: “Ejani, bëhuni drejtor, këshilltar, deputet!”, ju sërish duhet të uleni e të mendoheni të shqetësuar se “vallë a do të mund ta ruaj ndjenjën e mopritmërisë edhe në këtë pozicion?”, sakaq të kryeni edhe një përllogaritje të fundit me veten tuaj. Me një fjalë, “Mos kjo dëshirë për të pasur një detyrë të këtillë, buron prej ndonjë dëshire të pakontrolluar egoiste?”, dhe nëse e kuptojmë se me të vërtetë, brenda tyre janë përfshirë edhe dëshirat dhe kërkesat e egos sonë, atëherë duhet të dimë se si ta kundërshtojmë.

Ndoshta ndokujt mund t’i vijë ndërmend ndonjë pikëpyetje, si “Nëse çdokush do të përpiqet për të qenë pa pritshmëri deri në fund, a nuk ngelen pa zot këto detyra?” Por, nëse ekziston ndokush që mund ta bëjë atë detyrë, atëherë kërkesa juaj për të dalë ju në krye, nuk mund të shërbejë për gjë tjetër, veçse për të nxitur ndjenjat e xhelozisë dhe rivalitetit, duke çuar mandej drejt mosmarrëveshjes dhe përçarjes. Me një fjalë, nëse në një vend ku falet namaz, nëse gjenden përnjëherësh dhjetë vetë, të cilët mund ta drejtojnë faljen e namazit, dhe ju fluturoni menjëherë në krye, duke thënë “Ta drejtoj unë këtë namaz!”, më tepër se sa keni përfituar, jeni dëmtuar nga kjo dëshirë e juaja, sepse sido që të jetë, njëri prej atyre të dhjetëve do ta kryente këtë punë. Pastaj, ashtu siç na udhëzon edhe Bediuzaman Said Nursiu, se të zgjedhësh të qenët pas të tjerëve në një punë që kërkon përgjegjësi serioze, është më e mirë se sa të jesh drejtues i saj. Të drejtosh një namaz është një punë me rreziqe të mëdha. [34] Sepse, çdo imam ka po aq përgjegjësi sa ç’persona gjenden pas tij. Nëse një imam bën një gabim gjatë namazit, atëherë ai mban mbi supe edhe përgjegjësinë e gabimit për secilin nga njerëzit që janë lidhur pas tij. Njëkohësisht, gabimi që mund të kryejë një prefekt i një prefekture, i vendos atij përgjegjësi mbi supe po aq sa është edhe numri i banorëve të atij territori. Po ashtu, dikush që gjendet në krye të shtetit, nëse bëhet pjesë e një gabimi që prek popullin me majën e tij më të imët, shkon matanë me fajin e secilit prej qytetarëve të atij vendi.

Andaj, njeriu në vend që të bjerë pas sevdasë për t’u zgjedhur, duhet të ruajë pozicionin e tij si zgjedhës. Pasi nuk mund të gjendet as edhe një individ i vetëm, që të ketë rënë pas dëshirës së verbër për t’u zgjedhur, e që ka thënë “Unë, unë të zgjidhem!”, e të mos ketë dalë i gabuar. Ndërsa ata që kanë thënë përherë “Le të jetë dikush që di ta bëjë më mirë këtë punë, nuk ka rëndësi se kush.” janë të paktë.

Mospritmëria më e vështirë

Maja e mospritmërisë arrihet atëherë kur njeriu harron ta përmendë vetveten, e që shqetësohet jashtëzakonisht shumë prej shprehjeve lavdëruese që të tjerët shprehin karshi tij. Megjithëse egoja urdhëruese e njeriut i pëlqen së tepërmi lavdërimet dhe komplimentet, besimtari i përsosur është ai që i ndjen ato si fyerje në brendi të ndërgjegjes së tij. Madje duhet të thotë ndër vedi: “Ç’u ka ndodhur kështu këtyre njerëzve, që po m’i ofrojnë këtu çmimet që do të merren matanë? Vallë i shtyva unë drejt një mendimi të tillë?” Kështu duhet ta hetojë ai vetveten, e mandej t’i lutet Zotit: “O Allah, harroma mua veten, dhe bëma mua të shëmtuar të flas për të.” Sakaq ai duhet të zgjedhë rrugën e dobësisë dhe të varfërisë që e karakterizon qenien njerëzore.

