A ka në Islam dasi natyrore? A ndodhnin mes shokëve të Profetit dasi të tilla? Cili mund të jetë mendimi përmbledhës për këtë?

Me sa kuptohet, në pyetje bëhet fjalë për dasitë natyrore mes njerëzve dhe rrjedhojat e tyre.

Në lidhje me një kuptim të ngushtë të kësaj, sot, krahas faktit që në shërbimin për Islamin, besimin dhe Kur'anin ka unitet synimi dhe qëllimi, ekzistojnë edhe ndryshime, dasi mendimesh e konsideratash mbi pretekstet dhe rrugët për të arritur ato synime e qëllime, gjë që e shohim si dasi të natyrshme të rrjedhur nga natyra, karakteri dhe temperamenti i njerëzve.

Në lindje e perëndim të botës, kush i shërben fesë e besimit, kush e tregon të lartë fenë islame, ashtu siç është, pavarësisht nga natyra e tij, duhet pranuar, duhet vlerësuar e duartrokitur. Rrugët e metodat mund të mos jenë të njëjta. E rëndësishme është uniteti, njësia e synimit dhe e qëllimit.

Ekzistojnë shkaqe të ndryshme që ndikojnë në shumëllojshmërinë e këtyre rrugëve. Ashtu siç ndikojnë mbi njeriun mjedisi ku është formuar e kultura që ka marrë, njëkohësisht ndikon edhe trajta e meritimit të emrit hyjnor. Sipas kësaj, shfaqja e karaktereve, temperamenteve dhe e natyrave të ndryshme është normale dhe kështu ka ndodhur që në krye të herës.

Asnjëherë natyra e Hz. Aliut nuk ka qenë e krahasueshme me atë të Hz. Ebu Bekrit. Karakteret e Hz. Omerit e të Ebu Dherit kanë qenë plotësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, megjithëse që të dy karakterizoheshin nga e njëjta trimëri e burrëri e mençur. Por, ndërsa tek Hz. Omeri kishte një koncept të mrekullueshëm shteti e administrimi si dhe një aftësi të përsosur organizative, Hz. Ebu Dheri ishte më shumë një njeri individual...

Nga kjo kuptohet se edhe në periudhën e të Dërguarit të Madh (a.s.) që i bashkonte të gjitha fetë, që i përshkruante të gjitha natyrat e që i kapërcente të gjitha natyrat e temperamentet, ndryshimet natyrore e karakterore nuk u mënjanuan plotësisht, nuk u shkua dot në unifikimin e natyrave e të karaktereve dhe nuk u dëshirua të shkohej...

Në të vërtetë, një unifikim i tillë bie në kundërshtim edhe me krijimin. Sepse nuk ekziston mundësia që të mendojnë në të njëjtën mënyrë njerëz të krijuar në trajta të ndryshme. Natyrisht, edhe detyrimi në këtë drejtim shoqërohet me mundësinë e shfaqjes, si rrjedhojë, të komplikacioneve të ndryshme.

Mund të thuhet se ata që kërkojnë të përshkruajnë fraksionet dhe shkollat, janë njerëz që nuk kanë mundur ta rrokin këtë veçanti të hollë të krijimit, që nuk kanë mundur ta njohin përbërjen e njeriut, për rrjedhojë, janë njerëz që bëjnë sikur s'i shohin ose që s'munden t'i shohin tek njeriu dhuntitë njerëzore. Në se mundësitë (kapacitetet) e krijuara nga Allahu do të veprojnë sipas domosdoshmërisë së urtësive të Tij dhe do t'i kryejnë plotësisht funksionet e tyre, sigurisht që do të dalin në shesh fraksione, shkolla apo drejtime të ndryshme nga njëra-tjetra.

Për rrjedhojë, kjo dasi në dhuntitë do të shfaqej në drejtësi në formën e shkollave apo drejtimeve juridike hanefite, shafiite, malikite, hanbelite, evzaite, sevrite dhe zuhrite. Krahas kësaj, do të shfaqej edhe në formën e tarikateve të ndryshme në sistemet që i flasin zemrës, ndiesive dhe ndërgjegjes së njeriut e që janë themeluar që prej kohës së Profetit e gjer në ditët tona me qëllimin për t'i shërbyer fesë islame që e ndan të mirën nga e keqja dhe me synimin për zhvillimin dhe lulëzimin e zemrës e të shpirtit.

