Thuhet se Zoti krijoi çdo gjë. Po Zotin, kush e krijoi?
Edhe kjo është një nga pyetjet më të shpeshta që bëhen.
Këtë pyetje unë e shoh si një shenjë të profetësisë së Muhammedit (a.s.) dhe, duke u përkulur përballë vërtetimit sot të asaj çka ai pati paralajmëruar katërmbëdhjetë shekuj më parë, them me bindje të plotë: "Esh'hedu enne Muhammede'r-Resulullah, Dëshmoj se Muhammedi është i dërguari i Allahut!"
Po, i Dërguari i Madh është përfaqësuesi i nderuar i Zotit! Ai pati vëzhguar si në ekran çdo gjë që do të ndodhte gjer në ditën e kiametit, katastrofës së kësaj bote dhe ringjalljes dhe, çdo gjë që pati thënë, e pati thënë fare drejt! Aq të qëlluara janë konkluzionet që pati dhënë mbi ngjarjet që do të ndodhnin më pas dhe aq të qëlluara fjalët që pati thënë, sa, kur erdhi koha, të gjitha u realizuan një për një ashtu siç pati konkluduar dhe siç qe shprehur ai!
Ja se ç'pati thënë një herë (gjë që sahabeve, shokëve të tij as që do t'u shkonte ndërmend): "Do të vijë një ditë dhe, njerëzit, duke ndejtur këmbë mbi këmbë, me mendjemadhësi, krenari e egoizëm, sikur të kishin arritur të zgjidhnin çdo gjë, do të thonë: "Këtë Zoti e krijoi, atë Zoti e krijoi, po Zotin vetë, kush e krijoi?"
Kur më qe drejtuar për herë të parë kjo pyetje, qeshë menduar me vete e pata thënë: "Esh'hedu enne Muhammede'r-Resulullah!" Si e ke parë që atëherë këtë ditë e sa drejt e ke shprehur! Do të ishte e pamundur të shprehej më bukur paaftësia njohëse dhe mjerimi i mendimit të njerëzve me egoizëm të faraonizuar, i njerëzve që u atribuojnë hyjnitet shkaqeve e që ngrihen ta shpjegojnë çdo gjë në mjedisin e shkaqeve!
Duke kaluar, tani, në çështjen themelore, edhe kjo është një ndër pyetjet e hedhura në shesh prej mohuesve, heretikëve. Në shumicën e rasteve, mendjet e papjekura mbeten nën peshën e pyetjeve të tilla dhe shtypen. Ato s'munden ta kuptojnë se ç'është e përjetshmja dhe kurrsesi nuk munden ta vlerësojnë se ç'është rrethi vicioz i i zinxhirit shkaqe-pasoja dhe se ç'mundet të pohojë një mashtrim i tillë! Prandaj edhe bien në lëkundje dhe pandehin se edhe Zoti është një shkak krejt si shkaqet e tjera, pra, ekziston një shkak që e ka sjellë në shesh atë dhe, sipas këtij arsyetimi, Zoti është një pasojë. Eshtë e qartë se në themelin e një arsyetimi të tillë ka një alogjizëm që buron nga mosnjohja e Zotit, i cili s'mund të jetë i tillë po qe se është një ndër shkaqet e zakonshme të zinxhirit që sapo përmendëm, domethënë pasojë e një shkaku paraprak! Zoti është krijuesi ose shkaku i shkaqeve(1) dhe ekzistenca e tij nuk ka fillim!
Teologët janë përpjekur gjer më sot ta vërtetojnë ekzistencën e Zotit, krijuesit të shkaqeve, duke parashtruar me metoda të ndryshme se a ka apo jo zgjidhje një lidhje e tillë zinxhirore e shkaqeve. E shohim të dobishme që ta parashtrojmë këtu me nja-dy shembuj esencën e mendimeve të tyre.
