Profesioni ynë është shërbimi ndaj njerëzimit

Fethullah Gylen: Profesioni ynë është shërbimi ndaj njerëzimit

Që njeriu të njohë vetveten është ndër çështjet më të vështira. Në derën e shkollës së Sokratit thuhet të ketë qenë e shkruar shprehja “Njih vetveten”. Në të gjitha shkollat e tasavufit, parimi “Kush njeh vetveten, njeh Zotin e vet” është kthyer në një fjalë shumë të famshme. Për këtë arsye, ne, në çështjet për të cilat jemi individualisht përgjegjës, nën dritën e udhërrëfimit të Profetit tonë, duhet të përpiqemi të vëmë në vend detyrat që na takojnë.

Ne jemi përgjegjës për të urdhëruar për të mirë dhe për të ndaluar prej së keqes. Gjithsecili, sipas shkallës dhe në përmasat e nivelit të vet, mund të bëjë të ditur e të orientojë të tjerët në besim dhe t’u shpjegojë të tjerëve të drejtën dhe të vërtetat në nivelin e dijes dhe të kulturës që gëzon. Pasi nëse Zoti i Madhëruar ka ngarkuar secilin prej nesh me përgjegjësi për këto çështje themelore, do të thotë se kjo është një punë brenda mundësive. E pra, nuk është një barrë që nuk mund të mbahet.

Zoti i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Le të dalë nga mesi juaj një bashkësi që fton tek e mira, që urdhëron në vepra të mira e që përpiqet të ndalojë prej veprave të shëmtuara.” (Al-i Imran, 104). Çka do të thotë se ne, gjithsecili prej nesh, jemi në gjendje të jemi pjesë e një bashkësie të tillë. Në të kundërt, urdhri i Allahut do të ishte një barrë e papërballueshme. Në qoftë kështu, ahere duhet të kërkojmë përgjigjen e pyetjes se si mund ta kryejmë ne këtë detyrë. Në radhë të parë, siç e ka kryer nderi i gjithësisë, Profeti ynë i dashur, në periudhën e Mekës e të Medinës, ashtu duhet ta kryejmë edhe ne.

Profeti ynë fisnik, në çdo çështje, është për ne një ndriçues e udhërrëfyes. Bota gëzohet kur arrin lirinë, ndërsa ne jemi të lumtur e fatbardhë pasi jemi bashkësi e të Dërguarit Fisnik. Ndaj edhe prej Profetit tonë, porsi shirat e ardhur me flladin e mëshirës, neve na vijnë urdhëresa hyjnore; e kështu, me këto urdhëresa hyjnore, ne mund të përmirësojmë vetveten. Ndaj edhe në mos na mjaftoftë mendja jonë, mund t’u japim zgjidhje çështjeve tona nën dritën e përhershme të së vërtetës ahmedije paqja qoftë mbi Të!, që përbën mendjen absolute.

Duke ardhur në një tjetër aspekt të kësaj çështjeje, edhe në kohën tonë, Allahu na ka dhuruar një numër udhërrëfyesish që kanë si parësore udhërrëfimin dhe ftesën në besim. Këta udhërrëfyes, duke hapur kudo plot e plot kurse e shkolla, duke përfituar prej përmendoreve të ngazëllimit të lidhura me fenë dhe me vlerat e shenjta të popullit, i shërbejnë botës shpirtërore dhe urtësisë së kombit. Kështu, atyre që nuk u mjafton mendja për gjithçka, duhet t’i dëgjojnë këto dhe pa tjetër duhet të marrin përsipër një detyrë. Ndërsa këta të zotë të mendjes duhet t’u shërbejnë njerëzve sipas aftësive dhe zotësive që kanë. Kjo është një çështje që u përket atyre të mëdhenjve. Ç’mbetet, është punë e Zotit të Lartësuar.

