“Ah sikur!”
Pyetje: Ajeti, “Pikërisht atë ditë, i padrejti kafshon gishtat e tij dhe thotë: “Ah sikur të kisha ndjekur rrugën e atij profeti! I mjeri unë! Ah sikur të mos isha bërë mik me filanin!”” (Furkan, 25/27-8), është pasqyrim i të qarave për cilat gabime, në botën e përtejme? Cilat duhet të jenë çështjet që duhen pasur kujdes, që të mos biem matanë në rrjetën e “Ah sikur”-eve të pavlera?
Përgjigje: “Atë ditë”, që përmendet në ajet “pikërisht atë ditë” nis ajetin me një shprehje tronditëse që lajmëron ardhjen e një dite të frikshme, dhe menjëherë pas saj, lajmëron se në një ditë të tillë që të bën të hidhërohesh, i padrejti, i kapluar prej disa ndjenjash pendese dhe vuajtjesh shpirtërore, do të kafshojë gishtat e tij. Shprehja “kafshoj gishtat”, që është një idiomë e gjuhës arabe, që përdoret pikërisht për të shprehur gjendjen e të përpëliturit prej vuajtjeve shpirtërore, mërzisë kapitëse dhe djegies prej një malli përvëlues.
Në vazhdim të ajetit, ndjenja e pendesës së të padrejtit jepet me këto fjalë:
“Ah sikur të kisha qëndruar në një rrugë me atë profet famëmadh.” E pendesa e të padrejtit nuk përfundon me kaq. Kurani, e përforcon shprehjen për gjendjen e tij të kapluar prej një malli dhe shqetësimi shpirtëror me këto fjalë: “I mjeri unë! Ah sikur të mos e kisha bërë shok filanin!” Domethënë, “Ah sikur të mos isha bërë duartrokitësi i filan tradhtari, duke bërë mik atë të paudhë! Ah sikur të mos kisha shkuar në udhën e të devijuarve!”
Por, sa keq, që asnjë prej këtyre “ah sikur”-eve nuk kanë për t’i vyer, përkundrazi do t’ia dyfishojnë pendesën. Me fjalë të tjera, ngase të thuash “ah sikur” atje do të jetë një energji e harxhuar më kot, ajo vetëm sa do t’ia shtojë shqetësimin njeriut. Pra, ashtu si këto fjalë që shprehin pendesë mund të thuhen në Ahiret, kjo mund të ndodhë edhe kur njeriu të jetë duke i dhënë lamtumirën duarve dhe këmbëve të tij, pikërisht në ato çastet kur të jetë duke hedhur hapin e parë në botën e përtejme. Vetëm se, kurdo që të thuhet, një gjë është e vërtetë, se këto fjalë janë shprehjet e vuajtjes, mallit dhe pendesës së një njeriu që i ka shpërdoruar mundësitë që i janë dhënë.
Më e madhja e “ah sikur”-eve
Megjithëse gabimet dhe mëkatet që mund ta bëjnë njeriun që të thotë “Ah sikur!” në Ahiret, duke e bërë që të digjet e përvëlohet së brendshmi, ajo që vjen në krye të të gjithave është mohimi. Sepse çdo gjë në Univers, fjali fjali, fjalë fjalë, shkronjë shkronjë, tregon veç për Allahun. Kur njeriu ia vë veshin librit të Universit, cilësdo fjalë apo shkronjë të tij, nga të gjitha do të dëgjojë një zë që thotë “La ilahe il’lallah”. Pikërisht prej kësaj të vërtete të hapur, është shprehur se edhe njerëzit që nuk u është dërguar një profet, janë përgjegjës për njohjen e Allahut. Sepse ata njerëz që nuk u është dërguar asnjë profet, megjithëse nuk mund ta njohin Allahun me të gjitha cilësitë dhe emrat e Tij, e nuk mund ta njohin me shpjegimin e revelacionit hyjnor, ata vetëm duke parë universin do ta kuptojnë se duhet të jetë medoemos një krijues. Një mendim të tillë pati shprehur Zejdi, xhaxhai i Omerit të nderuar (r.a.) në periudhën e errësirës; “Unë e di se është një krijues. Por nuk e di se ç’kërkon prej meje. Ah sikur ta dija se ç’kërkon prej meje, e të mund ta bëja gjer në vdekje.” (Buhari, menakib, 24) Me pak fjalë, ajo “ah sikur” që do ta bëjë njeriun të përpëlitet prej pendesës, që do ta djegë së brendshmi, është ajo e thënë gjatë dorëzimit të shpirtit në një gjendje të mungesës së besimit.
