KOHA PËR TË DËGJUAR SHPIRTIN: TRE MUAJT
Pyetje: Çfarë na këshilloni për të përjetuar entuziazmin e tre muajve të bekuar si dhe për të përfituar maksimalisht nga atmosfera shpirtërore e tyre?
Përgjigje: Së pari, duhet thënë se tre muajt janë pjesa kohore më e rëndësishme në të cilën njeriu mund të jetë më pranë Allahut, si dhe të përfitojë më së tepërmi prej mëshirës së pafundme të Tij; të mund të shmanget prej mëkateve dhe të udhëtojë drejt horizontit të shpirtit. Sidomos, përsa i përket pastrimit të nefsit, edukimit të shpirtit dhe qashtërsisë së mendjes, njeriu ka nevojë, pa dyshim, për çdo vit për një periudhë të tillë rehabilitimi qiellor. Dhe kjo periudhë kohore është një arsye tejet e rëndësishme për të realizuar një rehabilitim të këtillë.
Sigurisht, që njeriu, përgjatë kësaj periudhe të zhvishet nga ngarkesat trupore e epshore, e të lartësohet drejt një horizonti të caktuar e të arrijë një nivel të tillë, fillimisht duhet të kalojë një proces meditimi dhe përmendjeje të pareshtur. Dhe teksa është duke realizuar këtë proces, lipset që zemrën dhe shpirtin ta mbajë kaherë të hapur drejt përshpirtshmërisë. Domethënë, teksa nga njëra anë gjatë këtyre muajve përpiqet për të rrokur me mendje e për të kuptuar që kanë të bëjnë me besimin dhe Kuranin duke rilexuar çështjet, në anën tjetër rreket të përthithë sa më shumë nga përshpirtshmëria dhe nga shiu i dritës që i vjen prej lart.
Interesimi kërkon interesim
Deri më tani shumë persona kanë thënë fjalë të bukura nga këndvështrimi dhe horizonti i tyre rreth kësaj periudhe, si dhe kanë tërhequr vëmendjen përsa i përket bukurive që netët dhe ditët e këtyre muajve mund t’u përftojnë jetës së besimtarit. Leximi i përbashkët i veprave të vyera dhe studimi fjalë për fjalë i tyre, dhe përvetësimi i tyre duke i diskutuar, është shumë i rëndësishëm përsa i përket kuptimit dhe ndijimit të përfitimeve dhe fryteve që këto muaj i përftojnë njeriut. Po, për të përfituar siç duhet nga shkrimet rreth tre muajve, duhet evituar leximi i cekët dhe sipërfaqësor, dhe do hapur drejt thellësive të çështjes. Përndryshe, për sa kohë që nuk zhvillohet një ndjenjë e mendim i tillë, është e pamundur për dikë, që të përfitojë denjësisht nga ato ç’ka lexon dhe dëgjon rreth këtyre muajve.
Gjithashtu, për të ndjerë përsosmërisht bukuritë e veçanta të këtyre muajve dhe kënaqësitë që rrezatojnë ato në shpirtin e njeriut, në krye të herës, këto muaj duhen konsideruar dhe vlerësuar si “muaj pasurie”, e më pas, ditët dhe netët e saj duhen vlerësuar seriozisht pa çuar dëm qoftë edhe një sekondë të vetme. Për shembull, dikush që nuk shfaqet i vendosur të ngrihet natën e t’i drejtohet Zotit e të gëlltisë përfitimet e natës, e ka të pamundur të ndjejë e të shijojë thellësisht ato ç’ka përflitet gjatë këtyre muajve. Po, nëse një person nuk hyn i tendosur shpirtërisht në këto muaj, nuk i kryen adhurimet brenda një ndjesie serioze adhurimi, dhe nuk përhumbet në to, nuk do t’i ndjejë kuptimet e këtyre muajve edhe sikur ato të derdheshin me gjyma. Madje, edhe ato çka të tjerët shprehin rreth këtyre muajve i gjykon sipas botëkuptimit dhe aftësive të tij, duke i vlerësuar si të ishin luks apo fantazi.
Po, për të ndjerë përfitimet e këtyre ditëve të bekuara që derdhen mbi ne, së pari duhet besuar dhe shfaqur interes për to. Dhe interesimi kërkon interesim. Nëse ju nuk shfaqni interes për shpirtin dhe kuptimin e këtyre muajve, ato nuk kanë për t’jua hapur dyert. Madje dhe shumë shprehje të ndritura dhe të gjalla që fliten rreth këtyre muajve, juve mund t’ju duken të zbehura e të pajeta. Aq sa, edhe shprehjet e goditura të Ibn Rexheb el Hanbeliut, apo fjalët ngazëllyese të Imam Gazaliut, nuk ju prekin asfare. “Çfarë thonë këta njerëz?”, thoni dhe e kaloni. Sepse përsa i përket ndikimit të një fjale, aq sa është e rëndësishme fjala e thënë, po aq rëndësi ka edhe këndvështrimi, synimi, botëkuptimi dhe të qenët i hapur ndaj kësaj çështjeje.
Ndaj dhe kjo çështje duhet të përvetësohet aq shumë, sa personi duhet të njësohet me Rexhebin, Shabanin dhe Ramazanin. Po, personi duhet të bësh njësh me këto muaj, në mënyrë që ndjejë ato çka këto muaj i thonë shpirtit të tij. Përndryshe, për sa kohë ju mbeteni ata që jeni, nuk shpëtoni nga sipërfaqësia dhe nuk i studioni të vërtetat e këtyre muajve, edhe fjalët shumë të bukura që thuhen rreth këtyre muajve do t’ju hyjnë nga një vesh e do t’ju dalin nga tjetri. Parë nga ky aspekt, njerëzit e orientuar drejt shkujdesjes, që nuk rreken të ripërtërihen në stinën e një pasurie të këtillë, që nuk arrijnë të përthithin seriozitet në gjendjet dhe veprimet e tyre, e kanë tejet të vështirë përftimin nga këto muaj.
