Ruajtja e perqendrimit metafizik dhe mundesite e kapercimit te pengeses se ambientimit

A. Ambientimi dhe perqendrimi metafizik

Ambientim do të thotë që njeriu të mësohet me një gjë, t’i bëhet shprehi një gjë, për pasojë, të mbetet i paprekur dhe i painteresuar për gjëra shumë origjinale e të mrekullueshme që sheh djathtas e majtas, para e pas vetes. Një çështje e dëgjuar për herë të parë, është e gjallë dhe që ngjall interes, por, pasi të kalojë një farë kohe, na mbetet në kokë vetëm si një ngjarje me linjat dhe format e saj të ngrira. Pastaj, dallgëzimet e para në shpirtin tonë, valët e emocionit, zbutjet e zemrës dhe, madje, përlotjet bëhen, më në fund, iluzione dhe çështje shumë serioze fillojnë të realizohen vetëm si nga një formulë më vete, në shpirt sundon një thatësirë, një shpërfytyrim dhe përsjellje brenda lëkure, ashtu që tashmë zemrat bëhen krejt të ngurta, kurse njeriu, i mefshët dhe indiferent.

Tendosja dhe përqëndrimi metafizik, entuziazmi i brendshëm, potenciali emocional dhe dëshirues, gjendja e vazhdueshme aktive e ndjenjave tona moralo-shpirtërore janë një burim force që na shtyn e na bën të vrapojmë ne te feja dhe adhurimet. Gjendja e vazhdueshme energjike e qendrës sonë ndjesore do të thotë një gjëndje shpirtërore e pandërprerë e gjallëruar dhe e vrullëzuar me shpirt aksioni dhe veprimi. Por ç’e do se, me kohë, edhe ky gjallërim dhe kjo gjallëri mund të mbulohet me anë të pluhurit dhe dheut të afërsisë dhe ambientimit, prushi zë hi, ndjenjat, ndjenjat e holla dhe gjestet mund të shuhen. Dhe, si përfundim, mund të hyhet në fazën e shuarjes së plotë, zhvokjes, madje shpërbërjes dhe marrjes erë.

Në të vërtetë, humbja e tendosjes dhe përqëndrimit metafizik për shkak të afërsisë dhe ambientimit është domosdoshmëri e natyrës dhe krijimit tonë, pra, diçka e bashkëlindur. Ashtu siç nuk ardhja e dyshimit dhe lëkundjes nuk është në dorën tonë, shpesh herë nuk e kemi në dorë ta kundërshtojmë ambientimin. Kapërcimi i këtij ligji të krijimit është i mjaft i vështirë dhe pothuaj i pamundur veçanërisht për personat që nuk ka bërë dot përparime në besim, që nuk e ka realizuar dot jetën ndjesore dhe shpirtërore. Një radhë, Hanzalla shkon te Profeti dhe Ebu Bekri dhe u thotë duke iu drejtuar Profetit: “Hanzalla u bë hipokrit, o i Dërguari i Allahut! Ato që ndjej pranë teje, s’i ndjej dot jashtë dhe nuk jam në gjendje të jem çdo çast po aq i përqëndruar sa ç’jam pranë teje!” Dhe Profeti i përgjigjet: “Po qe se në çdo pjesë të kohës do të ishit siç jeni pranë meje, engjëjt do të viheshin me ju për dore në një radhë!” Çdo ngjitje ka një zbritje dhe asgjë në gjithësi nuk është e qëndrueshme!

Shërbimet fetare janë një pengesë me rëndësi ndaj ambientimit. Me anë të shërbimit, krahas preokupacionit të vazhdueshëm, njeriu meriton mbështetje hyjnore të papritur dhe mbetet gjithmonë i gjallë, vital. Kështu, duke kapërcyer lëkundjen dhe vdekshmërinë e përkohshme, mund të arrijë një ringjallje të re. Ndryshe, kushdoqoftë që nuk tregon zell në këtë kuptim, e ka në çdo çast krejt të mundur, madje të paracaktuar, që, si rrjedhojë e ngurtësimit të zemrës, tharjes së syve dhe humbjes së gjallërisë dhe tendosjes së brendshme me anë të afërisë dhe ambientimit, të bjerë në kurthin e dredhive dhe lëkundjeve të djallit dhe të goditet nga e majta me anë të mëkateve. Kurse disa prej rrugëdaljeve që duhen përdorur, janë si më poshtë.

B. Çeshtje te botes se brendshme

1. Kapërcimi i vetëdijes së unit

Para së gjithash, njeriu duhet të bëjë një evakuim pastrues të brendshëm nga gjërat e këqija. Parcela e caktuar për mbjellje, në fillim pastrohet nga gurët dhe çakëllet, nga ferrat dhe barërat, në mënyrë që të bëhet e gatshme për t’u punuar dhe përgatitur për mbjellje. Veçanërisht me kujdes përgatiten lehet e luleve ku s’lihet as edhe një fije bari dhe ku dheu thërmohet hollë e bëhet i butë si mëndafsh. Të marrësh krahë me adhurimet, të stolisesh me ziqër dhe ide kur në zemër ke plagë, në kokë ke dyshime e lëkundje dhe, në duar, në gjuhë, në sy e në përfytyrim, mëkate, është shumë e vështirë! Hapja e flatrave drejt Zotit vjen pas pastrimit prej ndjenjave dhe pasioneve të këqija. Në të kundërt, pretendimet e tipit “u mbusha, arrita, njoha” janë mërmëritje të unit, pa le fjalët dhe mendimet e tipit “unë isha këtu, isha atje, shpëtova vetë, shpëtova të tjerë”, duhet të jenë, gjithsesi, gërhima vdekjeje në rrjetën e djallit! Në fakt, mendimi “Unë” është çakëlli dhe gjembi më i rrezikshëm që duhet hequr i pari nga parcela. Në ka gjë në natyrën e njeriut që duhet hequr dhe hedhur e para, është uni, egoizmi. Ai që nuk heq dorë nga uni, e ka të pamundur ta dëgjojë thirrjen “Unë jam” që vjen nga botët e tjera!

2. Lufta për të pasur një vullnet të fortë

Çdo gjymtyrë dhe shqisë ka qëllimin e vet final të krijimit. Sytë janë krijuar për të parë në atë drejtim që do Zoti, duart, gjithashtu për të kapur në atë drejtim, këmbët, për të ecur dhe veshët për të dëgjuar në atë drejtim. Kështu mund të radhiten edhe shqisa të tjera dhe të tregohet qëllimi final i krijimit të tyre. Gjendja është po kjo edhe për vullnetin. Edhe vullneti ka qëllimin e vet final të krijimit. Vullneti është krijuar që, si një pengesë dhe mburojë përballë të gjitha llojeve të dredhive dhe intrigave të ardhura nga uni dhe djalli, t’i kalojë në jetë dhe t’i bëjë të jetueshme me mbështetjen dhe ushqyerjen e ndërgjegjes gjërat që përcillen nga revelacioni në mendim. Ndërsa vullneti e kryen këtë detyrë, uni dhe djalli që janë armiqtë e tij më të mëdhenj, do t’i nxjerrin para shumë pengesa dhe përrenj të pakalueshëm. Lufta kundër armiqve të vet në këto kushte është, për vullnetin, shkak ekzistence. Po qe se mendimi nuk është i hapur ndaj revelacionit, ndërgjegjja është e fikur dhe vullneti, i paralizuar, atëherë do të thotë se djalli ka gjetur një skenë të mrekullueshme për ta luajtur i qetë rolin e vet! Njeriu që nuk harron kurrë t’ia japë hakun stomakut, a nuk duhet t’ia japë edhe vullnetit?

3. Heqja dorë nga të shtënët pas dëshirave trupore

Kërkesat, dëshirat dhe shprehitë e unit janë si helme vrasës për njeriun dhe si pesha që e tërheqin njeriun poshtë. Shpirti zhvillohet dhe lartësohet në kahje të kundërt me unin. E kundërta, kur uni ushqehet, shpirti zvogëlohet, tkurret, rëndohet. Dhe, si rezultat i kësaj, në zemër, ndjenja dhe gjeste shfaqet një rëndim. Ndër thëniet e Profetit është edhe ajo, sipas së cilës, djalli qarkullon nëpër damarët e njeriut. “Atëherë, thotë Profeti, ngushtojini pak vendet nga kalon ai!” Po, shtrëngojeni atë me uri, etje dhe duke mos ia plotësuar kërkesat dhe dëshirat. Eshtë mjaft normale që njeriu i cili ha ç’t’i shkojë nëpërmend dhe ushqehet me lloj-lloj gjërash, të jetë i shtënë pas epshit. Prandaj është shumë e rëndësishme që, duke ia dhënë hakun vullnetit e duke luftuar për të, të mbyllen pjesërisht rubinetat e ushqyerjes së unit. Në të kundërt, uni do të jetë vazhdimisht një portë e hapur për djallin, ndërkaq që nga uni si djall nuk i vjen miqësi as njeriut. Njohja e faktit se uni është një armik i madh që të çon në të këqija dhe ndaj të cilit duhet bërë “xhihadi më i madh” (lufta më e madhe), është një ndër hapat e parë të hedhur për të shpëtuar prej tij dhe prej djallit, për rrjedhojë, për t’u afruar te Zoti! Thënia e Profetit, “armiku yt më i madh është uni yt mes dy vetullave”, thënia tjetër e tij duke u kthyer nga një luftë, “po kthehemi nga lufta e vogël për te lufta e madhe” si dhe shprehja në Kur’an, me gjuhën e profetit Jusuf, “pa dyshim, uni urdhëron për të keq”, janë mësime të rëndësishme për ne që të frikësohemi prej tij dhe të jemi vazhdimisht syçelë ndaj tij!

4. Domosdoshmëria e arritjes së njohjes intuitive të Zotit

Duke u thelluar në njohjen intuitive të Zotit, duke e njohur shumë mirë Atë, për rrjedhojë, duke arritur kënaqësinë e gjetjes dhe njohjes së Tij brenda vetes tonë, do t’i kemi kapërcyer të gjitha shijet dhe kënaqësitë e rreme të premtuara nga uni dhe djalli dhe do të kemi dalë mbi ta. Të gjitha shijet dhe kënaqësitë e huaja të propozuara një zemre të kënaqur pasi është ngopur me afërsinë ndaj Zotit, i vijnë asaj shumë të zbehta e të shuara. Në vetvete, fundja, as që mund të mendohet që njeriu që ka arritur ndriçimin e brendshëm, të ndjejë shije nga gjërat e propozuara nga djalli për unin. Kurse gjendja e atyre që nuk kanë mundur të arrijnë njohjen e Zotit në vetvete, është si gjendja e atij që, i izoluar nga dielli, përpiqet të ngushëllohet me dritën e qiriut e të xixëllonjave. Njeriu që ka arritur njohjen dhe afërsinë intuitive të Zotit, për rrjedhojë, që e ka gjetur edhe dritën e vet, nuk do të mashtrohet nga gjërat boshe e të përkohshme të ofruara atij prej unit dhe djallit dhe nuk do të bjerë në kurthin e tyre. Ndërkaq, rruga për të fituar njohjen dhe afërsinë intuitive të Zotit kalon nga zbatimi i specifikave që po shtjellojmë këtu me radhë.

5. Operacion në zemër dhe shpirt

Çdo njeri, duke u dimensionuar çdo ditë edhe ca më shumë në mendim dhe meditim dhe duke mbledhur, krejt si një bletë, tufat e njohjes dhe afërsisë intuitive të Zotit nga libri i gjithësisë të shtruar para nesh, duhet të ndjekë rrugën e hapur nga profetët e dërguar nga Zoti dhe të urtët. Në sajë të kësaj rruge njeriu do t’i përftojë vitalitet shpirtit dhe çdo hap i hedhur do të jetë për të një burim force. Sigurisht, ndërsa bisturia e Librit dhe Sunnetit që nuk bien nga dora e ndërgjegjes sonë, i pret dhe i hedh tutje të gjitha plagët tona moralo-shpirtërore, veprat e prijësve dhe novatorëve me mënyrat e mjekimit që ndryshojnë sipas shekujve, si dhe të vërtetat e pavdekshme në këto vepra, duhet të na ndodhen vazhdimisht nën dorë si ilaçe, si melheme për të cilat nuk ka dyshim se do të na i shërojnë plagët në kohën më të shkurtër, dhe duhet t’i studiojmë me këmbëngulje duke e rregulluar shumë mirë radhën e përparësisë brenda kritereve dhe parimeve të përshkruara. Ja, pra, është pas këtij operacioni të domosdoshëm për t’u përsëritur çdo ditë në zemër dhe shpirt, që ne fitojmë qëndrueshmëri ndaj dredhive dhe intrigave të djallit. Në të kundërt, biem në pasojën e njerëzve që nuk lexojnë, që nuk mendojnë dhe që nuk e rinojnë vetveten, zbehemi, zverdhemi, na merr era dhe humbemi!

6. Domosdoshmëria e ushqimit të zemrës dhe mendjes me meditim

Në Kur’an mund të gjeni shumë ajete mbi meditimin. Për shembull, në njërin prej tyre trajtohen me miratim ata që e përmendin Allahun në këmbë, ulur dhe mbështetur, si dhe ata që përqëndrohen në njohjen e krijimit të tokës dhe qiejve duke e studiuar krijimin e tyre në mënyrë të përsëritur. (Al-i Imran, 3:199) Profeti ynë, disa herë, në kohën e namazit të pasmesnatës (tehexhxhud), e këndonte këtë ajet, qante dhe thoshte kështu: “Turp për ata që e këndojnë këtë ajet dhe nuk meditojnë mbi të!” Ka hadithe profetike që thonë se një orë meditim vlen sa një vit adhurim suplementar.

Nuk ka mundësi që njeriu që s’ka dije të meditojë. Për të medituar, duhen ditur ca gjëra. Njeriu arrin në sinteza të reja me aq sa ç’di, këto sinteza ai i përdor si premisa për konkluzione dhe përmbledhje të reja dhe ja tek formohet vazhdimësi dhe shumëdimensionalitet në botën e tij të meditimit.

Meditimet vulgare e injorante të mangëta nga informacioni dhe dija nuk zbresin dot në thelb, mbesin në shtresat e sipërme e në lëkurë dhe, në të njëjtën kohë, krijojnë ambientim. Dhe, meqë nuk japin mundësi për t’u zhytur në thellësi për të nxjerrë margaritarë të vlefshëm, zvarrisin në vulgaritetin e çështjeve iluzive dhe, me kohë, nga meditimi s’mbetet gjë. Një meditim injorant i këtij lloji nuk sjell asnjë përfitim për afërsinë dhe njohjen intuitive të Zotit!