Tarikatçinjtë e parë, Sufjan Sevriu, Ibrahim bin Ethemi, Bejazid Bestamiu, veçanërisht të cilit i pati besuar çdo sofi, më vonë Xhynejd Bagdadiu, Abdylkadir Gejlaniu i cili ka gëzuar dashurinë dhe konsideratën e burrave të së vërtetës posaçërisht për gjenialitetin e tij me udhën që hapi dhe Shah Nakshibendiu, duke përfaqësuar karaktere dhe natyra të ndryshme, në tonet e ndryshme të së njëjtës ngjyrë janë përpjekur ta gjallërojnë të vërtetën e Hz. Muhammedit (a.s.).

Po qe se do t'i vinit pranë e pranë tarikatet e Muheddini Arabiut e të Imami Rabbaniut, do të shihnit se janë shumë larg njëri-tjetrit. Prijësi i madh Imami Rabbaniu është përfaqësuesi i madh i detyrës së pasuesit të Profetit dhe kulmi i dallueshmërisë. Unanimisht pranohet se e ka kuptuar shumë mirë të Vërtetën Muhammediane. E ka përshkruar atë në anët e saj të jashtme e të brendshme dhe ka qenë njëri e ndoshta kampioni ndër ata që e kanë treguar në mënyrën më të përsosur tërësinë unike të botës së brendshme e të jashtme të Tij. Ne e ndiejmë ende në zemra ndriçimin e dritës së emetuar prej Imami Rabbaniut që katërqind vjet më parë e gjer në ditët tona.

Ja, pra, ky njeri gjigand, duke i dalë kundër Muheddini Arabiut, thotë "jo Futuhat-i Mekkijje, por Futuhat-i Medenijje..." (1) dhe e nxjerr para sysh rrugën e profetit dhe detyrën e pasuesit profetik; kjo rrugë është rruga e sunnetit, traditës profetike, dhe bashkësia që e ndjek atë, është përfaqësuesja e të Vërtetës Muhammediane. Në vetvete kjo është një çështje karakteri. Ibni Arabiu është dakord me Unitetin e Qenies, por, kjo për të, në një dimension, do të thotë unitet qenieje që anon kah Uniteti i Dukjes jo në kuptimin se Nuk ka qenie tjetër veç Zotit, por në kuptimin se Qeniet e tjera përveç Zotit nuk kanë trup.

Unë ju tërhoqa dhe ju vërtita nëpër këto rrugë të kryqëzuara e të ngatërruara për t'ju treguar se dasitë në natyrë, krijim e karakter nuk bashkohen.

Duke kaluar, tani, në çështjen që përbën bazën e kësaj pyetjeje, themi se karakteret dhe orientimet do të paraqesin shumëllojshmëri e kundërshti gjersa të ekzistojë bota dhe se askush nuk do të mundë ta pengojë këtë. Mirëpo, pavarësisht nga dasitë në premisa, në pretekste, bashkimi i tyre në qëllim e në synimin final gjithmonë do të jetë i mundur. Edhe pse gjuhët janë të ndryshme, e vërteta e shprehur prej tyre është një e vetme dhe ashtu do të mbetet. Ashtu siç thotë edhe një poet arab:

Fjalët tona janë lloj-lloj e të shpërndara.
Por bukuria Jote është një.
Që të gjitha për atë bukuri tregojnë.

Fjalët tjetër e tjetër, shprehjet të ndryshme, trajtat, format secila të veçanta, por ajo për të cilën tregojnë ato, është ajo bukuria e vetme. Po, pasi në shpirtra të ketë dëshirë për pëlqimin e Zotit, në zemra dashuri për të Vërtetën Muhammediane dhe shpirti të vërtitet rreth këtij boshti si fluturat rreth dritës, edhe sikur të ketë kontradikta dhe fërkime, madje, mirëkuptimi dhe bashkimi gjithherë kanë për të qenë të mundur.

Sot, në se ka disa gjëra që nevojiten që, me anë të botëkuptimit të vërtetë Islam, të realizohet një bashkim dhe mirëkuptim - dhe sipas meje, ka - do të duhej të qëndronim mbi to.

