Njoftimet e Hz. Muhammedit mbi te ardhmen janë argumente te profetesise dhe te dergeses se tij profetike

1. Nuk është një çështje aq e thjeshtë që një njeri t’i shqyrtojë dhe tregojë ngjarjet aktuale me të gjitha hollësitë gjer në pikat më të imta, aq më pak të flasë për të ardhmen! Kështu, cili politikan, sociolog apo gjeni i madh mund të bëjë pohime kategorike për 50-100 vjet më vonë? Gjithçka që mund të bëhet në këtë drejtim, janë disa parashikime duke u mbështetur mbi parimin shkak-pasojë dhe mbi një sërë ligjesh e përvojash historike.

2. Sipas shprehjes së Kur’anit, të fshehtën s’mund ta dijë askush veç Allahut dhe, duke ua treguar Allahu, profetët dhe disa njerëz të favorizuar nga Allahu. Sigurisht, i takon vetëm Allahut të thotë fjalë të prerë mbi ngjarjet që kanë për të ndodhur në të ardhmen. Megjithëkëtë, po qe se del një njeri dhe bën një parashikim kategorik mbi të ardhmen, do të thotë se ai mund të jetë një profet që meriton ta njoftojë Allahu.

Në Kur’an dhe në hadithet profetike ka shumë shembuj mbi këtë çështje, por ne do të mjaftohemi vetëm me disa prej tyre duke ia lënë lexuesit shqyrtimin e të tjerave.

A. Në ajetet 1-5 të sures Rum njoftohet se bizantinët u mundën, por brenda nëntë vjetësh do të dalin fitues dhe kjo fitore e tyre do t’i gëzojë besimtarët. Këtu na duhet të sqarojmë veçanërisht disa pika.

a) Lajmi mbi një fitore të ardhshme jepet në një kohë kur kushtet s’janë aspak të përshtatshme, e thënë ndryshe, menjëherë pas një disfate të rëndë.

b) Rrjedhojat që do të shkaktonte vërtetimi i kundërt i këtij lajmi, do të lindnin të kundërtën e synimit të tij.

c) Kur dihet se, normalisht, në ç’gjendje të vështirë e vënë personin fjalët dhe premtimet e parealizuara, delikatesa dhe rëndësia e lajmërimit kaq të hershëm të një ngjarjeje në një kohë kur vetë çështja profetike kishte nevojë për t’u vërtetuar dhe bëheshin përpjekje për këtë gjë, s’kanë nevojë për sqarim.

ç) Lajmi për gëzimin e muslimanëve, në të vërtetë, aludonte për fitoren e Bedrit. Lufta e Bedrit ndodhi dy vjet pas hixhretit, kurse shtatë vjet para hixhretit, kur u dha lajmi, gjendja e muslimanëve s’ishte aspak e tillë që të paralajmëronte një fitore në një të ardhme të afërt! Të lajmërosh pranverën kur fillojnë të çelin lulet, është e lehtë, por duhet të mendohesh mirë para se t’u japësh njerëzve lajmin e gëzuar se po vjen pranvera në mes të dimrit, nën borë e akull!

B. Edhe fakti që sureja Fet’h (Fitorja) zbriti dhe lajmëroi triumfin e Mekës në një kohë kur dukej sikur pothuaj të gjitha kushtet ishin në disfavor të muslimanëve dhe menjëherë pas paktit të Hudejbijes që i kishte hapur rrugë pothuajse shthurjes së sahabeve, shokëve të Profetit, tregon se Profeti ndodhej nën mbështetjen e Allahut. Në kushte krejt të pafavorshme, kjo sure thoshte me një siguri kategorike se muslimanët do të hynin në siguri të plotë në Qabe dhe se Islami do të triumfonte mbi të gjitha fetë!

C. Personi të cilit i garantohej jeta me dekretin “Vallahu jathimuke min en-nas”, “Allahu do të të mbrojë nga njerëzit” (Maide, 5:67) në një kohë kur mbi krye i vërtiteshin shpata, kur mbi të dërgoheshin ushtri dhe kur vdekja mund ta prekte në çdo çast, personi i cili, në një kohë kur ndiqej këmba-këmbës nga armiqtë për ta vrarë dhe kur vdekja i qe afruar në thembër të këmbëve, mundej t’i thoshte të vetmit shok që kishte me vete, “mos u mërzit, Allahu është me ne”, dhe personi i cili, ndërsa armiqtë që u ishin errur sytë, bënin garë me njëri-tjetrin se kush ta vriste më parë, mundej ta qetësonte të bijën me fjalët “mos u shqetëso, bija ime, se Allahu nuk do ta lërë të humbë tët atë”, ky person, pra, kush mund të ishte veçse profeti vetë?

