Ekzistenca e Shpirtrave, Engjejve, DJajve dhe Xhindeve

1. Ekzistenca e këtyre krijesave është e fiksuar me pohimet e Kur'anit dhe të Profetit (s.a.s.).

Të gjitha argumentet që vërtetojnë se Kur'ani është fjala e Allahut dhe të gjitha provat që dëftojnë profetësinë e profetit Mu­hammed (s.a.s.), janë, në të njëjtën kohë, argumente dhe prova të ekzistencës së shpirtit, engjëllit, djallit dhe xhindit. Ai që nuk mundet t'i mohojë të parët, nuk mund t'i mohojë as këta sepse tema e këtyre krijesave është marrë dhe trajtuar, me raste të ndryshme, edhe në Kur'an, edhe në fjalët e bekuara të Profetit dhe ekzistenca e tyre është dëftuar dhe miratuar nga ata vetë. Ja, me të tilla argumente të shëndosha e të përgjithësuara mbështetet çështja e shpirtit, engjëllit dhe djallit.

Edhe sikur të mos ketë argument tjetër lidhur me ekzistencën e engjëjve, xhindeve dhe Shejtanit[1], si kreu i xhindeve, Profeti dhe Kur'ani mjaftojnë si argument, siç mjaftojnë edhe për shu­më tema dhe çështje të tjera, sepse ka pesëmbëdhjetë shekuj që jo vetëm që s'është përgënjeshtruar qoftë edhe një fjalë e Kur'anit dhe Profetit, por as nuk është parashtruar e kundërta e tyre. Sa ligje shkencore të pranuara si të vërteta të pakundër­shtueshme të jenë gjetur dhe sa zbulime të jenë bërë, pothuaj të gjitha ndodhen në Kur'an si përmbledhje ose esenca dhe janë lajmëruar prej tij pesëmbëdhjetë shekuj më parë. Në këto kushte, themi se ekzistenca e engjëjve dhe xhindeve është e for­mës së prerë si dhe ekzistenca jonë dhe kategorike si karakteri kategorik i vërtetësisë së Kur'anit dhe Profetit. Ata që nuk besojnë dhe bien në mohim, bien në këtë gjendje të çuditshme dhe të pakuptueshme si pasojë e mendjemadhësisë, krenarisë, kryeneçësisë, paragjykimit si dhe armiqësisë ndaj Kur'anit dhe Islamit.

2. Fakti që nuk i shohim këto qenie, nuk argumen­ton mosekzistencën e tyre.

Shikimi i njeriut është shumë i kufizuar në raport me ekziste­ncën e përgjithshme. Prandaj njeriu nuk mund të mjaftohet du­ke thënë "s'është" për atë që s'e sheh. Sa shumë gjëra ka që, megjithëse e dimë që ekzistojnë, nuk mund t'i shohim. Mosshi­kimi nuk përbën shkak për mosekzistencë. Shumë çështje që gjer dje ishin të panjohura për ne, sot, më në fund, janë të njo­hura e të zakonshme. Meqë gjërat që dimë kanë hapur portën për të ditur shumë gjëra që s'i dimë, ne jemi të detyruar t'i kër­kojmë ato. Nuk ka asnjë pengesë që të bëjmë të njëjtin arsyetim edhe për çështjen që po diskutojmë.

3. Këto qenie nuk janë të dimensioneve tona të shi­kimit, vëzhgimit, përceptimit dhe njohjes.

Shpirti, engjëlli, xhindi dhe djalli nuk janë të dimensioneve tona që të mund t'i shohim. Me organet tona, ne mund t'i sho­him dhe ndjejmë vetëm ata që hyjnë në dimensionet tona. Me të vërtetë, edhe njësitë e masës ndryshojnë sipas gjendjes së po­saçme të ekzistencës. Njësitë e masës të largësisë, peshës dhe dendësisë janë gjithmonë të ndryshme. Situata e atij që përpi­qet ta mësojë temperaturën e zjarrit pa futur dorën në të ose pa përdorur aparat të posaçëm për matjen e temperaturës së tij, mund të përngjasohet me gjendjen e atij që përpiqet t'i shohë, t'i prekë e t'i përcaktojë se ç'janë qeniet metafizike, pra, jolën­dore, me anë të mjeteve lëndore. Që të dy ndjekin një rrugë të gabuar për të arritur te synimi që i kanë vënë vetes.