Programe të përshtatshme në periudhën e kohës së bekuar
Gjithsesi, është edhe aspekti i shpirtit shoqëror dhe i pranimit të përgjithshëm të shoqërisë. Vetëm personat e thellë, përsa i përket horizontit të zemrës dhe shpirtit, mund ta ndiejnë thellësinë dhe shumanësinë e këtyre muajve. Dhe është e vërtetë që këto kohë, në kuptim të përgjithshëm, populli ynë e vlerëson deri diku vlerën dhe begatinë e këtyre muajve, duke rendur kah xhamitë për t’iu drejtuar Krijuesit. Kjo situatë duhet vlerësuar dhe me anë të programeve dhe aktiviteteve të ndryshme, ku shpirtrave të njerëzve mund t’u përcillen disa mesazhe. Poashtu, edhe në netët e bekuara të këtyre tre muajve si Regaibi, Miraxhi, Beraeti dhe Kadri, mund të organizohen programe të veçanta orientuar njeriut bashkëkohor, duke i ndenjur besnik gjithmonë shpirtit të fesë. Në këtë mënyrë konsiderohet se i kemi vlerësuar këto net për t’i afruar njerëzit me Zotin dhe për t’i përçuar zemrave të tyre të vërtetën e fesë tonë. Ashtu siç mund t’u përçohen disa të vërteta njerëzve të ardhur në xhami, edhe kuvende të tjera mund të vlerësohen nëpërmjet bashkëbisedimeve apo ligjëratave. Kësisoj, njerëzit që besojnë në rëndësinë e këtyre netëve dhe pritshmëria e tyre vlerësohen në mënyrë të drejtë.
Megjithatë dëshiroj të theksoj diçka që e konsideroj të rëndësishme lidhur me këto programe: Synimi ynë i vetëm në të gjitha aktivitetet e organizuara duhet të jetë afrimi një hap më tutje i mendimit dhe i ndjenjave të njerëzve me Allahun (xh.xh.). Nëse këto programe dhe aktivitete nuk na orientojnë drejt synimit tonë dhe gjetjes së vetvetes, ahere jemi munduar më kot. Po, nëse në aktivitetet e organizuara nuk nxjerrim në pah disa të vërteta rreth Krijuesit tonë, nëse nuk i afrojmë një hap më tej për nga Zotëria i Zotërinjve (s.a.s.); por thjesht organizojmë programe dëfryese sa për të thënë “Sa mirë ia kaluam”, ahere kemi shpërdoruar kohën, ndoshta kemi hyrë dhe në mëkat. Çdo udhë që nuk të shpie te Allahu (xh.xh.) dhe te Zotëria ynë (s.a.s.), është veçse një mashtrim. Dëfrimi i njerëzve, organizimi i ballove dhe karnavaleve nuk është detyrë e zemrave besimtare që aspirojnë të jenë interpretë të së drejtës dhe të së vërtetës.
Gjithashtu duhet ditur se njerëzit e sotëm kanë një stil jetese të orientuar nga dëfrimi. Ndaj dhe interesi i tyre në këtë aspekt mund t’ju mashtrojë. Madje mund edhe të mendoni se keni kryer një punë të hairit duke kundruar kënaqësinë në sytë e tyre. Ndërkohë, më shumë sesa interesi i njerëzve, e rëndësishme është se sa në raport të drejtë me kriteret e Kuranit dhe të Synetit është puna që kemi kryer. Edhe nëse në këto programe interesi është i ulët dhe pjesëmarrja e pakët, ju gjithmonë duhet të rendni kah e drejta. Me fjala të tjera, nuk ka rëndësi vlerësimi apo duartrokitjet e njerëzve, por vlera që një program i tillë ka për botën tonë shpirtërore.
Ndaj, në një periudhë të këtillë begatie, ku qiejt kaplohen nga nuri dhe toka stoliset me sofra qiellore, ne duhet t’i orientojmë njerëzit gjithmonë nga bota shpirtërore, dhe në çdo vepër të synojmë qëllime të larta e mendime te gjera. Aq sa vazhdimisht të mund t’i injektojmë personave përreth një kuptim dhe një shpirt të ri, e t’u hapim velat drejt pangopjes në emër të përshpirtshmërisë. E për të realizuar këto, në daçi u lexofshi ilahitë dhe lutjet e vjetra, në daçi këto vlera u përcjellshin me vargje e kompozime të reja, veçse në të gjitha aktivitete tona, njerëzve u duhet përkujtuar dëshira për përjetësi, malli për fituar lumturinë përjetshme, duhet vënë në lëvizja frika e humbjes, dhe si rezultat, duhet t’i drejtojmë njerëzit për kah shpirti i fesë.
Përmbledhtazi, xhamitë, xhematet, xhumatë, Rexhebët, Shabanët, Ramazanët, Regaibët, Miraxhët, Beraetet dhe Kadret, duhen vlerësuar gjithmonë si mundësi për t’i orientuar njerëzit drejt Allahut, dhe të gjitha programet e organizuara përgjatë këtyre periudhave të bekuara kohore, të denja për rezervuar përjetësi në çdo çast të tyrin, duhet të synojnë realizmin e qëllimeve të larta.
- Publikuar më .