Dobësia për fëmijën

Fethullah Gylen: Dobësia për fëmijën

Pyetje: Cilat janë mësimet që duhen nxjerrë prej ajetit fisnik: "Kur Allahu u dha atyre një fëmijë pa asnjë të metë, si nëna si babai i tij e kaluan cakun dhe u përlyen në idhujtari. Ngulën këmbë, që t'i bënin shok në krijim Allahut të Madhërishëm (xh.xh.). Mirëpo Allahu është aq i pastër sa është e pamundur që t'i bësh shokë në krijim.”[1], i cili gjendet në suren Araf?

Përgjigje: Allahu (xh.xh.), një ajet më përpara, e ka bërë vetë të ditur, se i gjithë njerëzimi është krijuar prej një vetjeje të vetme, e pasi pohon se asaj iu krijua edhe shoqja e jetës, në mënyrë që ai të gjejë qetësinë, të cilës i është ngarkuar një barrë, që, kur pesha e saj të rëndohet, ata t'i ngrenë duart të dy dhe të zënë të luten me fjalët: "Nëse do të na falësh një fëmijë të mbarë, ne padyshim që do të jemi prej robërve që falënderojnë."[2] Fjala "të mbarë" (shih origj. turq. salih) ka kuptimin, si të të qenit i shëndetshëm dhe pa kurrfarë të mete nga ana e shëndetit, poende përdoret edhe për njerëzit e thellë në besim, të kujdesshëm në realizimin e adhurimeve dhe të zhvilluar përsa i përket vetëdijes së të qenit nën kontrollin e pandalshëm të Allahut (xh.xh.).

Në fakt, t'i lutesh Allahut, që fëmija të jetë edhe i shëndetshëm, edhe prej atyre që i frikësohen Allahut (xh.sh.) është një prej detyrimeve të besimit në Allahun dhe në jetën e përtejme. Një zemër që beson, i ngre duart dhe nis të lutet, duke thënë: "O Zot! Më jep një fëmijë të mbarë! Një fëmijë, që të jetë i mbarë nga duart e këmbët, nga sytë, veshët dhe gjithë organet e tjera! Një fëmijë që t'i ta falësh të mbarë në besim, në Islam dhe sinqeritet! Na e fal atë, jo vetëm të shëndetshëm nga ana fizike, por me një karakter dhe jetë të pastër veprimi, zemërbardhësie dhe jete të qashtër shpirtërore."

Mirëpo, si pjesë e pashmangshme e sprovimit të qenies njerëzore, mund të ndodhë, që fëmija i ardhur në jetë, të ketë lindur me një varg mangësish apo dobëish. Ajo që na takon të bëjmë në të këtilla raste, është të bëjmë durim dhe t'i përballojmë me forcë rrethanat e krijuara. Pasi ne nuk mund ta dimë, se cilat mund të jenë urtësitë e një ardhjes kësisoj në jetë të fëmijës sonë. Allahu i madhërishëm mund të jetë duke na ofruar një mundësi për t'u pastruar prej mëkateve apo gabimeve të mundshme, apo thjesht ngase ne do të kujdesemi për mirëqenien dhe rritjen mirë të atij fëmije, mund të bëjë të mundur që e gjithë kjo të kthehet në një lutje për rritjen e gradëve të tij shpirtërore.