Le ta bëjmë të ditur menjëherë këtë pikë që, me informacionin dhe dijen që të çojnë në meditim, kemi parasysh veprat që analizojnë librin e gjithësisë, që tregojnë marrëdhëniet dhe vartësinë mes Kur’anit dhe gjithësisë, si dhe, në këtë mes, informacionin enciklopedik të ditëve tona mbi shkencat eksperimentale. Sa poetë dhe shkrimtarë ka që, kur ua lexoni shkrimet, e pandehni veten mes kopshteve të varura të Babilonisë ku ndjeni dhe dëgjoni epopetë e pemëve, zogjve, luleve, pranverave, por, mes aq shumë fjalëve, nuk gjeni dot as edhe një gjethe të vetme luleje mbi jetën tuaj ndjesore. Sepse ata janë marrë vetëm me artin, me natyrën, por gjithsesi nuk kanë shkuar dot përpara, nuk kanë bërë ndonjë përparim si artistë, veçse kanë ardhur rrotull duke përsëritur të njëjtat gjëra. Edhe informacioni i tyre nuk vlen gjë për meditimin. Prandaj meditimi i orientuar ose orientimi në meditim do të bëhen të mundur vetëm duke i shkoqur materien dhe dukuritë nën dritën e revelacionit hyjnor!

7. Orientimi në përfytyrim

Përfytyrimi është një funksion përtej projektimit dhe të vërtetës, krahu i shpirtit i zgjatur përtej e më përtej dhe një prizëm kuptimi që u jep formë sipas vetes dritave të së vërtetës. Përfytyrimi është shfaqja e pamjes së të jashtmes brenda dhe përvijimit të së ardhmes në pasyrat e së kaluarës. Përfytyrimi është një veprimtari e trurit që nuk njeh kufirin e logjikës dhe të së pamundurës, që nuk kushtëzohet nga koha dhe hapësira. Disa herë, duke u dhënë formë materies dhe dukurive nën ndikimin e pesë shqisave, përfytyrimi vë në shesh të gjitha motivet që s’bien në kundërshtim me natyrën e materies.

Një pamje çfarëdo që na bie në sy, krijon në përfytyrimin tonë një sërë figurash dhe pamjesh. Në zërat që na vijnë në vesh, dalin në pah një sërë skenash, shembëllimesh dhe tabllosh. Gjërat që shijojmë me gjuhë, madje një sërë faktorësh që kanë ndikim mbi trupin tonë, bie fjala, vështirësia për të urinuar ose prerja e zorrëve, bëhen shkak për përfytyrime që janë të posaçme për to. Një ngjarje që po na tregon një shok, na sjell ndërmend një ngjarje tjetër që e kemi jetuar vetë ose një ndodhi të ngjashme me atë që po na tregon ai, dhe ne kapemi pas përfytyrimit të ngjarjes tjetër duke mos ia vënë veshin më tregimit të shokut! Kur shohim një ballë të mësuar me sexhde, në përfytyrim na reflektohen kuptime dhe tabllo të sahabeve, shokëve të Profetit, dhe kridhemi në vetvete në një sërë mendimesh dhe mendimi na mbushet aty për aty me detyrat ndaj kombit dhe shërbimet që do të bëjmë për të!..

Përfytyrimi duhet përdorur në drejtim të dobishëm. Për shembull, ndërsa falim namaz ose bëjmë lutje, shohim rrathët e njerëzve përreth Shtëpisë së Allahut ose, duke u ndodhur mes atyre rathëve, përfytyrojmë, një linjë vertikale, se si falet namaz dhe bëhet lutje nga thellësitë e nëntokës gjer në Sidretul Munteha, se si bëhet tavaf duke arritur në një vijë me shpirtërat. Në të njëjtën mënyrë, edhe duke falur namaz më vete, madje, e shohim veten mes miliona muslimanëve dhe, duke hapur duart e thënë “Amin”, përfytyrojmë sikur miliona gojë thonë, në të njëjtin çast “Amin”! Në sajë të një fryme dhe vetëdijeje të tillë, megjithëse ndodhemi vetëm, ky përfytyrim na jep një forcë të tillë, që na duket sikur flasim me gojën e milionave, lutemi me gjuhën e milionave, mbajmë përmendësh me mendjen e milionave dhe me përfytyrimet e tyre përfytyrojmë. Ja, kështu, adhurimi ynë brenda një bashkësie të tillë shumë të madhe dhe një kuadri shumë të gjerë thellohet aq shumë dhe fiton një përgjithshmëri, sa që adhurimet tona, si në dhomat e pasyrave ku njëshi bëhet një mijë, arrijnë në mijra dhe na bëjnë ne të ndjejmë kënaqësitë e pafundme të ndodhjes në adhurimin në bashkësi. Ja, ky është përfytyrimi i besimtarit dhe përfytyrimi që fiton mirësi e shpërblim!

Përfytyrimi mund të përdoret edhe për të keq dhe mëkat. Njeriu që jeton i vetmuar pa marrë pjesë në bashkësi, mund të bëhet viktimë e përfytyrimeve që e shtyjnë në perversitet dhe mëkat. Në sa përfytyrime thellohemi ne me një shikim, me një dëgjim, prandaj dhe përfytyrimi i mëkateve mund të përgatisë në të ardhmen edhe terrenin e praktikimit të tyre. Siç e thamë më lart, çdo skenë e vogël, çdo kuadër i vogël i hedhur nga djalli në përfytyrim, bëhet film në kamerën e përfytyrimit, u jep shkak oleandrave të prostitucionit dhe, sidomos, po qe se bie në dorë të unit, kthimi në praktikë bëhet shumë i lehtë. Prandaj, edhe sikur të mos jetë me të vërtetë pervers e mëkatar, bëhet pervers në përfytyrim ngaqë përfytyrimi i pushtohet prej mendimeve mëkatare! Prandaj, duke i quajtur si gjarpërinj e akrepër këto lloje mendimesh, pamjesh e idesh që na vijnë në përfytyrim, duhet të përpiqemi që, me mënyrat që i parashtruam, të mos biem në rrjetën e këtyre zvarranikëve dhe insekteve dhe, nëse kemi rënë, të shpëtojmë!

Në atmosferën e kujt apo të ç’gjëje të jemi, nën ndikimin e kujt apo të ç’gjëje të jemi dhe brenda fushës magnetike të kujt apo të ç’gjëje të jemi, edhe pamjet dhe figurat që do të na gjallërohen në përfytyrim, do të jenë më shumë të atij lloji. Le ta supozojmë se mbetët tri ditë pa ngrënë. Në këto kushte, a mos do të përfytyroni dyqanet e sarrafëve apo ndonjë udhëtim kozmik me raketa, apo një shtambë ujë, një bukë të tërë e një pjatë gjellë? Jeni shtrirë në tavolinën e operacionit dhe prisni t’ju presin me thikë dhe, në këtë mes, ju flasin për tepsi të tëra me bakllava; po ju, ç’përfytyroni? Jeni ulur në sallën e kinemasë apo para ekranit të televizorit dhe po shihni pamje që i pëlqejnë unit tuaj si dhe ju ftojnë për epsh. A është e mundur që, në ato çaste të bëni të reflektohen në përfytyrimin tuaj rrathët e njerëzve që bëjnë tavaf rreth Qabes? Atëherë, ata që duan të përfytyrojnë kuptimet mbi Allahun, duhet të hyjnë në fushën magnetike të shtëpive ku bashkohen e shkrihen me njëra-tjetrën këto kuptime!

Sa karat të ketë njeriu, edhe përfytyrimet të asaj cilësie do t’i ketë. Përfytyrimet që e mbështjellin dhe do ta mbështjellin njeriun, do të paraqesin ndryshime sipas nivelit të njohjes së Allahut dhe Profetit dhe besimit të ringjalljes pas vdekjes, si dhe sipas asaj nëse do t’i japë apo jo vlerë kësaj bote. Thellësia e botës ndjesore, dimensionet dhe gjerësia e botës së projektimit dhe meditimit, pasuria e shqisave dhe ndjenjave do ta pasurojnë botën përfytyrimore të personit me ngjyrat e tyre. Përfytyrimet do të vizatojnë grafiqe sipas diturisë, nivelit kulturor dhe idealeve të tij.

Njeriu që, duke ndjekur lëkundjet ekonomike të përditshme, mbetet nën ndikimin e tyre, do t’ju sjellë para përvijimet e botës ekonomike që ia kanë mbushur banesën e përfytyrimit. Gjuha e një njeriu të shtënë pas epshit që e ka bërë për parim filozofinë e të jetuarit të ditës, është interpreti më i dukshëm i përfytyrimeve të tij. Kurse kur të keni nderin të njiheni me një figurë që bëhet pjesëtar i vuajtjeve të brezit të vet dhe ia ka kushtuar jetën shërbimit ndaj kombit, do të merrni mesazhe nga rrezatimet e përfytyrimeve të klimave të ndriçuara. Përfytyrimet e niveleve të larta kurrë nuk i shkaktojnë njeriut zhgënjim!

Kur themi përfytyrim, njeriut mund t’i shkojnë në mendje edhe iluzione të zbrazëta dhe mendime të pakuptimta. Vetëm se, meqë përfytyrimet e besimtarit, sikurse fjalët dhe punët e tij, janë të ngjyrosura me ngjyrën e Allahut, janë gjithmonë të orientuara kah e drejta. Stolitë dhe zbukurimet e përfytyrimit të tij janë sunneti i Profetit. Dhe rregulluesi i këtyre përfytyrimeve janë të gjitha parimet e Islamit.

Po të dojë, njeriu mund ta mbajë nën kontroll botën e tij të mendimit dhe përfytyrimit. Sigurisht, kjo është një gjendje e varur nga vetëdija dhe vullneti. Ashtu siç mundet t’i këpusë e t’i hedhë tej dyshimet e lëkundjet, njeriu mund t’u japë fund edhe mendimeve dhe përytyrimeve ku është zhytur pa e pasur në dorë. Ndërkaq, edhe kjo varet nga fakti se sa do ta përdorë dot vullnetin, se sa do të jetë në gjendje ta tregojë veten me aftësinë njohëse, vetëdijen dhe ndjenjat e veta dhe, duke i zhvilluar gjestet, se sa do të jetë në gjendje ta kapërcejë anën e vet lëndore. Në emër të së kaluarës së largët dhe të së ardhmes së largët gjer në konceptet e së përjetshmes, Kur’ani hap para nesh portën e vëzhgimit dhe udhëtimit me meditim, mendim dhe përfytyrim dhe na tregon neve tabllo të jetës së pasme, ahiretit, xhennetit dhe xhehennemit. Edhe Profeti e praktikon këtë me deklaratat e tij të ndritshme. Nga ana tjetër, në një çështje kaq të ndjeshme, janë vënë edhe kufij të caktuar se ç’duhet dhe si duhet menduar kur të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme. Për shembull, me pretekstin e meditimit, nuk mund të bëjmë supozime të ndryshme dhe komente mbi Personin e Allahut, mbi esencën dhe natyrën e shpirtit dhe mbi ngjarjet e pakuptueshme lidhur me botën e përjetshme siç mund të bëjmë për gjëra konkrete. Por mund ta sjellim përfytyrimin tonë në gjendjen më produktive duke i rregulluar funksionet e mendimit me ndihmën e prijësve të përkryer udhërrëfyes dhe me ndihmën e veprave të zgjedhura që përhapin dritë. Le të themi se po rrini mes një ekstaze serioze ndjenjash duke pritur namazin. Në këtë mes, në botën tuaj të përfytyrimit shfaqen tri të vërteta. Që të mos ju preokupojnë në namaz, dy prej tyre i regjistroni në kujtesë me kodin “inshaallah”, “në dashtë Allahu”. Pas namazit, kur kërkoni përfytyrimet t’ju kthehen prapë, ato të dyja që i regjistruat me “inshaallah”, ju kthehen, e treta s’ju kujtohet dot më! Sigurisht, regjistrimi i përfytyrimeve në kujtesë me “inshaallah”, është shumë i rëndësishëm, vetëm se është më e rëndësishme që përfytyrimet të sillen në gjendje të përshtatshme me çështjen përkatëse!

8. Domosdoshmëria e kujtesës së shpeshtë të vdekjes

Mes shprehjeve të çmuara të Profetit është edhe domosdoshmëria e kujtesës së shpeshtë të vdekjes që i hidhëson shijet. Veç kësaj, Profeti i ka vizituar varret dhe ka dhënë porosi për t’i vizituar ato. Po qe se njeriu, ashtu siç i beson të vërtetës së vdekjes, e bën atë sunduese në botën e vet të mendimit dhe përfytyrimit duke e ngulitur në shqisa, ndjenja dhe mendje, si dhe po qe se e bind veten për jetën e varrit që do të vazhdojë gjer në kiamet, atëherë, vështrimi dhe qëndrimet e tij ndaj kësaj bote dhe tjetrës ndryshon dhe bëhet diçka tjetër. Prandaj Profeti ka thënë: “Po t’i dinit ato që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë!”

Mendimi për vdekjen është si një antikorp që, së bashku me ambientimin dhe lëkundjet që mund të shfaqen në damarët moralo-shpirtërorë të njeriut, i shfaros të paktën edhe ndikimet dhe dëmet e virusit të mëkatit dhe mikrobeve të ngjashëm që djalli na i tregon të stolisur. Vdekja brenda mendimit se “meqë do të vdesim dhe pas saj do të na kërkohet llogari, shtënia pas kënaqësive të kësaj bote dhe mëkati nuk kanë kuptim”, ka, në një anë, një ndikim të fuqishëm shmangës dhe, në anën tjetër, një ndikim të fuqishëm fuqizues e nxitës. Por po qe se damarët moralo-shpirtërorë na janë mbushur me mëkate në atë masë që të mos kenë ç’t’u bëjnë antikorpet, dhe me mikrobet e shijeve të ndaluara të kësaj bote dhe po qe se, më në fund, në çdo anë të trupit na është shfaqur një anarki qelizash dhe na është formuar një mur të cilit s’kanë ç’t’i bëjnë as antikorpet e vdekjes, atëherë as vdekja vetë, as dhe ata që vdesin nuk do të na zgjojnë dot asgjë në shpirt dhe ikja një e nga një e të afërmve tanë do të na shkaktojë vetëm një dhimbje kalimtare disaditëshe. Dhe ne do të themi, “të vdekurit, me të vdekurit, të gjallët, me të gjallët”, do të shtojmë, “gjersa të gjithë e kemi vendin atje, shkofshim me besim” dhe, me të tilla ngushëlllime të kthyera në klishe, do të kthehemi sërish në indiferentizmin e së përditshmes!

Pse nuk kujtohet vdekja? Vdekja nuk dëshirohet të përmendet sepse ia prish shijen gojës duke i hidhësuar shumë kënaqësi të ndaluara që i pëlqejnë unit, sepse na e prish qejfin, sepse e shtrëngon njeriun të heqë dorë nga dëshirat subjektive e të shkëputet nga një sërë kënaqësish dhe shprehish trupore, sepse, përkundër shijeve të çastit, i fut njeriut dëshirën për adhurim për llogari të botës tjetër, sepse, me aspektin e saj lëndor, e ndrydh zemrën dhe sepse, duke e turbulluar mendimin, ia nxin njeriut botën e zbukuruar e të stolisur!

a) Jetesa sikur nuk do të vdesësh kurrë, të bën ta harrosh vdekjen

Prej se nuk ndikon vdekja? Prej ndjenjës iluzive të përjetësisë. Prej lidhjes pas botës sikur nuk nuk do të vdesësh dhe prej jetesës për jetesë. Prej vetëmashtrimit me shpërblime të çastit por të madhësive të lojrave të fëmijëve. Prej mbylljes së syve të zemrës dhe mendimit ndaj të shkuarës dhe të ardhmes!

