Orientimi që Vepron Brenda Ligjshmërisë së Krijimit
Çdo qenie, duke shkuar drejt synimit dhe qëllimit përfundimtar të vlerësuar për të sipas ligjeve të krijimit, ndjek një drejtim të përcaktuar[1].
Ndërkaq, është më e përshtatshme që kësaj t'i thuhet shtytje hyjnore[2].
Krijimi i parë i njeriut, zhvillimi embrional i fetusit në barkun e nënës duke kaluar nëpër faza të caktuara të këtij zhvillimi embriologjik, përparon pikërisht me anë të një shtytjeje të tillë.
Një shtytje[3] e tillë që vepron edhe për të gjitha qeniet e gjalla në drejtim të interesit ose të zhvillimit të tyre përparues, është sot një temë e njohur nga të gjithë. Le të vazhdojë mendësia natyraliste dhe materialiste t'i thotë kësaj shtytjeje "instinkt"[4] ose "shtytje e natyrshme"[5]; bota e ndërgjegjes është e një mendimi se kjo është një "shtytje hyjnore"[6]. Fundja, mes argumenteve të tevhidit, besimit monoteist islam, edhe "argumenti i orientimit"[7], si një temë më vete, i lidh shtytjet dhe orientimet që kanë një ecuri të tillë, drejtpërdrejt me ekzistencën dhe unitetin e Zotit.
Nga grimcat te trupat qiellorë, pra nga elektronet që vërtiten rreth bërthamës së atomit e gjer te yjet dhe planetet që vërtiten në qiell, gjer te galaktikat dhe të gjithë trupat qiellorë, çdo gjë falë kësaj shtytjeje përpiqet ta çojë në vend detyrën që i takon. Çdo gjë, me qëllim për të marrë para Allahut gjendje kërkese (kredibilitare[8]), nuk shmanget as sa grimca nga drejtimi i përvijuar për të dhe vrapon me nxitim drejt synimit ku kërkon të arrijë.
Pula ulet mbi vezët dhe gjatë gjithë periudhës së klloçitjes, pret me durim. Rri e urët, mbetet pa ujë, vetë digjet në nxehtësi, por detyrën nuk e braktis. A di gjë vallë klloçka, për zogjtë që do të dalin? Kjo pulë që më vonë do t'i çukisë zogjtë në kokë për t'ua rrëmbyer thërrimen nga dora, pse pranon t'i nënshtrohet këtij mundimi për ta? Për ne, përgjigjja është e qartë: Ashtu e shtyn Zoti atë të veprojë!
Po për zogun ç'duhet thënë? Ky zog që, pasi t'i mbushen ditët, e thyen lëvozhgën e vezës me sqepin e tij të butë dhe del jashtë, ku e di se jashtë vezës ndodhet një jetë më e mirë e më e gjerë që ndjen nevojën për të shpenzuar një zell të madh për të dalë që atje?
Fëmija që sapo vjen në këtë botë, merr vrull menjëherë për ta kapur sisën e nënës dhe fillon ta thithë. Së pari, kush formon grumbullim qumështi në sisën e nënës në një kohë afër lindjes së fëmijës?
Së dyti, kush i tregon fëmijës se atje ka qumësht dhe se si ta thithë atë? Përgjigjja e vetme që mund t'u jepet këtyre dhe pyetjeve të tjera të ngjashme me këto, është kështu: Të gjitha këto veprime ndodhin me anë të një shtytjeje hyjnore!
Kur'ani, vende-vende, na e kujton neve këtë shtytje hyjnore. Ja disa raste prej tyre:
a) "Zoti yt e frymëzoi kështu bletën: Bëj fole në male, në pemë dhe në kosheret e përgatitura, pastaj ha nga prodhime të ndryshme dhe vihu në rrugët që Zoti yt t'i tregoi e të bëri të aftë për to!"[9]
Ja, me një orientim, mësim dhe praktikim të tillë e ka mësuar bleta bërjen e mjaltit.
Allahu e frymëzon bletën të strehohet në male, në zgavrat e drurëve dhe në kosheret e përgatitura enkas për të dhe të bëjë mjaltë. Po me anë të të njëjtit frymëzim, bleta mëson të bëjë hoje. Gjeometria e përdorur nga ajo në ndërtimin e hojeve nuk është aspak e përmasave dhe vlerave që mund të dihen nga bleta. Kjo do të thotë se edhe gjeometria e përdorur në ndërtimin e hojeve i mësohet bletës me anë të frymëzimit. Pastaj, me një mënyrë fluturimi të posaçme për të, bleta fluturon nga lulja në lule dhe merr prej tyre polenin. Në këtë mes, bleta përdor një metodë të caktuar për të mos e humbur rrugën në vajtje-ardhjet e saj. Ajo lë gjurmë gjithashtu të posaçme për të nga kalon dhe kthimin e bën nëpër ato gjurmë. Më në fund, polenin e mbledhur nga lulet e çon në koshere dhe e lë në hojet.
