Ç’jane mrekullia dhe aftesia parashikuese
Mrekullitë janë, në dorë të profetit, situata të jashtëzakonshme të krijuara nga Allahu me qëllim për të provuar profetësinë e tij, për të thyer kryeneçësinë dhe kundërvënien e mohuesve dhe për të forcuar bindjen e besimtarëve.
Mrekulli do të thotë anulimi, me anë të vullnetit të Allahut, i funksionit normal të shkaqeve dhe ligjeve, funksion me të cilin është mësuar njeriu dhe që i duket i zakonshëm, duke e kthyer atë në funksion të jashtëzakonshëm, gjë, kjo e pamundur për vullnetin dhe fuqinë e njeriut. Mrekullitë nuk mund të shqyrtohen dhe shpjegohen me anë të shkencave të natyrës, me anë të vëzhgimeve, provave dhe eksperimenteve, me mikroskopët e laboratorëve dhe teleskopët e observatorëve.
Mrekullitë nuk futen në llojin e gjërave të zakonshme, domethënë në zakonet hyjnore të librit të gjithësisë që përbëjnë bazë për shkencat. Mrekulli s’mund të ketë në punët dhe veprimtarinë tonë të përditshme që lidhet me shkaqe dhe ligje të ndryshme, si ushqyerja dhe fjetja e përditshme, puna në kopësht e në arë, rritja e frutave dhe perimeve duke përfituar nga drita dhe energjia diellore, uji, ajri dhe toka, etj. Një pjatë gjellë mund ta hanë disa vetë e të ngopen, etjen e shuajmë me një gotë ujë, kur kemi të ftohtë, ngrohemi me anë të zjarrit, po të sëmuremi ose të thyejmë ndonjë gjymtyrë, shkojmë te mjeku dhe mjekohemi me ilaçet e tij dhe sipas këshillave të tij. Ne i përdorim kafshët për shërbim, por nuk mund të flasim me ta. Pemët na duken të ngulura në të njëjtin vend. Me të vdekurit s’mund të flasim dhe s’mund të hyjmë në lidhje të drejtpërdrejtë. Malet dhe gurët as na përshëndesin, as bëhen gjyle në duart tona. Ne s’mundemi ta ndryshojmë ose anulojmë ligjin e tërheqjes dhe të ngjitemi lart pa ndonjë mjet ngjitës që e kundërshton këtë ligj. Ja, pra, dukuri si këto që zhvillohen në jetën tonë të përditshme në kuadrin e shkaqe-pasojave dhe ligjeve, i quajmë gjëra të zakonshme, të rregullta, shkurt, rregullsi. Kurse mrekullitë, në kundërshtim me rregullsitë, janë dukuri mbi të zakonshmen që zhvillohen mbi mundësitë e njeriut, mbi ligjet dhe mundësitë natyrore dhe përtej fuqisë, forcës dhe vullnetit të njeriut.
Veç mrekullive, janë edhe disa ngjarje të krijuara nga Allahu në dorë të njerëzve të shquar me nivel të lartë shpirtëror dhe aftësi të lartë parandjerëse dhe parashikuese, të cilat janë, përgjithësisht, parashikime[1] me karakter simbolik të cilat, në fakt, vërtetojnë mrekullitë. Veç kësaj, këtu bëhet fjalë edhe për veprime me karakter shenjtëror, që i kapërcejnë mundësitë e njeriut të zakonshëm dhe rregullsitë ligjore e të karakterit shkak-pasojë. Kështu, kapërcimi i largësive të mëdha brenda një çasti, zgjerimi i kohës (kryerja e shumë punëve brenda një kohe shumë të shkurtër, të pazakonshme), leximi i mendimeve dhe ndjenjave, zbulimi i gjendjes së të vdekurve në varre, parashikimi i ngjarjeve të së ardhmes në ngjashmëri me profetët, etj., janë dukuri të jashtëzakonshme që shërbejnë si argumente të tjera të profetësisë, fesë islame të sjellë nga profeti Muhammed dhe drejtësisë së tyre.