Fjalën ia drejton Profetit, që të dëgjojë bashkësia e tij

Meqë në ajetin e mësipërm tregohet krijimi i njeriut të parë, mund të kuptohet, se njerëzit për të cilët bëhet fjalë janë Ademi (a.s.) dhe Havaja e nderuar. Mirëpo, megjithëse mund të jenë këta, që kërkojnë një fëmijë të mbarë prej Allahut (xh.xh.), nëse do të kemi parasysh cilësinë e qashtërsisë së zemrës së profetëve, duhet kuptuar se me "ata që ranë në idhujtari" nuk mund të bëhet fjalë për profetë, por për një varg njerëzish që ishin prej Ademit. Patjetër, që profetët, si rrjedhojë e horizontit të tyre të vetëllogarisë, mund t'i kenë receptuar këto paralajmërime sikur t’u drejtoheshin po vetë atyre, dhe mund të jenë kapluar prej ndjesish të natyrshme pendese, por kjo është tjetër çështje. Mirëpo, paralajmërimi i vërtëtë i drejtohet profetëve, që të nxjerrin mësim bashkësitë e tyre. Siç edhe e dini, drejtimi vetë profetëve rreth disa çështjeve a situatave të caktuara të bashkësive të tyre, është një stilemë e përdorur gjerësisht në shumë prej ajeteve të Kuranit Fisnik.

Për shembull, në ajetin “Nëse përfshihesh në idhujtari, atëherë të gjitha punët e bëra të shkojnë dëm.”, që gjendet në suren Zumer, fjala i është drejtuar Profetit tonë (s.a.s.). E përderisa është e ditur që Profeti ynë i Dashur nuk kish si të përfshihej në idhujtari kurrsesi, atëherë kuptimi i ajetit del qartazi se i drejtohet gjithë njerëzimit nëpërmjet Tij. Pasi, përsa i përket vetë Profetit, ne e dimë se ai ishte i mbrojtur, i mbështetur dhe i ndihmuar në çdo çast nga vetë Allahu (xh.xh.). Ai (s.a.s.) është i qashtër dhe i pafajshëm. Po, Krenaria e Njerëzimit (s.a.s.) nuk është përlyer as nga grimëmasa më e imët prej idhujtarisë për asnjë çast të jetës, madje edhe përpara revelacionit, në një kohë kur mbarë njerëzit ishin përlyer gjer në grykë prej idhujtarisë. Madje, përtej idhujtarisë, Ai nuk ka treguar as mangësinë më të vogël qoftë edhe përsa i përket edukatës në sjellje. Nuk i pati shkelur në kallo askujt dhe nuk pati fyer askënd qoftë edhe sa një fije floku.

Andaj, cilëndo çështje të marrim në konsideratë, është e domosdoshme që të jemi të vetëdijshëm, se të gjithë profetët kishin cilësinë profetike të të qenit zemërqashtër dhe të kulluar prej çdo të mete. Kështu që, edhe domethënia e këtyre ajete që kanë zbritur në trajtën e bisedimit me vetë profetin, duhet kuptuar si gjykim i lëshuar mbi bashkësitë e tyre. Sepse, kur e sheh çështjen në dritën e këtij parimi të padiskutueshëm, e ke edhe më të lehtë kuptimin e këtij stili qasjeje; kujdes, nëse një paralajmërim i këtillë po i drejtohet një njeriu që është më i qashtri dhe më i pafajshmi ndër ju, njerëzit e tjerë, të cilët nuk mund të jenë të sigurt rreth cilëive të tyre të qashtërsisë, nderit dhe të qenit të mbrojtur prej vetë Allahut (xh.xh.) duhet të bëjnë akoma edhe më shumë kujdes.

Ja pra, edhe pjesa e drejtimit të këtij ajeti Ademit (a.s.) nga ky këndvështrim duhet vlerësuar. Në të kundërt, Zoti na ruajtë, mund të hyhet në gjithfarë mendimesh të pavendta dhe të paimagjinueshme për ata njerëz, të cilët Allahu (xh.xh.) i ka zgjedhur vetë prej mesit të të gjithë njerëzisë.[3] Kur, në thelb, ne duhet t’i ruajmë përherë të pastërta mendimet tona për të gjithë profetët e mëdhenj, të zgjedhur prej vetë Allahut të Gjithdijshëm. Madje, ta theksojmë edhe njëherë më shumë, se megjithëse kërkesa për një fëmijë të mbarë mund të jetë prej vetë Ademit (a.s.), mundësia për t’u përlyer në idhujtari nuk mund të jetë kurrsesi për të, përkundrazi, marrësit e nënkuptuar të atij paralajmërimi jemi ne.

