Egoja, djalli dhe midisësit
Pyetje: Në Kuranin Fisnik, flitet për një njeri, që megjithëse i janë dhënë shpalljet për të gjetur rrugën e së drejtës dhe të vërtetës, u kthen atyre shpinën për t’iu bindur djallit, derisa një ditë kthehet në një prej të azdisurve, me pak fjalë një njeri fatkeq. (Shih: A’raf, 7/175). Cilat mund të jenë shkaqet, që njeri, ndërsa është duke ecur në rrugën e së drejtës, të përfundojë në një gjendje kaq të pikëllueshme?
Përgjigje: Një prej shkaqeve kryesore që një njeri devijon në një tjetër anë prej rrugës së drejtë është harresa e të qenit të kësaj jete një vend provimi, dhe të çdo ngjarjeje me të cilën përballesh, një sprovë; përveç harresës, me kalimin e kohës të mashtrohet prej gënjeshtrave të djallit. Njeriu është gjithnjë përballë djallit, i cili nga njëra anë gjendet përherë me ne nëpërmjet mekanizmit të egos, e nga ana tjetër ne nuk e dimë se si, ku dhe në ç’kohë do të na shfaqet për të na mashtruar. Në më të shumtën e kohës, këta armiq të njeriut, u afrohen atij me pamjen e një miku të përdëllyer, duke ia treguar të drejtën të shtrembër, të shëmtuarën të bukur, dhe atë më kalimtaren dhe të pavërtetën si të vërtetë të pandryshueshme, derisa në fund mund ta mashtrojnë përfundimisht. Njeriu, në mënyrë që të mos bjerë pre e këtyre mashtrimeve, duhet të jetë përherë i zgjuar karshi tyre. Në të kundërt, edhe një çast i kaluar në topitje, mund ta shpjerë njeriun drejt hapësirash të atilla, që e kanë rikthimin mbrapsht të pamundur.
Ndërsa, përsa i përket anës së egos dhe trupores sonë, të gjitha bukuritë tërheqëse të kësaj bote, mund t’i shihni si materiale, të cilat djalli mashtrues na i shpërfaq në trajtën e iluzioneve. Po, djalli, porsi një armik i paepur dhe mashtrues, ia tregon njeriut si të pranueshme dhe të pëlqyeshme edhe gjërat më të pamundura dhe të papëlqyeshme. Mirëpo, ç’e do se, sipas ajetit “ka aq shumë gjëra që ju nuk i pëlqeni, por që për ju mund të jenë të hairit. Dhe ka aq shumë gjëra që i vlerësoni si të hairit, por për ju mund të jenë të këqija. Allahu i di, kurse ju nuk e dini.” (Bakara, 2/216), disa gjëra që mund të na vijnë qejfit, për nga pasojat dhe përfundimet mund të jenë vetë helmi. Me fjalë të tjera, mjaltin e helmatisur që ndërsa në fillim hidhet në gojë mund të na duket si gjëja më e ëmbël, nga pas e ndjek një dhimbje e tmerrshme barku. Njëkohësisht ka disa gjëra me të cilat përballen njerëzit, që në pamje të jashtme duken të hidhura dhe shqetësimndjellëse, mirëpo kur e përballoni vuajtjen dhe hidhërimin e tyre, arrini jo vetëm t’i përballoni, por edhe të gjeni prehje në to. Për shembull, djalli përpiqet që t’jua tregojë juve si shumë të thellë një hauz ujërash të freskëta që mund të gjenden pranë shtëpisë tuaj. Mirëpo ju, kur e shihni të tërë çështjen me një zemër, mendje dhe ndjenja të qeta; e pasi ta shihni dhe të hyni brenda saj, do të shihni se uji nuk ju mbulon as këmbën plotësisht; përkundrazi, me atë thellësi që ka vetëm sa ju pastron, duke ju shërbyer sakaq vetëm për mirë. Ndërsa nga njëra anë djalli mundohet t’ju tërheqë juve brenda gjërave negative me gjithfarë iluzionesh negative, nga ana tjetër, mundohet t’ju pengojë për të kryer punë të mira, me iluzione që në pamje të jashtme ngjajnë të jenë pozitive. Sepse ai, me fjalët e Kuranit, është zbukurues dhe stolisës i të gjitha gjërave të shëmtuara, derisa t’i kthen ato në gjëra të dashura. Me një fjalë, ai rreket që t’ua tregojë njerëzve të gjitha mëkatet si të bukura.
