Ç’është emigrimi i shpirtit dhe a konsiderohet i drejtë sipas besimit islam?
Emigrimi i shpirtit(1) do të thotë kalimi i tij nga trupi në trup. Francezët i thonë metempsycose. Sipas atyre që e pranojnë këtë botëkuptim, trupat janë kallëpe të shpirtrave; hyjnë brenda këtyre kallëpeve që shërbejnë në cilësinë e fortifikatave për ta, jetojnë aty dhe kënaqen. Kur trupi të shpërbëhet, dalin prej tij e futen në një trup tjetër dhe ky ndërrim vendesh vazhdon në mënyrë të pandërprerë.
Besimi mbi emigrimin e shpirtrave mund të haset qysh në bashkësitë e para primitive. Por duhet thënë se, si çdo besim tjetër, edhe ky ka prezantuar pamje të ndryshme në vartësi të vendit dhe kulturës kombëtare të tij. Midis besimit egjiptian mbi emigrimin e shpirtrave dhe besimit përkatës të njeriut përjetësisht të magjepsur të Gangut, ka ndryshime serioze. Një identitet krejt tjetër fiton ky besim sidomos në shprehjet e pasura e të larmishme të filozofëve athinas.
Ky besim është mjaft i njohur edhe në ditët tona kur kanë marrë përhapje të gjerë eksperimentet dhe përvojat metapsikike. Ndërkaq, sot është bërë si një shkollë që e ka sjellë emigrimin e shpirtrave në formën e një sistemi besimor. Veçanërisht në mjediset mondane, si reaksion ndaj pamjaftueshmërisë së materies,(2) ka një interesim aq të madh për këto lloj dukurish, sa që, sapo të bëhen disa veta bashkë, hapen biseda e flitet për trupëzimin e shpirtrave, për rolin e tyre udhërrëfyes, për ndikimin e antifizikës mbi fizikën dhe ligjet e saj, madje për rolin paralajmërues dhe orientues të disa shpirtrave ose, e kundërta, për rolin çorientues të disa të tjerëve.
Me që forma pyetje-përgjigje që po përdorim në bisedën tonë, nuk do të mjaftonte as për të bërë historikun e plotë të këtij besimi dhe as për të përcjellë e treguar të gjitha dukuritë dhe ndodhitë metapsikike të ditëve të sotme, dua të kaloj në çështjen themelore duke bërë shenjë për rrënjët e besimit mbi emigrimin e shpirtrave.
Disa mjedise janë të mendimit se besimi mbi emigrimin e shpirtrave është shumë i vjetër e me rrënjë të thella, madje u referohen një sërë legjendash historike, i shohin si të vërteta më vete rrëfimet e përcjella nga Herodoti - shumica prej të cilave janë gënjeshtra - dhe përpiqen t'i konsiderojnë si mbështetje përrallat e pasura e të larmishme në veprat e Ovidit. Në këtë mes, disa njerëz, duke mos mbetur me besimin se ky udhëtim shpirtrash kryhet vetëm midis njerëzish, pretendojnë për shtrirjen e tij edhe te kafshët, madje gjer tek bimët! Sipas pohimit të kritikës, përkrahësit e besimit mbi emigrimin e shpirtrave janë të mendimit se shpirtrat janë të detyruar të emigrojnë në atë mënyrë që të munden të përfshijnë brenda këtij emigrimi tërë gjithësinë ekzistente. Një turmë shpirtrash kalojnë nga trupi i njerëzve në atë të kafshëve, prej aty tek bimët, tek jogjallesat dhe mineralet, nga toka në det e nga deti në tokë përmes një kalimi të detyrueshëm që s'njeh fund. Kalimit të shpirtit nga trupi i një njeriu te një njeri tjetër, i thonë nes'b, ndërrim kallëpi, kalimit te një kafshë që i përshtatet atij, i thonë mes'h, përshtatje, hyrjes te bari dhe pemët, i thonë res'h, qëndrim, dhe difuzimit te mineralet, fes'h, eleminim.
