Ata që ngelen pas prej kënaqësisë për të shijuar jetën

Fethullah Gylen: Ata që ngelen pas prej kënaqësisë për të shijuar jetën

Pyetje: Në suren Teube kalon ajeti: “Ata që nuk u nisën për në luftë e ngelën prapa, u mbytën në gëzime se qëndruan në shtëpitë e tyre, pa iu bindur të Dërguarit të Allahut. Duke e parë si të shëmtuar luftimin në rrugën e Allahut, përkrah Resulullahut, me tërë pasurinë dhe fuqinë e tyre, thanë: “Mos dilni në luftë me gjithë këtë vapë!”. Thuaju atyre: “Zjarri i Xhehenemit është shumë më i nxehtë se kaq.” Sikur ta kuptonin se zjarri i Xhehenemit është shumë më i nxehtë!” (Teube, 81). Çfarë mesazhi mund t’u japë ai udhëtarëve të shërbimit në ditët tona?

Përgjigje: Në interpretimet e transmetimeve, thuhet se ky ajet zbriti më tepër për hipokritët, duke nënkuptuar sjelljet dhe qëndrimet e njerëzve të dyfytyrësisë ndaj mendimit për të luftuar. Njëherazi, ky ajet përmban paralajmërime dhe mësime të vlefshme edhe për ata besimtarë që shfaqin dembelizëm në rrugën e përhapjes së emrit të Allahut, apo që e kanë zhytur vetveten në rehati. Zaten shumë njerëz të lartë, si Aishja e nderuar, Ebu Dheri, Omer ibni Abdulazizi, mandej sahabët e tjerë, tabiinët, tebei tabiinët, të gjitha ajetet e zbritura enkas për hipokritët i kanë përkapur si të lidhura edhe me ta drejtpërsëdrejti, duke nxjerrë mjaft mësime edhe për shumë çështje të lidhura me ta. Në fakt, nuk është aspak e drejtë që një besimtar ta shohë veten e vet deri në nivelin e një hipokriti. Sepse me tërë kuptimin e fjalës, hipokrit do të thotë mosbesimtar. E për një besimtar mysliman as që mund të bëhet fjalë që të tregojë kënaqësi për t’u bërë hipokrit – hasha. Një besimtar, ashtu siç na e jep edhe Said Nursiu në Shkreptimën e Dytë, duhet të thotë: “Lëvduar qoftë Allahu për çdo gjendje tonën, përveç rënies në mohim dhe shthurjes në besim.” Po ashtu, çdo besimtar duhet t’ia njohë vetes si detyrë që të frikësohet prej mohimit dhe hipokrizisë njëlloj siç frikësohet dhe i rri larg gjarprit dhe nepërkës.

I biri i Ademit është i prirur ndaj çdo gjëje

Por ç’e do, se si domosdoshmëri e të qenit e tillë, qenia njerëzore ka një sërë mangësish dhe dobësish. Andaj edhe djalli, statujës së Ademit (ala nebijjina ue alejhis’salatu ues’selam), e jo në përmbajtjen e tij, i vuri re shumë mangësi dhe dobësi që gjendeshin tek ai, siç janë: bindja ndaj dëshirave trupore, dëshira për famë, post dhe për t’u duartrokitur sa më shumë nga të tjerët, prirja drejt çdo rehatie, dëshira për shtëpi dhe katandi, frika prej krijesave të tjera, e shumë e shumë dobësi të tjera siç mund të jetë grabitja e asaj që i përket dikujt tjetër, prandaj i tha Allahut: “Meqë Ti po më bën mua lanet, atëherë unë vazhdimisht do t’u bëhem pengesë dhe sprovë robërve të tu; do t’u ngre kurthe, mandej njëherë do t’u shfaqem nga para, pastaj nga pas, njëherë nga djathtas, e herën tjetër nga e majta, përherë duke u krijuar ambient ngatërresash.” (Araf, 16-17) Sepse të gjitha këto mangësi që vërehen te njeriu, janë vende ku djalli mund të luante mjaft lehtë me njeriun. Duke marrë shkas pikërisht prej kësaj, ne mund të themi se njeriu, si potencial krijese, është e mundur që të bjerë në shthurje, hipokrizi, madje deri në mosbesim.

