Jeta e vërtetë fetare dhe të kesh karakter
Pyetje: Cilat janë pikat më kryesore që duhen pasur kujdes prej besimtarëve, në mënyrë që të mos përjetojnë kurrfarë thyerjeje apo krisjeje në karakterin e tyre?
Përgjigje: Sipas botëkuptimit dhe terminologjisë sonë, karakteri është kthimi në natyrë të vetes të veprave dhe adhurimeve të urdhëruara prej Islamit, kur ato kryhen vazhimisht e pa ndërprerje, sipas parimit të ihsanit, vetëdijes se ti tani gjendesh përballë Allahut (xh.sh.) dhe Ai që po t'i ndjek të gjitha veprimet, çka ju mund ta cilësoni edhe si "karakter islam". Prej kësaj, ndërsa themi për një besimtar se ai është me karakter, ajo çfarë kuptojmë është se ai i ruan të forta lidhjet e tija me Zotin (xh.sh.); ai e respekton Krenarinë e Njerëzimit pikërisht ashtu siç e meriton figura e Tij; ai i kryen të gjitha detyrat e tij, qofshin ato personale, familjare apo shoqërore pa as më të voglën mangësi, e për më tepër, që përpiqet ta jetojë jetën përherë brenda një drejtpeshimi të tillë.
Ushtrim me adhurime shtesë
Ashtu siç zotërimi i një karakteri të këtillë është i lidhur ngushtë me një përpjekje dhe vendosmëri serioze, poende është e vështirë edhe që të mund ta ruash atë përgjatë gjithë jetës. Mirëpo besimtari duhet të jetë pikërisht kërkuesi i një vështirësie të këtillë. Udhërrëfyesi ynë i përsosur (s.a.s.) shprehet se e plaku sureja Hud, e cila përmban edhe ajetin "Vepro më se drejtë, ashtu siç të është urdhëruar."[1] Atëherë, qëllimi i epërm i çdo besimtari duhet të jetë synimi për t'iu afruar sa më shumë këtij horizonti në të cilin ka jetuar Profeti i profetëve. Ja, pikërisht këtë çështje, që është më e zorshmja ndër më të zorshmet, nëse arrin ta kthejë në pjesë të natyrës së vet duke e ushtruar vazhdimisht nëpërmjet veprave dhe adhurimeve shtesë, pesha që bart prej vullnetit të tij ka për t'iu lehtësuar, qoftë edhe pse pjesërisht, e ai do të mund t'i kryejë më lehtësisht përgjegjësitë e ngarkuara prej jetës.
Në fakt, mund të thuhet se ky është edhe një ndër funksionet e adhurimeve shtesë. Për shembull, agjërimi përgjatë plot tridhjetë ditëve të nxehta e mbytëse gjatë muajit të bekuar të Ramazanit mund edhe t'i duket i vështirë njeriut. Mirëpo, siç e dini edhe ju, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i ka këshilluar besimtarët që të agjërojnë shtesë, veç ditëve të hëna dhe të enjte të çdo jave, por edhe në ditën e trembëdhjetë, katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë të çdo muaji.[2] Kështu, dikush që do ta mësojë veten duke agjëruar gjatë kësi ditëve më të shkurtra dhe më të freskëta, do të jetë më i fortë përballë urisë dhe etjes së ditëve më të nxehta e më të gjata, çka, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, do të mund ta kryejë më lehtë këtë adhurim të detyrueshëm.
Poashtu, e njëjta gjë vlen edhe për adhurimin e zekatit. Islami ka urdhëruar dhënien e zekatit të pasurisë së zotëruar, diku të dyzetën, diku të njëzetën, diku të dhjetën, e diku edhe të pestën e gjësë. Mirëpo, dikush që nuk e ka mësuar veten që të japë nga pak, qoftë edhe si sadaka, mund ta ketë të vështirë që ta kryejë detyrimin e tij të përvitshëm. Ashtu siç, ai që e ka mësuar veten duke ndarë pak e nga pak prej pasurisë së vet edhe me të tjerët, e që për më tepër e ka mësuar edhe egon me diçka të këtillë, nuk do ta ketë fare të vështirë për vullnetin që ta japë të plotë zekatin e tij.
