Përgjegjësia e nënës dhe babait
Çdo njeri është përgjegjës për fushën e vet të përgjegjësisë dhe për ata që ka nën vete. Të gjitha sukseset në vëzhgimin dhe kujdesin përkatës do të shkruhen në shtyllën e mirësive dhe bukurive tuaja, kurse të gjitha negativitetet, në shtyllën e të këqiave dhe shëmtive.
Në një hadith të tij që përmbahet te Buhariu dhe Muslimi, Kryeprofeti (s.a.s.) porosit kështu: "Secili nga ju jeni çoban dhe përgjegjës për ata që keni nën vete. Kryetari i shtetit është çoban dhe përgjegjës për nënshtetasit. Çdo person është çoban dhe përgjigjet për tufën e vet. Gruaja është çobaneshë e shtëpisë së burrit dhe përgjigjet për gjërat që ka nën kujdes. Shërbëtori është çobani i mallit dhe pasurisë së të zot dhe përgjigjet për t'i ruajtur ato. Secili prej jush është çoban dhe secili prej jush përgjigjet për tufën e vet!"[1]
Meqë tema ka lidhje me pranimin e faktit që fëmijët janë nga një amanet më vete, mund të thuhet edhe se ky hadith ka lidhje me çështjen tonë: "Çdo fëmijë që lind, lind me natyrë islame, pastaj prindërit e bëjnë atë krishter, çifut ose zoroastrian."[2]
Po, çdo fëmijë që lind, lind me një natyrë të pastër e të përshtatshme për t'u bërë gjithçka, pastaj ju dorëzohet juve për t'i zhvilluar dhuntitë dhe aftësitë, pra, puna për edukimin e tyre ju lihet juve. Kështu, fëmijët, në përputhje me atë ç'janë prindërit e tij, bëhen ose krishterë, ose çifutë, ose adhurues të zjarrit, zoroastrianë. Natyrisht, këtu mund të shtohet kjo specifikë: përsëri në përputhje me mjedisin e prindërve, fëmijët bëhen ose renegatë, ose ateistë. Në këto kushte, themi se sa ç'është i rëndësishëm besimi dhe individualiteti i prindërve në rritjen e fëmijëve, është i rëndësishëm edhe për t'u marrë për bazë në edukimin e tyre.
Eshtë një e vërtetë kjo që, po qe se fëmijët e përshtatshëm për çdo gjë që i prumë në këtë botë të përshtatshme për çdo gjë, nuk i formësojmë sipas rrënjëve tona shpirtërore e kuptimore, është e pamënjanueshme që të rriten e formohen si njerëz të një kallëpi të veçantë. Për rrjedhojë, mund të bëhen babai i një renegati pa i rënë aspak në të kësaj. Atëherë themi se, kur të jetë stina, duke ua shartuar atyre esencën e shpirtit tonë, ta parandalojmë tjetërsimin e tyre. Ne u bëjmë shërbimet e duhura pemëve duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e shkencës dhe teknikës duke u përpjekur të marrim sa më shumë prodhime. Po a nuk duhet që të kujdesemi po kaq për fëmijët tanë që s'vlejnë më pak se druri, guri, pema dhe dheu? Përkundër dy dezavantazheve të tilla si tkurrja e mosinteresimit dhe harbimi i përpjekjeve destruktive, fëmijët zotërojnë avantazhin e vetëm të gjërave të mira që do t'u japin prindërit. Sigurisht, po të mos u bëhet një ndërhyrje pozitive, marrin erë dhe prishen në duar të të tjerëve. Në të dy situatat ndjekin një vijë pavarësisht prej nesh ose në kundërshtim me ne. Në mënyrë të veçantë në ditët tona, meqë prindërit janë kredhur me gjithçka në punët e kësaj bote, i kanë braktisur fëmijët plotësisht. Madje është e pamundur të tregohet një shekull tjetër kur fëmijët të jenë lënë pas dore sa në këtë shekull.
Përsëri në një hadith me burim imamít, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) jep një ferman me këto fjalë: "Në Kohën e Fundme, mjerë për fëmijët për shkak të baballarëve!" Sahabet e pyesin të habitur:
- U goditën për shkak të baballarëve politeistë dhe humbën?
- Jo, baballarët besimtarë i vranë ata!