Teologët thonë se të mendosh që shkaqet vazhdojnë në formë zinxhiri, do të thotë të mos e njohësh cilësinë e atyre shkaqeve dhe të jesh indiferent ndaj Krijuesit. Nuk është e drejtë të supozosh mundësinë që materia të jetë identiteti i zinxhirit të një pjese shkaqesh të mbërritur nga pafillimi (eterniteti) gjer në ditët tona. Të pranosh mundësinë e një gjëje të tillë është thjesht një vetëmashtrim. Për shembull, të thuash se veshja e tokës me bimësi është e varur prej ajrit, ujit dhe diellit, se ajri, uji dhe dielli janë të varur prej elementësh si oksigjeni, hidrogjeni dhe karboni, etj., se këto të fundit prej grimcash e, këto grimca, prej grimcash më të vogla. Të pranosh mundësinë e kësaj dhe të besosh se prejardhja e materies mund të shpjegohet me këtë rrugë, është një argumentim i sajuar dhe vetëmashtrim, sidomos, kur, në një etapë të caktuar, këtij argumentimi t'i dalin para antilënda, antiatomi, etj., kur metafizika të dalë fituese mbi fizikën dhe sidomos kur të shohësh se të gjitha shkaqet, që nga i pari e gjer tek i fundit, funksionojnë në një harmoni jashtëzakonisht të përsosur si nga një ligj më vete, si nga një nëpunës më vete!
Të thuash "kjo prej kësaj, kjo prej kësaj, kjo tjetra prej kësaj" e, kështu, pa mbarim, jo vetëm që nuk zgjidh dot asnjë çështje, por, përkundrazi, çdo çështje e sjell në një gjendje pa rrugëdalje. Sepse ta shohësh të mundur një gjë të tillë, është njëlloj si të mendosh në mënyrë naive se arsyetimi "veza ka ardhur nga pula e pula, nga veza" mund të shtrihet pas (drejt fillimit) pa mbarim, pa hasur në një pikë fillestare. Gjersa të kemi pranuar se njërën prej këtyre, pulën apo vezën e ka krijuar Individualiteti Eternal me mundësi të pakufizuara, të gjitha pretendimet do të mbeten të pambështetura. Por çështja ndriçohet në çast kur ekzistenca e këtyre t'i atribuohet Krijuesit të Lartë, ekzistenca e të cilit është e vetvetishme. Pas kësaj, nuk ka asnjë dallim në se Ai e ka krijuar vezën si një qelizë të vetme, apo pulën, funksioni i të cilës është të sigurojë vazhdimësinë e llojit duke bërë vezën.
Ashtu siç mospranimi i kësaj, por këmbëngulja për të thënë "kjo prej kësaj" pa krye, nuk do t'i bënte dritë asnjë çështjeje, po ashtu do të radhiste pas çdo përgjigjeje pikëpyetje e dyshime të reja. Për shembull, shiu prej resë, reja prej pikëzave pozitive-negative, këto prej dukurisë së avullimit, avullimi prej ekzistencës së ujit, uji prej elementëve përbërës të tij... Kështu, zinxhiri i shkaqeve mund të vazhdojë më tej dhe, kudo që të ndalohet, njeriu ndodhet para alternativave mund të jetë kështu, mund të jetë ashtu, duke e ndjerë veten në prehrin e hipotezave e duke u përpjekur për t'u kënaqur me to. Dhe kjo s'është tjetër veçse prirje për ta shpjeguar me përçartje fëminore të gjithë materien që ekziston brenda një rregullsie dhe harmonie të përsosur, me marrëdhënie të ndërsjellta midis pjesëve përbërëse të saj dhe që ndihet se është krijuar prej një dore të urtë si dhe nxirje e horizontit dhe synimit të diturive. Ndërkaq, për çdo rezultat ndihet absolutisht nevoja e një shkaku të kuptueshëm. Zgjatja pas (drejt fillimit) e shkaqeve jashtëkuptimore e jashtëlogjike, mendimi se zgjatja u jep atyre kuptim, është një marrëzi siç është marrëzi ta shohësh të pamundurën të mundur.
Tani të përpiqemi për ta ndriçuar këtë specifikë me një shembull. Ta zemë se unë po rri mbi një karrike që s'i ka dy këmbët e pasme. Që karrikja të mos rrëzohet, është mbështetur mbi një karrike tjetër, por po të tillë, vetëm me dy këmbët e parme, prandaj edhe ajo e mbështetur mbi një karrike tjetër e kështu pa fund me që të gjitha karriket janë të tilla. Edhe në se kjo situatë do të vazhdonte me shifra që nuk do t'i nxënin koha dhe hapësira, po qe se nuk do ta mbështesnim, më në fund, vargun e karrikeve në një send plotësisht të qëndrueshëm, zinxhirëzimi i pafund i këtij procesi nuk do t'i bëhej dot "këmbë e pasme" karrikes, pra, nuk do të zgjidhte asgjë!
