Subjekti i Vullnetit te Pjesshem

A) Argumentet mbi ekzistencën e vullnetit të pjes­shëm.

a) Ndërgjegjja e bën njeriun ta ndjejë peshën e të këqijave që ka bërë ose bën. Kështu, shpesh herë njeriu ndjen pendesë për ato që ka bërë, përpëlitet nga ankthi, madje ndodh që nje­rëz të çekuilibruar, për shkak të ankthit dhe vuajtjeve të pen­dimit, të shkojnë gjer në vetëvrasje! Po qe se njeriu, i privuar nga dëshira dhe vullneti, e bën një gjë i shtrënguar nga kaderi, atëherë pse të vuajë vrasjet e ndërgjegjes, pse të shtypet nën peshën e mëkateve dhe të derdhë lot, pse të pendohet? Dhe pse kur ia thyeni zemrën dikujt shkoni e i kërkoni falje? A s'tre­gojnë të gjitha këto se ato që bëni, i bëni me dëshirën dhe vull­netin tuaj?

b) A jemi apo s'jemi të lirë në fjalët dhe sjelljet tona, në lë­vizjet dhe veprimtarinë tonë? A kemi mundësi t'i lëvizim si të duam krahët, këmbët, duart, gjuhën, apo i kemi gjymtyrët të lidhura në pranga dhe gojën të zënë dhe presim të na i zgjidhin që të bëjmë ato që duam të bëjmë? Kur duam të ulemi apo ngrihemi, të hamë e të pimë ose të bëjmë një punë në emër të Zotit, a ka ndonjë gjë që na detyron ose shtrëngon pozitivisht ose negativisht, pra, për të vepruar ose mosvepruar? Kur duam ta njoftojmë të drejtën dhe të vërtetën, a veprojmë me vullnetin tonë, apo me detyrim? Jo, asnjëri prej nesh s'jemi ndonjë buton komandimi në dorë të tjetërkujt, ndonjë robot që komandohet në drejtimin e dëshiruar ose një kukull që tërhiqet me pé!

c) Lëkundja, pavendosmëria, krahasimi, gjykimi, vlerësimi, parapëlqimi dhe vendimi gjithashtu tregojnë për vullnet.

Një shoku ynë i mirë na fton për në një vend të mirë, ndër­kaq që edhe një shok i keq na fton për në një vend të keq. Në kushte të tilla, mendojmë se ku do të shkojmë, krahasojmë dhe gjykojmë, i mendojmë përfundimet, bëjmë parapëlqimin dhe zgjedhjen tonë dhe vendosim se ku të shkojmë. Në të njëjtën mënyrë, ndoshta njëqind herë në ditë, të vënë përballë me ftesat me kahje të kundërta të engjëllit dhe djallit, bëjmë po të njëjtat veprime gjykimi, krahasimi, zgjedhjeje dhe vendimi. Se­pse ne nuk jemi një gjethe që e hedh era nga të dojë, një fije kashte që e zvarrit rryma nga të dojë!

ç) A mundeni që, si pasojë e një faji që keni bërë, të jus­tif­i­koheni para viktimës suaj apo organit të drejtësisë duke thënë, "ç'të bëj, më mungon vullneti"? Edhe sikur të thoni, a do t'jua pranonin një justifikim të tillë? Po qe se e vërteta do të ishte e tillë, atëherë s'do të kishte as shtet, as organe drejtësie, as poli­ci, kurse skena e jetës do të mbushej me miliarda viktima të ka­derit, qofshin vrasës ose të vrarë! Kurse e vërteta është ndryshe! Dhe, fakti që, në njërën anë ka njerëz të moralshëm e të virtyt­shëm, ndërsa në anën tjetër, të pamoralshëm e të pavirtytshëm, ndërsa përballë të pafajshmëve, në njërën anë, janë fajtorët, në anën tjetër, ndërsa, në njërën anë, disa punojnë e derdhin djer­së, kurse, në anën tjetër, disa të tjerë rrinë si përtacë të paturp­shëm, fakti që njerëzit ndahen në klasa, poste e pozita të ndry­shme sipas karakterit, profesionit, mjeshtërisë, suksesshmërisë etj., a nuk tregon për përpjekjet dhe luftën e madhe të vullnetit të njeriut për t'i përgatitur vetes një vend të caktuar në këtë hie­rarki vlerash e pozitash?