- Si ndodhi, o i Dërguari i Allahut?
- Baballarët s'ua mësuan atyre shtyllat e fesë!
Këtë hadith, porosi profetike, mund ta shtjellojmë shkurtimisht kështu:
Shtyllat e fesë u braktisën për këtë botë të vogël. Ata që e patën për detyrë, e nënvleftësuan krejtësisht edukimin fetar duke i përqëndruar të gjitha përpjekjet vetëm për jetën materiale. Ata e lanë mënjanë jetën ndjesore e shpirtërore për interesa të një bote të vogël.
Ata nuk i dhanë rëndësi mësimit të njohurive fetare duke menduar se këndimi i Kur'anit, mësimi dhe njohja e frymës së tij, mësimi dhe praktikimi i fesë na marrin kohë.
Kuptimi i hadithit të mësipërm paraqet një përputhje të plotë me këtë ajet:
"Jo, jo, ju e pëlqeni shumë atë që e ka shpërblimin dhe kënaqësinë të çastit, kurse ahiretin (përfundimin e kësaj) e nënvleftësoni!" (Kur'ani, Kijame, 75/25)
I Dërguari i Allahut e vazhdon fjalën e tij kështu: "Unë s'kam të bëj me ta, as ata mos paçin të bëjnë me mua!"
Me fjalë të tjera, ai do të thotë: "Unë s'kam të bëj me ata prindër që e lënë pas dore fëmijën, që i mbyllin sytë para humbjes së fëmijës, për më tepër, që nuk dridhen përballë shkatërrimit të një brezi; edhe ata mos paçin të bëjnë me mua!" Pandeh se të gjithë baballarët që nuk kanë vdekur shpirtërisht, rrëqethen dhe dridhen para këtij paralajmërimi të ashpër dhe duhet të dridhen! Kur kalifit Omer bin Abdylazizi iu tregua për një përgjegjësi të tillë të rëndësishme e jetësore, i ra të fikët dhe nuk u përmend dot për njëzet e katër orë. Madje nisën t'i rrijnë mbi krye e t'i këndojnë Kur'an me mendimin se po vdes. Pastaj, kur u përmend, nisi të qante e të thoshte se kishte frikë nga Allahu. Po, ai e ndjente mbi supe përgjegjësinë e atyre që kishte nën vete dhe tronditej me frikën se mos po ua shkelte të drejtat.
Po ne? Ne, të pamëshirshmit në trajtën e nënës dhe babait që nënvleftësojmë ndjenjat dhe shpirtin e fëmijëve që i sollëm në këtë jetë në atë folenë familjare të ngritur duke marrë për bazë kënaqësitë personale, sa herë duhet të humbim ndjenjat dhe sa duhet të dridhemi?
Ç'është e vërteta, të gjitha hadithet rreth kësaj teme janë të tilla që afrojnë ose frikësojnë. Edhe ne, nga ky këndvështrim e trajtojmë çështjen. Por, natyrisht, kemi edhe shumë gjëra për të bërë, janë përgjegjësitë që na kanë ngarkuar islami dhe Kur'ani për rritjen dhe formimin e fëmijëve tanë. Janë çështjet që i radhitëm më parë në formë parimesh e që mendojmë t'i shtjellojmë më tej, çështje, këto, shumë të rëndësishme, si edukimi i fëmijëve tanë si njerëz të ndjeshëm, të thellë, të moralshëm e fetarë dhe edukimi edhe i vetes sonë si një baba i vyer e si një nënë e vyer në atë familje.
a) Ruajtja e drejtësisë mes fëmijëve
Në krye të këtyre çështjeve vjen parimi i trajtimit të barabartë të fëmijëve, pra, i mosparapëlqimit të dikujt ndaj dikujt tjetër. Edhe gabimi ose e meta më e vogël në këtë çështje mjafton që të na bëjë ne të paaftë për të ndikuar mbi fëmijët tanë. Sa kuptimplote janë orientimet e Profetit tonë (s.a.s.) në këtë çështje.
I ati i Numan ibn Beshirit (r.a.), Hz. Beshiri (atë e bir qenë muslimanë dhe nga shokët e Profetit që morën pjesë në luftën e Bedrit), shkoi te Profeti dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut, kam edhe fëmijë të tjerë, por Numani është tjetër. Po të më lejosh, dëshiroj t'ia jap Numanit kaq përqind të pasurisë!