A ka në këtë botëkuptim ndikim të pranimit të konsideratës mbi Shpirtin e Përbotshëm? Ç'lidhje ka me idenë e difuzionit e të bashkimit?(3) Le të themi menjëherë se është mjaft e vështirë të mos pranosh se këto dy bestytni kanë shërbyer e shërbejnë si rrënjë dhe burim për botëkuptimin e emigrimit të shpirtrave. Madje Tejlori thotë se ky botëkuptim ka të bëjë shumë me amshimin (pavdekësinë) e pavarur të shpirtit. Në bazë të këtij botëkuptimi, gjithashtu, kanë tentuar të shpjegojnë ngjashmërinë, gjatë shumë shekujve, të bijve e nipërve me etërit, gjë që mund të shpjegohet shumë mirë sot me ligjin e trashëgimisë.
Thuhet se besimi mbi emigrimin e shpirtrave është zhvilluar në luginën e Nilit, gjë që ndihet e kuptohet pothuaj menjëherë në fytyrat e përçmuara të mumjeve, në ndërtimin misterioz të piramidave. Kjo ide e bartur nga Egjipti në Hindi dhe prej aty në Greqi mes shprehjeve magjepsëse të filozofëve, nga njëra anë, dhe klithmave të njeriut të magjepsur me idenë e amshimit të luginës Gang dhe Send, nga ana tjetër, është shndërruar në prehje dhe shpresë për zemrën e njeriut që kërkon të mbetet i amshuar. Kjo ide u qe ngjitur hebrenjve nga ana e kabalistëve dhe, me mjeshtërinë e hebrenjve, sado pak edhe të krishtërimit dhe, më në fund, edhe të disa mistikëve, pavarësisht prej përpjekjeve të vazhdueshme të teologëve për ta hedhur poshtë atë. Dhe, në këtë mes, çdo pretendues ka sjellë edhe argumente për të vërtetuar pretendimin e tij; për shembull, kalabistët, faktin që Niobeja i Testamentit të Vjetër qe bërë mermer, që gruaja e Hz. Lutit qe kthyer në statujë prej pluhuri; të mëvonshmit, që një pjesë e hebrenjve qenë kthyer në majmunë e, një pjesë tjetër, në derra; disa të tjerë e kanë çuar edhe më tej duke pranuar se nxitja hyjnore (instinkti) te kafshët dhe rregulli e harmonia marramendëse te bota e bimëve drejtohen nga shpirtra njerëzorë të kthyer në kafshë apo drurë, duke i caktuar, kështu, çdo gjëje nga një shpirt më vete.
Në të vërtetë, jo më përgjithësimi në botën e gjallesave e të jogjallesave i një konkluzioni të tillë të dhënë me nxitim, por edhe diskutimi i tij në botën njerëzore është aq i sajuar, sa që me një të vrarë mendjeje kuptohet se s'mund të jetë ashtu.
Nuk ka dyshim se te bimët dhe te jogjallesat bëhet fjalë për një program dhe një paracaktim. Veçse kërkimi i rregullit dhe masës karakteristike të tyre tek shpirtrat me përvojë që kanë pasë jetuar herët tek ta, është mjaft qesharak dhe qo aq i pambështetur. Vërtetë, bimësia ka një jetë tipike për të, por kjo, ashtu siç nuk është një shpirt njerëzor i zbritur në një nivel të ulët, ashtu edhe nuk është një shpirt që përgatitet për t'u lartësuar e kandidat për t'u bërë njeri.
