Edukata dhe edukimi jashtëkur’anor

Brezi ynë ka sot dy alternativa: ose të bëhet i pashpirt, i ash­për dhe mizor me anë të ideve filozofike të gabuara, me anë të rrymave të këqia dhe ekstreme si dhe me anë të pa­rimeve filo­zofike, ose i çmuar, me horizont dhe i mëshir­shëm me anë të parimeve të larta hyjnore e të Kur'anit.

Në këtë pjesë, duke e ndarë edukimin dhe edukatën në edu­kim dhe edukatë jashtëkur'anore, në njërën anë, dhe edukim dhe edukatë kur'anore, në anën tjetër, do të bëjmë përshkrimin e cilësive të tyre dhe krahasimin mes tyre.

a) I faraonizon njerëzit

Siç është shfaqur gjer më sot, edukata jashtëkur'anore i ka bërë njerëzit, brenda poshtërsisë së tyre, nga një faraon poten­cial më vete. Faraonizmi ka dy forma. Njëra formë është fara­o­nizmi i fuqishëm, i cili, duke qenë i tillë, është ek­spansiv, dhu­nues, mizor dhe egoist. Kurse forma e dytë, fa­raonizmi i dobët, i mjerë, i pafuqishëm, i cili, duke qenë i tillë, është i ulët e banal sa t'u puthë këmbët të tjerëve.

Këtu s'është fjala për faraonët e Egjiptit, por për figurën e përgjithësuar faraonike si simbol i gjithçkaje të keqe e të ulët.

Psikologjinë perverse të njerëzve të faraonizuar, duke marrë për model faraonin e profetit Musa, Kur'ani e për­shkruan kësh­tu:

"I mblodhi menjëherë njerëzit e tij dhe u bërtiti: "Unë jam Zoti juaj më i lartë!" (Kur'ani, Naziat, 79/23-24)

Ky është faraoni i fuqishëm, mendjemadh, egoist dhe mi­­zor. Të tillë kanë qenë dhe janë edhe të gjithë njerëzit e faraonizuar kur e ndjejnë veten të fuqishëm.

Por ai na shfaqet edhe në një gjendje tjetër, kur ka rënë në mjerim, kur i rrezikohet jeta, kur i ka humbur e gjithë fu­qia, për çka dhe është gati t'i bjerë kujtdo ndër këmbë. Ja si e përshkru­an Kur'ani:

"Ne i kaluam të bijtë e Izraelit nëpër det. Kurse faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata për t'i kapur dhe ndëshkuar. Por, kur e pa se po mbytej, tha: "Edhe unë besova se s'ka zot tjetër veç Zotit që besojnë të bijtë e Izraelit! Edhe unë jam musliman!" (Kur'ani, Junus, 10/90)

Kuptohet menjëherë se faraoni nuk është i sinqertë në thë­nien e tij. Për të shpëtuar kokën, ai është gati të mohojë gjith­çka ka thënë më parë. Ai e ka humbur çdo lloj krenarie, bruta­liteti, egoizmi. Ky është çasti i poshtërimit të tij. Ja, ky është një faraonizëm tipik, është forma e faraonizmit të mje­rë!

Ndërkaq, në jetë hasen raste jotipike e kalimtare si të ci­lësive faraonike, ashtu dhe cilësive të mira si të Musait i cili përbën, në këtë rast, të kundërtën e faraonit. Disa herë, te një besimtar mund të ketë ose të shfaqen cilësi faraonike, kurse te një mo­hues, cilësi prej Musai. Allahu (xh.xh.) sheh esencën e njeriut, atë që është e përhershme dhe e qën­drueshme te njeriu. Me këtë esencë njeriu shfaqet dhe vle­rësohet edhe prej njerëzve të tjerë. Në lidhje me këtë, Pro­feti thotë:

"Allahu nuk sheh as trupin, as paraqitjen tuaj, Ai vësh­tron zemrat dhe aktet tuaja!"[1]

b) I bën njerëzit kryeneçë dhe të ashpër

Njeriu i formuar me një edukatë jashtëkur'anore është inatçi, kryeneç dhe krenar. Për atë kanë rëndësi dinjiteti per­sonal dhe krenaria, për të cilat ai është gati të marrë nëpër këmbë pa u lëkundur sa e sa të drejta, sa e sa vlera! Mirëpo ndjenja e këm­bënguljes që nuk duhet ngatërruar me krye­neçësinë egoistike, i është dhënë njeriut për t'u bërë i ven­dosur në të drejtën dhe çështjen e tij.

c) Bazohet në interesin

Synimi i edukatës jashtëkur'anore është interesi. Thelbi i të gjithë luftës që bën njeriu, është interesi. Njerëz të tillë të pyesin: "Ç'ke për të fituar me këtë punë?"

