Mrekullitë nuk mund të mohohen

1. Para së gjithash, mohimi i mrekullisë, i Krijuesit të mrekullisë dhe i personave të krijuar në dorë të mrekullisë nuk i përftojnë njeriut asgjë në lidhje me mendimin. Prandaj, gjëja që i ka hije njeriut të mençur është jo të thotë menjëherë “s’ma merr mendja”, por të mendohet dhe të vlerësojë.

Të mendosh se “s’ta merr mendja” ose ta shndërrosh këtë paragjykim në mënyrë të menduari është krim kundër mendjes, diturisë dhe shkencës. Sa e sa zbulime, shpikje dhe gjetje teknike të cilat në fillim në përgjithësi ose mendja e disave nuk i ka marrë, janë arritur gjithmonë me grindje dhe luftë mendore, ashtu që kjo ethe të menduari s’i ka lënë kohë personit të rruhet, s’i ka dhënë rast të nxjerrë këpucët dhe këmishën, e ka bërë shpesh ta harrojë rrugën e shtëpisë dhe e ka katandisur të përsillet nëpër rrugë me një veshje qesharake!

Qeniet e privuara nga aftësia e të menduarit, megjithëkëtë, e kryejnë atë që u takon në mënyrën më të përsosur. Nëse njeriu nuk e përdor me vend këtë aftësi, të paktën të mendojë se pas kujt do të mbetet dhe në ç’masë!

Pretendimi “nuk ma merr mendja” nuk mund të jetë justifikim për njeriun. E kundërta, ne mendojmë dhe mendja na e merr fare mirë se Profeti mund t’i tregojë shumë lehtë mrekullitë. Mendojmë dhe nuk shohim ndonjë mundësi tjetër veç pranimit se nuk mund të ketë gënjeshtër në mrekullitë e atij personi, prej të cilit nuk ka dalë asnjë gënjeshtër; nuk shohim dhe, më shumë se sa me ata që i kanë quajtur mrekullitë e tij “magji” ngaqë s’kanë mundur t’i mohojnë dot, habitemi veçanërisht me qëndrimet mohuese dhe mendjet “që s’marrin” të atyre që përpiqen sot me interpretime të ndryshme t’i turbullojnë mendjet.

2. T’i mohosh mrekullitë, në një vështrim, do të thotë t’i mohosh ekzistencën e Allahut, Kur’anin si fjalë të Allahut dhe profetësinë e Muhammedit, një mohim, ky, që i kapërcen shumë edhe mendjen, edhe mendimin! Sepse, ndërsa për këto të vërteta edhe një argument është i mjaftueshëm, ka me mijra argumente, kurse në dorë të mohuesit në ka asnjë argument që ta nxjerrë të drejtë mohimin e tij dhe, në fakt, nuk mund të ketë. Gjëja që ai e quan argument, mund të jetë errësira e krijuar ngaqë ai i ka mbyllur sytë ndaj diellit ose dhoma e vogël e shpirtit dhe e zemrës së tij që ai e ka zhytur në errësirë duke e shuar qiriun!

Përballë dhjetra mijra profetëve, miliona të urtëve dhe miliarda besimtarëve, gjendja e mohuesit me “jo”-në e tij më të dobët e të paqëndrueshme se filli i pambukut dhe pezhishka e merimangës dhe me vlerën të barabartë me zero, nuk është e ndryshme nga gjendja e atij fatkeqi të mjerë që përpiqet të nxjerrë ujë nga pusi me një kovë pa fund, që, pasi ka hyrë në një pallat madhështor vepër arti e arkitekture, sheh një gur të lënë diku në mes me një qëllim të caktuar dhe thotë se në atë pallat s’ka rregull dhe se çdo gjë është e rastit, ose, pasi sheh të vetmen derë të mbyllur ndër mijra dyer të hapura të tij, thotë se në atë pallat s’mund të hyhet!