4. Shpirti te njeriu që është mikrokozmos, është si engjëlli në makrokozmos.

Në gjithësi janë sundues kuptimi dhe shpirti, jo lënda. Gji­thashtu, e para është krijuar antilënda, jo lënda. Së pari janë bërë ekzistente entitete[2] që do të mund të bëheshin kallëpe për dritën, shpirtin dhe lëndën. Kjo është kështu për të gjithë ekzis­tencën, nga më e vogla gjer te më e madhja. Pastaj, brenda një kohe të caktuar, ekzistenca është formësuar sipas atyre kallë­pe­ve.

Në ekzistencë sundon një determinizëm[3], një masë, plan dhe program matematik. Në sajë të ligjeve dhe parimeve të pa­ndryshuara dhe nën sundimin e këtyre parimeve, çdo gjë lëviz dhe qarkullon duke u vëzhguar dhe ruajtur. Në këtë mes, pas gjësë së dukshme ndjehen një sërë forcash të padukshme.

Për shembull, po ta kuptonim gjuhën e një fare ose, po ta kuptonte ajo gjuhën tonë, dhe ndoshta e kupton, do ta pyes­nim: "Ç'dëshiron të bëhesh ti?" Ajo do të na përgjigjej: "Pe­më!" Dhe, në përfundim, do të bëhej pemë. As ndërrimi i stinë­ve, as kalimi i periudhave të ndryshme, as transportimi i saj nga një vend në një tjetër nuk ka për ta nxjerrë farën gënjeshtare, sepse shndërrimi i saj në pemë është ligj. Mirë, po a mund ta shpjegojmë ne, tani, ligjin për t'u bërë pemë te kjo farë? Jo! Mirë, mos për këtë do ta mohojmë? Sigurisht që jo!

Era me një përbërje të tejdukshme sa nuk mund të shihet me sy, zotëron një fuqi që mund t'i shkulë nga rrënjët e t'i hedhë tej pemët, t'i fluturojë çatitë, etj. Dhe ne, pasi jemi bërë dëshmitarë për vite të tëra disa herë në vit të ngjarjeve të tilla, a mos do ta mohojmë fuqinë e erës vetëm pse nuk e shohim?

Pasi rryma elektrike të lidhet në një sistem, pavarësisht se kush e shtyp butonin, vë në lëvizje një fabrikë të madhe, maki­neri gjigande, etj. dhe ne e kuptojmë fuqinë e saj potenciale ve­tëm nga pasojat. Gjer më sot askush nuk e ka parë dot ene­rgjinë potenciale të rrymës elektrike, por askush veç ndonjë na­ivi nuk e ka mohuar.

I tillë është edhe ligji i tërheqjes dhe shtytjes, prania dhe ve­primi i të cilit nga molekulat gjer te trupat qiellorë pranohet nga të gjithë. Rregullsia dhe harmonia në natyrë vazhdon të ekzis­tojë në sajë të këtij ligji. Po a mos do ta mohojmë këtë ligj që ia shohim pasojat, por jo vetë atë?

Shembuj të tillë mund të japim plot. Por, si përfundim, ekzis­tenca dhe dukuritë duan të na thonë kështu:

"O njeri! Ti ngece pas nesh, por ne jemi vetëm si një perde e tejdukshme. Ne s'bëjmë gjë tjetër veçse zbatojmë urdhrat që na janë dhënë. Mbi ne ka ca vëzhgues që quhen shpirt dhe engjëll. Ju na shihni ne sikur të shihnit degë të një peme të zgjatura mbi avllinë tuaj, kurse trupi dhe fuqia e vërtetë tonat janë të shpirtit dhe engjëllit, të Zotit që shihet tek ta. Po, mos harroni se njeriun që është një kozmos i vogël, e vëzhgon shpirti, kurse kozmosin që është një njeri i madh, e vëzhgojnë engjëjt!.."