Dobësia për fëmijën, e cila i hap shteg idhujtarisë

Po, rreziku për të rënë në idhujtari, duke mos e ruajtur dot drejtpeshimin në dashurinë e treguar për fëmijën, pasi ai të është falur ashtu i mbarë siç e ke kërkuar, është gjithnjë aty, i pranishëm. Tek disa njerëz kjo ndjenjë është aq e fortë, saqë ata medoemosdo, në çdo çast e në çdo aspekt, do të thonë veç “fëmija im”. Për shembull, nëse ndokush në një takim të caktuar do të nisë ndonjë fjalë që nis po me të njëjtën rrokje si emri i fëmijës së tyre, ata do të përfitojnë menjëherë nga rasti për të hapur ndonjë bisedë, ku do të bëjnë fjalë për fëmijën e tyre. Ta zëmë se ua quajnë djalin Musa. Ndërsa janë duke folur diku, dhe ndodh që dikush të nisë të artikulojë ndonjë fjalë që nis me rrokjen `mu-‘, ata do të fillojnë menjëherë të thonë: “Edhe neve, aq shumë na kanë lumturuar sukseset e Musait tonë... Ai është fëmijë kaq shumë i suksesshëm...”, duke nisur kësisoj menjëherë nga himnet rreth marifeteve të fëmijës së tyre. Po, kjo dobësi është aq shumë e fortë tek disa njerëz, ata do të gjejnë ngado që të jetë, nga një fjalë, nga një ndodhi a nga një histori e caktuar, një shteg për ta tërhequr fillin e bisedës nga djemtë a vajzat e veta. Ju po të doni, quajini këtë njerëz me fjalën perse “evlatperest”, që bart aty-aty kuptimin “të dhënë plotësisht, gjer në adhurim, pas fëmijës së tyre”.

Të qenët i dhënë pas fëmijës duhet të bëhet shkas për lumturinë e tij të përjetshme

Kur ne e dimë fare mirë, se fëmijët, të cilët janë secili nga një pasqyrë më vete e “krijimit në trajtë të përsosur”, janë nga një amanet prej Allahut (xh.xh.). Nëse duhet t’i duam, duhet ta bëjmë këtë për hir të artit të Artistit që i krijoi dhe prej të Zotit, që na i fali. Dhe ç’është më e rëndësishmja, këtë dashuri dhe dhembshuri tonën duhet ta përdorim për t’i formuar ata me edukatën islame, meqenëse ata janë krijuar për të qenë kandidatë potencialë të përsosurisë së synuar thelbësisht prej Krijuesit. Me fjalë të tjera, që ata të rriten në udhë të drejtë, të jetojnë veçse në rrugë të drejtë, duke u kthyer me ngadalë në nga një shembull më vete të mishërimit të rrugës së drejtë. Nënat dhe baballarët, kur i përkëdhelin apo kur u ledhatojnë baluket fëmijëve të tyre, duhet t’u pëshpërisin atyrë në vesh gjithnjë këto të vërteta, që ata të mos tregohen rebelë karshi Zotit, të mos bien pre e mashtrimeve të mosnjohjes së fesë, çka do të ishte një ngritje kryesh që do t’u shkaktonte atyre humbjen e jetës së amshuar. Sepse prindërit janë përgjegjësit e parë, të cilët duhet të kujdesen për çdo gjë të nevojshme, që fëmijët e tyre të kthehen një ditë tek Zoti poashtu, të pastër, siç u patën ardhur foshnje. Sepse edhe realizimi i këtyre është një tjetër fytyrë e tregimit të dashurisë për fëmijet, për shfaqjen e të cilës nuk ka, jo vetëm kurrfarë problemi, por edhe kurrfarë kufiri.

