Edukata dhe i riu
Edukata është një bukuri më vete dhe, te kushdo që të ndodhet, imitohet. Sigurisht, edhe nëse dikush është i paditur, po qe i edukuar, duket. Kombet të mangët në kulturën kombëtare e në edukatën kombëtare u ngjasin individëve injorantë, të trashë e rrugaçë, të cilët as besë kanë në miqësi, as seriozitet në armiqësi! Ata që u besojnë të tillëve, gjithmonë pësojnë zhgënjim, ata që mbështeten në ta, herët a vonë mbeten pa mbështetje!
* * *
Edukatorët që s'kanë punuar si çirakë pranë një mjeshtri dhe s'kanë marrë edukatë nga një burim i shëndoshë, janë si shërbëtorë që u mbajnë pishën rrugës së të tjerëve. Paturpësia dhe përkëdhelia e dukur në fëmijët është pasojë e turbullisë së burimit ku ai është zhvilluar e zhvillohet. Parregullsia ndiesore, ideore dhe e veprimit në familje reflektohet e përforcuar në shpirtin e fëmijës. Dhe, natyrisht, nga ai në shoqëri...
* * *
Në shkolla, të paktën po aq sa në mësimet e tjera, duhet qëndruar mbi edukatën dhe kulturën kombëtare në mënyrë që të përgatiten breza me shpirt e karakter të shëndoshë, të cilët do ta kthejnë vendin në parajsë. Arsimimi është tjetër gjë, edukimi, tjetër gjë. Shumica e njerëzve mund të bëhen arsimtarë, por janë të paktë ata që mund të bëhen me plot kuptimin e fjalës katorë!..
* * *
Mësimet që u jepet më pak rëndësi, në një kohë që janë më të rëndësishëm, janë kultura kombëtare dhe edukata kombëtare. Po qe se një ditë do të kthehemi për ta vënë në shfrytëzim këtë rrugë, do të kemi marrë vendimin më të qëlluar për përparimin e kombit.
* * *
Poeti është poet që në lindje. Imrul Kajsi[1] nuk pati bërë shkollë. Ajnshtajni ikte nga shkolla, sepse mendimet i kishte të tjera. Njutoni pati marrë notë të dobët në matematikë, por teoria e tij është matematike. Kurse ne përpiqemi të trazojmë në kazanin e të tjerëve me qepshen tonë...
* * *
Shkolla e parë e fëmijëve, që e kanë shpirtin të shkëlqyer si pasqyrë e që regjistron shpejt si makinat fotografike, janë shtëpitë e veta, kurse edukatorët e parë, nënat. Përgatitja e nënave si edukatore dhe jo konsumimi i tyre majtas-djathtas është baza më e rëndësishme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e një kombi.
* * *
I riu është fidani i forcës dhe zgjuarësisë. Po qe se edukohet e mësohet, mund të bëhet një Anté, një fuqi që u premton zemrave ndriçim e botës, harmoni...
* * *
Shoqëria është një enë kristali, kurse të rinjtë, brenda saj si një lëng që merr formën dhe ngjyrën e enës dhe me atë duket. S'e di, apostujt e rregullit dhe harmonisë, të cilët u bëjnë thirrje atyre për përulje dhe bindje, a janë në gjendje të kthehen e të hedhin një vështrim mbi veten e vet?..
* * *
Dëshirat u përngjajnë të ngrënave të ëmbla, kurse virtytet, të ngrënave pak të tharta a të kripura. Po qe se i riu lihet i lirë të zgjedhë, a është e nevojshme të thuhet se cilat do t'i zgjedhë e cilat do t'i lërë? Kurse ne jemi të detyruar t'i përgatisim ata si miq të virtytit e si armiq të imoralitetit dhe fëlliqësisë...
* * *
Gjer në çastin kur t'i shkohet në ndihmë me anë të edukimit, i riu është satelit i dëshirave dhe kënaqësive boshe të mjedisit ku është rritur, një i marrë e i përgjakur që përsillet diku shumë larg personalitetit dhe logjikës. Edukata e mirë që, duke e lidhur atë me të kaluarën e vet, do ta përgatisë për të ardhmen, do ta shndërrojë atë në hero të perspektivës!..
* * *
Lartësimi ose rënia poshtë e një kombi varen nga shpirti dhe vetëdija me të cilat do të pajisen brezat e tij, nga arsimi dhe edukata që do të marrin. Në kundërshtim me faktin që kombet me brezat e rinj të përgatitur mirë, janë të paracaktuar të përparojnë paprerë, regresi i kombeve që i nënvleftësojnë ata, është i pashmangshëm!..
* * *
Ata që kërkojnë të japin orakull mbi të ardhmen e një kombi, po t'i hedhin sytë edukatës së dhënë të rinjve, kanë për të dhënë një orakull qindpërqind të saktë!..
[1] Imrul Kajsi, emri i vërtetë i Mexhnunit, heroit të poemës "Mexhnuni dhe Lejlaja" të Fuzuliut.
- Publikuar më .