A ka ndonjë argument logjik në dialogun "A s'jam unë Zoti juaj?" - "Po, ti je Zoti ynë!" ?
Ka disa çështje, shpjegimi logjik i të cilave është mjaft i vështirë. Por mundësia e çështjes së mësipërme mund të shpjegohet. Në të vërtetë, në se Allahu (Xh.Xh.) bën fjalë për diçka, s'mbetet gjë për t'u kundërshtuar.
Këtë pyetje mund ta trajtojmë nga dy aspekte:
1. A ka ndodhur një dialog i tillë? Dhe në se ka ndodhur, si mund të provohet?
2. A ka njohuri individi besimtar për këtë?
Në këtë mes, para së gjithash lind pyetja: A është e saktë se Zoti, në një botë të caktuar, i ka pyetur shpirtrat:"A s'jam unë Zoti juaj?" dhe ka marrë prej tyre përgjigjen: "Po, ti je Zoti ynë!"?
Në Kur'an, ky subjekt është trajtuar në dy ajete-argumente. Në të parin thuhet: "Kujto kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmitarë të vetes së tyre duke i pyetur: "A nuk jam Zoti juaj?" Ata thanë: "Po, dëshmuam!" Atëherë, të mos thoni ditën e kiametit se nuk keni pasur dijeni për këtë dëshmim!" (Kur'ani, A'raf: 172). Të gjithë specialistët e tefsirit, komentimit të Kur'anit, të vjetër a të rinj, janë në kontradiktë lidhur me kohën se kur është marrë kjo fjalë. Një pjesë thonë se është biseduar me shpirtrat kur ata kanë qenë ende atome. Kurse disa komentues të tjerë thonë se dëshmia është bërë sapo fëmija ka rënë në barkun e nënës. Ndërsa disa komentues analistë, duke u mbështetur edhe në një hadith, porosi profetike, thonë se kjo fjalë është marrë në çastin kur njeriut i është fryrë shpirt.
Parimisht, biseda e Zotit me qeniet është e trajtave të ndryshme. Ne flasim në një trajtë të caktuar e në një stil të caktuar. Përveç kësaj, ne kemi ndjenjat tona të jashtme e të brendshme, kemi botën tonë të jashtme e të brendshme, kemi kokën dhe shpirtin, kemi trajtat tona të të folurit me fjalë dhe të të folurit në vetvete ose, e thënë ndryshe, respektivisht, të folurit me zë e të folurit e brendshëm, pa zë. Herë-herë ne përdorim edhe këtë të folurit e dytë dhe u tregojmë ca gjëra atyre që marrin vesh nga kjo gjuhë.
Zemra ka të folurit e vet që nuk dëgjohet, domethënë nuk përceptohet nga organet e dëgjimit. Po të na pyesin ne: "Ç'bisedove ashtu me veten?", përgjigjemi: "Kështu e kështu..." Dhe, pa u menduar aspak ose pa u sforcuar, i radhisim fjalët njërën pas tjetrës. Kjo është një e folur e brendshme, në vetvete.
Disa herë ndodh që të flasim në ëndërr. Ose, në ëndërr, dëgjojmë të na flasë dikush. Por askush i ndodhur pranë nesh, nuk i ka dëgjuar fjalët e thëna. Pastaj ne zgjohemi dhe ua riprodhojmë të tjerëve bisedën fjalë për fjalë. Edhe kjo është një e folur e brendshme, por e një stili tjetër.
Disa njerëz, edhe duke qenë zgjuar, i shohin pamjet shembëllimore të ofruara shikimeve të tyre nga bota e shembëllimeve dhe bisedojnë me persona të shembëllyer. Ndoshta shumë materialistë nuk i besojnë kësaj dhe e quajnë "halucinacion". Le ta quajnë... Kjo ishte edhe njëra prej dhuntive të të Dërguarit të Madh. Shikimit të tij të shenjtë i ofroheshin pamje shembëllimore nga bota e shembëllimeve dhe e varrit, kurse ai ua përcillte të tjerëve ato që kishte parë, dëgjuar e kuptuar. Edhe kjo është një trajtë e veçantë të foluri.
