Kuptimi ynë mbi moralin
Mendoj se më parë duhet të merremi vesh me lexuesin mbi një sërë çështjesh, sepse mendoj që, po të mos merremi vesh mbi një sërë çështjesh themelore, nuk do të jetë e lehtë që ai të përfitojë nga ky libër. Me të vërtetë, duke trajtuar çështjet mbi edukimin në familje, a mund të arrihet marrëveshje me ata që nuk shqetësohen nga grumbulli i madh i imoraliteteve që përjetohen sot në të katër anët e vendit tonë, në fshat e në qytet, në mjedisin e jashtëm e në familje?
Ç'është e drejta, ç'mund të thuhet po qe se ne jemi të kënaqur me gjendjen dhe po qe se fëlliqësitë e mjedisit tonë nuk na prekin? A mund të mendohet se diskutimi mbi çështjet morale do të ketë ndonjë dobi po qe se nuk na dridhet zemra përballë rrënimit moral të fëmijëve, nipërve e mbesave apo të të afërmve e fqinjëve tanë?
Historia na tregon se asnjë shoqëri nuk ka qëndruar në këmbë me anë të imoralitetit. S'e di a ka ndonjë përjashtim kjo, por nuk ka dyshim se popujt që kanë mundur të mbeten për një kohë të gjatë në këmbë pa u rrëzuar nga historia, janë ata që kanë respektuar vlerat morale!
- Publikuar më .