Ç. Personi që ka thënë se kufoma e faraonit i cili kishte jetuar 2500 vjet para tij, do të nxirret nga deti dhe do të ruhet për t’iu treguar brezave të mëvonshëm (Junus, 10:92), mund të jetë vetëm një profet. Ky paralajmërim që nuk ishte në Testament, u realizua në vitin 1881 me zbulimin e varrit të mbretërve dhe kufoma e pakalbur e faraonit, shekuj më pas u vendos në një muze të Anglisë.

D. Profeti ynë ka paralajmëruar me hollësira të ndryshme për shumë ngjarje të së ardhmes sikur të rrinte para ekranit të televizorit e t’i vështronte dhe këto paralajmërime janë vërtetuar siç i ka bërë ai, përveç edhe shumë paralajmërimeve të tjera që kanë për të dalë. Por ne përsëri do të mjaftohemi vetëm me pak shembuj.

a) Sipas rrëfimit të Buhariut, kur ndodhej ende në Mekë, Profeti i ka thënë kështu Habbab bin Eretit: “Allahu do ta plotësojë këtë fe, do t’u japë humbjen armiqve të saj dhe muslimanëve, fitoren. Dhe atëherë, një grua e vetme do t’i hipë devesë në Sana për të bërë katër ditë udhe në shkretëtirë gjer në Hadramut pa pasur frikë prej askujt veç Allahut!” Ky paralajmërim i Profetit qe vërtetuar qysh në kohën e kalifëve rashidinë!

b) Profeti pati thënë: “Pas meje, të mos largoheni nga rruga ku shkojnë Ebu Bekri dhe Omeri!” Me këto fjalë ai pati aluduar edhe se kishte për të vdekur para tyre, edhe se Ebu Bekri dhe Omeri do të ishin kalifët e parë.

c) Profeti pati paralajmëruar: “Kalifati vazhdon edhe tridhjetë vjet pas meje, pastaj fillon sulltanati!”[1] Edhe ky paralajmërim qe vërtetuar po kështu.

ç) Sipas rrëfimit të Tirmidhiut, Profeti ka thënë: “Osmani do të vritet duke kënduar Kur’an!” Edhe ky paralajmërim është vërtetuar siç është bërë.

d) Profeti pati thënë se “pushtimi i kalasë së Hajberit do të bëhet me dorën e Aliut” dhe ashtu pati ndodhur.

dh) Kur Sad bin Ebi Vakkas ndodhej i sëmurë rëndë, Profeti i pati shkuar për vizitë e i pati thënë kështu: “Do të rrosh edhe shumë gjatë dhe ndërsa shumë vetë do të kenë dobi prej teje, shumë të tjerë do të pësojnë dëm!” Sadi u shërua, jetoi edhe shumë vjet të tjerë dhe e shembi shtetin iranian duke vërtetuar thënien e Profetit!

e) Profeti pati paralajmëruar se Ebu Dheri do të jetojë i vetëm dhe do të vdesë i vetëm, se Ammari do të vritet nga njerëz të ulët dhe gjëja e fundit që do të pijë, do të jetë qumësht, se Thuraka do të vërë byzylykët e Khosroes, se i pari pjesëtar i familjes së tij që do të vdesë pas tij, do të jetë e bija Fatime, se Ummu Harami do të marrë pjesë në fushatën e Qipros dhe të gjitha këto paralajmërime qenë vërtetuar.

f) Profeti pati paralajmëruar pushtimin mongol të Çengiz Khanit, duke thënë: “Kiameti nuk shpërthen para se ju të luftoni me banorët e vendbanimeve joarabe Hudh dhe Kirman. Njerëzit e atij populli e kanë fytyrën të kuqe, hundën të shtypur e të rënë dhe sytë të vegjël, kurse në këmbë mbathin opinga leshi.” Hollësirat në lidhje me fytyrat në këtë paralajmërim mund t’i japë vetëm një profet!

g) Para se të fillonte beteja e Bedrit, Profeti pati treguar me gisht vendet ku do të vriteshin politeistët mekas dhe shenjat e tij qenë vërtetuar.

gj) Profeti pati paralajmëruar se nga fisi Thekif do të dilte një gënjeshtar dhe një gjakderdhës. Më pas, Muhtaru Thekafi dhe Haxhaxhi Dhalim e patën vërtetuar paralajmërimin e tij.

h) Profeti pati paralajmëruar në mënyrë të veçantë për triumfin mbi vende të tilla si Stambolli, Egjipti, Irani, India, Jeruzalemi dhe Qiproja.

