Këshillimi ideal-1
Pyetje: Cila është metoda dhe etika e këshillimit në Islam?
Përgjigje: Kurani Fisnik e ka cilësuar këshillimin mes besimtarëve, pa lënë nevojë për ndonjë komentim apo interpretim tonin, fare hapur dhe qartazi, si një cilësi të domosdoshme të një myslimani, duke ua urdhëruar zbatimin zemrave që besojnë, si një kriter i pashmangshëm në çdo aspekt të jetës. Për shembull, në suren homonime të Shura-s, fjala e patëmetë na drejtohet kështu: “Ata (janë të atillë) që, i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre dhe e falin namazin në mënyrën më të drejtë; punët e tyre mes vedi bëhen të gjitha me këshillim; dhe vazhdimisht ndajnë (me të tjerët) nga rizku që ne u kemi caktuar.”[1] Duke e përmendur këshillimin me njëri-tjetrin së bashku me namazin dhe me ndarjen e pasurisë, pa i ndarë, e përcakton atë për besimtarin si një prej cilësive më jetike për një shoqëri besimtare dhe si një veprim që mund të barabitet me adhurimet për nga rëndësia. Është shumë kuptimplotë edhe fakti që sureja emërtohet po me të, pra “Shura”, pikërisht ndërsa bart këtë ajet fisnik lidhur me të!
Një tjetër ajet fisnik ku këshillimi urdhërohet tërthorazi, ajo na jepet me këto fjalë: “Është prej mëshirës së Allahut që ti sillesh butësisht ndaj tyre. Po të ishe ti një njeri me zemër të ngurtë dhe egër, të gjithë ç’ke përreth do të shpërndaheshin, do të largoheshin. Kështu që falua atyre mangësitë; e kërko falje për ta. Këshilloju me ta për punët që do të bësh, e pasi të vendosni mbështetu tek Allahu; sepse Allahu i do ata që i besojnë Atij dhe kërkojnë mbështetje pranë Tij.”[2]
Këshillim edhe atëherë kur ndiheni të fyer!
Siç e dini, ky ajet i ka nderuar myslimanët me zbritjen e tij pikërisht në një çast kritik të një lëkundjeje kalimtare që u përjetua në betejën e Uhudit. Profeti ynë (s.a.s.) qe këshilluar me sahabët e Tij në lidhje me lëvizjen e tyre qysh para betejës, dhe duke i marrë parasysh të gjitha ndjesitë dhe mendimet e tyre pati vendosur që të dilnin në fushëbetejë. Mirëpo, disa prej sahabëve që ende nuk e kishin kuptuar mirë urtësinë e hollë të bindjes ndaj urdhrit, ranë në një kundërvënie me njëri-tjetrin, çka bëri që në atë çast të përjetohej një lëkundje kalimtare – veçanërisht nuk dua ta quaj humbje. Ja pra, në atë luftë ku u plagos edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), kur nga faqja iu derdhte gjaku çurg, ku një grup prej sahabëve fisnikë kishin rënë dëshmorë, Allahu (xh.xh.) zbret këtë ajet, në të cilin fillimisht me fjalën e tij të lartësuar përgëzon Profetin e profetëve: “Është prej mëshirës së Allahut që ti sillesh butësisht ndaj tyre. Po të ishe ti një njeri me zemër të ngurtë dhe egër, të gjithë ç’ke përreth do të shpërndaheshin, do të largoheshin.” Nëse do të hynim pak më tej në brendësi të kuptimit të këtij ajeti, mund të themi: “O i Dashuri im Edukues! Ti zaten nuk mund të jesh zemërngurtë, i egër dhe i ashpër, dhe nuk je. Po të ishe i atillë, zaten këta njerëz nuk grumbulloheshin tok rreth Teje për të ardhur gjer në fushën e betejës, nuk mblidheshin, përkundrazi, shpërndaheshin. O i Dashuri Im i Edukuar!” Mirëpo ata bënë gabim në gjykim. Andaj, Ti fali ata!, dhe lutju Allahut që t’i falë ata! Shtroje edhe njëherë çështjen në tryezën e këshillimit, diskutojeni dhe bini dakord me njëri-tjetrin për atë që do të bëni. Po, në një kohë kur një lëkundje