d) Vetëm njerëzit me zhvillim mendor jonormal, me të meta mendore të lindura ose të pësuara si dhe të sëmurët mendorë e psikikë nuk janë të përgjegjshëm e përgjegjës, sepse vullneti i tyre nuk funksionon normalisht. Prandaj, fjalët, sjelljet dhe vep­rimet e njerëzve të tillë i shohim si jonormale dhe themi për to: "Këto s'janë fjalë, sjellje dhe veprime njerëzish të mençur!" Ç'ë­shtë, atëherë, gjëja që na dallon ne prej tyre? Ç'është e drejta, haku i të qenit i mençur? Eshtë vlerësimi dhe veprimi i përgjegj­shëm dhe me përgjegjësi! Të mos i japësh të drejtën që i takon mendjes dhe vullnetit, a nuk është, në një dimension tjetër, shprehje çmendurie? A nuk është pasioni i sëmurë pas parasë, pasurisë, postit dhe pozitës, shprehje e një marrëzie apo çmen­durie shumëdimensionale? Mes konfuzionit të koncepteve, u bënë të pakuptueshëm si mençuria, ashtu dhe çmenduria!... Në këtë rast është me vend të mendojmë edhe një herë tjetër për kuptimin e fjalëve që i dedikohen Hasan Basriut:

"Po qe se ju do t'i shihnit sahabet, do t'i quanit të marrë, kurse po t'ju shihni ata ju, do të thoshin "këta s'janë besi­m­tarë"!"

e) Te kafshët nuk ka vetëdije, njohje dhe vullnet. Kafshët ve­projnë me anë të shtytjes hyjnore.[1] Për shembull, bleta, me anë të shtytjes apo frymëzimit hyjnor (që s'është instinkt), i bën hojet gjithmonë gjashtëkëndshe dhe me një përpikmëri të jash­tëzakonshme, sepse as ka vullnet që të veprojë ndryshe, as i është dhënë ndonjë aftësi për të bërë një model tjetër.

Disa herë ndodh që të bëni veprime të pavullnetshme pa e vënë re as vetë se ç'po bëni. Dilni nga shtëpia pa ndonjë plan, pa ndonjë synim, por i ngarkuar rëndë me mendime që s'i vini dot në rregull, prandaj dhe, siç themi shpesh, shkoni nga t'ju çojnë këmbët! Ka filluar shiu, por ju s'e ndjeni dhe s'e hapni as çadrën që e keni në dorë. Vetëm kur ju fundoset këmba në një gropë me ujë ose kur t'ju bëjë zë me të madhe ndonjë shok, vi­ni në vete. Atëherë i bini në të shiut, hapni çadrën, ndërroni rrugën... Pra, përdorni vullnetin, atë që quhet vullneti i pjes­shëm.

B) Kuptimi dhe përmbajtja e vullnetit të pjesshëm.

Vullneti i pjesshëm që i themi edhe vullnet fakultativ i pjes­shëm, është, në fakt, një ndjenjë njerëzore prirjeje me ekzisten­cë konvencionale, pa një trup të jashtëm material e konkret. Prandaj vullnetin nuk e shohim si diçka që ekziston. Për shem­bull, themi se kemi kokë, krahë dhe veshë, sepse këto gjymtyrë janë të krijuara dhe kanë një trup të jashtëm material e konkret. Kurse gjëja e pakrijuar kështu, në fakt s'ekziston. Për shembull, themi se kemi dy sy sepse janë të krijuar dhe janë trupa materi­alë, pra, ekzistojnë. Por nuk e pranojmë ekzistencën e një syri të tretë sepse s'ekziston një sy i tillë i krijuar dhe me trup material. Por ju mund të thoni kështu: "Kam një sy të brendshëm që më sheh më mirë se dy sytë bashkë!"[2] Me këtë ju e keni fjalën për një aftësi tuajën për t'i kuptuar qartë dhe saktë gjërat, më mirë se ç'i shihni me sytë si organe të të parit. Kjo aftësi që ju e qua­ni "sy" duke bërë një paralelizëm midis funksionit të saj dhe sy­ve si organe, ekziston, por, meqë nuk ka një trup konkret, ne nuk themi dot "ekziston". Për rrjedhojë, meqë vullneti i pjes­shëm nuk ka një ekzistencë konkrete, për të mund të themi "s'ekziston", por edhe nëse e pranojmë ekzistencën e tij duke u nisur nga funksioni dhe rezultatet dhe nëse ia atribuojmë njeri­ut, nuk bëjmë gabim si dhe nuk biem në politeizëm, sepse, fu­ndja, Allahu i krijon aktet e njeriut pikërisht mbu bazën e këtij vullneti të pjesshëm që është prirje për diçka, parapëlqim, dëshirë për ta arritur dhe veprim për t'i realizuar të gjitha këto.