3. Miraxhi është fryti i adhurimit të Profetit ndaj Zotit, i pozitës së tij si rob i Zotit dhe i zbatimit gjer në fund prej tij të domosdoshmërive të pozitës së robit ndaj Zotit. Kush e edukon frymën, egon e tij, menjëherë shpirtin t’i marrë zhvillim e t’i lartësohet. Bëni dy vjet një jetë të përkorët dhe duke e pastruar egon dhe do ta dalloni menjëherë se po ngjiteni drejt lartësirave. Këto dukuri të vëna re shumë te njerëzit e afërt të Zotit, mund të kuptohen dhe shpjegohen me anë të aftësisë vlerësuese të shpirtit dhe aftësisë ndjerëse e konfidenciale të zemrës. Ai që nuk shijon, nuk sheh, nuk ndjen, nuk mund të kuptojë e dijë asgjë. Po qe se kjo do të ishte halucinacion, atëherë duhet të ngjante edhe te njeriu në mejhane, edhe te njeriu që viziton, nderon apo adhuron tempujt. Këto janë gjëra që shfaqen si favor i Allahut në përfundim të vetëpërkushtimit në adhurim. Prandaj, tentativa për ta matur këtë ngjitje lart, këtë lartësim, fizikisht, është njësoj sikur të përpiqesh t’i matësh çështjet që i përkasin botës së përtejme me njësitë e matjes ose kriteret e kësaj bote. E ku është parë të peshohen floriri e margaritari me kandarin ku peshohen thasët me miell?

4. Edhe profetët e ardhur para profetit Muhammed kanë treguar mrekulli që pranohen nga çifutët dhe krishterët. Atëherë nuk ka asnjë pengesë që dukuri të ngjashme të përsëriten te një profet tjetër. Sipas botëkuptimit të njerëzve që e pranojmë se kanë bërë transformime në qytetërim dhe teknikë, lartësimi i profetit Isa në qiell dhe biseda e profetit Musa në malin Sina janë të mundura, gjë që e pranojmë edhe ne. Mirëpo, kur këto janë të mundura, pse të mos jetë i mundur realizimi i mrekullive edhe për një profet tjetër?

5. Krijimi i Ademit, Havasë dhe Isait janë një çështje që i kapërcen ligjet dhe shkaqet dhe dukuri që nuk mund të shpjegohen me kritere shkencore. Në dukuritë dhe ngjarjet që nuk i shpjegojmë dot me shkencën dhe shkaqet, a ka rrugë tjetër veçse t’i dorëzohemi shpjegimit të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij? Ademi dhe Havaja kanë ardhur në botë pa nënë e pa baba, kurse Isai, pa baba. Në krijimin e Ademit s’ka as spermë, as vezore. Ai është mbledhur nga elementët e ndryshëm të tokës dhe skeleti i është bërë nga një koncentrat proteinash gjithashtu të nxjerra nga esenca e dheut. Edhe Hz. Havaja, sipas një këndvështrimi, është krijuar nga një copë e marrë prej trupit të tij, gjë që s’është veçse mrekulli. Përpjekja për ta shpjeguar çdo gjë me shkencën dhe, kur s’e shpjegon shkenca, ta anashkalosh duke e quajtur “legjendë”, është, në fakt, legjendizim i vetë shkencës. Në këtë botë ka aq shumë dukuri e ngjarje që shkenca s’i shpjegon dot. Me ç’parime shkencore do ta shpjegoni faktin që një indian ecën mbi thupra metalike me majë, mbi gjemba e mbi zjarr dhe as shpohet e as digjet? Ose faktin që e shpon gjuhën tejpërtej me një shtizë dhe nuk i del pikë gjaku?.. Fundja këto s’janë as mrekullira!

6. Sikur dukuritë e përditshme që ne i quajmë gjëra të zakonshme, që na kalojnë para syve pa na lënë ndonjë përshtypje, të ndalemi për t’i parë më me vëmendje, shohim se kemi para sa e sa dukuri e ngjarje të pashpjegueshme me shkencën. Kurse ne këtu tani po bëjmë fjalë për mrekullinë.

7. Mrekullitë i quajmë ngjarje të jashtëzakonshme sikur në punët tona të përditshme të mos kemi jashtëzakonshmëri! Ardhja në botë e një njeriu pa nënë e pa baba qenka jashtëzakonshmëri; po a nuk është jashtëzakonshmëri një dukuri krejt e zakonshme e jetës siç është shndërrimi i vezës së fekonduar nga spermatozoidi në një qenie prej 60 trilion qelizash me jetë dhe shpirt, që sheh, njeh, di, mendon dhe flet? Por neve na duket krejt e zakonshme ngaqë jemi mësuar me këtë. Meqë mekanizmin tonë të arsyetimit dhe vlerësimit e kemi rregulluar gjithë sipas marrëdhënieve shkak-pasojë dhe veprimit të ligjeve, përpiqemi që çdo gjë që shohim e dëgjojmë dhe çdo gjë që ndodh në mjedisin tonë, t’ia adaptojmë kësaj mekanizme. Kurse neve na takon që, para së gjithash t’i kalomë të gjitha përmes një operacioni ideor.

