Brezat e shpresës - I

Brezat e shpresës, të cilët përbëjnë aktualisht përfaqësuesit e shkencës, dijes, moralit dhe artit, janë gjithashtu arkitektët e shpirtit të njerëzve që do të na pasojnë. Ata do të përmbushin nevojat e zemrës me frymëzimin e pastër nga zemrat e tyre, frymëzim që buron dhe ushqehet në nivele të larta, duke mundësuar ardhjen e formacioneve të reja në çdo sektor të shoqërisë. Mbrapshtia dhe humbja, ndotja, obsesionet, por edhe deliri i brezave që jetuan me të shkuarën tonë të afërt, ndodhën në njëfarë mase për shkak se ata nuk ishin takuar me një brez të tillë shprese.

Brenda shekujve të fundit të historisë sonë, kemi përjetuar dështim pas dështimi edhe në vendet ku duhet të kishim sukses dhe kemi humbur më së shumti në zonat ku duhet të kishim fituar dhe të kishim dalë triumfues. Në këtë periudhë, ne e trajtonim njëri-tjetrin si ujqërit, duke lënë pas një trashëgimi zilie, urrejtjeje, lakmie dhe ambiciesh politike për brezat që vinin. Ata që u përfshinë në politikë dhe mbështetësit e tyre, e konsideronin çdo mjet, apo veprim të ligjshëm dhe të lejuar, vetëm nëse do të kishin përfitime për vete, apo për formacionin e tyre politik. Këta njerëz shpikën dhe u bënë pjesë e intrigave komplekse duke e ulur fort reputacionin e tyre. Aq shumë e bënë këtë, saqë kur një grup që ishte në krye binte dhe në pushtet hipte një parti tjetër, ata ndryshonin çdo gjë, çdo qëndrim, duke e motivuar këtë me shpëtimin e kombit. As ata që ishin në pushtet dhe as ata që ishin në opozitë, nuk e kuptuan kurrë se objektivat e tyre shpirtërore mund të arriheshin vetëm nëpërmjet një performance veprimesh revolucionare, të udhëhequra nga idetë, dijet, besimi, morali dhe virtyti. Kjo është arsyeja përse ne e vërejtëm “ndryshimin” dhe “transformimin” e shumëpritur vetëm në trajtën formale, të jashtme, boshe dhe të pakuptimtë dhe në atë çfarë mund të kishte qenë një reformim dhe restaurim gjigant historik. Ata u morën vetëm me lustrën, ngjyrat, pikturimin dhe kozmetikën e rëndomtë të këtij procesi. Për më tepër, një pjesë e tyre, të larguar nga vlerat tona të vërteta kombëtare, na e shitën idealin e patriotizmit të Djallit, në këmbim të gjërave të parëndësishme, pikërisht si Fausti naiv. Në përputhje me kërkesat dhe kushtet e kohës, nisur dha nga disa interesa dhe përfitime kalimtare, iu përkushtuan marrëzisë së ndërtimit të një lloj kombi në një ditë dhe të një tjetri, në një ditë tjetër, duke mos qenë të tillë në fakt, por vetëm duke i shfaqur kështu. Ata, ose u frymëzuan nga tirania, ose murmuritën në lidhje me popullin fshatar, apo flisnin rreth aristokracisë si një klasë me pretendime. Ata orvateshin të deklaronin se do të zbatonin demokracinë, kurse nga ana tjetër, i shkelnin syrin komunizmit, duke mos hequr kurrë dorë nga bredhja e vazhdueshme sa nga një ideologji, në tjetrën. Veçanërisht me këtë oreks të përzier të inteligjencës sonë, oreks që s’ka të krahasuar, këta njerëz, një vakt bëheshin tifozë fanatikë të Francës, pastaj pëlqenin dhe admironin Anglinë, më vonë u lindte pasioni për Gjermaninë e më vonë ndienin dashuri e zell për Amerikën, apo për ndonjë vend tjetër të ngjashëm, duke bërë që këto vende të udhëhiqnin mënyrën tonë të interpretimit të jetës dhe të konsideroheshin limane, nga të cilët duhet të lundronim drejt së ardhmes.