Kurse revelacioni, zbulesa hyjnore, është një tjetër trajtë të foluri. Hz. Pejgamberit i vinte revelacioni. Dhe ai dëgjonte e ndiente duke e pasur të zgjuar vetëdijën por, këtë radhë, dimensionet ishin krejt të tjera. Askush përveç tij nga ata që i ndodheshin pranë, nuk ndiente e nuk kuptonte gjë. Po qe se atij do t'i vinte diçka për veshin, do ta dëgjonin edhe të tjerët. Ndodhte që revelacioni i vinte kur kishte mbështetur kokën në gjunjët e ndonjërës prej grave ose në gjoksin e ndonjërit prej pasuesve, por ata as dëgjonin e as ndienin gjë. I Dërguari i Madh e fiksonte revelacionin në kujtesë fjalë për fjalë dhe ua riprodhonte atyre.
Në shpirtin e njerëzve të lartësuar shpirtërisht vjen frymëzimi. Edhe ky është një trajtë të foluri më vete. Si të thuash, si komunikimi me alfabetin mors: ti-ti-ti-ta-ta-ti dhe marrësi e kupton në çast mesazhin. Po kështu diktohen gjërat në shpirtin e njeriut që i vjen frymëzimi. Prej atyre shifrave a simboleve, njeriu nxjerr disa kuptime. P.sh., ai thotë: "Filan djalë po qëndron tani para filan dere!" E hapin derën dhe djali është aty!
Ekziston telepatia. Dijetarët e sotmë llogarisin që një ditë komunikimi i lajmeve të bëhet me këtë rrugë. Edhe kjo është një trajtë e foluri e veçantë. Zemrat e dy njerëzve kthehen kah njëra-tjetra dhe ata munden të komunikojnë!
Nga të gjitha këto kuptohet se Zoti ka krijuar shumë lloje të folurish.
E tani të vijmë te çështja jonë. Allahu na pyeti ne: "A s'jam unë Zoti juaj? Mirëpo ne nuk e dimë se ç'lloj të foluri përdori. Në se na ka folur ngjashëm me alfabetin mors, domethënë me mënyrën se si jepet frymëzimi tek njeriu, gjithsesi s'kemi pse të mendojmë se duhet ta kishim dëgjuar me veshë. Në se është frymëzim, nuk është revelacion. Dhe në se është revelacion, nuk është frymëzim. Në se është një e folur për shpirtin, s'është për trupin. Në se është një komunikim për trupin, s'është i tillë që të mund ta përceptojë shpirti.
Eshtë shumë i rëndësishëm ky moment: Në se njerëzit, ato që dëgjojnë apo shohin nga bota e shembëllimeve, e varrit apo e shpirtrave, i vlerësojnë me anë të etaloneve të kësaj bote, gënjehen. Lajmëtari Besnik (a.s.) na thotë: "Në varr do t'ju vijnë engjëjt Munker e Nekir dhe do t'ju pyesin." E cilës pjesë të njeriut do t'i drejtojnë ata pyetje? Edhe në i folshin kufomës, edhe në i folshin shpirtit, përfundimi mbetet po ai: ata që mund të ndodhen pranë, nuk do të dëgjojnë gjë. Edhe sikur të fusin në varr një mikrofon e të përpiqen për të regjistruar diçka, nuk do t'ia arrijnë, sepse tani s'bëhet më fjalë për komunikim në dimensionet tona, por në dimensione të tjera. Pse, a s'kanë folur Ajnshtajni e të tjerë për dimensionin e katërt apo s'e di për të satin dimension? Ja, pra, kështu, me ndërrimin e dimensioneve, ndërron edhe çështja e cila do t'ju dalë para në një trajtë krejt tjetër!
Për rrjedhojë, dialogu në fjalë është një marrëveshje e bërë nga Allahu me shpirtin, e posaçme për shpirtin. Nuk duhet pritur që ta dëgjojmë e ta fiksojmë në kujtesë jehonën e saj. Ndoshta duhet pritur të reflektohet nga ndërgjegjja në trajtën e një ndjenje. Ne mund ta ndiejmë atë me anë të ndërgjegjes e të frymëzimeve që vijnë tek ajo.