Bashkimi dhe aleanca, njësimi dhe kapërcimi i botëkuptimit dasor bëhen ose në plan ndiesor, ose në plan ideologjik. Në një nivel, ky botëkuptim bashkimi dhe aleance mund të jetë i mjaftueshëm për afrimin dhe bashkimin e bashkësive e të njësimit të tyre qoftë kjo edhe formale. Mirëpo me që njerëzit në një nivel të caktuar nuk mbeten të pandryshuar e me që në planin ideo-shpirtëror zhvillohen vazhdimisht, ky njësim ndiesor shumë i dobët, si një fill pambuku, si dhe lidhja që e realizon këtë njësim, shpesh mund të mos jenë të mjaftueshëm. Prandaj, edhe në se njerëzit lidhen me lidhje ndiesore gjer në pikën ku kjo lloj lidhje është e mjaftueshme, janë të detyruar që, pas atij momenti, domethënë kur lidhja ndiesore s'është më e mjaftueshme, të ulen rreth një tavoline e të sigurojnë një njësim ideologjik. Po, për ta shpëtuar të drejtën prej ekspansionit të së shtrembrës, për të shpëtuar, përballë herezisë e blasfemisë, prej poshtërimit, për të siguruar udhëheqjen e ummetit muhammedian në kaderin, fatin e paracaktuar të njerëzimit e për të siguruar sundimin e Deklaratës-Mrekulli, Kur'an, mbi tokë, njerëzit janë të detyruar të merren vesh në planin ideologjik.

Po qe se do ta konkretizonim çështjen në një nivel të caktuar me shembuj, gjer 20-30 vjet më parë mes njerëzve tanë kishte një bashkim dhe aleancë ndiesore. Ky bashkim dhe kjo aleancë qe si rrjedhojë e faktit se para muslimanëve ndodheshin si alternativë komunizmi dhe rryma ideologjike si ateizmi. Me fjalë të tjera, përballë krahut ku ndodhej një grupim që nuk e pranonte Allahun dhe të Dërguarin e Tij e që e mohonte me rrënjë Kur'anin, ishin bashkuar të gjithë ç'ishin antikomunistë, krejt si aleanca antikomuniste e vendeve të lira.  Për shembull, ç'klika politike e jopolitike që kishte në atë kohë, të tilla që ecnin me parime nacionaliste, me filozofi të rilindjes e të ringjalljes, që kishin pranuar si parim mendimi e veprimi përhapjen e bazave të besimit, që në fushën e politikës mendonin t'i jepnin përparësi aktit e që kryenin shërbime sipas këtij plani, qenë bashkuar e patën bërë aleancë me një njësim organizativ antikomunist. Prandaj edhe çdokush që qe pozicionuar kundër ateizmit, ashtu siç këndonte Sebilur Reshad-in, këndonte edhe Jeni Istanbul-in, Hyr Adam-in, Byjyk Dogu-nin, madje edhe Orkun-in dhe Milli Joll-in.(2) Këto ishin ato ditë më të njohurat ndër gazetat dhe revistat e botuara në emër të frontit të besimtarëve. Disa prej këtyre organeve flisnin për ca gjëra të tjera e disa trajtonin tema të tjera; dikush hapte një diskutim mbi zemrën e dikush tjetër për mendjen. Në këtë atmosferë ndiesore pothuaj të gjithë mendonin: "Sido që të jetë, në këtë kohë kur mohuesit e Zotit janë bërë bashkë, ne s'duhet ta lëkundim unitetin tonë!"

Siç shihet, aleanca e asaj kohe qe ngritur plotësisht mbi ndjenjat. Prandaj erdhi një çast që, më në fund, botëkuptimi vëllazëror u bë i pamjaftueshëm. Muslimanët ecën përpara në planin ideor e ndiesor. Përparuan duke menduar, kërkuar, lexuar. Panë dhe mësuan se çfarë dhe ç'ide qenë në kundërshtim me Islamin ose, në përgjithësi, ashtu pandehën. Gjer atë ditë ata i kishte bërë bashkë një mbrojtje e përbashkët, një konsideratë e përbashkët, një veprim i përbashkët dhe për një kohë të gjatë qenë ulur e ngritur bashkë, qenë grumbulluar bashkë nën një çati. Ashtu siç qenë grumbulluar bashkë nën një çati ata që blasfemonin kundër Allahut dhe Profetit, edhe këta qenë afruar ndaj njëri-tjetrit me ndjenjën e aleancës. Kush e di, ndoshta pikërisht në atë kohë shtinë në dorë mundësinë për ta parë gjërë e gjatë të bardhën e të zezën, të mirën e të keqen dhe e kuptuan çdo gjë. Po, panë e kuptuan që, ndërsa vetë, me të gjitha mendimet dhe ndjenjat, lëviznin drejt qytetërimit medinas dhe vepronin që në çdo plan t'i bënin zotëruese të vërtetat hyjnore të ardhura me të Dërguarin e Madh (a.s.), të tjerët ndodheshin shumë e shumë larg, pas të tjerash dashuri e mendime... Ndërkaq, penjët ndiesore me të cilat qenë lidhur, nisën të këputen duke kërcitur kërr, kërr.. dhe doli në shesh se të gjitha ndjenjat paskëshin qenë diçka krejt tjetër...