8. A nuk është një burimi dhe argumenti ku mbështeten të gjitha gjërat, qoftë gjërat e zakonshme, qoftë ato të jashtëzakonshmet, qoftë shkaqet, qoftë ligjet? Origjina e njëjtë, pamjet, të ndryshme; burimi i njëjtë, metodat, të ndryshme; baza e njëjtë, zbatimet, të ndryshme. Pastaj, mes krijimit të Ademit dhe krijimit tonë nuk ka dhe shumë ndryshim. Për krijimin e tij u muar esencë nga toka, u gatua në kushte të caktuara dhe, kur erdhi koha, iu fry shpirt. Edhe krijimi i njeriut fillon nga një esencë që i përmban të gjitha elementet e tokës, e cila, pastaj, zhvillohet në kushte të caktuara dhe, kur i vjen koha, i fryhet shpirt. Krijuesi, po ai, vetëm në zbatim ndryshojnë kushtet, pra, mbulesa e shkaqeve dhe ligjeve. Ja, ky është ndryshimi!

9. Fryrja e shpirtit është esenciale; ndryshimi është vetëm te cilësia fizike e trupit. Zhvillimin fizik sipas shkaqeve dhe ligjeve e shohim “normal”, kurse përtej shkaqeve e ligjeve, e quajmë “mrekullor”.

10. Në gjithësi, edhe fuqi të tilla si koha janë relative. Ashtu siç akrepët e sekondave, minutave dhe orëve tregojnë kohë të ndryshme dhe ashtu siç ndodh që koha është tjetër në tokë, tjetër në hënë e tjetër në planete të tjerë, edhe fuqitë dhe forcat janë relative. Dëshirojmë të kujtojmë, këtu, se, në kuadër të zhvillimeve të fundit, po bëhet fjalë për ekzistencën në gjithësi të fuqive të pestë e të gjashtë.

Ashtu siç ka ndryshime fuqie mes njerëzve, edhe në qeniet mbinjerëzore dhe nënnjerëzore ka ndryshime force e fuqie. Për shembull, rrethi i fuqisë së engjëjve dhe xhindeve në fusha të caktuara është shumë më i gjerë se yni. Ndërsa ne nuk mund të ngremë 100 kg., është e vërtetë se xhindet lëvizin nga vendi tonelata dhe se ka engjëj të ngarkuar me detyrën e ekuilibrit të tokës të quajtur tërheqje. Sipas nesh, kjo është një dukuri e jashtëzakonshme dhe mrekullore. Kështu është edhe cilësia e engjëjve dhe xhindeve për t’u ndodhur në të njëjtin çast në vende të ndryshme. Nga ana tjetër, ka edhe qenie me fuqi shumë më të ulët se ne. Për shembull, punën që mund ta bëjnë 100 milingona bashkë për një vit, një njeri mund ta prishë dhe ribëjë në një minutë, gjë që, “në sytë e merimangave”, është një mrekulli. Ja, pra, ekziston Allahu, Zoti, me fuqi mbi të gjitha fuqitë, me një fuqi për të cilën s’ka gjë të pamundur, prandaj dhe para të cilës janë njëlloj molekula me planetin. Dhe, meqë për Allahun nuk ka jashtëzakonshmëri, Ai e krijon një gjë me duart e njeriut po deshi si mrekulli, po deshi, si një gjë të zakonshme.

11. Mrekullitë na vijnë me rrëfime kategorike dhe të vërtetuara në mënyrë përfundimtare.

Mendja ka një fushë të caktuar. Ashtu siç nuk mund të vihen 100 kg. peshë mbi një peshore që peshon gjer më 10 kg., ashtu dhe mendjes nuk mund t’i bëhet e njohur një fuqi mbi kapacitetin e saj. Në një çështje mbi kapacitetin dhe jashtë fushës së vet, mendja është e detyruar ose të mohojë, ose të përulet e paaftë dhe të pohojë. Për shembull, mendja kurrë nuk mund ta konceptojë individualitetin e Zotit, nuk mundet të mendojë mbi të, nuk mund të pretendojë se e ka njohur apo e njeh, sepse individualiteti i Zotit është përtej gjithçkaje që mund t’i vijë njeriut në mendje. Ajo që i takon njeriut është ta besojë Zotin dhe, me anë të atributeve dhe emrave të Tij, të mendojë mbi shfaqjet, aktet, administrimin dhe veprat e Tij dhe të përpiqet t’i afrohet Zotit me intuitën e vet. Mendja, e cila është arti dhe vepra e Krijuesit, nuk mundet ta konceptojë Artistin. Për këtë arsye, konceptimi i entitetit, domethënë i natyrës dhe cilësisë esenciale të mrekullive, pra, i ekzekutimeve tejshkakësore të Allahut, është po aq i vështirë sa konceptimi i shpirtit. Për rrjedhojë, rruga më e mençur është t’i pranosh mrekullitë e ardhura me anë të kanaleve të rrëfimeve të evidentuara e të vërtetuara përfundimisht.