Mendoni një njeri që hyn në një dhomë gjashtëkëndshe të veshur nga të gjitha anët me pasqyra në këmbë. Hedh vështrimin pas dhe sheh një korridor pasqyrash që pasojnë njëra-tjetrën duke u zgjatur pa fund, domethënë një jetë e tërë e jetuar gjer atë çast dhe njeriu fluturon me krahët e kujtimeve të kaluara. Pastaj kthehet për të parë në drejtim të së ardhmes. Në të njëjtën mënyrë, një jetë që e pret për t’u jetuar, zgjatet para pa fund. Dhe njeriu mendon: “Jam ende i ri dhe s’i kam punët keq në krahasim me bashkëmoshatarët! Kam mall e pasuri, të ardhura të mira, një grua të bukur, miq e rreth, profesion e punë...!” Në fakt, megjithëse ndodhet i mbyllur brenda katër mureve të një dhome, e sheh veten mes një jete të gjerë e shumëngjyrëshe, prandaj e sheh me ftohtësi vdekjen, madje as që do të mendojë për të! Përtej kësaj, në jetën e përditshme, ai mundohet ta mbysë mendimin mbi vdekjen mes mendimeve të tjera si dhe përmes hajeve, pijeve, drogës, duke marrë pjesë në botën e modës e të dëfrimit...

Në jetën tonë muslimane ne kemi dy festa që karakterizohen nga edukata dhe etika si dhe nga dobi të mëdha për këtë botë dhe për botën e përjetësisë: bajramin e ramazanit dhe të kurbanit. Tani shihini këto dy festa si dhe, për shembull, ditët e dëfrimit të gjermanëve. Festat ne i kremtojmë, kurse ata i kanë për dëfrim. Dhe festat e tyre të dëfrimit vijnë me radhë me javë dhe muaj. Po t’i shqyrtoni këta njerëz nga ana psikologjike, shihni se secili është një njeri qejfi dhe pandehni se janë tejet të gëzuar, të hareshëm dhe si të krijuar për të buzëqeshur... Kurse kjo dhe dukuri të ngjashme s4janë gjë tjetër veç mendimit për ta vrarë vdekjen dhe përpjekjes për ta harruar atë. Edhe muslimani ka një jetë gëzimi dhe hareje brenda linjave të veta dhe brenda një kuadri legjitim, ndërkaq që edhe në botën e tij të gëzimit, madje, ka frymëzime, kuptime dhe jehona drithëruese mbi vdekjen, por edhe zilindjellëse. Në fund të fundit, bota e brendshme dhe lumturia shpirtërore e muslimanit nuk ndjen nevojë, madje, për dëfrime të kësaj bote!

b) Porta e pallateve të lumturisë së përjetshme hapet me vdekjen

Ne e puthim vdekjen në ballë dhe i themi: “Ç’shok dhe shoqërues i bekuar që je ti!” Le të të shohin të tjerët si gjemb, ti je vetë trëndafili! Le të të thonë të tjerët “fytyrë e zezë”, ti je për ne dritë me dy flatra që na merr fluturim për të na çuar në botët e përtejme të dritës! Mos i shih ata që të thonë “fytyrë e ftohtë”, ti je për ne e bardhë dhe e tejdukshme si flokët e borës! Ata të thonë “gropë” ty, kurse ne të themi “korridor i hapur për në pallatet e lumturisë së përjetshme. “I ndan njerëzit nga njëri-tjetri”, thonë për ty, por, ti je vetë ajo që i bashkon në botën e përjetshme shokët, miqtë, të afërmit e të dashurit. Ti je ajo që na çon ne te profetët që ua kanë zilinë engjëjt, te sahabet, te prijësit, te njerëzit e mirë, te të afërmit! Ti na afron ne te Bukuria Hyjnore! Po, ti na ndan, por na ndan nga kjo botë ngarkuar me dhimbje, vuajtje, shqetësime dhe mall ndarjeje duke na dhënë “fletëkalimin” për në botën e përjetshme që është jeta e vërtetë! Ti je një sherbet që, në emër të kthimit tonë te Ai që na ka dërguar, na e mbush trupin me dritë! Dhe ti nuk je një fund, por fundi i fundit, një mbarim që të çon në fillimin e përjetësisë! Ti je vija e horizontit ku bashkohen buzë më buzë mbarimi i kësaj jete me fillimin e përjetësisë dhe një makiazh për sytë që hapen për të parë Bukurinë Hyjnore! Dhe, gjithashtu, ti je ajo që e bën Interpretin e vuajtur të një brezi të vuajtur të thotë në mëngjes, “ajme, prapë sot s’paskam vdekur”! Ja, pra, dy anët e vdekjes: në fillim të frikëson, pastaj të bën që ta kërkosh!

Siç e parashtruam këtu, mendimi mbi vdekjen me aspektet e tij edhe si pengues, edhe si nxitës, ndërsa nga njëra anë na bën të trembemi e të kërrusemi nga pesha e të këqijave që kemi bërë, nga ndjenja e përgjegjësisë dhe frika se kemi për t’i dhënë llogari Zotit për ato që kemi bërë, nga ana tjetër na e ngre peshë zemrën e na jep gjallëri përmes marrëdhënies frikë-shpresë dhe ushtron një ndikim pozitiv mbi ndjenjat, mendimet, sjelljet dhe veprimet tona! Duke e kujtuar vazhdimisht vdekjen, duke marrë mësim nga vizita në varre si dhe nga të sëmurët dhe të gjymtuarit, në dashtë Zoti, do të shpëtojmë nga ambjentimi, do ta ruajmë tendosjen dhe gjallërinë e brendshme dhe do të mbrohemi nga dëmet e djallit e të mëkateve!

9. Rëndësia e madhe e delikatesës dhe zbutjes së zemrës

Zbutja dhe delikatesa e zemrës dhe ndjenjave, shmangia dhe çlirimi i shpirtit nga opakësia e lëndës për të bërë vëzhgime dhe udhëtime përtej distancave të mendimit dhe përfytyrimit janë shumë të rëndësishme për njerëzit e ndjenjës. Sigurisht, si në çdo çështje, edhe këtu, nën udhëzimin e thënieve të ndritshme të Profetit tonë, ashtu siç në këtë botë ecim me këmbët e kësaj bote dhe shohim me sytë e kësaj bote, në të njëjtën mënyrë, është shumë e rëndësishme që, duke u ndodhur ende në këtë botë, të përpiqemi të ecim dhe shëtisim në distancat e ahiretit, jetës së pasme, dhe, duke u përpjekur për ta jetuar atë jetë, të fitojmë përvojë shpirtërore. Ndërkaq, edhe për një veprimtari të tillë është i domosdoshëm një meditim i orientuar, për rrjedhojë, aftësi dhe njohuri përkatëse.

Kam vdekur! Mbi krye janë mbledhur e më qajnë njerëzit e shtëpisë, të afërmit dhe miqtë. “Oh, nuk jeni ju që duhet të qani tani, por unë! Eh, sikur të kisha qarë sa isha në botë e tani të qeshja!”

Më kanë shtrirë për të më larë. Ai që po më lan, më kthen nga të dojë dhe ma pastron trupin. “Eh, sikur të isha larë vetë në kohë nga ndyrësitë, të isha pastruar me pendim dhe pendesë dhe të mos kisha bërë mëkate! Eh, sikur të isha mbrujtur në duart e bekuara të Profetit dhe të kisha marrë formën e përshtatshme për këtu!”

Pa shih, po më mbështjellin me qefin të bardhë që të kem mundësi edhe një herë të shoh bardhësirë para se të zhytem në errësirën e varrit! “Ah, sikur të isha ngjyer me ngjyrën e Allahut që do të ma ndriste varrin, të isha shkëlqyer me abdest, të isha zbukuruar me namaz, dhe ta kisha zbardhur faqen me shërbim në rrugën e Allahut!”

Ajme, ja tek më vunë në tabutin e thatë të bërë me katër copë dërrasa! “Pse atëherë kur shtrihesha në shtretër të butë, ulesha në kolltukë dhe zgjatja këmbët duke e shijuar jetën, nuk e mendova këtë ditë kur do të shtrihesha në këtë tabut të fortë? Kurse këtë gjë ia patën bërë edhe tim eti!”

Ja tek më vendosën në gurin e faljes dhe ma falën namazin e të vdekurit! Ja tek më ngritën në supe e më futën në varr! Ej, ku jeni ju, ime shoqe, fëmijët, miqtë e mi! Ç’po ndodh me ju? Pse po më ktheni shpinën e po më lini vetëm në këtë vend të ngushtë? Ku janë gjërat e mia, ku është pasuria ime? Po trupi im, sytë e mi të bukur, duart, këmbët, edhe ju po më lini? Eh, sikur të mos isha lidhur pas jush, o gjërat e mia më të dashura të kësaj bote, por të kisha bërë punë që do të më duheshin tani këtu!”

Engjëjt Munkir-Nekir do të vijnë e do të më bëjnë pyetje. Në jetën e varrit do të sodis xhennetin dhe xhehennemin. Do të bëhet ringjallja, do të mblidhen njerëzit e do të çohen në vendin e dhënies së llogarisë. Atëherë, secili do të shohë të shpëtojë kokën! Njerëzit s’do të duan t’ia dinë për prindër, fëmijë e të afërm. Secili do të kërkojë një dorë ndihme dhe atëherë do të zgjatet dora e Profetit do të prekë disa nga duart që i zgjaten, do t’i njohë portretet e ndritshme dhe do t’i mbledhë pas vetes duke thënë: “I njoh që nga larg ata që i kanë të ndriçuara duart e krahët me abdest dhe ballët me sexhde...” Ah, sikur edhe unë të kisha lënë adresë, të isha njohur me të dhe të mblidhesha bashkë me të tjerët rreth tij! Ja tek fluturojnë librat e llogarisë, peshorja është ngritur, po bëhen llogaritë! Të fshehtat derdhen jashtë, në vend të gjuhëve flasin duart e këmbët!..

Me të tilla mendime e meditime duhet zbutur zemra e duhet bërë delikate ajo!

10. Lot dhe namaz mes në errësirën e natës

Për njerëzit e sinqertë e parimorë, për njerëzit zemërdjegur, loti është zbrazje e vuajtjeve, është lehtësim! Ndërsa në këtë botë loti qetëson, qoftë edhe për një çast, ankthin e zjarrit të dashurisë pasionante për Zotin në zemër, në jetën tjetër do të jetë i vetmi eliksir që do t’i shuajë flakët e xhehennemit. Prandaj, në lidhje me këtë çështje, Profeti shprehet kështu: “Pas ringjalljes, në kushtet kur shkëndijat e xhehennemit do të ndjekin njerëzit, Xhebraili do të duket me një gotë ujë në dorë. Unë do ta pyes: “Po kjo?” Dhe ai do të më përgjigjet: “Këtu janë lotët e besimtarëve që kanë derdhur me frikën ndaj Allahut dhe kjo është e vetmja gjë që mund t’i shuajë këto shkëndija të frikshme!”

Përsëri, në një hadith tjetër, derdhjen e lotëve me frikën ndaj Allahut, Profeti e vlerëson njëlloj me rojen e luftëtarit në front që armiku të mos na sulmojë e të na pushtojë. “Dy sy s’kanë për ta parë xhehennemin, – thotë Profeti, - i pari, syri i atij që loton me frikën ndaj Allahut, i dyti, syri i atij që i rreh zemra përballë rreziqeve ku mund të bjerë vendi dhe që bën roje atje ku pritet të na hyjë armiku për të na shkatërruar!” Sytë që jashtë vëzhgojnë të jashtmen dhe brenda, të brendshmen! Po, triumfi i brendshëm me triumfin e jashtëm janë të barazvlershëm.

Në Kur’an kjo çështje përmendet me miratim në disa vende. “Ata, kur dëgjojnë ajetet e Allahut, bien me nofullat në tokë!” (Isra, 17:107) Kurse në një vend tjetër, Kur’ani paralajmëron: “Të qeshin pak e të qajnë shumë!” (Tevbe, 9:82) Kjo ka këtë kuptim: “Mendoni dhe le t’ju hidhet zemra përpjetë për disa gjëra që keni fituar! Vrajeni mendjen për vdekjen, për ato që do t’ju ndodhin pas saj dhe në ç’gjendje do të ndodheni në vendin e llogaridhënies dhe qeshni pak e qani shumë!” Me këtë aspekt të tij, loti mbahet i barazvlershëm me të mirat e xhennetit. Profeti lutet: “Allahu im, mbështetem tek Ti nga zemra që nuk dridhet, nga syri që nuk përlotet!” Në sytë e atyre që u janë ngurtësuar zemrat, që u kanë zënë ndjenjat pezhishka merimangash, nuk duken lot!

a) Nuk duhet qarë me shtrëngime artificiale pa zjerë përbrenda

Çështja ka edhe një aspekt tjetër. Profeti ynë (s.a.s.) thotë: “Njeriu që qan kur të dojë, është hipokrit!” Eshtë i dyshimtë edhe personi që përpiqet të derdhë lot duke ndenjur, pa zjerë përbrenda, pa pasur ndonjë shtrëngim nga brenda, pa iu ngushtuar zemra ose me shtrëngime artificiale. Sepse të qarët është një zbrazje dhe lehtësim si rezultat i ndodhjes nën presionin e emocionit të zemrës dhe ndjenjave. Disa herë ndodh që zemra është jashtëzakonisht besnike, e vendosur gjer në fund dhe e gatshme për t’i zbatuar urdhrat e fesë dhe për t’u ruajtur prej ndalimeve të saj. Ajo s’e di se ç’është kthimi pas, por dhe në sy s’i vijnë lot. Ndërkaq, besnikëria e saj siç e përshkruam, është shumë me rëndësi. Ajo është si një vorbull, s’është bosh. Të dyja këto lloj zemrash janë të pranueshme, sepse s’duhet harruar se besnikëria rrjedh nga dashuria! Të mos keqkuptohemi! Kjo asnjëherë s’do të thotë se nga sytë e besnikut s’derdhen lot! Edhe Ebu Bekri, edhe Omeri kanë qenë besnikë. Kur ndodheshin pranë ndonjë zemërthyeri, qanin me ngashërime si fëmijë. Të gjithë e dimë se e qara e tyre në namaz dëgjohej në rreshtat e pasëm. Nisur nga kjo, ashtu siç nuk i lihet mungesa e lotëve gjithmonë mungesës së dhimbjes së zemrës, ashtu dhe rrjedhja e lotëve si lumë nuk i lihet rregullisht dhimbjeve apo gëzimeve të zemrës! Sigurisht, disa herë njeriu nuk mundet ta kontrollojë veten, e mundin ndjenjat dhe qan. Po qe se i mungojnë besnikëria dhe vuajtja e brendshme, kjo për të bëhet e rrezikshme. E qara është e pranueshme dhe e vlefshme dhe, te Zoti, vlen sa botët, kur është një zbrazje e papërballueshme e shtyrë nga shtysa të brendshme dhe e kryer në linjë legjitime.