Megjithë kërkimet e shumta e të gjithanshme të bëra gjer tani, nuk ka qenë e mundur të merret nga bota bimore ndonjë mesazh për ekzistencën e ndonjë shpirti njerëzor me përvojë që e drejton atë. Po ashtu, nuk ka qenë e mundur të tregohet se është hasur në ndonjë kujtim mbi jetën e mëparshme bimore apo kafshërore të ndonjë shpirti që pranohet se aktualisht po kalon periudhën njerëzore të tij. Mirëpo hyrja midis pretendimeve të kësaj specifike, edhe e të dhënave të vjetra dhe atyreve të fituara më vonë, është ndër çështjet mbi të cilat qëndrohet si mbi një fundament të rëndësishëm. Ç'e do se gjer më sot ne s'dimë ndonjë gjë tjetër përveç përçatjeve të nja-dy të sëmurëve mendorë dhe të ca lajmeve sensacionale.
Shndërrimi i Niobes në mermer dhe i gruas së profetit Lut në statujë prej pluhuri për të cilat bëhet fjalë në Testamentin e Vjetër, kurrë nuk mund të konsiderohen argumente në favor të emigrimit të shpirtrave. Edhe sikur të silleshim me mirëkuptim e ta pranonim një gjë të tillë, shpirti është marrë, kurse trupi ose kufoma, sipas llojit të fatkeqësisë që i ka rënë mbi krye, ose është bërë pluhur e dhé nën një atmosferë përvëluese, ose ka mbetur nën lavë e është ngurosur. Me të vërtetë, këto lloj fosilesh që hasen në të katër anët e botës, janë aq shumë, sa nuk mund të numërohen. Gërmimet e bëra shekuj pas kthimit të Pompeit në një grumbull hiri nga lavat e derdhura prej Vezuvit, na nxorën para një tufë Niobesh të mermerizuara. Ndërsa sot këto gërmadha zbulohen një e nga një duke nxjerrë sheshit historinë e tyre fletë-fletë, nëpër ballet e papastra duket një jetë njerëzore e përshkuar nga turpi dhe disfata që e shohim duke nxjerrë mësim, ndihet hazdisja dhe teprimi, duken veprat e ndëshkimit hyjnor. Interpretimi sipas botëkuptimit të emigrimit të shpirtrave i këtij materiali etnografik të dorëzuar në gjoksin e së ardhmes me qëllim që të shërbejë si mësim, është një pretendim i hedhur në shesh pa asnjë bazë dhe nënvleftësim i çështes.
Po qe se emigrimi i shpirtrave është hyrja e shpirtit të njeriut të vdekur në një trup tjetër e kështu me radhë, në rastin tonë, cili shpirt në cilin trup ka hyrë? Ndoshta, sipas shumicës, i janë marrë shpirtrat një popullsie mëkatare e fajtore dhe, me qëllim që kjo t'u shërbejë si mësim pasardhësve, kufomat u janë shndërruar në gurë. Në Egjipt, Greqi dhe në luginën e Gangut, besimi mbi emigrimin e shpirtrave është zhvilluar duke u mbështetur në një besim të shpërdoruar mbi ringjalljen dhe në dëshirën për një shpirt të amshuar. As në Egjipt, as në Greqinë e Pitagorës askush nuk e njihte emigrimin e shpirtrave të lindur nga korrigjimet e besimeve dhe ideve të tjera. Sipas Atenit të Egjiptit, me mbarimin e jetës tokësore të njeriut, për të nis një jetë qiellore. Sapo vdes njeriu, shpirti i tij niset lart për të arritur tek gjykata e lartë dhe arrin te Osirisi. Secili shpirt që del para Osirisit, jep llogari në këtë mënyrë: "Dola para teje i pamëkatë dhe në jetën time bëra çdo gjë që duhej bërë për t'i lënë të kënaqur shenjtorët. Nuk derdha gjak, nuk grabita, nuk shkaktova grindje dhe nuk u solla keq. Nuk e prisha nderin... " Ai që mundej t'i thoshte këto, futej në bashkësinë e njerëzve të Osirisit. Kurse ai që nuk mundej t'i thoshte dhe peshorja nuk i rëndonte nga ana e veprave të mira, hidhej në skëterrë.
