Çudi Mëngjesi
Pas netëve, një çudi mëngjesi po vë re:
Horizonti i mjegullt dhe ne,
Lumturinë, bukurinë, dashurinë rrimë e vështrojmë,
Të pazë ndaj hallit tonë.
Paska rënë klloçkë krejt kënaqësia, ndoshta neveria,
Ndër gjokse shuar ndiesia...
E shpuan kohën; ajo vrimë një saldim të ketë,
Të fortë, të patëmetë...
Në tëmthat djersë e gjak, në zemër një sëmbim më mposht,
Ndjenjat pa një bosht.
Kur agimet horizontin patën cep me cep përfshirë,
Të kthjellët e të dlirë,
Kur drita terrin e natës e kish zënë në leqe
Dhe rrugët pa hendeqe,
Ecnim pranverave të ëndërruara nji pas nji,
Pa pengesë, pa mani...
Në çdo anë midis sytheve të porsamugulluar,
Pa u mburrur, të gëzuar...
Mënjanë qiell, mënjanë yje, ne mënjanë,
Krejt të pastër dritë shpërndajme;
Besnikëri! –tha e rënkoi për një çast koha e drobitur,
E uritur...
Sërishmi dita si e shuar mbi det është nderë,
E vyshkur, e pavlerë...
Sërishmi kjo zemër e sëmurë me mall qe mbuluar,
E pafat dhe e vetmuar...
- Publikuar më .