Përgjegjësia e krimeve të kryera në emër të fesë (I)
Pyetje: A mund të shpjegohen krimet e kryera prej disa grupeve të caktuara, gjoja në emër të fesë, vetëm me ndërhyrjen apo udhëzimet e disa forcave të jashtme? Cilat janë disa prej shkaqeve që i bëjnë këto krime që të kenë rrënjë në gjeografinë islame?
Përgjigje: Është krejtësisht e pamundur që disa njerëz, edhe pse në pamje të jashtme si myslimanë, të cilët vrasin njerëz të pafajshëm që nuk janë në dijeni fare të asaj çfarë po ndodh, e poashtu që hedhin në erë faltore bashkë me besimtarët që gjenden brenda, të mund t’u jepet e drejtë me anë të Kuranit, Sunetit apo të qenit mysliman. Por sa keq, që në ditët e sotme është formuar një panoramë e tillë, e cila jo vetëm që na shkakton dhembje në zemra, por edhe na bën të ndihemi të turpëruar përpara botës. Megjithatë, përpos udhëzimeve dhe prijësimit të shumë vatrave të huaja djallëzore, të organizuara më së miri, këto ndodhi të hidhura terrori burojnë edhe prej një keqkuptimi dhe keqinterpretimi të Islamit, mund të thuhet lehtësisht se janë më të këqija edhe se mësymja e kryqtarëve mbi ne, apo rrënimi mbi tokat myslimane që prunë mongolët, e poaq i madh është edhe dëmi që i sjellin botës islame. Sepse këto krime dhe padrejtësi do të thonë sikur të shtrydhësh zift mbi imazhin e myslimanizmit.
Trimëria dhe guximi i keqkuptuar
Sipas mendimit tim të varfër, keqkuptimi dhe keqinterpretimi i parë që i hap udhë këtyre ngjarjeve është moskuptimi drejtë i dy prej mekanizmave më të thellë të mençurisë, siç janë guximi dhe trimëria. Patjetër që në çdo zemër duhet të ketë guxim dhe trimëri, por krahas këtyre besimtari duhet të zotërojë edhe urtësinë me largpamësinë. Ai duhet të shpërfaqë gjithnjë një qëndrim i cili të mund të ngjallë tek kushdo që qëndron përballë tij besueshmëri dhe siguri; çdo hap i hedhur duhet të jetë i lidhur më së forti me disiplinat themelore të fesë, cilatdoqofshin kushtet, pa harruar asnjëherë se drejt synimeve të lejuara/këshilluara mund të shkohet vetëm nëpërmjet rrugësh po të lejuara. Me fjalë të tjera, guximi dhe trimëria e vërtetë është ajo kur; çdo mysliman qëndron i patundur në emër të mbrojtjes së vlerave të tij, duke mos u lëkundur aspak në ato çështje që ai i di si të drejta, qoftë edhe sikur ta dijë që më parë se në këtë rrugë mund t’i priten krahët, apo çfarëdolloj vuajtjeje a vështirësie tjetër.
