Kazaja dhe Kaderi nga Këndvështrimi i Dëshirës Hyjnore

A. Dëshira hyjnore në ajetet kur'anore

"Shae-jeshau-meshieten" janë tri trajta të të njëjtës fjalë që do të thotë "dëshirë-dëshirim". Kjo është edhe njëra nga fjalët që përdoren më shumë në Kur'an. Për sa i përket dëshirës së Zotit, "meshiet" ka lidhje me temën e kaderit. Për shkak të kësaj lidhjeje, "meshiet" formon një përmasë të veçantë të kaderit.

Dëshira hyjnore është thelbësore në shfaqjen dhe realizimin e materies dhe të ngjarjeve. Këtë na e tregon Kur'ani me anë të shumë ajeteve të tij. Dhe, tani, le t'i shohim disa nga ajetet që i shërbejnë si argument dëshirës hyjnore.

a) "Mos thuaj për asgjë "unë do ta bëj", por shto "në dashtë Allahu"! Dhe, kur të harrosh, menjëherë kujtoje Zotin tënd dhe thuaj kështu: "Kam shpresë se Zoti im më jep mundësi të arrij atë që është më afër së drejtës!"[1]

Kështu, pra, pothuaj në çdo punë që do të duash të bësh, së pari duhet ta mbash për bazë dëshirën hyjnore dhe punën që do ta bësh, ta lidhësh me dëshirën e Zotit. Fundja, pasi të mos ketë dëshiruar Ai, ti do ta kesh të pamundur të bësh diçka. Këtë mendim, njeriu duhet ta shndërrojë në moral për veten dhe kështu duhet ta fillojë çdo punë që dëshiron ta fillojë.

Me rastin e këtij ajeti, i Dërguari i Allahut na tregon një gjë të tillë: "Hz. Sulejmani betohet: "Unë sonte do të hyj në lidhje me njëqind shërbëtoret e mia dhe secila prej tyre do të lindë një mashkull që të luftojë në rrugën e Allahut!" Por harron të thotë "inshaallah", "në dashtë Allahu!". Si përfundim, vetëm njëra nga shërbëtoret bën një dështak. I Dërguari i Allahut vazhdon: "Po qe se do të thoshte

"inshaallah", nuk do t'i prishej betimi dhe secila nga gratë do t'i lindte një mashkull që të luftonte në rrugë të Allahut!"[2]

Njeriu duhet të besojë në mënyrë të prerë se pa dëshiruar Allahu, askush nuk zotëron fuqinë dhe mundësinë për të bërë diçka. Njeriu që e njeh anën hyjnore të ngjarjeve dhe që di ta dëgjojë botën e vet të brendshme, i beson kësaj të vërtete, madje në një mënyrë që të mos i japë asnjë thërrime mundësi së kundërtës; i beson dhe duhet t'i besojë!

Po, kur i shohim gjërat dhe ngjarjet dhe marrëdhëniet tona me to, e shohim dhe e dimë si një fakt të formës së prerë se, po të mos dojë Allahu, ne nuk mund të kemi mundësi as për të ngritur një ashkël nga toka. Madje, shpesh herë ndodh që, pasi t'i kemi bërë tërë përgatitjet për një punë, ta kemi menduar atë nga të gjitha anët, ta kemi planifikuar dhe të kemi plotësuar të gjitha kushtet për ta krijuar, shohim se në një vend të paqartë, një mundësi e vogël, një rrjedhje e ka prishur çdo gjë! Ose ndodh që çdo gjë të jetë gati pa asnjë të metë, por, meqë dëshira hyjnore nuk përputhet me dëshirën tonë ose meqë Allahu (xh.xh.) nuk dëshiron në atë drejtim që dëshirojmë ne, puna e përgatitur prej nesh nuk realizohet dhe kështu planet na përmbysen. Fundja, a nuk e thotë edhe ajeti këtë gjë?

"Po të mos dëshirojë Allahu, ju nuk mund të dëshironi gjë!"[3]

Edhe sikur të doni, edhe sikur të mos doni, zelli dhe përpjekja juaj nuk shpreh ndonjë gjë. Po të mos dëshirojë Ai, çdo zell dhe përpjekje është e kotë. Megjithëkëtë, Ai shpesh, me zakonin e Tij të Lartë, duke i pranuar shkaqet dhe vullnetin tuaj si lutje, mund t'ju bëjë favor. Ja pra, kaq i ndërthurur është ndikimi i dëshirës hyjnore në gjërat dhe ndodhitë!

Dëshira hyjnore e tregon veten në të gjitha frontet e jetës dhe në çdo fazë të jetës së njeriut. Ajeti tjetër që e shpreh këtë, është kështu:

b) "Disa nga profetët i bëmë eprorë ndaj të tjerëve. Ndër ta ka që u ka folur Allahu, që u është lartësuar grada. Të birit të Merjemes, Isait, i dhamë fakte dhe e mbështetëm me Shpirtin e Shenjtë.

Po të donte Allahu, ata nuk do ta vrisnin njëri-tjetrin pas profetëve, pasi t'u kishin ardhur faktet. Por ata u përçanë. Dikush besoi e dikush mohoi. Po të donte Allahu, nuk do ta vrisnin njëri-tjetrin.

Allahu bën atë që dëshiron!.."[4]

Po të mos ishte dëshira e Allahut, ju nuk do të bënit dot asgjë. Për shembull, po të donte Allahu, ju nuk do të bënit dot vrasje mes jush. Por ja që bëni. Atëherë, jeta juaj në luftë pozitive apo negative me aspektin e saj në favor apo në dëm tuaj, varet plotësisht nga dëshira e Allahut. Allahu bën atë që dëshiron.[5] Ai nuk pyet askënd për atë që ka bërë dhe ka për të bërë. Fundja, hadithi, sipas të cilit "bëhet ajo që të dëshirojë Allahu dhe kurrsesi nuk bëhet ajo që s'dëshiron Ai!"[6], është një rregull i formës së prerë dhe përfundimtar.

Ç'të dëshirojë Allahu, ajo fiton qenie dhe bëhet në çast. Ç'të mos dëshirojë, pra, ajo që Allahu të dëshirojë të mos bëhet, nuk bëhet. Këtu ka një specifikë që duhet bërë kujdes. Kjo specifikë është përkatësia e dëshirës së Allahut edhe për mosqenien. Atëherë, nëse Allahu dëshiron në mënyrë të vullnetshme për diçka që të bëhet, ajo bëhet. Po kështu, nëse Allahu dëshiron në mënyrë të vullnetshme për diçka që të mos bëhet, ajo nuk bëhet. Kështu, pra, dëshira hyjnore i drejtohet edhe qenies, edhe mosqenies.

Ndërkaq, mendimi i disave sipas të cilit, "po qe se dëshira hyjnore ka të bëjë me diçka, ajo bëhet; po të mos ketë të bëjë, s'bëhet", nuk është i drejtë. E thënë ndryshe, nuk mund të thuhet se dëshira hyjnore s'ka të bëjë me diçka ose se mund të ketë diçka me të cilën dëshira hyjnore të mos ketë të bëjë. Sepse edhe mosqenia, ashtu si qenia, brumoset në dorën e dëshirës hyjnore!

Po qe se mutezilitët dhe xhebritët do të mund ta kapnin këtë hollësi në shprehjen e Profetit, nuk do të binin në gabimin ku ranë. Sepse që të dyja situatat, Profeti i shpjegon me qenien.