E një prej mëkateve më të mëdha, që do ta shtynte njeriun të thotë “Ah sikur!” matanë, është ajo e njeriut që bie në devijim pasi ka gjetur rrugën e drejtë. Sepse mes besimit dhe mohimit, mes udhës së drejtë dhe devijimit, gjendet një cipë aq e hollë, saqë njeriu mund ta hedhë veten menjëherë në anën tjetër. Kësodore, ne si njerëz që besojmë, i kërkojmë Allahut plot dyzet herë në ditë gjatë namazeve bashkë me sunetet e tyre, që të na mbajë në udhën e së drejtës, e mandej duke thënë: “Në rrugën e atyre që i ke bekuar.” , ku Allahu na kërkon që ne të jemi në udhën e njerëzve që Allahu i ka mbuluar me mirësitë e Tij. Në një tjetër ajet, thuhet se njerëzit që janë meritues të mirësive të Allahut, janë profetët, besnikët, dëshmorët dhe njerëzit që kryejnë vepra të mira. (Nisa, 4/69) Dhe ne, po dyzet herë në ditë, i kërkojmë Allahut që të na fusë në njërën udhën e këtyre katër bashkësive. Dhe duke thënë “Jo në rrugën e atyre që të kanë zemëruar dhe kanë devijuar.” nga pas, kërkojmë mbrojtje në mëshirën dhe madhështinë e Allahut, dhe pas një udhëzimi të këtillë, themi “O Zot, mos na lër neve të jemi prej atyre njerëzve që kanë merituar dënimin duke rënë në çudhëzim!”
Me një fjalë, mendimi “Ne e gjetëm rrugën tonë. Kështu që, mbërrijmë në synimin tonë pa rrëshqitur, pa rënë, pa u ndotur, pa u rrëzuar gjëkundi, pa u mashtruar dhe pa ngecur nëpër lojërat e djallit.” është veç një mashtrim. Sepse askush nuk ka sigurinë se do të ecë në të njëjtën rrugë gjer në çastin e frymëmarrjes së fundit. Madje një njeri që fillon të besojë me vetësiguri pas diçkaje të këtillë, do të thotë se e ka hedhur në rrezik gjithë sigurinë e tij. Sepse duhet shqetësuar për përfundimin e atij njeriu që është i sigurt prej përfundimit të tij. Nga ky këndvështrim, çdo njeri, gjatë çdo çasti duhet të dridhet prej frikës se mund të bjerë sërish në çudhëzim pasi ka gjetur rrugën e drejtë, e për këtë duhet të gjendet përherë në një ngjitje metafizike. Po, njeriu nuk duhet ta lërë veten, qoftë edhe sa një hapje-mbyllje qepallash, vetëm për vetëm me egon e tij, madje edhe duhet t’i përgjërohet Allahut që ta mbrojë prej mashtrimit të djallit. Sepse e vërteta e besimit me të cilën fitohen parajsat, pëlqimi i Allahut, e për të tepër, soditet bukuria e Allahut, është një gur i çmuar shumë i rrallë. Ka shumë djaj prej njerëzve dhe xhindeve që kanë thurur kurthet, e që duan t’ia vjedhin. Kështu që, detyra që i takon njeriut, është t’i dalë për zot këtij xhevahiri, e për më tepër ta mbrojë atë prej sulmeve të ndryshme që vijnë prej djajve xhinde dhe njerëzore, duke qenë kësisoj edhe vetë, gjatë gjithë kohës, në një kontroll të vetvetes.
