Ruajtja e lidhjeve me të af

Ruajtja e lidhjeve me të afërmit

Pyetje: Në suren “Rad”, si një nga cilësitë e njerëzve që mendojnë (ulu’l-erbab), përmendet edhe se “ata p  për atë që u ka urdhëruar Allahu që të kujdesen dhe e bashkojnë atë që duhet të bashkohet.” (Rad, 13/21). Çfarë nënkuptohet me “lidhjen, bashkimin” që përmendet në këtë fjalë hyjnore? 

Përgjigje: Në ajetet e përmendura, kërkohet vëmendje për pesë cilësi të njerëzve që mendojnë. Së pari, për ata thuhet se ata e mbajnë fjalën që i kanë dhënë Allahut. Në këtë ajet janë të përfshira, si fjala e dhënë ndaj Allahut, në botën e shpirtrave, “për të besuar”, ashtu edhe fjalët që u jepen njerëzve në marrëdhëniet ndërnjerëzore me ta. Dhe pasi urdhërohet ana pozitive e çështjes së dhënies së fjalës, me fjalët “dhe ata nuk e prishin marrëveshjen e bërë”, përmendet edhe ana negative, duke u theksuar se ata nuk do ta shkelin fjalën e dhënë.

Fill pas kësaj, me fjalët “Ata e bashkojnë atë, bashkimin e së cilës ua ka urdhëruar Allahu.”, për ata thuhet se do ta bashkojnë atë që ua ka urdhëruar Allahu që ta bashkojnë dhe se do të kujdesen për atë që ua ka urdhëruar Allahu që të kujdesen. Mandej, me fjalët, “ata u tremben Zotit (të tyre)”, nënvizohet se ‘ata që mendojnë’ “i frikësohen Allahut dhe bëjnë një jetë të përvuajtur në përulësinë e adhuruesit. ‘Frika (ndrojtja), është një shprehje e respektit të përshpirtshëm ndaj Allahut. Frika që përmendet këtu shpreh drithërimën e zemrës karshi Allahut. Dhe qëndrim i ndrojtur përpara Allahut do të thotë të qëndrosh përpara madhërisë dhe madhështisë së Allahut i përulur porsi një kërrabë. Dhe ndrojtja te njeriu varet nga shkalla e njohjes së Zotit. Dhe, si përfundim, kjo përmendet edhe në ajetin “Ashtu siç duhet, Allahut i frikësohen vetëm të diturit.” (Fatir, 35/28)

Ndërsa, në vijim, thuhet: “[Dhe] ata janë të frikësuar e dridhen nga frika se mos llogaria u del shumë keq.”

Një urdhëresë hyjnore që duhet ringjallur

Cilësitë e ‘atyre që mendojnë’, që përmenden në këtë sure, nuk janë vetëm kaq, pasi  për ta numërohen edhe cilësi të tjera. Mirëpo, duke qenë se pyetja nuk është për të gjitha ato, por vetëm për çështjen e ‘lidhjes, bashkimit’, atëherë le të përpiqemi të ndalemi për pak në të.

Si fjalë, ajo do të thotë “të bashkosh, të bësh një”. Në literaturën islame, ajo është përdorur kryesisht në kuptimin e ruajtjes së lidhjeve me njerëzit, të bërit mirë, kujdesjes për ta, e më në veçanti, për të shprehur ruajtjen e marrëdhënieve të ngrohta me të afërmit.

Dhe, në një farë kuptimi më të veçantë, këtu me ‘lidhje, bashkim’ nënkuptohet ‘ruajtja e lidhjeve farefisnore’, pra kujdesja për lidhjet me familjen dhe të afërmit. Dhe kjo anë e kësaj çështjeje është e një rëndësie të posaçme, sidomos sot, kur po jetojmë, në një botë që njerëzit janë ndarë nga njëri-tjetri. Fatkeqësisht, njerëzit, që janë degët, sythet, gjethet, apo frutat e së njëjtës pemë, jetojnë të ndarë nga njëri-tjetri. Fëmijët, jo vetëm që nuk kryejnë e nuk përmbushin asnjë prej detyrave dhe përgjegjësive që ata kanë ndaj të afërmve të tyre, por ata po jetojnë të ndarë deri edhe nga prindërit e tyre. Nuk njihet pjesa më e madhe e kushërinjve dhe të afërmve. Janë harruar të gjitha përgjegjësitë karshi tyre. Dhe sa më shumë që të ndalemi e t’u flasim njerëzve, duke qenë se shoqëria është shkëputur nga vlerat themelore të saj, duke bërë që njerëzimi të jetojë një mërgim tejet serioz brenda vetes, sa më shumë që të përpiqemi për t’i rehabilituar njerëzit, ende është pak.

