Edukata
Tek ne është një fjalë e urtë që thotë: "Po qe se fëmija është i çmuar, edukimi i tij është më i çmuar!" Sa me vend!
***
Në edukimin e fëmijës prindërit duhet të sillen si njeriu me pehriz[1] dhe duhet t'a respektojnë shumë masën në edukim!
***
Nëse themi që periudha më e theksuar e gjendjes së nënvetëdijshme të fëmijëve është mosha 0-5 vjeç, çdo gjë që mund të bëhet në këtë moshë për t'u dhënë fëmijëve shembuj të mirë, është me vlerë!
***
E ardhmja e çdo njeriu është e lidhur tepër ngushtë me ndikimet dhe mbresat e periudhave të fëmijërisë dhe rinisë. Po qe se fëmijët dhe të rinjtë rriten në një klimë ku t'u zhvillohen ndjenjat e larta, janë kandidatë për t'u bërë të gjallë në mendje dhe ide, shembull në moral dhe virtyt!
***
Njeriu është njeri në atë masë që ndjenjat e tij të jenë larg gjërave të ulta. Edhe sikur njerëzit me zemrën nën presionin e ndjenjave të këqia dhe me shpirtin të kapur në mengenenë e egoizmit, të duken në pamje si njerëz, të lenë për të menduar. Pothuajse çdo njeri e njeh pjesën e edukatës që ka të bëjë me trupin, por janë shumë të paktë ata që kuptojnë nga edukata mendore e ndiesore që i shërben, në fakt, punës. Me formën e parë të edukatës përgatiten më shumë njerëz të shquar për nga muskujt, kurse me formën e dytë, njerëz të shpirtit dhe mendimit...
***
Përmirësimit të një kombi i shërbehet jo duke i asgjësuar të këqiat, por duke i lartësuar brezat në vlerat njerëzore me anë të kulturës dhe edukatës kombëtare. Pasi të mos hedhësh në të katër anët e vendit farë të zgjedhur nga përzjerja e përbërë prej fesë, vetëdijes historike dhe traditave për ta bleruar gjithkahjen me të, në vend të çdo të keqeje të asgjësuar kanë për të mbirë ca të tjera të reja si bar helmues për ta zhbërë çdo gjë të mirë të mbetur ende pa u zhbërë...
***
Librat që u duhen dhënë fëmijëve për t'i lexuar, qoftë poezi apo prozë, duhet të jenë të asaj cilësie që t'u japin mendimit forcë, shpirtit qëndrueshmëri, shpresës dhe zellit dritë, në mënyrë që të përgatiten breza me vullnet të fortë e mendime të shëndosha...
***
Megjithëse është parim që vajzat, të cilat nesër do të bëhen nëna e do të marrin përsipër të rrisin dhe edukojnë fëmijë, duhet t'i përgatisim, sipas këtij qëllimi, delikate si lule dhe të dhembshura, duhet të kihet kujdes, njëkohësisht, që të jenë të forta si çeliku në kuptim që të jenë në gjendje t'i dalin për zot mendimit të vërtetë, ndryshe, për hir të delikatesës dhe brishtësisë, nxjerrim në shesh ca krijesa mediokre, mizantrope e të dobëta që s'vlejnë për gjë! Të mos harrojmë: edhe luanesha luan është!..
***
Edukata është një bukuri më vete dhe, te kushdo që të ndodhet, imitohet. Sigurisht, edhe nëse dikush është i paditur, po qe i edukuar, duket. Kombet të mangët në kulturën kombëtare e në edukatën kombëtare u ngjasin individëve injorantë, të trashë e rrugaçë, të cilët as besë kanë në miqësi, as seriozitet në armiqësi! Ata që u besojnë të tillëve, gjithmonë pësojnë zhgënjim, ata që mbështeten në ta, herët a vonë mbeten pa mbështetje!
***
Edukatorët që s'kanë punuar si çirakë pranë një mjeshtri dhe s'kanë marrë edukatë nga një burim i shëndoshë, janë si shërbëtorë që u mbajnë pishën rrugës së të tjerëve. Paturpësia dhe përkëdhelia e dukur në fëmijët është pasojë e turbullisë së burimit ku ai është zhvilluar e zhvillohet. Parregullsia ndiesore, ideore dhe e veprimit në familje reflektohet e përforcuar në shpirtin e fëmijës. Dhe, natyrisht, nga ai në shoqëri...
***
Në shkolla, të paktën po aq sa në mësimet e tjera, duhet qëndruar mbi edukatën dhe kulturën kombëtare në mënyrë që të përgatiten breza me shpirt e karakter të shëndoshë, të cilët do ta kthejnë vendin në parajsë. Arsimimi është tjetër gjë, edukimi, tjetër gjë. Shumica e njerëzve mund të bëhen arsimtarë, por janë të paktë ata që mund të bëhen me plot kuptimin e fjalës edukatorë!
***
Mësimet që u jepet më pak rëndësi, në një kohë që janë më të rëndësishëm, janë kultura kombëtare dhe edukata kombëtare. Po qe se një ditë do të kthehemi për ta vënë në shfrytëzim këtë rrugë, do të kemi marrë vendimin më të qëlluar për përparimin e kombit.
***
Poeti është poet që në lindje. Imrul Kajsi[2] nuk pati bërë shkollë. Ajnshtajni ikte nga shkolla, sepse mendimet i kishte të tjera. Njutoni pati marrë notë të dobët në matematikë, por teoria e tij është matematike. Kurse ne përpiqemi të trazojmë në kazanin e të tjerëve me qepshen tonë...
***
Shkolla e parë e fëmijëve, që e kanë shpirtin të shkëlqyer si pasqyrë e që regjistron shpejt si makinat fotografike, janë shtëpitë e veta, kurse edukatorët e parë, nënat. Përgatitja e nënave si edukatore dhe jo konsumimi i tyre majtas-djathtas është baza më e rëndësishme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e një kombi.
[1] Imrul Kajsi, emri i vërtetë
i Mexhnunit, heroit të poemës "Mexhnuni dhe Lejlaja" të Fuzuliut.
[2] Imrul Kajsi, emri i vërtetë i
Mexhnunit, heroit të poemës "Mexhnuni dhe Lejlaja" të Fuzuliut.
- Publikuar më .