Vullneti i pjesshëm, në të vërtetë, s'është asgjë, megjithëkëtë, është një kusht elementar, mbi të cilin, ndoshta, mund të thu­hen shumë gjëra. Pavarësisht nga madhësia dhe pesha, nga ku­ptimi dhe përmbajtja, Allahu e ka pranuar vullnetin e pjesshëm si një kusht elementar dhe një shkak për vendosmërinë dhe ma­dhështinë. Megjithëse mjaft i dobët dhe i paqenë në botën e ja­shtme, vullneti i pjesshëm është i madh, i mrekullueshëm dhe shkaku i përfundimeve të mëdha e shumë të rëndësishme.

Përsa kohë që projekti i një ndërtese që dëshironi të bëni, mbetet mbi letër në sirtarin e tavolinës tuaj të punës, nuk ka për të pasur asnjë kuptim dhe dobi. Por kur ta nxirrni projektin nga sirtari, të filloni punën sipas tij dhe ta ngreni ndërtesën, atëherë projekti do të marrë një kuptim të rëndësishëm dhe do të ngjitet pothuaj në nivelin e shkakut themelor të ndërtesës. Po kështu, vullneti i njeriut është si projekti i një ndërtese që ndoshta do të kryejë shërbime shumë të mëdha ose do të bëhet skenë e të kë­qijave të shumta. Ndërkaq, është Allahu që ka për ta ngritur ndërtesën duke u mbështetur në projektin tuaj, prandaj, edhe nëse vullneti juaj nuk përbën në vetvete ndonjë vlerë apo ekzi­stencë, meqë përbën një kusht elementar për aktin krijues të Allahut, do të fitojë rëndësi shumë herë më të madhe se ç'e ka hapin!

Megjithëse është Allahu që e krijon çdo gjë, në krijim nuk ka kurrë detyrim absolut, ndoshta ka "detyrim të kushtëzuar" për të cilin bëhet shkak vullneti i njeriut. Allahu i krijon aktet e nje­riut sipas vullnetit të tij që është në nivelin e një plani apo proje­kti dhe, meqë e di që më parë se si do të sillet njeriu, gjërat që ka për të krijuar i ka shkruar në Librin e Kaderit.

Për ndriçimin e një pallati të madh, në fillim duhet shtruar një rrjet elektrik i përsosur. Megjithëkëtë, edhe pas shtrimit të rrjetit dhe përfundimit të punimeve instaluese, ndriçimi nuk rea­lizohet po qe se nuk plotësohet një kusht elementar: shtypja e butonit të ndezjes. Përsa kohë që gishti nuk do të shkelë mbi butonin ndezës, pallati nuk do të ndriçohet pavarësisht nga rrje­ti elektrik i përsosur, llambat dhe abazhurët e bukur që ka, duke mbetur të gjitha këto si një gjë e pavlerë. Ja, pra, njeriu që ka një prirje dhe dëshirë për të besuar, do ta shtypë butonin për t'i ndezur pishtarët e pallatit të zemrës, Allahu me dëshirën e Tij do t'i ndezë të gjithë abazhurët dhe llampadarët dhe do ta çojë atë njeri në vendin e dritave, në xhennet... Natyrisht, edhe nje­riu që do të bëjë të kundërtën, që do të priret dhe dëshirojë mo­himin, do të trajtohet sipas prirjes dhe dëshirës së tij!

Po qe se lypsari i drejtohet portës së mbretit me lutjen e tij të përulur e cila e pohon varfërinë, dobësinë dhe nevojtarinë e tij, dhe me një mënyrë që i ka hije lypsarisë, lutja e tij do të marrë një përgjigje që i ka hije mbretit dhe kjo lutje e thjeshtë dhe e cunguar jo vetëm ka për ta bërë lypsarin mbret në gjithësi, por edhe kurorëzues mbretërish tokësorë në jetën e pasosur. Nga i njëjti këndvështrim, mund të mendojmë edhe se ai do të mund t'i shpërndajë yjet me një të fryrë, se me një lugë ujë do të mund t'i zotërojë oqeanet, se me një pikë bojë do të mund ta ngjyrosë tërë sipërfaqen e tokës dhe se me një shtypje butoni ashensori do të mund të udhëtojë përtej galaktikave!

