Pajisja me moralin e Allahut
a) Edukata e të folurit
Gjithsesi, në një shtëpi, do të bisedohen punët që kanë të bëjnë me këtë botë, çështjet që lidhen me jetën. Ndërkaq, kur këto gjëra bisedohen në prani të fëmijës, duhet mbajtur parasysh vazhdimisht prania e tij. Ndërkaq, po të ketë mundësi, çështjet që nuk e interesojnë atë ose nuk i sjellin dobi atij, sidomos gjërat që do ta shqetësonin atë, të mos bisedohen në sy të tij. Sigurisht, veçoritë që do të zhvillohen në shpirtin e tij në një periudhë të caktuar, duhet të përcaktohen shumë mirë dhe ai s'duhet të bëhet viktimë e gjërave të padurueshme për të. Kudo që të jemi, në shtëpi apo në punë, kur t'i kemi fëmijët pranë, takimet dhe bisedat duhet t'i bëjmë duke pasur parasysh gjithmonë praninë e tyre.
Me sa të kemi mundësi, bisedat në sy të fëmijëve duhet t'i bëjmë mbi çështje të tilla si besimi te Allahu (xh.xh.), te të mirat e dhëna prej Tij dhe feja e tij. Parimisht, në shtëpi duhet të diskutohet për çështje që kanë lidhje me formimin dhe të ardhmen e fëmijëve në mënyrë që ata të rriten me vetëdijen që kërkojnë prindërit. Po qe se këto porosi pranohen si një recetë, një pjesë e madhe e problemeve që i përkasin të ardhmes së fëmijës marrin zgjidhje që më parë. Ndërkaq, çdo periudhë e jetës së fëmijës do të ketë edhe problemet e veta specifike tek të cilat do të ndalemi kur t'u vijë radha.
b) Masa në bujari dhe dhembshuri
Një çështje tjetër që duam ta prekim këtu, është edhe zhvillimi tek fëmijët i ndjenjës së bujarisë dhe dhembshurisë, përgatitja e tyre si heronj dhembshurie. Edhe në këtë çështje, rruga më e drejtë është shembulli personal. Fjala vjen, kur vjen dikush te dera dhe shtrin dorën dhe burri me gruan dalin me duart plot me gjëra për të dhe, me një sjellje përvujtnie, ia dëgjojnë me kujdes hallet, kjo bëhet për fëmijën mësimi më me efekt për edukimin e tij si njeri i dhembshur e bujar.
Ndjenja e dhembshurisë te fëmijët është edhe e trashëgueshme. Për shembull, disa fëmijë, qysh të vegjël, përloten shpejt. Kjo është shenjë se ata në të ardhmen do të bëhen njerëz pak a shumë të ndjeshëm, të brishtë, delikatë. Ç'është e vërteta, disa herë fëmijët përloten për të tërhequr vëmendjen ose për të arritur që t'u plotësohen dëshirat, por përlotja e ndjerë është diçka tjetër. Qoftë kështu apo ashtu, po qe se mendojmë t'i kemi ose të na bëhen fëmijët të butë, bujarë dhe të dhembshur, duhet ta bëjmë familjen një mjedis të ngrohtë, të butë, plot dashuri dhe dhembshuri mes pjesëtarëve të saj.
Rritja e fëmijës si koprrac ose, siç thotë populli, dorështrënguar, të dhënë pas interesave dhe mirëqenies materiale, mund të quhet shkak që, në vartësi të disa kushteve të caktuara, ai të bëhet egoist, interesaxhi, ambicioz, ekspansiv dhe kundërshtues. Po qe se një fëmijë i tillë nuk rritet sipas moralit hyjnor, kjo gjendje përbën për të fatkeqësi si për jetën e kësaj bote, ashtu dhe për jetën e pasosur të tij.
Mëshira dhe dhembshuria janë shumë të rëndësishme. Bujaria është shfaqje e një shpirti të tillë. Heronjtë e dhembshurisë janë gjithmonë të humbur materialisht. Por bujari mund të hyjë në xhennet edhe në qoftë mëkatar apo heretik, kurse mundësia e besimtarit koprrac për të hyrë në xhennet është e ulët. Prandaj fëmijëve u duhet zhvilluar ndjenja e keqardhjes dhe dhembshurisë, u duhet shtuar ndjenja e dhënies dhe mirëbërësisë me qëllim që të mos bëhen ambiciozë e të jepen pas interesave të kësaj bote, për rrjedhojë, t'i harrojnë Allahun dhe njerëzit. Sigurisht, do t'ia mësosh fëmijës të dhënët që të mos bëhet materialist, që në jetën shpirtërore të lidhet pas Allahut. Ndërkaq, le ta kujtojmë edhe një herë se, të dhënët, përsa i përket vlerës si shembull personal i edukatorit, po s'u tregua praktikisht dhe po s'u mbështet edhe me fjalë, nuk ka ndikim. Kur veprojmë, fjalët që i shoqërojnë veprimet bëhen ndikuese si frymëmarrje engjëjsh.
c) Shpërblimi
Fëmija duhet shpërblyer në raport me suksesin që arrin. Ndërkaq, duhet të theksojmë se qoftë në çështjet e jetës besimore-fetare, qoftë në çështjet materiale të kësaj bote, shpërblimi për çdo arritje ose sukses legjitim është domosdoshmëri e moralit hyjnor.