Dëshira hyjnore është gjithçka edhe në specifikën e besimit dhe orientimit[7]. Ata që e trajtojnë çështjen nga ky këndvështrim, kur e përkufizojnë besimin, thonë kështu: "Besimi është një dritë e ndezur në zemrën e njeriut pasi ai ta ketë përdorur vullnetin e vet!" Ti do të përpiqesh për diçka dhe Allahu do ta krijojë atë. Sigurisht, atë dritë ti s'mund ta ndezësh dhe s'mund ta mbash dot të ndezur pafundësisht. Ajo dritë ndizet vetëm po të dëshirojë Allahu dhe ndriçimi i brendshëm mund të formohet vetëm po të dojë Allahu. Ja argumenti i kësaj:

c) "(O i Dërguar!) Po të donte Zoti yt, të gjithë njerëzit që ndodhen mbi tokë, do të besonin. Në është kështu, a mos do t'i shtrëngosh ti njerëzit të besojnë?"[8]

Po qe se Zoti yt, pra, Allahu që të ka edukuar e të ka përsosur ty dhe që zotëron çdo gjë e me gjithçka, po të donte, të gjithë njerëzit do të orientoheshin, do ta gjenin të vërtetën dhe do të futeshin në rrugën e drejtë.

Dhe një ajet tjetër mbi këtë:

d) "Kur ty të vjen rëndë që ata ta kthejnë shpinën, po qe se do të të mjaftonte fuqia për ta shpuar tokën ose për të mbështetur një shkallë në qiell, ti do të donte të tregoje një mrekulli.

Po të donte, Allahu do t'i mblidhte ata në rrugë të drejtë. Ti nuk mund të bëhesh ndër injorantët!"[9]

Kjo tërheqje vëmendjeje e bërë për personin e Profetit (s.a.s.) është tërheqje vëmendjeje për të gjitha refraktimet[10] (devijimet) në rrugën e kaderit. Sigurisht, po të donte Zoti yt, i fuste të gjithë në rrugë të drejtë dhe të gjithë bëheshin muslimanë. Atëherë, këta njerëz me ndërgjegjen krejt të ndriçuar, gjenin qetësi në Islam dhe arrinin vetëdijen e robit ndaj Zotit. Por nuk ndodhi kështu, sepse dëshira hyjnore nuk u prir në këtë drejtim.

e) "(O i Dërguar!) Ta zbritëm Kur'anin me të vërtetën duke i vërtetuar librat e mëparshëm dhe si dëshmitar i tyre. Dhe ti gjyko mes tyre me atë që të ka zbritur Zoti yt. Meqë e vërteta të është zbritur ty, mos shko pas dëshirave të tyre. Për secilin nga ju bëmë një rrugë dhe mënyrë më vete. Po të dëshironte, Allahu ju bënte ju një bashkësi të vetme. Por ajo që ju ka dhënë Allahu, është për t'ju provuar ju. Atëherë, konkurroni në të mirë. Të gjithë ju do të riktheheni te Allahu dhe atëherë Ai do t'jua thotë juve gjërat për të cilat ratë në kundërshtim!"[11]

Sigurisht, po qe se Zoti ynë do të dëshironte, do t'i bënte të gjithë njerëzit një komb të vetëm e një bashkësi të vetme. Por dëshira hyjnore deshi jo këtë, por ndarjen e njerëzve në kombe të veçanta.

Prandaj njerëzit u shfaqën në formë kombesh dhe bashkësish të ndryshme.

Edhe sundimi i shteteve, vazhdimësia e sundimit të tyre si dhe qarkullimi i personave në krye dhe si përfaqësues të këtyre shteteve varen krejtësisht nga dëshira hyjnore. Kurse ajeti që e tregon këtë të vërtetë, është kështu:

f) "Po qe se ju keni marrë plagë (në Uhud), edhe grupi (armiqësor ndaj jush) pati marrë plagë (në Bedr). Kështu, Ne i kthejmë ditët herë në dobi e herë në dëm (tuaj) me qëllim që dalin në shesh besimtarët e vërtetë të Allahut dhe që të bien dëshmorë nga ju. Allahu nuk i do dhunuesit!"[12]

Sado që në këtë ajet nuk përdoret fjala "dëshirë", edhe këtu bëhet fjalë për dëshirën hyjnore, sepse thuhet se Zoti i kthen ditët, i ndryshon. Situatat vazhdimisht në ndryshim të njerëzve janë drejtpërsëdrejti në dorën e Zotit. Në dorën e Tij të fuqisë, ditët përshkohen si kokrrat e tespive. Mirë, po tani, duke i thënë të gjitha këto, a mos mohohet vullneti i njeriut? Jo! Por këtu nuk do ta prekim këtë çështje sepse këtu po bëjmë fjalë vetëm për marrëdhënien e kaderit me dëshirën hyjnore.

g) Një tjetër ajet mbi dëshirën hyjnore:

"O njerëz! Po të dojë, Allahu ju asgjëson ju dhe sjell të tjerë në vend tuaj! Allahu ka mundësi për këtë!"[13]

O njerëz! Po të dojë, Allahu ju dërgon ju dhe sjell në vend tuaj një bashkësi tjetër. Ai ka mundësi ta bëjë këtë. Ashtu siç dërgoi sahabet, shokët e Profetit, dhe solli omejadët, siç dërgoi omejadët dhe solli abasidët, siç dërgoi abasidët dhe solli selçukët, siç dërgoi selçukët dhe solli osmanët... Siç e ka lënë trashëgimin e shenjtë, pas dërgimit të osmanëve, në pritje të atyre që ka për t'ua lënë amanet. Kush dhe sa ka marrë pjesë në këtë proces? Ç'është dhe sa është këtu roli i mendjes dhe i gjenialitetit? Sa e kanë penguar mendja dhe gjenialiteti shembjen dhe asgjësimin? Ekzistenca, sundimi dhe dalja për zot fesë në vartësi të respektimit të kushteve elementare të vëna nga dëshira hyjnore, janë bërë parime të rëndësishme. Edhe ky është një ligj hyjnor i pandryshueshëm.

Kjo mund të shihet dhe tregohet me shumë shembuj në ecurinë e historisë dhe ngjitje-zbritjet e popujve. Por nuk do ta prekim këtë specifikë, se e kapërcen temën për të cilën po bëjmë fjalë.

Sigurisht, mbrojtja e fesë është çështja më e madhe në këtë botë, sepse qëllimi përfundimtar dhe përfundimi i jetës është përcaktuar nga feja. Gjithashtu, parimet më të përsosura brenda kritereve më të drejta dhe më të rregullta të marrëdhënieve ndërnjerëzore janë sjellë dhe vënë nga feja. Për rrjedhojë, mbrojtja e këtyre përbën garantimin jo vetëm të ekzistencës së individëve dhe bashkësive, por edhe të jetesës së tyre në drejtësi dhe në mënyrë të përsosur.