Siç u tha diku në vëllimin e parë të këtij libri, fakte të tilla si parashikimet e Muheddini Arabiut në librin e tij, Druri i Gjakut, të shkruar një shekull para themelimit të shtetit osman, mbi daljet e osmanëve në skenën e historisë, mbi pushtimin e Sirisë dhe Egjiptit, mbi zbulimin e varrit të vet me hyrjen e Javuz Selimit në Damask, mbi daljen e Muratit IV në fushatën e Bagdatit dhe pushtimin e tij brenda 41 ditëve, mbi vrasjen e Sulltan Abdylazizit duke ia prerë damarët me gërshërë, parashikimi i Mushtak Dedesë 71 vjet vjet para se Ankaraja do të bëhet kryeqytet i Turqisë pas luftrave, etj., janë shembuj aftësie parashikuese dhe shenjtërie.
Edhe ëndrrat e vërteta lidhur me të ardhmen që mundet t’i shohë çdo besimtar dhe parandjenjat janë dhurata të Zotit për njerëzit.
Ndërkaq, mrekullia e parë dhe më e madhe e Profetit është Kur’ani.
Ashtu siç të vërtetat që u përpoqëm t’i tregojmë gjer këtu, janë argumente të hapura të profetësisë dhe drejtësisë së profetit Muhammed, edhe Kur’ani, si mrekullia më e madhe, është argumenti më i qartë dhe dëshmitari më i madh edhe i profetësisë së tij, edhe i faktit që është fjalë e Allahut. Kjo çështje do të trajtohet thellë më tej.
Meqë profetësia e Hz. Muhammedit (s.a.s.) përfshin të gjitha kohët dhe hapësirat si dhe, përveç të gjithë njerëzve, edhe krijesa të tilla si xhindet, mrekullitë e tij kanë qenë të shumta. Ndërkaq, në çështjen e mrekullive, profetësia e tij ndryshon nga profetësia e profetëve të tjerë. Çdo profet ka treguar mrekulli mbi çështjet më të njohura, të kthyera në zakon, të kohës së vet. Për shembull, meqë në kohën e tij, në Egjipt, kishte marrë zhvillim veçanërisht magjia duke u kthyer në një farë mjeshtërie, edhe profeti Musa, për t’i bindur njerëzit për profetësinë e tij, pati përdorur magjinë duke treguar para publikut një mrekulli: me shkopin e tij të famshëm, ai pati gëlltitur të gjithë gjarpërinjtë e magjistarëve të njohur, të mbledhur për të bërë garë me të, duke i mundur ata. Në kohën e profetit Isa (Jezus) ishte e zhvilluar shumë mjekësia ose, më saktë, mjeshtëria e shërimit të sëmundjeve të ndryshme dhe ai pati treguar shumë raste mrekullie në këtë fushë duke shëruar sëmundje të rënda, të sëmurë të pashërueshëm, si dhe duke ngjallur të vdekur. Kurse në kohën e profetit Muhammed, poezia, letërsia, shprehja stilistike ose stilizimi, ligjërata dhe oratoria qenë ngritur në nivele të larta duke u bërë treguesit kryesorë të nivelit kulturor të njerëzve. Duke menduar edhe se, ndoshta, arti i shprehjes së bukur dhe ligjërimit do të jenë armët më me ndikim mbi opinionin publik, themi se profeti Muhammed u dërgua me një mrekulli ligjërate siç është Kur’ani si dhe, meqë u dërgua si mëshirë për të gjitha qeniet, ka treguar mrekulli të ndryshme të këtij karakteri.
Ashtu siç ndodh që, kur një mbret i madh e dërgon adjutantin ose përfaqësuesin e vet në një zonë të mbretërisë ku jetojnë fise dhe popuj të ndryshëm, përfaqësuesit e atjeshëm të fiseve, popujve, klasave dhe shtresave shoqërore, në emër të atyre që përfaqësojnë, e presin të dërguarin me duartrokitje, me “mirë se erdhe” dhe duke ia parashtruar përgëzimet dhe falenderimet e tyre, ashtu dhe kur Allahu, Zoti i gjithësisë, e dërgoi Hz. Muhammedin, më të madhin përfaqësues të Tij në botë, jo vetëm si të ngarkuar me detyrë, por edhe si mëshirë për të gjitha qeniet, malet dhe gurët, pemët dhe kafshët, dielli, hëna dhe yjet si dhe të gjitha dukuritë dhe ngjarjet, duke shpëtuar nga dukja si gjë boshe e pa kuptim, morën kuptim dhe fituan vlerë. Dhe me këtë rast, engjëjt, njerëzit dhe xhindet, dielli, hëna dhe yjet, uji dhe gjërat ushqimore, pemët, malet dhe gurët si dhe të gjitha llojet e kafshëve ia paraqitën atij falenderimet e llojit të vet dhe u bënë në dorën e tij mjete nga mund të nxirreshin mrekullira. Kështu, ata dëshmuan në mënyrë të pakundërshtueshme për drejtësinë dhe profetësinë e Zotërisë së Gjithësisë dhe e shpallën profetësinë e tij në tërë gjithësinë. Ja, pra, tregimi i mrekullive të tilla në dimensione universale është e posaçme vetëm për Kryeprofetin!
