LIDHJA MES MIRËQENIES SË LEJUAR DHE VEPRIMIT TË MIRË

LIDHJA MES MIRËQENIES SË LEJUAR DHE VEPRIMIT TË MIRË

Pyetje: Në një ajet fisnik thuhet: "O ju profetë! Hani dhe pini prej gjërave të lejuara dhe të pastra, dhe kryeni vepra të mira! Sepse Unë di gjithçka që bëni ju." [207] A mund të na i shpjegoni se çfarë lidhjeje ekziston mes mirëqenies së lejuar dhe veprimit të pastër?

Përgjigje: Kurani Fisnik dhe Suneti Profetik ka qëndruar mjaft imtësisht mbi çështjen e të lejuarës dhe të ndaluarës; dijetarët islamë, që e njohin mirë Kuranin dhe Sunetin e Profetit tonë të dashur (s.a.s.), ndërsa e kanë shprehur rëndësinë e qenësishme të kësaj çështjeje, kanë thënë se të qenit mysliman do të thotë të jetosh duke njohur mirë kufirin mes të lejuarës dhe të ndaluarës. Më thuktazi, "Feja përbëhet prej veprimeve." Omeri i nderuar (r.a.) e ka shprehur rëndësinë e kësaj çështjeje me këto fjalë: "Mos shihni vetëm nëse dikush fal namazin, ose agjëron; shihni nëse thotë të vërtetën ndërsa flet, a e mban fjalën kur premton diçka, dhe a bën ndarje mes të lejuarës dhe të ndaluarës në jetën e tij të përditshme." (Bejhaki, Sunenu'l Kubra, 288; Shuab, IV, 230,326). Medoemos që namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi janë adhurime me vlerë mjaft të madhe dhe të virtytshme për Allahun (xh.xh.). E askush nuk mund t'i nënvlerësojë. Mirëpo, kujdesi i çdokujt për çfarë ha e çfarë pi, poashtu për veshjen; ruajtja prej dëmsjelljes ndaj të drejtës së të tjerëve, qoftë individualisht qoftë në rrafsh kolektiv; me një fjalë duke jetuar veç brenda një udhe të së drejtës, është një prej çështjeve më të qenësishme dhe të patjetërsueshme për një mysliman, dhe mund të thuhet se realizimi i tyre është më i vështirë se çdo lloj adhurimi individual. Kësisoj, për ta jetuar Islamin ashtu siç duhet, gjithsecili duhet të ndjekë veç të lejuarën, duhet të dijë si të qëndrojë i patundur përballë të ndaluarës, duke mos u lëkundur, dhe ciladoqoftë sakrifica, nuk duhet të lejojë që prej gojës së tij të hyjë qoftë edhe një llokmë e vetme ushqimi të ndaluar.

Nëse do të hedhim një sy në jetesën e njerëzve të mëdhenj, mund të shihet se si ata kanë qenë udhërrëfyes për të tjerët në këtë lëmë. Ata kanë vepruar me aq delikatesë, duke e përdorur vullnetin e tyre asisoj, që edhe kur nuk kanë qenë në dijeni, janë mbrojtur prej Allahut (xh.sh.), në mënyrë që të mos preken prej së ndaluarës. Po, në mesin e tyre ka pasur njerëz të atillë, që me t'u afruar sadopak pa dijeni kah e ndaluara, e kanë kuptuar se po i afrohen së ndaluarës vetëm nëpërmjet një dridhjeje të dorës, apo shpeshtimit të rrahjeve të pulsit, duke e tërhequr dorën menjëherë pas. Po njëlloj, disa të tjerë kur e kanë kuptuar se kanë futur në gojë një ushqim të ndaluar, megjithëse kanë qenë duke e përtypur, nuk kanë mundur që ta kalonin poshtë. Ndërsa disa të tjerë që e kanë kuptuar se kanë ngrënë apo pirë diçka të ndaluar, janë përpjekur që ta vjellin, në mënyrë që të mos ngelet asgjë sosh në trupin e tyre.

Si një shembull për rastin e fundit, mund të rikujtoni historitë e Ebu Bekrit (r.a.) [208] që pati ngrënë diçka të prurë prej një gruaje, e cila e kishte siguruar nëpërmjet parave që kishte fituar duke parashikuar me anë të fallit, apo të Omerit (r.a.) [209] , i cili pati pirë njëherë prej qumështit të deveve të zekatit. Të dy, një ta mësuar diçka të këtillë, i patën futur gishtat në grykë, në mënyrë që të nxirrnin çdo gjë që kishin futur në gojë kësimënyre. Me sa duket, një kujdes kaq i veçantë dhe qëndrim i patundur për të mos lejuar asnjë llokmë ushqimi të ndaluar janë jashtë mase të rëndësishme për të qenë mysliman.