Ai gjurmon çdo rast të volitshëm për t’iu afruar njeriut
Po, djalli, i cili është armiku më i paepur për njeriun, rrëmon përherë për të gjetur mangësitë e njeriut, duke bërë të gjitha përllogaritjet se nga cila pikë do të jetë më e përshtatshme për ta goditur; i përdor më së miri dobësitë, si të llojit të epshit, frikës, dëshirës për post, rehatisë dhe turlifarë rendjesh pas interesave personale, dhe me të gjetur çastin e volitshëm, i pengon ata që të rrëzohen rrokapjekthi.
Kurani Fisnik e shpreh me këto fjalë urrejtjen dhe mllefin që djalli ndjen karshi njeriut: “Ngase Ti më nxore nga vetja e më bëre të ngre krye, atëherë edhe unë do të mundohem përherë vetëm si e si të mashtroj robërit e Tu; do t’u ngre atyre prita, e pastaj, njëherë nga e djathta, njëherë nga e majta, njëherë nga pas, dhe ndonjëherë nga para, do të mundohem që t’u hyj në mes tyre, kështu që Ti shumicën e tyre do t’i shohësh si jofalënderues.” (A’raf, 7/16/17).
Ponjësoj, edhe në suren Sad, me fjalët, “Betohem në krenarinë Tënde që unë do t’i nxjerr ata prej rrugës së drejtë.”, shprehet urrejtja dhe haseti i pakufishëm që ndjen djalli karshi njeriut. Dhe duke i pasur parasysh edhe shprehjet e tjera të Kuranit në lidhje me këtë çështje, mund të themi, se të gjitha këto ndotje, rrëshqitje dhe rënie të njeriut, që e bëjnë atë të vërvitet sa andej këndej, me sjellje krejt të pahijshme karshi Allahut, kanë nga pas tyre shtysat dhe mashtrimet e djallit.
Ai që mjaftohet me të pranishme, vetëmashtrohet.
Padyshim, i gjendur përballë një armiku kaq të paepur, njeriu duhet të gjendet përherë nën mbrojtjen dhe ombrellën e mbrojtjes së Allahut, në mënyrë që ta mbajë të palëkundur kështjellën e tij të besimit, dhe për të mos mbetur midisës, por edhe për t’u bërë pjesë e atyre që u drejtohet sihariqi, u duhet që t’i përforcojë mendimet, arsyetimet dhe logjikën e tij nën dritën e fjalëve kuranore, “Në fakt, ata që i kanë besuar Allahut, dhe janë mbështetur tek Ai, nuk kanë mundësi se si të sulmohen prej djallit.” (Nahl, 16/99). Me fjalë të tjera, ai që mjaftohet me ato që i përfton mjedisi i tij kulturor përreth, e që nuk i kthen në pjesë të natyrës së tij vlerat në të cilat beson, asisoj që nuk mund ta kthejë dot besimin e tij në atë të vërtetin mandej, është e pamundur që të mos ndikohet prej kurtheve të djallit. Ja, ajo që shprehet edhe në pyetje, këta njerëz që nuk e kanë të mirëpërcaktuar, mbartin një gjendje, e cila në fjalët e Kuranit Fisnik, shprehet kësimënyre: “Tregoju atyre edhe rrëfenjën për atë të paturpin që ne ia bëmë të ditura urdhrat tona; tregoja që pavarësisht dijes që zotëronte, ai doli jashtë rrethit të kuptimit të shpalljeve. Sakaq, djalli e bëri atë si veten, duke e bërë t’i bindej fjalëve të tij. E ai i shkoi nga pas, duke u bërë një prej kryengritësve.” (A’raf, 7/175).