5. Gjithësia është përgatitur për qenie me jetë dhe vetëdije.

Nuk i shërben jeta materies, por materia jetës. Po t'i shqyr­tojmë një nga një dhe së bashku të gjitha ç'ka në gjithësi, nga toka te ajri, nga dielli te era, nga ligjet që veprojnë në gjithësi te rregullsia dhe harmonia që sigurohen me anë të këtyre ligjeve, shohim se të gjitha këto janë për të përgatitur në tokë bazën dhe kushtet për jetesën e gjallesave, veçanërisht të qenieve me vetëdije. Në gjithësi nuk ka shpenzim të kotë, nuk ka shpërdo­rim. Po qe se të gjitha këto gjëra nuk do të përfundonin me je­tën, do të duhej të pranoheshin si gjëra të kota e pa kuptim. Se­pse pa jetën nuk do t'i mbetej kuptim asnjë qenieje dhe veço­rive të saj. Ndërkaq, edhe jeta vetë pa vetëdije si dhe gjithçka tjetër që do ta rrethonte, do të ishte e errët, pa ngjyrë. Kështu, pra, gjithësia është përgatitur edhe për jetën, edhe për qeniet e vetëdijshme. Pastaj, meqë kjo botë, megjithëse shumë e vogël, është plot me qenie të gjalla e të vetëdijshme, edhe yjet që janë mijëra herë më të mëdhenj se bota jonë, gjithsesi, brenda ku­shteve të tyre, duhet të jenë plot me qenie të vetëdijshme, që janë engjëjt, xhindet dhe shpirtrat.

6. Jeta nuk varet nga lënda prej së cilës përbëhet.

Po qe se cilësia e jetës do të varej prej lëndës nga e cila për­bëhet, elefanti dhe rinoqeronti duhej të ishin më të shpejtë e të shkathët dhe më të ndjeshëm se pleshti. Madje, ndijimet më të mprehta do të duhej të ndodheshin jo te miza, por te mali. Ndërsa ishin Everestët, një zog nuk do ta bënte dot botën një kopsht për vete. Kjo do të thotë se lënda dhe materia janë pa­sive, kurse kuptimi, shpirti dhe jeta janë vepruese dhe aktive. Je­ta është esenca dhe përmbajtja, kurse lënda është cipa, lëku­ra. Eshtë lënda, materia ajo që i shërben jetës dhe jo ndryshe. Atëherë themi se thelbësore janë jo ato që duken, përkundrazi, ato që s'duken.

7. Dukuritë që ndodhin në gjithësi nuk mund t'ua dedikojmë ligjeve imagjinare.

Ligji i gravitacionit që është hipotetik dhe konvencional, nuk mund t'i bartë në shpinë trupat qiellorë gjigandë. Detyrat që kryen mendja, nënshkrimi i të cilës ndodhet mbi zbatime të pafund dhe ato funksione të mrekullueshme të trurit nuk mund t'u dedikohen reaksioneve kimike trunore që s'janë veçse një shkak i dukshëm. Atëherë jemi të detyruar të pranojmë ekzis­tencën e engjëjve që mbajnë në duar ligjet dhe të shpirtit që drejton trurin. Nuk është një shpjegim i arsyeshëm t'ua dedi­kosh të gjitha këto ligjeve imagjinare dhe lëndës së zbërthye­sh­me ndërsa ekzistojnë engjëjt dhe shpirti.

8. Janë një turrë dukurish dhe ngjarjesh që u japin shpjegim çështjeve mbi engjëjt, xhindet dhe shpirtrat.

Bota është plot gjallesa, kurse çdo gjallesë, e pajisur me mje­te në përshtatje me kushtet e veta jetësore. Gjallesat që jetojnë në tokë, gjallesat që jetojnë në ujë, shkurt, të gjitha gjallesat ka­në organe në përshtatje me botën e tyre. Eshtë e pamundur që këto të dalin jashtë kushteve ku ndodhen për të kaluar në një botë tjetër. Sado që është i pajisur me mjete të përsosura, njeriu nuk mund të jetojë as jetën e peshkut më të vogël. Njeriu mund ta vizitojë, bie fjala, botën e peshqve vetëm kalimthi, duke u pajisur me mjete që imitojnë organet apo mjetet e tyre.

Përreth nesh jetojnë mijëra lloje krijesash; ato që jetojnë në akullnaja, që jetojnë në shkretëtirë, që e marrin oksigjenin nga ajri, që e marrin oksigjenin nga uji, që hanë prodhimet e dala nga toka, që përshkohen duke ngrënë dhé, që ecin duke u zva­rritur, që fluturojnë në qiell ose që notojnë në ujë, etj., etj.