Shkas për më të madhin përparim shpirtëror

Nga ana tjetër, ruajtja me kujdes e kufirit mes të lejuarës dhe të ndaluarës, është një prej mënyrave më të rëndësishme të shprehjes së bindjes ndaj urdhrave të Allahut (xh.xh.), por edhe e respektit karshi Tij njëherazi. Sidomos, që çdo përpjekje dhe mund i derdhur për të arritur të lejuarën, apo për t'u larguar prej të ndaluarës, është njëfarë adhurimi për çdo besimtar. Kundërvënia ndaj çdo gjëje të ndaluar prej besimtarit, përballimi i turlifarë fatkeqësive me durim, ashtu siç quhet adhurim nëpërmjet të kundërtës, edhe përpjekja e tij për të fituar një mirëqenie të ngritur mbi të lejuarën ka për t'u quajtur adhurim i mirëfilltë. Këtë është e mundur që ta lidhim gjithashtu me fjalën e shenjtë "Fjala më e pastër dhe më e bukur shkon deri tek Ai. Dhe atë (fjalën) e lartëson vepra e mirë." [210] Këtu thuhet se fjalët e bekuara, si përlavdërimi, lartësimi, përmendja, tekbiri dhe salavatet mund të ngjiten deri tek Allahu (xh.xh.), vetëm kur bashkëshoqërohen edhe me veprime të mira. Me një fjalë, ashtu si namazi, agjërimi apo zekati, që i përkasin anës pozitive, ashtu edhe përpjekjet serioze për t'i bërë ballë gjërave të ndaluara, që i përkasin anës negative, kryejnë funksionin e krahëve për fjalët e mira, në mënyrë që ato të shkojnë pranë Allahut (xh.xh.). Kështu që, kjo çështje nuk duhet anashkaluar kaq lehtësisht, përkundrazi, në çështjen e të lejuarës dhe të ndaluarës duhet treguar një kujdes i veçantë.

Po, ndarja e të pastrës prej të ndoturës përsa i përket ushqimeve, mospërzierja e ndonjë gjëje të pistë mes të pastrave, dhe mbi të gjitha tregimi i kujdesit të vazhdueshëm, ka për t'i përftuar njeriut shpërblime njësoj sikur të ishte duke kryer adhurime. Për shembull, shikimi i ilaçeve me kujdes, se çfarë përmbajnë a nuk përmbajnë brenda tyre, apo nëse ka apo jo ndonjë lëndë të palejuar nga feja brenda ushqimit që ble prej marketit, apo nëse mishi i blerë prej mishtores është i prerë sipas metodave islame apo jo, ashtu siç mund të jenë shkas që njeriu të provojë një përparim të ndjeshëm shpirtëror, afërmendsh, nëse nuk e përdor vullnetin e tij, duke u sjellë krejt shpërfillshëm e pa asfarë kujdesi, atëherë do ta rrënojë jetën e tij shpirtërore, do t'i vrasë ndjenjat e tij më të holla, derisa të përfundojë në një perëndim të plotë të botës së tij shpirtërore.

Në fjalën e bekuar, nëpërmjet fjalës "(Ata), veç e shtojnë më tepër gënjeshtrën, dhe njëkohësisht veç hanë prej gjërave të ndaluara." [211] , ngrënia e gjërave të ndaluara paraqitet si një prej gjendjeve më të pista që mund të kaplojë një shoqëri. Ajo që në ajet shprehet me fjalën "suht" [1], alias ushqimi i ndaluar, për aq kohë sa qarkullon në damarët e atij që e ka konsumuar, ka disa hadithe, të cilat mbartin kuptimin se këtyre njerëzve nuk u pranohet as falja e as lutja. Për shembull, në një hadith të transmetuar nga Profeti Muhamed (s.a.s.) tërhiqet vëmendja kësodore: "Kush ha një llokmë të vetme prej të ndaluarës, atij nuk i pranohen dyzet namaze të natës dhe dyzet lutje të mëngjesit. Vendi më i volitshëm për çdo trup të ushqyer e zhvilluar prej të ndaluarës është veçse Xhehenemi. Do pasur mirë parasysh, se mishin e rrit dhe e zhvillon edhe ai ushqim i ndaluar." [212]

Fundi i hidhur i atij që jeton mes së ndaluarës

Ndërsa në një hadith tjetër, të cilin Tirmidhiu na e transmeton prej Ebu Hurejres, ndikimi negativ që mbart e ndaluara shpjegohet me këto fjalë: I Dërguari i Allahut (s.a.s.) na e shpërfaq me këto fjalë gjendjen e një njeriu që i ka zgjatur shumë udhëtimi, pluhurosur ngado, flokët shprishur, që ngre duart dhe i drejtohet Zotit të tij, "O Zot! O Zot!": “ Ajo që ha ky njeri është e ndaluar, e poashtu ajo që pi, e poashtu edhe ajo që vesh. E si mund të pranohet lutja e këtij njeriu! [213]

