Të Drejtat e Fëmijës
Duke u krijuar, njeriu është krijuar së bashku me shokun e jetës. Mund të thuhet se s'ka periudhë kur njeriu të ketë mbetur i vetëm. Kështu, krijimi i njeriut qysh në të parë së bashku me bashkëshortin/bashkëshorten e vet tregon se martesa për njeriun është natyrore, e bashkënatyrshme, kurse qëllimi më i rëndësishëm në këtë karakteristikë është shumëzimi. Për rrjedhojë, martesa e bërë pa pasur si qëllim rritjen e brezave të rinj, është një dëfrim dhe aventurë, kurse fëmijët e lindur eventualisht nga një martesë e tillë, janë ca të pafat, viktima të një çasti sentimental...
***
Brezi njerëzor vazhdon përsëri vetëm me njeriun, me njeriun me zemër dhe shpirt të ngritur në nivel njerëzor... Brezat e paedukuar, me aftësitë shpirtërore të pazhvilluara, për rrjedhojë, të palartësuar në nivele njerëzore, edhe po të jenë vetë të bijtë e Adamit, madje, s'janë veçse ca krijesa të çuditshme, hibride njerëzore, kurse si nënë e baba, ca fatkeqë që rrisin në gji lugetër...
***
Nëse prindërit kanë të drejtë të thonë për fëmijët e vet, "bijtë tanë" me aq sa t'i kenë rritur e edukuar të virtytshëm, kurrsesi s'kanë të drejtë të pretendojnë prindësi nëse i kanë lënë pas dore! Pa le sikur t'i kenë shtyrë ata në rrugë të këqia e të shëmtuara duke i larguar nga njerëzorja...
***
Vazhdimësia dhe pavdekshmëria e një kombi është e qenë me breza të përgatitur mirë, me breza me qenien kombëtare e me shpirtin kombëtar të përsosur... Po qe se kombet nuk përgatisin një brez të mrekullueshëm për t'ia lënë amanet të ardhmen, do të thotë se perspektiva e tyre është e errët. Eshtë jashtë çdo dyshimi se detyra e parë për përgatitjen e brezave të rinj, prindërve u bie!
***
Po qe se prindërit u dalin për zot fëmijëve dhe ua zhvillojnë mendimet dhe ndjenjat në një mënyrë që të bëhen të dobishëm edhe për vete edhe për shoqërinë, i përftojnë shoqërisë një shtyllë të re e të shëndoshë. Në të kundërt, po qe se i kanë nënvleftësuar ata përsa u përket ndjenjave njerëzore, quhet se kanë lëshuar në gji të shoqërisë brejtësa...
***
Kur një pemë krasitet e i bëhen shërbimet e duhura, po kështu, edhe kur një kafshë mirëtrajtohet, edhe fryte japin, edhe brezin e vazhdojnë. Në të kundërt, pema s'jep më, kafsha bëhet parazite. Po njeriu i dërguar në këtë botë me një mijë e një dhunti e mundësi? Mos vallë s'duhet kujdesur për të as dhe sa për një pemë?
***
O njeri, ti je ai që e sjell fëmijën në botë! Gjithashtu është detyra jote ta lartësosh atë përtej qiejve! Ashtu siç i jep rëndësi shëndetit të tij dhe dridhesh mbi të me dhembshuri e dashuri, ashtu dhe dridhu mbi të për shëndetin e tij shpirtëror, ki mëshirë për të, mos lejo të shkojë kot, për hir të Zotit, shpëtoje atë!
- Publikuar më .