Heronjtë e mendimit dhe të veprimit

Njerëzit e mendimit dhe të veprimit janë persona aktivë, energjikë, që planifikojnë vazhdimisht. Ata janë thellësisht të përqendruar për të sjellë paqen në botë dhe përfaqësojnë lëvizjen e ngritjes sërishmi të statujës së shpirtit tonë, ndërkohë që kemi qenë të rrëzuar përtokë për shekuj me radhë, ata sjellin vlerat tona historike në epokën moderne. Ata janë të aftë të lëvizin me efikasitet midis veprimit dhe mendimit me anë të vullnetit dhe arsyes së tyre, duke qenë të tillë, që bëjnë të mundur endjen e pëlhurës më të re të shpirtit dhe arsyes sonë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën.

Ata kanë qenë gjithmonë të frymëzuar nga “paqja” përgjatë udhëtimit të tyre, që nga ndjenjat e deri tek idetë, dhe prej aty në çdo fazë të jetës praktike. Objektivi i tyre i vetëm është rindërtimi dhe projektimi i të ardhmes sonë. Ata janë ushtarët shpirtërorë të së Vërtetës, në vend që të pushtojnë vende dhe të kalojnë nga fitorja në fitore me anë të përdorimit të forcës dhe fuqisë së tyre materiale, realizojnë trajnimin e liderëve të shpirtit, arkitektëve të mendimit dhe punëtorëve të ideve të reja. Ata gjithmonë i mbushin mendjet tona me ide që kanë të bëjnë me rindërtimin dhe i udhëheqin pasuesit e tyre drejt rrugës së rindërtimit të rrënojave të shoqërisë së vjetër. Ata janë ushtarët shpirtërorë të pajisur me zell të jashtëzakonshëm dhe me mirënjohje të cilët kanë qenë në gjendje të bashkojnë vullnetin e tyre me Vullnetin e Pafundmë, të transformojnë varfërinë në përparim dhe dobësinë në fuqi. Për sa kohë që ata të përdorin këto burime fuqie, në përputhje dhe bindje të plotë ndaj urdhrave të Zotit, ata kurrsesi nuk mund të mposhten dhe në rastet kur mendohet gabimisht se janë mundur, do të rishfaqen në majë të një tjetër kështjelle si fitimtarë.

Një hero i mendimit dhe i veprimit merr përsipër role të ndryshme në shoqëri: herë si patriot besnik, si hero i veprimeve kuptimplote, herë si pasues i devotshëm i shkencës dhe dijes, si artist, apo gjeni, si burrë shteti dhe nganjëherë me të gjitha këto veti së bashku. Historia jonë jo e largët na sjell ndërmend një numër të konsiderueshëm njerëzish të cilët mund t’i paraqesim si shembuj për të ilustruar rolet e lartpërmendura. Disa prej tyre jetuan duke përdorur në dobi të shoqërisë më tepër mendjen, se veprat, të tjerë i patën të dyja në të njëjtin nivel. Por ka edhe njerëz të veprimit, idetë e të cilëve qenë krejtësisht të zbehta dhe të padukshme.

Ahmed Hilmiu i Plovdivit, Mustafa Sabri Bej, Ferit Kam, Muhamed Hamdi Jazër, Sulejman Efendi, Ahmed Naim, Mehmet Akif, Nexhip Fazëll dhe Bediuzzamani janë vetëm disa prej emrave që mund të përmendim mes figurave të shquara për karakterin e tyre. Unë nuk do të hyj në detaje biografike me qëllim qëndrimin brenda caqeve të këtij teksti të shkurtër, por vetëm sa do t’u hedh paksa dritë historive të jetës së tyre.

Ahmed Hilmiu i Filibes (Plovdiv) (1865 – 1914)

I lindur në Plovdiv të Bullgarisë dhe duke qenë i biri i ambasadorit turk atje, ai e nisi shkollimin e tij në Liceun “Gallatasaraj” (Mekteb-i Sulltani), ku u njoh edhe me idetë e epokës së re. Më vonë u zhvendos në Izmir, pasi ishte dërguar më parë në Bejrut. Ndërkohë mbante kontakte me Xhon Turqit dhe për pasojë u internua për në Fizan. Më vonë u rikthye në Stamboll dhe u angazhua në themelimin e qeverisë Kushtetuese, duke u bërë flamurtar i ideve të Ittihadi Islam (Unionit të Islamit), me anë të botimit të një gazete me të njëjtin emër dhe duke mbajtur njëkohësisht detyrën e zëdhënësit të kësaj rryme. Më vonë, nisi të punonte për një tjetër të përditshme, “Hikmet”, e cila shërbeu si një platformë për ballafaqimin e tij me grupimin Ittihad ve Terakki (Bashkim dhe Progres). Më pas ai vajti të punonte në shumë gazeta dhe revista të tjera, si dhe të shpjegonte filozofi për pak kohë në Darulfunun (Universitetin e Stambollit). Ahmed Hilmiu vdiq në moshë mjaft të re, i helmuar, me shumë gjasa, prej masonëve, të cilët ishin armiqtë e tij të përhershëm.

Ky njeri mjaft i shquar i mendimit dhe veprimit, në jetën e të cilit ne vetëm sa hodhëm një vështrim të shpejtë, është një person i cili la pas shumë vepra në pritje të zbulimit të tyre prej fletëve të historisë.

