Qëndrimi i besimtarit në përballje me të këqijat
Pyetje: Si duhet të jetë qëndrimi i besimtarit në përballje me padrejtësitë dhe sjelljet e përftuara prej ligësisë?
Përgjigje: Islami ka ardhur si një mesazh ekuilibri dhe drejtësie, që synon të vendosë harmoninë në univers përkundër të gjitha llojeve të teprimit. Në përballjen me të këqijat, ai nuk e sheh, as padrejtësinë të këndshme, duke iu përulur krejt pasiv dhe i plogësht, e aq më pak duke ulëritur se jam duke u përballur me vetë padrejtësinë, por duke zbatuar gjithfarë padrejtësish apo duke e tepruar me sjelljet e tij, çka çon njëfarësoj po në padrejtësi. Kur i duhet, besimtari di të jetë një kështjellë e pamposhtshme, duke ditur si të qëndrojë përballë padrejtësisë si një krah i papërkulshëm dhe duke bërë çdo përpjekje të nevojshme, pa iu frikësuar kurrgjëje, për të ngritur të vërtetën në piedestal. Megjithatë, në kuptimin e tij të përgjithshëm, ai është përherë i drojtur dhe i thjeshtë përballë Allahut (xh.xh.), me sjelljen e tij të përjetshme të karakterizuar prej mëshirës, keqardhjes dhe butësisë.
Për shembull, kur përballet me armiq të ashpër, që vijnë për t'i dhunuar erzin, nderin, krenarinë, atdheun, shtetin dhe pavarësinë e tij, ai di se si ta kryejë funksionin e tij të një kyçi të papërkulshëm dore apo të një koke të papërulshme. Megjithatë, në çdo rast ai është krah parimit që të zgjidhet paqja përpara luftës, e si një përfaqësues i përhershëm i paqes, i udhëzon edhe të tjerët kah ajo; përpiqet, që në një atmosferë paqeje, të jetojë dhe t'u bëjë edhe të tjerëve të mundur që edhe ata të mund të jetojnë bukuritë e Islamit. Pasi i këtillë është edhe urdhri i Kuranit në lidhje me këtë çështje: "E nëse ata (të tjerët, ata që ju sulmojnë) priren nga paqja dhe mirëkuptimi, atëherë kthehu edhe ti, duke ia lënë veten në dorë Allahut!"[1]
Ndërsa në suren madhështore të Maides, por parë nga një tjetër këndvështrim, jepen këto veti të besimtarit: "O ju që keni besuar! Kush prej jush kthehet prej fesë së tij, (dijeni se), Allahu ka për të prurë një popull të atillë që, Ai e do këtë popull dhe ata e duan Atë. Njerëz të atillë që, kokulur përballë besimtarëve, por krenarë përballë mohuesve."[2] Me një fjalë, ata i ulin krahët e tyre përtokë pranë vëllezërve të tyre besimtarë, duke u sjellë me ta aq butësisht dhe me thjeshtësi, saqë prej të tjerëve mund të merret edhe për një "vetëposhtërim". Mirëpo, përballë atyre që nuk besojnë, e që jetojnë të zhytur në mohimin e tyre, ata janë krenarë e çfarë krenarësh! Nuk tuten e nuk përulen asnjëherë përballë tyre. Shihni se sa bukur e zanojnë vargjet e Mehmet Akifit këtë: "Se jam kaq i butë, dele se jam kush mendoi?/pritet ndoshta, por dot për kapistre s'tërhiqet." Pikërisht, parë nga ky këndvështrim ai është një njeri prototip. Megjithatë, po të ishte e nevojshme shprehja me të tjera fjalë, do theksuar se akoma dhe më i rëndësishëm është përcaktimi i vendit dhe kohës ku duhet shpërfaqur kjo lloj sjelljeje.
"Mos ia hape dhe i pe se ç'kishte në zemër?"
Për shembull, heroizmi është një veti shumë e bukur. Nuk ka njeri që të mos ndihet i emocionuar përballë heroizmit të Halidit të nderuar (radijallahu anh). Sa e sa njerëz ndukin buzët kur kujtojnë heroizmin e tij teksa kishte vetëm tri ditë që pati besuar në Islam. Mirëpo ç'e do se një pjesë të atyre, që nuk arrinin dot të thoshin: "U bëmë myslimanë!", por "U bëmë Sabii", "U bëmë Sabii", i pati vrarë, ndërsa një pjesë tjetër i pati zënë robër. Kur kjo ngjarje iu bë e ditur të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Ai pati ngritur duart e tij të bekuara sipër dhe pati thënë: "O Zot! Unë mbrohem prej Teje për këtë që ka kryer Halidi."[3] dhe qe pikëlluar jashtë mase prej kësaj ndodhie. Edhe në një ngjarje tjetër të ngjashme, Ai (s.a.s.) e pati qortuar Usamen që pati vrarë një armik edhe pasi ai pati artikuluar fjalën e dëshmisë, duke i thënë: "Mos ia hape dhe i pe se ç'kishte në zemër?" [4] Ja pra, me këto fjalë të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), madje edhe në një situatë të nxehtë luftë, kuptojmë se si myslimani duhet të veprojë gjithnjë veçse sipas parimit të drejtësisë absolute.
