Arkitektët e mendimit që do të ndërtojnë të ardhmen

Fethullah Gylen: Arkitektët e mendimit që do të ndërtojnë të ardhmen

Pyetje: Disa mësues, krahas disa vështirësive dhe mungesave materiale, ndjejnë që ndikohen edhe vetë prej sjelljeve të mbrapshta të nxënësve, si dhe prej mungesës së kureshtjes së tyre për të mësuar dhe për të lexuar. A mund të na falni disa mendime tuajat në lidhje me këtë çështje?

Përgjigje: Duke pasur parasysh disa kritere të fesë mund të themi, që të mësosh vetë, dhe atë që mëson, t’ua mësosh të tjerëve, janë dy detyra që arrijnë përtej largësive qiellore. Shumë njerëz janë shtyrë dhe janë nxitur prej disa ajeteve fisnike dhe haditheve të Profetit tonë për rëndësinë që ka dija. Për shembull, Allahu (xh.xh.) shprehet kështu në një ajet: “A mund të jenë njëlloj ata që dinë me ata që nuk dinë?” (Zumer, 9), ku pohon se ata që dinë, qëndrojnë gjithnjë më sipër se ata që nuk dinë, e mandej, në një tjetër ajet thotë: “A mund të jetë i njëjtë qorri me atë që shikon? Po ju, a nuk mendoni fare?” (En’am, 50), duke ia përngjasuar njerëzit e ditur atyre që shohin, dhe ata që nuk dinë atyre që nuk shohin.

Trashëgimtarët e rrugës profetike

Është një tregues i qartë i rëndësisë që i jep Kurani Fisnik dijes, teksa, kur engjëjve u tregoheshin aftësitë e Ademit të nderuar, theksohej se ai ishte i aftë për të përthithur dije. Sepse, Allahu i Madhërishëm, pasi ia mësoi të gjithë emrat Ademit të nderuar, ua pyeti engjëjve, e ata nuk i dinin; Kështu që Ademi i nderuar, që i dinte, ua mësoi edhe atyre. (Bekare, 31-32) Së këndejmi kuptohet që kriteri që i përfton epërsi njerëzve ndaj engjëjve, është mësimi i emrave të Allahut (xh.sh.), duke nxjerrë në pah potencialin e tyre për të mësuar.

I Dërguari i Allahut, i Cili na e paraqet dijen si një trashëgimi profetike, ka thënë kështu: “Profetët nuk lënë as dërhemë e as dinarë si trashëgimi. Trashëgimia e vetme e tyre është dija. Ai që e zotëron këtë dije, ta dini se ka përfituar një fat shumë të mbarë.” (Ebu Davud, ilim, 1; Ibni Maxhe, mukaddime, 17). Ndërsa në një tjetër vend thotë: “Unë u dërgova thjesht si një mësues.” (Ibni Maxhe, mukaddime, 17), duke tërhequr vëmendjen kah rëndësia e përvetësimit të dijes, dhe të përçimit të saj te të tjerët.

Ja, pra, edhe mësuesit janë trashëgimtarët, zejtarët dhe arkitektët e mendimit të një misioni kaq të lartë. Ma merr mendja se, një mësues që vuan dhe shqetësohet në ditët tona, duke gjetur shtigje nga më të ndryshmet, duke përdorur mundësitë e dhëna në fushën e matematikës, biologjisë, fizikës, kimisë, anatomisë, fiziologjisë dhe gjeologjisë, mund t’ua falë dritë, si mendjeve, ashtu edhe shpirtrave të nxënësve të tij. Andaj mund të thuhet se, puna më e vyer për të formësuar njerëz, duke u dhënë atyre trajtën e një statuje, është të qenët mësues. Zaten nga vetë ky fakt, edhe Kurani, edhe Profeti ynë i nderuar i kanë dhënë aq shumë rëndësi njohjes, duke këmbëngulur gjerazi mbi këtë çështje. Kështu që, një individ që dëshiron të jetë i dobishëm për vendin e tij, kombin e tij, madje për krejt njerëzimin, duhet të shërbejë në këtë lëmë duke përballuar çdo lloj vështirësie dhe duke e përdorur si duhet një instrument të tillë.

