I Riu
I riu është fidani i forcës dhe zgjuarësisë. Po qe se edukohet e mësohet, mund të bëhet një Anté, një fuqi që u premton zemrave ndriçim e botës, harmoni...
***
Shoqëria është një enë kristali, kurse të rinjtë, brenda saj si një lëng që merr formën dhe ngjyrën e enës dhe me atë duket. S'e di, apostujt e rregullit dhe harmonisë, të cilët u bëjnë thirrje atyre për përulje dhe bindje, a janë në gjendje të kthehen e të hedhin një vështrim mbi veten e vet?..
***
Dëshirat u përngjajnë të ngrënave të ëmbla, kurse virtytet, të ngrënave pak të tharta a të kripura. Po qe se i riu lihet i lirë të zgjedhë, a është e nevojshme të thuhet se cilat do t'i zgjedhë e cilat do t'i lërë? Kurse ne jemi të detyruar t'i përgatisim ata si miq të virtytit e si armiq të imoralitetit dhe fëlliqësisë...
***
Gjer në çastin kur t'i shkohet në ndihmë me anë të edukimit, i riu është satelit i dëshirave dhe kënaqësive boshe të mjedisit ku është rritur, një i marrë e i përgjakur që përsillet diku shumë larg personalitetit dhe logjikës. Edukata e mirë që, duke e lidhur atë me të kaluarën e vet, do ta përgatisë për të ardhmen, do ta shndërrojë atë në hero të perspektivës!..
***
Lartësimi ose rënia poshtë e një kombi varen nga shpirti dhe vetëdija me të cilat do të pajisen brezat e tij, nga arsimi dhe edukata që do të marrin. Në kundërshtim me faktin që kombet me brezat e rinj të përgatitur mirë, janë të paracaktuar të përparojnë paprerë, regresi i kombeve që i nënvleftësojnë ata, është i pashmangshëm!..
***
Ata që kërkojnë të japin orakull mbi të ardhmen e një kombi, po t'i hedhin sytë edukatës së dhënë të rinjve, kanë për të dhënë një orakull qindpërqind të saktë!..
- Publikuar më .