HORIZONTI I NJOHJES

HORIZONTI I NJOHJES

Pyetje: Nijazi Misriu, duke thënë “Me haxh, namaz dhe agjërim/ mos mendo se përkushtimi yt gjen mbarim/ se për t’u bërë njeri i përsosur/ e nevojshme është njohja.”, ka theksuar pikërisht njohjen. Për t’u bërë njohës, përveç sendërtimit të detyrimeve fetare, për çfarë rrugësh të tjera mund të bëhet fjalë, të cilat të çojnë drejt saj?

Përgjigje: Detyrimet si namazi, haxhi dhe agjërimi, megjithëse janë detyrime që përbëjnë themelet e çdo adhurimi, çelësi i mrekullishëm që hap portat për t’u njohur me parimet e besimit dhe me adhurimin, është Fjala e Dëshmisë. Andaj, ajo është një fjalë e bekuar që bashkon fillimin dhe fundin në një pikë të vetme. Me fjalë të tjera, fjala e dëshmisë, është njëkohësisht edhe pikënisje, por edhe vendmbërritje. Pa qenë ajo, nuk i ngelet kuptim as besimit tek engjëjt, as te librat, profetët, ahireti apo te kaderi. Njëkuptimisht, edhe që adhurimet e tjera të fitojnë një kuptim, por dhe vlerë, duhet të bëhet e mundur që të hyhet përmes kësaj porte. Ashtu siç përmendet edhe në hadithin e Xhebrailit, në krye të çdo gjëje vjen besimi. Mandej e ndjek Islami, derisa mbërrin në horizontin e ihsanit. [70] Me pak fjalë, themeli dhe pjalmimi i fesë kryhet në besim, ndërsa fundi, fryti i saj, arrihet në ihsan.

Adhurime të kurorëzuara prej vetëdijes

Sa për njohjen, ajo është një koncept që duhet hulumtuar brenda kornizës së ihsanit. Andaj, një njeri që kërkon të arrijë në stadin e njohjes, duhet fillimisht të besojë shëndoshë, e mandej të kryejë punë të mira, derisa ta kthejë në një kulturë të ndërgjegjes së vet. Po, rruga më e sigurt për të mbërritur në njohje është të kryerit e adhurimeve me kujdes dhe vetëdije të plotë. Sepse në kohën që në adhurime nuk është arritur niveli i përsosmërisë, atëherë edhe mbërritja në njohje është e pamundur. E ai që nuk arrin dot njohjen, atëherë nuk ka se si të ndjejë dashuri për Allahun, për të Dërguarin e Tij. Nuk duhet harruar kurrsesi, se ngase këto janë të mirëlidhura me njëra-tjetrën, e dyta mund të arrihet vetëm pasi të jetë arritur e para. Andaj, kur e shohim çështjen nga perspektiva e një njeriu të nderuar “Mos mendo o rob, se detyra jote përfundon me namaz e agjërim. Ajo që u dashka për t’u përsosur qenka njohja.” , shihet se sa mirë janë të mirërregulluara të gjitha aspektet e jetës së një njeriu. Sepse një njeri që jeton i privuar nga vetëdija e ihsanit dhe nga drita e njohjes, adhurimet marrin veç formën e një formaliteti, e nuk mund ta kalojnë kufirin e të qenit thjesht kulturë. Ka agjëruar edhe ai pse e ka parë ta bënin edhe të tjerët, është falur pasi ashtu ka parë të bëjë nëna dhe babai më parë, e po në haxh ka shkuar pse shkojnë të gjithë. Andaj, te kësi njerëzish, ngase adhurimi nuk e tejkalon masën e të qenit veç formë e jashtme, është e pamundur të kërkosh për kuptim apo për shpirtërore. Zaten a nuk shprehet Profeti ynë i Dashur: “Ka shumë agjërues që arritja e tyre e vetme është uria dhe etja e kotë. Ka shumë që falen, por arritja e tyre e vetme është lodhja dhe mundimi” [71] ? Domethënë, që edhe adhurimi të përfitojë njëfarë vlere, ai duhet të shihet në dritën e faktit se sa të ndihmon ai në arritjen e njohjes.