Në veprën e tij “Ihjau ulumiddin”, Gazaliu thotë: “I penduar edhe ai që qan, edhe ai që s’qan!” Njeriu, po s’qau, një ditë do të pendohet, sepse para ka shumë shkaqe që mund ta bëjnë të qajë. Nga ana tjetër, ka shumë që qajnë, por jo për mëkatet, por për gjëra të tjera, ndoshta thjesht nën veprimin e ndjenjave. Kjo do të thotë se edhe e qara është e pranueshme dhe me vlerë nëse niset nga motive dhe synime legjitime.

Njeriu jobesnik, me zemër ku s’ka lot legjitimë, me zemër të pandjeshme e ku s’ka mbetur drithërimë ndaj mëkateve, do të thotë se është bërë shenjë goditjeje për djallin dhe në gjendje të përshtatshme për t’u gjuajtur dhe marrë viktimë. Sepse një njeri i tillë nuk trembet nga mëkatet, për rrjedhojë, nuk bart në ndërgjegje peshën e mëkatit dhe ankthin për të mos hyrë më në mëkat. Mbi njeriun me zemër të ngurtë nuk ndikon as frikësimi, as inkurajimi. Ai shëtit qetësisht në çdo vend, nuk frikësohet fare nga rreziqet e rënies në mëkat dhe indiferentizmi i tij i pëshpërit vazhdimisht se ndodhet në siguri edhe nëse ndodhet në një fushë të minuar!

b) Namazi tehexhxhud është feneri ndriçues i netëve të errta

Ata që i ndriçojnë netët e tyre me fenerin e namazit tehexhxhud, quhet se e kanë ndriçuar edhe jetën e tyre të varrit. Namazi tehexhxhud është, përballë errësirës së varrit, një blind, një armë, një pishtar dhe një mjet sigurie që e mbron personin nga vuajtja e errësirës së varrit. Çdo namaz është dorëzanësi për ndriçimin e një cope të jetës së botës tjetër të atij njeriu, kurse namazi tehexhxhud është ushqimi dhe ndriçimi i asaj jete. Për namazin tehexhxhud është aluduar në disa vende të Kur’anit. (Isra, 17:79; Sexhde, 32:16; Insan, 76:26). Siç mund të falet me dy reqate, mund të falet edhe me tetë reqate. Sipas rrëfimit të Buhariut dhe Muslimit, Ibni Omeri i tregon Profetit një ëndërr ku sheh se i shkojnë dy persona me pamje të tmerrshme, e kapin për krahësh, e çojnë në buzë të një grope me zjarr dhe, pasi trembet se mos e hedhin, ata i thonë të mos ketë frikë se për të s’ka rrezik. Profeti e komenton këtë ëndërr me këto fjalë: “Ç’njeri i mirë është Ibni Omeri! Sikur të falte edhe namazin tehexhxhud!” Kështu, Allahu i ka treguar Ibni Omerit një tabllo xhehennemi të jetës së varrit dhe, duke ia kujtuar një të metë, ka siguruar mbylljen e saj me anë të këshillës së Profetit!

Në prishjen e ambientimit, në zbutjen e zemrës dhe në mbrojtjen nga ndikimet e djallit e të mëkateve, gjërat që i përftojnë zemrës disa pika lot të derdhura në errësirën e natës nga frika e Allahut, nga impresionimi prej Allahut dhe dashuria e afërsia ndaj Tij, si dhe ziqret, tesbihet, namazet dhe mësimet e kryera me sytë e zgjuar në orët kur të gjithë flenë, kuptohen vetëm në praktikë dhe duke i shijuar. Njerëzit me netët të ndriçuara, a mund të mos i kenë të ndriçuara edhe ditët?

11. Duhet martuar dhe, nëse s’është e mundur, duhet agjëruar

Profeti porosit: “O të rinj! Martohuni, por, në mos paçi mundësi, agjëroni sepse agjërimi është mburojë ndaj mëkateve!” Po qe se një të ri fillojnë me të vërtetë ta shtyjnë dëshirat sensuale, ai këshillohet të martohet pa humbur kohë. Por edhe nëse nuk ekziston një rrezik i tillë dhe mendohet që personi duhet të mbetet beqar për shkak të detyrave që duhet të kryejë dhe ai është i mbrojtur ashtu si edhe profetët dhe burrat e shquar si dhe nga atmosfera që e rrethon, duhet nxitur për t’u martuar, veçanërisht në ditët tona për të mos u bërë mjet për djallin, dhe duhet futur nën këtë mburojë dhe blind mbrojtës. Në të kundërt, si mburojë duhet përdorur agjërimi.

12. Duhet jetuar si sahabet

Për ta orientuar dhe mbajtur vitale zemrën dhe mendimin tonë, duhen marrë si shembull jeta e nderuar e Profetit, e sahabeve, e pasardhësve të tyre dhe e të gjithë njerëzve të shquar të Islamit që u kanë bërë dritë shekujve, duhet dëgjuar dhe studiuar ajo. Njeriu që e ballafaqon veten dhe jetën e vet me ata modele të mëdhenj, do t’i kërkojë llogari vetes duke menduar, “ata ishin të tillë, po ne, si jemi” dhe, kështu, do të ketë para vetes një forcë tërheqëse, kurse pas, një forcë shtytëse.

Leximi dhe dëgjimi rrëfimeve mbi të kaluarën me një zemër plot emocione jo sa për kujtesë, për jubile ose për kënaqësi, por me mendimin dhe dëshirën për t’u bërë me të vërtetë si ta dhe, si konkluzion, për ta rregulluar jetën tonë sipas jetës së tyre, është një specifikë mbi të cilën duhet qëndruar me forcë. Po qe se dalim para popullit dhe flasim e mbajmë fjalime duke u krenuar me arritjet dhe historinë tonë duke thënë se “ne jemi nipërit e një kombi fisnik e të shquar që u përhapëm në botë si rrufe duke çuar kudo përparimin”, ç’përgjigje do të japim po të na pyesin se “ata ashtu ishin, po ju ku jeni, ç’bëni”? E rëndësishme është të mund t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje!

Te çdo njeri ekziston një dëshirë e bashkëlindur për imitim dhe përngjasim. Po qe se çdo baba do ta vëzhgojë fëmijën me vëmendje, do të vërë re se ai përpiqet t’u ngjajë atyre, prindërve. Po, ne shohim se si një fëmijë shtatë vjeç përpiqet të heqë tespihe si i ati dhe t’i përngjasë atij në çdo gjë, gjer te mënyra e krehjes së flokëve! Në mosha më të përparuara, pastaj, shohim se fëmijët përpiqen të imitojnë dikush shportistët, dikush artistët e filmave. Madje, sikur pak të bisedohet me fëmijët, kuptohet menjëherë se ç’probleme ka në familjen e tyre. Këtu dëshiroj të përcjell një vëzhgimin tim.

Shoku i të atit e pyet djalin: “Kë do më shumë, nënën apo babanë?” Përgjigjja e djalit është e tillë që ndoshta ka për ta çuditur edhe të atin: “Unë dua më shumë Allahun dhe të Dërguarin e tij!” Edhe një vëzhgim tjetër. Në Gjermani, një fëmijë musliman shtatë vjeç, nxënës i shkollës fillore, futet në ujë së bashku me shokët e vet gjermanë, por, meqë ka turp të zhvishet, futet me gjithë rroba. Pastaj, kur shkon në shtëpi me pantollona të lagura dhe gjunjët me baltë, e ëma e pyet: “Ç’është kështu?” Përgjigjja e djalit është interesante: “Nënë, e fala iqindinë në bar!”

Një mënyrë për të mbetur vazhdimisht vital dhe dëshirues, është jetesa si sahabet, shokët e Profetit. Ashtu siç na e tregon Kur’ani Profetin si shembull, edhe Profeti na i ka paraqitur shokët e tij si drita të rrugës së drejtë, duke u shprehur për ta: “Janë si yjet!”

13. Duhet bartur shqetësimi për dyfytyrësi dhe për hyrje në mëkat

Disa herë është mirë që, edhe pa ndodhur ndikimi i djallit, edhe pa pasur dyshim e lëkundje, edhe pa ndodhur ngurtësimi i zemrës dhe ambientimi, njeriu të bartë frikën dhe shqetësimin se mos ka dyfytyrësi tek ai apo se mos po hyn në mëkat. Hz. Omeri, Ibni Mesudi, Abdullah Ibni Omeri dhe Hz. Aisheja, madje, sipas përcaktimit të disa biografëve, rreth njëzet sahabe, shokë të Profetit, kishin frikë se mos tek ta kishte shenja dyfytyrësie. Në fakt, lëkundja dhe dyshimi nuk patën vend në personalitetin e tyre të shquar, megjithëkëtë, me ta ndodhte kështu për shkak të vetëdijes shumë të thellë të besimit që kishin dhe përgjegjësisë që ndjenin. Por kjo mund të ndodhë edhe me besimtarët e zakonshëm. Njeriu me një botëkuptim të tillë, e sheh vendin ku shkel si fushë të minuar. Në fakt, ky shqetësim dhe kjo frikë janë shfaqje të luftës së brendshme që bën njeriu me vetveten, me unin e tij, me dëshirat trupore e sensuale. Në qoftëse njeriu tregohet syçelë, i qëndrueshëm e i vendosur dhe i gjykon me kujdes të gjitha sjelljet dhe veprimet e veta, uni sprapset i mundur, gjë që do të thotë se njeriu e ka fituar luftën!

C) Çeshtje te botes se jashtme

Gjer këtu qëndruam më shumë mbi çështjet që i përkasin botës së brendshme ose subjektive të njeriut dhe u dhamë peshë specifikave mbi përpjekjet e tij individuale dhe personale. Kurse tani të përpiqemi të merremi me specifikat që kanë të bëjnë me anën e jashtme të individit si pjesëtar i një kolektivi dhe me veçoritë e bashkësisë.

1. Jetesa në formë bashkësie[1] është domosdoshmëri jetësore

Allahu e ka krijuar njeriun si një qenie që ka për të jetuar në kolektiv dhe e ka “lëshuar” atë në mesin e individëve të tjerë të të njëjtit lloj. Me aspektet e tij materialë e shpirtërorë, njeriu mundet të jetojë vetëm e vetëm në shoqëri e në bashkësi. Prandaj, qysh nga Ademi, njeriu i parë, në plan të parë ka dalë gjithmonë bashkësia, kurse individi ka mbetur në plan të dytë. Për më tepër, në disa periudha dhe fragmente kohore të caktuara, kjo çështje ka fituar rëndësi më të madhe në raport me të tjerat dhe pothuaj është kthyer në një domosdoshmëri. Ndërkaq, në shumicën e madhe të tyre, edhe kafshët jetojnë në bashkësi, pra, njeriu që është qenia më e përkryer, është i detyruar që në çdo faqe të jetës të jetojë në bashkësi dhe shoqëri. Ndërkaq, Islami i jep përparësi kësaj çështjeje dhe e përforcon edhe më shumë, aq sa edhe kur falet individualisht, muslimani lutet në shumës e jo në njëjës: “Ijjake na’budu ve ijjake nestain!”, “Vetëm Ty të adhurojmë dhe ndihmën vetëm prej Teje e kërkojmë!” Në çdo çështje, nga punët e veta të përditshme gjer te adhurimet, Kur’ani dhe Sunneti e shtyjnë besimtarin musliman në bashkësi, i tregojnë avantazhet e bashkësisë dhe ia lidhin një pjesë të madhe të jetës me bashkësinë.

a) Lidhja në bashkësi është sot më e detyrueshme se kurrë

Sot globi tokësor ka marrë pamjen e një kombi dhe shteti të vetëm. Me anë të mjeteve të ndryshme, komunikacioni dhe ndërlidhja janë bërë shumë të shpejtë dhe, në sajë të lidhjeve dhe marrëdhënieve shumë të afërta e të ngushta ku ndodhen sot popujt, kombet dhe shtetet dashje pa dashje, dallimet teknologjike, ekonomike, politike e ushtarake, duke shkuar drejt zbutjes dhe rrafshimit, i ka sjellë ata në gjendje të krahasueshme e të konkurrueshme me njëri-tjetrin. Kjo gjë e ka çuar çdo popull dhe komb në grupime brenda vetes, madje, si një rrjedhojë e domosdoshme e shekullit, brenda frymës dhe vetëdijes së këtij ballafaqimi, njerëzimi e ka ndjerë veten si një të tërë.[2]

Në përmasa botërore, ideologjitë, nga shekulli XVIII e gjer më sot janë shtuar e rritur si degët e reja të një peme dhe, duke fituar origjinalitet, kanë gjetur përkrahës e mbrojtës, veç të tjerash, edhe si reaksion ndaj krishterizmit. Për t’i forcuar dhe rrënjosur ideologjitë në fjalë, pothuaj në të gjitha vendet e botës, përkrahësit dhe mbrojtësit e tyre janë përpjekur me të gjitha mundësitë dhe forcat për të krijuar grupime e kolektiva. Ndërkohë, edhe të mundurit e luftërave botërore i kanë hyrë një grupimi të veçantë me dëshirën, ambicjen dhe vendosmërinë për t’i arritur fituesit dhe kryesuesit, madje për t’i kaluar. Fushatat kryqtare të zhvilluara kundër shtetit të madh osman kanë përbërë, në fakt, gjithashtu, modelet e formimit të shoqërisë duke kaluar nga popullata dhe shteti i copëtuar në një bashkim më të lidhur e të njësuar siç është kombi dhe shteti kombëtar. Sot, të njëjtët popuj, janë duke e paraqitur dhe bërë të ndjeshëm veten me emra dhe tituj të ndryshëm, të bashkuar në formë paktesh, tregjesh dhe blloqesh. Përtej kësaj, kombet që e kanë përfunduar ose duken sikur e kanë përfunduar brenda vetes procesin e natyrshëm të bashkimit e njësimit, kanë filluar të depërtojnë me anë të krahëve të dukshëm e të padukshëm brenda popujve apo kombeve të tjerë me qëllim për të formuar atje grupime që “të këndojnë këngët e veta”! Këtu, duke u mbështetur në mirësinë dhe tolerancën tuaj, dua të marr për shembull Rusinë dhe Kinën, armiqtë e mëdhenj, përfaqësuesit e mohimit hyjnor. Në këtë kohë kur ata po kthehen pas dhe po zbresin nga maja poshtë, në dashtë Zoti, kemi për t’i parë me kokë poshtë si ndëshkim të të këqijave që i kanë bërë kombit tonë! Ju, po të doni, me kolegjet e hapura në vendin tonë, me lëvizjet kulturore, me veprimtaritë e kolonës së pestë, me të gjitha llojet e botimeve si dhe me mënyrën e tyre të jetesës, mund të mendoni Amerikën, Anglinë, Francën dhe Gjermaninë, po ashtu edhe të tjerë me ato që kanë bërë e që u kanë rënë në kokë, pastaj!