Kur, nëse do të shohim në Kuran, do të vërejmë se në numër mjaft i madh ajetesh fisnike ndalen tek e drejta e nënës dhe babait dhe lidhjet me të afërmit, duke u kushtuar atyre një ndjeshmëri tejet të lartë. Për shembull, në ajetin e bekuar “Adhuroni vetëm Allahun dhe mos i bëni shokë Atij. Dhe bëjuni mirë nënës-babait, të afërmve, jetimëve, të varfërve, fqinjëve që keni pranë dhe fqinjëve që keni larg, shokut tuaj të udhës, të vetmuarve dhe udhëtarëve, si dhe gjithë atyre që janë poshtë jush. Ta dini se Allahu nuk i do ata, të cilëve u pëlqen vetja dhe që vazhdimisht mburren.” (Nisa, 4/36) - Allahu, menjëherë pasi urdhëron për adhurimin karshi Tij, përmend aty prindërit dhe të afërmit, duke urdhëruar që të sillemi mirë me ta dhe t’u gjendemi vazhdimisht duke u bërë mirë.

Prandaj, te besimtari duhet të ketë një ndjenjë shumë të fortë ‘të lidhjes’ me të afërmit. Duke filluar që nga nëna dhe babai, e deri te të gjithë të afërmit të afërt ose të largët, asnjë nuk duhet privuar nga ruajtja e fortë e lidhjeve. Duke qenë se Allahu (xh. xh.), menjëherë pas së drejtës së Tij ka vendosur të drejtat e nënës dhe babait dhe në vijim, pas tyre, të të afërvme, e kështu me radhë edhe të të gjithë atyre njerëzve të tjerë, me të cilët kemi të bëjmë në një mënyrë apo një tjetër, atëherë, është shumë e rëndësishme që këto të drejta të trajtohen me kujdes. Edhe gurët, që janë të pavetëdijshëm, kur vihen njëri mbi tjetrin, krijojnë kupola dhe zinxhirë të fortë dhe nuk bien, nuk rrëzohen. Po ashtu, edhe njerëzit, si pjesë e jetës shoqërore, duke filluar që nga rrethi më i ngushtë e i afërt, nëse lidhen fort kokë më kokë dhe e mbështesin njëri-tjetrin për nevojat e tyre materiale dhe shpirtërore, ata vështirë të rrëzohen, të përçahen.

Hizmeti nuk duhet të bëhet pengesë për ruajtjen e lidhjeve me të afërmit

Herë-herë, njeriut mund t’ia behin në mendje disa mendime djallëzore të llojit “sidoqoftë, unë jam duke u shërbyer njerëzve duke ngarendur pas një misioni të lartë si ai i përhapjes së fjalës së Zotit. Përpara detyrash si kjo, kaq të rëndësishme, gjërat si të drejtat e prindërve ose të të afërmve mund të lihen pa bërë”. Kësisoj, njeriu mund të shndërrohet në një qenie shpërfillëse për sa u përket të drejtave të të afërmve dhe farefisnisë. Por, mendime të tilla është e pamundur që t’i shpjegosh dot me logjikën kuranore. Askush nuk mund ta nëpërkëmbë, apo ta hedhë tej, një çështje, të cilën Kurani dhe Suneti e trajtojnë me këmbëngulje duke i nxitur njerëzit  pa pra kah tyre. Nëse Allahu (xh.xh.) e ka urdhëruar ruajtjen e këtyre të drejtave në Librin e Madhërishëm të Tij, atëherë kjo është një përgjegjësi shumë e rëndësishme për një besimtar. Askush nuk e gëzon të drejtën për t’i ndryshuar këto urdhëresa. Andaj, detyra e besimtarit është që t’i vizitojë ata, t’u puthë duart sipas pozitës së tyre, t’u kërkojë atyre lutjet e tyre dhe nëse kanë ndonjë nevojë, të përpiqet që t’ua përmbushë.

është fare e mirë e mundur, që nga njëra të kryhen pa ndërprerë shërbimet, kryerja e të cilave është e domosdoshme, e nga ana tjetër të ruhen e të tregohet përkujdesje për të drejtat e prindërve dhe të afërmve. Asnjëra syresh nuk duhet të jetë pengesë për tjetrën. Nga njëra anë duhet t’i shërbejmë fesë së madhe të Islamit për të fituar pëlqimin e kënaqësinë e Zotit, e nga ana tjetër, po për të fituar kënaqësinë e Tij, të mos e lëmë pas dore arritjen e pëlqimit të nënës dhe babait, të gjysheve dhe gjyshërve, të hallave dhe të tezeve, të dajave dhe të xhaxhallarëve.

Madje, ruajtja e fortë e lidhjeve me të afërmit mund të jetë edhe një arsye për t’i zbrazur edhe në zemrat e tyre frymëzimet e zemrave tona. Duke i ruajtur të forta marrëdhëniet tona me familjet dhe të afërmit tanë, duke kaluar kohë me ta, ne mund të bëjmë të mundur që të njihen edhe ata me bukuritë që ne njohim. Kështu, - me lejen dhe ndihmesën e Allahut - kjo do t’i bëjë edhe më të begata vizitat tona, e mund të kthehemi në kallinj që japin secili shtatëqind kokrra. Edhe nëse jo me fjalë, ne mund t’u shprehim atyre diçka me sjelljet dhe reagimet tona, duke u shndërruar në modele për ta. Ka diçka që e kemi thënë gjithësaherë, nuk ka asnjë çështje që nuk zgjidhet përmes përfaqësimit dhe gjendjes.