Mirëpo, në në agjendën prindërore të njeriut nuk gjendet asnjëra syresh, nëse ai është lidhur pas fëmijës sikur me një idhull të vetin, duke e lidhur medoemos çdo gjë të kësaj bote me fëmijën e vet, asisoj që veç të ketë një mundësi që të flasë për të, ky njeri, që mund të thotë se i beson, si Allahut, ashtu edhe Profetit të Tij, pa e kuptuar as vetë, e ka përfshirë veten në një sjellje të pakëndshme idhujtarie. Për askënd që artikulon fjalën e dëshmisë, “Nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij”, nuk mund të thuhet se ka rënën në idhujtari, mirëpo për të mund të thuhet se bart mbi vete një cilësi nga të idhujtarit, vetëmse prej qëndrimit karshi fëmijës. Shihni se si shprehet Profeti ynë i Dashur (s.a.s.) në një fjalë të Tijën që hedh dritë mbi këtë çështje: “Ajo, të cilës i frikësohem më shumë për ju, është idhujtari e vogël.” Ndërsa, kur e pyesin, se ç’është kjo idhujtari e vogël, Ai u përgjigjet: “Dyfytyrësia, dëshira për t’u dukur.”[4] Njeriu mund të bjerë pre e dëshirës për të treguar veten nëpërmjet fëmijës së tij. E njeriu, ashtu siç mund të bjerë në idhujtari të vogël, duke dashur të bëjë të dallueshme bukurinë, formën, pasurinë apo çdo gjë tjetër të tijën, mund të përpiqet poashtu, që këtë dëshirë për t’u dukur ta ta përmbushë nëpërmjet shpërfaqjes së fëmijës.

Nëse do të na duhej, që këtë çështje ta ilustronim me shembuj konkretë, shprehja e vetes nëpërmjet mimikës është një lloj dëshire për t’u dukur. Kryerja e adhurimeve në prani të të tjerëve me një kujdes më të madh prej atij të shfaqur gjatë kohës kur i kryen vetëm është një tjetër shfaqje e dëshirës për t’u dukur. T’ia bësh të ditur gjithë të tjerëve një sërë punimesh të bukura pene, fjale a vizatimi, është një tjetër shfaqje e dëshirës për t’u dukur. Dhe sidomos, nëse përpiqet që fjalët e thëna t’i lëmojë edhe me shprehje të kadifenjta, si “me përpjekjet e mia modeste, me aftësitë e mia të cunguara, etj.”, kjo është shfaqja e një mendjemadhësie edhe më të thellë. Në thelb, edhe përpjekja e njeriut për ta nxjerrë veten në pah nëpërmjet fëmijës së tij nuk se ka kushedi ç’ndryshim prej shembujve të sipërpërmendur. Ky njeri, do të thotë se po e ndot dashurinë e tij për fëmijën e vet, qoftë djalë apo vajzë, me mëkatin e idhujtarisë. Për mendimin tim, një besimtar duhet të tregojë po të njëjtin kujdes që tregon edhe për të ruajtur cilësitë e tij prej besimtari, apo kur përpiqet për të ruajtur nderin e tij personal apo të familjes. Duhet të përpiqet, që t’i ruajë ndjenjat dhe mendimet prej çdo gjëje që përbën dyshim përsa i përket sinqeritetit të tij, qoftë kjo përballë mendjemadhësisë dhe dëshirës për t’u dukur, qoftë përballë krenimit apo kërkimit të duartrokitjeve. Sepse secila prej tyre është nga një cilësi prej idhujtari. Prania e një cilësie prej idhujtari në shpirtin e një njeriu i ngjan pranisë së një virusi të rrezikshëm në trupin e tij. Disa syresh mund të shkaktojnë veç grip, mirëpo disa të tjera mund të shkojnë gjer aty, sa të shkaktojnë kancer apo AIDS. Andaj, nga ky këndvështrim, njeriu nuk duhet të nënvleftësojë asnjë prej cilësive të mohimit apo idhujtarisë, madje nuk duhet t’i japë mundësi as shfaqjes së ndonjërës prej tyre në jetën e tij të zemrës apo të shpirtit.