Ferit Kam(1864-1944)

Jetëshkrimi i këtij njeriu të shquar të mendimit, shijehollë dhe mjeshtër i gjuhës, mjaft aktiv që në moshë shumë të re në jetën kulturore të Stambollit, është si vijon: ai ishte një mësues frëngjishteje dhe kishte një interes të madh për fushën e filozofisë. Për shkak të ndjekjes së zellshme të kësaj fushe, për njëfarë kohe ra në depresion, por menjëherë më pas, me ndriçimin e Dritës Hyjnore, gjeti strehë tek Sufizmi dhe u bë edhe një herë i aftë për të rigjetur ekuilibrat e humbur. Ai shkroi për gazetat “Sirati Mustekim” dhe “Sebilurreshad”, punoi si profesor në “Darulfunun” dhe Medresenë “Sulejmanije”, më pas iu bashkëngjit Darul Hikmetil Islamije (Këshilli i Mençurisë Islame), duke përjetuar transferime dhe pushime nga puna, si dhe vuajte dhe privime të pafundme. Si rezultat i këtyre, ai, si çdo hero i mendimit dhe i veprimit, kaloi një jetë mjaft aktive me përkushtim ndaj Ahiretit, deri në ditën kur u nis drejt Zotit.

Vëllime të tëra librash nuk do të mjaftonin të përshkruanin gjithë jetën e tij të devotshme me anë të kritikave dhe komenteve të ndryshme. Ky intelektual i shekullit të njëzetë duhet të gjendet patjetër në kurrikulumin e brezave të sotëm. Ai përbën një burim të pasur frymëzimi.

Mustafa Sabri Bej (1869-1954)

Ky bir i shquar i Anadollit, ishte një hero i përpjekjeve. Ai punoi si profesor, si drejtor i bibliotekës së pallatit mbretëror, si deputet në parlament, si shkrimtari kryesor i Bejanul Hak. Qe një anëtar i Hyrrijet ve Itilaf Firkasi (Partia e Pavarësisë dhe e Bashkimit), dhe në fund iu bashkëngjit shejhulislamit. Ai gjithmonë u shfaq si hero i veprimit dhe i përpjekjeve derisa u detyrua të largohet nga vendi, pas grushtit të shtetit të 1913. Rrethanat e papërshtatshme e detyruan të vazhdonte shërbimin e tij në një vend tjetër mysliman, por ai u rikthye, sapo vuri re se ekzistonte mundësia për ndjekjen e kauzës së tij në Turqi. U bë anëtar i Daru’l Hikmeti’l Islamije, e më vonë u caktua si Shejhulislam[1]. Kjo ishte mundësia e tij e fundit për t’i shërbyer vendit të vet. Në vitin 1922 u largua për në Rumani, pastaj në Greqi dhe më vonë vdiq në Egjipt në vitin 1954 pasi kishte kaluar një jetë plot me grindje dhe ankth të pareshtur, me ulje dhe ngritje, por tejet të pasur, duke u bërë burim i rëndësishëm kërkimi për shumë studiues.

Babanzade Ahmed Naim (1872-1934)

I lindur në Bagdad, Ahmed Naim ishte djali i një pashai. Ashtu sikurse edhe shokët e tij, edukimin e tij e pati në Stamboll. Ky karakter i dalluar ishte i pajisur me një botë të gjerë ndjenjash dhe mendimi. Studioi në Liceun “Gallatasaraj”, Shkollën “Mulkije” (Shkolla e Shkencave Politike), pastaj u bë zyrtar i Departamentit të Përkthimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme e më pas drejtor i Arsimit në Ministrinë e Edukimit. Më pas edhe anëtar i Zyrës së Përkthimeve, pedagog në Fakultetin e Letërsisë të “Darulfununit” e në fund edhe rektor i këtij universiteti për një kohë të shkurtër.

Duke u lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme shkencore dhe edukative brezave të ardhshëm, Ahmed Naim përbën një burim të rëndësishëm ushqimi shpirtëror e mendor për shoqërinë turke të ditëve tona, si nga pikëpamja filozofike, ashtu dhe nga ajo shpirtërore.

Mehmet Akif Ersoj (1873-1936)

Vëllime të tëra librash janë shkruar rreth këtij patrioti të sinqertë, ai qëndron më lart se çdo lloj përshkrimi që mund t’i bëhet. Shumë komente dhe kritika janë bërë rreth figurës së tij, por unë besoj se shumë të tjerë do t’i bëjnë jehonë besimit, dashurisë, entuziazmit, aktivizmit, kauzës dhe ideve të tij. Ai është një nga intelektualët e paktë turq të epokës së vet, i cili përshkoi Anadollin, Rumelinë dhe Arabinë. Në çdo qytet ku ai u ndal, foli për brengat e gjata të një kombi të pafat dhe talenti i tij poetik i bëri të tjerët të dridhen. Ai ia arriti të ruante vijueshmërinë në rrugën e tij si një figurë publike e sinqertë dhe e përkushtuar përgjatë gjithë jetës, duke nisur karrierën si mjek veterinar, duke vijuar pastaj si inspektor zyrtar, më pas si pedagog letërsie në “Darulfunun” dhe më vonë si anëtar i Sirati Mustekim, duke marrë pjesë në Daru’l Hikmeti’l Islamije dhe duke mbajtur ligjërata të shumta gjatë Luftës Kombëtare Turke.[2]

Ne jemi mirënjohës për studimet që janë bërë rreth jetës dhe veprës së Mehmet Akifit. Ne sërish shpresojmë se në të ardhmen do t’i kushtohet një vëmendje edhe më e madhe kërkimeve rreth aktivitetit dhe ideve të shumë aktivistëve të së shkuarës në fushën e mendimit, veprimit dhe artit, si ky bir i shquar i kombit turk, i cili jetoi me përulësi si sahabet e Profetit, duke ikur nga kjo botë krejtësisht i mjerë dhe i zhveshur nga të gjitha pasuritë materiale të kësaj bote.