Asimilimi i njerëzve brenda kulturave dhe sistemeve të huaja duke i larguar nga entiteti i tyre i natyrshëm e i vërtetë, nga rrënja e tyre, i privon ata përjetësisht nga burimet e veta të fuqisë dhe i shtyn vazhdimisht në lypësi. Kurse burimi i të gjitha bukurive është feja. Sado që të largohen nga feja, njerëzit e ndjejnë vazhdimisht në botën e tyre të brendshme mungesën e saj. Fiset dhe popujt që i kanë kthyer shpinën fesë, janë shkatërruar në strukturën e tyre moralo-shpirtërore dhe janë përmbysur në strukturën materiale. Për një shtet mohues (heretik) është e mundur që të ketë një ekonomi të fuqishme, por kjo është e pamundur për fiset dhe popujt besimtarë që janë kthyer nga besimi dhe feja. Sepse, ndërsa ekziston detyrimi për të respektuar disa shkaqe të vlerësuara nga dëshira hyjnore, ata nuk i kanë respektuar këto shkaqe që janë kushti i parë i jetës së tyre. Ajeti në vijim e shpjegon më qartë këtë:

gj) "O ju që keni besuar! Kush nga ju kthehet nga feja, ta dijë se Allahu sjell në vend tuaj një fis të tillë që ta duan Allahun dhe që Allahu t'i dojë ata. Ata janë mjaft të thjeshtë e kokulur ndaj muslimanëve, por tejet dinjitozë ndaj mohuesve. Ata luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk ua vënë veshin kundërshtarëve. Kjo është një mirësi e Allahut, i cili ia jep kujt të dojë. Allahu është Vasi (gjithëpërfshirës) dhe Alim (i gjithëditur)!"[14]

Folja "irtedde-jerteddu" që përdoret në ajet, do të thotë kthim pas, kthim nga feja. Për çdo besimtar të cilit i flet Kur'ani, kjo do të thotë kthim nga bindja dhe besimi, lënie e adhurimeve, madje regres në përfytyrim dhe mendim.

Kur njeriu apo bashkësia që ka arritur një nivel të caktuar në jetën fetare dhe që është njësuar me shërbimet fetare, bëhet objekt i këtij ajeti, ndjen se kuptimi i "kthimit në gjendjen e vjetër" i është përplasur syve si një kërcënim. Sepse arritjet e përftuara në shërbim janë për të gjithmonë favore hyjnore. Po qe se personi ose bashkësia në fjalë tani kanë rënë në plogështi dhe nuk e kanë ruajtur dot tendosjen metafizike, Allahu ia merr nga dora shërbimin dhe ia jep për ta kryer një personi apo bashkësie tjetër.

Po qe shteti ai që e mban në këmbë dhe e përfaqëson fenë dhe jetën fetare, atëherë objekt i ajetit bëhet tërë populli apo kombi dhe ky kërcënim ka të bëjë me të gjithë popullin apo kombin. Po qe se populli apo kombi që është marrë për dore, është mbështetur në jetën fetare dhe është vlerësuar duke iu dhënë dinjitet, heq dorë nga parimet që e bëjnë dinjitoz, bie kokëposhtë, në atë vend ku ka qenë dhe në poshtërim. Atëherë, Allahu ia zgjat dorën një populli apo kombi tjetër dhe e bën atë dinjitar...

Në origjinalin e ajetit përdoret fjala "kavm", që do të thotë, në përgjithësi, fis, popull, komb. Aty nuk përcaktohet se cili është dhe në ç'kushte shfaqet ose do të shfaqet ky fis, popull apo komb i zgjedhur. Por ai ka cilësi dhe veti të përcaktuara. Atëherë, çdo fis, popull apo komb duhet të konkurrojë për t'u bërë "kavm"-i i karakterizuar nga cilësitë dhe vetitë e përshkruara nga Zoti. Sepse jo vetëm asnjë fis, popull apo komb nuk mund të pretendojë se është vetë ai "kavm"-i për të cilin flitet në ajet, por edhe asnjë fis, popull apo komb nuk duhet ta humbë shpresën duke e konsideruar veten si "kavm"-i, nga i cili Zoti ka hequr dorë.

Cilësitë dhe vetitë e "kavm"-it dinjitar janë këto:

E para, Allahu i do ata. Allahu krijon mbi tokë për ta opinionin e pëlqimit dhe të pranimit. Allahu i ka thënë Xhebrailit: "Unë i dua ata, edhe ti duaji!" Edhe Xhebraili u ka bërë zë të gjithë engjëjve:

"Allahu e do këtë fis (popull apo komb), duajeni edhe ju!". Edhe engjëjt u kanë frymëzuar të gjithë njerëzve dashurinë për atë fis, popull apo komb. Siç shprehet hadithi profetik, tashmë për ta në botë është vendosur dashuria.[15] Tashmë çdo njeri fillon të shohë në sytë e tyre. Thëniet e tyre ushtrojnë ndikim tek të tjerët dhe të tjerët i çojnë në vend ato menjëherë. Propozimet e tyre pranohen si urdhra. Dhe, kur japin urdhra, ato gjejnë reflektim aty për aty në zemrat dhe ndërgjegjet e njerëzve!

E dyta: "Edhe ata e duan Allahun". Në fakt, masa dhe shenja e dashjes nga Allahu është dashuria për Të. Sa ta duash ti Allahun, aq ka për të të dashur edhe Allahu ty.

E treta: "Ata janë mjaft të thjeshtë e kokulur ndaj muslimanëve". Pra i shohin të gjithë besimtarët mbi veten dhe nuk druhen ta vënë kokën nën këmbët e tyre. Kur ata sillen kështu, të thjeshtë e kokulur, Allahu i lartëson.

E katërta: "Por ata janë tejet dinjitozë ndaj mohuesve, kurrë nuk e përkulin belin dhe kokën para tyre dhe janë vazhdimisht në luftë me ta". Sa ç'janë të thjeshtë ndaj besimtarëve, aq janë dinjitozë ndaj mohuesve!

E pesta: "Ata luftojnë në rrugën e Allahut". Në origjinal, kjo fjali është e ndërtuar me një folje të kohës së tashme të vazhdueshme për të dhënë idenë e vazhdimësisë së pandërprerë të veprimit.

Prandaj, nga kjo fjali nxirret ideja se ata e vazhdojnë luftën duke e rinuar dhe duke i dhënë përmasa të reja pra, ata sillen si tejpamës.

E gjashta: "Ata nuk ua vënë veshin kundërshtarëve". Sepse ata e kanë frikë vetëm Allahun. Ata s'duan t'ia dinë aspak për thëniet e të tjerëve për ta. Ata mendojnë gjithmonë për urdhrin dhe kënaqësinë e Allahut.

Ja, këto janë gjashtë karakteristikat e bashkësisë ideale. Allahu ua jep amanetin e shenjtë atyre që pajisen me këto karakteristika. Ky është një ligj hyjnor që kurrë nuk ka ndryshuar dhe nuk ka për të ndryshuar.

Amaneti i shenjtë i jepet atij që i del për zot atij amaneti. Po t'i dalë për zot arabi, i jepet arabit; po t'i dalë për zot turku, i jepet turkut; po t'i dalë për zot shqiptari, i jepet shqiptarit; e kështu me radhë. Kushti i parë për t'i dalë për zot është pajisja me gjashtë karakteristikat e përshkruara më sipër.

Një tjetër ajet, rreth kësaj çështjeje, që përmban rregullat e përgjithshme dhe parimet universale, është kështu:

h) "Thuaj: "Allahu im që je zotëruesi i pasurisë! Pasurinë ia jep kujt të duash dhe ia merr kujt të duash! Kë të duash e lartëson, kë të duash e poshtëron! E gjithë mirësia, mbarësia dhe dobia janë në dorën tënde! Pa dyshim, ti ke mundësi për gjithçka!"[16]

Po qe se një popull a një komb nuk i ka njerëzit e vet të fuqishëm e të pushtetshëm që ta përfaqësojnë, është i dënuar të shthuret. Gjithashtu, po qe se njerëzit e fuqishëm e të pushtetshëm nuk e kanë lidhur zemrën me Allahun që është sunduesi i tyre, ai popull apo komb nuk mundet të rrijë në këmbë për një kohë të gjatë. Këtu, sikur nga njëra anë është pohuar mjerimi i paaftësisë për të treguar vullnet, kurse nga ana tjetër pamundësia për të mbetur në këmbë vetëm me anë të vullnetit. Vullneti i treguar do të jetë simboli i pushtetit tonë dhe në çdo punë, pushteti ynë do të mbrohet me anë të strehimit te Zoti. Ja pra, gjetja e këtij ekuilibri varet nga konceptimi dhe kuptimi i plotë nga ana jonë i çështjes së kaderit dhe vullnetit si dhe veçanërisht i çështjes së dëshirës hyjnore si përmasa e tretë i kaderit.