Për shembull, ka një lloj namazi që bëhet krejt me vetëdijen e ihsanit, që njeriu aty mund ta ndjejë veten të pranishëm përpara Zotit të tij. Asisoj, që teksa i lëviz duart dhe këmbët, e ndjen veten sikur është duke shkelur mbi shtrojet e Fronit të Lartë. Madje edhe fillon të përpëlitet se mos qoftë edhe lëvizja më e vogël quhet si ndonjë paturpësi e bërë karshi Zotit. Në fund të fundit, Allahu e tregon kështu namazin e të Dërguarit të Tij: “Ai, që të sheh, kur t’i ngrihesh e falesh. E sheh edhe se si përpëlitesh në mes të atyre që i bëjnë sexhde Allahut.” [72]

Por, ai person që nuk e arrin këtë të paktën në mënyrë të ndërgjegjshme, duhet të mendojë përherë në frymën e ihsanit se Allahu është duke e parë, e ai duhet të mundohet që ta bëjë çdo lëvizje po me të njëjtën frymë. Sepse kur njeriu fillon të tregojë kujdes për lëvizjen e duarve, fillon t’i mbajë këmbët në vend, ta dijë se ku duhet ta përqendrojë shikimin gjatë faljes, ta dijë se ku duhet t’i ketë mendimet në çastin e sexhdes, kjo është shenjë që ai po sillet vetëdijshëm se është duke u parë prej Zotit, gjë e cila vërehet teksa pasqyrohet te sjelljet dhe veprimet e tij.

Patjetër, fillimisht, që të arrihet njohja, adhurimet duhet të përmbyllen me vetëdije. Për shembull, një njeri që është në namaz, duhet ta kryejë atë me vetëdijen e plotë për atë ç’është duke bërë. Nuk është e drejtë që nijetin e përmendur para namazit ta shohë të kufizuar thjesht në fjalët: “Bëra nijet për të falur aksh namaz.” Ai është një qëllim që arrihet me zemër. Domethënë ta heqësh prej vetes atë që është e padobishme, vulgare nga shpirti dhe ndjenjat e tua, e ta ndjesh deri në thellësitë e shpirtit se je i lidhur në adhurim përballë Zotit tënd, madje deri në harrim të vetvetes. Madje, as atë harrimin e vetvetes të mos e kuptosh, e kur të arrish këtë pikë, të mund ta çosh deri në fund pa i ndryshuar asgjë. Ndoshta nganjëherë njeriu mund të bjerë pre e disa erërave jo të mira. Por ai, përherë, duke e përdorur deri në fund vullnetin e tij, duhet të përpiqet që t’i tejkalojë një orë e më parë. Ai duhet t’i dijë shumë mirë kuptimet e përftuara brenda ajeteve dhe lutjeve të thëna gjatë namazit, e t’i ndjekë me një vetëdije të devotshme deri në çastin më të fundmë të tij. Ja, pikërisht përpjekja dhe mundi i derdhur për të arritur një adhurim sa më të mbushur me vetëdije, është një referencë e patërremë që të çon kah rruga e njohjes.

Thagma e qëndrueshmërisë dhe vazhdueshmërisë

Për të arritur njohjen, përveç lidhjes sonë seriozisht, me vendosmëri dhe vetëdije me Zotin, është shumë e rëndësishme edhe qëndrueshmëria dhe vazhdueshmëria në këtë çështje. Sjellja e Allahut karshi jush ka për të qenë përherë në raport të drejtpërdrejtë me fuqinë e lidhjes suaj pas Tij. Brenda shprehjeve të Njeriut më të lartë të horizontit të njohjes thuhet: “Vepra më e dashur pranë Allahut, është ajo që, edhe pse e paktë, është e vazhdueshme.” [73] . Nuk duhet harruar, se nuk janë pikat e ujit ato që hapin vrimë në mermer, por vijimësia e tyre. Po, megjithëse uji është një lëndë shumë e hollë dhe e butë, vijimësia e tij mund të çajë edhe mermerin. Kësodore, që njeriu të mund të hapet lehtësisht drejt horizonteve të njohjes, duhet të bëjë durim, të tregohet i vendosur dhe i vazhdueshëm në adhurimet e tij.