Elmallëllë Muhamed Hamdi Jazër (1878-1942)

Ai ishte një dijetar kalibri, i respektuar gjerësisht në të gjithë botën. Pasi kreu shkollën fillore në Elmallë, një qytet i vogël në Anadoll, lëvizi për në kryeqytet për të plotësuar shkollimin e tij. Mori mësime prej dijetarëve mjaft të shquar, duke u diplomuar në teologji e më pas duke mbajtur leksione dhe seminare në Mektebi Nuvvab dhe Medresetul Vaizin. Më pas u bë anëtar i parlamentit gjatë Qeverisë së Dytë Kushtetuese. Për shkak të një interpretimi jokorrekt nga ana e tij, ai nënshkroi vendimin juridik (fetvanë) për abdikimin e Sulltan Abdulhamidit II. Pastaj u bë anëtar i Daru’l Hikmeti’l Islamije dhe më pas Ministër i Çështjeve Sociale. Pasi u persekutua prej “Gjykatave të Pavarura,” i shpëtoi ekzekutimit dhe u dërgua në një internim mjaft të gjatë, gjatë të cilit shkroi një koment të mrekullueshëm të Kuranit. Hamdi Jazër, zë një vend të veçantë në historinë tonë të filozofisë dhe aktivizmit.

Nexhip Fazëll Kësakyrek (1905-1983)

Paraardhësit e Nexhip Fazëll ishin nga Marashi, por ai vetë lindi në Stamboll dhe u rrit si fisnik Stambolli. Kolegji Amerikan dhe Marina qenë dy vendet që luajtën një rol mjaft domethënës në rininë e tij të hershme, duke përgatitur terrenin për të nxjerrë në pah talentin. Pasi studioi filozofi në Darulfunun, iku për në Sorbonë, ku u ndesh për herë të parë me botën perëndimore. Pasi punoi si inspektor bankar, i hyri biznesit për një kohë të shkurtër pa dëshirën e tij. Frymëzimi i tij artistik ndikoi tek të gjithë, me, apo pa talent, në Konservatorin Shtetëror dhe në Akademinë e Arteve të Bukura. Ai qe projektues dhe arkitekt, por edhe zotërues i përvuajtur i shkollës së mendimit të quajtur Byjyk Dogu (Lindja e Madhe), duke botuar edhe një gazetë me të njëjtin emër. Kjo gazetë u mbyll me forcë disa herë, por vazhdonte të botohej përsëri, çdoherë me një program të ri, të modifikuar gjatë mbylljes, duke u udhëhequr prej vullnetit të jashtëzakonshëm të themeluesit të saj. Nexhip Fazëll ishte një mjeshtër i poezisë dhe prozës, gjithashtu një punëtor i ideve të së ardhmes. Hapësira gjerë sufiste e mendimit, zgjuarsia metafizike, respekti i përhershëm për të Vërtetën Absolute, moderimi i thellë dhe përulja ndaj shpirtit të Profetit, Krenarisë së gjithë ekzistencës, përbëjnë vetëm disa prej pikave të oqeanit të gjerë të cilësive të tij të admirueshme, të cilat i demonstroi në fusha të ndryshme. Këtij njeriu të madh është e domosdoshme t’i bëhet një analizë e thellë në çdo aspekt, ndaj ai duhet t’i bëhet i njohur rinisë turke e madje edhe botës mbarë me anë të themelimit të një instituti që të mbajë emrin e tij.

Sulejman Efendi (Hilmi Tunahan 1888-1959)

Bir i një familjeje fisnike në Silistre, Sulejman Efendiu u rikthye dhe filloi të jepte mësim në qytetin e tij të lindjes, ashtu si i ati. Pasi arriti një nivel të lartë maturie, ai u aftësua të ndërthurë pasurinë shpirtërore me shkollimin që kishte marrë në Stamboll. Familja e tij, duke e parandjerë misionin dhe të ardhmen e tij të ndritur, ishte mjaft e lumtur për faktin se shpresat e tyre po bëheshin realitet dhe po mbusheshin me gëzim, kur shikonin numrin në rritje të studentëve, shokëve dhe vëllezërve që mblidheshin rreth tij me besnikëri dhe bindje të plotë.

Sulejman Efendiu ishte një hero i përpjekjeve, një prej atyre njerëzve mjaft të rrallë, të cilët kurrë nuk lodhen gjatë gjithë jetës. Ai mbrojti me vendosmëri rrugën suni të besimit dhe zgjodhi të punonte dhe të luftonte në një kohë, kur ndjenjat dhe idetë fetare ishin nën goditje të vazhdueshme. Ai thuri dantellën e shpirtrave tanë, duke përdorur idetë dhe ndërgjegjen historike si pëlhurë, u përpoq t’i bënte themelet e ekzistencës të perceptueshëm për të gjithë, me anë të hapjes së shkollave, konvikteve dhe azileve në çdo cep të vendit, duke mos u tërhequr kurrë nga përpjekjet për përmbushjen e misionit të tij deri në ditën e vdekjes.

Është e pamundur ta përshkruash këtë njeri të madh të veprimit në kaq pak rreshta. Për të përshkruar një hero të tillë të shpirtit dhe arsyes, do të duheshin vëllime të tërë librash. Ky hero, pavarësisht shumë pengesave, u bë furnizuesi i çdo cepi të vendit, që nga Edirneja e deri në Ardahan, me edukim dhe shkollim, në një periudhë mjaft të shkurtër.

Ne do t’ia lëmë analizën e misionit, veprës, interpretimit dhe filozofisë së këtij personaliteti mjaft të rëndësishëm kërkimeve të akademikëve me cilësi shpirtërore dhe hulumtuese, duke shpresuar që kjo përpjekje e vogël mund të shndërrohet më vonë në një vepër shumë më të madhe.