Profeti (s.a.s.) e pyeti:
- A do t'u japësh edhe të tjerëve nga kaq?
- Jo, i tha Beshiri.
Duke ia drejtuar fjalën të gjithë të pranishmëve, i Dërguari i Allahut tha kështu:
- Kini frikë Allahun dhe trajtojini fëmijët me drejtësi!
Pastaj, duke iu drejtuar Beshirit, i tha:
- A dëshiron që të gjithë fëmijët të të respektojnë njëlloj?
- Po, - iu përgjigj Beshiri.
- Atëherë, mos vepro kështu![3]
I Dërguari i Allahut propozon një zgjidhje parimore të çështjes dhe e ezauron nga themeli një problem të mundshëm. Sigurisht, brenda një shtëpie, parapëlqimi i njërit fëmijë ndaj të tjerëve së pari nxit te fëmijët e tjerë ndjenjën e zilisë ndaj vëllait apo motrës së zgjedhur duke i bërë dalngadalë fëmijët, vëllezër e motra, armiq të njëri-tjetrit. Mos mendoni se këto çështje përpiqemi t'i shpjegojmë duke u mbështetur në parimet e ngushta të psikologjisë. Ne këtu përqëndrohemi mbi universalitetin e të vërtetave që Kur'ani kërkon të na i bëjë të njohura për shpirtrat, mbi përshtatshmërinë e atyre të vërtetave ndaj natyrës së njeriut, mbi objektivitetin, logjikshmërinë dhe karakterin njerëzor të tyre.
Siç dihet, Jusufi (a.s.) pati parë në ëndërr yjet, hënën dhe diellin të binin në sexhde para tij. Kur ia pati hapur të atit këtë situatë të gëzueshme dhe krenaridhënëse, ai i pati thënë: "O bir, mos ua trego vëllezërve këtë!" (Kur'ani, Jusuf, 12/5) Ai njeri i madh që e njihte natyrën njerëzore me një thellësi profetike, e pati parashikuar se një çështje e tillë do të zgjonte ndjenjën e zilisë tek të vëllezërit dhe pati menduar se tregimi i një ëndrre të tillë njerëzve që s'e kishin arritur ende purifikimin e vetvetes (nefsit, egos), do të shkaktonte tek ta zili. Për fat të keq, gjërat që pati frikë ai, ndodhën, të vëllezërit e hodhën Jusufin në pus për të vdekur aty, duke nxjerrë në shesh me këtë ngjarje faktin se ku mund ta çojë mosdurimi njeriun qoftë edhe në një familje profetike!
Sigurisht, është krejt e qartë se parapëlqimi në dashuri dhe çështje të tjera i njërit fëmijë ndaj të tjerëve do të nxisë ndjenjën e zilisë të fëmijëve të tjerë dhe, pa u kuptuar fare, si rrjedhojë e trajtimit të diferencuar të prindërve, do të ushqejë tek ta një ndjenjë urrejtjeje të nënvetëdijshme.
Këto konsiderata i kuptojmë më mirë kur i mendojmë së bashku me shkaqet, faktorët dhe burimet e tyre të nënvetëdijshme. Ju keni një shok shumë të sinqertë e aq të afërt saqë s'bëni asgjë pa njëri-tjetrin. Mirëpo, gjithsesi, një herë nuk është treguar dot bujar ndaj jush dhe, në një moment, me egoizmin e tij, ka shfaqur një sjellje që nuk e keni pritur aspak prej tij. Dhe ju, dashje pa dashje, e keni shtresuar këtë në një skaj të kujtesës. Pothuajse çdo ngjarje kalon duke lënë një gjurmë në trurin e njeriut për t'u ringjallur me fuqi, pastaj, me anë të një ngjarjeje tjetër. Kështu edhe ju, më vonë, para një ngjarjeje që jua kujton dhe jua ndez ato ndjenja të pakëndshme që flejnë në heshtje në nënvetëdijen tuaj, zemëroheni menjëherë dhe i thoni atij: "Fundja unë e pata kuptuar qysh në fillim se i tillë je ti!"