Veçanërisht në ditët e sotme, me zhvillimin e mjeteve të komunikimit, t’i pyesësh kushërinjtë dhe të afërmit se si janë, nëse kanë qenë mirë, e t’ua fitosh atyre zemrën, është bërë shumë e thjeshtë. Edhe pse mund të jemi larg prej tyre dhe e kemi të pamundur që t’u shkojmë vazhdimisht për vizitë, përmes mjetesh si interneti, telefoni, ne mund ta kryejmë fare mirë detyrën tonë të ruajtjes së lidhjeve me të afërmit. Mund të komunikojmë me ta me zë ose me pamje, mund t’u përçojmë atyre dashurinë dhe afrimitetin, të informohemi në lidhje me gjendjen e tyre dhe të përpiqemi që t’ua gëzojmë disi zemrat.

Duhet të shkojmë edhe tek ata që nuk na vijnë

Dua të ndalem edhe në një çështje të fundit në lidhje me këtë temë. Shkëputja e marrëdhënieve e të afërmve dhe moskryerja e detyrave të ruajtjes së lidhjeve me të afërmit nga ana e tyre, nuk mund të jenë kurrsesi justifikim që ne ta lëmë pas dore këtë detyrë. Pasi, në hadithet e bekuara na është thënë mjaft qartë, se ruajtja e lidhjeve familjare me të afërmit është edhe më e virtytshme kur ajo kryhet ndaj njerëzve që i kanë shkëputur marrëdhëniet me ne. (shih. Buhariu, edeb 15; Ahmed b. Hanbel, el-Musned 24/383)

Ah sikur ta kryenin të gjithë këtë detyrë të tyre të rëndësishme! T’i telefonojë të afërmit dhe t’i pyesë, t’u shkojë atyre për vizitë, t’ua puthë duart më të mëdhenjve dhe sytë më të vegjëlve. Por sa keq, që siç e nënvizuam edhe më herët, në ditët e sotme, edhe mes kushërinjve më të afërm ka një shkëputje teje serioze. Për këtë arsye, ne duhet të shkojmë te të afërmit tanë edhe nëse ata nuk vijnë te ne; t’i pyesim ne se si janë dhe se si kanë qenë, edhe nëse ata nuk na telefonojnë asnjëherë që të na pyesin ne. Sepse, siç thuhet edhe në një fjalë të urtë turke, të mirës me të mirë i përgjigjen të gjithë, po të rrallë (vetëm ai që është i pjekur) i përgjigjet së keqes me të mirë.

Të gjithë i përgjigjen ruajtjes së lidhjeve me të afërmit. Të gjithë shkojnë tek ata që u vijnë. është e lehtë t’ua kthesh me të mira atyre që ju bëjnë mirë e që sillen mirë e që ju trajtojë juve me mirësi. është e lehtë të bësh mirë kur është reciproke. Pasi kjo është edhe si një farë tregtie. Kjo është mundësi përfitimi për të dyja palët. Por,  ruajtje e vërtetë e lidhjeve me të afërmit është kur dikush i vazhdon vizitat e tij te një i afërm, pavarësisht sjelljeve jo të mira nga ana e tij. Pasi, nëse në përkujdesjen karshi përkujdesjes shpërblimi është dhjetë, në rastin e një përkujdesjeje të tillë shpërblimi mund të jetë njëqind. Sepse për egon e njeriut është shumë e rëndë, që të shkojë te një njeri që i ka shkëputur marrëdhëniet e që nuk interesohet kurrë për të. Nëse ai, pavarësisht çdo gjëje, nuk i jep rëndësi thyerjes e shkëputjes, por e kryen detyrën e tij të ruajtjes së lidhjeve me familjen dhe të afërmit për hir të kënaqësisë së Allahut, nuk ka asfare dyshim se kjo ka për të qenë tejet më e pëlqyer pranë Allahut (xh.xh.).

Madje edhe më, nganjëherë mund të ndodhë që të na e mbyllin telefonin në fytyrë, të na përzënë nga dera e shtëpisë, e të na thuhet në fytyrë se nuk na duan. Të gjitha mesazhet e urimit që mund të dërgojmë gjatë Bajrameve, apo në ditë të shënuara të tjera, mund të ngelen pa përgjigje. Pavarësisht kësaj, ne nuk duhet të mërzitemi, nuk duhet të na ngelet hatri. Përkundrazi, ne duhet të kërkojmë e të gjejmë rrugë dhe mënyra të reja, të zhvillojmë qasje të ndryshme të reja, si e si që të gjejmë rrugët e zbutjes së atij që kemi përballë. Të shkojmë edhe kur nuk na vijnë, t’i gostitim ata edhe kur nuk na gostitin, t’i telefonojmë edhe kur nuk na telefonojnë. Ne duhet t’u përgjigjemi të këqijave të tyre me të mira dhe ashpërsisë me butësi.

Kështu e kërkon morali i besimtarit. Kjo është trimëria. Kjo është rruga e Muhamedit (s.a.s.)

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.