Ja dhe një model tjetër. Le të mendojmë se kemi vënë para vetes një zero. Po qe se para saj nuk vendosim një numër pozitiv çfarëdo (po marrim një numër pozitiv për thjeshtësi arsyetimi - përkth.), shtimi i zerove të tjera pas saj nuk do t'i përftonte asaj asnjë lloj vlere. Edhe sikur të radhiteshin njëra pas tjetrës një trilion herë një trilion zero, vlera e përgjithshme e tyre do të mbetej përsëri zero. Por sapo që para saj të vendoset një numër, zeroja do të marrë vlerë sipas atij numri. Kjo dukuri ka këtë kuptim: Po qe se një gjë nuk zotëron qenie të pavarur dhe nuk qëndron dot në këmbët e veta, është e pamundur që gjërat nevojtare si ajo vetë t'i japin ekzistencë asaj e të bëhen mbështetje për të. Bashkimi i gjërave që janë nevojtare për të njëjtën gjë dhe të mangëta në të njëjtën gjë, nuk do të vlente për asgjë tjetër veçse për të shumëzuar nevojtarinë dhe për ta shtuar mangësinë. Mbetet të themi se, edhe sikur - po supozojmë - të pranohej ndërhyrja e shkaqeve, do të duhej që, sipas parimit të përputhshmërisë midis shkakut dhe pasojës që është ndër ligjet e palëkundura të fizikës, midis pasojës dhe shkakut të kishte një marrëdhënie të kuptimtë. Sipas kësaj, është e nevojshme t'i gjindet një shkak çdo gjëje, për shembull, që nga shndërrimi i globit tokësor në një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e jetës e gjer te njeriu si një qenie që mendon, madje ai shkak të jetë i kuptimtë dhe i tillë që t'i mjaftojë fuqia për ta prodhuar atë gjë apo rezultat, apo pasojë, quajeni si të doni.
Ndërkaq, merrni e shihni që nga gjendja e sotme e globit tokësor, domethënë shpejtësia e tij, largësia nga dielli, atmosfera me shtresat e saj, periodiciteti, pjerrësia e kuptimtë e boshtit të tij ndaj rrafshit, qëllimet dhe shërbimet që përmbajnë gazrat që përbëjnë atmosferën e gjer te koreja tokësore dhe mbulesa bimore, te detrat dhe ligjet e fshehta që veprojnë në to, te erërat dhe detyrat që kanë përsipër e kryejnë ato e do të vëreni se këto e mijra e qindramijra ngjarje e dukuri të tjera si këto marrin udhë në një harmoni të tillë që t'ua dedikosh shkaqeve shurdhmemece dhe rastësive endacake, do të thotë që mendja t'i dalë kundër vetvetes!
Edhe në se në këtë fushë ose në këtë specifikë teologët kanë hapur shtigje në unitetin e krijimit duke i vënë të gjitha shkaqet në vendin e vet pas trajtimit të tyre me rrugën e zinxhirëzimit dhe qarkullimit të mbyllur(2) dhe duke e mbështetur punën tek Zoti, krijuesi i shkaqeve, për rrjedhojë, duke e quajtur çdo gjë qenie të mundshme,(3) ndërsa Zotin, qenie të domosdoshme,(4) përfundimi i arritur prej tyre mund të arrihet me një rrugë më të frytshme e më shpëtimtare. Po, fakti që në çdo vepër të Krijuesit të Lartë ndodhet vula e Tij, është jo një, por mijra argumente për ekzistencën e tij. Në ditët tona, kur shkencat teorike dhe eksperimentale kanë filluar t'u bëjnë dritë enigmave të gjithësisë, secila shkencë me gjuhën e vet specifike është kah e shpall ekzistencën e Tij dhe kah e thërret me zë të lartë emrin e Tij!
Duke ua lënë fjalën veprave shumë të vyera rreth këtij subjekti, të shkruara nga shumë autorë, po i kthehem esencës së diskutimit tonë.
Po, çdo gjë është e krijuar pas. Kurse krijuesi është Zoti. Ai vetë nuk është i krijuar pikërisht pse është Zot! Çdo gjë e krijuar është krijesë dhe nevojtare. Kurse Ai është qenia absolutisht e domosdoshme, me ekzistencë të vetvetishme, i vetëmjaftueshëm, pra, aspak nevojtar dhe ndaj askujt. Çdo gjë mbështetet tek Ai, të gjitha gjërat e errta, gjërat që duket sikur nuk do të mund të shpjegohen, me anë të Tij ndriçohen. Ai është që krijon, Ai është që i jep vazhdimësi jetës, që tërheq, shtyn dhe çon drejt një synimi të caktuar. Më në fund, përtej Tij nuk ka gjë tjetër që edhe për Të të kërkohet një shkak!