Po kështu, ai që e ka mësuar veten të kryejë adhurime shtesë në pjesët e kohës kur është më i lirë, e ka më të lehtë që t'i kapërcejë të gjitha pengesat që mund t'i shfaqen egos së tij ndërsa i duhet, ta zëmë, të falë namazin e sabahut, apo çdo namaz tjetër të detyruar. Enkas, Profeti ynë (s.a.s.) shprehet kështu në një hadith Tijin: "Allahu i ka dhënë çdo profeti një dëshirë, një kërkesë, një epsh. Ndërsa epshi im është për të falur namaz."[3], me të cilin, në njëfarë kuptimi, ka dashur të thotë, se "ashtu siç ju merrni kënaqësi prej plotësimit të dëshirave tuaja trupore, edhe unë marr kënaqësi prej adhurimit të Zotit tim." Ja pra, qëllimi i çdo besimtari mysliman duhet të jetë pikërisht rrokja e një horizontit të këtillë botëkuptimi fetar. Në fakt, jo çdokush mund ta arrijë një majë të këtillë, por edhe të qenët në një rrugë të këtillë dhe kërkimi i këtyre majave është një tjetër virtyt. Allahu (xh.xh.) do t'i quajë adhurime të gjitha përpjekjet e bëra në emër të tij, e kësisoj do t'ia rrisë edhe gradën atij njeriu.
Këtë lloj pikëvështrimi mund ta përdorni edhe për veprimet negative prej të cilave do larguar një çast e më parë. Për shembull, një njeri mund edhe ta ketë të vështirë për një çast që ta përdorë plotësisht vullnetin e tij përballë ndonjë pune të pistë e të shëmtuar kah e cila e tërheq epshi. Mirëpo, ai përpiqet të jetojë një jetë të mbyllur karshi çdo veprimi të ndaluar, qoftë i vogël a i madh, dhe nëse arrin që këtë ta kthejë në një pjesë të pandarë të natyrës së vet, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, edhe kur të përballet me punë të këqija apo të shëmtuara, pa u ndotur dhe pa rënë në batak, mund ta kapërcejë me lehtësi edhe atë pengesë.
Drejtqëndrini në sjellje dhe veprime
Të gjitha këto çështje për të cilat u fol janë të vlefshme edhe përsa i përket marrëdhënieve që njeriu lidh me njerëzit e tjerë. Po, besimtari duhet ta kthejë në pjesë të karakterit të tij edhe veprimin sipas urdhëresave të fesë. Nëse do ta shtjellonim disi më tej, nëse një njeri nuk e ka kthyer në pjesë të karakterit të tij cilësitë e bukura të përqafimit të çdokujt me dashuri, që nuk i derdh buzëqeshje çdo fytyre me të cilën përballet, që nuk i ndihmon e që nuk i gostit me gjëra nga më të mira edhe të tjerët, nëse një ditë përballet me një situatë jo dhe aq të këndshme, mund të shfaqë një reagim ku e ku më të egër e më të ashpër. Një njeri i tillë, sa herë që të përballet me një situatë të shëmtuar, ngase do t'i duhet t'ia ngarkojë të gjithë barrën vullnetit që të veprojë ashtu siç i ka hije një besimtari ka për ta pasur me të vërtetë tejet të vështirë, e kësisoj do ta ketë edhe të pamundur që të shpëtojë prej një sërë humbjesh të pashmangshme. Kështu këto zigzage në sjelljet e tij do t'ia dëmtojnë besueshmërinë dhe besimin e falur prej tij ndaj të tjerëve. Edhe ne, si zemra besimtare, nëse duam që të jemi të besueshëm dhe që premtojmë besueshmëri ndaj të tjerëve që gjenden rreth nesh, duhet që t'i kthejmë në dimension të natyrë sonë, si kryerjen e adhurimeve, ashtu edhe ruajtjen prej të ndaluarës apo edhe përftimin e sjelljeve të duhura në jetën tonë të përditshme.
