Pikat e përbashkëta

Në ditët tona ka rryma të ndryshme ideore dhe do të ketë. Para së gjithash, njeriu ynë ndodhet në një krizë të thellë shpirtërore. Ndërkaq, siç janë dyshimet që çojnë në kërkim, baza e shkencave, ashtu edhe krizat ideo-shpirtërore janë, në një kuptim, burimi i rrymave ideore.

Në shoqëritë që i kanë siguruar plotësisht sipas kohës nevojat e tyre dhe që janë në vazhdim të zhvillimit të tyre të natyrshëm, shqetësimet shoqërore janë pothuajse të papërfillshme. Kurse në shoqëritë që nuk i kanë plotësuar nevojat materiale-shpirtërore dhe nuk kanë mundur ta përshpejtojnë zhvillimin e tyre të natyrshëm, me shtimin në vazhdim të presioneve të brendshme e të jashtme, shtohen edhe turbullimet.

Krizat dhe turbullitë shoqërore u përngjajnë shtrëngatave, furtunave e cikloneve dhe shpesh herë, nisur nga përfundimi, janë të mira, sepse, e shtrënguar prej turbullive, shoqëria detyrohet të ndryshojë e, kështu, arrin të përshtatet me kohën e të ecë me hapin e saj. Po qe se një shoqëri nuk e njeh periudhën që po jeton, po qe se me aksionet dhe reaksionet e saj nuk merr pjesë aktive në ndodhitë e asaj periudhe, është e pamundur të pranosh se ajo shoqëri jeton, sepse ajo ecën në rrugën e një shembjeje të detyruar.

Sot, në shpinë të lëkundjeve e turbullive që kanë përfshirë të gjithë shoqërinë, pa asnjë dyshim, janë pikërisht këto lloj krizash dhe, me presionin e jashtëm e të brendshëm mbi muret e statukuosë, ka nisma për struktura dhe sendërtime të reja. Kombet që munden të dalin nga kjo lëkundje e trazirë e përgjithshme si dhe nga ky ristrukturizim pa u shembur, e marrin pjesën që u takon nga historia dhe ngrenë për vete një botë krejt të re!

Gjithsesi, nuk mund të mendohet që edhe kombi ynë së bashku me bashkësinë e popujve e kombeve me të cilët jemi të lidhur, të mbeten jashtë kësaj. Dhe kështu do të ndodhë: do të kalojë nga kriza në krizë, do të bjerë nga shqetësimi në shqetësim dhe do të heqë një mijë lloje dhimbjesh, por, më në fund, pa dyshim, do të rilindë ai që është!

Ndërkaq, thelbësore është që, pas gjithë këtyre ndodhive, struktura e re të mund të përgatitet në mënyrë të përsosur, me themel dhe në përputhje me parime të pavjetërueshme e të palëkundura. Në të kundërt, po qe se ligjet shoqërore nuk njihen dhe mjekimi nuk bëhet mbi baza shkencore, qëndrimet negative e me kahje të kundërt mund ta përmbysin çdo gjë.

Ja, pra, sot, ne, para një gjendjeje të tillë ndodhemi: të jemi apo të mos jemi! Ose, pas gjithë kësaj vorbulle, me një arsye e vetëdijë të thellë, do ta themelojmë botën e projektuar të gjithë së bashku si komb e do t'ia arrijmë paqes e qetësisë, ose, për hir të një sërë llogarish dhe interesash të vogla, me një kuptim dhe qëndrim që do t'i bënte të pafrytshme të gjitha vuajtjet e mundimet e hequra, Zoti na ruajttë, do të kthehemi pas e më pas...

Ç'është e vërteta, tema e unitetit dhe e përçarjes është, në ditët tona, njëra prej çështjeve më aktuale që vazhdon ta ruajë rëndësinë e vet. Përtej ruajtjes së rëndësisë në çdo periudhë, kjo temë, në periudhën kur përgatitja sipas një bote të re është e domosdoshme, madje shumë e domosdoshme, është shndërruar në një temë, serioziteti i të cilës vjen duke u shtuar dhe e cila del para të gjitha çështjeve shoqërore. Një antagonizëm dhe përçarje e pakuptimtë, faturën e së cilës populli po e paguan që prej shekujsh, në ditët tona, kur sensibiliteti ka dalë në ballë, ka arritur në përmasa të rrezikshme. Mund të them me shumë lehtësi që, për rilindjen tonë, është e pamundur të përfytyrohet një rrezik më i madh se ky!

Me një strukturë ideo-shkencore mjaft të cekët, me një jetë ndiesore e shpirtërore mjaft të varfër, me një përbërje kuadri e udhëheqjeje të paqenë, shoqëria jonë sot ndodhet në një gjendje për të ardhur keq. Pa asgjësuar një mjedis si ky të ushqyer prej fanatizmit dhe intolerancës, duhet të jetë mjaft e vështirë të mendohet për bashkim dhe unitet.