Vendi ynë është rrugëkalimi i ideve, domethënë, vendi i takimit të kulturave të Lindjes dhe Perëndimit. Ashtu siç u bë, me Rrugën Tregtare të Lindjes, epiqendër tregtare për shekuj të tërë, vendi ynë u bë edhe vendi ku erdhën e kaluan ose u vendosën të gjitha idetë. Sikur çdo udhëtar është larguar pasi ka hedhur në këtë tokë pjellore ca fara.

Dhe, tani, thoni ju, po qe se ne nuk do të ishim të bashkuar e në unitet përballë shumë goditjeve nga e majta e nga e djathta, nga para e nga pas, përballë zemrave armike që rrihnin së bashku me ide dhe mendime me burim historik, kombëtar dhe fetar, si dhe përballë dallgëve dhe erërave të tmerrshme të prodhuara prej tyre, a do të ishte e mundur të arrinim gjer në ditët e sotme? Këtë pyetje mund ta bëjmë edhe në këtë formë: Për të mundur të qëndrojmë përballë sulmeve të njëpasnjëshme e të pamëshirshme të dhëmbëve dhe shumëdhëmbshve të panumërt (njëdhëmbshit, ata që kanë mbetur me një dhëmb, në gjendje grupimesh dhe bashkësish bëhen shumëdhëmbësh), për të mundur ta ruajmë tërësinë tonë kombëtare, për të mundur ta vazhdojmë jetën dhe vitalitetin tonë, madje duke u fryrë jetë dhe vitalitet edhe të tjerëve, a kemi apo s’kemi nevojë për t’u bashkuar në grup, në bashkësi, për të formuar një bashkësi të shëndoshë e të palëkundur? Ndërsa bota na hidhet sipër e organizuar dhe me njësi të mekanizuara, si mund të dalim para tyre si individë dhe të armatosur me pushkë? E vërteta është se zemrave që rrahin bashkë, as topi s’ka ç’u bën, prandaj, kur të mos kemi topa e pushkë, të paktën zemrat t’i kemi të forta me anë të bashkimit dhe njësimit!

Nga kulturat e ndryshme krijohen grupime e bashkime të ndryshme. Meqë në periudhat e mëparshme nuk pati e nuk u zhvilluan doktrina të ndryshme, rryma dhe kultura të ndryshme ideore si dhe meqë mbi njerëzit sundoi kultura e një tipi ose një tip kulture, një njeri të vetëm mund ta ndiqnin – në emër të së drejtës ose të së shtrembrës – masa të mëdha e të tëra njerëzish. Njerëzit e rritur e të formuar brenda një kulture dhe botëkuptimi, duke qenë më naivë, mund të drejtohen më lehtë, për rrjedhojë, me ta mund të përfitohet shumë më lehtë dhe qetë në krahasim me mendësinë e sotme, nga gjendja shpirtërore e masës, domethënë, nga psikologjia shoqërore. Dhe kështu ndodhte atëherë.

Kurse sot, siç e prekëm pjesërisht edhe më lart, secili përfiton nga kultura të ndryshme dhe botëkuptime shumë të ndryshme përhapen mes njerëzve shumë lehtë. Një vepër çfarëdo e shkruar në skajin tjetër të botës, e shkruar në çdo nivel dhe botëkuptim, me çdo bindje dhe mendim, gjen në çast marrës dhe lexues në skajin e kundërt të botës dhe ushtron ndikimin e vet të caktuar. Kjo ka këtë kuptim: Në një periudhë të tillë të jetesës së ndërthurur me njëra-tjetrën të kulturave të ndryshme, njerëzit janë të shkëputur nga njëri-tjetri; në vend të jetës shoqërore, sundon jeta individuale. Me mendësinë “edhe Unë” të lindur nga vetëdija individuale e njohjes dhe kompetencës mbi dijen dhe kulturën e përgjithshme e të specializuar, secili është pothuaj një luan. Njerëzve të tillë u duket sikur janë të barabartë me të tjerët në njohjen e botës, në mos më të lartë se ta. Ndërkaq, të barabartët e shtyjnë njëri-tjetrin. Në një mjedis të tillë, secili individ, me bindjen se dija e vet, pushteti i vet, kapaciteti i vet janë të mjaftueshëm për të, thotë “pylli është imi” dhe kërkon të shëtisë nëpër të i vetëm si pronar që mendon se është, nuk i shkon mendja të hyjë nën kujdestarinë dhe mbrojtjen e dikujt tjetër, madje e sheh të panevojshme një gjë të tillë.

Së pari, duhet ditur se individi s’mund të bëjë qëndresë i vetëm përballë grupeve, bashkimeve dhe bashkësive perverse e destruktive. Një njeri, edhe sikur të jetë një “kulm”, nuk mund të jetojë vetëm me gjenialitetin e vet, me botën e vet të dijes dhe kulturës, madje me zbulimet dhe parashikimet e veta i vetëm përballë tufaneve të perversiteteve dhe mëkateve të këtij shekulli, edhe sikur të jetojë, mund të bëhet në çdo kohë pré e ujqve sepse është ndarë nga tufa! Veçanërisht, ai mbetet i privuar nga begatitë që do t’i sjellë, nga avantazhet që do t’i sigurojë dhe favoret që do t’i bëjë të qenët pjesëtar i një bashkësie. Njeriu, këmbët e të cilit s’shkelin mbi truall bashkësie, është si një gjethe e rënë nën këmbë dhe një pendë që e lehtë. Që të dyja shkelen me këmbë ose i merr me vete era nga të dojë. Prandaj sahabet, njerëzit më të fuqishëm e më të pushtetshëm të asaj kohe, madje, patën ndjerë nevojën për t’u organizuar në bashkësi e për të formuar një unitet. Prandaj, strehimi më i rëndësishëm që do të na mbrojë ne nga kurthet e ngritura prej armiqve tanë me anë të kanaleve dhe degëve shoqërore në rrugët nga do të kalojmë ne, si dhe nga sulmet e tyre kolektive, veçanërisht nga rënia viktimë e djallit, unit dhe tufaneve të mëkatit që janë armiqtë tanë moralo-shpirtërorë, është bashkimi dhe uniteti në bashkësi. Ftesa për ta pranuar dhe përvetësuar këtë ide është një ndër çështjet më jetësore të ditëve tona.

b) Në bashkim ka kurdoherë fuqi

Ndërsa dy individë të veçuar nuk e kapërcejnë dot 1-shin, kur vendosen pranë e pranë, bëjnë 11, kurse kur vendosen pranë e pranë tre njësha, arrijnë në 111. Dhe tani, këtë gjendje që u përpoqëm ta shprehim në mënyrë vulgare me një lojë shifrash, mendojeni duke e krahasuar ndriçimin që do të bëjë një njeri duke mbajtur në dorë një pishtar në errësirë, me ndriçimin që do të bëjnë 11 ose 111 vetë. E njëjta gjë ndodh edhe kur duhet ngritur ndonjë peshë. Shtojini fuqisë së thjeshtë fizike edhe aleancën e mundësive dhe aftësive mendore e shpirtërore me dijen, njohjen, mendimin dhe arsyen. Veçanërisht, në qoftë se në këtë mes ka edhe unitet qëllimi e ideali si dhe përpjekje e vendosmëri të njëjtë, atëherë zemrat me të vërtetë fillojnë të rrahin me një forcë të tillë që s’kanë ç’u bëjnë as topat! Po kështu si kjo, po të mendoni se jeni ndriçuar nën shikimet plot dritë të stolisura me mëshirë, dhembshuri dhe buzëqeshje drite të shokëve me nivel shumë të lartë jetësor të botës së brendshme, të botës ndjesore e shpirtërore dhe në fytyrat e të cilëve do të mund të sodisni figura engjëllore, do ta kuptoni akoma më mirë se në ç’atmosferë kundër mashtrimeve të djallit dhe aftësisë djegëse të mëkateve ndodheni! Brenda kësaj atmosfere do të shtohet edhe forca e vullnetit dhe e zemrës suaj të dobët e cila do të fitojë rezistencë. Si rrjedhojë, do të bëheni zotër të një fuqie të dyanshme.

c) Në bashkësi ka mëshirë dhe në lutjet e bëra në bashkësi ka miratim dhe pranim

Siç shprehet porosia profetike, mëshira e Allahut është me bashkësinë. Reja që përsillet mbi bashkësinë, pothuaj lëshon mëshirë mbi atë që hyn nën të! Lutja e një personi të vetëm si lutje e një individi, bart aq pika mëshire sa ç’mund të bartë. Kurse kundërvlera e një lutjeje të një bashkësie me një bashkim të plotë e të vërtetë dhe në një gojë, është shumnë herë më e madhe se shumëfishi i mëshirës së zbritur mbi një individ dhe nuk pikon, por zbret me rrëke! Po qe se dëshironi të jeni një pemë prodhimtare e hapur ndaj mëshirës (hyjnore), shihni të bëheni një pemë brenda pemëtores ose një dru brenda pyllit. Po të mbeteni vetëm, s’ju bie asnjë mëshirë, pra, mund të thaheni e të merrni fund, kurse mbi pemëtoren ose pyllin do të bjerë mëshirë patjetër dhe edhe ju do të përgfitoni me shumicë nga ajo mëshirë. Prapë, le të themi se jeni një qytetar civil, nuk keni armë, kurse fuqinë dhe forcën i keni sa dhe kapitalin. Por po të ndodheni në ushtri, qoftë edhe i vetëm, krahas armës, forcës, aftësive individuale dhe guximit, gjeni pranë edhe forcën dhe fuqinë e njësisë ushtarake ku merrni pjesë dhe mund të ndodhë që të kapni rob edhe një gjeneral, madje, edhe një ushtri!

Qoftë për të mirë, qoftë për të keq, në të gjitha kushtet, fuqia dhe ndikueshmëria e bashkësisë janë tej çdo përfytyrimi. Ndërkaq, është shumë e rëndësishme që një personalitet i tillë moralo-shpirtëror i bashkësisë t’i drejtohet dhe lutet Allahut për ta vënë në veprim mëshirën hyjnore e për t’u bërë pretekst për ndihmën hyjnore. Kjo është aq e rëndësishme, saqë edhe njerëzit perversë, madje, të bëjnë lutje në bashkësi, në disa raste mund t’i prapësojë lutjet tuaja të vetmuara. Në këto kushte, për të fituar mundësi për t’iu përgjigjur bashkësive të perversitetit e për të qëndruar përballë tyre, edhe besimtarët kanë nevojë të lidhen në bashkësi, të mbrohen si bashkësi dhe të luten me frymë bashkësie!

Një dobi e madhe e pjesëmarrjes në bashkësi është edhe kjo: të këqijat dhe mëkatet e personit mund të bëhen pengesë që lutjet e tij të ngjiten në qiellin e pranimit, kurse është pothuaj e padiskutueshme që lutjet e individëve të lidhur në bashkësi, lutjet e bashkësisë, pranohen. Në një porosi të shenjtë, Allahu thotë kështu: “Humu’l-kavmu la yeshka bihim xhelisuhum”, “Ata janë një bashkësi e tillë që ai që ndodhet mes tyre nuk bëhet i pafat!” Sigurisht, ai që ndodhet në trëndafilishte, të paktën përfiton nga aroma e trëndafilave!

d) Bashkësia është si rrufepritëse

Bashkësia jo vetëm është mjet për ta ftuar mëshirën hyjnore me lutjet dhe forcën tërheqëse të saj dhe për t’ua çuar zemrave, por edhe një pretekst i rëndësishëm për përzënien e shqetësimeve, kokëçarjeve dhe fatkeqësive. Qielli është shumë i lidhur me zemrat dhe duart e fytyrave qiellore të hapura ndaj tij. Po, lutjet dhe përgjërimet si bashkësi, ndërsa tërheqin buzëqeshjet qiellore në pëllëmbët e hapura ndaj Mëshirës, në të njëjtën kohë shkaktojnë edhe përzënien dhe largimin e fatkeqësive të afruara në tokë. Atyre që kanë mbetur larg nga rrufepritësi, mund t’i qëllojnë çdo çast shigjetat prej rrufeje të djallit. Disa herë ndodh që ai që largohet nga bashkësia për dy ditë, bëhet sikur të jetë larguar katër ditë, ai që largohet katër ditë, bëhet sikur të jetë larguar tetë ditë dhe ta ndjejë veten në boshllëk dhe të ndrydhur. Kjo është krejt si puna e errësirës që, sa më shumë të largohet nga burimi i dritës, bëhet më e thellë.

2. S’duhet mbetur vetëm, patjetër duhen bërë shokë të mirë

Siç u theksua më lart, Allahu e ka krijuar njeriun si një qenie shoqërore. Njeriu që jeton vetëm, mund të mbetet edhe i pafuqishëm e pa mbështetje përballë erërave të perversitetit që e sulmojnë nga të katër anët, edhe i privuar nga avantazhe të tilla si pranimi i lutjeve. Përtej kësaj, ai mund edhe të bëhet objekt goditjeje për shigjetat e helmuara të djallit. Nisur nga kjo, Profeti (s.a.s.) thotë: “Ai që jeton vetëm, është djall!” Po, njeriu që jeton vetëm, herët a vonë mund të bjerë në kurthin e djallit, mund të bjerë në dorë të djallit dhe mund të bëhet gjah i kthetrave të kuqe të djallit! Çdo mendimi i keq i hedhur nga djalli në mendje dhe përfytyrim, është si një farë që do të mbijë dhe hedhë shtat në dheun e vetmisë dhe shqetësimit shpirtëror. Te njeriu i vetmuar, mendjen, zemrën dhe shpirtin e të cilit e mbushin farat e të keqes dhe mëkatit, është pothuaj e pamundur që të mos vijë një ditë që këto fara të zhvillohen, të përhapen duke shpërthyer jashtë tij, pra, duke u bërë të dukshme e të japin fryte të mëkatit. Çdo njeri, kushedi sa herë e ka ndjerë se si e kanë shtypur këto lloj mendime e përfytyrime që e vënë në vështirësi herë pas here, se rrënja e këtyre mendimeve të këqija duhet tharë qysh kur janë ende farë, dhe është përpëlitur me pendesë. Vëllezërit dhe shokët tanë të shërbimit ndaj kauzës së përbashkët, janë ndihmësit tanë tejet të dobishëm që mendja, zemra dhe shpirti të mos na pushtohen prej farërave të së keqes që vijnë prej djallit dhe që këto të pastrohen qysh në krye.

Kur njeriu flet, dëgjon ose sheh, veprimtaritë e mendjes dhe përfytyrimit të tij marrin forma dhe ngjyra lidhur dhe në vartësi të këtyre ndjenjave. Duke i kryer këto tri veprimtari menjëherë, pra, duke biseduar me shokët në fjalë, duke u bërë pyetje e duke marrë përgjigje prej tyre, domethënë, edhe duke folur, edhe duke dëgjuar, edhe duke menduar, ju nuk mund të organizoni udhëtime në botën tuaj të përfytyrimit, sepse veprimtaria mendore dhe vëmendja ju është përqëndruar në bisedë, dëgjim dhe mendim (arsyetim) duke u burgosur në një farë mënyre. E kundërta e kësaj, njeriu i shkëputur prej shokësh, me mendjen e tij të mbetur lirë, sidomos “po të hyjë nën jorgan”, zhytet e humbet në botët e përfytyrimit që dëshiron ose ku e zvarrit djalli dhe ndodh që nuk mund të kthehet pa marrë plagë nga ai udhëtim iluziv me pamje rrëqethëse...