Në një tjetër hadith tregohet se si zërit të një haxhiu që niset për në haxh me të ardhurat e tij të pastra, "Urdhëromë o Zot! Ja erdha... Ti na thirre, e ja tek erdhëm, o Zot!..", edhe një zëdhënës prej qiellit i përgjigjet atij: "Mirëseerdhe o fatlum! Haxhi yt është i pranuar pa asnjë lloj të mete, se ti do të ushqehesh me gjëra të lejuara, do të udhëtosh me mjete të siguruara me rrugë të lejuara."; ndërsa dikujt që niset për në haxh me të ardhura të pista, të siguruara nëpërmjet rrugësh të ndaluara, që gjithsesi thërret "Lebbejk", nga qielli i vjen një tjetër përgjigje: "Qofshin të tuat ato thirrje; ti nuk erdhe siç duhej, e as nuk prure gëzim! Ajo që do të hash e do të pish ti, dhe haxhi yt gjithashtu nuk janë të pranuara." [214]

Po, si mund t'i pranohet haxhi atij që ushqehet prej të ndaluarës, që është i mbuluar ngado prej saj, që edhe veshjet e mjetet e transportit i ka të përftuara prej të palejuarës! Si ka mundësi, që një njeriu të tillë të mbërthyer kaq shumë prej të ndaluarës, të thotë, o Zot, unë erdha këtu duke iu bindur urdhrit Tënd. Unë jam rob i urdhërave të Tu. Shpresoj shumë tek mëshira dhe falja Jote. Veç prej mirësisë dhe bujarisë Sate pres! Edhe sikur të thotë, a nuk do t'i përplaseshin sysh këto paçavure që do të artikulonte? Prandaj, është mjaft e domosdoshme dhe e rëndësishme që të jetohet dhe ushqehet brenda rrethit të së lejuarës, që edhe adhurimet të mund të lartësohen drejt Allahut (xh.xh.). Kjo jepet qartë edhe në ajetin e dhënë në pyetje, "O ju profetë! Hani dhe pini prej gjërave të lejuara dhe të pastra, dhe kryeni vepra të mira! Sepse Unë di gjithçka që bëni ju." (Mu'minun, 23/51). Domethënë, ushqyerja e një njeriu me ushqime të lejuara dhe të fituara me rrugë të lejuara ka një ndikim të madh në adhurimet që ai kryen karshi Allahut (xh.xh.)

Mendoj se këtu do të ishte me rëndësi edhe prekja e një tjetër çështjeje. Në shumë ajete të Kuranit Fisnik urdhërohet ushqyerja prej të ardhurash të pastra dhe të lejuara. [215] E kjo, që në krye, është e lidhur drejtpërsëdrejti me vullnetin e tij për të hulumtuar se cilat ç'është e lejuara. Sepse, ç'është e vërteta, ashtu siç çdo gjë e ndaluar është thirrje për të tjera gjëra të ndaluara nga pas, ashtu edhe çdo vepër e mirë është thirrje për shumë vepra të mira më pas. Sepse çdo gjë thërret pas vetes po gjëra të natyrës së vet, që edhe ato t'i ngjajnë po asaj, të kenë të njëjtin karakter, që të shkojnë mirë me njëra-tjetrën. Njësoj si me njerëzit, edhe sjelljet, punët apo veprimet tona rendin pas gjërave që kanë të njëjtën natyrë me to. Siç shenjohet edhe në një ajet, njerëzit që janë të pistë për nga karakteri, po pas gjërave të pista rendin; njerëzit e pastër nga karakteri rendin po pas gjërave të pastra. [216] Por ju mund të thoni edhe kështu: Pastërtia, bukuria dhe mirësia janë thirrje për të tjera gjëra të bukura; papastërtirë, shëmtia dhe gjërat e këqija, janë veç ftesa për të tjera gjëra të pista. Kështu, kur njeriu shkon pas të lejuarës, e për më tepër kur tregon përpjekje të vazhdueshme në këtë aspekt, me kalimin e kohës rreth tij ndërtohet një rreth mirënor, derisa edhe ai drejtohet që ta jetojë gjithë pjesën e mbetur të jetës brenda këtij rrethi. Nga ky këndvështrim, dallimi mes së lejuarës dhe të ndaluarës do bërë mirë që në fillim.