* * *

Kur flasim për intelektualët e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, nuk ka si të mos na vijë ndërmend Nurettin Topçu, një bir i vërtetë i kombit, mendimtar krijues, hero i dashurisë dhe ngazëllimit, pavarësisht prej disa sjelljeve të tij kontradiktore, të cilat bien në kundërshtim me kriteret tona bazë. Gjithashtu duhet të marrim në konsideratë edhe figurën e Sezai Karakoçit, intelektualit të shquar dhe mendimtarit të madh, poetit kolos dhe shkrimtarit të shekullit, i cili thuri me durim idetë e tij të ndritura për të ardhmen, duke ecur në rrugën e tij, i mbushur me dhimbjet më të thella, por të kaluara në heshtje. Ne duhet të përmendim gjithashtu me respektin më të madh Esad Efendi, Sani Efendi, Arvasi Hazretleri, Ali Hajdar Efendi, Mehmed Zahit Kotku, Imam Allvar, Seyda i Serdehlit, dhe Muhamed Reshit Efendi i Menzilit dhe të mendojmë në lidhje me dashurinë, entuziazmin dhe veprat e tyre përsa i përket fushës së shërbimit ndaj të tjerëve.

Dhe a mund të harrohet vallë Bediuzzamani, i cili i përmbysi të gjitha planet e jobesimtarëve dhe ateistëve me atë besim të fuqishëm, me idetë e tij kumbuese dhe me aktivizmin të tij marramendës?

Është thënë e shkruar shumë në mbarë botën për këtë mendimtar që është edhe njëri prej autorëve më të lexuar në mbarë botën gjatë gjithë shekullit të fundit. Veprat e tij janë përkthyer në të gjitha gjuhët më të rëndësishme. Nuk është e nevojshme të bëhen përshkrime të gjata për ta bërë atë më të njohur, prandaj është e mjaftueshme të citojmë një fragment të shkurtër nga parathënia e shkruar për njërën nga veprat e tij.

Bediuzzaman Said Nursi (1877-1960)

Jeta e Bediuzzamanit, përbën një burim të pasur kërkimesh për dijetarët, duke bërë kështu të mundur paraqitjen e veprës dhe personalitetit të tij mbarë njerëzimit. Ai ishte figura numër një e epokës moderne, e cila bëri të mundur paraqitjen e oqeanit të gjerë të besimit islam, vlerave morale dhe ndërgjegjes në mënyrën më efikase dhe të pastër të mundshme. Një vlerësim sentimental në lidhje me Bediuzzamanin dhe idetë e tij, nuk përbën mënyrën më të mirë për ta rikujtuar atë dhe veprat e tij. Sentimentalizmi nuk përputhet mirë me seriozitetin e çështjeve, të cilat ai i studioi në mënyrë të vazhdueshme dhe u bëri jehonë me trimëri. Ai e kaloi tërë jetën nën hijen e Kuranit dhe traditës profetike, si dhe nën krahët e përvojës dhe të logjikës. Ai qe një njeri me gjykim të shëndoshë, i mbushur me dashuri dhe entuziazëm në një shkallë të pakrahasueshme.

Shumë botime dhe konferenca i janë kushtuar cilësive të dallueshme të Bediuzzamanit, si devotshmëria ndaj idealeve të larta, perceptimi i tij i thellë për botën e sotme, thjeshtësia, humanizmi gjithëpërfshirës, besnikëria ndaj shokëve të tij, dëlirësia, modestia, përulësia dhe të kënaqurit me pak. Është fakt që secila prej këtyre cilësive kërkon një studim të veçantë, në vëllime të veçanta, për arsye se Bediuzzamani flet zakonisht për to në veprat e tij. Ka ende shumë prej shokëve të tij mes nesh, çdonjëri prej të cilëve përbën një dëshmi të gjallë dhe të bekuar që pati fatin e mirë të të qenit afër tij gjatë jetës, duke u bërë kështu dëshmitarë të gjerësisë shpirtërore dhe prosperitetit intelektual të atij njeriu.

Pamja tij e jashtme ishte e thjeshtë dhe modeste, gjë e cila nuk të jepte përshtypjen se ke të bësh me një dijetar të këtij kalibri. Megjithatë, ai shfaqi gjithmonë një karakter mjaft të fortë nëpërmjet ideve dhe jetës së tij mjaft aktive. Tipare të tilla janë vërejtur në shumë pak personalitete të tjera historike. Ai e përqafoi mbarë njerëzimin me anën e ideve që kishin të bënin me çështje të përbashkëta rreth vuajtjeve të njerëzve në mbarë botën. Urrente mosbesimin, tiraninë dhe largimin nga feja, ndaj luftoi kundër despotizmit, duke i qeshur vdekjes në fytyrë. I qëndroi besnik kauzës së tij me aq fisnikëri saqë nuk ndjente asgjë tjetër përveç dëshirës për të plotësuar nevojat minimale për mbijetesë. Të qenit gjatë gjithë jetës dhe misionit të tij si person me një gradë të lartë shpirtërore, ishte rezultat i të vepruarit në përputhje me Kuranin dhe Sunetin, të respektimit të arsyes dhe logjikës. Sjelljet e tij modeloheshin prej dy pjesëve të veçanta të karakterit të tij të pasur: e para ishte të qenit një person heroik, një ushtar i madh i ndërgjegjes, njeri i dashurisë dhe i entuziazmit, ndërsa e dyta përbënte pjesën e karakterit të një mendimtari vizionar, i cili udhëhoqi bashkëkohësit drejt planeve dhe projekteve të mëdha që kishin për bazë ekuilibrin intelektual. Ky këndvështrim ndaj Bediuzzamanit është mjaft domethënës, si një prej hallkave të zinxhirit të njerëzve të mëdhenj të historisë islame, e cila do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë atë çfarë ai përfaqësonte për ne në këtë epokë.

Megjithëse duket se disa e injorojnë me qëllim, bashkëkohësit e tij e konsiderojnë Bediuzzamanin një prej mendimtarëve dhe shkrimtarëve më seriozë të epokës së tij, zëdhënës dhe prijës i masave dhe njëkohësisht një njeri i cili arrinte të ruante të paprekur modestinë, duke qenë mjaft larg prej çdo shfaqje mburrjeje. “Fama është e njëjtë me hipokrizinë dhe është mjaltë i helmuar që vret zemrat”, është një prej epiteteve të tij në lidhje me këtë çështje. Ai ka qenë gjithmonë një prej autorëve më të admiruar të botës islame të shekullit të njëzetë dhe në ditët tona është një prej më të admiruarve në mbarë botën. Veprat e tij janë lexuar vazhdimisht me mjaft kujdes, me ndjenja të sinqerta vlerësimi dhe do të vazhdojnë të jenë të një rëndësie të veçantë sa më shumë që kalon koha.

