Me që shpirtrat nuk pësojnë transformim, edhe të krijuar s'mund të jenë; ç’thoni për këtë?

Edhe kjo është një ndër çështjet e thella të teologjisë. Në këtë pyetje përfshihen këto gjëra: Gjithësia është e krijuar, e kushtëzuar për ndryshim dhe ndodhet në ndryshim të pandërprerë. Nga ky këndvështrim ne i themi gjithësisë e krijuar ose, me një term shkencor-filozofik, aksidencë (akcidencë), domethënë që është krijuar, është kompozuar pas dhe që shkon drejt dekompozimit final e tërësor përmes një procesi dekompozimi të vazhdueshëm. Për rrjedhojë, ne themi se të gjitha zbërthimet, pra, ndryshimet, shndërrimet dhe dekompozimet i ka radhitur dhe rregulluar dikush që është vetë i pazbërthyeshëm e i patransformueshëm. Këtij parimi mund t'i thuhet parimi sipas të cilit mbi gjënë që ndyshon, ndodhet, qëndron individualiteti që s'ndryshon. Çdo gjë që ndryshon dhe transformohet, shërben si argument, argumenton ekzistencën e Individualitetit të Lartë Eternal që s'ka të bëjë me ndryshimin, transformimin, ngjyrën dhe trajtën, i cili është Allahu, Zoti i Gjithësisë. Ai është qenie e domosdoshme, i ndryshëm prej të gjitha dukurive humane e kozmike, prej të gjitha simptomave, prandaj edhe është i shenjtë. Ja, pra, prej këtyre premisave të parashtruara mbi individualitetin hyjnor del në shesh kjo pyetje.

 Allahu nuk është krijesë, Ai nuk ndërron; nuk ha, nuk pi, nuk përdor dhe nuk shpenzon gjë. Ai është eternal, domethënë i paraqenë, me ekzistencë të vetvetishme si dhe i pafundmë.

Nga ana tjetër, edhe shpirti ka karakter elementar dhe esencial, i thënë ndryshe, shpirti nuk është i përbërë prej lënde. Në të njëjtën kohë, nuk është prej botës së krijuar, po, sipas shprehjes së Kur'anit, prej botës së urdhërit hyjnor. Shpirti nuk është një gjë apo një qenie e dalë në shesh nëpërmjet bashkimit të atomeve, por, ashtu si edhe engjëjt e lartë, është nga kanunet (ligjet) e vetëdijshme, të pajisur me dritën hyjnore, të krijuar me urdhër të Allahut. Ashtu si ligji i zhvillimit (aftësia mbirëse) tek fara, si ligji i tërheqjes dhe shtytjes mes trupave, mes atomeve, madje mes bërthamës dhe elektroneve tek atomi, ashtu edhe shpirti është një ligj. Por i vetëdijshëm. Kurse tek ligjet e tjera nuk ka jetë dhe vetëdijë.

Shpirti është i thjeshtë, elementar, sepse nuk është i përbërë prej lënde, nuk zbërthehet dhe nuk jonizohet. Ai ka një ekzistencë të qëndrueshme. Me këtë aspekt, disave u shkon nëpërmend - larg qoftë - ta përngjasojnë me Zotin. Sipas tyre, me që edhe shpirti nuk u nënshtrohet transformimeve, cili është ndryshimi mes tij dhe Zotit?

Fakti që Zoti nuk ka të bëjë me ndryshimin dhe transformimin, me ngjyrën dhe trajtën, është i vetvetishëm, kurse shpirti është i krijuar nga Zoti si një qenie e thjeshtë. Zoti është krijues, kurse shpirti, krijesë. Allahu ekziston në vetvete, ekzistenca e Tij është e vetvetishme. Kurse çdo gjë përfshi edhe shpirtin, ekziston në saje të Tij. Çdo gjë ka ngritur duart kah Ai dhe është kah lutet: "Vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë!".(1) Kurse Ai është kah u përgjigjet dhe kah u jep ndihmë të gjitha lutjeve të tilla. Edhe shpirti është ndër krijesat së cilës Allahu i zgjat dorën e ndihmës. Edhe ekzistenca e shpirtit është në saje të Allahut. Edhe shpirti ekziston për sa kohë mbështetet te Zoti. Po të mos mbështetet tek Ai, shkatërrohet e mbaron. Shpirtin, si një ligj me jetë dhe vetëdijë, Zoti e ka mbështetur te vullneti dhe vetëdija e vet, duke i dhënë, kështu, vazhdimësi atij.

Po qe se çështjen do ta paraqisnim me një shembull, do të thoshim kështu: Në diell ka dritë, rrezatim dhe ngjyra. Këtë e vëzhgojmë edhe në hënë. Por, po të supozonim se dielli nuk ekziston, atëherë nuk do të ekzistonte mundësia që në hënë t'i mendonim dritën, rrezatimin dhe ngjyrat. Dritat-simptomë mbi sipërfaqen e hënës janë shfaqje, shëmbëllime a variacione të dritërave që përbëjnë individualitetin e diellit. Në çastin kur ne supozojmë mosqenien e diellit, asgjësohet edhe mundësia për vazhdimësinë e dritës mbi sipërfaqen e hënës. Atëherë, a mund të vini ju, në këto kushte, shenjën e barazimit midis diellit e hënës? Kurrsesi! Kur'ani përdor për hënën fjalën "munir", "e ndriçuar", kurse diellin e shëmbëllen me një llambë që ndriçon duke shkëlqyer. Në një aspekt, ky paralelizëm i yni mes diellit dhe Zotit nuk është fort i përshtatshëm, por ja që për ta kuptuar çështjen ndihet nevoja e shembujve konkretë.

Edhe pas ringjalljes, në jetën tjetër, bashkë me shpirtrat, Zoti do t'i bëjë të përjetshëm edhe trupat. Edhe Zoti i përjetshëm, edhe ata të përjetshëm. Vetëm se përjetshmëria e tyre, e varur prej Zotit, në saje te Tij. Po të dojë, Zoti i asgjëson në çast të gjithë. Kurse ekzistenca e Zotit është e vetvetishme, e lidhur me Individualitetin e vet. Ata mund të asgjësohen, kurse Individualiteti i Lartë është i paraqenë dhe i pafundmë!


[1] Në origjinal: "...ijjake nesteain..."; fragment nga kreu hyrës "Fatiha" i Kur'anit.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.