Në edukatën jashtëkur'anore bëhet fjalë vetëm për të mbu­shur barkun e për të kënaqur dëshirat. Lumturia e nje­rëzimit në optikën e kësaj edukate është plotësimi dhe kënaqja e kërkesa­ve dhe dëshirave materiale-trupore.

Disa vende si Amerika, Gjermania, Anglia, Franca, Sue­dia, Zvicra, Norvegjia, Hollanda mund të mendojnë se e ka­në rre­gulluar ekonominë dhe i kanë siguruar shoqërisë së tyre lum­turinë. Sipas tyre, ata kanë realizuar botën ideale të përshkruar nga shkrimtarët utopistë. Kjo quhet filozofia e ngushëllimit që i vlen vetëm individit që i ka plotësuar kërkesat dhe dëshirat per­sonale dhe s'mendon për të tjerët. Në të vërtetë, shoqëria e tyre tronditet çdo ditë nga vetëvra­sjet dhe sëmundjet e ndryshme shoqërore.

d) Jeta e njerëzve të formuar me edukatën jashtëkur'anore mbështetet në luftën, dialektikën dhe demagogjinë

Meqë interesi karakterizohet nga përjashtimi, pra që nuk ësh­të ngopës për gjithçka dhe për të gjithë, rezultati imediat i tij është përfytja, lufta mes elementëve që e synojnë atë. Çdo sho­qëri që ka për synim interesin, meqë nuk i plotëson dot kurrë ato që kërkon, i futet një rruge të pafund lufte e përleshjeje. Të gjitha sistemet e bazuara mbi interesa, nga kapitalizmi në komu­nizëm, nga socializmi në fashizëm, të gjitha sistemet izma bazo­hen mbi luftën e interesave.

Biologët materialistë mes të cilëve spikat Darvini me te­orinë e tij të seleksionit natyror nëpërmjet luftës së ashpër për ekziste­ncë, e shohin luftën biologjike si thelbin e jetës dhe, kur kjo luftë shtrihet edhe në shoqërinë njerëzore, as­gjësimi i njëri-tjetrit shi­het si diçka legjitime.

e) Lidhjet ndërkombëtare janë racizmi dhe shovinizmi

Lidhja më e rëndësishme mes individëve dhe kombeve, e pranuar nga edukata jashtëkur'anore, është racizmi banal, in­ternacionalizmi dhe shovinizmi. Në fakt, racizmi, shoviniz­mi dhe rryma të ngjashme me këto janë planifikuar sipas parimit për t'i përvetësuar dhe asimiluar të tjerët dhe ashtu kanë vep­ruar. Për shembull, në synim të komunizmit është mundja dhe asimilimi i të gjitha sistemeve të tjera. Historia e afërt tregon se fashizmi dhe nazizmi patën planifikuar sun­dimin në të gjithë botën. Këtë e vërtetuan edhe shkaqet e shpërthimit të dy luf­tërave botërore dhe përfundimet e tyre.

f) Mban si parim forcën

Pikëmbështetja në sistemet sociale dhe filozofike jashtë­kur'a­nore është forca. E drejta është me atë që ka forcën në dorë ose i forti ka gjithmonë të drejtë. Ky është krejtësisht një moral fa­raonik. Veprimi i forcës që nuk respekton vlerat njerëzore, është dhunë, përdhunim. Një njeri që e trajton çështjen sipas parimit të forcës, që e lidh çdo gjë me forcën, e ka shumë të vështirë ta ruajë veten nga përdorimi i dhu­nës. Njerëzimi përjetoi në masë shembujt e kësaj veça­në­risht në shekullin e njëzetë. Në këtë shekull s'bëhej fjalë më për ekspansionin dhe dhunën e indi­vidëve. Edhe popujt ni­sën të vepronin me instinktin e asgjësimit të njëri-tjetrit.



[1] Muslim, Birr, 33; Ibni Maxhe, Zuhd, 9.
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.