Përsëri, në epitafet që reflektojnë të vërtetat besimore të fesë së Atenit, vemë re këtë besim të thjeshtë e të kthjelltë: "Bëmat e tua janë të shumta, por shumicën e tyre syri ynë s'i sheh. O ti, zoti i vetëm, askush nuk e ka fuqinë tënde! Ti e krijove këtë tokë si deshe, duke qenë i vetëm. Ti je ai që u jep vendin e merituar të gjitha gjallesave që jetojnë në tokë, njerëzve, kafshëve që ecin mbi këmbë dhe shpendëve që fluturojnë në qiell dhe që ua plotëson të gjitha nevojat. Të gjitha bukuritë marrin trajtë në saje tënde dhe sytë të shohin ty tek to. Ti je në zemrën time..."(4)
Këto konsiderata që i shënova këtu pa u shtuar asgjë, rreth katër mijë vjet përpara në Egjipt ishin gjëra që pranoheshin, secila më vete, si të vërteta të mëdha .
Edhe në Greqi, besimi mbi ringjalljen dhe shpirtin e amshuar ishte mjaft i shëndoshë. Filozofi i madh Pitagora, pohon se shpirti i ndarë prej trupit do të ketë një jetë të veçantë të posaçme; parimisht, shpirti, para se të vijë në tokë, është i përgatitur për këtë jetë dhe i ngarkuar me disa përgjegjësi, për rrjedhojë, si përgjigje për të këqiat që do të bëjë këtu, do të hidhet në skëterrë, në të kundërt, si përgjigje për të mirat, do të meritojë pozita të larta dhe një jetë të lumtur. Dhe po qe se do t'u hidhnim sytë tregimeve të mëvonshme duke pranuar paraprakisht disa çalime të përziera me shtesa, do të vinim re një besim mbi ringjalljen shumë afër të vërtetës, të trajtuar në një mënyrë të larmishme. Edhe mënyra e të shprehurit në librin "Republika" të Platonit nuk ka ndryshim prej kësaj. Sipas Platonit, "Shpirti i ndarë prej trupit e harron krejtësisht jetën materiale dhe preokupohet vetëm me mendimin mbi të vërtetën. Me këtë situatë, duke u ngjitur drejt një bote të përshtatshme për të, drejt një bote sublime të ngopur me urtësi e pavdekësi, i çliruar atje prej të metave, gabimeve e frikërave, madje edhe prej dashurive e pasioneve që e patën përvëluar në jetën materiale, i çliruar nga të gjitha të këqiat esenciale e të pashmangshme të natyrës njerëzore, bëhet i merituari i një lumturie të lartë e i një jete të pandarë me shenjtorët."
Në të vërtetë, po qe se në besimet e kombeve me sisteme të tilla të menduari do të binin në sy gjëra që kanë të bëjnë me bestytni të tilla si emigrimi i shpirtrave, nuk duhet të vihet në dyshim se këto janë produkte korigjimesh.
E si u nis kristianizmi, kjo fe qiellore, ta hipë Mesihun në fronin hyjnor? Po qe se s'do të ishte deklarata ndriçuese e Kur'anit, edhe kristianizmi nuk do të shihej sot ndryshe nga atenizmi ose brahmanizmi. Po ashtu, fetë e Egjiptit, të Hindisë e të Greqisë, pas tjetërsimeve të pësuara, patën marrë një pamje që nuk njiheshin më. Mundet që edhe besimi mbi emigrimin e shpirtrave të ketë hyrë në to duke gjetur rrugë përmes ndryshimeve e tjetërsimeve në fjalë.
Besimi mbi emigrimin e shpirtrave që pati hedhur rrënjë në Egjipt, pasi qe bërë subjekt i këngëve dhe eposit krye e fund luginës së Nilit, pati hyrë në përralla duke veshur një rrobë më të larmishme e më fantaziste në saje të mendjeve pjellore të filozofëve grekë dhe qe bërë për të gjithë botën "brisku që i shkonte çdo mjekrre"!