relative ndoti çdo gjë, dhe kur zemra profetike, duke qenë një njeri i vetëm, mund të binte në pikëllim, në një kohë kur shumë zemra ishin tretur prej pikëllimit, Allahu (xh.xh.) u kërkon, me një gjuhë tejet të butë, që të këshillohen edhe një herë me njëri-tjetrin. Kur, në të vërtetë, Profeti ynë i Dashur (s.a.s.) nuk kishte kurrfarë nevoje për t’u këshilluar. Ai (s.a.s.), me fjalët e Ebu Bekrit (r.a.), ishte natë e ditë në lidhje me qiellin. Ishte Allahu i Madhërishëm (xh.xh.) që do t’ia parathoshte fjalët që do të thoshte, hapat që do të hidhte, veprimet që do të bënte. Ai (s.a.s.) nuk ka përjetuar asnjëherë bllokim në jetën e Tij. Edhe në vendet ku ka qenë në rrezik, e ku mund të bllokohej së brendshmi, Allahu (xh.xh.) ia ka hapur të gjitha rrugët, duke ia kthyer shtigjet në rrugë të gjera dhe duke i thënë: “Ec, rruga është rruga Jote, koha koha Jote!” Mirëpo jo vetëm për kohën e tij, por në çdo kohë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ai Udhërrëfyes i përsosur këshillohej për çdo çështje me sahabët e Tij për t’i treguar rrugë umetit të Tij, që ata ta ndiqnin nëpërmjet përngjasimit, me fjalë të tjera imitimit. Dhe me gjuhën e gjendjes dhe qëndrimit u thoshte: “Çfarëdoqofshi, prefekt, kryetar bashkie a president... kushdoqofshi. Mos veproni me mendime krejt individuale. Mos i lidhni vendimet veçse me mendimet tuaja. Medoemos diskutojini dhe këshillojuni për çdo punë që do të kryeni.”
Këshillimi bën të mundur pjesëmarrjen e të gjithëve në punët që do të bëhen
Këshillimi në çështjet dhe vendimet që merren për një grup të tërë njerëzish është shumë e rëndësishme që të kryhet po duke marrë parasysh mendimin e të gjithëve. Kur njerëzit përfshijnë edhe mendimet e tyre në lidhje me një çështje të caktuar, qoftë ky edhe një mendim sado i vockël, e shohin veten e tyre brenda kësaj pune dhe duan që t’i vendosin edhe ata duart nën peshën e asaj çështjeje. Sepse, kur nuk e shohin mendimin dhe sugjerimin e tyre brenda një pune, e nuk kanë kontribuar në vendimet e marra lidhur me të, nuk e përfshijnë veten në të, dhe kësisoj as duart nuk i vënë nën peshën e saj. Andaj, ajo që duhet bërë, është t’i bëjmë punët të ndihen si një thesar që duhet mbajtur me kujdes prej të gjithëve nga një anë, duke u bërë njerëzve të mundur që të vënë edhe ata shpatullat nëpërmjet mendimit në të për ta bërë peshën më të lehtë për të gjithë së bashku. Nga ky këndvështrim, mund të themi se për aq kohë sa këshillimi lihet pas dore brenda familjes, në rrethin familjar ku bëni pjesë nisin pakënaqësitë dhe problemet e ndjekin njërën pas tjetrës; kur lihet pas dore në një grup a shoqëri të caktuar, atëherë i tërë grupi a shoqëria dëmtohen prej saj; kur lihet pas dore në nivel shtetëror, atëherë në plan shtetëror fillojnë të ndihen pakënaqësitë, problemet dhe mangësitë e njëpasnjëshme. Po, Besniku i Atij ndaj të Cilit s’mund të jesh veçse Besnik (s.a.s.) e ka shprehur atë me fjalë që shenjojnë detyrim: “Kush këshillohet nuk përjeton humbje, nuk bie asnjëherë në rrënim.”[3], duke filluar që nga rrethi më i vogël brenda të cilit bëjmë pjesë, duhet ta zbatojmë atë në të gjitha aspektet e jetës.
Morali i diskutimit dhe rrahjes së mendimeve në këshillim
Pasi u ndalëm shkurtimisht në domosdoshmërinë e këshillimit, tani po të dëshironi le të ndalemi paksa në faktin se si mund të realizohet një këshillim ideal.