Ja, pra, pas kësaj periudhe ndodhi që lidhjet ndiesore të mos ishin të mjaftueshme. Për rrjedhojë, doli nevoja e bazave, mbështetjeve dhe dinamikave që do t'i bashkonin njerëzit të cilët, të shkëputur nga njëri-tjetri, shkonin në drejtime të ndryshme.

Nga këndvështrimi ynë, ne, edhe në se ruajmë besimin dhe opinionin se çdo njeri, duke përfytyruar tabllotë e ringjalljes e të riekzistencës në fillim në Turqi e, pastaj, në të gjithë botën islame, kryen detyrën e tij dhe përgatit ca gjëra për të ardhmen, e mendojmë të dobishme të kujtojmë se është e domosdoshme të mos mbyllim veshët ndaj ca parimeve, respektimi i të cilave është i detyrueshëm.

Pikësëpari, sot është kusht që çdo njeri, duke hequr dorë nga përpjekja për t'i futur të tjerët në karakterin e vet, të duartrokasë çdo shërbim në rrugë të Zotit. Ashtu siç zotëruesit e profesioneve të ndryshme, artistët dhe zejtarët, duke e pranuar njëri-tjetrin, shkëmbejnë përvojë e i bëhen mbështetje njëri-tjetrit në qëllimin final për të arritur rezultate gjithnjë e më të larta, ashtu edhe duhen kërkuar rrugët e të njëjtit botëkuptim mes anëtarëve të karaktereve e drejtimeve të ndryshme dhe, me funksionin zbutës të synimit e qëllimit final, të thyhet pa diskutim fortësia dhe ashpërsia e shkaqeve e preteksteve. Prandaj edhe e vetmja gjë që duhet bërë, është që të duartrokitet çdo njeri brenda fushës së shërbimit të vet dhe të pranohen të tjerët duke thënë: "Çdo njeri që përmend emrin e Zotit tim dhe e miraton dhe e ndjek Profetin tim (a.s.), është vëllai im!"

Për të mos rënë në prehër të kapitalizmit e të komunizmit e për të mos u gëlltitur prej tyre, për të mos u thithur prej vakumit të frikshëm të krijuar prej atiestëve, duhet të sigurohen një bashkim dhe aleancë qoftë edhe të sipërfaqshme. Për fatin dhe të ardhmen e tyre, anglezët kanë siguruar unitetin anglo-saksono-uellsian. Anglosaksonët dhe uellsianët, këto dy fise të dallueshme nga njëri-tjetri, aq shumë e urrejnë dhe e përbuzin njëri-tjetrin, sa që po i the anglosakson një uellsiani apo anasjelltas, t'i thyen dhëmbët. Megjithatë, midis këtyre dy grupimeve gjer më sot nuk është ndjerë as edhe ballafaqimi apo përplasja më e vogël. Sepse ata janë ulur rreth një tavoline, kanë kaluar nëpër sy pikat ndarëse mes tyre, kanë përcaktuar pikat minimale të përbashkëta dhe, duke marrë parasysh ca sakrifica në emër të fatit dhe perspektivës së Anglisë, kanë gjetur pikat e marrëveshjes dhe janë marrë vesh mes tyre.