Në këtë planet të vogël që s'do të përbënte as dhe një pikë në krahasim me sistemet e tjera, ekzistojnë mijëra lloje jetësh dhe mënyra jetese. Ndërsa gjendja në tokë paraqitet e tillë, a nuk kanë yjet shumë më të mëdhenj se toka, sistemet qiellore, dielli dhe planetet banorë të gjallë e të vetëdijshëm në për­shtatje me kushtet e atjeshme? Përgjigjja "jo" që do të jepej me­njëherë, pa u menduar, gjithsesi do të ishte e gabuar. Sepse njerëzimi ende s'ka hyrë në kushtet e atjeshme për të bërë kërkime. Nuk ka ndryshim mes mohimit të jetës në thellësitë oqeanike pa hyrë në to për të parë, dhe mohimit të jetës së mundshme në botët e tjera pa shkuar atje. Ashtu siç ka qenie që jetojnë në ujë pa u mbytur, ashtu dhe mund të ketë qenie që s'i djeg zjarri. Dhe banesa më e mirë për një qenie të tillë, gjith­sesi do të jetë jo toka jonë, por dielli ose yjet si dielli. Ndërkaq, edhe në botën tonë ka sa e sa njerëz që s'i djeg zjarri sepse janë të pajisur me fuqi shpirtërore dhe mundësi përkatëse. Prandaj nuk është aspak e drejtë që, duke e marrë për model botën to­në, të arrijmë në përfundimin se në planetet ose yjet e tjerë nuk ka qenie të gjalla të vetëdijshme.

Po të bisedoni me një kimist, fizikan, astrofizikan, po të shkë­mbeni mendime me një biolog, zoolog, gjeolog dhe arkeolog ose po të thelloheni në fushën e mjekësisë apo të takoheni me ndonjë që është thelluar në këtë fushë, ç'botë të pabesueshme, ç'kushte të pabesueshme jete dhe ç'udhëtime aventurore kanë për t'ju dalë përballë!

Edhe sikur të mos i pranoni ato që ju tregohen për çështje që nuk i njihni ose, të paktën, që nuk dini fakte që t'i keni parë me sytë tuaj, qëndrimi më i arsyeshëm është të mos i mohoni menjëherë. Sepse bashkëbiseduesit tuaj janë specialistë të fu­shave të tyre. Po qe se diskutimin e lidhim me çështjen tonë, duhet të themi se janë mijëra dhe qindramijëra specialistë të botës së engjëjve, shpirtrave, xhindeve dhe djajve që trans­me­to­jnë përvojën e tyre apo të të tjerëve si dhe qindra dukuri dhe ngjarje të transmetuara. Ky informacion është aq i shumtë, sa çështja mund të shihet si e argumentuar në mënyrë kategorike. Prandaj, a nuk duhet që t'u besojmë gjërave që tregohen mbi këtë subjekt ose, të paktën, të mos i mohojmë?

9. Në botën tonë ka jetë; edhe ekzistenca e jetës së llojeve të ndryshme në planetet e tjerë është gjithmonë e mundshme.

Le të përpiqemi ta trajtojmë çështjen me një krahasim të fi­gurshëm. Mendoni një mbret që ka thesare të panumërta e të pangjashme dhe vepra arti të pashoqe. Ai ka ngritur një qytet me pallate dhe në një skaj të atij qyteti të shkëlqyer ka bërë një banesë krejt të vogël, sa një kolibe. Por në këtë ndërtesë të vo­gël shohim të zhvillohet një veprimtari e madhe, shohim të ketë kushte të ndryshme jetese dhe të hahet e pihet në sasi të ma­dhe. Ndërkaq, kthejmë sytë edhe nga pallatet, por nuk shohim dot askënd. Dhe tani, si është më e drejtë ta shpjegojmë faktin që nuk shohim gjë, të mendojmë se i kemi sytë të dobët, apo se banorët e pallateve fshihen prej nesh? Apo se në pallate nuk ka askush.

Të mendosh se në këtë qytet të shkëlqyer mijëra pallate janë bosh kurse vetëm një ndërtesë e vogël është e mbushur plot gjallesa, gjithsesi nuk është një pikëpamje që mund ta pranojë dikush me mend në kokë. Atëherë, themi se ose dobësia e syve tanë na pengon t'i shohim banorët e pallateve, ose ata banorë, për shkaqe dhe urtësi që nuk mund t'i dimë, fshihen prej nesh.

Në krahasimin tonë të figurshëm, bota jonë është ndërtesa e vogël, kurse planetet e tjerë dhe yjet, pallatet e shkëlqyer në atë qytet madhështor. Njeriu që sheh gjallërinë e madhe të jetës në këtë botë, si mund të mendojë se gjithë ata trupa qiellorë të shkëlqyer e madhështorë janë bosh? Jo, edhe atje ka jetë, edhe atje ka qenie të vetëdijshme! Fakti që ne s'i shohim nuk do të thotë se ata nuk ekzistojnë! Shpjegimi është ky: ose ne i kemi sytë të dobët, ose ata fshihen prej nesh në një dimension tjetër.