Rob i këtij botëkuptimi, hindiani e konsideron materien si shfaqje të fundit të Brahmanit dhe bashkimin e shpirtit me trupin, një rënie në degradim, një delikt. Në antagonizëm me këtë, vdekjen e konsideron zhveshje nga të metat njerëzore, pretekst për lartësime përmes kapërcimit të vetvetes dhe bashkim me të vërtetën. Në "Vedat", libri më i rëndësishëm i hinduizmit, shpirti përfytyrohet si një fragment, si një shkëndijë e Brahmanit dhe tregohet se, gjer në çastin kur të kthehet te origjina e vet (te Brahmani), do të kalojë nga kallëpi në kallëp pa shpëtuar dot prej vuajtjeve e ankthit. Shpirti, pasi të çlirohet nga egoizmi dhe nga të gjitha të këqiat që kanë të bëjnë me të, e shtie në dorë dijen hyjnore duke vrapuar drejt Zotit që është Hyu Absolut ashtu siç vrapon lumi për t'u derdhur në det. Dhe kur ndodh bashkimi, krijohet qetësia dhe kënaqësia si Nirvana e Budizmit. Ndërkaq, përkundër sundimit në Budizëm të një pasiviteti dhe stanjacioni, në Brahmanizëm ka një shpirt aktiv.
Besimi mbi emigrimin e shpirtrave qe përvetësuar më vonë edhe prej hebrenjve. Pasi hebreu i pangopur me jetën dhe i pasionuar pas pavdekësisë së shpirtit të eleminonte besimin mbi ringjalljen, nuk do të kishte gjë më normale se të pranonte besimin mbi emigrimin e shpirtrave. Kurse akoma më vonë, ideja e emigrimit të shpirtrave, e futur nga ana e kabalistëve në një pjesë manastiresh e kishash si ajo e Aleksandrisë, pati mundur të futej, sado pak, edhe midis muslimanëve nëpërmjet shiitëve ekstremistë. Në të gjithë popujt apo kombet, të rinj apo të vjetër, që e kanë pranuar emigrimin e shpirtrave, bie në sy një ide e përbashkët: difuzioni (i Zotit te krijesa) dhe bashkimi (me të). Duke u pranuar gjithë po e njëjta gjë Ateni në atenizëm, Brahmani në brahmanizëm, Uzejri në hebraizëm, Mesiu në kristianizëm dhe Aliu në shiizmin ekstremist, është bërë një gabim mbarënjerëzor dhe është shkarë në të njëjtën vijë. Kurse, jashtë kësaj, fjalët që na bëjnë të ditur për praninë e idesë së emigrimit të shpirtrave në shprehjet apo pohimet e një pjese mistikësh, janë ose ngatërresa të njerëzve që ushqejnë maraze, ose alegori që duhen interpretuar. Dijetarët sunnitë, nga specialisti i hadithit te juristi e nga specialisti i tefsirit, komentit të Kur'anit, te teologu, janë të një mendjeje se ky botëkuptim është në antagonizëm me shpirtin e Islamit; nisur nga specifika të tilla besimore si jetesa e çdo individi sipas kaderit (paracaktimit hyjnor) të vet, vdekja, po ashtu, sipas atij kaderi dhe ringjallja bashkë me bagazhin e veprës së vet, marrja në llogari e çdo individi në bazë të të mirave dhe të të këqiave të veta, e kanë parë si të prapësuar dhe të mallkuar besimin e emigrimit të shpirtrave.
Për të mund ta përcjellë qartësisht këtë çështje, e shohim të dobishëm parashtrimin e specifikave të mëposhtme. Po, përballë gjërave të parashtruara më poshtë, është e pamundur ta pranosh besimin mbi emigrimin e shpirtrave:
1. Sipas besimit mbi ringjalljen, llogaria e çdo individi do të jetë sipas debi-kredive të jetës së vet. Atëherë, një shpirt që ka kaluar nëpër mijra trupa, me ç'personalitet do të ringjallet dhe mbi ç'bazë do të ndëshkohet apo shpërblehet?