Fushë ndikimi nga nxënësi te familja dhe të afërmit

Nga ana tjetër, megjithëse shumë prej nxënësve mund të mos jenë të prirur kah të vërtetat e besimit, nga këndvështrimi i psikologjisë njerëzore janë dëshmitarët më të fortë të botës. Atyre u besohet çfarëdo që të thonë. Madje ne kemi edhe një proverbë “Lajmin merre prej fëmijës”. Vetëm se, bashkëbiseduesit e vetëm të mësuesve nuk janë veç nxënësit. Sepse çdo nxënës ka një nënë, ka një baba, dajë, xhaxha, vëlla, dhe shumë të afërm të tjerë. Kur të kthehet në shtëpi, fëmija do të fillojë të përçojë te të tjerët përreth pikërisht ato që ka jetuar gjatë ditës nga marrëdhëniet e tij me mësuesin. Fëmija do të shprehet në familje njëlloj siç është shprehur mësuesi me të në klasë. Për shembull, për një mësues që e do shumë në shkollë, meqë ai përkujdeset shumë për të, ai do të thotë: “Profesori na u soll me shumë delikatesë. Na i dëgjoi të gjitha shqetësimet. Na gjeti zgjidhje për problemin që po na shqetësonte. Kështu na qetësoi atëherë kur ishim më shumë të mërzitur...” etj., duke bërë që edhe te familjarët të ndizen ndjesitë e mendimit të mirë. Sidomos edhe nëse ky mësues ka lidhur disa ura dialogu me familjen e nxënësit duke përdorur mundësitë e vizitave në shtëpi, veç kur shihni se nëpërmjet një nxënësi të vetëm keni mbërritur te një fis i tërë. Nga ky pikëvështrim e shihni se si një mësues që i del për zot një nxënësi arrin t’i dalë për zot edhe një familjeje, madje edhe të afërmve apo njerëzve që janë në lidhje me ta. Kështu që, fusha e ndikimit të një mësuesi është tejet e gjerë.

Për mendimin tim, një profesion me kaq shumë prurje, duhet zgjedhur pavarësisht stërmundimeve të mëdha që mund ta karakterizojnë. Nëse është e nevojshme ta shtyjnë jetën qoftë edhe me aq sa për të mbajtur gjallë frymën, e të mos krijohen probleme të natyrës se rroga është shumë e vogël. Pasi jo çdo gjë sillet vërdallë parasë. Profetët kanë qenë ndoshta njerëzit më të varfër në historinë e njerëzimit. Por prapëseprapë kanë qenë ata që kanë skalitur frone në zemrat e njerëzve, që i kanë drejtuar ata për nga e dobishmja, duke u përftuar saora jetë mbi jetë. Me këto që po them, nuk dua të nënkuptoj se mësuesit duhet të kërkojnë një varfëri artificiale. Vetëm dua t’u them se paraja nuk është gjithçka, përveç asaj ka edhe shumë pasuri të tjera, siç janë, fitimi i zemrave, hyrja në shpirtrat e të tjerëve, për t’i drejtuar ata kah synimet e epërme.

Profesioni i mësuesit dhe veprimtaritë edukative, veçanërisht sot, në ditët tona, në këtë botë që po globalizohet sa vjen e më tepër, fitojnë një rëndësi të veçantë. Në vend të të tjerëve që mund të kërkojnë medoemos të hyjnë në shpirtrat e të tjerëve, pa i marrë parasysh reagimet e ardhura, e që mund ta bëjnë këtë punë të përzierë me ndjesinë e urrejtjes, ju do të niseni, me gjendjen tuaj të butë dhe të dashur, për të realizuar një rrugëtim për në zemrat e të tjerëve. Medoemos që fuqia e saj është profesioni i mësuesit. Nga ky këndvështrim, besoj se nxënësit pikërisht kësisoj duhet të motivohen, e të drejtohen për t’u bërë mësues. Të mos keqkuptohet, patjetër që duhet të zgjidhen edhe profesione të tjera, të cilat e mbajnë në këmbë një shoqëri, për të mos iu dhënë shkas asnjë mangësie përgjatë jetës; por gjithashtu nuk duhet të harrohet se mësuesia zë një vend të posaçëm në ringjalljen e shoqërisë.