Jam prej xhematit të Kuranit

Sipas meje, sot nuk është aspak e nevojshme që ta shpërndajmë çështjen. Kudo që të ndodhemi, për gjithsecilin prej nesh, puna më e rëndësishme janë udhërrëfimi dhe ftesa në besim. Qëllimi i jetës sonë, përfundimi i natyrshmërisë sonë duhet të jetë pikërisht kjo. Detyra jonë, për sa kohë të mbetemi si gjinkalla mbi pemën e kësaj bote, është që, gjer në fund, të jemi bilbila në emër të Zotit tonë dhe kurdoherë të këndojmë ëmbëlsisht për Të. Është çështje e nënshtrimit dhe e robërimit ndaj Tij që këtë punë ta kryejmë dhe më pas të mos trazohemi në përfundimin e saj. Për shembull, dikush që i ka hyrë me vullnet e vendosmëri punës për të bërë dikë të takojë Zotin e vet, nuk duhet të merret me ata që ia kanë përcaktuar rrugën a metodën kështu apo ashtu, por t’i marrë për dore e t’u ndriçojë udhën njerëzve ngurrues e të paqartë dhe që, në njëfarë kuptimi, llangosin sytë me baltë duke menduar se po stolisen me misk erëmirë. Veç kësaj, nuk duhet të veprojë në anëtarësi të ndonjë klike, qoftë kjo politike ose apolitike, por si një individ që gjendet brenda kornizës së shenjtë të së vërtetës ahmedije paqja qoftë mbi Të!, duhet të thotë vetëm “të Vërtetën”. Nëse e pyesin “Çfarë je ti?”, duhet të përgjigjet kështu: “Unë jam nga bashkësia e Muhamedit. Jam nga populli i Mikut fisnik të të Gjithëmëshirshmit. Jam ndër robërit e Allahut. Jam nga xhemati i Kuranit. Nga thelbi im i brendshëm nuk kam asnjë vlerë, ngjyrë e formë. Unë jam veçse një rrjedhë uji që e fitoj karakterin nga rrezet që vijnë prej Atij. Dhe paskëtaj avulloj, lartësohem në qiellin e njerëzimit dhe që andej mundohem të rrjedh teposhtë në trajtë pikash. Ja pra, ky jam unë dhe me këtë gjendje që gëzoj mundohem të shërbej.”

Shkurt, jo çdo njeri mund ta dijë me vërtetësi vendin e vet. Prandaj duhet të dëgjojë udhërrëfyesin që e di mirë këtë punë, nuk duhet të ndalet para shtigjesh e udhëkryqesh të ndryshme, por duhet t’u vërë veshin atyre që i rrëfejnë e i thonë “ky është shërbimi” dhe, nëse ato që i thuhen përkojnë me mënyrën e shërbimit të sahabëve, duhet të hyjë në atë rrugë e të përpiqet të kryejë detyrën që i është ngarkuar. Nuk ka nevojë të kërkojë ndonjë detyrë shumë të spikatur. Është shumë e dobishme që secili të zbatojë detyrën e vet. Duke vepruar kështu, nuk do të hyhet dhe nuk duhet të hyhet në mosmarrëveshje ndër mendime të fshehta, sepse ne as kemi mendime të fshehta e as gjë për të fshehur e ruajtur. Ne jemi të pastruar e të dëlirësuar prej mendimesh, qëllimesh e sjelljesh që mund t’i vënë njerëzit në dyshim. Në të vërtetë, ne i kemi dhënë zemrën Zotit tonë Bujar dhe nuk mendojmë par kurrgjë tjetër veçse për të fituar kënaqësinë dhe dashurinë e Tij. Ai përgatiti për ne një skenë e fushë loje dhe caktoi ndriçimin, dekorin dhe kostumet. Pastaj, na ngjiti në skenë ne, që jemi robërit e Tij, dhe na tha: “Luani këtë pjesë!” Nuk e dimë kur do të na marrë sërish. Ne do të kujdesemi të luajmë mirë rolin që na është dhënë dhe kur perdja të mbyllet, do të largohemi e do të ikim. Me gjithë zemër, e presim Atë. Unë, për vete, po pres me më shumë dëshirë se një ushtar se kur do të më hiqet barra e rëndë që më është ngarkuar dhe kur do të lihem i lirë, sepse këtu mund të ndodhë edhe që në pjesët që luajmë të mos jemi të zotë dhe të zbresim të turpëruar prej skenës. Ne jemi aktorë të robëruar. Fijet dhe lidhëset e gjithçkaje janë në dorën e Tij, çelësi i gjithçkaje është pranë Tij. Thesaret e tokës e të qiellit janë në praninë e Tij hyjnore dhe Ai është zotërues i gjithçkaje, sovran mbi çdo pasuri. Ndërsa ne, porsi një trup i pajetë në duart e gasalit, gjithmonë mbetemi nën kontrollin e Tij. Zoti na bëftë të bindur e të qëndrueshëm në këtë ndjenjë e mendim!