Sigurisht, sepse mirëkuptimi dhe marrëveshja janë, para së gjithash, një punë arsyeje e logjike. Eshtë një unitet dhe bashkim zemrash mbështetur mbi arsyen dhe logjikën që mundet të qëndrojë e të bëhet jetëgjatë. Mirëpo ç'e do se sot bëhet fjalë për një bashkim dhe vëllazërim më shumë sentimental i cili është i dobët, i pamjaftueshëm dhe jetëshkurtër. Grumbullimet kundër një grupi të caktuar ose bashkimet mbi bazën e ndjenjave armiqësore, strukturimet e përshkuara nga një gjendje shpirtërore agresive ose viktime janë dallgëzime kalimtare të bashkimeve sentimentale. Një unitet i tillë brenda përmasave tona sasiore-cilësore është, pa asnjë diskutim, i pamjaftueshëm për një komb dhe vend të rrethuar nga të katër anët prej armiqve si dhe, sidomos, i tillë që kurrsesi s'mund të quhet i lejueshëm për nga këndvështrimi i parimeve tona të shenjta dhe që nuk shpreh asgjë për të ardhmen tonë kombëtare.

Atëherë, pra, është jashtëzakonisht e nevojshme që, duke llogaritur edhe faktorët përçarës të jashtëm e të brendshëm, të shtrohen për diskutim pikat tona të përbashkëta që do të përbënin bazë për bashkimin kombëtar si dhe të ritrajtohet çështja e unitetit në mënyrë të arsyeshme e të logjikshme. Sigurisht, ne kemi nevojë që, duke e rishikuar përcaktueshmërinë e shkaqeve, preteksteve, qëllimeve dhe synimeve, t'i kushtohemi me gjithë zemër një marrëveshjeje të ndërgjegjshme. Ndihet nevoja e ngutshme, madje tejet e ngutshme që uniteti ynë, i cili është gur themeli i lumturisë sonë materiale e shpirtërore dhe tokësore e të amshueshme, të jetë, më e pakta, një bashkim si aleanca anglo-saksone dhe uellsiane.

Edhe nëse nuk arrijmë të realizojmë gjëra të tilla që kërkojnë mendje, gjykim e urtësi, si t'i pengojmë armiqtë, t'i bëjmë ata që t'i vënë gishtin kokës e të druhen, të paktën të tregojmë aftësi për të mos rënë në lojën e tyre e për të mos e përgatitur fundin tonë me duart tona! Dhe, në të vërtetë, për këtë jemi të detyruar...

Mendimi dhe botëkuptimi i ndryshëm është rezultat i të qenit i krijuar ndryshe. Kështu ka dashur Krijuesi dhe në këtë ka urtësi dhe mëshirë. Ndërkaq, njeriu është i detyruar që rregullin dhe harmoninë në ligjshmërinë e krijimit ta sigurojë me anë të vullnetit të vet. Ndërsa në makrobotë sundon shtrëngimi,[1] në botën njerëzore sundon voluntarizmi[2] në kuadrin e "kushtit elementar".[3] Edhe nëse krijimi i parë është një favor, çdo krijim tjetër pas tij mbështetet në një shkak. Rruga e meritimit të favorit të bashkimit dhe unitetit social kalon nëpër shoqërizimin e ndërgjegjeve dhe tharmimin ndër zemra të bujarisë dhe dashurisë njerëzore. Prandaj, pa u shkulur dhe hedhur nga ndërgjegjet egocentrizmi[4] si shprehje e dashurisë pasionante dhe adhurimit të vetvetes, politeizmi i tillë si zëvendësimi i synimeve e qëllimeve me pretekstet, mosnjohja e të drejtës në formën e idesë "kur s'kam unë, të mos kenë as të tjerët", brutaliteti i njohjes së të drejtës vetëm tek vetja duke i paragjykuar të gjithë të tjerët si mohues, perversë e mëkatarë, pra, pa u shkulur e hedhur nga ndërgjegjet të gjitha këto, unë, personalisht, marrëveshjen dhe mirëkuptimin i shoh të pamundur!

Para së gjithash, pranimi si gjë normale e ekzistencës së mendimeve të ndryshme jothemelore si dhe njohja për të gjithë individët e shoqërisë e të drejtës mbi to, qoftë kjo njohje edhe sa delikatesa artificiale që tregohet ndaj një të huaji, janë të nevojshme e të domosdoshme në vetvete si dhe të detyrueshme për unitetin dhe ekzistencën tonë të shenjtë.