Le të përpiqemi që edhe këtë ta shpjegojmë me nja dy shembuj.
Për shembull, trupin ma bartin këmbët, kurse këmbët m'i bart toka. Pasi të kemi gjetur një bartës të tillë të kuptimtë, them se s'është fare e nevojshme të kërkojmë shkaqe të tjera të reja përtej tij. Tjetër, le të themi se vagonin e fundit të trenit e tërheq vagoni që i ndodhet para, atë vetë, vagoni që i ndodhet para e, kështu, me radhë, gjersa të arrijmë te lokomotiva për të cilën themi se "lëviz vetë" në saje të ndërtimit dhe funksionimit që janë specifike për të.
Këta shembuj që dhamë, kanë të bëjnë me materien e krijuar nga Zoti dhe me mundësinë për mendjet e gënjyera që të ndërrojnë lokomotivë duke nxjerrë në shesh shkaqe gjithnjë të reja. Mirëpo sado që t'i ndërrojnë lokomotivat duke kërkuar gjithnjë të reja, do të jenë të detyruar, në praktikë, siç ndodhi me vagonat që sapo morëm si shembull, që të ngecin ose thjesht që të ndalen, të mbështeten në një pikë, atje ku do t'ua përplasim sysh të vërtetën duke u thënë: "Ja, pra, fundi i shkaqeve tuaja!"
Një çështje tjetër, këtu, që i turbullon mendjet, është që njeriu, i cili mendon në mënyrë të kufizuar, duke mos mundur ta rrokë, ta mendojë e përfshijë konceptin e eternitetit (pafillimshmërisë), e sheh materien si eterne (të pafillimtë) dhe, pas kësaj, njeh mundësinë, brenda një të kaluare pamundësisht për t'u shprehur me shifra, e disa dukurive dhe evenimenteve krejtësisht të pamundura.
Së pari, eterniteti dhe koha nuk janë kategori identike. Ndërsa eterniteti është pakohshmëri, koha(5) është e lidhur ngushtësisht me materien dhe e kufizuar nga materia si dhe relative në vartësi të sistemeve të referimit.(6) Në raport me eternitetin, kohët, të shprehura me katrilion herë katrilion vjet, nuk mund të përbëjnë, po themi, as një të dhjetën e tij. Ndërkaq, ekzistenca, në zinxhirin e shkaqeve, e pikës së fillimit të materies, si një parim fundamental, ky, sot është një subjekt pothuaj i njohur dhe i pranuar nga të gjithë. Lëvizja e elektroneve, e fshehta në fizikën e bërthamës, procesi enigmatik në diell që emeton radiacion vazhdimisht dhe efektiviteti në tërë gjithësinë i ligjësive të termodinamikës, janë, në madhështinë e yjeve dhe shkëlqimin e diejve, një mijë e një mesazhe se çdo gjë e ka një fund. Kurse ekzistenca e një fillimi te çdo gjë që e ka një fund, është aq e qartë dhe evidente, sa të mos ketë nevojë për të diskutuar mbi të!
Për rrjedhojë, çdo gjë, ashtu siç me fillimin e ekzistencës së vet flet për Krijuesin, ashtu edhe me shuarjen dhe mbarimin e vet argumenton se Krijuesi nuk ka fillim dhe fund. Sepse, ashtu siç është e natyrshme se diçkaje që ka fillim, do t'i vijë fundi një ditë, është po aq e detyrueshme që edhe diçka që s'ka fillim, të mos ketë fund. Prandaj edhe ne, materien dhe çdo gjë që del në shesh prej saj, e shohim me syrin se nesër nuk do të jetë më edhe në se sot ekziston. Veçse konsumimi i ngadaltë i lëndës dhe dekompozimi gradual i universeve është një proces mjaft i qetë dhe cilësisht mashtrues për shumicën. Por ç'e do se sado ngadalë e qetë, botët e zhvilluara nga një e kaluar e gjatë gjer në ditët e sotme, jashtë çdo diskutimi që një ditë do të shpërbëhen, do të fshihen e do të mbarojnë. Po, edhe në se materia ekziston sot, i ndriçuar nga një sërë përfundimesh pozitive, askush nuk ka dyshim se ajo po shkon drejt tjetërsimit. Dhe, tani, le të përpiqemi t'jua sqarojmë këtë juve me shembullin e një treni.