Këtë çështje mund ta shprehim edhe tjetërsoj: Një njeri, edhe nëse është besimtar, në të mund të gjenden shumë cilësi që i përkasin hipokritit. Megjithatë, ashtu siç nuk është e drejtë që të themi për këta njerëz se janë të shthurur, nuk është aspak e drejtë që t’i trajtojmë ata me cilësorët, “hipokrit” ose “qafir”! Vetëm se ajo që i takon individit është ta kontrollojë mirë botën e tij të brendshme, të bëjë vetëllogarinë nëse gjenden me të vërtetë këto cilësi tek ai, dhe nëse gjenden, atëherë të kërkojë menjëherë rrugëzgjidhjet.

Fatkëqinj që kënaqen me vetëhumbjen

Nëse do të ktheheshim edhe njëherë në çështjen qendrore, mund të shohim se Allahu i Madhërishëm në fillim të ajetit fisnik shpreh pikërisht lumturinë që përjetonin hipokritët që nuk kishin marrë pjesë në betejën e Tebukut. Ndoshta sipas vetes, ata mendonin se kishin kryer një vepër të mençur, e ndoshta thoshin ndër vedi: “Shihini pak këta! Po shkojnë të luftojnë me tërë atë Perandori Romake! Jo vetëm që do të përvëlohen në nxehtësinë e shkretëtirës, por edhe do të tromaksen përballë asaj superfuqie, e nuk do t’u ngelet tjetër veçse të kthehen me bishtin ndër shalë.” Kështu flisnin ata mbarë e prapë për myslimanët që po niseshin për në betejën e Tebukut. Talleshin me ta duke e kthyer nisjen e tyre për në luftë në një bisedë humori.

Siç dihet, beteja e Tebukut ka ngjarë në një kohë jashtëzakonisht shumë të nxehtë, në muajt korrik-gusht, kur temperatura në shkretëtirë arrinte 50-60 °C. Për më tepër, në ato kohë pemët gjelbëronin, dhe nuk kishte gjë më të ëmbël se qëndrimi nën hijen e tyre. Ishte tejet e vështirë që të çoheshe nga hijet e tyre, kur aty pranë të kalonte uji i freskët i përroit, për të luftuar kundër superfuqisë së kohës. Kur mbi të gjitha, kjo betejë do të bëhej përballë Romës, e cila ishte afruar deri pranë Jordanisë. Mbreti i profetëve (alejhis’salatu ues’selam) donte, që duke dalë në luftë përballë një superfuqie si Roma, në kushte kaq të vështira, t’i bënte të ditur botës se ishte një fuqi e pavarur me qendër Medinën, si dhe të vendoste sigurinë në territoret shkretinore. Si rrjedhojë, Krenaria e Njerëzimit, pavarësisht kushteve shumë të vështira, ishte nisur për një betejë të përgjakshme kundër romakëve, të cilët i pati shpartalluar me lejen dhe ndihmesën e Allahut. Pikërisht, në këto rrethana, vetëm disa qindra hipokritë nuk dëshironin të shkonin në luftë, andaj patën zgjedhur që të rrinin për qejf në shtëpitë e tyre, duke paraqitur justifikime nga më të ndryshmet.

Përveç hipokritëve, ishin edhe tre besimtarë, të cilët nuk e patën kuptuar deri në imtësi detajin e bindjes së padyshimtë ndaj çdo fjale profetike, patën ngelur prapa, në shtëpitë e tyre. Ndoshta ata patën gjykuar se nuk ishte e detyrueshme lufta në kushte kaq të papërshtatshme. Mirëpo, Allahu i Lartësuar, në suren Teube, e pati quajtur veprimin e tyre si “tahalluf” – kundërshti, të mbeturit prapa. (Teube, 118) E ngase ajo ishte një cilësi e hipokritëve, ata u dënuan për një periudhë kohe prej një dënimi qiellor. Mirëpo, ata trima, e kapërcyen sprovën e tyre ashtu siç u kishte hije, derisa arritën të fitonin po falje qiellore.

Në ajetin e përmendur në pyetje, Allahu e paraqet atë më tepër si një veprim në kundërshti me fjalët e Profetit (pqmT). Me pak fjalë, të largohesh nga këshillat e të Dërguarit të Allahut, është një gafë e cila mund të të çojë kah rrënimi. Kështu që një njeri, pavarësisht gjithçkaje, nuk duhet të ndahet nga rruga e Tij.