Në fakt, ne, edhe vetë globin tokësor e shohim si qenie të gjallë. Ashtu siç e administron shpirti kurmin njerëzor, ashtu dhe engjëjt e administrojnë tokën. Ky rregull vlen edhe për të gjithë trupat qiellorë.

10. Si bilbilat e kopshtit botë, janë edhe bilbilat që këndojnë bukuritë e gjithësisë.

Në gjithësi ka bilbila që u këndojnë bukurive të gjithësisë. Si bilbilat e kopshteve tona, këta bilbila cicërojnë me falënderime mbi yjet që janë lulet e kopshtit qiellor. Disa herë ata bëjnë për banesë ndonjë qenie lëndore dhe kalojnë në ekstazë duke so­ditur variacionet e Fuqisë Hyjnore te lënda dhe materia. Dhe disa herë ia kushtojnë Zotit refrenin e një galaktike të tërë. Ata janë adhurues të përjetshëm dhe ekzistojnë vetëm si të tillë. Ata janë qeniet shpirtërore, engjëllore... Ata kanë zgjedhur për trajtë adhurimin e Zotit!

11. Profetët dhe të urtët kanë njoftuar ekzistencën e engjëjve, xhindeve dhe shpirtrave, kurse filozofët dhe di­jetarët i kanë vërtetuar.

Vërtetimi i një individi nga qeniet e tilla si shpirti, engjëlli dhe xhindi do të thotë vërtetim i të gjithë llojit. Dihet se pjesa tregon të tërën. Pasi të shohim veshka te disa njerëz, arrijmë në për­gjithësimin se të gjithë njerëzit kanë veshka. Po të na tregohet një kafshë, ne mendojmë me bindje se ai lloj ekziston.

Ndërkaq, nga mijëra njerëz është thënë ekzistenca e qenieve të tilla si shpirti, engjëjt dhe xhindet. Njëqind e njëzet e katër mijë profetë, miliona të urtë dhe shumë njerëz të tjerë me të njëjtën pjekuri, me mijëra herë kanë parë engjëj dhe shpirtra, janë takuar dhe kanë biseduar me ta, ua kanë përcjellë këto takime dhe biseda të tjerëve që i kanë hedhur në letër dhe kanë arritur gjer në ditët tona.

A mund të dyshohet për mendimin e njëzëshëm mbi një çë­shtje të qindramijëra, madje, miliona njerëzve që është e pamu­ndur të akuzohen si gënjeshtarë dhe që është e pamundur të je­në marrë vesh për të gënjyer?

Në mënyrë të veçantë, edhe fakti që qindra filozofë dhe dije­tarë që e kanë bërë rregull të ecin gjithmonë me këmbët e me­ndjes, e kanë pranuar këtë çështje duke e njohur vetë ose duke e dëgjuar, e vlen të trajtohet për sa i përket mbështetjes së saj.

12. Janë dy pole që përfaqësojnë forcat e të mirës dhe të keqes në natyrën e njeriut: engjëlli dhe djalli.

Thamë se në gjithësi, çdo gjë e tregon veten me të kundër­tën e saj. Atëherë, mund të themi se si e kundërta e engjëjve që janë, në gjithësi, nxitësit dhe miratuesit e të mirës, ekzistojnë, madje ekzistojnë domosdoshmërisht, djajtë që janë, në gjithësi, fryrësit dhe zbukuruesit e të keqes.

Allahu, Zoti i gjithësisë, i cili i do të bukurën e të mirën, është bartësi dhe përfaqësuesi i përsosmërisë dhe bukurisë absolute. Ai kurrsesi nuk i do e nuk i miraton të keqen e të shëmtuarën megjithëse i ka krijuar vetë. Ekziston një qenie shpirtzezë që është burimi, thelbi, nxitësi, stolisësi i të keqes, që i fut për­fytyrimit dyshimin dhe lëkundjen dhe që, me vullnetin e vet, ia turbullon mendjen njeriut duke u bërë shkak që Zoti ta krijojë të keqen. Kjo qenie është shejtani, djalli. Djalli nuk krijon asgjë, nuk mund të krijojë asgjë. Krijuesi edhe i të mirës, edhe i të ke­qes është Allahu. Ndërkaq, Allahu, jo vetëm që s'e miraton të keqen, por nuk bën as padrejtësi ndaj njerëzve, domethënë, nuk ua lidh këmbë e duar për t'i detyruar të bëjnë mëkat. Nje­riu i krijuar nga Allahu me natyrë të pastër e paqësore, gënjehet nga dredhitë dhe stolisjet që u bën djalli gjërave, e prish natyrën e vet me vullnetin e vet dhe bën mëkat. Ja, kjo është e keqja që themi se e krijon Allahu, e keqja ku njeriu është autor dhe faj­tor.