Mbetet të themi se ekzistojnë një sërë faktorësh përçarës që nuk duhen nënvleftësuar aspak, të cilët na e kërcënojnë këtë lloj uniteti të domosdoshëm e të detyrueshëm, pranimi i ekzistencës së të cilëve është shprehje realizmi:

  • Fakti që shërbimet fetare kanë mbetur për një kohë të gjatë pa zot, që pas kësaj kjo detyrë është marrë përsipër dhe kryer nga individë dhe grupe të ndryshëm e të ndarë nga njëri-tjetri e sidomos që ka munguar një lider dhe udhërrëfyes që t'i shkonte fjala te këta individë dhe grupe separatiste, është bërë shkak që çdo grup të zerë e të ndjekë një rrugë të veçantë. Një pjesë e këtyre kanë menduar t'i shërbejnë popullit duke hapur kurse Kur'ani në çdo fshat, një pjesë duke lexuar libra të përgatitur për rigjallërimin e fesë, një pjesë duke përgatitur kuadro në nivel intelektual, kurse një pjesë tjetër, duke zhvilluar veprimtari politike. Kështu, ata janë në rrugën e shërbimit për fenë dhe atdheun, vetëm se të ndarë e veç e veç...
  • Fakti që secili nga këto grupe e sheh udhëheqësin dhe prijësin e vet si novator, i jep shkak përçarjes edhe nëse ky vështrim është naiv. Sepse, përsa kohë që në ndërgjegjet e muslimanëve do të ekzistojë konsiderata e novacionit dhe novatorit -dhe kjo do të ekzistojë gjer në kiamet- në periudhat e shtimit të të këqiave kundër fesë gjithmonë do të ketë persona që kanë për të dalë në plan të parë si njerëz të dijes e veprimit si dhe ndjekës të tyre. Këta persona të pranishëm në përgatitjen e konstruktit ideo-shpirtëror të masave dhe në fryrjen jetë aspekteve të vdekura të shoqërisë do të quhen novatorë,[5] gjë që, shumë herë, edhe në qoftë e padëmshme për ndjekësit e tyre, ka për t'u shndërruar, në duar të mediokërve e naivëve, në element përçarjeje! Dhe kjo është e pashmangshme!
  • Edhe në institucionin e mehdiizmit[6] mund të bëhet fjalë për të njëjtat specifika që janë të vlefshme për novatorizmin. Besimi mehdiist në kushtet e intrigës së frikshme të kohës së fundit[7] është, si për bashkësinë, ashtu edhe për individin, si një gomë shpëtimi. Sigurisht, në periudhën kur lidhjet besimore të dobësohen dhe praktika të eleminohet plotësisht, ndihet nevoja e një individi të tillë që të gjitha gjërave që ne na duken të pamundura, t'u vërë në çast emrin e duhur! T'i lëmë mënjanë aspektet e saj utopike, kjo nuk është një specifikë e kritikueshme as për mendimin naiv. Ndërkaq, nisur nga madhështia e atribuar individit dhe fanatizmi i grupit, bashkësisë, edhe sjellja e përçarjes është fuqimisht e mundur.
  • Veç këtyre, jemi të detyruar të shtojmë në llogari edhe nxitjen nga jashtë të kontradiktave mes tonë. Eshtë fakt se, si një komb që kemi ngritur perandori e që kemi përcaktuar për shekuj të tërë fatin e njerëzimit, kurrë nuk jemi honepsur dot nga fqinjët dhe bashkëkohësit tanë. Të gjitha sulmet dhe luftërat e zhvilluara pothuaj qysh prej një mijë vjetësh janë shprehje e një armiqësie të ndjekur kundër kombit tonë. Embargot tregtare të identifikuara me embargot e armëve, qëndrimi indiferent i përcaktuar nga aleatët tanë, madje, përballë disa çështjeve tona ndërkombëtare, për më tepër, fakti që vendet perëndimore e shohin shtetin tonë si një shtet të dorës së tretë edhe mes grupimeve, anëtarë të të cilëve jemi, tregon se vendi dhe kombi ynë ende nuk trajtohen miqësisht. Duhet të jesh i verbër të mos dallosh se në shpinë të këtyre qëndrimeve e trajtimeve të dala mbi ujë janë të pranishme disa paragjykime negative e keqdashëse.

Këto negativitete, edhe në u dukëshin, nga një këndvështrim, normale në marrëdhëniet ndërkombëtare të bazuara në interesa, janë një fakt historik. Ky fakt, në shpinë të të cilit qëndron, pa dyshim, një mendësi e caktuar, ka ardhur gjer më sot si një fushë preokupimi të vazhdueshëm të shërbimeve informative të të gjitha ngjyrave.