Kështu, pra, vullneti i përgjithshëm sheh kah vullneti i pjes­shëm, kurse vullneti i pjesshëm ka vlerën e një kushti të thjeshtë dhe elementar për krijimin e rezultateve dhe përfundimeve shu­më të mëdha. Shihet, pra, se njeriu nuk është si një robot me krahë e këmbë lidhur që vihet në lëvizje me detyrim, aq më pak një qenie, siç pretendojnë dhe shprehen disa të paedukatë, "vi­ktimë e fatit". Ndërkaq, edhe pa ia mohuar të drejtën, vullneti i pjesshëm nuk duhet t'i dalë për zot asgjëje, sepse mes vullnetit mjaft të thjeshtë, të dobët dhe elementar të njeriut dhe përfu­n­dimeve tejet të mëdha të rrjedhura në dukje prej tij, nuk ka pro­porcionalitet apo përputhje. Sigurisht, sa mund të jetë roli i një butoni të vogël në ndriçimin e një pallati të madh ose përsëri i një butoni në udhëtimin e njeriut në hapësirat mes galaktikave? Atëherë themi se është një Individualitet, zotërues mbi çdo gjë, që e krijon lëvizjen dhe aktin, që ngre mbi shkaqe të dobëta e të thjeshta përfundime të mëdha. Megjithëse kemi vullnet, aftësi parapëlqyese e zgjedhëse dhe një fuqi të pjesshme, të konsi­de­rueshme sipas dimensioneve tona, pjesa që na bie neve në shfaqjet dhe dukuritë që ekspozohen në gjithësi, s'është as një për milion. Ne nuk mundemi t'i numërojmë favoret si kjo që na janë dhënë dhe na jepen neve pa shpërblim. (Nahl, 16:18) Po të donte Allahu prej nesh t'i ndanim nga njëra-tjetra pjesën që na takon neve me pjesën që i takon Individualitetit të Lartë, gjithsesi, në dorë s'do të na mbetej tjetër përveç një zeroje, se­pse s'do të dilte se s'ishte e jona as dhe ajo që ne e quajmë tonën, vetja jonë!

Për shembull, sa është kontributi ynë apo, e thënë ndryshe, pjesa që na takon neve në një kafshatë bukë që e hamë çdo di­të pa menduar fare për burimin nga është nisur dhe fundin e saj si kafshatë buke? Para së gjithash, kush është ai që e ka krijuar tokën, burimin mëmë të asaj kafshate, dhe e ka sjellë atë në gjendje të përshtatshme për t'u mbjellë? Kush është krijuesi i kokrrës së grurit të hedhur në tokë si dhe i lagështirës, ajrit, re­së, shiut, erës, dritës dhe ngrohtësisë që i duhen asaj në rrugën e mbirjes, rritjes, kallëzimit dhe, më në fund i bërjes bukë? Po aventurën e farës nën tokë, ambjentimin dhe lidhjen e saj të ngushtë me tokën, takimin dhe njohjen me plehun, vëllazërimin me bakteriet, kush i ka rregulluar? Pastaj, kush na mësoi dhe aftësoi ne për ta punuar tokën, për të mbjellë e për të korrë, për ta bërë miell kokrrën e grurit dhe, pastaj, me mjellin, bukë? Kush na i ka dhuruar neve mendjen, arsyen, trurin, muskujt dhe kockat që janë të domosdoshme për t'i bërë këto punë? Vepra e kujt janë dhe me urdhër të kujt punojnë duart, krahët, dhëmbët dhe një sërë gjëndrrash të domosdoshme, të gjitha këto, për ta futur kafshatën në gojë, për ta përtypur dhe për ta sjellë në gjendje të gatshme për tretje, gryka, trakea, stomaku, zorrët, pankreasi, etj? Nga vjen shija e kafshatës dhe funksioni i gjuhës për të ndjerë shije? Sa merr pjesë vullneti ynë në ndje­njën e urisë dhe ngopjes që na favorizohen pa ditur gjë ne? Kush është ai që e rregullon marrëdhënien e ngushtë jetësore mes kafshatës dhe trupit? Vepër e kujt janë cilësitë komplekse dhe veprimtaria komplekse e qenies së kafshatës gur përbërës i gjakut dhe qelizave? Ja, kështu, për një kafshatë bukë bashkë­punojnë toka dhe qielli, të ftohtit dhe të nxehtit, dielli dhe sis­temet e tjera yjore, shiu dhe bora, pothuaj tërë gjithësia dhe ky bashkëpunim, duke u bashkuar në mënyrë imediate me meka­nizmin trupor, fiton unitet. Sa është, vallë, shpenzimi dhe çmimi i një kafshate buke brenda tërë kësaj aventure? A do të mja­f­tonte kapitali i tërë njerëzve që kanë ardhur e ikur nga kjo botë e që do të vijnë, për ta paguar shpenzimin e bërë për këtë kaf­shatë buke? Dhe a e menduat se ç'pjesë kemi ne në tërë këtë aventurë?