Megjithatë, përpos gjithçkaje, nganjëherë në karakterin e njeriut mund të ndodhin edhe krisje apo plasaritje sipas intensitetit të situatës. Kjo thyerje në karakter, ashtu siç mund të burojë prej përpjekjeve të tij përsa i përket jetës fetare, mund të shkaktohet edhe prej sjelljeve apo shpifjeve të farë njerëzve që nuk njohin kriter kufizimi në përhapjen e fyerjeve dhe ofendimeve, të cilat mund ta prekin njeriun në pikat e tija më të dobëta. Përballë një situate të këtillë, njeriu pa qenë fare i vetëdijshëm mund të hyjë në një atmosferë tejet negative. Mund të përjetohen fyerje dhe mosmarrëveshje dhe diskutime reciproke; shumë zemra mund të thyhen. Mirëpo, nuk do harruar, se cilado qoftë situata, besimtari nuk duhet t'i largohet qoftë edhe një grimë karakterit të tij, qoftë edhe përballë sulmeve më të ulëta dhe më të ashpra. Edhe nëse do të kundërpërgjigjet, kjo duhet të jetë në një formë që t'i ketë hije besimtarit, i cili duhet të jetë statujë e etikës dhe moralit për gjithkënd përreth tij.
Heronjtë e durimit me karaktere të larta
Në thelb, Kurani Fisnik, në ajetin "Edhe nëse do të ndëshkoni, ndëshkoni me të njëjën e asaj që ju është bërë juve."[4] u ka dhënë leje besimtarëve që t'u përgjigjen sulmeve me po të njëjtën e asaj që u është shkaktuar. Poende, Allahu (xh.xh.), në vijim të ajetit fisnik, u është drejtuar kësisoj njerëzve me karaktere të larta: "Nëse duroni, duhet ta dini, se durimi, shtrëngimi i dhëmbëve dhe përballimi i situatës është më i mbarë për ju."[5] Sepse njeriu që përjeton një thyerje të karakterit të tij, do të ketë lëkundur jo vetëm besimin karshi njerëzve pranë tij, por do t'u ketë hapur ortën edhe një sërë gabimesh që do të ndjellin njëri-tjetrin. Kështu, njeriu që do të ketë një copëz të plasaritur brenda tij, mund të përjetojë bjerrje edhe aty ku nuk ia pret mendja. Andaj, cilatdo qofshin rrethanat, është e domosdoshme që të ruhet forca e karakterit dhe të mos i jepet mundësi përjetimit as të cimbisjes më të vogël të tij, e jo më thyerjes së tij.
Veçanërisht shpirtrat e vetëdedikuar që ia kanë dhënë zemrën shërbimit të Kuranit, duhet që t'i ruajnë kudo të pandryshuara horizontet e tyre të dashurisë dhe tolerancës. Ata nuk duhet të ndryshojnë qëndrim, e aq më pak që të ndërrojnë drejtim apo rrugë, as përballë sulmeve më të poshtra. Junus Emreja na këshillon, që "karshi rrahësit të paduar,/ karshi sharësit të pagjuhë,/ se dervishi pa zemër duhet t'jetë." Ndoshta ju mund t'ia ndryshoni disi vargun e fundit, e të thoni: "se nxënësit e Kuranit pa zemër duhet t'jenë." Sepse ashtu është, ata edhe nëse thyhen, nuk duhet të thyejnë kënd, edhe nëse preken, nuk duhet të prekin kënd. Sepse, në fund të fundit, ajo që është prekur është një zemër. Dhe zemra, përsa i përket realitetit të saj, është një fron potencial i të Gjithmëshirshmit.[6] Me fjalë të tjera, zemra është si një farë, e cila do të sjellë në jetë një pemë të tërë. Kësisoj, kjo vlerë kaq e lartë, që për disa njerëz është me të vërtetë si një farë, ngase nuk hidhet në tokë, e cila është edhe forca jetëdhënëse e saj, ngase nuk gjen dot atmosferën e nevojshme, ngase nuk përmbushen të gjitha kushtet e çeljes, ngase nuk përqafohet dot me rrezet e diellit, mund të mos e ketë treguar ende brendinë e pasur të saj. Mirëpo ju, nuk mund të tregoheni kurrsesi të paturp karshi një krijese kaq të lartë, të krijuar potencialisht enkas si projektim i fronit hyjnor në tokë.