Dobësi që rroposin njeriun
Por edhe kapja prej viruseve të ndryshme, që Said Nursiu i ka numëruar në veprën e tij “Gjashtë sulmet e mëdha”, ngase është njëfarë devijimi prej rrugës së mesme, mund ta bëjë njeriun që të belbëzojë shumë “Ah sikur!”-e të dhimbshme. Në fakt, çdonjëri prej gjashtë viruseve të përmendura atje më vete, është e mjaftueshme për ta rrëzuar njeriun. Domethënë, ashtu si dëshira për post dhe për famë mjafton, që më vete, ta mashtrojë njeriun, edhe frika mund ta rrëzojë. Njësoj edhe pangopësia, nacionalizmi, egoizmi, dembelizmi dhe prirja për rehati, mund të mjaftojnë për ta shtrirë njeriun në shtratin e vdekjes. E meqë çdonjëra prej tyre mund ta rrëzojë njeriun, nëse ato të mallkuarat mblidhen të gjitha bashkë, ato jo vetëm që e rrëzojnë njeriun – Zot na ruaj! - por edhe e rroposin drejt një grope nga ku nuk mund të ngrihet më. Njeriu është i rrezikuar që, edhe nëse gjendet brenda rrethit të besimit dhe Islamit, të mund të kapet prej këtyre viruseve. Për shembull, një njeri edhe nëse gjendet brenda një rrethi të këtillë pozitiv, mund ta ndotë fytyrën e veprave të tij duke u kapur pas dëshirës për famë në emër të fesë. Një tjetër mund të kërkojë, që prej punëve të mira që mund të ketë realizuar, të flitet prej të gjithëve për të, madje duke u kthyer edhe në një person të treguar me gisht. E kërkon, por është pikërisht kjo dëshirë që e rropos atë. Përpos të tjerash, një ndjenjë e këtillë negative është thirrje për shumë negativitete të tjera. Për shembull, nëse i hip mbi shpinë dëshira për famë, atëherë nuk mund ta kuptoni se sa e sa të këqija që mund t’i sjellë ajo njeriut.
Ja, ngase të gjithë këto gjenden brenda një rrethi mysliman, janë rreziqe me të cilat mund të përballet çdo zemër besimtare dhe - Zoti na ruajttë! - e bëjnë njeriun që të thotë “Ah sikur!” në botën tjetër. Kështu që, ngase nuk i ka kthyer në udhërrëfyes të vetes të gjitha parimet e sinqeritetit, njeriu që rend pas dëshirës për t’u duartrokitur, duke i lidhur me veten të gjitha sukseset e arritura, në Ahiret do të përpëlitet prej vuajtjeve, mallit dhe pendesës të shprehura me fjalët: “Ah sikur të mos i kisha rrënuar të gjitha punët e mira që bëra për hir të një vlerësimi apo duartrokitjeje! Të mos kisha hapur vela drejt një kotësie, duke u kapur pas rrymave që të çojnë kah vdekja!”. Mirëpo, sa keq, se asnjë prej këtyre pendesave nuk do t’i vlejnë atij kurrgjë, përkundrazi edhe do t’ia shtojnë më tej vuajtjen dhe shqetësimin.