Veprat e Bediuzzamanit janë fryt i përpjekjeve serioze për të shpjeguar çështje të veçanta. Ato kanë nevojë të studiohen nga këndvështrimi i kohës në të cilën lindi. Lexuesi mund të lexojë vajtimet, shpresat dhe etjen e Anadollit, por edhe të mbarë botës islame. Megjithëse lindi në një fshat të vogël, në njërin nga skajet më të largëta të Anadollit lindor, i shprehu ndjenjat tona si një fisnik i lindur në Stamboll, duke përqafuar mbarë vendin me një mëshirë të gjerë dhe sinqeritet të pastër.

Bediuzzamani e udhëhoqi popullin tonë të dërrmuar prej goditjeve të njëpasnjëshme drejt burimit të Hidrit[3], duke frymëzuar kështu rilindjen nëpërmjet veprave të tij, të cilat shndrisnin prej besimit dhe shpresës, në një kohë kur materializmi e kishte përmbytur jetën tonë intelektuale, kur komunizmi kishte arritur kulmin e tij dhe kur bota ishte duke përjetuar periudha fatkeqe të mbushura me kaos. Përpara gjithë të tjerëve, ai u ballafaqua dhe u përpoq të ndeshej me anarkinë e cila bazohej në mosbesim dhe ateizëm, duke e përkufizuar atë si problemin më domethënës që kishte nevojë të zgjidhej urgjentisht. Përpjekjet e tij në këtë drejtim ishin të mëdha, saqë arrinin përmasat e mbinjerëzores. Duke u vënë ballë për ballë me një botë të tillë kaotike, Bediuzzamani ishte plotësisht i ndërgjegjshëm në lidhje me përgjegjësinë e madhe që kishte mbi supe, ndaj ai e mbarti këtë barrë të tmerrshme pa u ankuar. Ai qe një person me modesti të pashoqe dhe njëkohësisht e njihte më mirë se kushdo Zotin dhe fuqinë e Tij të pafundme, si dhe mirësinë e Tij të pakufishme.

Në një epokë kur gjithë njerëzimi ishte zhytur në ateizëm për shkak të abuzimit me shkencën dhe filozofinë, kur truri shpëlahej me komunizëm dhe kur, ata të cilët përpiqeshin të ndalonin këto zhvillime të pafavorshme dëboheshin nga vendi, kur dëbimet më të sikletshme kryheshin pareshtur në çdo cep të vendit (dhe të gjitha këto bëheshin për hir të qytetërimit dhe modernizimit!), dhe kur nihilizmi përbënte ligësinë më të përhapur, Bediuzzamani na rikujton izolimin tonë të brendshëm, llojet e ndryshme të vetëburgosjes së shpirtrave tanë, vrasjet dhe dëbimet që ne kryenim kundër vetes. Ai zgjoi virtytet njerëzore në dimensionet dhe ndërgjegjen tonë shpirtërore e cila kishte qenë për një kohë të gjatë e fjetur, shoi etjen e zemrave tona nëpërmjet dijes sublime, nxori në pah kapacitetet tona të brendshme për të arritur botën tjetër dhe derdhi mbi ne të gjithë pasurinë e shkollave dhe strehave sufiste (teqet, zavijet, mektebet dhe medresetë).

Në një kohë të mbrapshtë, kur kombi ynë ishte në gjendje të vështirë për shkak të intelektualizmit shterp, kur çdo problem shoqëror degjeneronte në kaos, kur njerëzve u duhej të përballeshin me qindra ngjarje që sillnin gjakderdhje në mbarë vendin dhe kur vlerat kombëtare dhe islame ishin shkatërruar, Bediuzzamani analizoi shkaqet dhe propozoi zgjidhjet e duhura, tamam si një farmacist i kujdesshëm. Ai vërente brezat e pafat që zhyteshin thellë e më thellë në moçalin e mosbesimit, devijimit dhe dyshimeve ndërsa përpiqeshin të shpëtonin nga kjo situatë, ndaj ai ishte thellësisht i vetëdijshëm për këtë shkallë të lartë të zymtësisë së tablosë që shfaqej përpara tij. Megjithatë jeta e tij vetjake ishte e mbushur me entuziazëm. Ai e manifestonte këtë entuziazëm vazhdimisht, duke projektuar ide alternative dhe duke ua paraqitur ato qeverive dhe shoqërisë. Ai luftoi për t’i rikujtuar këtij kombi të lavdishëm, por të pafat, trashëgiminë e tij të gjerë nga e kaluara.

