Zvetënimi dhe si të ruhemi prej saj
Pyetje: Ç’është zvetënimi? Cilat janë çështjet ndaj të cilave duhet treguar kujdes në mënyrë që të mos gjenden veçori të të zvetënuarit edhe në një besimtar?
Përgjigje: Si fjalë, për nga shtresimet e ndryshme kuptimore është një fjalë e shumëkuptimshme; me pak fjalë, ajo do të thotë “që një njeri të mos qëndrojë brenda kufijve të vendosur prej fesë; ta nxjerrë kokën jashtë rrethit të bindjes ndaj Allahut duke kryer mëkatet e mëdha, apo edhe duke vazhduar këmbëngulshëm në mëkatet e vogla.” Në një hadith, Profeti ynë, paqja qoftë mbi Të, shprehet: “Si gjërat e lejuara (hallall), si gjërat e ndaluara (haram) janë të qarta (aq sa të mos lënë vend për kurrfarë dyshimi). Mirëpo, në mes të këtyre të dyjave ka aq shumë fusha të dyshimta, që pjesa më e madhe e njerëzve nuk i dinë. Çdokush që ruhet prej këtyre gjërave të dyshimta, ta dijë se ka ruajtur nderin dhe fenë e tij.” (Buhari, iman, 39; Muslim, musakat, 107). Ashtu siç shtetet kanë kufijtë e tyre të rrethuar me tela me gjemba, apo toka të minuara, po njësoj është edhe për njeriun. Gjykimi hyjnor ka vendosur një sërë masash mbrojtëse, të cilat e ruajnë atë prej elementeve shkatërruese, si për këtë botë, edhe për atëbotë. Pikërisht, këta njerëz që i kalojnë kufijtë, duke kapërcyer çdolloj barriere, dhe duke dalë nga rruga kryesore futet nëpër rrugica. Në një ajet të sures Maide flitet për ata që edhe pasi kanë gjetur rrugën e drejtë, duke u kapur pas disa dobësive, futen brenda disa rrethesh që i kalojnë kufijtë: “Kushdo që nuk gjykon me atë që ka zbritur Allahu, është prej të zvetënuarve.” (Maide, 5/59).
Në gjuhën arabe, ai që del prej vendit që i është caktuar, duke dalë qoftë edhe prej vrimave; kafshë si miu, gjarpëri dhe nepërka, që hyjnë nëpër shtëpi, e që emërtohen rëndom me fjalën “feuasikul bujut”. Sepse ato, vetëm për të dalë medoemos prej rrethit që u është përcaktuar, e pushtojnë krejt sipërfaqen. Në një hadith thuhet: “Ka pesë lloje kafshësh të tilla të zvetënuara, të cilat mund të vriten, madje edhe në zonën e Haremit.” (Muslim, haxh, 67; Ibni Maxhe, menasik, 91), dhe mandej numërohen kafshët si miu, akrepi, gjarpri, stërqoka dhe qeni i tërbuar. Por edhe kuptimi i këtij hadithi nuk është që, me t’i parë vritini. Ajo që dëshirohet të përmendet këtu është njëfarë leje për vrasjen e kafshëve prej të cilave mund të të vijë ndonjëfarë rreziku. Në fakt, vrasja e kafshës është e ndaluar, qoftë edhe brenda zonës së Haremit. Edhe sikur një karkalec të vritet, për të duhet paguar gjobë. Mirëpo, ngase ekziston rreziku që këto kafshë, të cilat fillojnë të përhapen në çdo anë të territorit, duke mos njohur kurrfarë kufiri, u është dhënë cilësori të zvetënuara, duke bërë që edhe vrasja e tyre të quhet diçka mubah. Me fjalë të tjera, është dhënë leja dhe mundësia për t’u mbrojtur prej këtyre kafshëve, të cilat si pasojë e natyrës së tyre, sillen tejet mizorshëm.
Cilësi të zvetënimit në një besimtar
Kurani, në ajetet ku përmenden mohuesit, hipokritët dhe idhujtarët, më tepër se vetë njerëzit, përmend cilësitë e tyre, duke bërë që të dalin në pah tiparet e tyre më dalluese. Sepse ajo që është më e rëndësishme, për sa i përket kumtimit dhe mësimit të të tjerëve, është që të merren në konsideratë veçoritë e tyre, madje edhe të shpëtohen prej cilësive të këqija, dhe jo vetë individët.