Një njeri mund të qëndrojë mospërfillës karshi pasurisë. Madje mund ta përballojë edhe propozimin e postit, për t’u bërë kryetar, prefekt, këshilltar apo deputet, mirëpo të qëndruarit pa u lëkundur përballë lëvdatave dhe komplimenteve është më e vështira. Andaj është shumë e rëndësishme, që çdokush të tregohet i vendosur që në fillim për të treguar njëfarë reagimi karshi lëvdatave, madje ta dëftojë se është plotësisht i mbyllur karshi bisedave të tilla, pasi vetëm kështu mund t’u mbyllet goja atyre fjalëve që mundohen të hapin sa më shumë porta drejt lavdërimit.

Mësuesit e panjohur të prapaskenës

Unë i shoh mësuesit tanë që kontribuojnë në realizimin e Olimpiadës së Gjuhës turke si njerëzit më sakrifikues të kohës kur jetojmë. Sepse ata, me gjithë kushtet e këqija kanë ditur si të hapen në të katër anët e botës, e kudo që kanë shkuar kanë nxjerrë njerëz që mundohen edhe ata t’u shërbejnë njerëzimit në rrugën e dashurisë. Këta nxënës të nxjerrë prej duarve të tyre, vijnë çdo vit dhe duartrokiten nga miliona njerëz njëkohësisht, mirëpo ata kanë zgjedhur që të jenë sërish në prapaskenë. Zoti mos na nxjerrtë gënjeshtarë në këtë mendim të mirë tonin! Dashtë Zoti, që mësuesit të vazhdojnë sërish së punuari me gjithë zemër, siç kanë punuar deri më sot. Ka pasur dhe nga ata njerëz të vyer, që kanë dalë në skenë dhe janë kujtuar se “arkitektët e vërtetë të kësaj pune” janë ata; por prapëseprapë, mësuesit kanë zgjedhur, që sikur të mos kishin dëgjuar asgjë, të rrinë po në prapaskenë. Zaten kjo është sjellja e duhur që ata duhet të tregonin. Pasi e hedh farën në tokën e pluguar, duhet largohesh, të humbësh, pa u parë dhe pa u njohur nga askush. Mbjellësi duhet të përzihet asnjëherë me çështjen se kush do të vijë për t’i korrur këta kallinj, kush do t’i bluajë, kush do ta vendosë miellin nëpër hambarë, madje as për t’i parë të gjitha këto procese nuk duhet të presë.

Dëshira jonë e paepur, si besimtarë që jemi, është që Emri Madhështor i Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të të hapë petale në të katër anët e botës, të valëvitet posi një flamur, të fryjë si një fllad jetëdhënës në zemrat e çdo besimtari. Edhe sikur njëmijë shpirtra të kishim, prapë i flijojmë që të na realizohet kjo ëndërr. Madje, edhe një “këtmir” si puna ime ia njeh vetes këtë si çështjen dhe dëshirën më të madhe të jetës së vet. Ndonjëherë më mbushen sytë me lot dhe them: “Ah sikur emri i Profetit Muhamed, “Muhamedun Resulullah” të lartësohej në çdo anë!” Megjithëse një dëshirë kaq e madhe, edhe nëse keni pasur sadoshumë kontribut ndaj saj, edhe nëse jeni gjendur përherë brenda këtij karvani, ma merr mendja se duhet të thoni: “O Zot, edhe unë dua shumë që të vijë ajo ditë, por nëse atë ditë njerëzit do të thonë: “Edhe ky dha një ndihmesë të madhe në këtë punë.”, atëherë nuk dua që t’i dëgjoj lavdërimet dhe duartrokitjet e tyre. Parapëlqej më mirë që ta ndjek prej matanë flamurin e saj, se si valëvitet në të gjitha anët.” Madje me burrëri, dhe me ndjenjën e tij të mospritmërisë, të thotë: “Kushedi se ç’pengesa apo angari do t’i vinin këtij karvani, nëse brenda tij do të isha edhe unë! Më mirë të futem në dhe e të iki, e kësodore ta ndjek prej andej veprimin e patëmetë të Zotit.” Ja ky është horizonti i mospritmërisë, që secili prej nesh është i detyruar ta kapë.