Njeriu duhet të ikë nga të mbeturit vetëm siç ikën nga gjarpëri, sepse vetmia i hap rrugë tronditjes së shpirtit të njeriut nga mendimet prej gjarpëri. Të njëjtat rreziqe ekzistojnë edhe kur janë dy vetë, sepse është gjithsesi e mundur që dy vetë të merren vesh për të bërë një të keqe. Kurse, sipas llogaritjeve, është pothuajse e pamundur që tre vetë të merren vesh për të bërë të këqija dhe mëkate. Duke e vënë gishtin mbi këtë të vërtetë, Profeti (s.a.s.) ka thënë: “... edhe dy vetë janë djall (djaj), kurse tre vetë janë xhemaat (bashkësi)!” Tre vetë përbëjnë xhemaat (bashkësi) dhe, me ta, vrimat nga mund të hyjë djalli për të zënë vend te njeriu, zvogëlohen shumë! Edhe në qofshim të martuar, edhe në qofshim beqarë, nevoja jonë për shokë me shpirt dhe vullnet të fortë që do të na merrnin pranë në shtëpi, në shkollë, në vendin e punës, në rrugë e në treg për të na i mbrojtur ndjenjat dhe mendimet nga frymëzimet djallëzore, është sheshit.

Shumë herë dhe në shumë vende, zemra dhe fuqia mund të mos na mjaftojnë për të na mbajtur të gjallë e vitalë. Vështrimet mund të na mjegullohen, gjoksin mund të na e mbështjellin mjegulla dhe tymi, zemra mund të na ngurtësohet dhe dashuria me emocionin mund të nisin të treten e të humbin mes punëve të përditshme dhe kësaj jete të shumëngjyrshme dhe, si rezultat i një bllokimi që mund të shkaktohet për pasojë, Zoti na ruajt, mund të biem në mjerim. Por po të jemi të paktën tre vetë, në mos nga të dy shokët e tjerë, nga njëri, kemi mundësi të ushqehemi me mëshirë, të freskohemi me frymëzime e, kështu, kemi mundësi të vazhdojmë marrim frymë në një atmosferë pasioni dhe dëshire të lartë!

a) Shoku i mirë të çon në xhennet

Meqë është vendi, këtu duhet ta bëjmë të qartë edhe këtë specifikë të rëndësishme: Shoku na duhet, por jo çdo shok! Duhet të zgjedhim shok të mirë! Sa të bukura janë fjalët e të parëve tanë që s’i vjetëron koha: Më thuaj ç’shok ke (me kë rri), të të them cili je! Shih rrushi rrushin e piqu! Trëndafili rritet e çel mes trëndafilash! Shoku i mirë e çon njeriun në xhennet (parajsë), shoku i keq, në xhehennem (skëterrë)! Shoku i mirë është si shitësi i parfumeve, të paktën ke qejf t’i rrish pranë se i vjen erë e mirë; kurse shoku i keq është si fryrësi i calikut të farkëtarit, i cili, edhe në mos pastë asnjë anë të keqe, të shqetëson me erën që kundërmon! Sigurisht, çdo njeriu i ngjitet diçka e mirë apo e keqe nga shoku me të cilin rri!

b) Duhet ndodhur mes shokësh të mirë

Ka miq e shokë të cilët marrin frymë përjetësie në rrugën e përjetësisë, fytyra e të cilëve rrezaton vërtetësi dhe në vullnetin e të cilëve ndjehet vullneti i Allahut, të tillë që, kur u shkoni pranë dhe hyni në atmosferën e tyre, fitoni fuqi sikur të jeni ulur gju më gju me një profet dhe mbusheni me dashuri e hare. Fjalët dhe sjelljet e tyre që janë si eliksir, i fshijnë me një lëvizje mendimet dhe ndjenjat e këqija që kanë nisur të gjelbërojnë si alga brenda vetes suaj. Shoku i mirë është si një mik prej drite i cili, me këshillat e tij, do t’jua ngrejë peshë zemrën, do t’ju lëshojë në shpirt pasion dhe emocion dhe do t’i sjellë mendimit tuaj ndriçim. Ja, pra, miqtë e ndriçuar e dritëdhënës dhe shokët e vërtetë na duhen neve!

Po të hidhni një monedhë mbi një truall ku ka shumë magnetë, ajo do të tërhiqet nga magneti më i fuqishëm dhe do të ngjitet pas tij. Edhe meteorët drejtohen andej nga është trupi me vëllimin më të madh dhe fuqia tërheqëse më e madhe!

A dëshironi, pra, që bijtë tuaj të bëhen njerëz të drejtë, të virtytshëm, të sakrificës, me zemrën plot besim, me mendjen të ndriçuar, të bindur ndaj prindërve dhe shërbyes ndaj atdheut dhe popullit? Atëherë duhet t’ua lini amanet shokëve të mirë e të pastër që do t’u japin atyre formën që dëshironi siç i japim dyllit. Kështu, në mjedisin e njerëzve që do t’u shërbejnë si shembuj dhe bashkëmoshatarëve të të njëjtit nivel, bijtë tuaj do të marrin, sipas moshës dhe nivelit të tyre, formën e mjedisit ku ndodhen. Ta zëmë se një nxënës të tetëvjeçares e ulni në tavolinat e universitetit dhe bëni të gjitha përpjekjet dhe shpenzimet që ai të mësojë diçka, mirëpo me një trajtim të tillë, as atij mundet t’i jepni diçka, as vetë mundeni të arrini diçka! Po kështu, po qe se e kapni nga krahu një të ri dhe e çoni në xhami ku ndodhen njerëz shumë më të mëdhenj në moshë se ai, madje edhe nëse ia dorëzoni një njeriu të shquar që di t’i lexojë mendimet, nuk do ta mbani dot aty, nuk do t’ia kënaqni dot mendjen dhe zemrën. Para së gjithash, ai do të shohë nëse ndodhen aty të rinj të moshës së tij, që mendojnë e sillen si ai. Kur të mos i gjejë ata, vështrimet do t’i hasin vazhdimisht fytyra që do t’i duken aspak të këndshme dhe, kështu, do të mbetet i pakënaqur. Ai do të mendojë se “të jesh musliman është bukur, mirëpo feja islame qenka feja vetëm e pleqve, e atyre që shkojnë në xhami për të gogësitur e dremitur dhe e atyre që s’marrin vesh nga çështjet shkencore” dhe atëherë do ta keni të pamundur të ndikoni mbi të! Prandaj, kur të kërkohet t’i jepen një të riu ca gjëra në emër të besimit dhe fesë, jo vetëm duhen mbajtur parasysh niveli i tij mendor dhe logjik si dhe shkalla e zhvillimit të tij arsimor, por edhe duhet t’i tregohet se Islami është i jetueshëm dhe i mundshëm për t’u praktikuar, në mënyrë që ai të ndjejë dëshirën për ta jetuar dhe të thotë: “Ata bëjnë, unë pse të mos bëj? Ata falen, unë pse të mos falem? Ata përpiqen, unë pse të mos përpiqem? Ata lexojnë, unë pse të mos lexoj?” Të thotë kështu, ta vrasë mendjen për ta jetuar Islamin dhe të veprojë. Krijimi i një gjendjeje të tillë shpirtërore bëhet i mundur vetëm mes shokësh që shkëlqejnë nga të gjitha drejtimet dhe hapin rrugën për në xhennet, parajsë. Ndërkaq, në anën e kundërt është një brez të rinjsh që s’duam aspak ta përfytyrojmë, një brez me shprehi pijesh dhe dëshira e sjellje të ulta, një brez aventuresk të pangopur e të pakënaqur që vërtitet në boshllëk. Po qe se nënat e baballarët që thonë se i duan fëmijët e tyre dhe se kanë mëshirë e dhembshuri për ta, janë krejtësisht të sigurtë e të sinqertë në ndjenjat e tyre, duhet t’ua dorëzojnë fëmijët kalorësve të dritës!..

Edhe dëgjimi i atyre që na japin këshilla është një nga mënyrat mbrojtëse dhe ushqyese që na japin mundësi ta prishim ambientimin dhe humbjen e qartësisë, ta zbusim zemrën dhe t’u kundërvihemi shtytjeve të djallit për të dyshuar e për t’u lëkundur, dhe nxitjeve të mëkatit. Siç është një qenie krejt e veçantë me mendjen, logjikën dhe gjykimin e tij, njeriu, me zemrën që i ngrihet peshë, me ndërgjegjen që i rrëqethet, me sytë që i lotojnë, është një lëmsh ndjenjash sentimentale e shpirtërore. Prandaj njeriu ka nevojë të thellohet në ndjenja, të pasurohet në botën shpirtërore e të zgjerohet në jetën meditative. Sigurisht, ashtu siç ka nevojë për shkrirjen e ajsbergëve të formuar aty-këtu brenda tij, njeriu ndjen një dëshirë të fortë për çezmat që lëshojnë qumësht moralo-shpirtëror me të cilin të plotësojë ushqimin e vet moralo-shpirtëror. Me herë të tëra i thotë Kur’ani Profetit që të flasë e të tregojë dhe ai thotë se “feja është këshillë”.[3] Nga ana tjetër, gjithashtu sipas shprehjes së porosisë profetike, Profeti është këshilluar të jetë ose mësues, ose nxënës, ose dëgjues, por kurrsesi “një i katërt”! Në këtë mënyrë, të tre momentet pothuaj bashkohen në një pikë dhe vëmendja tërhiqet për të folur atje ku duhet dhe kur duhet, si dhe për të dëgjuar atje ku duhet dhe kur duhet. Sa kuptimplot është fakti që Profeti, duke ua mësuar shokëve Kur’anin, u thoshte: “Lexoni që të dëgjojmë!”

Atëherë, themi se dëgjimi i predikuesve dhe këshilltarëve që do t’ia ngrenin zemrën peshë e do t’i zbusnin, që do t’ia hiqnin papastërtinë dhe ndryshkun e reflekseve dhe ndjenjave, që do t’ia nxisnin dëshirën për botët e përjetshme e, që, në këtë mes, me anë të trajtimit të çështjeve aktuale fetare e shkencore, do t’ia ndriçonin botën mendore, është për njeriun një nevojë me po aq rëndësi sa dhe buka dhe ajri! Prandaj njeriu kurrë nuk duhet të thotë për diçka se e di, prandaj s’ka pse ta dëgjojë përsëri. Ashtu siç përsëriten etja dhe uria dhe njeriu ka nevojë në mënyrë të përsëritshme për të ngrënë e për të pirë, ashtu dhe dëgjimi i predikimeve dhe këshillave që konsiderohen ushqim i zemrës dhe shpirtit dhe luajnë rol mbrojtës sidomos nga e keqja e djallit dhe mëkatit, është për njeriun nevojë e përsëritshme dhe e domosdoshme një mijë herë më e madhe se uji e buka! Ju dëgjoni vazhdimisht nga goja e njerëzve të thjeshtë të popullit për persona që e kanë lënë pijen dhe shumë e shumë shprehi të tjera të këqija dhe janë kthyer në njerëz që vrapojnë e përpiqen për të bërë të mira si rrjedhojë e pjesëmarrjes së rregullt në biseda e predikime. Edhe sikur folësi të mos jetë njeri pasionant dhe emocionues, edhe sikur të mos jetë i aftë për të treguar krejt sinqerisht dhe duke i prekur dëgjuesit, prapëseprapë mund të ndikojë mbi ta, sepse është Allahu që e bën ndikues. Sipas meje, kjo është një nga mungesat tona më të mëdha të ditëve të sotme. Kur predikonin të parët tanë, pjesëmarrësit në xhami emocionoheshin, zemrat mbusheshin me pasion dhe emocion, gjer atje sa, shpesh herë, predikimi ndërpritej. E përgjithshmja ishte se dëgjuesi kthehej me botën e brendshme të larë e të pastruar. Megjithëkëtë, nuk jemi pesimistë. Ne kemi besim të plotë se Allahu i cili pas çdo mbarimi nis një lindje, do t’i dërgojë përsëri mes nesh ata njerëz zemërdjegur e sypërlotur që u ngrihet peshë zemra me emocion!

c) Duhen bërë shokë që këshillojnë dhe tërheqin vërejtjen

Këtu duhet të pohojmë edhe se sa i rëndësishëm është shoku që të këshillon, të tërheq vërejtjen dhe të paralajmëron. Në lidhje me diskutimet që bëmë gjer tani, është shumë e rëndësishme që të gjejmë dhe caktojmë për vete si vërejtës një shok të mirë që të na bëhet kujdestar dhe roje, duke i dhënë atij kompetencë dhe autorizim të plotë. Ai duhet të jetë një shok i tillë që, sapo të vërejë tek ne një lëshim, një ambientim dhe humbje kujdesi, pak prirje për mëkat dhe pak rrëshqitje, menjëherë të na tërheqë vërejtjen e të na paralajmërojë, po të duhet, të na e tërheqë fort veshin dhe, kur ne ta tundim kokën me kundërshtim, të na kapë për dore e të na nxjerrë në një breg shpëtimi. Edhe ne, kur të jemi mërzitur, kur të vërejmë një shuarje në vetvete dhe këmbën të na ketë rrëshqitur, të vrapojmë në prehrin e këtij miku të besueshëm e besnik e të këtij shoku të mirë e t’i themi: “Ti je një kopshtar, një lulishtar, shëtitmë mua në lulishte e trëndafilishte e më trego! Më nxirr nga vorbullat e kësaj jete e nga labirintet e mëkatit e më ço në klimat e ndritshme!” Ashtu siç vrapojmë menjëherë te miku më i afërt e i besueshëm kur të na ketë dalë në shesh ndonjë çështje në lidhje me familjen ose kur të na ketë pësuar tronditje tregtia, ashtu siç nisemi menjëherë për te mjeku kur të ndjejmë therje në stomak ose në mëlçinë e zezë, ashtu duhet të vrapojmë për tek shokët tanë që i kemi ilaç dhe shërim dhe mbështetje për fuqinë moralo-shpirtërore përballë mikrobeve të mëkatit dhe dyshimeve dhe gënjeshtrave të djallit që na e kërcënojnë jetën shpirtërore!

3. Në mjedisin e jashtëm duhet t’i ruajmë sytë nga pamjet haram

Sa herë që dalim jashtë, mund të na hyjnë në sy një sërë haramesh, gjërash të ndaluara e mëkatare. Po t’i mbyllim sytë, nuk do të kemi mundësi të ecim, kurse po t’i mbajmë hapur, atëherë, skena të padëshiruara do të na e turbullojnë botën shpirtërore, do të na e mjegullojnë qartësinë e gjykimit dhe do të na fusin në mëkate.