Përdorimi i mendjes dhe diplomacia në vend të dhunës
Nga ana tjetër, një besimtar, sikur edhe në rrethana të përballjes me armiq, duhet ta ketë gjithnjë parasysh se jo gjithnjë çështjet mund të zgjidhen me shpatë, me top apo me pushkë. Nganjëherë, sa më shumë që ju përpiqeni ta ndiqni një çështje nëpërmjet luftës, aq më shumë i nxisni mllefin dhe urrejtjen, e duke i rrëzuar kundërshtarët në pozitat e viktimës a të atij që janë duke iu kryer gjithë padrejtësitë, nuk e dini se do t'u keni përftuar atyre ndjekës dhe ithtarë të shumtë. Kështu, problemi i tashëm zmadhohet e zmadhohet, gjersa bëhet i pazgjidhshëm. Kur, nëse nuk do të përdoret dhuna dhe ashpërsia, por çështja do të ndiqet me diplomaci, atëherë përfundime shumë shumë më të mira mund të arrihen.
Për shembull, unë personalisht e dua shumë Javuzin, që iu bëftë vendi Xhenet. Madje atë, me përjashtim të një a dy sulltanëve të tjerë, e shoh në krye të të gjithëve. Megjithatë, megjithë konceptimin tim të ngushtë që kam përsa i përket strategjive luftarake, nuk mund të bëj pa ia gjykuar disa të tija syresh. Ai, siç ishte vetë i fortë e i fuqishëm, edhe pas vetes kishte një sërë krahësh të papërkulshëm. Zotëronte një ushtri të tërë, që do të rendte pas vdekjes me t'u dhënë ai urdhrin "Shkoni e vdisni!" Kundër kishte një shtet, që i bashkuar bashkë me ambicien perse, ishte kthyer vetë në një mishërim të ngatërresës. Kësisoj, edhe ai, duke menduar vetëm se për unitetin e Islamit dhe rendit në botë, i pati sulmuar dhe pati dalë fitimtar. Mirëpo, a nuk do të ishin parandaluar një varg ngatërresash dhe elementësh ngatërrestarë të trashëguar qysh ahere, sikur në vend të dhunës të qenë përdorur rrugët e mendimit, arsyes dhe diplomacisë. Në fakt, fjalët e mia rreth kësaj çështjeje janë thjesht dyshimet e mia në lidhje me të. Nëse po gaboj në këtë mendim timin, atëherë i kërkoj ndjesë atij shpirtit të qashtër. E nëse jam duke kryer mëkat ndërsa mendoj kështu, Allahu (xh.xh.) më faltë! Megjithatë, poende e shoh theksimin e përdorimit të mendjes, arsyetimit, urtësisë dhe diplomacisë si të rëndësisë së dorës së parë.
Shihni se si për vite të tëra, problemit të terrorit në vendin tonë nuk i është gjetur as edhe një zgjidhje. Janë bërë plot tridhjetë vjet, e megjithëse është ndjekur vetëm me dhunë dhe ashpërsi, problem vazhdon ende të jetë aty, i njëjtë. Vallë nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje tjetër për t’i bërë ballë këtij problemi? Sikur t’u kishim hyrë në zemra atyre njerëzve me mësuesit tanë, me policët, me mjekë, me imamë, me kryetarë bashkie, e të mund të kishim hyrë në botën e tyre shpirtërore; e në vend të rrugicave të tyre të të rrëpirta t’u hapnim rrugë drejt gjimnazit, drejt universitetit, t’u jepnim atyre mundësi zhvillimi ekonomik që të mos i zinte tahmaja për paratë që në çdo rast iu ofruan. A nuk do të ishte zgjidhur disi gjendja? Ja pra, kjo është të përdorësh gjuhën e diplomacisë. Kurse përdorimi i dhunës ia zë rrugën funksionimit të drejtë të arsyes dhe gjykimit. Mendimi se, “sido që të jetë, me një të rënë të shkopit i sjellim sërish në terezi” i zë vendin politikave alternative dhe ndjekjes së strategjive të dobishme.