Kur e shohin Kohën e Lumturisë prej këtij këndvështrimi, shohim se Krenaria e Njerëzimit, bashkë me të gjithë ata që gjendeshin përkrah Tij kanë hequr prej mekasve, përgjatë një kohë prej plot trembëdhjetë vitesh, ato vuajtje që është e pamundur që një njeri t’i përballojë. Asisoj që, nganjëherë sahabët e nderuar përloteshin të drejtuar kah fuqia e pashtershme e Allahut (xh.xh.), ndërsa në anën tjetër, përballë një panorame të tillë, të cilën nuk e kishin kuptuar dot ashtu siç duhej, kuptonin vuajtjet e të Dashurit të Allahut (s.a.s.), që Ai e kishte dërguar për të shpëtuar njerëzimin, dhe i drejtoheshin Allahut (xh.xh.): “Sa i butë që je, o Zot!”. Ne e dimë se si, ndërsa Krenaria e Njerëzimit (s.a.s.) vendoste ballin në sexhde përballë Qabes, ata që ishin mbërthyer fortë pas mohimit dhe injorancës i hidhnin plëndës deveje mbi krye. (shih: Buhari, udu,69; Muslim, xhihad, 107) Këta zullumqarë, që u rënçin gurë mbi krye, sa e sa herë e patën mbajtur Atë nën breshrin e gurëve. (shih: Buhari, bed’u’l-hallk, 7; Muslim, xhihad, 111). Mirëpo Ai nuk u pati thënë atyre asnjëherë: “Ju rënçin edhe juve gurë mbi krye!”, madje edhe përballë këtyre njerëzve, që i patën thyer dhëmbët, i patën plagosur faqen e poashtu kokën, pati ngritur duart duke u lutur: “O Zot, udhëzoje popullin tim, sepse ata nuk dinë.” (Kadi Ijad, esh-Shifa, 1/105). Nëse do të mund t’i vihej ndonjë shtojcë këtyre fjalëve, ajo do të ishte: “Nëse ata do të më dinin mua, misionin tim, apo se si unë vdes dhe rigjej jetë për ta, nuk do të vepronin kësisoj.” Sepse Kurani e paraqet kështu gjendjen e Profetit tonë të dashur (s.a.s.) përballë mohuesve që ecin palëkundshëm në rrugë të gabuar: “Mos vallë do të shkatërrosh veten pse ata nuk i besojnë kësaj fjale (pra Kuranit).” (Kehf, 18/6).
Siç shihet, Krenaria e Njerëzimit (s.a.s.), që ngadhënjen çdo zemër, udhëzon çdokënd drejt njerëzisë së vërtetë, duke e takuar atë me njerëzinë brenda thelbit të vet, edhe karshi atyre që ushqejnë mllef ndaj Tij, nuk i kundërpërgjigjet mllefit me mllef, e aq më pak të jetë ulur aq sa të kryejë ndonjërin prej këtyre veprimeve të ulëta e të pacipa që kryhen sot. Ai edhe për Ebu Xhehlin, i cili kishte qenë armik i paepur i Tiji për plot pesëmbëdhjetë vjet, nuk ka thënë kurrë: “Të bëftë Zoti gropën!”. E pikërisht ngase nuk i ka thënë këto fjalë, ka ardhur dita kur e bija e Ebu Xhehlit, Xhuejria, apo i biri, Ikrime, janë kthyer në myslimanë. Janë bërë myslimanë, e fill pas asaj dite kanë jetuar një jetë marramendëse, për t’u pasur zili. Ai Ikrime, që kishte qenë duke luftuar karshi romakëve në Jermuk, e ndërsa të plagosur e çonin në çadër, ngrihet njëherë pingulthi e thotë këto fjalë: “O i Dërguari i Allahut, a Ti erdhe?” Kur në fakt, kur ndodh kjo ngjarje nuk kishin as dy vite që njiheshin me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Ç’është e vërteta, unë e kam tejet të vështirë që ta shpjegoj këtë përparim kaq vertikal e kaq të shpejtë Ikrimes, të birit të Ebu Xhehlit. Po, e kam të vështirë, se si arriti në një horizont të këtillë njohjeje brenda një kohe kaq të shkurtër, duke u thelluar kaq shumë së brendshmi vetes. A do të ishin të mundura të gjitha këto, nëse Krenaria e Njerëzimit nuk do të ishte sjellë butësisht dhe me mençuri qoftë edhe karshi atyre që ushqenin armiqësi ndaj Tij?