Në ajetet që cituam gjer këtu, pamë dhe kuptuam se dëshira hyjnore ka mbështjellë dhe marrë brenda tërë jetën. Po, dëshira e Zotit ka rrethuar çdo gjë. Edhe mosqenia, madje, varet nga veprimi i dëshirës së Zotit në atë drejtim. Zoti është i vetmi pushtetar dhe sundues që bën ç'të dojë.[17] Pa dëshiruar Ai s'mund të bëhet asgjë!

Dëshira hyjnore disa herë shfaqet për mëshirë, disa herë për ndëshkim. Ja, këtë mësim na e jep ajeti në vijim:

i) "Zoti juaj ju njeh më mirë ju. Po deshi, ju mëshiron, po deshi, ju mundon! (O i Dërguar!) Ne s'të dërguam ty si dorëzanës për ta!"[18]

"Zoti juaj ju njeh ju më mirë se kushdo. Sepse njeriun Ai e ka krijuar dhe Ai është më afër njeriut se damari i tij i qafës që i rreh!"[19] "Prirjet tuaja ndjesore dhe mendimet që mundeni t'i fshihni prej të tjerëve janë te Allahu gjërat më të njohura. Meqë jua njeh kërkesat dhe dëshirat, Ai ju trajton jo sipas anës së jashtme, por sipas gjendjes tuaj dhe, po deshi, ju mundon, po deshi, ju rrethon me mëshirë!"[20]

Profetët kanë folur vazhdimisht për dëshirën hyjnore. Kur'ani dëshmon kështu për përmendjen e vazhdueshme dhe dëshminë e profetëve mbi dëshirën hyjnore:

j) "Thuaj: "Unë s'jam në gjendje t'i sjell ndonjë dobi apo dëm vetes jashtë dëshirës së Allahut. Po ta njihja të padukshmen, do të bëja më shumë mirësi dhe mua nuk do të më vinte e keqe. Unë jam vetëm një profet që paralajmëron dhe përgëzon një popull!"[21]

Unë s'mund t'i sjell vetes as dëm, as dobi. Jo t'i bëhem dëmsjellës apo dobisjellës tjetërkujt, por s'kam mundësi t'i bëhem dëmsjellës apo dobisjellës as vetes. Me përjashtim kur këtë e dëshiron Allahu.

Pra, ashtu si në çdo punë, edhe në sjelljen e dëmit ose dobisë vetes sime, thelbësore është dëshira e Allahut...

Aq i nënshtruar qe i Dërguari i Allahut ndaj dëshirës hyjnore, saqë një ditë thotë kështu: "Askush nuk mund të shpëtojë me punën e vet!" Sahabet, shokët e tij, e pyesin: "As ti, o i Dërguari i Allahut?"

I Dërguari i Allahut u përgjigjet: "Po, as unë! Unë mund të shpëtoj vetëm në qoftë se Zoti im më mbështjell me mëshirën e Tij dhe më rrethon nga të gjitha anët me mëshirën e Tij!"[22]

Ja, ky është kriteri i të Dërguarit të Allahut dhe ajo ç'na ka mësuar ne ai! Çdo njeri duhet ta vlerësojë gjerësinë dhe thellësinë e vet moralo-etike sipas këtij kriteri!

Dhe tani, nëse edhe një profet, madje, mban një qëndrim të tillë ndaj dëshirës hyjnore, le të mendohet sesi duhet të jenë njerëzit e tjerë. Eshtë falë këtij botëkuptimi dhe nënshtrimi që njeriu ngjitet në botën e lartë dhe koka i zë në horizontet qiellore. Dhe tani, atyre që përsërisin pa pushim shprehje mendjemadhësie dhe krenarie, si "kam bërë të mira sa bota, gjithsesi, vendin e kam në xhennet", "po s'hynë në xhennet njerëz si ne, kush do të hyjë", u këshillojmë të kujtojnë hadithin e mësipërm dhe të marrin për model qëndrimin e Hz. Muhammedit megjithëse ishte profet. Kjo do të thotë se nënshtrimi i treguar ndaj dëshirës hyjnore e shpëton njeriun edhe nga mendjemadhësia dhe krenaria. Në këto kushte, themi se besimtari është i detyruar që të gjitha punët e veta t'i pranojë si të tilla ku rëndon dëshira hyjnore dhe në orbitë përreth dëshirës hyjnore!

Dëshira e vullnetshme hyjnore e ka rrethuar dhe përfshirë çdo gjë me përmbajtjen dhe anën e vet të jashtme. Eshtë e pamundur të mendohet diçka jashtë dëshirës së Tij!

Sigurisht, edhe kuptimi në një nivel të caktuar i dëshirës hyjnore është punë e një niveli të caktuar. Ata që nuk e rrokin dot këtë nivel, e kanë aq të vështirë sa mund të thuhet e pamundur që ta kuptojnë dhe njohin çështjen e dëshirës hyjnore. Fundja, a s'është njëra prej specifikave për të cilat të gjithë profetët kanë rënë në kundërshtim dhe përplasje me popujt mes të cilëve kanë jetuar, paaftësia e atyre popujve për ta kuptuar këtë çështje?

Qindra ajete të Kur'anit e shpjegojnë dëshirën hyjnore në aspektet e saj të ndryshme duke dhënë shembuj nga profetët dhe fiset apo popujt e tyre. Sipas Kur'anit, kjo çështje ka shumë përmasa besimore, përfytyrimore dhe praktike. Profeti Nuh është, në këtë çështje, një shembull i veçantë. Duke na treguar ne për grupin që pati ngritur krye kundër profetit Nuh, për ata që i nënvleftësonin kërcënimet e tij, Kur'ani shprehet kështu:

k) "Dhe thanë: "O Nuh, ti na u kundërvure neve dhe shkove shumë larg në këtë kundërvënie. Po qe se je i drejtë, eja, sille atë me të cilën na kërcënon!"[23]

Dhe Nuhu u dha atyre këtë përgjigje:

"Vetëm në dashtë Allahu, ua sjell mbi krye atë ndëshkim, ju s'mund ta pengoni Atë! Po deshi Allahu t'ju tërbojë, edhe sikur të dua unë t'ju këshilloj, s'bën dobi. Ai është Zoti juaj dhe ju do të ktheheni përsëri tek Ai!"[24]

Ja, me këto shprehje e nënvizonte profeti Nuh të vërtetën se dëshira e Zotit qëndron mbi çdo gjë dhe fisit të tij donte t'i thoshte kështu: Nuk jam unë që do t'jua lëshoj mbi krye atë ndëshkim. Fundja, po qe se unë do ta godisja kë të desha, gjë që s'kam mundësi ta bëj, askujt s'do t'i mbetej mundësia për kundërshtim dhe e fshehta e provës do të asgjësohej. Mirëpo ju, duke përdorur vullnetin e pjesshëm që ju ka dhënë Allahu, ose do të dorëzoni armët, ose do të ktheni shpinën. Sidomos nëse Ai ju shmang nga rruga e drejtë duke ju vënë në provë, edhe sikur fjalët e mia të jenë margaritarë - që, në të vërtetë, fjalët e të gjithë profetëve janë margaritarë - s'do t'ju bëjë dobi. Sepse dëshira e Tij qëndron mbi të gjitha vlerësimet dhe propozimet. Ai është Zoti juaj. Atë që dëshiron, e vërtit nga dhe si të dëshirojë.