Pas të gjitha këtyre, a mund të lindë dyshim mbi faktin se personi, në paralajmërimet e të cilit nuk ndodhi kurrë ndonjë lajthitje ose kundërshti, është një profet i ngarkuar me këtë detyrë nga Zoti? Dhe a nuk përbën fakti se paralajmërimet e tij mbi të ardhmen qenë vërtetuar plotësisht, argument se edhe paralajmërimi i tij për të ardhmen e amshuar do të vërtetohet pa asnjë dyshim?

3. Meqë njeriu, për shkak të natyrës së tij, është kërkues dhe i dhënë pas shpërblimit paraprak dhe në dorë, pra, sot për sot e jo nesër për sot, premtimet për të ardhmen, sado të mëdhe a të kënaqshme të jenë, mbeten të pamjaftueshme për ta vënë në lëvizje. Kështu, duke mos marrë parasysh kënaqësitë e xhennetit, parajsës, bëhet viktimë e kënaqësive që ka në dorë, kënaqësi të një lloji si lojrat e fëmijëve! Ja, pra, në kundërshtim me këtë cilësi të natyrës së njeriut, Profeti, duke mos bërë asnjë premtim paraprak veç premtimit të jetës tjetër pas ringjalljes, pati hyrë në zemrat e njerëzve, i pati vënë në lëvizje ata dhe pati bërë që ata ta rregullonin jetën e tyre sipas këtij premtimi. Ta drejtosh njeriun e dhënë pas shpërblimit konkret, paraprak dhe në dorë, me premtime dhe shpërblime të mëvonshme ose pas vdekjes, mund dhe duhet të jetë cilësi e posaçme vetëm për profetët!

Nuk kanë qenë vetëm sahabet, shokët e Profetit, që, duke u besuar premtimeve të së ardhmes të Profetit, e kanë rregulluar jetën sipas tyre pa u gënjyer nga shpërblimet e çastit dhe duke e nënçmuar jetën e kësaj bote. Ka mbi katërmbëdhjetë shekuj që ata që kanë ecur dhe vazhdojnë të ecin në gjurmët e Tij, të lidhur pas sistemit të sjellë prej Tij, duke e sakrifikuar jetën e vdekshme me jetën e pavdekshme siç patën bërë të parët, edhe e kanë pranuar dhe vërtetuar drejtësinë e Tij, edhe e kanë treguar praktikisht se thëniet e Tij mbi të ardhmen do të vërtetohen identikisht!

4. Njerëz me zgjuarësi të lartë që kanë njohuri të thella historike, që dinë të përfitojnë nga ngjarjet e ndodhura dhe përvojat dhe janë të pajisur me aftësinë dhe mundësinë për ta vlerësuar mirë të kaluarën, mund të bëjnë parashikime mbi të ardhmen, por, ndërkaq, këto janë si parashikimet e motit ose njohja e gjendjes së fetusit në mitër në bazë të shenjave të caktuara të shfaqura jashtë, pra që nuk përbëjnë më gjë të fshehtë. Kurse e ardhmja e paralajmëruan nga Profeti ynë është një e ardhme pa asnjë tregues, pa shenja paraprake dhe veçori të tjera të shfaqura, të dala në shesh, të dukshme, për më tepër, një e ardhme që, në kushtet krejt të pafavorshme kur paralajmërohet, duket e pabesueshme se do të realizohet! Dhe të shprehesh në mënyrë të prerë dhe në siguri të plotë mbi një të ardhme të tillë, mund të shpjegohet vetëm me anë të mësimit dhe mbështetjes hyjnore!

5. Në paralajmërimet e tij mbi ngjarje të së ardhmes, Profeti kurrë nuk pati përdorur shprehje supozimi, dyshimi apo mundësie të kundërt, si pandeh, mendoj, shpresoj, parashikoj, ndoshta, mbase, mundet, ka mundësi, ka shumë mundësi, mundet edhe që, etj. Ai qe shprehur kurdoherë në mënyrë krejt të sigurtë e të prerë: do të bëhet, do të shihni, do të bëni, etj.