Bediuzzamani udhëtoi nëpër shumë provinca të vendit duke nisur që nga koha kur Devleti Alije (shteti osman) ishte akoma në pushtet, vizitoi të gjitha zonat e banuara, që nga qytetet më të mëdha, deri në fshatrat më të largët, që nga zonat më të populluara, deri te zonat më të shkreta malore. Ai lemeritej kur shikonte se në çdo vend ku ndalonte, mbizotëronte injoranca, masat popullore vuanin izolimin më të skajshëm dhe njerëzit tanë pengonin dhe dëmtonin njëri-tjetrin për shkak të konflikteve të ndryshme. Si një intelektual i dalluar, i cili kishte aftësinë ta interpretonte kohën e tij me kuptimin më të lartë, ai dëshironte të frymëzonte masat e mjera dhe të dëshpëruara me shpirtin e dijes dhe të mësuarit. Ai nxori në pah shkaqet e varfërisë aktuale dhe problemet ekonomike, duke paraqitur edhe zgjidhjet e mosmarrëveshjeve brenda shoqërisë, duke bërë thirrje vazhdimisht për unitet dhe bashkëjetesë kolektive, duke mos e braktisur kështu vendin në fatin e tij të keq edhe në periudhat më kaotike: “Nëse në këto shqetësime dhe trazime nuk vihet dorë dhe nëse plagët nuk mjekohen nga duar kompetente dhe të specializuara, sëmundjet tona do të bëhen kronike dhe plagët do të gangrenizohen. Është e qartë se ne duhet t’i identifikojmë problemet tona në lidhje me dijen, ekzistencën shoqërore dhe administratën, ne duhet të nisim t’i zgjidhim shqetësimet tona, qofshin ato materiale, apo shpirtërore. Kjo është mënyra për ta mbrojtur vetveten prej rreziqeve të ardhshme, të cilat mund të brejnë ekzistencën tonë, duke lëkundur themelet tona dhe duke na hedhur në hendeqe vdekjeprurëse”.

Bediuzzamani analizoi tre faktorë madhorë që kishin të bënin me thelbin e problemeve të atëhershme, por që mbetën të tillë edhe në kohën tonë: injoranca, varfëria dhe përçarja shoqërore. Injoranca, në sensin e indiferencës ndaj Zotit dhe Profetit, bjerrjes së interesit në fe dhe dinamikat historike, përbën shqetësimin kryesor prej të cilit vuajmë. Bediuzzamani ia kushtoi jetën luftës ndaj këtij virusi fatal. Në syrin e tij, shpresa e shpëtimit për kombin tonë, do të ishte e kotë përderisa ideologjitë e rreme dhe të devijuara do të mbizotëronin dhe derisa shoqëria të mos ndriçohej me dritën e të mësuarit, dijes dhe mendimit sistematik. Për shkak të kësaj injorance, Kurani dhe universi u ndanë nga njëri-tjetri. I pari mbeti jetim në birucat e fantazisë së shpirtrave fanatikë, të cilët janë të painformuar në lidhje me misteret, formimin dhe fenomenet e ekzistencës, ndërsa i dyti perceptohet si një kaos i plotë në sytë e materialistëve me një nivel të pakrahasueshëm injorance. Ata janë tërësisht të verbër ndaj botës shpirtërore.

Injoranca është arsyeja kryesore që thellon varfërinë dhe mjerimin e kësaj pjese të bekuar të botës, edhe pse kjo tokë është e mbuluar nga fushat më pjellore dhe lumenjtë më të rrjedhshëm, e megjithatë, banorët e kësaj zone sot u ngjajnë lypësve që trokasin tek dera.

Pikërisht për shkak të kësaj injorance të frikshme, ne jemi të kërrusur nga pesha e frikshme e borxheve të mëdha, megjithëse kemi minerale të konsiderueshme, të fshehura nën tokë, pasuri të panumërta nëntokë e mbi tokë, që mbushin xhepat e të tjerëve.

Po për shkak të injorancës dhe të varfërisë, punëtorët dhe fermerët rropaten ditë e natë duke punuar pa ndërprerë dhe pa arritur të vjelin frytet e punës së tyre, duke fituar aq sa për të mbajtur frymën gjallë. Ata nuk kanë si të jenë të lumtur dhe kushdo mund të vërejë se gjendja e tyre keqësohet hap pas hapi dhe ditë pas dite.

Injoranca dhe përçarja shoqërore që ajo sjell e ndalojnë shoqërinë të ndërmarrë veprime kundër fatkeqësive, internimeve, shtypjes, poshtërimit, varfërisë, pengesave dhe tragjedive të ndryshme që përjetohen në viset tona, pavarësisht gjakderdhjes së pafundme, dhunimit dhe shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të njeriut. Mbarë bota është duke u lëkundur pa vetëdije nga njëri cep në tjetrin, e zënë mat në rrjetën e çekuilibrit. Përballë gjithë këtyre ngjarjeve, ne kemi dështuar, s’kemi qenë të aftë të distancohemi nga përçarja, të paaftë t’i japim fund kësaj katastrofe dhe sëmundjeje. Ne nuk mund t’i sigurojmë botës islame shërim për plagët e saj, nuk ekziston asnjë kurë parandaluese kundër gremisjes edhe njëherë tjetër. Ajo ka për të qenë më e tmerrshme me kalimin e ditëve. Ne nuk mund të frymëzohemi me shpirtin e unitetit në mënyrë që të ballafaqohemi me epokën në të cilën jetojmë.

Ne jemi zhytur në dhimbje për shkak të rrethanave të lartpërmendura, ndërsa disa prej nesh janë mposhtur, sytë e tyre janë verbuar, shikimi u është turbulluar dhe kokat u janë trullosur për shkak të progresit aparent material të perëndimit. Në vend që të arrijnë pasuri materialo shpirtërore nëpërmjet angazhimit të mendjes së tyre me shkencat pozitive si dhe të zemrave me të vërtetat fetare, këta njerëz të magjepsur zgjodhën të veprojnë sikur të ishin krejt pa shpirt, duke u larguar nga rrënjët e tyre, ata u bënë promotorë të dinamikave tona më fatale, si nga pikëpamja kombëtare, ashtu edhe nga ajo fetare, duke i privuar masat e njerëzve prej moralit, virtyteve, vetëdijes historike, duke i izoluar ata nga karakteri kombëtar nëpërmjet imitimit të verbër. Megjithëse kjo bëhej gjoja për të shpëtuar shoqërinë, imitimi i verbër rezultoi të ishte më i dëmshëm, duke sjellë plagë të pashërueshme në shpirtin e shoqërisë.

Shoqëria jonë ka vuajtur nga ky makth shokues i injorancës dhe i përçarjes për vite me radhë, duke u ndarë gjithashtu edhe nga identiteti kombëtar, çka solli për pasojë shkatërrimin e vlerave tona, si fisnikëria shpirtërore dhe aktivizmi global.