Edhe sikur të mos doni, më në fund te Ai do të ktheheni. Sa për mua, unë s'kam në dorë gjë tjetër veç kumtimit të rrugës së drejtë dhe orientimit tuaj në atë rrugë. Para dëshirës së Zotit, edhe unë jam si ju...

Ky dhe ajete të tjerë si ky, e përvijojnë në mënyrë të shumëngjyrshme horizontin e profetëve në lidhje me dëshirën hyjnore.

Edhe profeti Ibrahim, duke i dhënë fisit të vet mësime të tevhidit, besimin në një Zot, u tregonte se ç'është dëshira hyjnore.

l) "Fisi i tij hyri në debate me të. Kurse ai u tha atyre: "Ju po debatoni me mua për Allahun ndërsa Ai më ka vënë në rrugë të drejtë? Unë nuk kam frikë se ju i bëni shok Atij, mjafton që Zoti im të mos dëshirojë gjë të keqe për mua. Allahu e ka rrethuar çdo gjë me dijen e Tij. Akoma nuk po pranoni këshillë?"[25]

Unë nuk kam frikë nga politeizmi juaj, por vetëm nga dëshira e Zotit tim. Unë kam frikë se mos Ai dëshiron ndonjë të keqe për mua, ndryshe, edhe sikur e gjithë bota të më shembet mbi krye, nuk më bën dot gjë, sepse e di se po të mos dojë Zoti im, askush nuk mund të më bëjë dëm as sa grimca!

m) Pasi i përgjigjej propozimit të të atit duke i thënë që "të zbatonte menjëherë atë për të cilën ishte urdhëruar"[26], Hz. Ismaili tërhiqte vëmendjen mbi dëshirën hyjnore dhe thoshte kështu: "Dashtë Zoti të më gjesh ndër ata që durojnë!"[27] Pra, edhe Hz. Ismaili e lidhte mundësinë për të duruar me dëshirën hyjnore. Ai donte të thoshte se ne mund të durojmë vetëm nëse dëshiron Ai dhe në atë masë që të dëshirojë Ai.

n) Duke dalë në udhëtim me Hz. Hizrin, thënies së këtij, "ti nuk mund të durosh të udhëtosh me mua"[28], Hz. Musai i përgjigjej duke përmendur menjëherë dëshirën hyjnore:

"Në dashtë Zoti, do të duroj dhe nuk do të të kundërshtoj për asgjë!"[29]

Siç shihet, shprehjet e profetëve u ngjajnë shumë njëra-tjetrës. Pothuaj që të gjithë kanë të njëjtat mendime dhe ndjenja, thonë të njëjtat fjalë dhe me të njëjtin ritëm, sepse qëndrimi dhe nënshtrimi i tyre ndaj dëshirës hyjnore është i njëjtë.

o) Duke i ftuar për në qytet të ëmën e të atin të gjetur pas shumë vitesh, edhe Hz. Jusufi u pati thënë, duke mbajtur parasysh dëshirën hynore, kështu:

"Me dëshirën e Allahut, vendosuni në Egjipt!"[30]

Këdo që të shihni nga profetët, në vargun e mendimit dhe bindjes së tyre do të dalloni dëshirën hyjnore të punohet si një gjergjef. Natyrisht që këtë profetëve ua ka mësuar Allahu!

Dëshira hyjnore është çdo gjë si dhe bazë për vullnetin e njeriut. Mospranimi i saj nuk është i ndryshëm nga politeizmi dhe do të thotë t'ia kushtosh një pjesë të punëve tjetërkujt!

B) Dëshira hyjnore në hadithet profetike

a) Për një ngjarje e përcjellë nga Ahmed b. Hanbeli prej Tufejlit, vëlla për nënë i Hz. Aishesë. Tufejli tregon:

"Pashë në ëndërr një grup të madh njerëzish dhe u shkova pranë. Dhe i pyeta: "Kush jeni ju?" Ata m'u përgjıgjën: "Ne jemi një grup hebrenjsh!" Unë u thashë: "Ju jeni njerëz të mirë, vetëm sikur të mos thonit se Udhejri është biri i Zotit!" Atëherë, edhe ata m'u përgjigjën: "Edhe ju jeni njerëz të mirë, vetëm të mos thonit në dashtë Allahu dhe Muhammedi!"

Më pas pashë një grup tjetër njerëzish dhe u shkova pranë. Dhe i pyeta se kush ishin. Ata më thanë se ishin nga Nazareti. Edhe atyre u thashë kështu: "Ju jeni njerëz të mirë, vetëm të mos thonit se Mesihu është biri i Zotit!" Pastaj edhe ata, si grupi i parë, m'u përgjigjën: "Edhe ju jeni njerëz të mirë, vetëm të mos thonit në dashtë Allahu dhe Muhammedi!"

Kur u zgjova, shkova te Hz. Aisheja dhe ia tregova ëndrrën. Pastaj ajo ia kishte treguar atë të Dërguarit të Allahut, i cili më thirri dhe më pyeti: "A ia tregove kujt ëndrrën?" "Po, - i thashë unë, - ia tregova!" Atëherë, i Dërguari i Allahut urdhëroi që të gjithë të mblidheshin në faltore dhe pastaj foli kështu para tyre: "O njerëz! Deri tani s'ju kam folur për një çështje, se më ka ardhur turp ta zë në gojë! Fjala juaj s'më ngarkon me përgjegjësi mua, por ju! Këtej e tutje kurrë të mos thoni "në dashtë Allahu dhe Muhammedi", por të thoni "në dashtë Allahu"! Allahu është një i vetëm dhe s'ka

shok!"[31]

Nga kjo ngjarje dhe nga ky hadith kuptojmë se dëshira hyjnore është esenciale dhe askush nuk mund të bëhet ortak i saj. Madje, të pranosh partneritet të dëshirës hyjnore është mohim dhe herezi.

b) Një shembull tjetër në lidhje me këtë çështje. Te i Dërguari i Allahut shkon një njeri dhe i thotë: "Po deshët Allahu dhe ti!" I Dërguari i Allahut e kundërshtoi dhe i tha: "Thuaj: "Në dashtë Allahu! Ai nuk ka shok!"[32]

Ja pra, i Dërguari i Allahut ka një koncept të tillë monoteizmi mbi kuadrin e veprimit të Zotit, saqë edhe sikur bashkëbiseduesi të mos ketë ndonjë prapamendim në mënyrën e shprehjes së vet, ai ia tërheq vëmendjen dhe i tregon sesi duhet të shprehet!

c) Pa asnjë dyshim, një nga lutjet e kënduara më shumë nga i Dërguari i Allahut është kjo: "Allahu im që i vërtit zemrat si të duash! Bëma zemrën time të vendosur në besim!"[33]

Ummu Seleme e pyet të Dërguarin e Allahut se pse e këndonte kaq shpesh këtë lutje. Dhe merr pikërisht këtë përgjigje: "Zemra ndodhet mes dy gishtave të Allahut. Ai e vërtit atë nga të dojë!"[34]

Kurse në rrëfimin e Nevvas b. Sema-së përcillet të jetë thënë kështu:

"Zemrat e robve ndodhen mes dy gishtave të Allahut. Atë që dëshiron ta mbajë drejt, e mban drejt; atë që dëshiron të bëjë të rrëshqasë, e rrëshqet!"[35]

Edhe vetë Zoti na e mëson këtë lutje dhe dëshiron të themi kështu:

"Zoti ynë, pasi të na kesh vënë në rrugë të drejtë, mos na i shtrembëro zemrat dhe falna mëshirë nga lartësia jote! Pa dyshim, Ti je dhurues i pafund!"[36]

Në fakt, të gjitha lutjet qartësojnë dëshirën e Zotit. Pra, qysh në fillim, në lutjet tona ne e pranojmë se Zoti ka mundësi të na i japë ato që kërkojmë dhe se na e plotëson kërkesën në qoftë se dëshiron.

