Pranvera që Presim
Stina ktheu menjëherë, vjeshta seç u bë pranverë,
Drejt Amshimit koha-tyl rozë po pikon.
Kundërmime trëndafilash fryn era në të fryrë,
Ca përtej gëzimi i ditës së mrekullueshme po gëzon.
Ditët e ndryshkura, së fundi, një për një zbërthehen,
Për inat të dimrit, një verë e ngrohtë ka ardhë;
Gjithandej pëllumbat e qellimit po shfaqen,
Kaltëroshe ëndrrat, horizontet borë të bardhe.
Sikur dielli të mos perëndonte, natë të mos bëhej,
Gjer Përtej të shkonin udhët, lidhur cep më cep;
Dhe në rëntë errësira, ngjyr' e tokës të mos zbehej,
Të vetmuarit shekullorë të mos mbeteshin vetë.
Kjo ditë e lindur ngjyra-ngjyra të zgjatet shekujve,
T'i jetojmë ëndrrat tona me një ngopje velëse;
Dhe në ujin e ngrohur në përgjim të errësirave
Vullnetet të mos kridhen në atë gjumë vrasëse.
E kuqja u përhirua, perëndimi ra në hall,
Perëndimi përmbyset copë-copë me gjithçka;
Dialektika digjet nga përbrenda si mangall;
Së fundi, tabani i iluzioneve të rreme u pa...
- Publikuar më .