Supozojeni se një tren u nis me shpejtësi 55 km/orë nga stacioni i Izmirit për në stacionin e Turgutlluit që ndodhet 55 km larg. Kuptohet se me këtë shpejtësi treni do të arrijë në stacionin e Turgutlluit pas një ore. Pas gjysmë ore ecjeje me këtë shpejtësi, treni e ul shpejtësinë gjysmë për gjysmë, për pasojë, në gjysmën e mbetur të orës, me shpejtësinë e përgjysmuar mund të kapërcejë vetëm gjysmën e distancës së mbetur prej 27.5 km. Le të mendojmë, në vijim, se, pas gjysmë ore rrugë me këtë shpejtësi, treni përsëri do ta ulë shpejtësinë përgjysmë e kështu me radhë. Për pasojë, treni që e ul përgjysmë shpejtësinë çdo gjysmë ore, nuk do të arrijë kurrë në destinacion. Në të vërtetë nuk ndodh kështu. Më në fund, largësitë do të mbarohen dhe treni do të arrijë pa tjetër atje ku i duhej të arrinte. Mirëpo, përsa kohë që treni do të ecë me këtë ritëm, njeriu do të pandehë se kurrë nuk do të arrijë në vend.
Po kështu, edhe materia është kah ecën drejt një zbërthimi dhe shpërndarjeje. Kjo, qoftë edhe pas disa milionë vjet më vonë, absolutisht do të vërtetohet. Dhe, përveç Qenies së Vetvetishme, çdo gjë tjetër do të marrë fund, vetëm Ai do të mbetet!
Si përfundim, Zoti ekziston dhe është krijuesi i çdo gjëje. Atribuimi Atij i cilësisë së diçkaje të krijuar, është mjerimi i mendimit që nuk mundet ta dallojë krijesën nga Krijuesi. Heretikët e mjerë që e kanë hedhur në shesh një përfytyrim të tillë rrëqethës, ndërsa kërkojnë të duken të mençur, as që i bien në të se në ç'kontradiktë kanë rënë me mendjen! Po, më në fund, në se do të ngrihej sot dikush e do t'i atribuonte materies eternitet dhe do ta mohonte Individualitetin e Lartë, kjo do të ishte diçka e çuditshme dhe, aq sa e çuditshme, do të ishte një pretendim fanatik.
Por ç'e do se një pjesë materialistësh që nuk i zotërojnë me kompetencën e duhur materien dhe dukuritë, megjithëse janë të pasaktë në mendimet dhe gënjeshtarë në deklaratat e tyre, do të vazhdojnë të gënjejnë një sërë njerëzizh naivë gjer ditën kur dekompozimin që e ka mbërthyer kokë e këmbë materien dhe konsumimin që i është ngulur atomit para, do t'i parandjejnë dhe njohin bashkë me kuptimin dhe rezultatet e tyre!
Se si qëndron e vërteta, e di Individualiteti i Lartë, dituria e të cilit përfshin tërë materien!
[1]
Në origjinal: Musebbib'ul-esbab.[2] Në origjinal: Devir ve teselsul, rrethi vicioz i qarkullimit të shkaqeve.
[3] Në origjinal: Mumkinu'l-vuxhud.
[4] Në origjinal: Vaxhibu'l-vuxhud. Në lidhje me këto dy terma, sipas idealizmit, në përgjithësi, si dhe sipas teologjisë islame, ekziston qenia esenciale dhe e domosdoshme (Zoti) dhe qenia aksidentale dhe e mundshme (materia) e cila është, pra, aksidencë e esencës dhe, si e tillë, e mundshme si në elementët përbërës (detalet), gjë që është vërtetuar përfundimisht nga shkencat eksperimentale, ashtu edhe, në mënyrë konsekuente, në tërësinë e saj.
[5]"... gjatësia e gjëllimit të çdo gjëje dhe e vazhdimit të dukurive e të ngjarjeve..." dhe, si terminologji filozofike: "Formë objektive e ekzistencës së materies dhe kusht themelor i lëvizjes së saj, që shpreh se sa zgjatin sendet, dukuritë, ngjarjet ose proceset, se si vijnë këto njëra pas tjetrës." (Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, 1980, f. 839-840, Koh/ë).
[6] Të kihet parasysh teoria e relativitetit e Ajnshtajnit.
- Publikuar më .