2. Kjo botë është shpalosur për provë, për provim. Dhe provimi vazhdon të kryhet mbi parimin e besimit mbi të fshehtën. Një shpirt që e përjeton ndëshkimin e të këqiave të bëra i futur nën trajtën e një qenieje të ulët, sapo të gjejë rastin të futet në një trup të dytë, edhe çështja do të dekonspirohet, edhe shpirti vetë, si rrjedhojë e vuajtjeve të hequra, do të hyjë në një rrugë që të mund t'i japë fund ndërrimit të vazhdueshëm të trupave, gjë që do të thotë që botëkuptimi mbi emigrimin e shpirtrave ta anulojë e ta shembë vetveten!
3. Po qe se për meritimin e lumturisë absolute të çdo individi do të shihej i nevojshëm një emigrim i tillë i mundimshëm, atëherë premtimi i Zotit për t'i ndëshkuar të këqinjtë e për t'i shpërblyer të mirët do të kthehej në diçka absurde. Kurse, një konsideratë e tillë mbi Individualitetin Hyjnor është e shtrembër, kontradiktore.
4. Deklaratat e Kur'anit dhe të librave të tjerë qiellorë mbi faljen e gjynaheve, mëkateve, i tregojnë si të kota e të pakuptimta udhëtimet e gjata e të mundimshme për të siguruar faljen e shpirtrave. Kjo është edhe ajo çka i ka hije Mëshiruesit të Amshuar! Buda duhet ta ketë gjetur si më kënaqësidhënëse pas këtij udhëtimi të vështirë "Nirvanën" e tij që është qetësi dhe dembelizëm, që brahmanizmi i fton të vuajturit e tij në këtë horizont i cili i duket më i lumtur.
Kurse tek ne nuk ka gjynah që s'mund të falet. Dhe Allahu është kah premton se do t'ia falë mëkatin çdokujt që pendohet. Lidhur me këtë specifikë, ashtu siç nuk shihet e pakta apo e shumta e mëkatit, ashtu edhe nuk do të shihet edhe se personi ka jetuar në mëkat gjer në çastet e fundit të tij. Një mëkatar që e ka kaluar tërë jetën në kundërshtim (ndaj Zotit dhe urdhërave të tij), mund të meritojë mëshirën e Zotit edhe me një orë të vetme jete të pastër...
5. Po ashtu, për t'u lartësuar, emigrimi i shpirtit është një udhëtim i gjatë e i lodhshëm dhe në antagonizëm me konsideratën dhe mëshirën e Zotit. Sepse, kur Ai do, edhe gjërat mjaft të ulta të marra në formë sajimesh, i kthen në ar të pastër. Dhe kjo është dhurata e Tij e posaçme vetëm për Të, favori i Tij i posaçëm vetëm për Të!
6. Midis njerëzve që u patën shkuar pas profetëve, ndodheshin edhe sherrxhinj të prapë përsa i përket jetës së tyre të mëparshme. Lartësimi në një nivel të tillë që do t'i linte pas edhe shenjtorët, i këtyre njerëzve pas një të kaluare të fëlliqtë është aq i zakonshëm, sa që është pothuajse e pamundur të deklarosh të kundërtën. Lartësimi në majën e pjekurisë në një akt të vetëm dhe në një kohë të tillë kaq të shpejtë, ashtu siç pohon për favorin hyjnor, ashtu edhe kuptimisht vë gishtin në faktin që emigrimi i përgjithshëm është krejt i pavend.