Për nga këndvështrimi i kauzës sonë, kuptimi i kësaj është ky: Për secilin prej nesh, pavarësisht nga karakteri, Zoti është një, Libri është një, Profeti është një, kibleja (orientimi) është një, rruga është një dhe kahja është një. Po, unitetin tonë, duke e nxjerrë prej ndiesive me anë të një botëkuptimi të tillë, na duhet ta ngremë mbi këto "një". Sepse të gjitha këto "një" unitetin kërkojnë dhe ndërgjegjet tona drejt frymës së unitetit i thërresin. Pretendimi i të kundërtës s'është gjë tjetër veç mërmëritjeve justifikuese të egos sonë.   

Sot për sot, ne që kemi vendosur që një thesar të çmuar ta çojmë gjer në një pikë të caktuar, në se do të duhej që, pasi që ta kemi çuar në vend, patjetër të bëjmë një duel, le ta bëjmë këtë punë të mallkuar, por vetëm pasi që amanetin t'ua dorëzojmë të zotërve. Por në fillim patjetër duhet të mendojmë për të sotmen dhe të nesërmen e këtij populli të bekuar. Dhe të mos japim rast e të mos përgatitim mundësinë që ky atdhe t'u jepet peshqesh të pafeve e heretikëve.

Dhe rruga e dytë është kjo: Askush të mos i shtrëngojë të tjerët për të hyrë në rrugën dhe sistemin e vet. Le të dalë secili e le të shërbejë brenda botëkuptimit të tij. Nuk duhet të harrohet kjo që një pjesë njerëzish e kanë të vështirë, madje shpesh herë të pamundur që të heqin dorë prej ideve ku kanë rënë. Përdorimi i detyrimit, ashtu siç kategorikisht nuk është rrugëdalje, mund t'i japë edhe shkas përçarjeve të pashërueshme. Kurse mirëkuptimi dhe toleranca janë këshillë dhe porosi të Kur'anit. Ata që veprojnë me tolerancë dhe sillen me mirëkuptim, konsiderohet se e kanë zgjidhur një çështje të rëndësishme të së ardhmes.

Dhe një tjetër specifikë mbi të cilën duhet qëndruar, është kjo: Me që natyrat dhe karakteret nuk njësohen, secili brenda karakterit të vet, duke i bërë shërbim Kur'anit dhe besimit, njëkohësisht bën edhe gjëra mjaft të rëndësishme. Disa pena të mëdha janë duke zgjidhur çështje dhe probleme që kanë të bëjnë me jetën tonë shoqërore dhe Islami ka shumë nevojë për zgjidhjen e problemeve në fjalë. Për rrjedhojë, le t'i lemë disa që të merren me çështjet shoqërore dhe ekonomike. Kurse ne le të merremi me gjërat që mundemi t'i bëjmë. Ashtu si në periudhën e Abbasive, tani ne të bëjmë adoptimet e tyre. Të masim e të presim me masat e sunnive, t'i hedhim ato që kemi për t'i hedhur e t'i mbajmë ato që kemi për t'i mbajtur dhe, me anë të sintezave të reja, të përpiqemi për t'u bërë përgatitësit dhe themeluesit e një bote krejt të re.

Le të mendojmë një grup tjetër që mund të ketë disa aspekte të kritikueshme për nga këndvështrimi i sunnetit. Mirëpo në subjektin e një analize dhe hulumtimi të tillë, në asnjë mënyrë të mos e nxjerrim nga mendja se jo ata, por edhe perëndimorët kanë aspekte pozitive që duhen huazuar. Duke vënë në hesap nderin dhe virtytin tonë si dhe urrejtjen dhe armiqësinë e tyre, ç'dëm do të kishte në huazimin e gjërave që duhen pranuar si të mira e për t'u pranuar? Në të vërtetë, brenda edhe çdo fraksioni bestyt ka një copëz të vërtete dhe ai fraksion, ekzistencën dhe gjëllesën asaj të vërtete ia ka borxh. Ja, pra, ajo e vërtetë e vetmez në çdo kohë mund të merret dhe duhet të merret...

Për ta shpjeguar këtë çështje, le të parashtroj një shembull. Mes muslimanëve, veç prej bashkësisë sunnite, ekzistojnë që në krye të herës dy fraksione si përfaqësues të dy poleve të

kundërt me njëri-tjetrin, fraksionet Mutezile dhe Xhebrije. Mutezilitët veprojnë sipas parimit "robi është krijuesi i aktit të vet". Kurse xhebritët veprojnë me mendimin se "Allahu e krijon çdo gjë, kurse robi është si një robot". Në lidhje me çështjet e vullnetit të njeriut dhe aktit krijues të Zotit, këta ndodhen në pole të kundërta.