Fillimisht, që një individ të marrë vendime veç sipas kokës së tij, mandej t’i kthejë këto mendime në disa ide fikse të pandryshueshme, nëpërmjet prizmit të të cilave të rrahë edhe mendimet e tjera që do të hidhen në tryezë gjatë këshillimit, nënkupton drejtpërsëdrejti mosnjohje të shpirtit të këshillimit. Në vend të kësaj, njeriu, në mënyrë që në mendimet e tij të mos përzihen ndjenjat, që të mos i pandehë të dëshirat dhe orekset e tij si arsye dhe gjykim, ato që mendon në lidhje me çështjen që do të diskutohet gjatë këshillimit, t’i marrë në konsideratë mirë e mirë, duke përdorur të gjitha mekanizmat e botës së tij shpirtërore krahas një arsyeje, ndjenjash dhe zemrës së kulluar. T’i mbajë ato shënim diku mënjanë, të përcaktojë kornizën e çështjeve që do të diskutojnë e mandej t’i parashtrojë ato përballë të tjerëve. Veç kësaj, edhe sikur të mendojmë se mendimet dhe sugjerimet tona janë shumë origjinale, nuk është e drejtë që të pritet gjithnjë që mendimet e tua të mirëpriten prej të gjithëve. Nga ky këndvështrim, mendimet dhe sugjerimet e parashtruara para kolegëve me të cilët këshilloheni, çdokush duhet të dijë të thotë: “Kështu, unë nuk e paskam kuptuar siç duhet këtë çështje, ... ose e paskam keqkuptuar.” Dhe të mos këmbëngulë me inat në mendimin e ngulitur në mendjen e tij.
Në thelb, metoda që duhet ndjekur në një këshillim është diskutimi dhe rrahja e përbashkët e mendimeve. Dhe diskutim dhe shkoqitje e mendimeve nuk do të thotë debat dhe kacafytje me njëri-tjetrin. Deri më sot janë shkruar sa e sa vepra të ndryshme në lidhje me edukatën e diskutimit, ku janë vënë në pah me hollësi të gjitha parimet e nevojshme për të qenë përherë në një bosht me këshillimet e Librit dhe Sunetit. Veçanërisht, diskutim nuk do të thotë hedhje mendimesh karshi mendimeve që hidhen në tryezë në lidhje me çështjen e diskutuar. Për shembull, në një vend ku diskutohet një çështje në lidhje me ekonominë, ngase të gjitha mendimet që do të rrihen do të jenë rreth ekonomisë, patjetër që ato, në thelb, do t’i ngjasojnë njëra-tjetrës. Ja pra, pikërisht ky vënie përballë e vështrimeve të ngjashme në thelb quhet diskutim. Qëllimi parësor i tij është qartësimi i të vërtetës, dhe ngulitja e saj kur të ketë arritur një shkallë të të qenit e kulluar. Pasi, “prej vendosjes përballë të mendimeve lind përsosja (qartësimi) e të vërtetës.” Ndërsa prej debatit nuk lindin rrezatime të të vërtetës, por përçarje, kategorizime, me një fjalë, ndasi mes “të vërtetash”. Pasi, ndërsa në diskutim parim themelor është respekti karshi mendimit të palës tjetër, duke u treguar sa më mirëkuptues, në debat është “kjo që them unë është e vërteta dhe pikë”, çka lind për pasojë edhe “turpërimin” e tjetrit që mund të mendojë disi më ndryshe.
Ç’është më e arrira, aty ku një çështje diskutohet duke u marrë mendimi i të gjithëve nuk mund të bëhet kurrsesi fjalë për palë që del e humbur. Pasi gjithsecili sheh se ka qenë i gabuar në mendimin e tij dhe kësisoj mëson diçka të re, të cilën nuk e ka ditur më parë. Ndërsa ai, mendimi i të cilit del i saktë, nuk fiton veçse përsëritjen e të njëjtit mendim që kishte në krye. Madje ky i fundit ka gjasa edhe që të bjerë edhe në çarkun e krenarisë dhe të mendjemadhësisë duke menduar, “e shikon, doli ashtu siç e pata thënë unë.” (vijon...)
[1] Shura, 42/38.
[2] Al-i Imran, 3/159.
[3] Et-Taberani, el-Muxhemu’l-kebir, 6/365.
- Publikuar më .