7. Pranimi i një shpirti për çdo trup është shprehje e besimit mbi krijimin si një akt i pafund të Allahut me fuqi të pafundme. Pranimi, në vend të kësaj, i një taborri shpirtrash që hyjnë e dalin nëpër trupa, vjen erë akuzë ndaj Zotit për dobësi e paaftësi. Edhe në këtë pikë është krejt e hapur dhe e qartë se besimi mbi emigrimin nuk përputhet me mendjen.
8. Përveç kësaj, të paktën në një pjesë ndër disa miliard njerëz që jetojnë mbi tokë, a nuk duhej të gjendeshin shenja nga aventurat e jetës së kaluar në trupa të tjerë? A nuk do të ndodhte, të paktën, që në disa njerëz të vërehej një kulturë e përgjithshme e grumbulluar nga vajtje-ardhjet disa herë në tokë? Edhe sikur të merrnim raportin një për mijë, a nuk do të duhej të ndesheshim kudo me disa njerëz të tillë po të mbajmë parasysh numrin e popullsisë së botës? Mirëpo ku!...
9. Gjithashtu, a nuk do të duhej që, pothuaj në çdo pjesë të shoqërisë, çdo individ që bart një shpirt të vjetër, sapo të hynte në moshën 3-4 vjeç, të dukej me të gjithë përvojën dhe bagazhin kulturor të fituar më parë? A mund të tregohet qoftë edhe ndodhia e vetme e kësaj natyre, e konstatuar gjer tani? Edhe nëse në disa njerëz gjenialë dhe të merituar për frymëzim, duken gjëra të jashtëzakonshme, kjo dukuri, më shumë se përdorimi i një bagazhi të gatshëm njohurish, është ose një mbështetje hyjnore, ose kapacitet i zgjuarësisë së lartë për t'i rrokur gjërat dhe dukuritë.
Gjer tani, duke përjashtuar marrëzitë e nja-dy të sëmurëve mendorë e të lajmeve sensacionale të botuara nga ndonjë gazetë, është e pamundur të bëhet fjalë për ndonjë fakt të argumentuar që ndonjë trup çfarëdo të ketë jetuar me një shpirt që i ka përkitur dikujt tjetër.
10. Në gjallesat e ndryshme nuk është zbuluar ndonjë simptomë që të tregojë për funksione njerëzore. Mirëpo ta do mendja që shpirti që bart një sërë veçorish të fituara në trupin e mëparshëm, sado në nivel të ulët që të jetonte, do të bënte disa veprime që do të preknin kufijtë e natyrës së tij. Megjithëse kërkimet botanike kanë përparuar shumë, nuk është hasur gjer më sot ndonjë çudi që të bjerë erë emigrim shpirti.
Si përfundim, mund të themi se besimi mbi emigrimin e shpirtrave, ashtu siç ka jetuar si një devijim ose bestytni midis popujve të vjetër, edhe tek njeriu i ditëve të sotme nuk përfaqësohet me ndonjë të vërtetë, veçse me vetëgënjimin e shpirtrave bosh dhe hyrjen e sundimin e djallit në disa trupa. Po, me anë të fjalës së Fjalëdrejtit më të Madh (Hz. Muhammedit a.s.) mësojmë se djalli qarkullon në damarët e gjakut dhe bëhemi edhe më të njohur me fytyrën e vërtetë të marrëzisë që i thonë emigrimi i shpirtrave.
Fundja, as që mund të mendohet që njeriu si krijesa më e nderuar nisur nga krijimi i tij, t'i besojë një bestytnie të tillë të pambështetur në asnjë lloj përvoje, të pambështetur nga mendja e, sidomos, nga revelacioni hyjnor!
Të vërtetën e kësaj pune vetëm Ai e di!
[1] Në origjinal: Tenasuh.
[2] Pamjaftueshmërisë së botës materiale dhe shpjegimit materialist të dukurive psikike e metapsikike.
[3] Besimi mbi difuzionin e Zotit në trupin e gjallesave e të sendeve dhe bashkimin me to.
[4] Prof. Breasted, A Histori of Egypt, f. 371-376.
- Publikuar më .