Në kontrast më këtë fakt, sensi i fesë dhe i kombit që përbën idealin e përbashkët të kombit tonë, duhet të bazohet mbi një themel. Themeli duhet të qëndrojë mbi të gjitha llojet e fantazive. Ai duhet të nxisë të vërtetën e shpirtrave individualë dhe të përbëjë një besim të fuqishëm. Ai duhet të ndërtohet nga idetë e bazuara, në moralin e shëndoshë dhe në virtytet që njihen dhe posedohen nga të gjithë shpirtrat. Ai duhet të jetë më i fuqishëm se themeli më i fuqishëm i ndërtuar deri më sot. Kjo është një lëvizje morale, që çdo ditë di të udhëheqë në të njëjtin drejtim, që ecën në rrugën e pasurisë shpirtërore dhe të zotërimit të realitetit, që është e hapur ndaj çdo lloj ndryshimi dhe përpjekjeje të re. Ajo duhet të priret drejt kërkimit të kënaqësisë së Zotit dhe të jetë krejtësisht e zhveshur ndaj interesave dhe përfitimeve. Vetëm kështu ne do t’i premtojmë shpëtimin e shumëpritur brezave të ardhshëm. Përndryshe, për sa kohë që bota jonë intelektuale ecën drejt qorrsokakëve, zemrat tona zotërojnë një besim që nuk e ka arritur ende shkallën e sigurisë (jakin) dhe njerëzit janë në konfuzion dhe çrregullim absolut. Kësisoji mendjet tona do të shohin kaq shumë metoda dhe koncepte të ndryshme që përmbajnë një shumëllojshmëri këndvështrimesh për qytetërimin. Kështu është e pamundur të pretendojmë për pronësinë e shpirtit dhe të thelbit. E në fakt, ato përbëjnë pasuritë e vërteta të kombit tonë, që duhen marrë nën mbrojtje, duke ia kaluar shëndoshë e mirë brezave të tjerë si korrierë besnikë.