I njëjti rrezik është evident edhe sot dhe vazhdon të veprojë duke ndryshuar cilësi në krahasim me të shkuarën. Po, në të shkuarën rreziku vinte nga jashtë, pra dhe rezistenca ndaj tij dhe përballimi i tij ishin të lehtë. Kurse tani është shtuar edhe rreziku nga brenda. Për rrjedhojë, edhe përballimi është vështirësuar proporcionalisht. Brezat e sjellë, me anë të marrëzive të tilla si morali afetar, morali nihilist dhe morali masiv, në emër të moralit, në një gjendje të tillë që të mos kenë më respekt për vlerat e shenjta pasi imoraliteti, i cili, si një epidemi që e ka përfshirë tërë shoqërinë, t'i shembë të gjitha parimet që e mbajnë në këmbë një shoqëri, u bënë, me shprehjen më të turpshme, viktima të shfisnikërisë ideore e shpirtërore. Dhe sot këta breza as nuk i bien më të, bile, se brenda ç'rrëmuje rrëqethëse ndodhen!

Eshtë mjaft e vështirë të pretendosh se kjo rrëmujë nuk është reflektuar edhe në pjesën e njerëzve të besimit. Sigurisht, vlerësimi, diku, i botëkuptimit fraksionist, vënia në punë, diku, e natyrave dhe karaktereve si dhe rrethimi, diku tjetër, i atmosferës etnike është një specifikë që i duhet kushtuar kujdes po të mos harrojmë se janë momentet të cilave u drejtohen objektivat e jashtëm. Në fakt, nuk ka ndonjë tregues serioz se grupimet që i shërbejnë fesë, kanë rënë nën ndikimin e këtyre faktorëve përçarës, se ushqehen prej tyre e u shërbejnë atyre. Edhe nëse për disa grupe ka pretendime dhe thashetheme të tilla, shenjat se bashkësia e besimit dhe e Kur'anit nuk ka për të marrë direktiva nga jashtë, duken të fuqishme. Ndërkaq, është, gjithashtu, evidente se, si rrjedhojë e papjekurisë relative ideo-shpirtërore të grupimeve e bashkësive, mund të ndodhin qëndrime fanatike, gjë që mund t'u hapë rrugën fërkimeve të brendshme. Dhe ky fërkim do të thotë që, pa e kuptuar, t'u bësh shërbim qëllimeve të shëmtuara të armikut!

Qoftë për Turqinë, qoftë për botën islame, për çdo lëvizje që formohet me qëllim shërbimi, rreziqet e mëposhtme janë gjithmonë prezente:

  • Vënia në lëvizje e pasioneve materialo-shpirtërore (post dhe popullaritet) të disa individëve të mëdhenj dhe shtytja e tij në konkurrencë ndaj grupeve të tjera.
  • Ecja dhe veprimi në disa përpjekje të vëna në shesh në emër të islamit, sipas parimit të shembjes së bashkësive apo grupimeve të tjera simotra.
  • Megjithëse vendi dhe koha kur do të merren frytet e dijes dhe virtytit janë, më shumë, jeta tjetër që konsiderohet një perspektivë e largët, pritja e këtyre fryteve menjëherë këtu dhe pas çdo pune dhe përpjekjeje të vogël.
  • Për ta thyer ndikimin e një kuadri të fuqishëm që pëlqehet e ndiqet me dëshirë, nxjerrja e një grupi të ri kuadrosh si kundërvënie dhe, duke krijuar fërkime të brendshme me anë të kësaj alternative të re, shkrirja dhe konsumimi i një grupimi me anë të copëtimit të brendshëm.
  • Ndërsa ata që i shërbejnë kombit, kanë për parim jetese dashurinë për profesionin dhe punën e tyre, zëvendësimi i kësaj me preokupimin me armiqësinë ndaj të tjerëve duke eleminuar, kështu, një pretekst të rëndësishëm të orientimit hyjnor.

Si shtesë për këto mund të përmendim edhe faktin që masat, duke u kapur pas ca mendimeve e sistemeve fantastike të cilat nuk kanë mundur ta kënaqin njeriun tonë, prej të cilave njeriu ynë ka mbetur në një boshllëk ideo-shpirtëror, janë larguar në përmasa të mëdha nga jeta ideo-shpirtërore...

Po, ndërsa njeriu ynë, nga njëra anë, lihej i privuar prej mbështetjes dhe rregullave të botës së brendshme, edhe fakti që, nga ana tjetër, ndodhet i larguar prej linjës së vet kombëtare me anë të motiveve dhe faktorëve nxitës të brendshëm që një pakicë e lumtur e shkujdesur dhe çakërqejfe i nxori në skenë për llogari të ndjenjave kafshërore, është një çështje më vete mbi të cilën duhet qëndruar.