Një parim i rëndësishëm në udhërrëfim

Nëse dikush shfaq reaksion ndaj këshillave që i jepen, atëherë nuk duhet këmbëngulur, por duhen kërkuar zgjidhje alternative për atë njeri. Për shembull, ta zëmë se një vëllai im, megjithëse nuk është as i dalë feje e as mohues, nuk i qaset namazit dhe meqë këshilla për t’u falur i vjen prej meje, ai e sheh atë me ftohtësi. Së pari, duhet pohuar pa ndonjë dyshim se të pranuarit e këshillave që vijnë prej më të voglit përbën një veçori që gjendet në shumë pak njerëz. Nuk është e drejtë që këtë ta presim prej gjithsecilit. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar, nuk e bëri përgjegjës Profetin tonë me detyrën e madhe të thirrjes në besim kundrejt prindërve të vet, por ata i bëri të ndërrojnë jetë si hanifë dhe në jetën e amshuar – në dashtë Allahu – do t’i shpjerë në Xhenetin e Vet. E pra, Zoti i Madhëruar nuk i vuri nënë dhe babanë e Profetit tonë në gjendjen e të qenit ymet i tij, sepse në një rast të tillë, ftesa e ardhur prej bijve ekziston mundësia që të kundërshtohet prej prindërve. Pasi edhe ati i zjarrit, Ebu Lehebi, që gjalloi pranë Diellit të të Dyja Botëve dhe që kaloi pranë tij një pjesë të madhe të jetës, vijoi të mbetej atë i zjarrit dhe prej këtij pishtari nuk mundi kurrë të përfitonte. Me gjithë shpirtmadhësinë e vet, as Ebu Talibi nuk e pati fatin të përfitonte prej kësaj gurre e këtij burimi hyjnor, sepse gjendja shpirtërore e të hyrit në fenë e jetimit të vet atij iu kthye në një pengesë e në një perde. Prej xhaxhallarëve të Zotërisë sonë, për shembull, veç Abasi, Harithi dhe Hamzai u bënë myslimanë, por këta ishin thuajse bashkëmoshatarë me të dhe ishin më së shumti si shokë. Ndaj edhe, duke marrë parasysh këto, hedhja poshtë e propozimit të ardhur prej më të voglit duhet parë disi e natyrshme.

Nëse një vëllai im shfaq reaksion kur unë i këshilloj të falë namaz, atëherë ajo që më bie si detyrë është që t’i mundësoj të vendosë kontakte me shokët e mi praktikues të besimit, që e falin namazin. Për shembull, ta zëmë se unë kam një grup shokësh, me të cilët jam së bashku në linjën e shërbimit ndaj imanit e ndaj Kuranit; herë pas here, mblidhemi me ta dhe shkëmbejmë mendime. Në këtë situatë, nëse vëllai im që nuk fal namaz – sidomos nëse është më i madh se unë në moshë – mbetet gjithmonë në rang të dytë e si i lënë pas dore, edhe në qoftë i lidhur me ndjenja të brendshme të vëllazërisë me mua, duke parë të mbetet pas dere ndërsa i vëllai privilegjohet e mbahet si një trëndafil në duar, kjo mund ta shtyjë në reaksion. Kjo është një gjendje shpirtërore e natyrshme për njeriun. Për këtë arsye, në mënyrë që ai të mos shtyhet në reaksion, ajo që më mbetet mua si detyrë është kjo: rrethit tim të shokëve duhet t’u them, kur të më kërkoni mua, të kërkoni edhe vëllanë tim, Aliun. Nëse keni ndonjë kërkesë a ndonjë nevojë, shkoni tek ai. Kur të merrni në telefon, pyesni edhe për të. I thoni: “Do të vijmë në shtëpinë tuaj për të pirë një çaj ose do të ndodhemi në filan vend. Eja dhe ti me ne”, ose përdorni rrugë të tjera alternative.

Shkurt, nuk duhet t’i lëndojmë njerëzit dhe respektin për të Vërtetin duhet ta mbajmë lart. Kushdo njeri apo cilado sjellje që do të mund ta afronte atë shok a mik te namazi, ai njeri apo ajo sjellje duhet zgjedhur e i duhet dhënë një mundësi, ndërsa gjendja, përmes mendimesh të këqija, nuk duhet çuar deri aty sa të kthehet në një situatë pa zgjidhje.

Thelbi i çështjes

Nëse një bashkësi ecën në drejtim të kënaqësisë së Zotit të Madhëruar, pavarësisht nëse është e suksesshme apo e pasuksesshme në punët që kryen, do të thotë se e ka fituar kënaqësinë dhe dashurinë e Zotit të Vërtetë. Çdo hap të hedhur në emër të shërbimeve ndaj Fesë mund ta vlerësojmë po kështu. Veç kësaj, të bashkuarit e njerëzve të ndryshëm e të larmishëm rreth një ndjenje e mendimi të përbashkët për të shërbyer e punuar së bashku, është një shfaqje e mirësisë hyjnore. Njëherazi është edhe një mundësi e rëndësishme në fushën e bashkimit, të vëllazërimit e të mirësisë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.