Kur, nëse do të donte, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), në atë periudhë të vështirë mekase, mjafton që të shenjonte njëherë me gisht, e ata myslimanë të parë, trima dhe guximtarë në kulm, do të luftonin për Të deri në pikën e tyre të fundit të gjakut. Por, megjithëse ishin vënë në zinxhirë, duke u dhunuar me gjithfarë mënyrash, ata patën zgjedhur rrugën e durimit, duke mos kryer asnjë veprim të nxituar, individual, të ndjeshëm e të pamenduar mirë, që do të lëkundte besueshmërinë e tyre, e aq më pak ndonjë prej këtyre veprimeve të pashpirta e gjakatare. Sepse rruga e Profetit të Dhembshurisë është rruga e ngadhënjimit të zemrave dhe bindjes së mendjeve, të cilat janë shkak për arritjen e lumturisë së përjetshme. E kjo arrihet vetëm duke vepruar me anë të urtësisë, mëshirës, butësisë dhe dhembshurisë. Prandaj, nëse do të ishte e dobishme të përsëritej edhe njëherë, kjo mënyrë gjakatare të vepruari nuk mund të gjendet assesi në Kuran, Sunet apo në stilin, strategjinë dhe botëkuptimin e Krenarisë së Njerëzimit.
Nëse mbillni urrejtje, nuk mund të vilni dashuri
Ju mund t’i zgjeroni akoma më tej shembujt prej Kohës së Lumturisë. Për shembull, ndërsa shkojnë për të marrë çelësat e qytetit, gjatë çlirimit të Jerusalemit, Omeri i nderuar (r.a.) niset nga Medina bashkë me shërbyesin e tij. Gjatë rrugës i grisen rrobat, por ai ndalon dhe i riqep ato me dorë. Sipas botëvështrimit se nuk është mirë që të përdorin dy kafshë udhëtimi prej pasurisë së shtetit, marrin vetëm një kafshë, të cilës i hipin me radhë, njëherë njëri e njëherë tjetri. Sapo janë duke iu afruar Jerusalemit, kur radha për të hipur i vjen shërbyesit. Megjithëse shërbyesi këmbëngul duke iu lutur që të mos ndryshojnë, pasi i janë afruar mjaft qytetit, ai nuk pranon, dhe sakaq ia lë radhën shërbyesit. Prijësit fetarë, të krishterë dhe hebrenj, që gjendeshin brenda qytetit dalin për t’i pritur, dhe me t’i dalluar, thonë këto fjalë: “Ne zaten e kemi parë edhe në librat tanë, se njeriu që do të marrë çelësat mbart pikërisht këto veçori.”, dhe saora fillojnë t’i shpërfaqin gjithë respektin dhe nderimin e mundshëm, derisa patriku i Jerusalemit, Sofroni, i dorëzon çelësat e qytetit. Me të ardhur koha për t’u falur, Omeri i nderuar (r.a.) u thotë se ka ardhur koha dhe duhet të falen, ndërsa ata i përgjigjen: “O prijës i besimtarëve, ju (bashkë me myslimanët e tjerë) mund ta falni namazin në njërën qoshe të faltores sonë.”, mirëpo i pari i myslimanëve u përgjigjet, se “nëse prijësi i myslimanëve e fal namazin këtu, dhe mëkëmbësit e tij i lidhen pas në namaz, atëherë ata e kthejnë këtë vend në një xhami, e kjo do të thotë që të nëpërkëmbim të drejtat tuaja.”, dhe sakaq del jashtë për ta falur namazin mbi një gurore aty pranë. Tani, pa shihni njëherë delikatesën, respektin dhe largpamësinë që tregon Omeri i nderuar (r.a.) karshi faltores së një tjetër besimi, e pastaj krahasojeni njëherë me sulmet e shëmtuara që kryhen sot gjoja në emër të Islamit!