Mutezilitët patën menduar në trajtën "njeriu e krijon vetë aktin e tij, Allahu nuk ndërhyn". Në ditët tona, edhe shumica e racionalistëve mendojnë si mutezilitët.

Kurse xhebritët, në kundërshtim me këtë, njeriut nuk i japin asgjë, nuk i njohin asnjë lloj vullneti. Sipas tyre, njeriu, me papërgjegjësinë dhe pavullnetshmërinë e tij, i ngjan dikujt që, me duar e këmbë lidhur, është rrëzuar në ujë duke ngrënë një shqelm nga pas ndërkohë që i thuhet: "Ej, kujdes, se mos lagesh!.."

Sunnitët, me një të vërtetë të marrë prej njërit e me një të vërtetë tjetër të marrë prej tjetrit, kanë bërë një bashkim e një sintezë dhe u kanë thënë mutezilitëve: "Po, njeriu ka vullnet. Këtë e argumentojnë shumë ajete-argumente të Kur'anit. Njeriu ka vullnet në mënyrë që me atë vullnet të bëjë punë të mira e të hyjë në xhennet. Ka vullnet pra Kur'ani thotë se "...për njeriun nuk ka gjë tjetër veç përpjekjes së tij..." (Kur'ani, Nexhm: 39). Mirëpo, "...po s'deshi Allahu, ju s'mund të doni asgjë..." (Kur'ani, Tekvir: 29). Sipas këtij konkluzioni, njeriu në asnjë mënyrë s'duhet ta nxjerrë nga kujtesa se dëshira e Allahut është një fundament. Po, aq i ngushtë është kuadri i veprimit të asaj gjëje që ju i thoni vullnet, sa që ekzistenca apo mosekzistenca e saj janë të barazvlershëm. Por ai vullnet ekziston si një kusht elementar dhe përbën bazë për specifika të tilla si gjynah-mirësi, ndëshkim-shpërblim, etj."

Me të gjitha këto unë u përpoqa të shpjegoj këtë: Edhe brenda sistemit kapitalist ka një copë të vërtetë. Po ashtu edhe brenda sistemit komunist. Vetëm se komunizmi e shfrytëzon, e shpërdoron atë. Komunizmi shpërdoron dhe bën hipokrizi kur mbron, bashkë me të varfërin (!), edhe etatizmin. Ja, pra, këta i tërheqin zvarrë e i shkatërrojnë shtresat e grupimet shoqërore. Sa për Islamin, të gjitha parimet, të gjitha çështjet e tij janë drejtësi, vërtetësi, orientim dhe drejtësi juridike. Në çdo aspekt të tij, Islami është një revistë parimesh konverguese.

Kurse sa për karakteret, brenda çdo karakteri ka një të vërtetë. Le të mos kërkojmë rrugë të imagjinuara uniteti duke bërë sikur s'i shohim gjërat që Zoti i ka krijuar në natyra, karaktere e tipe të ndryshme, duke i dalë kundër të vërtetës së krijimit e duke i përzier bashkë ujrat e dala nga burime të ndryshme. Secili ta përhapë Kur'anin dhe besimin brenda fushës së vet dhe të mos merret me të tjerët. Në se s'merret dot vesh, të paktën të mos dalë kundër e të mos rrijë duke i ngacmuar muslimanët. Të dijë të duartrokasë çdo musliman. Të vihet pas çdokujt që thotë "Allah". Në dashtë Zoti, pas kësaj mund të vijnë edhe bashkimi, marrëveshja dhe aleanca!


[1] Futuhat-i Mekkijje, Triumfi i Mekës, vepër e njohur mistike e Muheddini Arabiut. Me kundërshtimin e tij, Imami Rabbaniu i tërheq vëmendjen autorit se triumfi i Mekës ishte, në të vërtetë, jo triumfi i tij, por i qytetërimit. Fjala "medenijje" e përdorur nga Rabbaniu ka kuptim të dyfishtë; ajo emërton edhe qytetin e Medines, edhe do të thotë "qytetërim", sepse fjala "medine" do të thotë "qytet".
[2] Periodikë të kohës.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.