Mburoja karshi “ah sikur”-eve që nuk vlejnë
Pikërisht, duke u nisur që këndej, besimtarët duhet të veprojnë me mençuri që në këtë anë, e ndërsa nga njëra anë do ta quajnë rënien në çudhëzim si mirësinë më të madhe të Allahut, nga ana tjetër do të duhet që të rrinë larg prej të gjitha rrugëve që të çojnë në çudhëzim a mohim. Sepse, siç tërheq vëmendjen edhe Said Nursiu, në çdo mëkat ka nga një rrugë që të shpie drejt mohimit. Edhe Profeti ynë, Muhamedi (s.a.s.) është shprehur se çdo mëkat lë nga një njollë të zezë në zemrën e njeriut, dhe me kalimin e kohës, ato, nëse shumohen, e kaplojnë krejt zemrën. (Tirmidhi, tefsiru-sure, (83) 1) Sepse çdo njollë e formuar në zemër është thirrje për një tjetër njollë. Allahu (xh.xh.), shprehet kështu për zemrën që ndotet me kundërshtim dhe të këqija, e që për pasojë nxihet me kalimin e kohës: “Jo, jo! E vërteta është se zemrat e atyre iu mbuluan me njolla prej të këqijave që kryen vazhdimisht (prandaj mohojnë ata.)” (Mutafifin, 83/14) Nëse njollat e zemrës nuk pastrohen me anë të pendesës dhe kërkimit të faljes, mund të realizohet edhe ajo që quhet, “(Dhe) Allahu ia vulosi zemrat atyre.” (Bakara, 2/7), “Zemrat e tyre u vulosën.” (Teube, 9/87), vulosja e zemrave, asisoj që këto zemra vijnë në një gjendje të atillë që edhe mesazhin e qashtër e zbritur prej qiejve, fillojnë të mos e kuptojnë, derisa përfundojnë duke përsëritur “Sikur, sikur...” në anën tjetër.
Për të mos rënë në rrjetën e këtyre “sikur”-eve pa vlerë, për sa i përket asaj që duhet bërë në këtë anë; ajo është që të kryesh adhurimet e tua pa asnjë të metë, dhe brenda një përkushtimi dhe frike të vazhdueshme. Dhe realizimi i diçkaje të këtillë, është e varur drejtpërsëdrejti me frikën që gjendet në një zemër. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) është shprehur: “Po të kishte frikë në zemrën e tij, edhe organet e tjera do t’i ishin frikësuar.” (Tirmidhi, Neuadiru’l-usul, 2/172) Sepse frika e zemrës së tij rrezatohet edhe në organet e tjera, derisa me kalimin e kohës atij fillojnë t’i dridhen edhe gjymtyrët dhe organet e tjera prej frikës. Asisoj, që edhe në beben e syrit mund t’i vëresh një dridhje prej frikës. Ja, ndërsa nga një anë njeriu rri i përkulur karshi madhështisë dhe lartësisë së Allahut, nga ana tjetër i beson thellësisë së mëshirës së Tij, nëse ai e jeton jetën pikërisht me një ekuilibër dhe kujdes kaq të veçantë, atëherë do ta ketë mbrojtur veten nga të qarat dhe “Ah sikur!”-et e pendesës.
Njëkohësisht, njeriu mund t’i parandalojë të këqijat që mund ta çojnë drejt një fundi tragjik në Ahiret, ku do të përpëlitet në rrjetën e “ah sikur!”-eve, edhe ndërmjet bisedave të përshpirtshme. Me fjalët e Sulejman Çelebisë:
Sa i kërkuar emr’i Allahut në çdo frymë,
Me emrin e Tij realizon çdo punë.
Po të njëjtën të vërtetë, një tjetër mik i së vërtetës e shpreh me këto fjalë:
Ah sikur e tërë një bota ta donte atë që dua unë;
E fjala e fjalia jonë sakaq një mësim i ëmbël të bëhej..!
Nëse ne në çdo veprim tonin bisedojmë vazhdimisht rreth Tij, i ndriçojmë kuvendet tona me Të dhe arrijmë brenda kohës sonë një thellësi të atillë mbikohore, ahere i kemi dalë përpara shumë negativiteteve që mund të na shtyjnë të themi “sikur”.