Veç kësaj, një stil i tillë është njëkohësisht një kujtesë dhe paralajmërim për zemrat besimtare. Sepse, me fjalët e Said Nursiut, ashtu siç jo çdo cilësi e mohuesit është prej mohuesi, ashtu edhe çdo cilësi e çdo besimtari nuk mund të jetë fund e krye prej besimtari. Ndodh që të shihni se si një besimtar ka mbartur një veçori zvetënimi përgjatë gjithë jetës së tij. Andaj, ka shumë mësime që mund të nxirren prej ajeteve ku përshkruhen mohuesit, hipokritët apo idhujtarët.
Po, një njeri mund të jetë besimtar, dhe si çdo besimtar mund të falë namaz, të agjërojë, të japë zekatin dhe të shkojë në haxh. Mirëpo, nëse ai, ndodh që nganjëherë ta nxjerrë kokën prej kufijve të përcaktuar, mund të ndodhë, që qoftë edhe padashur, të përfshihet brenda rrethit të mohimit dhe hipokrizisë. Zoti na ruajtë, një njeri që kryen mëkate të mëdha si gënjeshtra, përfolja apo shpifja, i ka kapërcyer pengesat, dhe duke lënë rrugën kryesore, është futur në rrugica, duke shkaktuar edhe disa probleme të ndryshme trafiku. Një njeri i tillë, sado të devotshëm ta tregojë veten në besim, kjo do të thotë se ai brenda vetes mbart një veçori të të zvetënuarit. Dhe për aq kohë sa jeton me një tipar të zvetënimit, nuk është e mundur që t’ia arrijë qëllimit në detyrat e mësimit dhe kumtimit. Sepse edhe ndihmesa e Allahut (xh.xh.) është sipas cilësive dhe mbartësve të tyre.
Të besosh, e mandej këtë besim ta kthesh në bindje, mandej në horizont të njohjes, e mandej njohjen në dashuri, e dashurinë në pasion dhe dëshirë për Allahun, dhe njëkohësisht ta pasurosh këtë besim me sa më tepër adhurime, të cilat të jenë të mbështjella me vetëdijen e ihsanit, janë të gjitha veçori që i përkasin një besimtari. Për aq kohë që një njeri mbart cilësi të këtilla, ai do të ketë mundësinë të arrijë qëllime në drejtim të përhapjes së emrit të Allahut. Edhe nëse nuk arrin, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, ka për të marrë shpërblim prej Allahut njësoj sikur ta kishte arritur. Sepse ajo që është më e qenësishmja, është kryerja e detyrës. Për shembull, kanë ardhur profetë të atillë, që nuk kanë pasur as edhe një njeri përreth. Ndërsa për disa të tjerë, numri i ndjekësve nuk i ka kaluar katër-pesë vetë. Megjithatë, sikur edhe tërë njerëzimin ta mblidhni, sërish nuk bëjnë një profet të vetëm. Me fjalë të tjera, sikur të nxirrni një njeri të përbërë prej tërë veçorive më të përsosura, dhe të ndërtoni një statujë me to, sërish ajo që do të keni ndërtuar nuk ka për të qenë kurrsesi një statujë profeti. Sepse ata janë të zgjedhur veçanërisht prej Allahut, janë të përzgjedhur dhe me ndërtim të veçantë. Megjithatë, disa njerëz kanë arritur vetëm deri te dy apo tre persona, e megjithatë asnjëherë nuk e kanë përbërë si problem këtë, e kësodore nuk janë larguar aspak as prej çështjes së tyre.