Nga ky këndvështrim, "nënë dhe baba" do të thotë pak edhe mendimtar, erudit dhe edukator. Prindërit do të dinë, do të mendojnë, do të vëzhgojnë, do të kujdesen për fëmijët dhe do të dridhen mbi kokë të fëmijëve. Sigurisht, po qe se prindërit nuk do t'u japin rëndësi fëmijëve sa ç'u japin makinës, kopshtit ose arës, është e qartë se ata do të mbeten të pazhvilluar në ndjenja e mendime ose, e thënë ndryshe, me ndjenja e mendime të atrofizuara. Edhe në këtë rast, ashtu siç u parashtrua më lart, kur është fjala për edukimin tek fëmijët të ndjenjave të larta, duhet t'i drejtohemi burimit bazë që është morali i Allahut (xh.xh.). Atyre që bëjnë punë të mira, Allahu u jep në jetën tjetër xhennet, kurse atyre që bëjnë punë të këqia, ndëshkim.
Kur'ani thotë: "Po qe se falënderoni, edhe unë jua shtoj të mirat; po qe se tregoheni mosmirënjohës, ndëshkimi im është shumë i rëndë!" (Kur'ani, Ibrahim, 14/7)
Dhe, të pajisur me moralin e Allahut, do të përpiqemi që sjelljet dhe qëndrimet tona para fëmijës t'i kemi aq të matura, sa edhe Allahu të mos na shtyjë ne në vetmi!
d) Përgatitja e fëmijës për të nesërmen
Një tjetër çështje që na duket me vend ta sqarojmë në fund, është edhe kjo: Trajtimi i fëmijëve sipas moshës, nivelit, dijeve dhe kulturës duke mbajtur parasysh edhe mjedisin ku rriten e zhvillohen. Njohuritë fetare që duhet t'i japim fëmijës pesë vjeç, duhet t'i zgjedhim me atë metodë që zgjedhim ushqimin me të cilin duhet ta ushqejmë në atë moshë. Njohuritë që do t'i japim fëmijës kur të bëhet shtatë vjeç, do të jenë tjetër gjë dhe, kur të bëhet dhjetë vjeç, tjetër gjë, e kështu me radhë.
Ndërkaq, është edhe një veçori e rëndësishme, sipas së cilës, çdo gjë që do t'ia sugjerojmë fëmijës, duhet të jetë për një periudhë më tej se e tashmja, sepse, sido që të jetë, ai e sheh, e dëgjon dhe e jeton të tashmen. Nga ky këndvështrim, niveli i edukatës që duam të arrijë ne, duhet t'i përkasë të ardhmes së tij.
Hz. Aliu (k.v.) porosit: "Mësojini fëmijët për një kohë më tej se koha juaj sepse ata i përkasin një kohe përtej kohës suaj!" Po qe se ky parim trajtohet nga këndvështrimi i dijes dhe kulturës së përgjithshme, kuptohet se mjaftimi me dijet dhe kulturën aktuale është mediokritet ose, më shqip, do të thotë se, me kohë, tjetri vjen, ju zë e ju kalon, kurse ju mbeteni shumë pas! Trajtimi i këtij parimi nga këndvështrimi i mësimit dhe edukimit e ndihmon edukatorin që, duke e kapërcyer të tashmen dhe duke marrë parasysh periudhat e mëpastajme, të caktojë për fëmijën një vijë në përputhje me to. Kur fëmija të jetë gjashtë vjeç, t'i jepet një edukatë që t'i vlejë për në moshën shtatë vjeç dhe, kur të bëhet shtatë vjeç, të zbatohet për të programi për moshën tetë vjeç.
Si përmbledhje, mund të thuhet kështu: Mësimi dhe edukimi i zbatuar mbi fëmijën gjer më pesë vjeç duhet të vazhdohet shkallë-shkallë gjer në moshën pesëmbëdhjetë vjeç që është mosha mesatare e pubertetit. Po qe se ngriheni e i jepni të riut njëzetvjeçar edukimin që i përket një pesëmbëdhjetëvjeçari, do të thotë t'ia përmbysni çdo gjë që ka përvetësuar ai mbi fenë, besimin dhe moralin.
