Shoqëria dhe Miqësia
Ai që i çmon shokët e miqtë dhe i pret e i gostit ata, fiton mbrojtës kundër armiqve dhe njerëz që kanë për t'i dalë për zot...
***
Nevoja e njeriut për shok besnik nuk është e dorës së dytë si dhe më e parëndësishme se nevojat e tjera. Individi që ndodhet në prehje e siguri lidhur me shokët e miqtë, quhet se ndihet i sigurtë edhe në shumë anë të tjera.
***
Njeri i mençur është njeriu që, kur i prishen marrëdhëniet me mjedisin, di ta fshijë shpejt e shpejt pakënaqësinë e krijuar me ta dhe ta rinojë miqësinë. Kurse më i mençuri se ky është njeriu që, duke u treguar i kujdesshëm e i vëmendshëm, kurrë nuk i prish marrëdhëniet me miqtë...
***
Ashtu siç ka armiq të fshehtë, ka edhe miq të fshehtë. Miku i fshehtë ose, më saktë, ai që s'do të duket, e quan hipokrizi të flasë për veten e ta tregojë me fjalë miqësinë. Atëherë duhet të themi se, ashtu siç bëjmë përpjekje për t'i njohur armiqtë, duhet të bëjmë edhe për të kërkuar miq, sepse miqtë e gjetur pa i kërkuar mund të mos jenë aq të sigurtë sa mund të shpresohet...
***
Vazhdimësia e dashurisë dhe interesimit mes shokësh varet nga mirëkuptimi dhe ndjenja e gatishmërisë për sakrificë që do të tregojnë ndaj njëri-tjetrit në rrugë legale dhe punë të pëlqyeshme. Miqësia e personave të cilët në mendime, sjellje e veprime nuk tregohen vetmohues ndaj njëri-tjetrit, është e shkurtër dhe kalimtare...
***
Besnikëria e një njeriu ndaj miqve është në po atë masë që të ndiejë në vetvete dhimbjet dhe kënaqësitë e tyre. Miku që nuk qan kur i qajnë miqtë e nuk qesh kur i qeshin miqtë, nuk mund të quhet mik besnik...
***
Miqësia dhe vëllazëria e vërtetë mes miqsh e vëllezërish del në pah në atë masë sa të jetë në gjendje ta vazhdojë marrëdhënien mes tyre edhe në ditë të vështira për ta. Ai që nuk ndodhet pranë miqve e vëllezërve në ditë të vështira e çaste rreziku, s'është mik, s'është vëlla!
***
Mik i vërtetë është ai që të vë dorën kur sheh se je duke u rrëzuar, jo ai që të tund kokën me miratim për çdo gjë...
***
Ata që herë pas here kapen e grinden me mjedisin, i kanë të paktë miqtë. Ai që dëshiron edhe të ketë shumë miq, edhe t'i ketë të besës, duhet të ruhet shumë nga debatet e panevojshme me ta...
***
Po qe se ti e mban veten të çmuar, edhe të tjerët të mbajnë...
***
Miqësia është, para së gjithash, një çështje zemre. Ata që kanë pandehur se do ta fitojnë miqësinë me gënjeshtra e hipokrizi, gjithmonë kanë mbetur të gënjyer. Edhe nëse përreth tyre mblidhen përkohësisht katër a pesë naivë të gënjyer nga ca grimasa, nuk mund të ketë mundësi që këta ta shtyjnë gjatë miqësinë e tyre!
- Publikuar më .