Kurani tregon këtu pikërisht aventurën e jetës së njeriut, që duhet marrë si mësim prej të gjithëve. Asisoj, që do ta bëjë njeriun që t’i hapë mirë sytë dhe veshët, që do ta bëjë gjuhën t’i flasë drejtë, e kësodore, megjithë mrekullitë dhe thagmat që mund t’i jenë falur atij, ai sërish qëndron i larguar prej tyre. Domethënë, se ky njeri i ngratë, megjithëse mund të ketë arritur shumë gjëra, prapëseprapë nuk e ka përcaktuar dot pozicionin e tij, duke mos i ngulur dot këmbët mirë në tokë, për të thënë mandej se nuk ka shpëtuar dot prej rolit të midisësit. Me pak fjalë, ai, megjithëse mund të ketë lindur në një vend pozitiv, ato pjesë të kulturës që i janë dhënë prej mjedisit përreth, ai nuk ka arritur t’i ktheje në natyrë të tij. Ky njeri që mund të quhet edhe bjerrës i trashëgimisë së tij kulturore, nuk e ka përforcuar me përpjekjet dhe orvatjet e tij, ndonjëherë duke mos vuajtur ashtu siç duhet mbi to, e ndonjëherë tjetër duke mos e përdorur siç duhet vullnetin e tij, ngelet në rrugë të madhe, për të mos thënë pastaj që bëhet nga humbësit. Sipas fjalëve të disa komentuesve, që atyre njerëzve, as njohja e emrave të mëdhenj dhe sekreteve të lartësisë dhe zotërimit të Allahut nuk i kanë vlejtur. Sepse, ngase këto dije nuk kishin zënë vend siç duhej në të, nuk mund t’i përkisnin atij. Nga ky këndvështrim, nëse një njeri nuk i restauron mendimet që i kanë buruar prej të parëve të tij, për ta kontrolluar edhe njëherë vlefshmërinë e dijeve dhe mendimeve që ai zotëron, atëherë djalli ka për t’i hedhur atij përherë shigjeta të mashtrimit dhe dyshimit; ka për t’i hedhur derisa t’ia ndotë si mendimet, ashtu edhe mendjen.
Pareshtur bisedë e përshpirtshme
Kurani Fisnik e shpreh kështu mandej gjendjen e atij njeriut që nuk ka shpëtuar dot prej të qenit midisës. “Nëse do të donim, Ne e nxirrnim atë prej vendit ku gjendej, sajë shpalljeve Tona. Mirëpo ai u zhyt në tokë, duke iu bindur dëshirave të tij.” (A’raf, 7/176). Kështu që, ai, duke rendur pas dëshirave, epsheve, dëshirës për post, për rehati e për gjithfarë gjërash të ngjashme, harroi se ç’kishte mbi vete ishin prej Allahut. Dhe, pasi harroi të gjitha këto, u bë edhe vetë prej të harruarve.
Ndërsa, më tej, thuhet kështu: “Gjendja e tij ngjan kryekëput me gjendjen e qenit: Edhe po t’i shkosh pas, nxjerr gjuhën dhe jargavitet; edhe po ta lësh në kokë të vet, prapë gjuhën nxjerr dhe jargavitet!” (A’raf, 7/176). Ndërsa, disa ajete më tutje, ngase thuhet, “...ata janë si kafshët, madje edhe më të çoroditur.” (A’raf, 7/179), kjo tregon se gjendja e tyre është diçka më poshtë edhe se kafshët.
Siç e vini re, njeriu që është krijuar si një krijesë krejt fisnike, e që është pretendente për të arritur veç ndër maja, që nganjëherë vjen në një gjendje ku edhe engjëjt i zilosen, kur rrëzohet, nuk rrëzohet thjesht mbi një sipërfaqet të rrafshët, por në një hon që nuk i duket fundi. Me pak fjalë, kur kthehet në një rob të dëshirave të tij, duke u kthyer në një gjendje më poshtë se kafshët. Dhe ndërsa shprehet gjendja e këtij njeriu në fjalën e Allahut, në Kuran, për shkak të stilit të fisëm të ligjërimit kuranor, gjuha tërhiqet një hap pas, aq sa gjendja e këtij njeriu vetëm sa gjasmohet me gjendjen e kafshës.
Si rrjedhojë, nëse njeriu nuk ecën i vendosur në rrugën në të cilën është duke ecur, duke mos i përgatitur të gjitha pajisjet e tij për një ecje në këtë rrugë; nëse nuk gjendet gjithnjë në përpjekje të vullnetshme për ta përmirësuar dhe rifreskuar veten e tij, duke mos e përfreskuar gjendjen e tij me fjalën “Përfreskojeni besimin tuaj duke thënë “La ilahe il’lallah!”” (Shih: Tirmidhiu, el-Hakim, Neuadiru’l usul, 2/204), ka gjasa që të pengohet përfundimisht në njërën prej këtyre pengesave. Kësimënyre, njeriu, në mënyrë që t’i kapërcejë të gjitha këto pengesa, e për të mbërritur paqtazi në synimin e tij, duhet ta shtojë vullnetshëm përpjekjen për ta përforcuar besimin, duke thurur rreth tij mure me bedena të pamposhtshme, të cilat ngrihen nëpërmjet punëve të mira, e bisedave të përshpirtshme, të pandërprera asnjëherë, në mënyrë që të ushqejnë shpirtin dhe zemrën në mënyrë të pareshtur.
- Publikuar më .