Të fitosh njerëz që do të luten përgjatë gjithë jetës

Ndërsa, përsa i përket çështjes së prapësive dhe mospërfilljes së nxënësve karshi mësimit; fillimisht duhet pranuar se te të gjithë nxënësit mund të ketë sjellje të prapa apo mospërfillje karshi dijes. Sepse një anë shumë e rëndësishme e profesionit të mësuesit është se ai i pranon këto vështirësi, dhe përballet me to. Sa mund që derdh një skulptor për t’i dhënë formë një statuje, prej një lënde të ngurtë si mermeri! Ai derdh djersë, lodhet, e në fund duke e gdhendur mermerin, orvatet që t’i japë një formë të bukur. Edhe puna e mësuesit nuk është më e lehtë se kjo! Ai, njeriut potencial, do t’ia gdhendë anët e ashpra, e do të rreket që ta nxjerrë në nivelin e njeriut të vërtetë. Me fjalë të tjera, porsi një argjendar, ai do t’i përpunojë xhevahiret që gjenden te njeriu, e sakaq do të përpiqet për të ngritur statujën e shpirtit të tij. Ai, sikur të ishte një artist, do ta ndërtojë edhe njëherë nga e para njeriun. Megjithatë, nëse ka nxënës seriozisht problematikë, që prishin çdo lloj harmonie ndërmjet tërësisë së nxënësve, edhe për ta, mund të mendohet se si të pengohen dëmet që ata i sjellin mjedisit përreth, duke kryer takime të ndryshme me prindërit e tyre, duke zbatuar mënyra të ndryshme për t’u afruar me ta; e duke u penguar, edhe ata mund të merren nën kontroll në pozicione të ndryshme. Për shembull, mund të thirren familjet e tyre që ta ndjekin gjendjen e fëmijës së tyre në distancë, e nëpërmjet këshillimeve prind-mësues ata mund të gjejnë një shumësi zgjidhjesh të mundshme.

Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka nxjerrë njerëz që kanë shërbyer si mësues të krejt një qytetërimi, nga mesi i një grupi njerëzish që egër, injorantë, që në zakonet e tyre ishin çnjerëzore, që kërkonin shkaqe nga më të ndryshmet vetëm për të derdhur gjak. Asisojësh që, kur vinin pranë Të Dërguarit të Allahut thoshin “Kush na qenka ky Muhamedi, i biri i Abdulmutalibit?”, ndërsa më vonë rrinin e dëgjonin në heshtje, pa belbëzuar asnjë fjalë, me një kujdes sikur të kishin ndonjë zog mbi krye që nuk donin t’u trembej e të largohej. Ja, kjo është mësuesia dhe kumtimi i vërtetë. Teksa shohim profetët e nderuar që nga mesi i tyre kanë nxjerrë njerëz që meritojnë t’i vëmë si kurora mbi krye, atëherë kjo është e mundur në çdo kohë. Andaj, nëse është e nevojshme, mësuesi do të vuajë përbrenda, do të përpëlitet prej pikëllimit, por që në fund të fundit, do të fitojë aq shumë njerëz të cilët do të luten për të vazhdimisht. Përveç kësaj, shumë prej të mirave të tyre do të shkruhen edhe në fletoren e tij të punëve të mira. E kësodore, për çfarëdolloj vuajtjeje të tillë që të përpëlitet njeriu, ia vlen.