Ashtu siç cilësohet "si engjëll" njeriu i pajisur me të gjitha mi­rësitë, bukuritë morale dhe virtytet, ashtu dhe njeriu i cili i lë me turp edhe çakenjtë në egërsi, i cili është i hapur gjithmonë ndaj moralit më të keq dhe i cili, me mendimet e tij të mbrapshta e tinzare, ndjen kënaqësi nga padrejtësia dhe është kreu i të gjitha të këqijave, cilësohet "si djall". Ç'shprehin ky paralelizëm, kjo ngjashmëri? A vetëm një cilësim imagjinar? Njerëzit kanë gjetur tek vetja shumë anë të përbashkëta me kafshët, të cilat, pastaj, kanë hyrë të terminologjinë popullore në formën e shprehjeve dhe koncepteve. Pa studiojeni se ç'është formula e "njeri­ut"europian të përgatitur nga Aleks Karreli! Dhe, siç thotë një mjeshtër i fjalës, po qe se shumica e njerëzve do të ktheheshin së prapthi siç kthejnë rrobaqepësit rrobat e përdorura, para nesh do të dilnin trajta shumë të tjera: dhelpra, lepuj, ..., etj. Po, në natyrën e tij, njeriu bart bërthama të karaktereve shtazore. Ose, po të nisemi nga e kundërta, çdo lloj kafshe, me natyrën dhe kuptimin e saj, përbën përfaqësuesin dhe paraqitësin e një ndjenje dhe kapaciteti të zhvilluar ose që është duke u zhvilluar te njeriu. Luani përfaqëson, për njeriun, guximin e posaçëm, prandaj njerëzve të guximshëm posaçërisht, u themi "si luanë" apo "luanë". Ujku, hiena e të tjera kafshë grabitqare si to për­faqësojnë aspektin grabitqar të njeriut dhe njerëzve të egër e grabitqarë u themi "ujq", "hiena", etj. Njerëzit e urtë e të butë quhet "qengj, dele". Kur themi "gjarpër", na vijnë menjëherë në mendje njerëzit me gjuhë të mprehtë e helmuese. Penat e poetëve mbeten të paafta për të bërë rima me bilbilin. Kurse bilbili i botës njerëzore është Hz. Muhammed Mustafai (s.a.s.)!

Po të vazhdojmë, do të sillnim si model të urrejtjes, devenë, të kokëfortësisë, dhinë, të errësirës dhe prapambetjes, lakuriqin e natës, të kokëtrashësisë dhe imitimit majmunëror, majmunin!

Po, me mijëra ndjenja e mendime të larta e të ulta që dall­gëzohen në shpirtin e njeriut, që përfyten në botën e mendjes dhe zemrës së tij, sjelljet morale të personifikuara nga shpirtrat e mirë e të këqinj na nxjerrin vazhdimisht përballë dy forca krye­sore që përplasen vazhdimisht me njëra-tjetrën: të mirën dhe të keqen. Dhe dy pole që vazhdimisht i ushqejnë këto, i stolisin, i nxisin dhe që bëjnë të reflektohen te njeriu kuptimet që përfa­qësojnë: engjëlli dhe djalli!

Njeriu është një indeks i vogël i gjithësisë. gjithësia është pe­ma, njeriu, fara. Ç'ka te njëra, ka edhe te tjetra. Zemërimi dhe furia, dallgët dhe furtuna. Gëzimi dhe hareja, dielli dhe pranve­ra. Enët e gjakut, lumenjtë dhe përrenjtë. Po kështu, frymëzi­met, ndjenjat e larta dhe mirësitë me engjëjt; dyshimet, lëku­ndjet, ndjenjat e shëmtuara dhe të këqijat me djallin. Engjëjt dhe djalli përfaqësojnë ndjenjat dhe mendimet te njeriu. Populli e ka bërë që në krye të herës përgjithësimin e tij: njeri si engjëll, njeri si djall!



[1] Në këtë shkrim, për herë të parë këtu, autori i trajton djajtë (shejtanët) si xhind dhe kryexhindin e emërton me të madhe si më sipër.
[2] Në origjinal: mahijet, entitet, esencë.
[3] Në origjinal: kader, paravlerësimi dhe paracaktimi hyjnor.
Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.