Specialistët sociologë dhe antropologë janë të një mendjeje se s'njihet të ketë jetuar mbi tokë ndonjë fis i pafe. Gjer tani, në asnjë periudhë të historisë e në asnjë pikë të sipërfaqes së tokës nuk është takuar ndonjë shoqëri e pafe! Ndjenja fetare është e natyrshme dhe e bashkëlindur. Eshtë e qartë se privimi i njeriut nga kjo ndjenjë u hap rrugë një sërë depresionesh individuale e shoqërore. Njerëzimi me zemrën dhe ndërgjegjen të lëna në uri, me siguri që do të kërkojë, sistematikisht apo josistematikisht, sipas vetes, rrugët që do ta kënaqnin këtë uri dhe do të përpiqet ta shuajë këtë nevojë të natyrshme. Kurse çështja se për ç'konfuzion do të bëhet shkak një shumëllojshmëri rrugësh të tilla brenda së cilës çdo natyrë do të ketë formuar rrugën e vet, është e hapur për çdo interpretim: anarkia sociale e vlerave dhe, si rezultat i kësaj, një konfrontim i përgjakshëm... Ja, pra, filozofia e jetës e hedhur në shesh me një natyrë të pambrojtur dhe ja, pra, vatani i shkatërruar ku sundojnë një mijë e një ngatërresa!..

Veçanërisht, krahas gjithë këtij konfuzioni të madh, edhe gjendja e të çoroditurve është një çështje më vete dhe serioze, e vlefshme për t'u përqëndruar mbi të. Ka nja dy shekuj që është mjaft e vështirë të kuptosh se ç'thonë e ç'shkruajnë Dashnorët e Mehlika Sulltan-it të cilët, kur thuhet "vatan", kuptojnë "turanizëm",[8] kur thuhet "komb", kuptojnë "fashizëm" dhe, kur thuhet "fe", kuptojnë "reaksion" dhe "prapambetje"! Karbonarët tanë të çuditshëm e pa pasur asnjë llogari serioze, të cilët një herë e një kohë i patën lidhur të gjitha rrugët me Perëndimin, të cilët qenë ngjitur për pushime në zonat klimatike të Perëndimit dhe patën organizuar udhëtime për në brigjet perëndimore, më pas, me të gjitha fuqitë, nisën ta qëllojnë me breshëri Perëndimin në cilësitë e tij si kapitalizëm dhe imperializëm. Kjo do të thoshte se as oksidentalizimi tek ne ishte si rezultat i një llogarie të caktuar, as dhe kthimi i shpinës atij dhe sistemit të tij duke u dhënë pas sevdave të tjera ishte sipas një plani dhe llogarie çfarëdo, por vetëm një dashuri pa shpirt dhe një hap aventuresk...

Si përfundim, mund të themi se, ndërsa shkatërrimi i vlerave fetare e kombëtare në këtë periudhë nga njëra anë i hapte rrugë përgatitjes së një grupimi ateist e mohues, nga ana tjetër, veprimtaria e disa grupimeve të veçanta të paorganizuara dhe të painformuara për njëra-tjetrën të cilat, në përpjekjet për plotësimin e një sërë nevojash legjitime, përcaktonin për vete nga një fushë fetare e shoqërore ku kryenin shërbime, i hapi rrugën shfaqjes së shumë bashkësive fetare. Ndërkaq, fakti se herë-herë mes këtyre grupimeve u zhvilluan polemika të ashpra, grindje të rrezikshme dhe konfrontime serioze, është një e vërtetë. Sidomos kur principialiteti dhe sinqeriteti si esencë e veprimtarisë nuk qenë kuptuar dhe në mes patën hyrë egoizmi dhe pretendimi për monopol të mendimit, konfrontimi pati arritur përmasa të patejkalueshme.

Falenderuar qoftë dora bujare që, në këto kohra shqetësimesh të mëdha kur është e vështirë të ruhet edhe ajo që ekziston, madje, na bëri të shohim zhvillime të mëdha e fryte të reja, iu bëfshin fli shpirtrat Zotit tonë që na solli gjer këtu!

Ndjenja e grupimit ekziston në krijimin e njeriut dhe është e natyrshme që të kërkojë të realizohet. Çështja është që këtë ndjenjë ta bëjmë të padëmshme, madje, të dobishme! Kjo ndjenjë e paorientuar për kah e mira, shpesh herë zhvillohet në një drejtim të kundërt me interesat e njeriut, me natyrën e tij, duke u bërë e dëmshme si për të, ashtu edhe për të tjerët. Për sa kohë që kjo ndjenjë mbështetet me aspektet e ulta të njeriut si injoranca, verbëria, fanatizmi, mund të kthehet në çdo çast në një grindje e përleshje të përgjakshme. Nga ana tjetër, gjithmonë ekziston mundësia që, në raport të drejtë me përhapjen e dijes dhe kulturës, mirëkuptimit dhe tolerancës, të sendërtohet një mjedis afrimi e marrëveshjeje dhe mes grupeve të përvijohet një linjë paqeje. Pandeh se, kështu, brenda krijimit dhe ligjeve të tij, reaksionet tona frenohen pjesërisht, egërsia dhe zemërimi vihen nën zotërim.

