Prindërit
Prindërit janë të parat qenie që duhet t'i respektojë njeriu. Kush e le mangut respektin për ta, quhet se ka kundërshtuar Zotin. Kush i trajton keq ata, herët a vonë ka për t'iu nënshtruar vetë trajtimit të keq...
***
Nga dita kur njeriu fillon të ekzistojë si një qenie ende e vogël, zhvillohet vazhdimisht si një barrë në supet e prindërve. Lidhur me këtë, është krejt e pamundur të përcaktohet e vlerësohet thellësia e dhembshurisë qoftë e nënës, qoftë e babait ndaj fëmijës, kufiri i shqetësimeve që heqin ata. Nisur nga kjo, respekti për ta është jo vetëm një detyrim njerëzor, por edhe një detyrë që duhet kryer.
***
Ata që, duke e ditur vlerën e prindërve, i konsiderojnë ata si pretekst për të fituar mëshirën e Zotit, janë ndër më fatlumët si në këtë botë, ashtu edhe përtej. Kurse ata që duke ua përbuzur qenien, tregojnë bezdi ndaj jetës së tyre, janë ca fatkeqë të paracaktuar për t'u hequr zvarrë, pastaj, në këtë botë e përtej...
***
Njeriu quhet se e respekton Zotin po aq sa i respekton edhe prindërit. Kush s'ka respekt për ta, s'ka respekt as për Zotin. Sa çudi që, në ditët tona, tregohen krejt të parespektueshëm ndaj prindërve jo vetëm ata që s'kanë respekt për Zotin, por edhe ata që pretendojnë (me fjalë) se e duan Atë!
***
Fëmija duhet të jetë jashtëzakonisht i respektueshëm e i bindur ndaj prindërve; edhe prindërit, duke i dhënë jetës shpirtërore të fëmijës po aq rëndësi sa edhe trupit dhe shëndetit të tij, duhet t'ia dorëzojnë atë sa më parë edukimit të të urtëve më të aftë. Ç'injorantë janë prindërit që e harrojnë shpirtin e fëmijës e ç'i pafat fëmija që shkon viktimë e një miopie të tillë!
***
Biri që i mohon të drejtat e prindërve e që ngre krye kundër tyre, është një lugat me fytyrë njeriu, kurse prindërit që s'bëjnë përpjekje për ta garantuar jetën shpirtërore të fëmijës së vet, janë ca mizorë të pamëshirshëm. Pa le ata prindër që, edhe pasi fëmija ta ketë gjetur vetë rrugën e vet e të ketë hapur krahët për fluturim, e paralizojnë...
***
Familja është elementi themelor i shoqërisë. Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe detyrave të njëri-tjetrit, aq e shëndoshë është shoqëria. Ndryshe, është e kotë t'i kërkosh në shoqëri dhembshurinë e respektin e humbur në familje.
- Publikuar më .