Përhapja gjerësisht e të ndaluarës nuk përbën justifikim

Fatkeqësisht është një e vërtetë e pandryshueshme, që jetojmë në një kohë kur kanë humbur kufijtë mes së lejuarës dhe të ndaluarës, e për më tepër kur kujdesi i njerëzve në këtë aspekt është dobësuar ndjeshëm. Mirëpo gjithsecili duhet ta dijë mirë, se shpërfillja e askujt nuk mund t'i sjellë kurrfarë dobie ndonjë tjetri. Siç shprehet edhe Said Nursiu në Fjalën e Katërmbëdhjetë, "Nëse të thuash se jemi bashkë me të tjerët në një fatkeqësi, përbën ndofarë qetësimi, ai nuk përbën kurrfarë rëndësie përsa i përket jetës së përtejme." [217] Nga ky këndvështrim, megjithëse në këtë jetë mund të duket si qetësuese nëse e mbështet gabimin tënd në faktin se edhe të tjerët hanë gjëra të ndaluara, edhe të tjerët shohin gjëra të ndaluara, edhe ata llomotitin lart e poshtë, në jetën e përtejme nuk do të përbëjnë kurrfarë dobie për të. Nuk ia lehtëson askujt fatkeqësinë, fakti se gjendet bashkë me të tjerët në këtë fatkeqësi. Atëherë, detyra që i takon çdo besimtari është ta llogarisë mirë se nga ka ardhur çdo llokmë që fut në gojë, ku do të shkojë dhe cilat do të jenë pasojat e saj.

Nuk do harruar, pakujdesia e njeriut në këtë çështje, duke jetuar në padijeni të plotë, ka për t'i hapur jashtëzakonisht shumë probleme në botën tjetër. Atje njeriut do t'i pyetet edhe një e shtata e elbit. Me të vërtetë ne themi një e shtata e elbit, mirëpo Kurani Fisnik duke thënë: "Kush bën edhe një grimcë të vetme të mirë, do ta gjejë atë, poashtu kush bën qoftë edhe një grimcë të keqeje, do ta gjejë atë." [218] , e lidh çështjen me peshën e atomit (grimcës). Asgjëmangët, çdokush që do të bëjë një të mirë sa madhësia e një atomi, ka për ta gjetur atë, e poashtu edhe ai që do të bëjë një të keqe sa madhësia e atomit, do ta gjejë atë. Në botën tjetër do të jepet llogaria e çdo fjale të nxjerrë nga goja, e çdo pijeje a ushqimi që të ka zbritur në stomak, e çdo fjale që të ka hyrë në vesh e deri te çdo pamje në të cilën të ka ngelur shikimi. Nëse nuk jetohet me përllogaritjet më të imta gjatë jetës së kësaj bote, atëherë në Ahiret ato shtjellohen imtësishëm, dhe - Zoti na ruajtë! - e rrënojnë krejtësisht njeriun. Andaj, ata që e kanë humbur kujdesin ndaj atyre që hanë dhe pinë, duhet t'i llogarisin edhe njëherë ato që fitojnë dhe harxhojnë, për t'u përballur edhe njëherë më shumë me vetveten.

Si një çështje të fundit, dua të shtoj se nuk është e domosdoshme që të kthehet çështja në një tablo pesimiste vetëm duke u bazuar në veprimet aspak serioze të disa njerëzve të zbërthyer. Veçanërisht, ata që gjenden në krye kujdesen me merakun më të madh për këtë çështje, dhe nëse e vazhdojnë jetën vetëm brenda një linje të këtillë, atëherë kjo sjellje e tyre do të dallgëzojë, derisa me kalimin e kohës kjo do të kthehet në një ndërgjegje kolektive të mbarë shoqërisë. Mjafton që ne të shpëtojmë prej të qenit thjesht formalisht myslimanë, dhe krejt sipërfaqësorë, por të mendojmë, të organizohemi, e duke u zhytur në thellësi, të gjendemi përherë me vullnetin dhe vendosmërinë e plotë për t'i ndarë të bardhën nga e zeza, të lejuarën nga e ndaluara dhe të bukurën nga e shëmtuara!

[207] Mu’minun, 23/51.

[208] Shih: Buhari, menakibu’l-ensar, 26; El-Bejheki, es-Sunenu’l-Kubra, 6/97.

[209] Shih: Muuat’ta, zekat, 31; el-Bejheki, es-Sunenu’l-Kubra, 7/14.

[210] Fatir, 35/10.

[211] Maide, 5/42.

[212] Ali el-Mutaki, Kenzu’l-Um’mal, 4/8.

[213] Muslim, zekat, 65; Tirmidhi, (2) 37.

[214] Et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat, 5/251.

[215] Shih: Bakara, 2/57, 60, 168, 172; En’am, 6/118; A’raf, 7/160; Enfal, 8/69; Nahl, 16/114; Taha, 20/181; Haxh, 22/28, 36; Mu’minun, 23/51.

[216] Shih: Nur, 24/26.

[217] Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, fq. 181 (Fjala e Katërmbëdhjetë, Përmbyllje)

[218] Zilzal, 99/7-8.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.