12. Mendja ka dy lloj fushash përvoje. E para është fusha e dukurive dhe ngjarjeve të ndodhura për herë të parë, pra, që s’kanë të ngjashme dhe s’mund t’i nënshtrohen analogjisë apo krahasimit. Këto disa herë mbeten dukuri dhe ngjarje të veçuara që s’përsëriten më, kurse, disa herë, përsëriten dhe shumëfishohen. Krijimi i parë i njeriut është nga ato dukuri dhe ngjarje të veçuara që nuk janë përsëritur më, prandaj dhe nuk është krijuar mundësia për analogji.

E dyta është fusha e dukurive dhe ngjarjeve në përputhje me ligjet dhe që mund të krahasohen, pra, mbi to mund të bëhet analogji, sepse kanë plot shembuj të ngjashëm. Meqë shkaqet dhe ligjet që janë bërë diçka e zakonshme në këtë fushë, shërbejnë si një perde që fsheh pas saj veprimtarinë hyjnore, mendja merret më shumë me këto. Prandaj, të tentosh për ta mohuar krijimin e parë vetëm sepse është unikal, pra, nuk ka një shembull të dytë të tij, më e pakta do të thotë ta ngushtosh fushën e mendjes në funksionet e saj të mendimit, meditimit dhe konkludimit, ta kapërcesh kufirin tënd, për rrjedhojë, duke dashur të veprosh me logjikë, të shfaqësh mungesë arsyeje e logjike.

13. Dukurive dhe ngjarjeve që mbeten të veçuara dhe që zhvillohen jashtë të zakonshmes, ne u themi “përjashtime hyjnore”[1]. Në fakt, dukuri dhe ngjarje të tilla hasim herë-herë edhe brenda kuadrit të shkaqeve dhe ligjeve brenda të cilit jetojmë dhe, duke mos i mohuar kurrsesi, presim nga dijetarët dhe shkencëtarët t’i studiojnë dhe shpjegojnë duke u mbështetur edhe në zbulimet dhe zhvillimet aktuale. Për shembull, dëgjojmë që diku bëhen përpjekje për ta mjekuar ulcerën e stomakut jo me mjetet dhe metodat mjekësore të njohura gjer më sot, por me hipnozë. Ndërkaq, nëse mjekimi me lutje dhe sugjerim është një dukuri e veçuar dhe përjashtimore, a duhet ta mohojmë se s’na e merr mendja ose s’e pranon shkenca? Prandaj, si mendja, ashtu dhe shkenca nuk mund t’u kthejnë shpinën mrekullive të cilat dalin jashtë kuadrit të shkaqeve dhe ligjeve.

14. Si domosdoshmëri e dinjitetit dhe madhështisë së Tij, Allahu vepron brenda kuadrit të shkaqeve dhe ligjeve. Në të njëjtën kohë, Ai është i Urtë, pra, nuk bën punë të kotë, në çdo punë të tij ka patjetër “urtësi”. Megjithëkëtë, nuk është i detyruar as të veprojë brenda shkaqeve dhe ligjeve, as të ndjekë patjetër “urtësi” në çdo punë. Sigurisht, nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë detyrim mbi Allahun. Prandaj Allahu herë pas here bën veprime përjashtimore dhe na ballafaqon ne me dukuri dhe ngjarje që i kapërcejnë shkaqet dhe ligjet me qëllim për të treguar se s’është i detyruar për asgjë, për të parandaluar ngecjen e mendjeve dhe zemrave në rrjetën e shkaqeve dhe ligjeve, për t’i parashtruar hapur parapëlqimin dhe vullnetin e vet dhe për t’i bërë vështrimet të kthehen nga Ai. Në jetën tonë të përditshme shpesh lexojmë në shtyp ose dëgjojmë se një i rritur ka rënë nga kati i dytë dhe ka vdekur, kurse një fëmije të vogël fare që ka rënë nga kati i pestë, s’i ka dalë as gjak nga hunda! Ky dhe dukuri e ngjarje të tjera analoge që i kemi përmendur disa herë në vende të ndryshme të këtij libri, janë përjashtime, pra, dhe që s’përputhen me mendjen dhe shkencën. Por, meqë janë fakte reale, na duhet t’i mohojmë mendjen dhe shkencën ose të themi se meqë mendja dhe shkenca nuk i pranojnë, edhe pranimi i mendjes dhe shkencës nga ana jonë nuk ka asnjë kuptim.