6. Njeriu e ka krejt të pamundur të flasë për të ardhmen në tema dhe çështje që nuk i ka jetuar vetë, që nuk i ka provuar, me të cilat nuk është përballur në veprimtarinë e tij profesionale dhe që nuk hyjnë në fushën e tij. Kurse Profeti ynë, para profetësisë as pati formuar ndonjë ushtri, as pati zhvilluar ndonjë luftë, as pati formuar ndonjë grup apo shoqatë, as pati ngritur ndonjë shtet dhe as pati arritur ndonjë fitore. Por pastaj ai u bë prijës në çdo fushë dhe bëri parashikime dhe njoftime të prera mbi të ardhmen dhe një gjë e tillë është një dukuri krejt e veçantë që mund të shpjegohet vetëm me profetësinë!

7. Për të ardhmen mund të bëhen vetëm parashikime të mundshme (jo të prera, kategorike), kurse e kaluara njihet jo me anë të mendjes (duke e vrarë mendjen, duke arsyetuar), por me anë të informacionit të përcjellë. Nuk mund të thuhet gjë për të kaluarën pa pasur libra të shkruar mbi të, dokumenta historike, gjetje dhe prova objektive të nxjerra nga gërmimet arkeologjike, pa kërkime, hulumtime dhe studime. Kurse Profeti, para së gjithash, nuk dinte shkrim e këndim që të mund të lexonte diçka. E dyta, në kohën e tij, pra, në shekullin VII, as zhvillim shkencash dhe shkenca të zhvilluara, as dokumenta s’kishte, kurse për gërmime arkeologjike as që bëhej fjalë. Atëherë, me se do ta arsyetojmë dhe shpjegojmë faktin që, në këto kushte personale e të përgjithshme, ai dha njoftime si për të kaluarën, ashtu dhe për të ardhmen, veçse me profetësinë dhe detyrën e tij profetike?

Përfundim. Një njeri që, pasi ka mësuar për njoftimet dhe parashikimet e sakta të një Personi pa shkrim e këndim mbi të shkuarën dhe të ardhmen, përsëri nuk e pranon Atë si profet dhe nuk ushqen afërsi dhe dashuri për të, është i detyruar të zgjedhë njërën prej këtyre dy alternativave:

a) Ky njeri me zgjuarësi të mprehtë mbinjerëzore dhe me gjenialitet tejet të gjerë e efektiv, i sheh dhe i di si një pikë të vetme të shkuarën e të ardhmen, i përfshin, i zbulon dhe i njeh të gjitha kohët pa asnjë mundësi lajthitjeje e vetëmashtrimi, i sheh dhe i vëzhgon centimetër për centimetër të gjitha hapësirat, nga lindja në perëndim, nga detet dhe oqeanet, në kontinentet dhe çdo ngjarje, çdo ndodhi të mbaruar e që ka për t’u bërë, i vëzhgon në të njëjtin çast me të gjitha hollësitë, i mban në kujtesë dhe ua përcjell të tjerëve pa i harruar dhe pa i ngatërruar. Por këto veti dhe cilësi janë jo njerëzore, por sublime, hyjnore dhe gjenden vetëm te Allahu!

b) Ky njeri është i dërguar nga Allahu, krijuesi dhe zotëruesi i të gjitha kohëve dhe hapësirave, Zoti i gjithësisë, pra, është një profet i cili, nën drejtimin e Allahut, i zotëron këto cilësi dhe veti si mrekulli, dhe ky njeri është i Dërguari i Allahut, Hz. Muhammedi, i dërguar si profet i mëshirës për të gjitha botët!

Ndërsa e vërteta qëndron kështu, ata që tentojnë ta mohojnë Atë duke e karakterizuar me shprehje të pahijshme për dinjitetin profetik, si “njeri shumë i mençur, gjeni i mençur e i zgjuar që i dha disa gjëra njeriut të shkretëtirës”, janë trutharë të mjerë që s’bëjnë tjetër veçse përpiqen t’i çorientojnë dhe paralizojnë mendjet e reja me një dialektikë të këtij lloji!


[1] Sulltanati, mbretërimi, luksi dhe shkëlqimi.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.