Çdo lutje e bërë në këtë mënyrë ka kuptimin e pohimit të dëshirës së Zotit. Kështu, dëshira e Zotit është një përmasë e kaderit. Edhe ne po qëndrojmë me këmbëngulje mbi këtë çështje, sepse është e lidhur ngushtë me tevhidin ose besimin monoteist islam.

C) Çështja e paracaktimit dhe ligjshmërisë

Në lidhje me të njëjtën temë, dëshirojmë të prekim edhe një të veçantë tjetër. Me një rregullim të tillë, kemi për qëllim edhe që një temë të tillë të lodhshme, duke e thjeshtëzuar me sa të jetë e mundur, ta trajtojmë edhe një herë tjetër.

Për specifikën që duam të flasim, ajeti i mëposhtëm mund të shërbejë si hyrje:

“Kini vëmendjen! Edhe krijimi, edhe urdhërimi i përkasin Atij. Sa i lartë është Allahu, Zoti i botërave!”[37]

Krijimi dhe urdhërimi i përkasin Allahut. Po, Ai është që edhe urdhëron, edhe krijon! Urdhri i Zotit është dy llojesh:

I pari, urdhri krijues, urdhri detyrues ose urdhri vlerësues.[38]

I dyti, urdhri fetar ose kanonik.[39]

Në gjithësi sundon urdhri detyrues. Zoti krijon në mënyrë detyruese. Askush nuk mund të thotë gjë para këtij detyrimi. Çdokush është i detyruar, dashje ose pa dashje, t'i bindet këtij detyrimi.

Zoti është Pronari i Mallit[40]. Në mallin e vet vepron si të dojë, atë e përdor si të dojë. Ky administrim na i lidh duart, gjuhën dhe vullnetin tonë.

Kurse në urdhrin fetar ose kanonik, përsëri ndodhemi ballëpërballë me urdhrat e Zotit, por për t'i bërë ose për të mos i bërë ato, vullnetit tonë që nuk ka asnjë lloj ekzistencë individuale, i është dhënë një aftësi krahasuese. Kur t'i kemi kuptuar plotësisht këto dy urdhra, i kemi kuptuar edhe kuptimin dhe përmbajtjen e urdhrave që në Kur'an, sipas vështrimit formal, duken si antagonistë të njëri-tjetrit.

Në ligjet e krijimit[41], si të drejtohet dëshira e Zotit, materia, dukuritë dhe ngjarjet në atë formë dhe në atë drejtim dalin në shesh të ekzistencës. Kurse në urdhrat kanonike, Zoti ka urdhëruar gjërat që dëshiron të bëhen nga ana jonë dhe gjërat, bërjen e të cilave e pëlqen. Në të dy urdhrat bëhet fjalë edhe për dëshirën, edhe për pëlqimin, edhe për kënaqësinë e Zotit.

Adhurimet dhe veprimet e engjëjve bëhen me urdhrin dhe dëshirimin e Zotit. Kështu janë dhe bëmat e profetëve. Të tilla janë edhe veprimet e quajtura salihat, mirësi, mbarësi, të njerëzve të mirë e të mbarë (salih). Nga të gjithë këta Zoti është i kënaqur.

Por ka edhe punë të tilla që, megjithëse në themel të tyre është dëshira e Zotit, Ai nuk i pëlqen ato. Të tilla janë mohimi, kundërshtimi dhe mëkati. Ajetet si më poshtë vënë gishtin mbi këtë çështje:

“Allahu nuk e pëlqen që robtë e tij të hyjnë në mohim dhe herezi...”[42]

“Allahu nuk i do ata që shkaktojnë grindje...”[43]

“Allahu nuk i do ata që shpërdorojnë...”[44]

“Allahu nuk i do ata që e kalojnë masën...”[45]

“Allahu nuk i do koprracët dhe mendjemëdhenjtë...”[46]

Allahu (xh.xh.) e krijon intrigën dhe grindjen. Ky krijim bëhet me anë të prirjes së dëshirës së Tij në atë drejtim. Por Ai nuk e pëlqen intrigën dhe grindjen. Po kështu qëndron puna edhe me llojet e tjera të mëkateve. Pandeh se kur çështja shihet nga ky këndvështrim, disa ajete i kuptojmë më mirë. Për shembull, le ta shohim këtë ajet edhe nga ky këndvështrim.

Zoti urdhëron:

“Kur Ne duam ta shkatërrojmë një vendbanim, e urdhërojmë klasën e përkëdhelur të tyre dhe ata kryejnë të këqija e dalin nga rruga. Kështu, fjala për atë vend bëhet e drejtë dhe Ne e shpartallojmë!”[47]

Kur Ne duam ta shkatërrojmë një vendbanim ose një qytetërim, ua lëshojmë mbi krye të poshtrit, madje më të padrejtët dhe dhunuesit nga mesi i tyre. Ata ia heqin popullit kafshatën prej goje duke e bërë të heqë vuajtjet më të hidhura. Megjithëkëtë, të mësuar me çdo lloj poshtërimi, njerëzit vazhdojnë të kërkojnë t'i shohin ata në krye. Me anë të zgjedhjeve gjoja të lira e të vullnetshme, të poshtrit vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Mirëpo, a me të vërtetë kështu është?

Njerëzit më të ulët, llumi i shoqërisë të hipur në pushtet, dëfrehen, kurse mjerimi është bërë kaderi ose fati i pandryshueshëm i popullit për shkak se i ka vënë ata mbi krye, sepse qeverisja ka rënë në dorë të tyre. Të poshtrit e kanë nxjerrë popullin prej udhe. Kur gjendja vjen në këtë pikë, do të thotë se atij populli ose qytetërimi i ka ardhur fundi.

Shihet se urdhri i dhënë këtu është urdhër krijimi, jo urdhër kanonikal. Sepse Zoti kurrë nuk i urdhëron njerëzit e thjeshtë me anë të urdhrave kanonike që të kryejnë mëkate. Ajeti që thotë se “Allahu nuk e urdhëron kurvërimin”[48] është argumenti më i hapur i kësaj. Përputhja e dy ajeteve me njëri-tjetrin fshihet në cilësinë e njërit si urdhër fetaro-ligjor ose kanonikal dhe tjetrit, si urdhër krijimi.

Ashtu siç ajeti “Për sa kohë që një popull nuk e ndryshon veten, edhe Allahu nuk ia ndryshon gjendjen atij”[49] shpreh një ligj krijimi, ashtu dhe ajeti i mësipërm shpreh një ligj krijimi.

Në qoftë se në strukturën e brendshme ndodh një prishje dhe yjet e qiellit të shpirtit derdhen poshtë, edhe fati i jetës shoqërore dhe botës qytetare kthehet nga e prapa dhe të gjitha bukuritë syverbuese të ardhura gjer aty, kthehen prapë e shuhen.

