Burrave të Këshillës

Profeti ynë ka bërë haxh vetëm një herë, por e gjithë jeta i ka kaluar me kumtesë e këshilla!

***

Ata që nuk bëjnë punë shpërblyese për të mirat e dhuruara nga Allahu, thajnë çezmet e veta.

***

Disa herë lotët mund të bëhen pretekst për fitimin e shumë zemrave!

***

Madhështia duhet kërkuar jo në punët e mëdha e në planet e mëdha, por në synimin nga njeriu të pëlqimit hyjnor[1] dhe në thënien nga Allahu, "Unë jam i kënaqur me ty!"

***

Kurrsesi mos e lër ta hedhësh farën kur mblidhen prodhimet se të shkon dëm përpjekja e dy stinëve!

***

Eshtë kusht që, kush beson, ta bazojë besimin në veprim. Kur besimi dhe veprimi t'i vënë ndjenjat e personit nën kontroll, te ai fillon të shfaqet orientimi...

***

Bëmat tona në arën e Zotit janë si bëmat e personave në arën e shtetit.

***

Po qe se gabimet që bën njeriu, i krijojnë shqetësim atij, do të thotë se ai njeri është në gjendje ta ndajë të mirën nga e keqja!

***

Armiku i suksesit është mirëqenia, luksi. Suksesi i muslimanëve është vetëm te jetesa e thjeshtë, si komando.

***

Nëse keni shumë vezë dhe zogj, mos i futni të gjithë në një shportë!

***

Edhe nëse masat paraprake nuk e ndërrojnë fatin, fundja, e shpëtojnë njeriun së hedhurit gurë fatit!..

***

Pandehma e mirë është tjetër, pandehma e mirë dhe pasiguria, tjetër. Përcaktimi i vendit të këtyre është punë e burrave trima!

***

E rëndësishmja në kumtesë është që çështja e kumtuar t'i afrohet sinqeritetit dhe të pritet mirë. Askush nuk duhet të përpiqet t'u kumtojë diçka atyre me nivel më të lartë se vetja sepse mund të bëjë të kundërtën e asaj që synon. Nuk duhet t'i tregojë fëmija të atit, nxënësi mësuesit, çiraku ustait. Fakti që Ebu Talibi nuk e dëgjoi Profetin është një çështje e denjë për të qëndruar mbi të!..

***

Nëna dhe babai nuk flijohen për asgjë. Por, nëse ata thonë, "Mos i shërbe islamit!", nuk u dëgjohet fjala. Por ai që u bindet prindërve me përjashtim të këtij rasti, gjen begati në jetë!

***

Besimtari është përfaqësuesi i besimit dhe sigurisë mbi tokë!..

***

Edhe sikur të ketë të drejtë, njeriu nuk duhet të debatojë me të atin. Ndjenja e madhështisë është e pranishme, pjesërisht a plotësisht, te çdokush. Zemërimi nuk është i pëlqyeshëm, por, nëse njeriu pajiset me edukatën muhammediane, e mban veten rëndë para armiqve dhe modest para besimtarëve.

***

Po qe se një botim që është armik i islamit dhe e sulmon atë, duhet lexuar pa tjetër, të paktën duhet lexuar me vëmendje!

***

I keqi që është dhënë pas të keqes, duke u sjellë ndaj njerëzve njerëzisht, mund t'i parandalojë të këqiat. Duhet kujtuar fjala e urtë që thotë "Njeriu është robi i së mirës..."!

***

Njerëzit e vegjël për nga vlerat personale mbajnë përreth vetes gjithmonë njerëz të vegjël e pa personalitet duke menduar se, kështu, do të duken pak më me vlerë...

***

Shpesh herë djalli nxjerr nga rruga njerëz që jetojnë pa ndonjë orientim. Personat që nuk këshillojnë për të mirë dhe nuk ndalojnë të keqen,[2] mbeten të privuar prej zbulesës hyjnore.[3] Tek këta kurrsesi nuk mund të ketë frymëzim. Mund të shkruajnë libra, por gjërat që shkruajnë, janë të errëta, pa bereqet. Janë ata që këshillojnë për mirë dhe pengojnë të keqen, të cilët përfitojnë gjithmonë prej frymëzimeve hyjnore. Prandaj ne do të lexojmë, do të mendojmë dhe do të përpiqemi t'i tregojmë çdokujt diçka në mënyrë që të mbetemi shpirtërisht të gjallë!..

***

Halli i çdo mësuesi[4] në këto kohë duhet të jetë vetëm pëlqimi i Allahut; asnjë mendim dhe ndjenjë materiale nuk duhet të përbëjë synim për të. Ai duhet të mendojë kështu: "Po qe se një ditë rruga ime do të arrinte në xhennet, do të desha që edhe atje të gjeja një fytyrë të njohur që t'i flisja për të drejtën dhe të vërtetën!" Ja, pra, portreti ideor i njeriut ideal të kauzës për të cilin ndjejmë nevojë në kohën tonë!


[1] Në origjinal: rıza-yı ilâhî.
[2] Në origjinal: Emr-i bi'l- mârûf, nehy-i ani'l-münker (osm.).
[3] Në origjinal: vahj (arab.), revelacioni ose zbulesa hyjnore.
[4] Në origjinal: myrshid, mësues shpirtëror, prijës, udhërrëfyes

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.