Sajimi i kontradiktave me pretekste të parëndësishme pasi drejtësia e kauzës dhe uniteti i qëllimit e i parimeve themelore të jenë të forta, me rrënjë e të palëkundshme aq sa ta bëjnë dallimin metodik të pandikueshëm, është shprehje e një fraksionizmi fëminor, e mosnjohjes së të drejtës dhe e mungesës së prirjes për të mirë. Duke i mbetur besnik të vërtetës se rrugët që të çojnë te Allahu, janë sa numri i krijesave të Tij, çdo përpjekje në këtë drejtim duhet miratuar, çdo udhëtar i një rruge të tillë duhet konsideruar i çmuar dhe çdo shërbim duhet duartrokitur.

T'i shohësh të tjerët si të zhytur në mohim dhe perversitet ose t'i quash mëkatarë, është një mendësi edhe e padobishme, edhe e rrezikshme. Për mua, çdo njeri duhet të tregojë se cila është rruga e tij, ta bëjë të njohur dhe ta këshillojë atë dhe të jetojë me dashurinë për të. Ky qëndrim, siç është i mençur dhe logjik, është edhe kërkesë e besimit dhe Kur'anit. Kështu, çdokush vepron me dashurinë për rrugën e tij pa ushqyer zili për grupet e tjera. Kritikat e drejtuara atyre nuk janë destruktive, thyese e zemërake. Fitimin e konsideratës nga grupi i vet nuk e sheh në kundërvënien dhe mohimin ndaj një grupi tjetër. Atë e sheh si vëlla dhe nuk ia rrëmon të metat. Kur ia vë re vlerat dhe sukseset, e miraton dhe gëzohet. Shkurt, nuk e heq nga mendja për asnjë çast se bashkë me të gjithë ndodhet në një garë për të mirë dhe se është i detyruar së bashku me ta të bartë një thesar të vyer. Kur të ndodhë kështu, çdokënd që ecën në të njëjtin drejtim, e quan si ndihmës, nderon çdo sukses, duartroket çdo arritje dhe puth çdo dorë ndihme.

Kështu patën menduar njerëzit në Periudhën e Profetësisë[9] dhe jeta praktike në këtë linjë mendësie pati bërë përpara. Megjithëse faktorët afrues qenë shndërruar në vetëdijë, megjithëse mendësia e vëllazërisë qe ngjitur në një nivel shumë të përparuar, nuk qenë prekur aspak dhuntitë e veçanta që përfaqësonin lulet dhe frytet e veçanta!

Konsideratat e veçanta aspak të nënvleftësueshme të një Ebu Dheri dhe Abdurrahman b. Avfi, të një Bilali dhe Hz. Osmani si dhe pikëpamjet e tyre të ndryshme për hollësirat kurrë nuk qenë paragjykuar.

Mendësia e fisit dhe e gjakut nuk është prekur gjer në atë masë ku diskutohej uniteti social. Po, ashtu si nuk u prek titulli i nderuar i muhaxhirit (emigrantit mekas) dhe i ensarit (ndihmësit medinas), ashtu dhe fama e fiseve Evs dhe Hazrexh ka mbetur e gjallë për jetë. Duke i thënë, "Ngrihiuni në këmbë Profetit tuaj" fisit të Sa'd b. Muadh-it, është mbështetur tradita njerëzore dhe, duke u çuar në luftë çdo fis nën flamurë të ndryshëm, oxhakët mbrojtës[10] janë djegur për llogari të fitores dhe triumfit të kauzës së përbashkët. Madje, janë mbyllur sytë para krenimeve mes tyre me kusht që të mos kalohet në grindje. Çdo gjë e shfaqur në formën "ata që e mësojnë Kur'anin, janë tanët, këta janë tanët, ata janë tanët", është pritur pothuajse gjithmonë me mirëkuptim dhe, në një kuptim, këto trajtime, për grupin në fjalë që lartësohej me shpejtësi, kanë përbërë një projektim lartësimi.

... Po, që të gjitha këto ekzistonin, por edhe marrëveshja dhe harmonia ekzistonte. Ashtu si në harmoninë e zërave në një simfoni, çdo njeri që përpiqej të fitonte pëlqimin hyjnor, "këndonte" në përputhje me ritmin e përgjithshëm sepse çdokush ishte i pjekur shpirtërisht, kërkues i së drejtës, i pasionuari i shkëlqimit të gjërave që njihte si të shenjta dhe që kërkonte që traditat të lartësoheshin. Për atë s'kishte aspak rëndësi se kush e bënte a e drejtonte këtë punë. E ç'rëndësi kishte për të nëse, pasi lindte dielli e bëhej mëngjes, i jepej mbretërim a lypësi!..