Bie fjala, mund t’ju duket një shembull shumë i gjetur rasti i Ebu Hanifes, që e shihte natën e kadrit si të fshehur në të gjitha netët e një viti. [74] Sepse Allahu, ashtu siç ka fshehur shumë gjëra brenda shumë të tjerash, edhe natën e Kadrit e ka fshehur në një nga netët e vitit. Patjetër, që edhe ata që e kërkojnë atë vetëm në natën e njëzeteshtatë duhet të duartrokiten, kjo është çështje tjetër. Por e rëndësishme është qasja e Ebu Hanifes, “ta konsiderosh çdo natë si natë kadri.” Me këtë qëllim, njeriu duhet të çohet nga shtrati çdo natë, e për t’i dhënë ndriçim vetes në botën e varrit, duhet të shprehë edhe njëherë besnikërinë e tij karshi Krijuesit i lidhur në adhurim. E ç’vlerë mund të ketë të jesh mysafir i shtratit, kur ekziston mundësia që të bëhesh mysafir tek Allahu (xh.xh.). Sa bukur ia thotë i nderuari Ibrahim Hakë:

Oj zemër, po ç’është gjumi, çohu, eja këtyre netëve,
Vështroji njëherë yjet e këtyre vetmitare netëve,
Shihe pak gjithësinë me tërë këto urtësi,
Gjeje Artistin e tyre mysafir atyre netëve.

Çelës për çdo mbarësi: Thjeshtësia

Si një rrugë për të arritur njohjen mund të përdoren edhe shkallët e rrugëtimit të përparimit shpirtëror. Në të njëjtën mënyrë, Said Nursiu pati vendosur mundësinë e entuziazmit dhe falënderimit sajë dobësisë dhe varfërisë, si një disiplinë që të çonte drejt njohjes. [75] Domethënë, njeriu, pa qenë ndihmesa e Zotit, nuk mund të bëjë dot asgjë vetë, sepse nuk ka asnjë kapacitet të vetin, por prapëseprapë, jeton si mbretërit, e duke e mbajtur përherë në qendër të vëmendjes se çdo gjë i ka ardhur prej Pasurisë Absolute, kalon më tej në një çlirim metafizik prej entuziazmit të arritur.

Një prej mënyrave të tjera për të arritur rrugën e njohjes është leximi i Kuranit duke e kuptuar. Të hapesh në thellësitë autentike të Kuranit si një dijetar si Hamdi Jazëri, Bejzaviu, Ebu Suudi, apo si Alusiu, duke e dëgjuar Atë edhe njëherë, ashtu siç ka zbritur, e bën njeriun të fluturojë si një pëllumb, duke e mbajtur përherë brenda atmosferës së një çlirimi metafizik.

Që një njeri të bjerë në hapjet që të fal njohja, thjeshtësia, respekti ndaj Allahut, janë edhe ata nga një kriter themelor në këtë rrugëtim. Sepse siç na e thotë edhe një nga më të mëdhenjtë e botës shpirtërore, Jusuf ibni Husejn Radiu, thjeshtësia është një çelës i mistershëm drejt çdo mbarësie, ashtu siç çelësi i çdo prapësie është mendjemadhësia dhe egoizmi. Njerëzit vetëkrenarë dhe egoistë, sikur edhe tërë jetën ta kalojnë duke mos e ngritur fare kokën nga sexhdeja, prapëseprapë nuk e arrijnë dot nivelin e pritur. Sepse në fund të fundit, në një hadith kudsi, Allahu shprehet kështu: “Madhështia është mbloja ime kryesore, ashtu siç është shfaqja ime. Kush ngrihet të konkurrojë me mua në këtë fushë, dhe ngrihet të marrë pjesë për vete prej tyre, e rrënoj e mandej e hedh në Xhehenem.” [76]

Me pak fjalë, siç shihet deri më tani, ka shumë rrugë për të arritur në horizontin e njohjes. Sepse rrugët që të çojnë për tek Allahut janë sa numri i tërë frymëmarrjeve të të gjitha krijesave të Tij.

[70] Buhari, iman, 37; tefsiru sure, (31) 2; Muslim, iman, 5, 7.

[71] Ibni Maxhe, sijam, 21; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 2/373.

[72] Shuara, 26/218-219.

[73] Buhari, rikak, 18; Muslim, salatu'l-musafirin, 218.

[74] Shih: Ibni Abdilberr, et-Temhid, 2/208; en-Neueui, Sherhu Sahihi Muslim, 8/57.

[75] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, fq. 518 (Fjala e Njëzetegjashtë, Shtojcë)

[76] Muslim, birr, 136; Ebu Daud, libas, 26.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.