Dhe tani mendoni grumbullimin një mbi një të këtyre ngjarjeve negative dhe ringjalljen me forcë të disave prej tyre. Dhe ç'bëni atëherë ju? Pothuajse të gjitha këto turbullira të ardhura nga një e kaluar e gjatë ia përplasni atij njeriu në fytyrë dhe pastaj përpiqeni t'i dilni në mbrojtje vetvetes (nefsit, egos) tuaj. Ja, pra, kështu do të ndodhë edhe me fëmijën tuaj, mendimet e të cilit, të shtresuara në kujtesë apo nënvetëdijë, do të ringjallen me forcë dhe një qëndrim çfarëdo i juaj negativ mes fëmijëve do ta zemërojë dhe nxisë atë kundër jush duke dhënë si rezultat që ai të mos ju dëgjojë dhe të mos ju bindet fare!
Në fakt, kjo përbën vetëm një aspekt të çështjes. Po qe se do ta trajtonim çështjen duke përfshirë në të gjithë jetën e fëmijës, puna ndërlikohet edhe më shumë. Sidomos po qe se ju ia lini çdo gjë fëmijërisë së tij dhe nuk futni në llogari ndryshimet që mund të pësojnë ndjenjat e tij në të ardhmen, do të vijë pa u kuptuar një ditë që të shembeni nën peshën e gabimeve tuaja. Ju mendoni se sjelljet kontradiktore, fjalët, veprimet negative brenda shtëpisë, për të cilat fëmija bëhet dëshmitar, ai në të shumtën e rasteve nuk i kupton, u kalon anash dhe i harron, kurse të gjitha ato regjistrohen ndoshta për të mos u fshirë kurrë në një skaj të kujtesës së tij sikur të regjistroheshin në një fletore. Pastaj vjen koha dhe ato dalin në shesh të tëra menjëherë dhe kjo dalje, ky shpërthim jashtë, disa herë bëhet i tillë që ta marrë para duke e zvarritur tërë familjen bashkë me nënën dhe babanë!
Prandaj çdo njeri që kërkon të bëhet nënë e baba, duhet të dijë, në një nivel të caktuar, pedagogji e psikologji ose, më e pakta, t'i njohë parimet përkatëse të Kur'anit dhe pastaj t'i thotë "Bismil'lah" një jete të re!
Rritja e fëmijëve nuk është një çështje e thjeshtë. Dikur qeshë bërë kureshtar pas bletëve dhe pata ndjekur një kurs për bletërritës. Dhe atëherë e pashë se sa e vështirë qe të merresh me bletë! Po si kjo, duhet mësuar patjetër rruga e rritjes dhe përgatitjes së brezave të mirë për t'i dhënë shoqërisë individë të mirë. Askush s'duhet ta harrojë se sa i rëndësishëm është edukimi i një qenieje me potencial të madh që përjeton sa e sa vajtje-ardhje mes nivelit më të lartë dhe nivelit më të ulët të vlerave të ekzistencës së vet, për ta ngjitur atë në nivelin më të lartë të të qenit njeri!
b) Fëmijët duhen trajtuar me seriozitet
Profeti (s.a.s.) i trajtonte fëmijët me shumë seriozitet. Kur i vinin pranë fëmijët, ai, si të ishin të mëdhenj, u drejtohej me politesë, pastaj i merrte ata dikë mbi shpinë, dikë në prehër dhe, duke i trajtuar barazisht, i linte të kënaqur të gjithë.
Disa herë, kur takonte në rrugë fëmijë që luanin, u drejtohej si të mëdhenjve duke i përshëndetur: "Es-selamu alejkum, paqe ju!" Atëherë edhe ata i përgjigjeshin po aq seriozisht: "Ve alejkum selam, paqe edhe ty, o i Dërguari i Allahut!"[4] Ai u jepte shumë vlerë fëmijëve. Po qe se i kishte dhënë fjalën një fëmije për t'i dhënë diçka në një ditë dhe orë të caktuar, patjetër do ta çonte në vend fjalën sikur të kishte bërë marrëveshje me një të rritur!
c) Përftimi i ndjenjës së bindjes
Njëri nga mendimet e turpshme për njerëzimin është edhe ky: "As tyt eti nuk duhet t'i bindesh!" Eshtë një mendim filozofik dhe i gabuar. Profeti (s.a.s.) u sugjeronte të tjerëve gjithmonë idenë e bindjes dhe fëmijët që e njihnin nga afër, nuk dinin gjë tjetër për të veç bindjes. Në sy të çdokujt ai ishte emin, i besueshëm, i bindur. Gjithsesi, edhe shoqëria e përbërë prej individësh të tillë, do të ishte e besueshme dhe e bindur.