Bediuzzamani qëndroi i palëkundur në këto parime edhe pse iu nënshtrua keqtrajtimeve të cilave u nënshtrohej edhe shoqëria e asaj kohe. Ai i analizoi pareshtur sëmundjet tona shekullore, i diagnostikoi ato dhe paraqiti kurat përkatëse, duke ia kushtuar tërë jetën shërimit të tyre deri ditën kur u largua prej nesh në Urfa. Ai ishte gjithmonë i sinqertë në fjalët dhe veprat e tij dhe trim në shpalosjen e ideve të tij.

Nuk është një punë e lehtë të futësh ide dhe mendime të reja në mendjen kolektive të një shoqërie. Është mjaft e vështirë edhe të ç’rrënjosen idetë, konceptet dhe traditat ekzistuese, qofshin ato të drejta, apo të gabuara. Masat popullore kanë qenë nën ndikimin e këtyre mbetjeve nga e kaluara, të dobishme, apo jo. Jetët individuale, apo kolektive kanë qenë të modeluara në përputhje me këto tradita, duke hedhur poshtë gjithçka që nuk ishte në përputhje me to dhe që nuk ishte në një linjë me ndjenjat e përbashkëta. Këto pikëpamje, apo paragjykime mund të mos jenë gjithmonë të drejta. Duke pasur parasysh faktin që paragjykimet kolektive janë në shumicën e rasteve të rrënjosura thellë, për shkak se kanë ekzistuar dhe përjetuar për një kohë të gjatë, mund të themi se shoqëria doemos duhet të çlirohet prej tyre dhe të stoliset me virtytet e përshtatshme.

Bediuzzamani merrej gjithmonë me të tilla ide që në moshë mjaft të re. Ai e konsideronte si tradhti ndaj vendit dhe popullit të tij fshehjen e të vërtetave, qofshin ato edhe më të voglat. Ai qëndroi në cep të rrugës duke thirrur: “Kjo është një rrugë pa krye”, sidomos kur pa që ligjet e mbrapshta po rrezikonin fatet e kombit. Ai e kishte për natyrë të shqetësohej kur vërente gjëra të këqija që hidhnin baltë mbi vlerat fetare. Ishte njeri me një vizion të gjerë, njeri i përpjekjeve, i ngjashëm në vendosmëri me profetët e mëdhenj. Ky hero zemërluan nuk e kishte për natyrë të mbyllte sytë e të qëndronte indiferent përballë shkatërrimit të një kombi të tërë. Duke nxjerrë në pah të gjithë faktorët që çuan në rënien tonë, duke nxjerrë përfundimet më të thella dhe duke vënë në pah pikat më të fshehta të kësaj çështjeje, ai e ndihmoi shoqërinë të arrinte në një nivel autokritike. Ai vazhdimisht na risjell ndërmend arsyet që çuan në rënien tonë duke dhënë njëkohësisht edhe zgjidhjet përkatëse për daljen nga kjo situatë. Ai i theksoi me forcë të vërtetat më të dhimbshme, pa asnjë dyshim, na udhëhoqi larg paragjykimeve të rreme, mendimeve të pabaza, mosbesimit dhe ateizmit. Përgjatë gjithë jetës, ai u përpoq t’i rezistonte pengesave që ngriheshin para të vërtetës.

Në kohët më të egra, atëherë kur askush nuk guxonte të fliste një fjalë në lidhje me të vërtetat fetare, ai e paralajmëronte shoqërinë për rrezikun e zhgënjimit. I shpalli luftë injorancës, varfërisë dhe përçarjes, duke lëkundur kështu themelet e shumë atavizmave të shoqërisë prej të cilave ishte dalldisur. Themeloi një front kundër ateizmit, herezisë tronditëse dhe supersticioneve, duke nxjerrë në pah qorrsokakun ku ata të shpinin. Një proverb arab thotë: “Damkosja është mjekimi i fundit”. Iniciativa e tij e jashtëzakonshme qytetare bëri të mundur analizimin e përkryer të fenomeneve dhe për pasojë vendosjen e hekurit të nxehtë mbi plagët tona disashekullore. Fjalët e tij i bënin jehonë shpirtit të të gjithëve, nga oborrtarët e sarajit mbretëror te kryetarët e fiseve në lindje, nga përfaqësuesit e fesë te krerët e ushtrisë. Megjithëse për natyrë nuk kënaqej kurrë kur e nderonin, bukuria e veprave të tij qenë prej natyre magjepsëse për gjithë shoqërinë, në çdo udhëkryq të saj.

Xhihadi (përpjekja) i vazhdueshëm që ai bënte, konsistonte në paralajmërimin e çdo shtrese se, para se të nxirrnin shpatat nga mllefi, duhet të këputen vargonjtë që kanë burgosur mendjet dhe shpirtrat tanë. Ai i frymëzoi brezat e rinj me sihariqet e rilindjes dhe i udhëhoqi ata drejt shtigjeve që të shpinin tek mendimi islam. Ai ishte i shqetësuar për faktin se vendi mund të përçahej, por sidomos, sepse mendjengushtët, shpirtrat e trazuar, imituesit e verbër dhe kopjuesit e rëndomtë të perëndimit, mund të bëheshin pjesë e njerëzve që ndiqnin idetë e tij, duke e çuar kështu vendin në çfarëdolloj katastrofe.

