Tregtia
Me gjuhën e parave e të mallrave që shiten e blihen, tregtia është lutje për furnizim[1] drejtuar Individualitetit që mban në duar frerët e çdo gjëje. Kjo lutje a kërkesë duhet bërë, por, njëkohësisht, nuk duhet harruar që plotësimi i kërkesave i përket Atij. Le të përparojnë sa të duan teknika dhe teknologjia, roli i tregtisë dhe i gjërave të premtuara prej saj në emër të së ardhmes do të jetë më i madh se ky i sotmi dhe mbi parashikimet. Për më tepër, qeveritë dhe pushtetet do të dalin në dritë sipas këshillave të saj dhe do të mund t'a vazhdojnë ekzistencën e tyre me mbështetjen e saj!
***
Krahas faktit që rëndësia e dijes dhe specialitetit është e madhe, si në çdo gjë tjetër, edhe në tregti dhe artizanate, nuk duhet hequr kurrë nga mendja se veçanërisht këto dy profesione mbështeten në parimin e çirakllëkut, domethënë të nxënësit në profesion. Ka aq shumë çështje që trajtohen në libra, të cilat as që mund të japin atë që pritet prej tyre pa kaluar nëpër prizmin e mjeshtërisë së një ustai të ardhur nga shërbimi si çirak dhe kallfë i përgatitur.
***
Një tregtar që bën shitblerje në përputhje me trajtimin hallall-haram të gjërave, koha e kaluar nga ai në krye të punës quhet adhurim.
***
Meqë pastërtia dhe rregulli apo papastërtia dhe parregullsia e vendeve të punës apo të tregtisë shpesh janë reflektime të cilësive shpirtërore të shitësit a, në përgjithësi, të të zot të vendit të punës, nuk duhet harruar ndikimi pozitiv apo negativ i kësaj mbi klientët apo kërkesat.
***
Tregtari hileqar apo afaristi hileqar, me këtë sjellje, së pari, vihen në kundërshtim me Zotin, pastaj edhe me ndërgjegjet e veta. Pas kësaj, pasi hileja e tyre të merret vesh, e humbin kredinë në popull dhe shkojnë drejt humbjes...
***
Fryma e tregtisë është drejtësia, siguria, besnikëria, njohja e kohës, sjellja jashtëzakonisht delikate dhe me edukatë ndaj klientit. Ai që le mangut njërën prej këtyre veçantive, ka dëmtuar frymën e tregtisë, pastaj ka bllokuar edhe rrugët e fitimit.
***
Tregtarët dhe artizanët duhet të jenë gjuhëmbël, fytyrëqeshur, mjaft të thjeshtë, të qëndrueshëm në fjalë dhe që s'përtojnë e s'mërziten kurrë. Këto veçanti që janë shumë të domosdoshme pothuajse për çdo profesionist, për këto dy klasa, për shkak të marrëdhënieve të ngushta me popullin dhe të interesimit për humbjen dhe fitimin, janë më të rëndësishme.
***
Për ata që janë mësuar t'i hapin vendet e punës çdo ditë një orë më parë e t'i mbyllin një orë më pas, muaji u bëhet tridhjetë e pesë ditë, viti, katërqind e njëzet ditë; natyrisht, me kusht që, me aq sa ta lejojnë mundësitë, të mos e lënë shërbimin mangut...
[1] Në origjinal: rizk (arab.) pjesë nga të mirat materiale të kësaj bote të caktuara nga Zoti për të gjitha gjallesat; dhënie, furnizim për çdo gjallesë.
Kështu, në islam, dhënësi i rizkut, Allahu, quhet Rezzak, Furnizues.
- Publikuar më .