Cili adhurim mund t'i shpërblejë, vallë, gjithë këto të mira që na janë favorizuar e do të na favorizohen? A nuk bëjmë një pu­në të lodhshme tetorëshe për një shpërblim të vogël? Po qe se rrushi do të ekzistonte vetëm si koncept, si vlerë, a do mundnim dot ta bënim të qenë një vesh rrush sikur të bëheshim bashkë të gjithë njerëzit e botës? Kurse Allahu që na i ka dhënë dhe na i jep të gjitha gjërat pa shpërblim, ç'kërkon nga ne? Për shem­bull, po të na kërkonte të falnim një mijë reqate namaz për një thes grurë, njerëzit do të detyroheshin t'i falnin për të mos mbe­tur të uritur. Në kohë thatësire, dalim në fusha e kodra për t'u lutur për shi. Po sikur shpërblimi i një pike uji të ishte një reqat namaz, ç'kishim në dorë tjetër veçse të falnim miliona reqate namaz? A nuk do t'ia shitnit njeriut në mes të shkretëtirës, të kërcënuar nga vdekja prej etjes, një shishe ujë për shumë qese florinj?

Siç na thotë Profeti, me se mund ta paguajmë falenderimin për çdo nyje të trupit tonë? Në spitale mund të shihni njerëz që nuk munden të urinojnë, që kanë humbur krahun, këmbën ose syrin, që e kanë të lejuar të hanë vetëm patate, etj., dhe men­doni se si mund të falenderoni për shëndetin! Mendoni se si du­het falenderuar për faktin që jeni besimtar dhe musliman dhe që ndodheni mes muslimanësh dhe pastaj llogaritni të mirën për ta parë xhennetin, parajsën, megjithëse s'i kryeni dot siç du­het adhurimet! Të gjitha këto të mira me se mund t'i meritojmë përveç se me mëshirën e pasosur të Allahut dhe me varfërinë, dobësinë dhe nevojtarinë tonë që e vënë në lëvizje këtë mëshi­rë? Zoti ynë, mos na largo nga adhurimi për Ty, mos na ndaj nga rruga e drejtë dhe mos na privo prej gjurmës dhe mësime­ve të Profetit tonë! Amin, ashtu qoftë!

Gjithsesi, u kuptua se mes vullnetit që zotërojmë ne dhe të mirave për të cilat jemi favorizuar, nuk ka ndonjë proporciona­litet. Ndërsa e vërteta qëndron kështu, Allahu me mëshirën e tij të pafundme ka krijuar për ne pretekste të ndryshme dhe atë vullnetin tonë të pjesshëm, të vogël e të cunguar e ka bërë shkak elementar për të na e favorizuar xhennetin, parajsën e Tij! Kur rënkoni duke thënë "Allah!", fitoni faljen e Tij. Po qe se thoni një herë "La ilahe il'lallah", "Nuk ka Zot veç Allahut" me motivin e besimit, vendosmërisë dhe qëndresës së pafundme, Allahu thotë "Jua kam dhënë xhennetin!" Ja shprehjet e lehta në gojë, por të rënda në peshore, ja vullneti ynë i pjesshëm dhe rezultati i tij!

Si përfundim, sado që të mos e tregojmë me gisht duke thë­në "ja ku është", vullneti është një prirje me ekzistencë të qartë por me përbërje dhe peshë të panjohur për ne. Ai nuk ka një ekzistencë që shihet me sy dhe preket me dorë, por është një e fshehtë që ekziston. Ndoshta, ç'të jetë truri për njeriun, është dhe vullneti për shpirtin!


[1] Në origjinal: sevk-i ilahi; është fjala për atë dukuri që në psikologjinë materialiste quhet instinkt, por, që siç e thekson edhe autori pak më tutje, s'është e njëjta gjë.

[2] Populli ynë shprehet kështu: "Bëji sytë katër!"

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.