Në këtë pikë, ndërmend mund t'ju vijë menjëherë pyetje: "Po mirë, të heshtur të rrinë myslimanët përballë gjithë këtyre të këqijave që po u bëhen? Si duhet të sillen ata për të reaguar ndaj kësaj?" Ata, reagimin e tyre karshi cilësive të injorancës, mohimit këmbëngulës, hipokrizisë dhe inatit të mbishtresuar, duhet ta përdorin veçse me qëllimin e zhdukjes së këtyre cilësive shkatërruese të shpirtit njerëzor. Me pak fjalë, besimtari, njësoj siç dridhet e tmerrohet nëse sheh fëmijën e vet që është duke iu rrokullisur drejt zgripit të një humnere, po të njëjtën vuajtje duhet të ndiejë edhe për njerëzit që bartin të tilla veçori të këqija, e kështu të përpiqet që t'i udhëzojë ata duke i këshilluar dhe paralajmëruar që të priren kah vlerat që ai vetë përfaqëson. Profeti ynë (s.a.s.) na e përshkruan mjaft bukur këtë gjendje nëpërmjet një parabole tejet interesante: "Gjendja ime me ju i ngjan asaj gjendjes së atij burrit që pati ndezur një zjarr dhe rreth tij fillojnë të vërtiten shumë insekte dhe flutura njëra pas tjetrës; ai përpiqet që t'i tërheqë disi për t'i shpëtuar, por në fund janë shumica prej tyre që i shpëtojnë dhe hidhen në zjarr."[7]
Po, një besimtar i vërtetë është një statujë mëshire dhe dhembshurie. Tani ju, si përfaqësues të kësaj mëshire dhe dhembshurie mbi tokë, një njeriu që ka nisur të rrokulliset drejt ferrit, do t'i thonit: "Në djall të vejë! Meqë andej dashke të shkuake, vafsh mbrapa diellit!", apo do të veproni porsi Profeti ynë i dashur (s.a.s.), duke u përpjekur që t'i tërhiqni prej asaj rruge të papëlqyeshme për t'i shpëtuar prej asaj atmosfere ku mund të jetë qorrollepsur? E para prej tyre është veçori e ndërgjegjjeve të nxirosura, ndërsa tjetra ajo e besimtarit të vërtetë. Nga ky këndvështrim, ashtu siç është shumë e rëndësishme për të pasur përherë me vete pëlqimin e Allahut, ajo është njëherazi edhe një sjelljet jashtë mase e dobishme përsa i përket ruajtjes së thelbit të njerëzores.
Zoti na bëftë të jemi prej atyre që shfaqin sjellje prej njerëzish me karaktere të larta edhe përballë situatave më të pakëndshme dhe të papëlqyeshme, prej atyre besimtarëve të vërtetë që e kanë përthithur Islamin ashtu siç duhet!..
[1] Hud, 11/112. Gjithashtu shih: Tirmidhi, tefsir, (56) 6
[2] Buhari, saum, 56; ehadisu'l-enbija, 37; Muslim, sijam, 181.
[3] et-Taberani, el-Mu'xhemu'l-kebir, 12/84.
[4] Nahl, 16/126.
[5] Po aty, 127.
[6] Ibni Kaj'jim, el-Feuaid, fq. 27.
[7] Buhari, enbija, 40; Muslim, fedail, 17-19.
- Publikuar më .