Ndërkaq, megjithëse profeti Muhammed ka treguar afro një mijë mrekulli, çdo fjalë, çdo veprim, çdo gjendje e tij s’janë të jashtëzakonshme dhe mrekullore. Allahu e krijoi atë njeri, e ngarkoi me detyrën e prijësit dhe udhërrëfyesit personal, familjar dhe shoqëror për t’u bërë model me shembullin e vet personal për njerëzit e kohës së vet dhe të kohërave të ardhshme për lumturinë materiale dhe shpirtërore të tyre. Meqë të gjithë njerëzit s’ishin e s’janë të një niveli dhe meqë shumicën e njerëzve e përbën populli i thjeshtë, po qe se çdo gjendje, sjellje dhe veprim i tij do të ishte i jashtëzakonshëm dhe mrekullor, ai nuk do të mund të bëhej shembull dhe prijës. Prandaj, profeti Muhammed jetoi gjithmonë në kushtet e njeriut të zakonshëm dhe në kushtet natyrale të zakonshme, hëngri e piu, u martua, u bë me fëmijë dhe krijoi familje, u plagos e vuajti, e reflektoi jetën njerëzore me të gjitha anët e saj dhe u bë një pasqyrë përmbledhëse e të gjith arteve, veprimeve dhe shfaqjeve të emrave të Allahut!
Të gjitha mrekullitë e Profetit, siç do t’i shohim më poshtë, nuk kanë ndodhur në çdo vend, në çdo kohë dhe të dukshme për çdo njeri, si dhe nuk janë përgjithësuar. Po të ndodhte e kundërta, atëherë urtësia e mendjes do ta humbte qenien dhe kuptimin dhe njerëzit që u ishte hequr vullneti, do të shtrëngoheshin të besonin. Dhe, si rezultat i kësaj, nuk do të kishte më propozim, nuk do të kishte sekret prove. Për rrjedhojë, mes shpirtmargaritarit Ebu Bekr dhe shpirtziut Ebu Xhehl nuk do të kishte ndryshime, njerëzit do të kishin të njëjtin nivel besimi. Për këtë shkak, për shembull, mrekullia e ndarjes së hënës përgjysmë, një dukuri, kjo, e madhe, ndodhi natën, para një numri të kufizuar dëshmitarësh dhe zgjati vetëm pak çaste, kështu që s’iu cënua e drejta e vullnetit as të pranishmëve, as të tjerëve, as dhe njerëzve të kohëve të ardhshme dhe porta e mendjes, e mendimit të pavarur mbeti e hapur!
Shumicën e mrekullive e përcjell një grup njerëzish që e kanë pasë të pamundur të merren vesh për të gënjyer. Kurse një pjesë e mrekullive, megjithëse nuk përcillet nga një bashkësi në këtë nivel, fakti që sahabet e tjerë nuk i kanë kundërshtuar, u përfton atyre pothuaj të njëjtën vlerë rrëfimi. Meqë e ngjashmja ose e njëjta e një mrekullie çfarëdo të treguar në një vend të caktuar, është treguar edhe në vende të tjera, nuk ekziston mundësia e mohimit të asnjë mrekullie.
Mrekullitë, shembujt e të cilave do t’i lexoni në vijim, i përkasin profetit Muhammed, për drejtësinë, ndershmërinë dhe profetësinë e të cilit ka me mijëra dëshmi dhe dëshmitarë. Në fakt, edhe sikur ai të mos kishte asnjë mrekulli, vetë personalisht do të mjaftonte si argumenti dhe dëshmia më e madhe e drejtësisë, ndershmërisë dhe profetësisë së vet!
[1] Në origjinal është fjala dhe termi mistik keramet që do të thotë gjerësi shpirtërore parandjerëse dhe parashikuese, shenjtëri.
- Publikuar më .