Megjithatë, padyshim, që një njeri që tregon një dashuri kaq të thellë karshi familjes së tij, megjitëse mund të jetë bartës i një cilësie prej idhujtari, nuk mund të thuhet kurrsesi prerazi, se ai njeri është një idhujtar. Kur vdes, një njeri i këtillë padyshim që hyn në Xhenetin e amshuar. Allahu i madhërishëm, Ai (xh.sh.) e di më mirë këtë punë, nuk sillet me të si me një idhujtar. Mirëpo, tevona prej kësaj cilësie prej idhujtari, e pranishme në shpirtin e tij, duhet pasur shumë kujdes. Sepse, qoftë edhe një virus i thjeshtë gripal, të cilit nuk i bëhet kurimi i nevojshëm, mund të përbëjë një rrezik të atillë, saqë mund të çojë gjer në vdekje. Kështu, njeriu nuk duhet t’i hapë rrugë hyrjes së asnjë virusi në trupin e tij, sepse ata bien ndesh me prirjen që njeriu ka për t’u ngjitur drejt përsosurisë. Kur ato t’i trokasin në portë, ai duhet të jetë përherë i gatshëm, që t’ua mbyllë portën në fytyrë, duke u thënë: “Mos u lodhni më kot, se porta ime është e mbyllur për ju.”

Mirëpo, përse duhet, që njeriu të tregohet kaq shumë i kujdesshëm dhe përherë në gatishmëri karshi idhujtarisë? Sepse nganjëherë kjo prani e idhujtarisë është aq shumë e vogël tek njeriu, saqë ai nuk është në dijeni të saj, ndaj edhe nuk i jep shumë rëndësi. Mirëpo nuk do harruar, se mëkatet, qofshin ato edhe të vogla, ndaj të cilave nuk tregohet rëndësia e nevojshme, bëhen edhe më të mëdha edhe se vetë mëkatet e mëdha. Mëkatet e vogla që nënvlerësohen bëhen edhe më të rrezikshëm se mëkatet e mëdha, të cilat i dimë. Mirëpo, në këtë situatë, njeriu që i di mëkatet e mëdha dhe që i merr ato me tërë seriozitetin e nevojshëm, përulet menjëherë dhe i drejtohet Allahut (xh.sh.) me ndjenjat më të thella të pendesës. Ndërsa kjo i nxit atij ndjesinë për t’u përballur po njësoj me të gjitha mëkatet e mundshme, çka e bën të jetojë një jetë të kaluar në çdo çast të saj në gatishmëri dhe me gjithë kujdesin e nevojshëm.

Ja pra, megjithëse dobësia e nënës dhe e babait karshi fëmijës mund të lindë në përmasa mjaft të vogla si fillim, nëse ata nuk arrijnë ta ruajnë masën dhe drejtpeshimin, mund të kthehet në një problem që sa vjen e zmadhohet në të ardhmen. Këtu, për t’u kuptuar më mirë kjo çështje, mund të biem një shembull rreth një gabimi në të cilin ranë njerëzit që jetonin përpara popullit, për udhëzimin e të cilëve qe dërguar Profeti Nuh (a.s.). Ju e dini, që gjatë asaj periudhe, mes atij populli kanë jetuar edhe disa njerëz të vyer, si Uedd-i, Jagusi, Ja’uku dhe Nethri. Edhe një varg njerëzish të tjerë, të cilët i kanë ndjekur nga pas këta njerëz, jeta e të cilëve është kthyer në legjendë për gjuhët e njerëzve. Mirëpo, njerëzit e ardhur pas tyre, njëfarësoj për t’i kujtuar virtytet e tyre sa më shpesh e për t’i pasur përherë udhërrëfyes të udhës së tyre, i patën varur portretet e tyre në muret e shtëpive. Ky mendimi, i cili në thelb ngjason të jetë krejt i pafajshëm, me kalimin e kohës i cyti ata që të nisnin nga përnderimet karshi tyre, derisa kjo solli si rrjedhojë që nisën t’i receptonin si hyjni. Një kënd fillimisht i vogël, me largimin prej qendrës, krijoi një prerje këndore akoma edhe më të gjerë, çka ua ndryshoi krejt këndvështrimin këtyre njerëzve. Kështu që, njeriu nuk duhet ta teprojë asnjëherë, ose thënë me fjalë të tjera, nuk duhet ta kalojë cakun me dashurinë e tij, qoftë karshi fëmijëve të vet, qoftë karshi njerëzve të tjerë të dashur.