Ndihmëtarët dhe apostujt e Lindjes së Re kanë për të qenë altruistë të mëdhenj që e kanë harruar lumturinë e vet për hir të të tjerëve dhe ata që, me kënaqësinë dhe lumturinë e mjedisit përreth, do të kenë ngritur në zemra parajsë.

Njëri prej grupimeve të kohës sonë dhe, ndoshta, më i rrezikshmi, është grupimi i mbështetur në racën dhe gjakun. Ky është me burim të jashtëm dhe kjo është një e vërtetë kategorike sa asnjë intelektual s'mund ta vërë në dyshim!

Në një periudhë kur grindjet, më në fund, zhvillohen mes blloqesh, kur ideologjitë përplasen me njëra-tjetrën duke përfshirë brenda tërë njerëzimin dhe kur në botën e kthyer në një fshat të madh, kombet kanë formuar njësi dhe grupime të caktuara, një mendësi e tillë raciste është mjaft e çuditshme. Sidomos trajtimi i njerëzve që ndodhen në të njëjtën zonë e që kanë të njëjtën strukturë sociologjike, në formën e grupeve të ndryshme etnike, është mjaft qesharak dhe, po kaq sa është qesharak, është edhe jashtëzakonisht i rrezikshëm përsa i përket përgatitjes së heterogjenitetit të së nesërmes. Eshtë qesharak sepse, në vendin tonë i cili është bërë skenë e afrimit dhe shkrirjes me njëri-tjetrin të fiseve si përfundim i jetesës së përbashkët prej shekujsh, të kërkosh gjënë që i themi "gjak i kulluar", është si të kërkosh të dish ç'ka në "Levhi Mahfudh"![11] Mbetet të themi se në veri e jugë, në lindje e perëndim, shkurt, në çdo anë të Anadollit tonë ka të vendosur formacione sociale mjaft të dallueshëm dhe, brenda secilit prej tyre, grupe të formuara me pretendime racore. Gjithashtu dihet me siguri se secili prej këtyre grupeve ka rënë, me dashje a pa dashje, në këtë situatë qesharake. Atëherë, me thirrjen se përveç përgjigjes pozitive ndaj ftesës gjithëpërfshirëse të zbulesës hyjnore, nuk ka mbetur as zgjidhje e as një mbështetje e përshtatshme tjetër, mund t'i bëjmë zë kështu njeriut tonë: "Lidhuni fort të gjithë pas perit të Allahut dhe kurrsesi mos u përçani dhe ndani!" Ashtu si dje, është e mundur që edhe sot të arrijmë të realizojmë një vëllazërim të tillë! Mjafton që kjo çështje shumë serioze të trajtohet nën objektivin e shprehjes hyjnore dhe sipas parimeve të mendjes e logjikës!

Më në fund, jemi të detyruar që të gjitha çështjet tona t'i trajtojmë jo mes një euforie ndjenjash dhe emocionesh, por në kuadrin e parimeve tona të shenjta si dhe në formën e një kontrate sociale. Sepse, shfaqja e alternativave të ndryshme të prodhuara nga qendrat e jashtme dhe e një pjese grupesh interesash nga mesi ynë, përveç kësaj, edhe lëkundja e ndjenjës së respektit ndaj qëllimeve e idealeve të shenjta, po kështu, fakti që vendin e çështjes së madhe kombëtare e, lidhur me të, të koncepteve të larta e kanë zënë një sërë llogarish dhe interesash të vogla, e bën të domosdoshme forcimin e lidhjes mes tonë. Dhe kjo bëhet duke hedhur në shesh të gjitha aspektet e përbashkëta e duke bërë drejtpeshimin e tyre me faktorët ndarës. Aspektet e përbashkëta si parimet e njëjta të besimit, uniteti në akt dhe adhurim, pastaj vatani dhe kultura e njëjtë, i njëjti fat i përbashkët, i ëmbël a i hidhur që i kapërcen shekujt, i njëjti armik i jashtëm. Sigurisht, kur të gjitha këto janë elementë më bashkues e unifikues se edhe gjërat më të larta, është e qartë se, para këtyre, elementët që do të kërkonin ndarjen, janë gjëra që s'e vlen të shënohen!

Në esencë, kjo çështje është trajtuar kështu edhe nga ana e Profetit. Ashtu siç është pranuar dhe përcaktuar Fjala e Dëshmisë si parimi më i madh, është bërë edhe simboli i paprekshmërisë së çdo individi që e shpreh. Ka shumë ndodhi si zemërimi i rëndë ndaj Usames dhe qortimi i ashpër i tij, përzënia e Muhallemit për të mos e parë më me sy, të cilat e nxjerrin krejt sheshit se ç'gjë është sipas Përfaqësuesit të Sheriatit lidhje përparësore dhe parim.