Shumë persona e kanë përjetuar dhe e njohin mjaft mirë të shkuarën tonë të afërt, periudhat kritike gjatë të cilave ne humbëm vlerat që na përkisnin. Ne mendojmë se endja e një stili dhe filozofie të re jete për veten tonë, nëpërmjet kombinimit të kaq shumë botëkuptimeve dhe interpretimeve të ndryshme, kaq të kundërta nga njëra-tjetra, por dhe të kaq shumë larmive ideore, të cilat bien në kontradiktë me njëra-tjetrën, do të sjellë rezultat. Për fat të keq, ne kemi humbur kaq shumë jetë njerëzish dhe jemi ende duke ngushëlluar vetveten me zhgënjimin dhe me ëndrrat boshe se gjoja jemi duke prodhuar diçka. Meqenëse nuk kemi qenë në gjendje ta bëjmë këtë deri tani, do të jetë e pamundur të ecim edhe tash e tutje në të njëjtën rrugë. Kjo, sepse pa përqafuar rrënjët e të përshpirtshmes dhe kuptimit të jetës sonë, nuk do të mund të arrijmë një sintezë të re në ide dhe një stil të freskët në paraqitjen e vetvetes. Gjatë kësaj periudhe, larg arritjes së sintezave dhe stileve të reja, kemi përjetuar një pështjellim të vazhdueshëm për shkak të çarjeve në botëkuptimin dhe ndjenjat tona. Kemi ndjerë efektet e kontradiktave të thella në shpirtin tonë. Sigurisht, të gjitha shanset që patëm nga koha në kohë, si dhe forca dhe fuqitë potenciale që kishim, humbën, u shuan dhe u nulizuan plotësisht. Megjithëse në pamje të parë mund të na duket se gjatë shekujve të fundit kemi pasur disa arritje, e vërteta është se nuk kemi qenë bindës në vepra të admirueshme përsa i përket besimit tonë, mënyrës sonë të të menduarit, moralit, kulturës, artit, ekonomisë, apo mënyrës sonë të administrimit. Edhe pse në këtë periudhë ka pasur disa arritje, ato dëshmuan se janë kryesisht “fantazi”, apo gjëra “sipërfaqësore”, që i ngushtuan dëshirat e rinisë. Këto arritje nuk i kapërcyen dot një çift duzinash, dëshirash dhe arritjesh të parëndësishme, kur i krahasojmë me nevojat tona reale, si interpretimi i epokës, një vlerësim dhe çmim i dijes dhe i shkencës, një kuptim i ri i shpirtit të mirëkuptimit dhe aleancës, por edhe zgjidhja dhe kapërcimi i kërkesave dhe nevojave që na kanë përkulur për një kohë të gjatë. Shpëtimi ynë prej të tilla pikëpamjesh të ngushta dhe ideve të dobëta që skllavërojnë ndjenjat dhe na burgosin shpirtin mund të vijë vetëm nëpërmjet heronjve të kuptimit, vizionit, mprehtësisë, si dhe vetëdijes për Zotin. Vetëm nga ata që janë të ndërgjegjshëm për realizimin e aspiratave për të cilat jetojmë, ata të cilët janë dashurues të së vërtetës, që janë përherë të frymëzuar nga etja për dije. Mbi ta rëndon barra e rëndë e vështirësive dhe e shqetësimeve reale të së sotmes. Janë ata që i paraprijnë të nesërmen. Veprat e tyre janë pasqyrim i botës së tyre të brendshme, premtimet që japin përbëjnë frymën e shpirtit të tyre. Janë ata njerëzit e aftë që shikojnë përtej horizontit, që ndjejnë dhimbjen e situatës aktuale të padëshirueshme dhe atë të shuarjes së të ardhmes së njerëzve. Janë ata që vuajnë për të lartësuar brezat në nivele më të larta duke derdhur lot për ta, si profeti Ejub. Janë ata që ndajnë dhimbjet e sotme dhe të ardhme dhe vuajnë së bashku me brezat e sotëm. Vetëm të tillët e vlerësojnë lumturinë dhe kënaqësinë e tyre si punë dhe dhuratë të dhënë nga Zoti, duke u bërë edhe më falënderues dhe duke u ngritur shumë shkallë më lart përmes kësaj mirënjohjeje. Këta do ta gjejnë forcën dhe frymëzimin nga jeta jonë dhe nga shekujt e historisë shumëngjyrëshe. Ata do të frymojnë brenda nesh shpirtin e të qenurit një komb i vërtetë dhe më i pastër se të pastrit. Kështu do të entuziazmojnë të rinjtë tanë me anë të besimit, shpresës dhe idealeve të veprimit dhe do të hapin kanale të reja të rrjedhjes së ujit në çezmat e idealeve tona kombëtare, kaq shumë të ndenjura dhe joaktive, të penguara nga diga fatale e një mpirjeje të gjatë dhe të tmerrshme.

Dhe pastaj, si një komb që do të vrapojë drejt vendit të adhurimit, të cilin e kemi humbur nga zemrat, nëpërmjet të tilla kanalesh dhe rrugësh, do të derdhim lot ribashkimi, duke u rikthyer në shtëpitë tona, që janë po aq të ngrohta, sa qoshet e parajsës. Ne do të ndeshemi me pasqyrimet e parajsës, të cilat i kemi humbur kohë më parë, duke zbuluar shkollën tonë të mendimit, shtyllat e të cilit janë prirja për të vërtetën dhe dashuria për dijen. Ne do të takohemi dhe do të shfaqemi me krijimin nëpërmjet dyerve të kësaj shkolle. Ata janë të hapura ndaj universit, përmes dashurisë për të gjitha qeniet njerëzore. Ne do të mësojmë, si të ndajmë me ta çdo gjë, duke jetuar me shqetësimin për fatin e të tjerëve. Ne do të përqafojmë çdokënd në kodrat e smeraldta të zemrave tona, duke vëzhguar dhe studiuar krijimin. Ne do të entuziazmohemi nëpërmjet ndjenjës së artit dhe në marrëdhëniet tona me njerëzit, do të mendojmë me rënkime të brendshme, dhimbje e rrëke lotësh, duke shprehur kështu vetveten.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.