Mësuesi ndoshta nuk mund t’i sjellë në të njëjtën masë pjekurie të gjithë nxënësit e tij, e ndoshta nuk i fiton të gjithë ata. Në fund të fundit, ka pasur allasoj njerëzish që kanë dalë nga duart e mësuesve më të përsosur, por që kanë humbur. Së këndejmi, ajo që i takon si detyrë mësuesit është të përpiqet me tërë fuqinë e tij. Sepse Ai që e krijon përfundimin është Allahu i Madhërishëm. Gjithashtu nuk duhet kurrsesi të harrohet se një mësues e quan detyrën e tij si më parësoren, e nëse ai gdhihet e ngryset me vuajtjen se nuk po e kryen siç duhet detyrën e tij, edhe Allahu nuk ia nxjerr assesi dëm mundin e tij, madje Ai i gjendet në mirësi aq të shumta, e i gjen zgjidhje në problemet edhe më të vështira.

Nuk ka çështje që të mos zgjidhet me gjendjen shpirtërore të njeriut

Një çështje tjetër që nuk duhet nëpërkëmbur në profesionin e mësuesisë është të mund t’i udhëprish nxënësit e tu edhe me gjuhën e përfaqësimit dhe gjendjes shpirtërore. Sepse mbrojtja e njeriut, që është i prirur për nga veprat e këqija, i hapur ndaj sjelljeve negative që e ulin atë në gradën më të ulët ku mund të arrijë qenia njerëzore, të tilla si, morali i shthurur, dhuna, mllefi dhe urrejtja, apo dhunimi i të drejtave të të tjerëve, sjellje këto që e detyrojnë atë të rrëshqasë poshtë kur përballet i vetëm me to, apo mbajtja nën kontroll e këtyre ndjesive të këqija dhe mundësimi i lulëzimit të ndjenjave të larta, arrihet vetëm në sajë të një udhërrëfyesi të mirë me sjellje dhe qëndrime të admirueshme.

Si përfundim, le t’ju shpreh një ndjesi timen, e ju lutem edhe juve që të mos e merrni si një mburrje. Unë tani jam 74 vjeç, e sikur sot të më japin një detyrë në koliben time prej druri, iki duke rendur për t’u munduar që ta kryej atë detyrë. Ndoshta disa prej shokëve tanë mund ta shohin këtë çështje si një punë të vogël dhe të thjeshtë. Mirëpo unë nuk e kam nënvlerësuar asnjëherë atë, e nuk e shoh si të atillë. Madje edhe sot, disa mund ta shohin si një punë tejet të thjeshtë mbledhjen time me nxënësit për të bërë mësim. Vetëm se, për mendimin tim, kjo është përpjekja më e rëndësishme për ta marrë njeriun e për ta ngjitur në nivelet më të larta.

Me pak fjalë, për mendimin tim, njeriu duhet ta shohë profesionin e mësuesit si të shenjtë, duhet ta përkapë dhe vlerësojë si një profesion profetik. E vërteta është, se nuk është e mundur që të tregosh një njeri të barasvlershëm me mësuesin. Sepse shërbimi dhe investimi që bëhet mbi njeriun qëndron mbi çdo gjë. Ju, sikur kopshtari i të gjitha kopshteve dhe vreshtave të botës të jeni, prapëseprapë kjo nuk ka vlerën asaj pune që t’i shpjegosh disa gjëra tre njerëzve. Madje, jo këtë, por edhe mbret t’ju bëjnë, ta dini se ajo nuk e ka asnjëherë vlerën që ka ngritja e njeriut në gradën e njerëzillëkut. Zaten, shumica e mbretërve, a nuk janë njerëz që janë pjekur në duart e një mësuesi të madh. Ja, duke i pasur të gjitha këto parasysh, mund të themi se njerëzit më afër Allahut, janë mësuesit që ia kanë dedikuar jetën të qenit të dobishëm për të tjerët. Sepse ata janë që e bëjnë njeriun njeri; ata janë që e lartësojnë shoqërinë; ata janë ata që po e ndërtojnë të tashmen, e po ata janë që do të vulosin të ardhmen.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.