Një radhë, kur po bëja shpjegimin e kësaj çështjeje, dikush u hodh e tha: "Unë s'kam dëgjuar gjë!" E unë e kundërshtova: "Kurse unë kam dëgjuar! Në se ti s'ke dëgjuar, atëherë shih të shpëtosh kokën! Mua më kujtohet fare mirë se e kam dëgjuar!"
Po qe se do të më pyesnin se me anë të kujt e dëgjova, do të përgjigjesha se e kam dëgjuar me anë të dëshirës dhe ndjenjës së të përjetshmes që më gjallon përbrenda ndërsa nuk jam i përjetshëm! Në fakt, unë edhe Zotin nuk mund ta di, sepse jam i kufizuar. Ndërsa unë, një insekt i kësaj bote të kufizuar, pasi të jetoj jetën time të kufizuar, duhet të vdes dhe ndërsa gjërat e kësaj bote të kufizuar që hyjnë në fushën time të mendimit, duhet të jenë të kufizuara, unë rri e mendoj për botën e pakufizuar. Brenda meje është ndjenja e së përjetshmes, është dëshira për të. Unë bart dëshirën për xhennetin dhe për Bukurinë Hyjnore. Edhe sikur e gjithë bota të jetë e imja, kjo vuajtje nuk mbaron. Eshtë pikërisht kjo gjendje subjektive si rrjedhojë e së cilës unë them "kam dëgjuar".
Gjëja që ne i themi ndërgjegje, me fakultetet posaçërisht vetiake e me "organet" e saj flet vazhdimisht për Zotin dhe kurrë nuk thotë gënjeshtër. Kur i jepni ndërgjegjes atë gjë që kërkon, atë gjë që dëshiron, e keni bërë të kënaqur. Prandaj edhe Kur'ani urdhëron: "Zemrat e atyre që besuan, me të përmendur Allahun, qetësohen; pra, ta dini se zemrat, me ta përmendur Allahun, shtrohen!" (Kur'ani, Ra'd: 28).
Një tjetër specifikë është edhe kjo. Disa filozofë si Bergsoni, duke lënë mënjanë të gjitha argumentet logjike dhe aprioristike, për vërtetimin e Zotit kanë përdorur vetëm ndërgjegjen e tyre. Kanti thotë: "Për të mundur ta kuptoj Zotin në përputhje me madhështinë e tij, unë i hodha pas shpine të gjitha ç'dija." Bergsoni ecën në këtë drejtim vetëm me "parandjenjën" e tij. I vetmi argument i tij, ndërgjegjja. Mohimi i Zotit e bën ndërgjegjen të vuajë. Ajo arrin qetësinë e kënaqësinë kur e beson Zotin. Kur njeriu ta ndiejë thellë zërin e ndërgjegjes së vet, atëherë do të ndiejë brenda saj dëshirën për të Adhuruarin e saj eternal. Ja, pra, kjo atmosferë, kjo shfaqje është pohimi i Zotit që gjen shprehje në ndërgjegjen e njeriut me fjalë të pazë, është përgjigjja "Po, ti je Zoti ynë!" dhënë pyetjes së Zotit "A s'jam unë Zoti juaj?" Dhe, në se do të bëhej kujdes, çdokush do të mundej ta dëgjonte këtë zë që këputet nga thellësitë e shpirtit e ngjitet lart. Ndryshe, në se kjo do të kërkohej në kokë a në trup (në kufomë), do të bihej në kontradiktë. Zoti ekziston në ndërgjegjen e çdokujt, është potencial. Vetëm se dallimi, vërtetimi i tij mund të bëhet vetëm brenda fushës së vet. Njerëzit e mëdhenj, analistët, njerëzit e lartësuar shpirtërisht, profetët e kanë parë dhe e kanë treguar këtë të vërtetë në mënyrë krejt të hapur.
Por në se bëjmë fjalë për vërtetimin logjik, këtë çështje specifike nuk mundemi ta vërtetojmë siç vërtetojmë dhe përshkruajmë sende konkrete si p. sh., një dru lisi apo pishe. Këtë mundet ta kuptojë ai që i vë veshin ndërgjegjes së vet, që vëzhgon ato çka ndodhin brenda vetes së vet!
- Publikuar më .