Njeriu që mbyll sytë para gjërave të konsideruara haram, domethënë, të pamiratuara, të pabekuara, të dëmshme e të ndaluara, kurrë nuk pëson humbje materiale e moralo-shpirtërore. Njëkohësisht nga një njeri i tillë nuk i vjen dëm askujt. Një njeri i tillë që punon me rendiment, me drejtësi dhe sinqeritet dhe që me të vërtetë shërben, kurrë nuk bie viktimë e jetesës djallëzore. Nga ana tjetër, seksi i kundërt që e ekspozon veten ndaj vështrimeve të uritura, fundi i fundit nuk ka asnjë përfitim! Lëre përfitimin, po llogarit humbjet e veta, të partnerëve, të shoqërisë dhe të vendit duke pasur parasysh spitalet, burgjet, korridoret e gjykatave dhe shtyllat e gazetave që janë dëshmitarët më të mëdhenj të këtij realiteti. Nuk duhet të harrojmë se frytet më prodhimtare i japin sipërfaqet tokësore të mbrojtura nga rrezatimet e dëmshme. E ç’mund të pritet nga zemrat e shkatërruara si rezultat i mbetjes pa mbrojtje nga shikimet djegëse dhe rrezet vrasëse dhe nga vullnetet e paralizuara?

a) Eshtë gjithmonë e mundur që në mjedisin e jashtëm të na bien në sy pamje haram

Profeti ynë (s.a.s.) thotë: “Do të vijë një kohë e tillë kur mbrojtja e besimit do të jetë si mbajtja e prushit në pëllëmbë!” Po, ta mbash në pëllëmbë, të djeg, ta hedhësh, të ikën dore!

Gjithashtu, Profeti thotë: “Shikimi është nga shigjetat e helmuara të djallit!” Po të ngulet në zemër ose po të zbresë te ajo përmes shikimit, njeriut i merren mendtë, i turbullohet gjykimi. Dhe, pastaj, Profeti i bëhet interpret Krijuesit të Botëve: “Kush e kundërshton shikimin nga frika ndaj meje, i lëshoj në zemër një gëzim dhe hare besimi, kënaqësinë e të cilit ta ndjejë në thellësitë e zemrës!”

Shihni, tani, se ç’bën Profeti ynë (s.a.s.) i cili mban qëndrim kundër këtyre shigjetave të helmuara të djallit dhe, si në çdo punë tjetër, edhe këtu, e fillon nga të afërmit e vet!

Ndërsa ndodhej në haxh dhe po zbriste nga Arafati shaluar dhe me kushëririn, Fadhlin, të birin e të ungjit Abbas, në vithe, Profeti ia kthente kokën djalit sa nga njëra anë në tjetrën që të mos i kapej syri pas grave që kalonin nga të dyja anët! Le ta shohim ngjarjen me vëmendje: E para, ngjarja ndodh në haxh, kur është pothuaj e pamundur të shfaqet një ndjenjë e tillë. E dyta, siç shprehet nëna e muslimanëve, Hz. Aisheja, në një kohë kur femrat kalonin veç meshkujve dhe pa e kthyer fytyrën nga ta, Profeti ia kthen kokën sa andej-këtej kushëririt të vet Fadhl që e kishte pranë në vithe të kalit dhe për të cilën nuk mund të dyshohej kurrë për një gjë të tillë. Dhe një ngjarje e tillë ndodh në atmosferën dhe klimën vazhdimisht përkëdhelëse, zemërzbutëse të Shekullit të Lumtur që kundërmonte fjalë hyjnore dhe frymë Xhebraili dhe i bënte shpirtërat ta jetonin jetën tjetër që në këtë botë! Ju lutem, kur sot, madje, nuk mund të mendojmë, edhe sikur të duam, gjëra të këqija kur hyjmë në xhami ose në një kuvend, si do ta vlerësojmë gjestin e Profetit për t’ia kthyer kokën kushëririt sa nga njëra anë, në tjetrën, me qëllim që në shikimin e tij të mos hyjnë iluzione të tjera, që të mos vijë ndonjë shigjetë endacake e t’ia shpojë zemrën, që në botën e tij të brendshme të mos spërkatet farë faji e mëkati në një kohë kur kjo s’ishte aspak e mundur?

Kuptimi që shpreh kjo ngjarje, është ky: Të mos lejosh të hidhet në pyll qoftë edhe një fije shkrepse e djegur për ta parandaluar plotësisht djegien e pyllit, të mos e dobësosh sadopak shërbimin e rojes dhe të mos i mbyllësh sytë edhe në kohë paqeje kur të mos ekzistojë as dhe mundësia për ndonjë sulm të armikut. Po, të eliminosh të gjitha shkaqet që çojnë në haram, prostitucion, dhunë, krim, etj., t’i mbyllësh të gjitha vrimat me mendimin se mos një ditë aty kalon gjarpri, të ngresh prita të pakalueshme që të mos shuhen sa e sa jetë e të mos shemben sa e sa fole familjare vetëm nga një vështrim, nga një buzëqeshje, nga një prekje, pra, të eliminosh shkaqet që shtyjnë te të këqijat dhe t’i parandalosh mëkatet që në krye. Ja kjo është rruga e vizatuar nga Allahu!

Gjithashtu, Profeti i thotë kështu Aliut, të nipit që qe bërë musliman fëmijë shtatëvjeçar, që qe rritur në fymën e tij dhe dhëndërrit që do ta vazhdonte brezin e tij të pastër: “O Ali, shikimi i parë është në favor tënd, kurse i dyti, në dëm tënd!” Domethënë se, ndërsa në shikimin e parë të ngulur në mënyrë të pavullnetshme, nuk ka mëkat, shikimi i dytë dhe shikimet e tjera në vazhdim, ku ka hyrë në veprim dhe vepron vullneti, janë haram, sepse aty luan rol uni, ndjenjat, gjë që i bën ato hallkën e parë të zinxhirit që do ta lidhë dhe do ta humbë njeriun. Kështu e parandalonte qysh në fillim Profeti rrugën që çon në haram duke mos u dhënë mundësi kalimi mëkateve!

b) S’duhet të dalim në rrugë sa herë që të mërzitemi

Ai që i mërzitet shpirti, mos duhet të dalë në rrugë? Ç’mendësi e shtrembër! Një e çarë nga mund të kalojë me lehtësi djalli për t’u futur brenda... Njeriu që pandeh se mund ta kapërcejë mërzitjen në rrugë, e pëson si ai që i ikën shiut e bie në breshër!

Mërzitja dhe shqetësimi ndodhin kur zemra s’është e ngopur dhe e kënaqur, kur nuk ka krijuar lidhje me Allahun dhe Profetin, kur nuk është e lidhur ngushtë me adhurimet, kur njeriut i mungon shoku dhe shoqëria, kur njeriu nuk lexon dhe mediton, kur nuk preokupohet me diçka dhe kur nuk kryen ndonjë shërbim. Njerëz të tillë janë për djallin të çara dhe objekte që mund t’i shtjerë në dorë e të bëjë si të dojë. Shëtitja e njeriut të djegur një herë nga djalli përsëri në ato vende ku bien shigjetat e djallit, i ngjet veprimit të njeriut i cili, pasi është përvëluar një herë pasi ka pirë ujë të kripur deti, shkon përsëri në det për ta shuar etjen me ujë deti!

Çështja ka edhe një aspekt tjetër: Mërzitja dhe shqetësimi mund të kuptohen edhe si pasoja të veprimit mbi njeriun të atributit Arrestues (kapës, arrestues, shtrëngues, rrëmbyes)[4] të Allahut, pra, si një provë për njeriun. Në përfundim të kësaj prove a të këtij provimi, del në shesh shkalla e besnikërisë dhe qëndresës së njeriut, robit të Zotit. Duhet ditur mirë edhe kjo që namazi i falur me këtë gjendje shpirtërore është shumë më i çmuar se namazi plot dëshirë e hare i falur nga shokët në atmosferën dëshiruese të xhemaatit, bashkësisë, sepse në atë gjendje shpirtërore njeriu është pothuaj në vijën e frontit. Pastaj, si fshehja e diellit pas reve, edhe kjo gjendje është kalimtare. Me atributin e tij Shtrues (hapës, shtrues, zgjerues, prehës, qetësues)[5], Allahu ia zgjeron dhe lehtëson njeriut zemrën dhe i jep hare. Me aq sa ç’u shtrëngua e ç’vuajti njeriu, merr shpërblim dhe mirësi!

c) Duke dalë jashtë, u duhet kushtuar kujdes disa gjërave të veçanta

Edhe largimi i njeriut nga mëkatet me të cilat është mësuar, shkakton shqetësime shpirtërore të fuqishme si rënia e narkomanit që s’ka gjetur dot një tabletë tjetër, në krizë, kështu që, sapo t’i krijohet një atmosferë mëkati, bie brenda menjëherë. Për rrjedhojë, qoftë për mëkatarët, qoftë për ata që ikin nga mëkati sikur të iknin prej gjarpërit dhe akrepit, janë disa gjëra të veçanta që duhen bërë kujdes në daljet jashtë që pandeh se është me vend t’u hedhim një sy.

  • Nuk duhet dalë jashtë pa nevojë dhe duhen bërë përpjekje për t’i mbaruar të gjitha punët me një të dalë si dhe duhet qëndruar larg vendeve ku mëkatet rrjedhin si përrua kur nuk na shtrëngon ndonjë punë ose detyrë ose ndonjë shërbim në emër të besimit për të kaluar andej.
  • Duhet menduar për ta bërë rrugën siç duhet. Sahabet, shokët e Profetit, shpesh herë dilnin jashtë në rrugë ose në treg për të folur dhe për t’u treguar njerëzve për të drejtën dhe të vërtetën. Këtë e bënin edhe Ebu Bekri, Omeri dhe Ebu Dheri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Ata që dalin jashtë me një synim të tillë, duke u sjellur dhe duke vepruar siç duhet, mbrohen nga mëkatet. Profeti ua ndalonte shokëve të uleshin dhe rrinin nëpër sokakë e në anë të rrugëve. Kur shokët i thoshin se ulja dhe ndenjja kishte dobi e përfitim, atëherë Profeti u thoshte: “Atëherë, jepjani hakun rrugës!” Me këto fjalë ai u thoshte të pastronin gurët dhe ferrat e rrugës, të merrnin e jepnin përshëndetjet e kalimtarëve dhe t’u tregonin atyre për të drejtën dhe të vërtetën duke i penguar nga të këqijat e duke i këshilluar për të bërë të mira. Ja, pra, kur të ekzistojnë ky qëllim i pastër, të këqijat dhe mëkatet mund të kthehen në mirësi dhe bukuri!
  • Duhet dalë jashtë vigjilent dhe i pajisur. Siç ecën në fushë të minuar, siç vërtitet i pajisur dhe i armatosur në zonën ku ndodhen armiqtë e tij për vdekje, njeriu duhet të jetë i pajisur dhe i armatosur edhe në rrugë e në treg ku e rrethojnë mëkatet nga të gjitha anët. Ndryshe, po të dalë vetëm për vetëm me ndjenjat e veta, pa bërë përgatitje, i paarmatosur, krejtësisht i shkujdesur dhe pa përgatitur mburojën shpirtërore kundër shigjetave të helmuar të djallit dhe plumbat shpirtërorë kundër atij vetë, atëherë shpirtin mund t’ia mbështjellin të këqijat, pamjet mëkatare dhe çdo lloj shëmtie tjetër. Pa le sikur kjo gjendje të përsëritet disa herë. Atëherë ai do të vërtitet nëpër rrugë e treg me ndjenjat të vdekura, indiferent ndaj mëkateve dhe të këqijave, gjë që është pikërisht ajo që kërkon djalli...
  • Para daljes jashtë duhet të kalohet në gjendje të përqëndruar. Para se të dalim jashtë, duhet të lexojmë disa gjëra, duhet të vështrojmë disa gjëra, duhet të dëgjojmë disa gjëra që të na e hedhin zemrën përpjetë, që të na emocionojnë, që të na i njomin sytë dhe të na i vënë ndjenjat në lëvizje me qëllim që kjo përgatitje dhe ky tensionim të na shërbejnë si pengesë ndaj mëkateve.
  • Jashtë duhet shoqëruar me shokë të mirë. Duke menduar se jashtë ka një sërë armiqsh që na presin ne, ndërsa po bëhemi gati për të dalë jashtë, duhet të dalim së bashku me një a dy roje, domethënë, shokë tanë. Eshtë kusht që, duke dalë jashtë, të kemi patjetër me vete një a dy shokë që të na e mbajnë në këmbë botën tonë shpirtërore. Vetëkontrolli i brendshëm i njeriut shpesh herë mund të mos jetë i mjaftueshëm për ta frenuar dhe mbrojtur veten. Besimin duhet ta kemi të pastër e të kulluar me plot kuptimin e fjalës në mënyrë që ta mendojmë dhe ndjejmë se ndodhemi çdo çast nën kontrollin e Allahut, gjë që mund të mos jetë e mundur gjithmonë. Disa herë na ndodhin çaste të tilla dobësie që nuk e zotërojmë dot veten dhe shikimi mund të na rrëshqasë në haram, në shpirt mund të na hapet një plagë, mendimet e këqija mund të na përhapen në mendje si farëra të hedhura në tokë dhe në shpirt mund të na tharmohen mëkate. Por po të kemi pranë nja dy shokë, mund të themi gjëra të bukura e të diskutojmë për gjëra të bukura. Ndërkaq, e mbajmë veten nën kontrollin e shikimeve të shokëve dhe u kushtojmë vëmendje shikimeve dhe veshëve. Disa herë ndodh që të mos e mendojmë dot se në atë çast po na kontrollon Zoti, por e ndjejmë të nevojshme të rregullohemi për të mos u turpëruar para shokëve. Ndoshta kjo mund të jetë si një farë dyfytyrësie, por s’ka gjë, sepse kjo është më e mirë se veprimet e këqija dhe hyrja në mëkat. Gjithashtu, edhe nëse në veprimet pozitive dyfytyrësia e dëmton shpirtin, një gjë e tillë nuk ndodh në veprimet negative. Për shembull, po qe se njeriu nuk kryen një marrëdhënie të paligjshme vetëm për hipokrizi, domethënë vetëm nga drojtja se po e shohin të tjerët, në fund të fundit, nuk e kryen këtë faj. Po qe se nuk vjedh se mos e shohin të tjerët, do të thotë se nuk vjedh. Sigurisht, për sa kohë që adulteri i syrit, adulteri i veshit, adulteri i duarve dhe këmbëve, adulteri i mendimit, përgjithësisht çdo gjë që do ta tërhiqte perversitetin dhe mëkatin në përfytyrimin e njeriut dhe çdo mendim i keq braktisen qoftë edhe vetëm nga frika e demaskimit ose për t’u dukur dhe perversiteti ose mëkati përkatës nuk na i lëshojnë kthetrat në shpirt, quhemi se jemi të shpëtuar. Ne do të dalim nga shtëpia pasi të kemi dëgjuar një fjalë apo këshillë të mirë, pasi të kemi lexuar një shkrim të mirë, pasi të kemi vështruar një gjë të bukur ose të kemi menduar një pamje të bukur, pra, të mbushur me mirësi e bukuri, do të shkojmë nën ndikimin e tyre në punë, në shkollë, në shërbim, në krye të detyrës, do të vazhdojmë ta ndjejmë ndikimin e tyre në shpirt dhe, kështu, do të mbrohemi nga djalli dhe mëkatet!
  • Duhen pastruar gjërat e ngjitura jashtë vullnetit. Me gjithë këto përpjekje, mund të ketë edhe baltëra dhe njolla që të na jenë ngjitur majtas e djathtas jashtë vullnetit e që të na e kenë plagosur shpirtin. Në situata të tilla duhet hyrë menjëherë nën mbrojtjen e adhurimeve dhe duhet kthyer nga Zoti. Një ditë, një shok shkon te Profeti tejet i tronditur, bie në tokë dhe rënkon duke i thënë: “U shkatërrova, o i Dërguari i Allahut, pashë në rrugë një grua dhe u lëngova!” Mu atë çast zbriti ajeti që thotë: “Falni namaz në dy skaje të ditës se, pa dyshim, mirësitë i fshijnë të këqijat!” (Hud, 11:114) Po, para Allahut, namazet janë veprime që i fshijnë e i pastrojnë mëkatet. Në një hadith, porosi profetike, thuhet se namazet janë dëmshpërblime për mëkatet e vogla të kryera mes namazeve. Në dashtë Zoti, namazet, lutjet, përgjërimet dhe të gjitha adhurimet që kemi bërë për Të, do të na bëhen dëmshpërblime për mëkatet që na janë përplasur sipër pa dëshirën tonë, duke e kapërcyer vullnetin tonë! Veçanërisht, çdo mbyllje sysh ndaj mëkatit i përfton njeriut një mirësi sikur të kishte plotësuar një domosdoshmëri fetare.
  • Mëkatet duhen pastruar me pendim dhe pendesë. Në çdo mëkat ka një rrugë që shkon në herezi dhe mohim. Para së gjithash, mëkat do të thotë që njeriu të dalë jashtë atmosferës së mirësisë së Zotit dhe ta kundërshtojë garancinë hyjnore. Në mënyrë të veçantë, duke kryer mëkat, njeriu konsiderohet se është bërë plotësisht objekt i synimit të djallit. Me shtimin e mëkateve, pakësohet edhe mbrojtja e Zotit!