Të mbyllur ndaj botës, të hapur ndaj Zotit

Në fakt, mënyra më e mirë për të ruajtur shpirtin e mospritmërisë është ta jetosh jetën vetëm në kufijtë e moralit të parapëlqimit të tjetrit përpara vetes. Prandaj, miqtë tanë, që gjenden brenda lëvizjes së vullnetarëve duhet të bëhen aq njësh me moralin e kësaj sjelljeje, saqë nuk duhet të mjaftohen vetëm me të ushqyerit e dikujt me një ushqim të mirë, t’i ftojnë për një çaj miqtë e tyre, apo t’ua japin dikujt tjetër rrogën e tyre, por edhe në ndjesitë e tyre, qoftë materiale, qoftë shpirtërore, duhet të zgjedhin të tjerët përpara vetes. Ata, edhe gjërat më të larta ndoshta që kanë një trajtë të të mrekulleshmes, si të qenët “veli”, “gaus”, apo të fluturosh, ndoshta edhe ndjesinë sikur po e falin namazin pas Profetit tonë të Dashur (paqja qoftë mbi Të), apo të thuash “Allahu Ekber”, e të ndjerët e vetes sikur gjendesh në Qabe ose në Rauzan e Dëlirë janë të gatshëm që t’ua njohin të tjerëve si atribut. Thonë veç “Mua veç Ti më duhesh, veç Ti”, dhe i drejtohen Zotit, dhe vetëm atë duhet të zgjedhin. Ja, ky është shpirti i vërtetë i parapëlqimit të tjetrit përpara vetes, dhe njëkohësisht edhe përfaqësimi i sjelljes sipas moralit të mospritmërisë. Pasi, në këto ditë kjo është ajo që ne kemi nevojë më së tepërmi.

Me një fjalë, nga njëra anë të mbyllurit të portave karshi përfitimeve si post, titull, lavdërim apo kompliment, nga ana tjetër edhe mbyllja karshi përfitimeve shpirtërore, dhe në mes ajo që duhet zgjedhur, ta presësh shpërblimin vetëm nga mirësia, bujaria dhe mëshira e Zotit. Njeriu e ka të pamundur ta arrijë diçka nëse nuk e ndihmon Zoti. As në Xhenet nuk mund të hyjë e as që mund të shpëtojë dot nga Xhehenemi. Të gjitha këto mund të arrihen vetëm me ndihmesën, mëshirën dhe bujarinë e Zotit. Zoti i hap njëmijë porta atij që mbyllet karshi çdo gjëje tjetër përpos Tij. Mbylljani njëherë portat botës ju, dhe keni për ta parë se si Allahu do t’ju hapë njëmijë porta në këmbim. Sepse Ai është Mufettihu’l Ebuab, domethënë, vetëm Ai ka në dorë çelësin e çdo porte. Andaj, nëse dëshironi që portat e ndihmesës, mëshirës dhe kënaqësisë së Allahut të hapen ndaj jush, atëherë duhet t’i mbani portat tuaja të mbyllura përjetësisht karshi çdo përfitimi kalimtar që mund t’ju zërë rrugën.

[34] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 192. (Shkrepëtima e Njëzetë)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.