Prandaj që të dy urdhrat duhen kuptuar mirë. Shkolla xhebrite, meqë i ka ngatërruar me njëri-tjetrin urdhrin e krijimit me urdhrin kanonik, e ka mohuar vullnetin e njeriut dhe ka rënë në një udhë të shtrembër. Edhe mutezilitët kanë rënë në një vetëmashtrim tjetër ngaqë, duke e marrë për esenciale vullnetin e njeriut, kanë thënë se njeriu e krijon vetë aktin e vet. Kurse ne, duke marrë anët e drejta të secilës palë, përvijojmë një drejtim të drejtë dhe themi: Edhe në urdhrin e krijimit, edhe në urdhrin kanonik, esenciale është dëshira hyjnore. Ndërkaq, në urdhrin kanonik i është dhënë pjesë edhe vullnetit të njeriut si një kusht elementar. Asgjë nuk mund të ndodhë pa prirjen në atë drejtim të dëshirës hyjnore, por gjërat që kanë trup të jashtëm, nuk janë kështu. Dëshira hyjnore vepron edhe te gjërat e këqija e të shëmtuara, por Zoti nuk i pëlqen ato. Prandaj njeriu vuan ndëshkimin e së keqes që bën.

Edhe orientimi, edhe çorientimi janë të varura nga dëshira e Allahut. Kur'ani e sqaron këtë të veçantë me shumë ajete.

“Atij që dëshiron ta vërë në rrugë të drejtë, Allahu ia hap zemrën ndaj Islamit, kurse atij që dëshiron ta shmangë nga rruga e drejtë, ia ngushton zemrën sikur të ishte duke u ngjitur në qiell. Kështu i fundos Allahu mohuesit dhe heretikët në llumin e mohimit!”[50]

Besimi hyn në zemrën e njeriut me një frymë të ngrohtë e të ëmbël. Kështu, njeriu e shijon qetësinë dhe lumturinë, gjë që i jep atij një kënaqësi me të cilën s'ka të ngopur. Atij i zgjerohet gjoksi. Falë besimit, njeriu kap pikën e përsosmërisë njerëzore dhe shndërrohet krejtësisht në një përmendore mirësie dhe bujarie. Ndërkaq, ai që e kap për dore njeriun dhe e sjell në këtë gjendje, nuk është aspak vetja e tij. Eshtë Allahu që ka fuqi dhe mundësi për çdo gjë, që e ka kapur për dore njeriun dhe, shkallë-shkallë, e ka ngjitur në pikën kulmore të orientimit. Sepse ka sa e sa njerëz me nivel shumë më të lartë mendor e zgjuarsie që nuk orientohen dot dhe, me dëshirat e tyre vulgare, jetojnë jetën e qenieve katërkëmbëshe. Kjo do të thotë se, për sa i përket çastit shkakësor, çështja e orientimit dhe poshtërimi i çorientimit nuk kanë të bëjnë shumë me aftësitë dhe mundësitë e njeriut si dhe me fuqinë e vullnetit të tij. Këto janë drejtpërdrejt vepër e ngarkuar me urtësi e dëshirës së vullnetshme hyjnore!

Tani është bërë e qartë prerazi se ne nuk kemi mundësi të ndërhyjmë në gjërat dhe ngjarjet. Nisur nga kjo, mund të themi se, në procesin e krijimit, ne përbëjmë vetëm një shkak ose shkak. Sigurisht, për ne është e pamundur të nxjerrim në shesh diçka pa e dëshiruar Zoti atë diçka. Zoti është e vetmja fuqi që gjërat e dukura të mundshme, disa herë i bën të pamundshme, kurse gjërat e dukura të pamundshme, i fut në fushën e mundësisë. Fuqia dhe forca e Tij rrjedhin nga individualiteti i Tij. Prandaj dhe ne e shohim fuqinë e Tij si vetë Ai. Eshtë Zoti që na e jep neve forcën për të vepruar, gjithashtu është Zoti që na e jep neve prirjen për ta përdorur vullnetin tonë në një drejtim të caktuar. Ai na ka dhënë vullnet, vetëm se dëshirimi është vetëm e drejtë e Tij. Gjendja është po kjo edhe në specifikën e orientimit dhe çorientimit. Orientues dhe çorientues është vetëm Allahu!

Allahu dikur i pati futur Omerit në zemër ndjenjën për ta vrarë Hz. Muhammedin, pastaj e pati lëshuar në rrugë për këtë qëllim dhe ajo rrugë e dukur nga jashtë që çonte në çorientim dhe prishje, e pati çuar Omerin në orientim dhe besim!

Gjithashtu është Allahu që një poeti të fuqishëm si Asha, i cili pati shkuar gjer në Mekë për ta kërkuar rrugën e drejtë, ia pati bërë pijen perde duke e lënë në çorientim! Atëherë, njeriut që vëren qindra dhe mijëra ngjarje të tilla, a i mbetet gjë tjetër për të bërë përveç se të pohojë se orientimi dhe çorientimi janë në dorë të Allahut? Pa dyshim, orientimi dhe çorientimi janë në dorë të Allahut!

Krahas pranimit të të gjitha këtyre, Ai ka vënë në përbërjen tonë një vullnet me përbërje të panjohur, por me një kuptim dhe qëllim të qartë, sepse në veprimtarinë e tij nuk ka gjë të kotë. Mbi këtë vullnet me përbërje të panjohur Ai ka ngritur dhe ngre të gjitha bëmat tona të së kaluarës dhe të së ardhmes. Veçanërisht, planin e kësaj ngritjeje ose ngrehine bëmash e ka bërë para se të krijonte njeriun dhe e ka shënuar në Levhi Mahfudh, në Tabelën e Kujtesës. Atëherë ajo që na takon neve është të kërkojmë prej Tij orientim. Sepse siç thuhet edhe në ajetin që e përmendëm pak më sipër, atij që dëshiron ta orientojë, ta vërë në rrugë të drejtë, Allahu ia zgjeron zemrën, ia ngroh ndaj Islamit dhe atëherë ai person e sheh siç është fytyrën e ëmbël të së vërtetës. Dhe njeriu ndjen kërkesë ndaj të vërtetës. Kurse atij që dëshiron ta çorientojë, ia ngushton dhe ndrydh zemrën dhe atëherë ai njeri nuk është më në gjendje t'i thotë “po” asnjë propozimi islam. Ai largohet nga këshilla si kafshët nga frika e luanit[51] dhe çdo hap që bën, e largon edhe më shumë nga Islami!

Ndërkaq, të gjitha këto (orientimi dhe çorientimi) ndodhin mbështetur mbi një kusht elementar që është vullneti i njeriut, ndjenja e marrjes së vendimit për të bërë ose për të mos bërë diçka. Këtë e tregon fakti që njeriu është i ndërgjegjshëm se është i lirë në vendimet dhe veprimet e tij, prandaj dhe njeriu e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se është përgjegjës për vendimet dhe veprimet e veta. Vullneti i njeriut bën detyrën e gurit të themelit për aktet dhe veprimet e tij. Çdo gjë që krijon në lidhje me njeriun, Zoti e krijon mbështetur mbi këtë gur themeli.

Për shembull, le ta themi se ju dëshironi ta ndryshoni këtë regjim të shtrembër të kësaj bote. Dhe filloni ta përdorni vullnetin tuaj në atë drejtim. E shpenzoni tërë kapitalin dhe çdo gjë që keni për atë qëllim. I përdorët të gjitha rrugët dhe shpenzuat çdo gjë për t'ia arritur qëllimit gjersa ju mbaruan të gjitha mundësitë dhe ju lanë të gjitha fuqitë. Me një fjalë, ju e vutë në veprim tërë vullnetin tuaj. Pikërisht atëherë ju vjen në ndihmë vullneti dhe dëshira e Zotit dhe ju dhuron mundësitë që dëshironi. Po, Ai do t'i favorizojë vullnetit tuaj me përbërje të panjohur shumë e shumë arritje të mëdha! Ky është një ligj hyjnor dhe kurrë s'ka për të ndryshuar.