Përhapja e virusit edhe ndaj të tjerëve përreth

Këta hipokritë, të cilët janë karakterizuar më së miri me cilësitë e tyre në ajetin fisnik, ashtu siç i shmangeshin mundimit dhe përdorimit të pasurisë në rrugën e Allahut, mundoheshin edhe që të ndikonin te të tjerët përreth duke u thënë: “Mos u nisni për luftë!”, duke bërë kësodore që të mbilleshin farat e para të përçarjes. Ka disa njerëz, që tek ata fshihet një thesar shpifjeje dhe aftësie për të përçarë të tjerët. Si harqet, si shtizat e tyre janë vetëm ngatërresa. E tërheqin litarin e harkut, dhe vetëm lëshojnë shigjeta nga të gjitha anët atje ku të gjenden. Mizën e bëjnë lis, ekzagjerojnë edhe gjërat më të vogla, e kësisoj bëhen pengesë për realizimin e sa e sa punëve të mbara. Ja, pikërisht këta njerëz kaq të mbyllur në guaskën e shpifjes dhe ngatërresave, shëtisnin vazhdimisht në mes të muhaxhirëve dhe ensarëve, dhe thoshin: “A dilet në luftë me gjithë këtë nxehtësi; mos doni të merrni veten më qafë ju?”. Me këto veç mundoheshin që t’i pengonin ata që t’u dilnin përballë ushtrisë së Bizantit.

Andaj, Allahu i Madhërishëm, si kundërpërgjigje ndaj fjalëve të tyre, i thoshte Profetit të Tij: “Thuaju atyre se flaka e Xhehenemit është më e nxehtë! Ah sikur të mund ta kuptonin këtë!” Nëse shihet me kujdes, e mendohet sipërfaqshëm, fjalët “ja’lemun” (të dish) dhe “ja’kilun” (të mendosh), si terma të kuptimit të gjësë, nuk përdoren, por në vend të tyre përdoret një tjetër fjalë më gjithëpërfshirëse, e cila ka më tepër kuptimin e analizimit të diçkaje me tërë detajet e saj, nga çdo anë, “jefkahun” (të kuptojnë). Në këtë zgjedhje duket sikur dëshirohet që mesazhi të përçohet kësisoj: “Ah sikur të kishin sadopak horizont për të gjykuar; ta kishin e të mund ta përkapnin imtësinë ndërmjet shkakut dhe pasojës. Mjerisht, ata nuk e kuptuan këtë të vërtetë, megjithë paralajmërimeve që iu bënë.”

“Po të nxirrej mësim, si mund të përsëritej!”

Në fakt, kur i marrim dhe i vëmë çështjet e atyre ditëve përballë atyre tonave, të këtyre kohëve, shohim se nuk ndryshojnë shumë gjëra. Ashtu siç nuk e kuptuan hipokritët e atyre ditëve, edhe sot e kësaj dite ka udhëtarë të rrugës së Allahut që nuk ia kanë kuptuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë. Ashtu si ato ditë, edhe sot ka njerëz që nënvlerësojnë emigrimin (hixhretin), që e shohin si të pavlerë përpjekjen në rrugën e Allahut, e që nuk i japin kurrfarë rëndësi valëvitjes së emrin të të Dërguarit të Allahut, Muhamedit paqja qoftë mbi Të në të katër anët e globit. Mirëpo, vendi ku nuk njihet emri i Tij, nuk ka asnjë ndryshim prej birucës. Ja, pikërisht, të jesh në dijeni për ekzistencën e njerëzve që janë të destinuar të jetojnë në birucë, e mandej të orvatesh që t’i ndihmosh ata që të dalin në dritën dhe klimën e freskët e jetëdhënëse të njohjes së Tij, është diçka e lidhur drejtpërsëdrejti me të kuptuarit. Sepse kjo nuk është një çështje që mund të kuptohet aq sipërfaqshëm.

Përmbledhtazi, edhe sot e kësaj dite është e domosdoshme, që emrin e Allahut, të përpiqemi që ta përhapim në të katër anët e globit, pavarësisht çdo lloj vuajtjeje a vështirësie, duke u rrekur që ta ngremë çdo pengesë që ka zënë rrugën, që Ai të hyjë drejt e në zemrat e njerëzve pa asnjë barrierë. T’i zbrazim frymëzimet tona ndër zemra, duke ia bërë të ditur edhe të tjerëve trashëgiminë tonë të pasur qiellore, mijëravjeçare. Duhet të rendim pa reshtur, pa treguar kurrfarë kapriçioje. Madje nuk duhet hequr nga mendja, se rruga për t’u ruajtur prej flakëve të Xhehenemit në anën tjetër, kalon nga të ambientuarit me nxehtësitë. Vështirësitë e përjetuara këtu do të jenë rehatia e atjeshme, ndërsa çdo mund i derdhur ka për të qenë shkas lehtësimi në atëbotë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.