Mëkati është ndyrësi, njollë dhe ndryshk. Sipas shprehjes së hadithit, porosisë profetike, po qe se njollat e grumbulluara njëra mbi tjetrën, po s’u pastruan menjëherë me anë të pendimit dhe pendesës, futen mes jetës sonë ndjesore dhe vështrimit të Zotit mbi ne, i ndërpresin shfaqjet e ardhura prej Tij, u bëhen pengesë frymërave të mëshirës dhe na privojnë ne nga favori i Tij. Dhe zemra e mbetur pa mbrojtje, si rezultat, fiton një gjendje të mundshme për t’u goditur nga djalli me anë të mohimit.

E dyta, njeriu që kryen një mëkat që do ta turpëronte para të tjerëve, nuk do t’ia shohë e t’ia marrë vesh askush. Por ai e di se Allahu dhe engjëjt e shohin se ç’bën ai. Dhe djalli që ruan gjithmonë këtë çast dobësie të tij, e bën të thotë: “Ah, sikur të mos ma shihte kush këtë mëkat!” Ose: “Ah sikur kjo gjë të mos ishte mëkat!”

Edhe këmbëngulja në mëkat dhe nënvleftësimi i mëkatit mund ta shtyjnë njeriun në mohim. Po qe se njeriu është mësuar me mëkate dhe nuk mundet të shkëputet prej tyre, mund të ndodhë që, në vend që ta shpëtojmë nga ato fëlliqësi, e shtyjmë edhe më keq. Për shembull, dikush që do t’i thonim “mos pi”, mund të thotë se “një gotë nuk është haram” dhe se “një ndalim kaq të ngurtë e sheh të tepërt”, pastaj, me fjalë të ngjashme mohuese mund të bëhet viktimë e atij mëkati. Po kështu, dikush që s’fal namaz, përballë këmbënguljes sonë për të ardhur në falje, mund të këmbëngulte për të mos ardhur e, më në fund, të thoshte se s’kishte për të ardhur!

Në fakt, mëkati bëhet mëkat nëse këmbëngulet në të, nëse vlerësohet i padëmshëm, nëse s’pastrohet me pendim dhe pendesë. Por nëse njeriu nuk këmbëngul në mëkat, e njeh dëmin e tij dhe frikësohet dhe heq dorë prej tij me pendim dhe pendesë të sinqertë, siç shprehet Kur’ani, në dashtë Zoti, do të falet. Përveç politeizmit dhe herezisë nuk ka mëkat që të mos e falë Allahu sikur edhe të jetë sa malet. Mjafton që njeriu të shkojë në portën e Tij të mëshirës dhe faljes!

4. Njeriu s’duhet të mbetet pa preokupim

Njeriu i papreokupuar, që s’merret me asgjë, jeton i zbuluar ndaj perversitetit, fajit dhe mëkatit, për rrjedhojë, i jep rast djallit. Prandaj nuk duhet të rrimë kot, duhet të vrapojmë për të shërbyer, kështu edhe mbetemi gjithmonë të freskët, plot emocione dhe mbrohemi nga mëkatet.

Djalli i sulmon më shumë përtacët, meskinët, ata që rrinë kot. Ai u bie në qafë më shumë njerëzve që s’bëjnë asnjë punë, që e kalojnë kohën duke gjuajtur miza e duke u përsjellë më kot andej-këtej dhe merren me llafe të kota për orë të tëra në mjedise të tymosura. Gjithashtu, djalli merret me individë që nuk bëjnë asgjë në shërbim të besimit, fesë, atdheut e popullit, që jetojnë të mbyllur ndaj shërbimeve për besimin dhe fenë dhe ua prish mendjen, sepse njerëz të tillë janë gjahe që djalli i kërkon e nuk i gjen dot!

Meqë djalli përfiton më shumë nga meskiniteti dhe dembelizmi ynë si dhe nga mungesa e preokupimit tonë, meqë nuk i pëlqen që ne të gëzohemi e shqetësohemi për shërbimin ndaj besimit dhe fesë dhe meqë kur rrimë kot na hedh në shpirt mendime të papërshtatshme dhe fantazira, na e preokupon për vete përfytyrimin tonë të papreokupuar me gjëra të tjera dhe, duke na bërë të mendojmë për mëkatet, na shtyn të bëjmë mëkate, atëherë edhe ne t’i mbushim vendet ku mund të fusë gishtin djalli, me preokupacion të vazhdueshëm, me aksion, me veprimtari dhe shërbime dhe duke u djersitur në rrugën e orientimit, në mënyrë që edhe ne të jemi në rregull, edhe ai të mos e gjejë atë që shpreson. Hekuri që punon, nuk zë ndryshk. Te njeriu që është në lëvizje të vazhdueshme, që vrapon pa u ndalur për ta bërë të njohur të drejtën dhe të vërtetën, do të ketë, njëkohësisht, edhe në trup, edhe në shpirt, gjallëri e hare dhe, siç shprehet hadithi, porosia profetike, meqë ai pengon të keqen dhe këshillon për mirë, do të ndjejë frymëzime përmes begatisë së revelacionit hyjnor, do t’i shtohet begatia, kurse foleja familjare do t’i kthehet në një kënd xhenneti, parajse. Përsëri sipas tregimit të porosisë profetike, kur të ndërpriten këto detyra dhe shërbime, edhe begatia e revelacionit hyjnor do të ndërpritet dhe ata që do të mbeten të privuar nga begatia e revelacionit hyjnor, sikur të ishin të paralizuar, do të mbyten në errësira dhe shqetësime!

5. Atë që i jep ndihmë fesë së Allahut, edhe Allahu e ndihmon

Përballë çdo të riu e plaku, femre e mashkulli, nxënësi e mësuesi, përballë profesionistëve të çdo moshe dhe të gjithë njerëzve në krye të tyre, të cilët ia kanë kushtuar veten shërbimit ndaj Zotit dhe të të Dërguarit të Tij, qëllimit për t’u bërë interpretues të së drejtës e të së vërtetës si dhe veprimtarisë orientuese, pra, të cilët kanë zbatuar kërkesat dhe kushtet që i përkasin anës tonë të marrëveshjes mes Zotit dhe nesh, përballë tyre, pra, edhe Allahu, në emër të anës së vet të kësaj marrëveshjeje, do të thotë kështu: “Intensurullahe jensurkum” (po ta ndihmoni Allahun, edhe Allahu ju ndihmon ju) (Muhammed, 47:7), pra, po ta ndihmoni fenë e Allahut, po t’i bëheni interpretë fesë dhe t’i qëndroni besnikë fjalës se do t’ua kumtoni atë zemrave, edhe Allahu do t’ju ndihmojë ju. Po qe se ju, duke i dalë për zot besimit dhe Kur’anit, përpiqeni të mos shtypeni nën këmbët e tyre, edhe Allahu nuk ka për t’ju lënë ju të bini dhe të shtypeni nën këmbët e djallit dhe unit. Kjo është e dyanshme; po të veprosh ti, edhe Ai do të veprojë, po të vraposh ti, edhe Ai do të vrapojë… Po si? Sipas shprehjes së hadithit, porosisë profetike, po t’i afrohesh ti Atij një pëllëmbë, Ai të afrohet ty një hap; atij që i shkon duke ecur, Ai i afrohet duke vrapuar, atij që i zgjat një dorë, Ai ia zgjat të dy duart!

Përsa kohë që ne të tregohemi besnikë e t’i vëmë supet fesë së Allahut, Allahun do ta gjejmë gjithmonë besnikë ndaj nesh dhe Ai s’ka për të na lënë neve vetëm për vetëm me dyshimet e djallit dhe dëshirat e vetvetes sonë. Po, Ai nuk ka për të na braktisur të prishemi, të shuhemi, të kalbemi dhe të vdesim në duar të huaja, por do të na thotë, “o robi im!” Pa shihni kah kjo fjalë e ëmbël: “Evfu biahdi ufi biahdikum” (Mbajeni ju fjalën para meje, ta mbaj edhe unë para jush!) (Bakara, 2:40). A mund të ndodhë që, pasi ju ta keni ndihmuar fenë e Allahut, Ai t’jua lëshojë sipër djallin për t’ju shkatërruar? A mos pandehni se, ndërsa ju vraponi, djersiteni e lodheni për vdekje për t’i bërë zemrat ta ndjejnë Allahun dhe të qetësohen me Të, duke e bërë këtë punë me pasion, Zoti juaj do t’jua përplasë syve mëkatet që i bëtë me dashje a pa dashje jashtë, në rrugë a në treg, do t’ju lërë në baltovinë e në duar të djallit dhe do t’jua llogarisë të mirat vetëm një për një? Kurrsesi! Ndërsa ju vraponi në rrugën e Tij sikur të kalonit nëpër një det gjaku, ndërsa përballeni çdo çast me baltërat e mëkatit që ju spërkasin e ju ngjiten për trupi, Ai s’do t’ju lërë vetëm për vetëm me dëshirat tuaja egoistike në këtë atmosferë dhe klimë mëkati ku shpirti ju tronditet dhe zemra me ndjenjat ju rrihen sa e sa herë, pa dyshim që do t’jua zgjasë dorën e ndihmës dhe do t’jua dërgojë provën evidente! Në fakt, secili prej nesh, përsa kohë që, në jetën personale, nuk ka këmbëngulur për ta përdorur vullnetin për të keq dhe nuk ka thënë “unë do të hyj në mëkat”, është bërë shumë herë dëshmitar i mirësive dhe favoreve të tilla të Zotit. Ne kemi vënë re se në çastin kur kemi ardhur mu në skaj të greminës dhe kur kemi mbetur ballëpërballë me një mëkat, na kanë zbritur dy duar nga qielli dhe na kanë shpëtuar nga rrëzimi! Për shembull, mu kur keni qenë duke plasur nga mërzitja apo vetmia dhe keni dashur të dilni jashtë, se nga ka dalë një shok i mirë e ju ka shpëtuar nga hyrja apo rënia brenda sajimeve e gënjeshtrave. Madje, disa herë, pa e kuptuar as vetë, disave prej nesh u ka dalë në buzë një lutje, një ajet ose një dritë dhe kanë shpëtuar nga rreziku për t’u bërë shenjë dhe objekt i shigjetave të djallit dhe viktimë e dëshirave egoistike. Sigurisht, ftuesi më i madh i ndihmës dhe mbrojtjes së Allahut është, në kuadër të besnikërisë ndaj marrëveshjes me Allahun, Zotin tonë, ndihma ndaj fesë së Tij!

Pa dyshim, ka fitim në raport me humbjen dhe shpërblim, në raport me rrezikun. Sa më të mëdha të jenë vështirësitë dhe shqetësimet me të cilat përballet njeriu, aq më të mëdha dhe qetësuese janë të mirat që merr. Një orë roje e ushtarit besimtar në kufi përballë armikut, në borë dhe ngricë, i përfton atij të mirat e adhurimeve suplementare që nuk do të mund t’i kryente për vite me radhë! Sigurisht që të njëjtat të mira nuk do t’i fitojë ai tjetri që atë kohë e kalon në shtratin e ngrohtë në kapanon! Nga ana tjetër, të mirat në fjalë nuk do të jenë aq sa të mirat e atij korrespondentit që futet mu në vijën e zjarrit. Po kështu, shërbimi ndaj fesë dhe orientimi janë detyra numër një e profetëve, prandaj, siç shprehet edhe hadithi, porosia profetike, janë pikërisht profetët që vuajnë më shumë se kushdo nga ngatërresat dhe fatkeqësitë. Ajo që e pati bërë të madh Hamzanë dhe që qe bërë shkak të shkruhej në qiej “Luani i Allahut”, qe trimëria e tij, përbuzja e vdekjes, jetesa me mendimin e përjetësisë. Njeriu fiton vlerë në raport me vështirësitë që përballet dhe që i vuan. Po qe se njeriu e ruan ndjeshmërinë fetare në kohët kur dëshirat egoistike e shtrëngojnë më shumë se kurdoherë tjetër dhe kur djalli i hedh shigjeta vdekjeprurëse nga të gjitha anët, lartësohet më shumë se kurdoherë tjetër. T’i dalësh fesë për zot e të zhvillosh veprimtari orientuese si trashëgimtar i Profetit, ka përparësi sa ç’ka edhe rreziqe e vështirësi. Sado që këto avantazhe ndjehen pjesërisht qysh në këtë botë, do të shfaqen dhe zhvillohen me tërë madhështinë dhe shkëlqimin në botën përtej duke dhënë si fryte xhennetin dhe Bukurinë Hyjnore!


[1] Në origjinal është fjala xhemaat. Ne po përdorim, si gjer tani, fjalën shqipe bashkësi por duke patur parasysh gjithmonë origjinalin që, si një term i Islamit, përmban kuptime esenciale e formale që s’i përmban fjala shqipe bashkësi.
[2] Megjithëse në këtë paragraf zhvillohet si nëntekst edhe ideja e globalizmit, këtu e poshtë, meqë këto shkrime u përkasin viteve 80, do të shohim se autori mbështetet mbi frymën e blloqeve ende e fortë në atë kohë.
[3] Në arabisht, ed-dinu’n-nasiha.
[4] Në origjinal: Kabd.
[5] Në origjinal: Bast.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.