Kështu do ta kuptoni ju fuqinë tuaj për të vepruar dhe gjërat që do të prisni nga Allahu, me këtë mendësi do t'i prisni. Ndërkaq, po qe se Ai tregohet ndaj jush bujar pa e merituar ju aspak, kjo është vetëm mirësi dhe favor i Tij ndaj jush. Dhe askush nuk ka të drejtë t'i kërkojë llogari Atij! Mirëpo, ç'e do se punët nuk kryhen mbështetur mbi favore! Sigurisht, ju në fillim do të bëni gjithçka që ju takon juve dhe vullnetit tuaj, pastaj do të ngrini duart për lutje dhe gjithçka që, do t'ia kërkoni Zotit. Po qe se kthehemi në pikën ku e filluam këtë diskutim për dëshirën tuaj për ta ndryshuar regjimin e shtrembër të kësaj bote, themi se vetëm pasi të keni bërë gjithçka që ju takon juve, Allahu do ta ndryshojë fatin tuaj të mbrapshtë dhe regjimin e shtrembër të kësaj bote do ta vendosë mbi shina!

Pse, a nuk ndodh kështu? Personi jep jetën, kurse Zoti i jep pozitën e dëshmorit. Pastaj këtë e ndjekin dhunti të njëpasnjëshme: xhenneti, shikimi i bukurisë së Zotit, etj. Njeriu merr përgjegjësen e bëmave të veta!

Në është kështu, ju lutem, para se të përdorni mjetet që keni ju në dorë, mos prisni mrekullira, mos prisni as Heraklitin, as Mesihun, as Mehdiun. Zoti që nuk e ka ndryshuar zakonin e tij të lartë për profetët, s'ka për ta ndryshuar për ju. Kjo është rruga dhe mënyra që vepron qysh në krye të herës!

Profeti ka mbetur i uritur, ka mbetur i etur, i është thyer dhëmbi në luftë, i është plagosur faqja, i janë mbuluar këmbët në gjak dhe ka hequr të gjitha llojet e vuajtjeve. Edhe të tjerët rreth tij po ashtu. Aq janë tronditur e aq janë lëkundur, sa të gjithë së bashku kanë rënkuar: “Ku është ndihma e Allahut?” Dhe pikërisht atëherë ka ardhur ndihma hyjnore dhe u është thënë: “Ndihma e Allahut është shumë afër!” Ajeti në vijim këtë të vërtetë na e tregon:

“A mos pandehët se do të hyni në xhennet pa ju rënë mbi kokë ato që u patën rënë paraardhësve tuaj? I Dërguari dhe bashkë me të besimtarët kanë rënë në ngushticë dhe janë lëkundur aq sa të pyesin se ku është ndihma e Allahut. Dijeni mirë se ndihma e Allahut është shumë afër!”[52]

Në një periudhë kur nuk gjendej një kafshatë bukë, kur kihej mall për një të gëlltitur ujë, kur nuk ndodhej një rrogoz për t'u shtrirë, pra në pikën kur ishte konsumuar gjithçka, një zë i ardhur nga e panjohura do të thotë: “ndihma e Allahut është shumë afër”, kurse ju do të vazhdoni ta përdorni vullnetin tuaj gjer në ardhjen e saj. Qiriri do ta bëjë atë që i takon dhe do të digjet gjer në fund dhe pikërisht kur do të shtrihet përtokë, do të arrijë ndihma hyjnore që do të bëhet shpëtim për ju! Pasi ta keni përdorur ju vullnetin tuaj gjer në fund, do të hyjë në veprim Vullneti i Përgjithshëm që do ta bëjë atë që i takon. Pra, vështirësia do t'ju kthehet në lehtësi, vuajtja dhe mjerimi në nder dhe dinjitet!

Tani, a jeni të sigurtë vallë, se e keni përdorur vullnetin tuaj gjer në fund? Po qe se mundeni të thoni “po”, edhe unë mundem t'ju jap këtë lajm të gëzuar: “Të jeni të sigurtë se Allahu që i vërtit në dorë qiejt dhe tokën si kokrra tespijesh, do të vrapojë në ndihmë tuaj!” Ajo fuqi e pafundme, me vullnetin e vet të pafund, do t'i përmbysë të gjitha lojërat dhe kurthet e atyre që përbëjnë front kundër jush dhe do t'ju mbrojë. Meqë ju jeni të sigurt se i keni kryer detyrat që ju takojnë juve, atëherë mund të jeni të sigurt dhe për lajmet e gëzuara që po ju jap unë, sepse zakoni hyjnor thotë se kështu ka për të ndodhur!

Këtë të veçantë të kaderit që e analizuam nga pikëpamja e dëshirës hyjnore, mund ta mbyllim shkurt kështu:

Me diturinë e Tij që përfshin gjithçka, Zoti e di çdo gjë që kemi për të bërë ne në të ardhmen me vullnetin tonë dhe atë çka di, e vlerëson dhe e cakton, pastaj, në formë të një plani dhe e shënon në Levhi Mahfudh. Pastaj engjëjt, me një libër në dorë, mbajnë shënim për ne dhe të dy shënimet ose librat me shënimet mbi ne përputhen me njëri-tjetrin. Natyrisht, në të gjithë këtë veprimtari, thelbësore mbetet dëshira hyjnore. Si sunnitë, ne mendojmë dhe besojmë se po deshi Allahu për diçka që të bëhet, ajo bëhet, kurse po deshi që të mos bëhet, ajo gjë s'bëhet!


[1] Kehf, 18/23-24.
[2] Buhari, Nikah, 119; Xhihad, 23; Musned, II, 229, 275, 506.
[3] Insan, 76/30.
[4] Bakara, 2/253.
[5] Edhe këtu është përdorur fjala murad që do të thotë dëshirë volitive.
[6] Ebu Davud, Edeb, 106.
[7] Në origjinal: iman (besim) dhe hidajet (orientim).
[8] Junus, 10/99.
[9] En'am, 6/35.
[10] Në origjinal është përdorur fjala inhiraf që do të thotë thyerje, refraktim.
[11] Maide, 5/48.
[12] Al-i Imran, 3/140.
[13] Nisa, 4/133.
[14] Maide, 5/54.
[15] Buhari, Bed'u-l'Hak, 6; Muslim, Birr, 157.
[16] Al-i Imran, 3/26.
[17] Hud, 11/107; Buruxh, 85/16.
[18] Isra, 17/54.
[19] Kaf, 50/16.
[20] Bakara, 2/284.
[21] Araf, 7/188.
[22] Muslim, Sifatu'l-Munafikin, 76.
[23] Hud, 11/32.
[24] Hud, 11/33-34.
[25] En'am, 6/80.
[26] Saffat, 37/102.
[27] Po aty.
[28] Kehf, 18/67.
[29] Kehf, 18/69.
[30] Jusuf, 12/99.
[31] Musned, V/72.
[32] Musned, I/214.
[33] Tirmidhi, Kader, 7.
[34] Muslim, Kader, 17.
[35] Ibni Maxhe, Mukaddime, 13.
[36] Al-i Imran, 3/8.
[37] Araf, 7/54.
[38] Në origjinal, me radhë: emr-i kevni, emr-i cebri, emr-i takdiri.
[39] Në origjinal: me radhë: emr-i dini, emr-i sher'i.
[40] Në origjinal: Maliku'l-Mulk.
[41] Në origjinal: ajat-i tekvinije.
[42] Zumer, 39/7.
[43] Kasas, 28/77.
[44] En'am, 6/141.
[45] Araf, 7/55.
[46] Nisa, 4/36.
[47] Isra, 17/16.
[48] Araf, 7/28.
[49] Rad, 13/11.
[50] En'am, 6/125.
[51] Mudeththir, 74/48-51.
[52] Bakara, 2/214.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.