“Poshtërimi” për pritshmëri interesash nuk është modesti
Nëse arsyeja, gjykimi, diplomacia dhe gjuha e butë përbëjnë një anë të çështjes, tjetrën e përbën mospërulja asnjëherë përballë tregimit të forcës dhe përdorimit të dhunës, por të tregohesh përherë kryelartë. Prandaj, sjelljet që pasojnë poshtërimin për hir të disa interesave prej atyre që bëjnë të gjitha padrejtësitë dhe më të këqijat nuk duhen ngatërruar me modestinë dhe thjeshtësinë. Kjo është një gjendje krejt tjetër. Fatkeqësisht, fjala, sjellja dhe qëndrimi i butë dhe i ëmbël që është një dinamikë shumë e rëndësishme e të bërit thirrje kah e drejta dhe e vërteta, mund të ndodhë që të përdoren si petk i flirtimit me palën që kryen padrejtësitë. Po, qëllimi i fjalëve dhe sjelljeve të buta nga ana e disa karaktereve të dobëta është të rrisin vlerat dhe kredibilitetin e tyre në sytë e të tjerëve, asisoj që të marrin ndonjë kompliment dhe të kënaqin dëshirën e tyre për famë, me atë rast edhe për të zënë ndonjë kolltuk. Patjetër që, ne nuk mund të keqpandehim për askënd, duke e cilësuar ndokënd si hipokrit. Madje, njerëzit e zgjuar, n duke i parë këta njerëz me karakter të dobët, edhe po të arrijnë ta përkapin qëllimin e tyre, sërish nuk e vënë në pah këtë si ndonjë gjykim objektiv. Në të kundërt do të kishin hyrë në mëkat dhe është Allahu (xh.xh.) që e kërkon llogarinë e këtij mëkati. Megjithatë, gjithsecili duhet t’i masë vetë veprimet e tij me ndërgjegjen, duke bërë njëfarësoj vetëgjykimin e tij.
Nuk ka dyshim, se të gjitha përpjekjet dhe mundimet e vëna në dispozicion prej radhësh të ndryshme nga ana e shoqërisë për të gjetur gjuhën e dialogut dhe mirëkuptimit kanë për t’iu shkruar si shpërblime. Megjithatë, nëse nganjëherë, njerëzit përulen më dysh për të nxjerrë ndonjë përfitim për veten, apo për të siguruar ndonjë post a detyrë, apo me synimin për të ngritur mirëqenien dhe rehatinë e vet, atëherë ky është asgjë më pak se një poshtërim i vetes.
Mirëkuptim për hir të zgjidhjes së problemeve shoqërore
Siç rrugët e mirëkuptimit dhe dialogut mes palëve në emër të zgjidhjes së problemeve nuk duhen ngatërruar me vetëposhtërimin. Zgjidhja e problemeve dhe drejtimi i çështjeve lidhur me shoqërinë në këto raste janë reagime të bëra në emër të sendërtimit të një atmosfere paqësore, duke parandaluar daljen e problemeve të reja në mes palëve. Hafizi Shirazi, sigurinë e të dy botëve thotë se e shpreh interpretimi i dy fjalëve. Njëra prej tyre është të sillesh ëmbël dhe butësisht me miqtë e tu, ndërsa tjetër të përballosh armiqtë. (Gazela e pestë e Divanit të Hafizi Shirazit). Sipas kësaj perspektive kuptohet se ndaj armikut nevojitet një qëndrim krenar, e jo në kuptimin që të jesh gati për të nxjerr nga një mosmarrëveshje në çdo çast. Lëre që, të ngrihesh e ta bësh këtë në një vend ku mes tyre hahen dy popuj që nuk po gjejnë ekuilibrat mes vedi, do të thotë që pala më e dobët ta hedhë vetë në rrezik veten e saj. Andaj, mund edhe të bëhen lëshime përsa i përket përdorimit të butësisë për të mund të ruajtur komunikimin me palën tjetër. Sepse, nxitja e urrejtjes dhe mllefit, apo armiqësisë, nuk ka se ç’të japë tjetër veç të gjitha dëmeve të mbledhura bashkë. Që me qasjen e Bediuzamanit, askush që ka nëntëdhjetë e nëntë armiq nuk dëshiron që t’i bëjë ata njëqind; përkundrazi, nëse ka njëqind armiq do të dëshirojë t’i zbresë ata në nëntëdhjetë e nëntë. Ja pra, të gjitha këto hyjnë në kategorinë e ruajtjes së ekuilibrit të gjendjes.
[1] Enfal, 8/61
[2] Maide, 5/54
[3] Buhari, megazi, 58.
[4] Po aty, 45.
- Publikuar më .