Një tjetër shembull që do të hidhte mjaftueshëm dritë mbi çështjen tonë: Në kohën e Aliut të nderuar (r.a.) ngatërresat dhe shpifjet ishin shtuar tejmase, si edhe sot në ditët tona. Harixhitë, të cilët ishin kundër Aliut të nderuar (r.a.) në ato ditë, u mblodhën në Harura, një person shkon pranë Aliut (r.a.) për ta pyetur: “O imam! Harixhitë janë mbledhur në filan vend bashkë me ushtritë e tyre, e nga çasti në çast do të mësyjnë. Më mirë, para se të mësyjnë ata, mësyju ti atyre dhe shkatërroji.” Ai trim që pati shkulur portën e Hajberit nga vendi, ai dhëndër trim, që kur fluturonte njëherë shpatën priste disa kokë njëkohësisht, ai imam që Krenaria e Njerëzimit e kishte bërë paraardhës të të gjithë njerëzve të lartë, tha atë fjalë që i shkonin më së shumti: “Kush e tha, se ata do të na mësyjnë neve?”. A e shihni delikatesën në qasje e këtij heroi? Për mendimin tim trimëria e vërtetë nuk gjendet tek shkulja e portës së Hajberit nga vendi, apo në ndarjen e trupit të Amr ibni Abdiudit në mes me një të goditur të shpatës, por në vetëkontrollin dhe ruajtjen e qetësisë duke e përdorur vullnetin ashtu siç duhet, në një kohë kur egot kanë filluar të buçasin: “unë, unë, unë”, porsi ato daullet gjatë Ramazanit. Po, guximi dhe trimëria e vërtetë është të mund të thuash: “Ku e dini se do të na mësyjnë neve?” në një çast të tillë kritik, duke menduar edhe se mësymja ndaj një grupi, kur qëllimi apo drejtimi i tyre i vërtetë nuk dihet ende plotësisht, nuk do të ishte diçka e lejuar. (shih: el-Merginani, el-Hidaje, 2/170-171; el-Kasani, Bedaiu’s-Sanai, 7/140-142)
Zaten e rëndësishme a nuk është zgjidhja e problemeve në mënyrë strategjike, duke u lodhur sa më pak? Nëse do të hedhim një vështrim në çlirimin e Mekës, do të shihet se si i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pati marrë të gjitha masat në mënyrë që të mos derdhej më gjak, armiqësitë të mos shumëfishoheshin e të gjitha problemet të zgjidheshin me rrugën më paqësore të mundshme. Po, nëse do të përjashtonim vetëm një ndodhi të vockël, Krenaria e Njerëzimit pati hyrë në Mekën idhujtare pa derdhur asnjë pikë gjaku, e pa sjellë kurrfarë dëmi. E ndërsa hyri dhe i pyeti: “Si prisni që unë të sillem me ju?”, idhujtarët, të cilët e njihnin Atë që prej fëmijërisë i patën thënë: “Ti je fisnik e bir fisniku.” Saora, me të dëgjuar këto fjalë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pati qetësuar me fjalët: “Në qoftë ashtu, mund të shkoni gjithsecili në shtëpitë tuaja, sepse ju sot nuk do të prekeni.” (shih: Ibni Hisham, es-Siratu-Nebeuije, 5/74) Këto fjalë të thëna prej Tij, porsi fryma e zbritur prej Xhebrailit (a.s.) patën hyrë aq thellë ndër zemra, saqë populli i Mekës e pati kuptuar menjëherë rrugën e gabuar në të cilën ndodhej, dhe pas një a dy ditësh qenë mbledhur rreth Profetit tonë të nderuar. Derisa qenë zbutur e qenë bërë myslimanë edhe këta njerëz, të cilët ishin aq shumë inatçorë, e që kishin ushqyer urrejtje dhe armiqësi të pashoqe karshi Tij. Ishte pikërisht butësia dhe mirësjellja që i tërhoqi ata drejt atmosferës së mirë të Islamit. Ç’të mbillni, atë do të korrni. Andaj, nëse njeriu do që të korrë përherë veç gjëra të mira, atëherë rreth e rreth vetes duhet të mbjellë veçse fara të së mirës.
- Publikuar më .