Ndoshta në këtë pikë, ndokujt mund t’i lindë dyshimi se cili të ketë qenë qëllimi i dërgimit të një profeti vetëm me dy-tre pasues. Fillimisht, lejomëni t’ju them, se një profet i tillë, ngase e ka kryer detyrën e tij në mënyrën më të përsosur, e ka merituar dhe arritur tashmë shpërblimin e përcaktuar të profetësisë, bashkë me mirësitë e Tij të ndryshme. Nga ana tjetër, ai, bashkë me ata dy a tre ndjekës, është bërë si një pishtar reference për ata që kanë ardhur më pas. Kësodore, ia ka bërë punën disi më të lehtë, duke bërë që ata që kanë ardhur mandej t’i ndjekin këmba-këmbës. Dhe, edhe nëse janë bërë shkak për shpëtimin e një shoqërie, kjo do të thotë se qëllimi i dërgimit të tij si profet është kryer. Në fakt, i njëjti shpërblim ekziston edhe për të tjerët që kanë ardhur para tyre. Për shembull, nëse nuk do të ishte Said Nursiu, që me ata njëqind, dyqind apo treqind njerëz, hapën një arenë të besimit, banorët e Anadollit nuk do t’ia kishin hapur krahët kaq shumë shërbimit ndaj Kuranit dhe besimit, e nuk niseshin në të katër anët e botës, atje ku t’u ishte treguar. Andaj, le ta themi edhe njëherë, se e rëndësishme është që një njeri të ecë në drejtim të synimit me tiparet e tij prej besimtari, pa hyrë në kurrfarë mendimi për frytet dhe përfundimet e punëve.
Udha pa rrugëdalje që shfaqet përpara të zvetënuarit
Ndërsa, për sa i përket njeriut të zvetënuar, ai, edhe sikur jeta të pritet me një rreth kaq të bukur, fillon të rendë pas disa pritmërish, duke mos i pëlqyer disa gjëra që bien ndesh me dëshirat dhe nocionin e tij të dëfrimit. Megjithëse nuk e thotë hapur, një njeri i tillë brenda vetes ka një sasi të pafund pritmërish për veten. Mirëpo, ç’e do që ndodh edhe që ndonjëherë të mos i vijnë ato që ai pret. E kësaj here, ngase nuk i vijnë, fillon të mërzitet edhe me të tjerët që ka përreth. Sikur i tërë populli të ishte përgjegjës për të njohur se ç’ka ai brenda vetes, andaj fillon të thotë me vete, “Si ka mundësi që nuk e kuptuan se ç’priste një gjeni i pashoq si unë?”, e kështu fillon të largohet prej miqve të tij, me të cilët ndan të njëjtat mendime, me të cilët i janë futur të njëjtës shpresë, dhe duke gjetur turlifarë arsyesh fillon të bëjë disa gjëra kokë më vete. Ja, edhe ky është një tjetër lloj zvetënimi. Patjetër që një largim i tillë nuk do të thotë largim prej fesë. Megjithatë një person i tillë, duke marrë parasysh vetëm dëshirat e tij, ngase nuk e ka ruajtur siç duhet pozicionin që i fali paracaktimi i Allahut, e ngaqë është larguar disi prej linjës së punëve të mira, hyn brenda asaj kategorisë me të cilën i Dërguari i Allahut kërcënon këta njerëz në një hadith. Siç e dini, Krenaria e Njerëzimit (alejhi elfu elfi salatin ue selam) thotë: “Ai ktheu fytyrë, po ashtu edhe Allahu (me një mënyrë që i ka hije veç Atij) u largua prej tij.” Ja, pikërisht me këto fjalë e vlerëson rëndësinë e kësaj çështjeje i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
Po, të kesh shumë pritmëri, të mendosh se nuk ta dinë vlerën, të besosh se meriton pak më tepër shpërblim dhe respekt se sa disa të tjerë, dhe duke mos u mjaftuar me ato që ke, e të hysh në gjithfarë kërkimesh të reja, do të thotë zvetënim. Një cilësi e tillë prej të zvetënuari, në më të shumtën e rasteve, e çon njeriun drejt një përfundimi të kundërt me atë çka ishte synuar. Ndërsa në ahiret, ndërsa i kërkohet llogari, i thuhet: “Pse u largove prej grupit dhe shkove në një terren ku mund të bëhesh ushqim për ujqërit?”
Dhe njeriu, megjithëkëtë, nëse ndonjëri syresh tërheq edhe ndonjë tjetër e fillon të flasë mbarë e prapë për ndonjërin, duke shkaktuar ngatërresa dhe përçarje, atëherë kjo do të thotë se ai po hedh baltë mbi përpjekjet e shumta të aq njerëzve për punë të mira.