Ai gjithmonë i referohej “dijes, aktivizimit të mendjes dhe punës së madhe”, punonte për lindjen e një shoqërie të përsosur dhe të shëndoshë, duke u përpjekur t’i shpëtojë individët nga vetmia. Për arritjen e një ideali të tillë, ai mendonte se edukimi përbënte udhërrëfyesin - edukimi kudo dhe në çdo kohë - një mobilizim edukativ, ku të përfshiheshin xhamitë, shkollat, garnizonet, rrugët, këndet e lojërave, madje edhe burgjet. Vetëm me ndihmën e edukimit ne mund të arrijmë një bashkim, ku të gjitha mendjet të jenë të përqendruara tek i njëjti objektiv. Shoqëria e mendjeve që nuk janë në paqe me njëra-tjetrën, nuk mund të zgjasë për shumë kohë. Është parakusht i domosdoshëm që ndërgjegjet të bashkohen, duke bërë që edhe zemrat dhe duart t’i ndjekin ato. Ky lloj bashkimi është i mundur vetëm kur jeta jonë vijon sipas rregullave fetare, të cilat janë të shpallura në mënyrën më të mirë të mundshme dhe janë plotësisht të përshtatshme për mendjet bashkëkohore, në përputhje të plotë me Librin, Sunetin si dhe me interpretimin e pastër të pasuesve të këtyre (selefi salihin).

Shoqëria jonë duhet t’i bëhet e njohur epokës moderne dhe duhet të përputhet me kuptimin dhe frymëzimin e saj. Ne kurrsesi nuk duhet të mbyllemi brenda guaskës sonë të vogël, ndërkohë që pjesa tjetër e botës përparon me hapa të shpejtë. Për ta jetuar jetën siç duhet, çdokush duhet të ketë vullnet dhe të bëjë përpjekje të mëdha drejt harmonisë e cila përbën ujëvarën e jetës. Rezistimi i pashpresë ndaj botës aktuale të globalizuar do të përbënte një shkatërrim.

Edhe sikur disa qindra intelektualë ta kishin përqafuar mesazhin e Bediuzzamanit, kur ai u lutej pareshtur përgjatë gjithë vendit, ndoshta tani do të ishim bërë një nga kombet më të qytetëruar dhe më me peshë të botës së sotme, duke qenë mjaft të fortë për të kapërcyer çdo pengesë, duke e bërë realitet objektivin e ecjes drejt kësaj rruge të ndritshme që në shekullin e njëzetë, rrugë në të cilën ne, mesa duket, kemi filluar të hedhim hapat e parë në ditët e sotme. Nëse do të kishte ndodhur kjo, nuk do të kishim vuajtur nga vështirësitë e vazhdueshme që kemi kaluar. Megjithatë, ne akoma shpresojmë, ndaj unë do të dëshiroja t’i bashkohem atyre që thonë se shoqëria jonë është krejtësisht e shkëputur nga rrënjët e saj shpirtërore, duke përjetuar një periudhë plogështie dhe neglizhence. Ne nuk mund ta mohojmë se shoqëria jonë ka përjetuar dështime, ashtu si edhe shumë shoqëri të tjera, megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk mund ta marrim veten. Në vend të kënaqësisë për rehati tani shkëlqejnë dritat e vigjilencës, shpirtrat tanë që dridhen me ndjenja haremi[4], tani janë duke u rigjallëruar dhe duke u rifreskuar. Ditët e gëzueshme pranverore do të vijnë me siguri pas këtyre zhvillimeve. Vetëm se ne jemi në pritje të heronjve si Hidri, të cilët do t’i kthejnë kodrat në vende adhurimi dhe Iljasi*, që do të lundrojnë pa frikë në oqeanet e gjera. Dhe Bediuzzamani është një shenjë e rëndësishme në këtë temë...

“Gjeniu nuk zgjedh”, thonë. Kjo do të thotë se gjeniu nuk bën gjykime në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk duhet të bëjë dhe nuk vendos se çfarë është e dobishme, apo e dëmshme. Gjeniu është një mrekulli e krijimit, i cili si një burim i fuqishëm ka grumbulluar çdolloj fuqie për t’ia dalë mbanë nevojave më të ndërlikuara, të jashtme, të fshehta dhe atyre shpirtërore të shoqërisë, duke u çelikosur me talent hyjnor, impuls shpirtëror dhe dëshirë të zjarrtë. Studiuesit e kësaj lloj jete dhe vepre, mund të dallojnë me lehtësi të gjitha aspektet e gjeniut tek figura e Bediuzzamanit. Ai gjithmonë ruajti nivelin e tij të jashtëzakonshëm, qoftë në veprat e tij të hershme, të cilat dëshmonin shenjat e para të zgjuarsisë së tij të jashtëzakonshme dhe sigurisht, në veprat e tij të mëvonshme, të cilat qenë secila fryt i një pjekurie, i një jete të mbushur me vuajtje, gjyqe, burgosje e internime.


[1] Shejhulislam: Posti që përfaqësonte organin zyrtar fetar në perandorinë osmane.

[2] Lufta kombëtare turke për të shpëtuar atdheun nga pushtimi i fuqive të huaja pas Luftës së Parë Botërore (1919-1922).

[3] Hidri (a.s) ishte një person i bekuar emri i të cilit është përmendur në komentet e Kuranit dhe në hadithe (Buhari, Tefsir, 249). Hidër (apo Hadir) ka kuptimin e gjelbërimit, apo të një vendi me bollëk bimësh të gjelbra. Sipas një hadithi, Hidri u quajt kështu për arsye se pasi u ul në një tokë të shkretë, ajo u bë e gjelbër dhe plot bimësi (Buhari, Enbija 29). Raportohet gjithashtu se që kur Hidri piu ujë nga një burim në parajsë, çdo vend ku hidhte hapin, bëhej i gjelbër (Makdisi III, 78).

[3] harem: quhet qyteti i Mekës dhe i Medinës me rrethinat e tyre.

[4] Iljasi (Elijah), paqja qoftë mbi të!, person i bekuar emri i të cilit përmendet në Kuran, por pa u cilësuar si profet. Raportohet se ai u ngrit në një nivel të ndryshëm jete bashkë më Hidrin, paqja qoftë mbi të! (Nursi, Letrat, Letra I)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.