Drejtpeshimi në dashurinë për fëmijën

Sot, disa thonë se familjet janë të ndërtuara asisoj, që bërthamë të tyre kanë fëmijën. Ç’është e vërteta, nuk dihet nëse kjo çerdhe familjare ka me të vërtetë fëmijën në qendër, apo ka egon dhe epshet, apo ka mendjemadhësinë e shfrenuar, pasi edhe kështu mund të thuhet për të. Mirëpo ka diçka që dihet më së miri, që është: nëse njerëzit nisin të jetojnë një lloj jete të formësuar jashtë urdhëresave dhe ndalesave të fesë, ata kthehen në shumëqendrorë, çka është njëfarë hapjeje shtegu ndaj një larmie idhujtarish, të cilat bien të gjitha ndesh me parimin e njësisë hyjnore.

Veç kësaj, ndërtimi i martesës dhe familjeve mbi fëmijën, në atë farë mënyre, që me praninë e fëmijës familja do të jetë më e lumtur, dhe jo e lumtur në mungesë të familjes, madje se si pasojë e kësaj në familje do të lindin mosmarrëveshjet, të cilat çojnë edhe drejt divorcit, janë gjëra që bien kryekëput ndesh me moralin e myslimanit si besimtar. Sepse një sjellje e këtillë, Zoti na ruajtë, është një shprehje e të mos qenit i kënaqur me paracaktimin e Allahut (xh.sh.), njëfarë goditjeje me gur e asaj ç’është shkruar për të ndodhur, me pak fjalë është një ngritje kryesh ndaj Allahut (xh.sh.). Po, këto lloj vështirësish që përjetohen si pasojë e një ligji të paracaktimit, në të cilin nuk është paraparë ekzistenca e një fëmije, janë veprime, të cilat nuk janë aspak të pëlqyera prej Allahut (xh.sh.). Prandaj, nuk do harruar kurrsesi, se ashtu siç prania e një fëmije është një lloj sprove, edhe mungesa e tij është poaq një sprovë e vështirë.

Një tjetër dëm i të parit të fëmijës si gjithçka, duke treguar ndaj tij një dashuri të tepruar, madje duke e vendosur atë në qendër të familjes, mund të shfaqet në trajtën e tolerimit të disa veprimeve të tij negative, për të cilat duhej ndjekur një rrugë e ndreqjes së tyre. Një sjellje e këtillë, me kalimin e kohës, çon në rritje fëmijësh me probleme. Kur synimi i vërtetë është rritja e fëmijëve të mbarë, me një moral të pastër, të drejtë dhe të mirë. Nënat dhe baballarët duhet të bëjnë gjithçka të mundur për t’ia arritur këtij qëllimi. Mirëpo, kur sheh sot, vëren se shtëpia është zhytur në injorancë, rruga në mungesë të plotë të dhembshurisë, faltorja pa pikën e emocionit, shkolla e pamjaftueshme për vetveten, çka përbëjnë një të vërtetë tejet të hidhur përsa i përket humbjes së dhimbshme të fëmijëve që pritet të formohen në këto vende.