Veçanërisht, Profeti (s.a.s.) ia tërhiqte vëmendjen ummetit, bashkësisë së tij, se "Allahu nuk e mëshiron atë që nuk tregon mëshirë për fëmijën e vet"[5] dhe u bënte thirrje besimtarëve që të bëheshin njerëz të ndjeshëm e me zemër të madhe. Ai e porosiste bashkësinë e tij në lidhje me fëmijët: Duajini ata! Kur t'u jepni fjalën, ta çoni në vend patjetër! Ata s'duhet të shohin kundërshti mes fjalëve dhe veprimeve tuaja, ata s'duhet të bëhen dëshmitarë të një gjëje të tillë!
Përsëri sipas një hadithi me burim imamít, Profeti porosit: "Po qe se dikush prej jush i premton fëmijës një gjë, ta mbajë premtimin sido që të bëhet!" Kjo na e bën krejt të qartë se sa i gabuar është mendimi, "fëmijë është, edhe sikur ta gënjej, s'bëhet gjë"!
Pa dyshim, çdo gënjeshtër dhe çdo thënie kontradiktore, si një farë e mbjellë në kokën e tij, në mos sot, nesër do të mbijë si një bimë helmuese dhe do t'i paralizojë përpjekjet tuaja edukative. Prindërit duhet të jenë gjithmonë të drejtë e në rrugë të drejtë. Fundja prej jush që jeni njerëz të rrugës së drejtë, s'pritet tjetër veçse drejtësi!
Në asnjë mënyrë s'duhet t'u lini shteg fëmijëve që të thonë për ju: "gënjeu", "s'e mbajti fjalën", "u tregua i pangopur", etj. Ata duhet t'ju shohin dhe t'ju dinë juve gjithmonë si vetëmohues, besnikë, të fjalës, besimtarë, të durueshëm, të ndershëm, të virtytshëm!
d) Shkallëzimi në edukim
Fëmija duhet të dijë ato gjëra që duhet të dijë e s'duhet t'i mësojë ato gjëra që s'duhet t'i dijë. Ai duhet të mësohet dhe edukohet në mënyrë të shkallëzuar sipas moshës. Këtë çështje mendojmë ta trajtojmë më gjerësisht në pjesët më tej.
Ashtu siç e ushqejmë fëmijën e porsalindur duke u mbështetur në porositë e specialistëve përkatës, ashtu dhe duhet ta mësojmë dhe edukojmë atë sipas porosive të specialistëve përkatës.
Po qe se fëmijës që ka ardhur në moshën e shkollës së mesme, i thoni kategorikisht, pa asnjë argument, "Zoti ekziston", kjo mund të mos vlejë për gjë tjetër veçse që ai ta mohojë Zotin. Ndoshta në atë moshë duhen dhënë njohuri të kombinuara shkencore-filozofike që të ndikojnë anasjelltas mbi formimin tek ai të opinionit mbi ekzistencën e Zotit. Por po qe se ngriheni për t'i mësuar fëmijës filozofi qysh në vitet e para të shkollës, do t'ia turbulloni mendjen krejt. Atëherë, pra, ashtu si një mjek, jemi të detyruar që t'i japim disa gjëra fëmijës duke pasur parasysh nivelin e tij, moshën, mjedisin kulturor, etj.
[1] Buhari, Xhuma, 11; Xhenaiz, 32; Istikraz, 20. Muslim, Imare, 20.
[2] Buhari Xhenaiz, 80; Tefsir i sures 30, ajeti 1; Kader, 3; Muslim, Kader, 22, 23, 24.
[3] Buhari, Hibe, 12-13; Nesai, Nuhl, 1; Tirmidhi, Ahkam, 30; Ibni Maxhe, Hibe, 1.
[4] Ebu Davud, Edeb, 135, 136; Ibni Maxhe, Edeb, 14; Ibnu Ebi Shejbe, 5/61.
[5] Hejsemí, Mexhmau'z-Zevaid, 8/155.
- Publikuar më .