Kur çështja parashtrohet në këtë mënyrë, si mund të interpretohet me anë të besimit dhe bindjes pamundësia për t'u marrë vesh e për të mos u afruar me ata që besojnë, që bien në sexhde e që drejtohen kah kiblja; akoma më keq, fajësimi i tyre si mohues, perversë e mëkatarë? Më tej, kur ata që veprojnë kështu, të jenë njerëz me ndikim mbi masat, a nuk kemi të bëjmë sa me shkatërrim, aq dhe me mëkat dhe krim? Po, më fatkeqët në çështjen e këtij çekuilibri të përgjithshëm janë imamët, liderët dhe udhëheqësit, një gabim i të cilëve reflektohet në mijra njerëz për shkak të pozitës së tyre shoqërore.

Mendojmë se është me dobi t'ua kujtojmë edhe një herë të gjithë prijësve, liderëve e udhëheqësve çështjen e riparimit të ndërgjegjes së përgjithshme!

Dashuria t'ju jetë për hir të Allahut, urrejtja, për hir të Allahut, zemërimi, për hir të Allahut! Ejani t'i japim fund, më në fund, egoizmit, sepse ai që e jep veten pas egos, e ka të pamundur t'i bëjë të kënaqur as Zotin, as popullin! Ejani t'i duam miqtë brenda përmasave të së drejtës dhe të mos heqim dorë nga bujaria ndaj tyre! Të jemi syçelët ndaj intrigave të armiqve dhe të mos biem në lojën e tyre! Të mos i bëjmë ndryshimet në mendim dhe gjykim pretekste armiqësie! Në të kundërt, t'i përdorim ato si një pretekst pasurie!..

Duke kujtuar edhe një herë se zemërimi dhe urrejtja nuk kanë zgjidhur gjer tani asnjë çështje, duke besuar se fitorja mbi individët do të vijë vetëm me anë të bindjes, le të betohemi edhe një herë për bashkim dhe unitet!

Thirrja çdo personi që takoni, "Ejani të bashkohemi", sikur të ishit ndonjë apostull bashkimi, është një propozim pa vend. Më tej, sikur duke e bërë këtë ftesë, ta bëni me formën sikur po e ftoni në grupin tuaj, s'do të shfaqni gjë tjetër veçse një mungesë respekti të tërë, sepse një qëndrim i tillë gjer më sot nuk ka vlejtur për gjë tjetër veçse për ta ngacmuar edhe te përkrahësit e të drejtës, madje, përparësinë e grupit mbi të tjerët. Përkundrazi, po qe se, kur takohemi me të tjerët, i ngrejmë lart shërbimet e tyre dhe tregohemi të respektueshëm ndaj udhëheqësve dhe të mëdhenjve të tyre, arrijmë të zbusim edhe tipat më të ashpër, madje!

Eshtë shumë e rëndësishme që, duke e parë gjithësinë me syrin e djepit të vëllazërisë, të kërkojmë rrugën e krijimit të lidhjes me çdo qenie, sidomos të tregohemi ndaj besimtarëve absolutisht të butë e të hapur ndaj difuzionit.

Duhet, gjithashtu, të mos kritikojmë as urtësitë e zbatuara nga dora bujare që na ka drejtuar dhe sjellë gjer këtu. Kush e di, ndoshta do të duhet që tërë bashkësia e cila s'e ka kuptuar ende orientimin, të mbetet edhe për një kohë të caktuar në gjendjen ekzistuese!

Dhe që të gjithë ne, duke e hedhur kritikën mënjanë, të jetojmë pak edhe duke thënë fjalë të mira, miratuese e vlerësuese që edhe Allahu të na ndihmojë!..


[1] Në origjinal: cebrîlik (arab.-turq.).
[2] Në origjinal: irâdîlik (arab.-turq.).
[3] Në origjinal: şart-ı âdi (osm.).
[4] Në origjinal: inhisarcılık, benmerkezcilik (turq.).
[5] Në origjinal: müceddid (osm.).
[6] Mehdiizmi (në origjinal, mehdîlik) është një lloj mesihizmi në islam.
[7] Në origjinal: âhir zaman (nga arab.), koha e fundit e njerëzimit para kiametit, katastrofës së përgjithshme.
[8] Në origjinal: turancılık, lëvizje nacionaliste ekstreme e periudhës së fundit të Perandorisë që kërkonte bashkimin e turqve të pastër në një atdhe dhe flamur të vetëm.
[9] ... të Profetit Muhammed (s.a.s.)
[10] Bajraqet.
[11] Levhi Mahfudh, Tabela e Kujtesës (Hyjnore), ku janë të gjitha hollësitë që i përkasin gjithësisë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.