Për një fëmijë të mbarë duhet fillimisht një edukim i mirë i nënës dhe babait

Nga kjo pikëpamje, gjëja kryesore që duhet bërë për formimin e një fëmije të mirë dhe të mbarë, është formimi i mirë i atyre që presin të bëhen nënë ose baba. Prindërve të ardhshëm fillimisht u duhet mësuar se si mund të bëhen prindërit e përsosur, e si duhet të sillen me fëmijët e tyre, që të mund të quhen të tillë. Madje, çiftet që do të martohen, përpara se të kryejnë procedurat e nevojshme, duhet të kalohen nëpër një varg kursesh, prej të cilave, vetëm atyre që arrijnë ta marrin me sukses certifikatën e kalimit duhet t’u lejohet martesa. Në këtë proces edukimi, atyre u duhet shpjeguar se cili është qëllimi i martesës, si ndërtohen marrëdhëniet e shëndosha në çift dhe domosdoshmëria e tyre, cilat duhet të jenë pikat kyçe të marrëveshjes së tyre të ndërsjellë, si dhe një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me edukimin e fëmijëve në të ardhmen e tyre. Sepse, nëse njerëzit që do të martohen do të kenë një formim të këtillë, edhe institucioni i shenjtë që ata duan të ngrenë do të mund të kthehet në një çerdhe prej parajse. E padyshi, që edhe fëmijët e rritur në një familje të këtillë kanë për të qenë nga një fëmijë i mbarë. Mirëpo, nëse nënat dhe baballarët nuk janë të denjë për t’u cilësuar si të tillë, atëherë edhe fëmijët e tyre do të ngenen midis jetës. Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e brezit të sotëm janë duke u formuar një gjendje të këtillë midisëse. Megjithëse, një pjesë prej tyre arrijnë të kapen prej korrentit të pastër idesh dhe gjejnë veten, duke formësuar një karakter të tyrin, pjesa më e madhe e ka të pamundur t’ia arrijë një mundësie të këtillë.

Cilindo apo çfarëdogjëje që të duan, në përgjithësi, njerëzit që preken prej një dashurie të tepruar, përballen me një shpullë, që përmban të kundërtën e asaj që ata dëshironin. Nga kjo pikëpamje, nëse prindërit nuk i shohin fëmijët e tyre si nga një amanet i dhënë prej Zotit, por vendosin t’i duan ata thjesht për hir të kënaqësive të tyre egoiste, duke treguar dobësi karshi tyre gjer në një shkallë idhujtarie, vjen një ditë që sprovohen me vetë fëmijët e tyre, duke parë prej tyre nënvlerësim, urrejtje, mllef dhe mohim. Sepse ashtu siç çdo teprim të çon në mungesë, edhe në bark të mungesës fshihet një teprim. Kjo, ashtu siç është e vlefshmë për dashurinë e nënës dhe babait për fëmijën e tyre, është njëherazi e vlefshme për të gjitha llojet e dashurive njerëzore. Po, cilidoqoftë ai, nëse e ngrini një njeri në gradë më të larta se ç’është ai në thelb dhe në të vërtetë, atëherë dijeni se e keni tepruar me dashurinë e shfaqur karshi tij, kështu që mund të goditeni me të kundërtën e asaj që keni dëshiruar. Vjen një ditë, që prej atij njeriu, të cilin e keni dashur si i çmendur, dëgjoni fjalët më negative, e kjo ju shtyn ndoshta që edhe ju t’i përgjigjeni me po të njëjtën monedhë.

[1] Araf, 7/190.
[2] Po aty, 189.
[3] Shih: Al-i Imran, 3/33.
[4] Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 5/428-429; et-Taberani, el-Muxhemu’l-Kebir, 4/253.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.