15. Mendja dhe shkenca nuk mund të konsiderohen të posaçme vetëm për racionalitetin, lëndën dhe lëvizjet e atomit. Kjo, sepse, para së gjithash, njeriu, i cili zotëron mendje dhe bën shkencë, nuk është identitet i lëndës dhe trupit. Si botë materiale, njeriu është vetëm njëra prej mijra botëve. Po qe se njeriu që s’ia merr dot mendja mrekullitë, do t’i ndiqte sadopak zhvillimet shkencore dhe do t’i njihte ato që ngjajnë në mjediset shkencore, atëherë edhe mendja e tij që vërtitet si një meteor endacak në boshllëk, do të formojë një orbitë të caktuar. Te njeriu ka shpirt dhe ky shpirt ka shumë funksione të pakuptueshme. Dhe studimet e sotme mbi shpirtin është bërë një nga preokupimet kryesore të rretheve shkencore. Atyre që e kërkojnë çdo gjë te materia, mendja u ka zbritur te sytë, kurse sytë janë të verbër ndaj shpirtërores. Ata që i mohojnë mrekullitë, mbajnë një qëndrim të tillë ndoshta ngaqë e ndjejnë veten të huaj ndaj fesë dhe të shqetësuar. Por vetëm feja është ajo që, siç sundoi të djeshmen, do të sundojë edhe të ardhmen.

16. Shkencat moderne shpesh thonë “e drejtë” për diçka që gjer dje kanë thënë “e padrejtë” ose anasjelltas. Prandaj, askush nuk jep dot garanci se ajo që sot quhet e drejtë, nuk do të hidhet poshtë nesër. Ndërkaq, për shumë çështje shkencore të pashpjegueshme sot për sot, nuk mbahet qëndrim mohues, por thuhet se nesër shkenca ka për t’i shpjeguar, kurse ngjarjet e së kaluarës mohohen duke thënë se “s’është e mundur”, dhe ky qëndrim është i pashpjegueshëm me anë të mjendjes dhe logjikës. Pse edhe mrekullitë nuk i shohim më butë duke thënë se “këto na i kapërcejnë kufigjtë e mendjes dhe përvojës sonë”?

17. Shkaqet dhe ligjet shkencore të zgjedhura si mbështetje nga mendja mohuese, nuk mund të jenë krijues, për rrjedhojë, nuk mund të konkludojnë mbi mrekullitë dhe nuk mund të konsiderohen njësi mase dhe mjete krahasimi për t’i kuptuar mrekullitë. Ashtu siç shkaqet që nuk mund të zgjaten pas pafundësisht, ashtu dhe mrekullitë janë vepër e Fuqisë Krijuese. Ata që supozojnë sundimin e një determinizmi shtrëngues në gjithësi, ngecin kur vjen puna për shkakun e parë dhe, duke mos i dhënë përgjigje “pse”-së, merren me “si”-në!

18. Ata që i mohojnë mrekullitë në emër të shkencës, kur ta kuptojnë të vërtetën, do të turpërohen. Sepse siç do të shohim më tej duke shqyrtuar zbulimet dhe zhvillimet shkencore e teknike ku kanë vënë gishtin Kur’ani dhe hadithet, para çdo zbulimi dhe zhvillimi shkencor e teknik ka një mrekulli që u ka shërbyer atyre si flamur. Në periudhat kur mendjet kanë qenë tejet larg për ta kuptuar të sotmen, profetët dhe Profeti i Fundit, me mrekullitë e tyre, kanë bërë parashikime që edhe mendjet e sotme janë të paafta për t’i kuptuar dhe kanë vënë për dituritë dhe shkencat gurë kufiri dhe kanë treguar maja që ende duken shumë larg.


[1] Në origjinal: shuzuzati ilahije.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.