Po qe se ju ngriheni për t'i dhënë ca gjëra personit që jeni ngarkuar ta mësoni dhe edukoni, pa e kuptuar nivelin e tij shoqëror, mendor e ideor, e largoni atë me ndjenja dhe shpirt nga ju. Po qe se sot, pavarësisht nga një sërë praktikash mësimore e edukative të gabuara, disa të rinj i kanë ndjenjat dhe mendimet ende të shëndosha, kjo është plotësisht një favor i Zotit për ta, ose ata nuk janë zhvilluar ende mendërisht; janë njëzet e pesë vjeç, por, si të ishin dhjetë a pesëmbëdhjetëvjeçarë, ndodhen shumë pas kohës në të cilën jetojnë. Nëse njëri prej këtyre përballet një ditë me një konsideratë të ndryshme fetare, kombëtare apo shoqërore çfarëdo që e kapërcen nivelin e tij, Zoti e ruajttë, tronditja në vlerat e veta dhe dezertimi i tij bëhen të pashmangshme!
Porosia që jep feja në lidhje me edukimin e shkallëzuar të fëmijëve është kështu: Po qe se fëmija e ka të detyruar namazin në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, mësojeni atë qysh në dhjetë vjeç. Kjo ka vlerë edhe për mësimin e fëmijës me agjërim disa vjet para se të vijë në moshën e detyrimit. Të njëjtën gjë mund të mendojmë edhe për specifika të tjera.
Dua të sqaroj edhe këtë që ne besojmë se dhënia e gjërave që i duhen dhënë fëmijës qysh në moshë të vogël është me ndikim më të madh. Ne mendojmë se nëse duam që fëmija t'i kryejë pa diskutim dhe plotësisht detyrimet fetare në moshën kur bëhet përgjegjës, përgatitja e tij duhet të fillojë qysh në moshë të vogël. Gjer tani ne e kemi parë shumë herë frytin e kësaj metode, jemi bërë dëshmitarë të kësaj shumë herë.
Këtu dua të flas mbi kriteret moshore të disa moshave të dhëna neve nga imam Xhaferi:
"Gjer në shtatë vjeç është periudha fëminore kur fëmija imiton gjërat që sheh dhe luan me lojëra të ndryshme. Ç'të shohë tek ju, e mëson dhe e imiton. Pastaj fillon mosha e marrjes së mësimeve. Në fillim vjen periudha e mësimit të Librit të Allahut që kërkon edhe po aq kohë. Pas kësaj vjen periudha e mësimit të hallalleve dhe harameve që ai i kupton dhe përvetëson me arsye, logjikë dhe gjykim që kërkon përsëri po aq kohë."
Sipas metodës së imam Xhaferit, gjer në moshën njëzet e një vjeç, fëmija ka plotësuar marrjen e të gjithë informacionit shoqëror dhe fetar. Atëherë, ai, gjer në këtë moshë duhet të përvetësojë në mënyrë të pakundërshtueshme çdo gjë fetare e kombëtare që të mos tronditet nga erërat e ndryshme kundërshtare.
Në një hadith të përcjellë nga Tirmidhiu, Profeti (s.a.s.) porosit kështu:
"Mësojuani namazin fëmijëve qysh në moshën shtatëvjeçare." [1]
Po, gjer në atë moshë, fëmija ka mësuar dhe është edukuar nga ju duke u nisur nga shembulli juaj. Pas kësaj, vjen koha kur ai do të mësojë duke vënë në punë arsyen dhe logjikën e vet, domethënë është gati të marrë mësime. Ndërkaq, disa e shohin këtë moment në moshën tetëvjeçare, kurse disa të tjerë, më e shumta, në moshën dhjetëvjeçare. Në moshën kur fillon mësimi i fëmijës, ai duhet trajtuar seriozisht dhe respektuar për t'iu zhvilluar personaliteti.
Profeti porosit: "Ndjenja e turpit është një nga shtyllat e rëndësishme të besimit!" [2] Kurse në një hadith tjetër, porosit: "Ai që s'ka turp, s'ka as besim!" [3] Atëherë, qysh në moshë të vogël duhet të përqëndrohemi mbi brezat që mendojmë t'i rrisim të edukuar e që ta kuptojnë se ç'është turpi, në mënyrë që, kur të vijnë në moshën e pjekurisë, të pajisen me moralin kur'anor.
[1] Tirmidhi, Salat, 182.
[2] Muslim, Iman, 57, 58; Buhari, Iman, 3; Ebu Davud, Sunne, 14; Nesei, Iman, 16; Ibni Maxhe, Mukaddime, 9.
[3] shih Ali el-Muttaki, Kenzu'l-Ummal, 3/119.
- Publikuar më .