“Ah sikur”-e që shprehin pendesë
Ashtu siç janë disa “ah sikur”-e që nuk kanë kurrfarë vlere për njeriun, por që përkundrazi do t’ia shumëfishojnë më tepër vuajtjet, sipas përcaktueshmërisë së nijetit, ka edhe disa “ah sikur”-e që pranohen, madje edhe vlerësohen, prej kritereve të fesë sonë. Për shembull, “ah sikur”-et e thëna prej Ebu Bekrit të nderuar janë të këtij lloji. Siç dihet, në një vend ai shprehet: “Ah sikur t’ia pyesja Resulullahut kuptimin e ajetit të “kelales”; ta kisha pyetur, e të mos ia lija zbërthimin interpretimit të njerëzve!” Të njëjtën pendesë, ai e ndjen ndërsa janë duke ndarë trashëgiminë e gjyshes së tij. Pasi kjo çështje nuk është shpjeguar prej Kuranit. Në një tjetër rast, ai është shprehur kësodore: “Ah sikur, kur e nisa Halidin drejt persëve të kisha nisur edhe Omerin drejt romakëve, e të kisha shpëtuar njëherë e mirë prej këtyre problemeve.” (Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir, 1/62) Sipas mendimit tim, këto “ah sikur”-e janë shprehje e kuptimit drejt të fesë, dhe kthimit të saj në jetë të jetës, i kanë përftuar aq shumë shpërblime Ebu Bekrit të nderuar (r.a.), dhe e ka ngritur drejt një lartësie të atillë, saqë është e pamundur që të kuptohet prej nesh. Mendoni që, Krenaria e Njerëzimit (s.a.s.) e shpreh kështu rëndësinë e saj: “Sikur të peshohej besimi i Ebu Bekrit me besimin e tërë këtyre njerëzve të tjerë, patjetër që besimi i tij do të vinte më i rëndë.” (Bejhaki, Shuabu’l-iman, 1/69) Ai, që është Besniku ndër besnikë. Ai, që me lejen e Allahut (xh.xh.) brenda vetëm dy vitesh, tri muajsh dhe dhjetë e kusur ditësh ngriti një shtet, që Shteti i Lartë nuk e bëri dot as për njëqind e pesëdhjetë vjet. Ai nuk u ka shkuar t’i shkatërrojë vendet e tjera siç kanë bërë tiranët, përkundrazi, u ka derdhur atyre frymëzimet e tij shpirtërore. Kudo ku ka hedhur këmbën apo vështrimin, ai ka siguruar që në ato vende të lulëzonte shpirti i lartë i Muhamedit (s.a.s.). Në fakt, ai ka qenë edhe ai që nga ngritur themelet për triumfin e madh dhe zhvillimet e tjera të mëdha. Kështu që, të gjitha këto “sikur”-e u kanë shtuar personaliteteve të tyre aq të larta një tjetër peshë.
Njësoj, për çdo besimtar ka lloje të tilla “sikur”-esh pozitive që mund t’ia ngrenë më sipër nivelin. Për shembull, “Ah sikur ta kisha përdorur më mirë rininë time! Ah sikur t’i ndaja dy orë nga nata ime, e të falja njëqind rekate namaz! Ah sikur ta mbroja veten prej dëshirave të egos! Ah sikur në atë trysninë e fortë të rinisë, edhe në kohën kur të gjitha ndjenjat e mia epshore më fshikullonin, të mund t’u dilja zot siç duhej duarve, këmbëve, syve apo veshëve të mi! Ah sikur të mos e kisha hedhur fare vështrimin kah gjërat e ulëta, e në mendimet e mia të mos hynte asnjë mendim i huaj!” Ja, të gjitha këto “sikur”-e janë të atilla që derdhen prej gojës së ndonjë besimtari me synim kthimin e tyre në veprim apo prej ndjenjës së pendesës. Kurse “ah sikur”-et e lëshuara në botën e përtejme janë veç pendesa dhe pikëllime të kota. Ndërsa pendesat e shprehura këtu, në njëfarë kuptimi janë pendesë e vërtetë. Njeriu, sa herë që i vijnë ndërmend thotë: “Estagfirullah!”, dhe me shpirtin e pendesës dhe kërkesës së faljes kërkon mbrojtje prej Allahut. Ja, pikërisht, nëse njeriu i troket portës së mëshirës me të gjitha këto, shpresohet që, edhe Allahu nuk i lë lotët e këtij pa një përgjigje, por vepron me të me mirësinë dhe mëshirën e Tij të thellë.
- Publikuar më .