Dëshira për pozitë dhe porta të hapura për zvetënim
Ajo që është më e rrezikuara për t’u sprovuar në një situatë të tillë ngatërrese është dëshira që njeriu ka për pozitë dhe titull. Mund të ndodhë, që ndonjëherë, si një rrezatim i kaderit të Allahut, mund të vijë një person që është njëzet vjeç më i vogël se ju e të zërë një pozicion tejet të rëndësishëm. Për shembull, ju jeni një njeri tejet i respektuar në një shkollë. Mirëpo, kaderi i Allahut ju sjell dikë tjetër mbi krye. Ndoshta ajo që i takon këtij drejtuesi të bëjë, është të kërkojë edhe mendimin e atyre që janë më të mëdhenj nga mosha, më të respektuar e të nderuar në atë vend, të përfitojë prej mendimeve të tyre që kanë më tepër përvojë, duke bërë që edhe mbi ta të mos bjerë asnjë grimcë pluhuri. Mirëpo ajo që u takon atyre që janë poshtë, është që, çfarëdo moshe të kenë, ta dëgjojnë me kujdes personin që është prurë në krye të asaj detyre. Sepse çdo lloj sjelljeje e përkundërt përbën përçudnim. Madje edhe imagjinimi apo sjellja ndërmend e diçkaje të këtillë përbën zvetënim. Andaj një njeri i tillë duhet ta rehabilitojë vazhdimisht veten, duke moslejuar që zvetënimi të ekzistojë në imagjinatën e tij.
Meqë ra fjala, të gjithë mund ta kujtoni Usame ibni Zejdin (r.a.). Siç e dini të gjithë, Krenaria e Njerëzimit, (s.a.s.), pak përpara se të ecte në drejtim të horizontit të shpirtit, pati ngritur një ushtri kundër romakëve, dhe në krye të saj pati vendosur një djalë te të tetëmbëdhjetat që ta drejtonte. Pati zgjedhur Usamen si komandant të ushtrisë. Dhe imagjinoni, si ushtar brenda kësaj ushtrie gjendeshin edhe njerëz si Ebu Bekri apo Omeri (r.anhuma). Pasi ushtria ishte larguar deri në njëfarë vendi, diku pranë një vendqëndrimi, erdhi lajmi se kishte ndërruar jetë i Dërguari i Allahut. Me të marrë këtë lajm, Usame u kthye mbrapsht dhe e nguli flamurin mu përpara portës së të Dërguarit të Allahut dhe po priste. Profeti i njerëzimit kishte ndërruar jetë, dhe në çardakun e Beni Saidëve po bëhej një mbledhje, ku u zgjodh si kalif Ebu Bekri. Mirëpo, me t’u zgjedhur i pari i tyre, puna e tij e parë ishte vazhdimi i kësaj pune të nisur prej të Dërguarit të Allahut, duke e shoqëruar ushtrinë deri në të dalë të Medinës. Ndërkohë, Ebu Bekri, që e kishte Usamen zëre se djalë, madje nip, jo vetëm që e mori pranë Usamen, por edhe e kapi për krahu dhe e pyeti: “A më lejon ta mbaj me vete Omerin, që të më ndihmojë.” Çdo besimtar, pikërisht një të këtillë horizont mirësjelljeje duhet të kapë.
Po, një person, kushdo qoftë ai, nëse është vendosur në krye të një detyre, sjellja më prej besimtari e tij, - pa përfshirë rastet kur për shkak të mënyrës së kryerjes së detyrës mund të këshillojë a paralajmërojë, - është që të mos shkojë për të gjurmuar pas kësaj çështjeje, të mos kundërshtojë, e aq më keq, nuk duhet të dalë në anë të kundërt. Sepse në të kundërt dëmton bashkësinë shoqërore të myslimanëve. Si përfundim, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të ka thënë kështu si për të përforcuar mendimin e Tij lidhur me këtë çështje: “Njeriu që zgjidhet mbi ju, edhe sikur të jetë një skllav zezak me flokët kaçurrela si kokrrat e rrushit, ju prapë dëgjojeni dhe bindiuni atij!” (Buhari, ahkam, 4). Pasi aty gjendet shpëtimi, triumfi dhe shpresa. Sepse, nëse çdokush hyn në pritmëri sipas dëshirës së vet, mund të shkaktohen ngatërresa dhe rrëmujë. Andaj njeriu, që të mos lejojë përhapjen e ngatërresave, duhet t’i hapë luftë dëshirës së tij të brendshme për post, duke ditur si të mjaftohet me atë detyrë që i është përcaktuar.
- Publikuar më .