Besimtari Një Herë Gënjehet

Çdo ideal sublim dhe ide e lartë marrin jetë në një mendim sistematik dhe në një plan të shëndoshë, gjejnë përkrahës dhe disa herë në ditë kthehen në një altar që i buzëqesh fatit të të zotërve të tyre. Kurse mendimet dhe kauzat që nuk e gjejnë dot këtë mbështetje dhe konditë, vdesin e shkojnë ende pa lindur mirë...

***

Kurrsesi nuk duhet ngritur ndonjë konkluzion ose çështje mbi baza, fuqi dhe alternativa të paqëndrueshme, ekzistenca apo mosekzistenca, sendërtimi apo shkatërrimi i të cilave nuk na përkasin neve. Ata që e kanë lidhur pas këtyre realizimin e idealeve të veta, gjithmonë janë gënjyer, ata që e kanë ngritur të ardhmen mbi to, kanë mbetur nën gërmadhat e gjërave të ngritura me dorën e vet, janë shtypur e kanë shkuar...

***

Në një kauzë, lartësia e idealit, saktësia e mendimit dhe planit, sinqeriteti dhe principialiteti i individëve që e përfaqësojnë atë kauzë janë elementë shumë të rëndësishëm. Ndërkaq, edhe zgjedhja e shkaqeve për një çfarëdo punë të projektuar dhe funksionimi i tyre sipas rezultatit të pritur, janë të rëndësishëm po në të njëjtin nivel. Ata që nisen për udhë me shkaqe të paprovuara se çojnë në përfundimin e kërkuar e të papërcaktuara nga një organ i lartë, jo vetëm do t'i lenë të zhgënjyer ata që janë lidhur pas tyre, por edhe vetes do t'i bëjnë dëm!

***

E vërteta duhet mbështetur prapë në të vërtetën dhe duhet kërkuar në rrugët më të drejta. Kërkimi i të vërtetës në kushte ku nuk njihet mendimi mbi të vërtetën, është padituri, kurse ndjekja në atmosferën e shkaqeve të shtrembra është vetëmashtrim!..

***

Mbi mendimin negativ dhe mekanizma negative nuk mund të ngrihen gjëra pozitive. Vendi i pozitives brenda negativiteteve duhet të jetë si ecja mes boshllëkut të dyerve rrotulluese. Ecja nuk duhet të ndërpritet, duhet ecur e kaluar pa ngecur gjëkund!..

***

Të vërtetat eterne[1] nuk lidhen pas gjërave kalimtare e të ndërrueshme. Ç'të jetë ndërtimi i ngrehinave më jetësore mbi një ishull që noton e ikën, e njëjta gjë është edhe shërbimi duke u lidhur pas sistemeve, administrimi dhe drejtimi i të cilave është në duar të forcave të ndryshme!


[1] Në origjinal: bâki (arab.), i përjetshëm

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.