Edhe në koshere shohim një administrim të mrekullueshëm. Po, edhe këtu vërehet një shtytje hyjnore e hapur. Mekanizmi i fuqishëm i një shteti të fuqishëm që e ka ngritur sistemin e vet, nuk mund të punojë më mirë e më me rregull sesa një koshere blete!
Aty është mbretëresha ose matka që sundon. Janë edhe shumë pak meshkuj, detyra e të cilëve është vetëm të fekondojnë. Kurse bletët e tjera janë ata që punojnë pa ditur ç'është lodhja dhe pushimi. Janë bletët punëtore që e kryejnë pa të metë detyrën që u takon brenda një sistemi të caktuar!
Kur vjen stina për të lënë vezët, matka lë vezë në hyrje të çdo hojeje. Ndërkaq, natyrisht, meshkujt e pakët që ndodhen në koshere, e kanë kryer detyrën e tyre. Pas kësaj, atyre s'u mbetet më punë për të bërë, prandaj vetëm hanë mjaltë si parazitë në koshere. Matka i mbyt ata duke lënë vetëm disa individë që do të duhen për fekondim vitin e ardhshëm.
Jo vetëm bletët meshkuj nuk lejohen të rrojnë si parazitë, por as ndonjë bletë e huaj nuk lejohet të hyjë në koshere e të vendoset aty. Krahas këtij serioziteti të jashtëzakonshëm administrativ, shohim të njëjtin seriozitet edhe për pastërtinë. Po qe se bleta që kthehet në koshere pasi ka mbledhur polen, e ka trupin të papastër, për shembull, një pjesë e trupit i është ndotur me baltë, nuk pranohet të futet në koshere në atë gjendje. Ose, po qe se një bletë për shkaqe organike, kundërshton ligjet dhe rregullat që sundojnë në koshere dhe krijon anarki, largohet menjëherë nga ajo.
Kush është vallë, ai që ia mëson bletës me atë kokë fare të vockël tërë këto? Kush e mëson që mjalti i bërë nga bletët që kanë jetuar këtu e pesëdhjetë milion vjet më parë, të mos ketë asnjë ndryshim cilësie nga bletët që jetojnë sot? Bleta nuk ka evoluar! Qysh nga çasti kur është krijuar, ajo është krijuar si mjeshtrja e vetme e mjaltit dhe e tillë vazhdon të ekzistojë. Zëreni nga kuptimi dhe urtësia e ndërtimit të hojeve në formë gjashtëkëndshe, jo tre, katër ose pesëkëndshe, gjer te cilësia e bërjes së mjaltit, në çdo etapë të bërjes së mjaltit që na vihet para si një ushqim i mrekullueshëm dhe, në të njëjtën kohë, si burim shërimi, neve na duket sikur po ndjejmë flladet e një frymëzimi! Neve na duket sikur i ndjejmë, kurse gjithsesi bleta i ndjen vërtetë dhe ato që bën, i bën me anë të një shtytjeje për të cilën ajo është e pavetëdijshme. Sigurisht, ne e kemi të pamundur ta shpjegojmë veprimtarinë e bletës pa ia kushtuar shtytjes hyjnore!
Shkurt, Allahu ia ka mësuar bletës artin e prodhimit të mjaltit. Gjithashtu Allahu ua ka mësuar dhe praktikuar matkës, bletëve punëtore, bletëve meshkuj e të tjerave detyrat e tyre të veçanta. Eshtë Allahu që e ka bërë matkën sunduese në koshere, kurse të tjerat të bindura gjer në fund ndaj saj.
b) Edhe milingona është e merituara e frymëzimit hyjnor. Këtë na e tregon ajeti si më poshtë:
"Më në fund, kur arritën në një luginë ku kishte milingona, njëra prej tyre u tha të tjerave: "O milingona, hyni nëpër fole që të mos ju shtypin pa dashje Sulejmani dhe ushtarët e tij!"[10]
Si i tha milingona këto fjalë? Sigurisht, milingonat kanë gjuhën e tyre të posaçme dhe mënyrën sesi komunikojnë me njëra-tjetrën. Tani për tani, zoologët mërmërisin këto gjëra:
Janë dy fole milingonash në dy anët e një hendeku të vogël. Merret një milingonë nga njëra fole dhe lihet në folenë tjetër në anën tjetër të hendekut. Pas një heshtjeje shumë të shkurtër, milingonat që e kanë humbur shoqen, vënë një karthijë shumë të hollë mes dy brigjeve të hendekut dhe, duke kaluar nëpër të, marrin hov për në folenë tjetër ku u ndodhet shoqja. Tani, kush i njoftoi milingonat për shoqen e humbur dhe se ajo ndodhej në folenë në anën tjetër? Specialistët e kësaj fushe e shpjegojnë çështjen kështu:
Milingona e lënë në folenë tjetër, duke lëshuar sinjale në formën e valëve elektromagnetike, u ka dërguar shoqeve një mesazh të fshehtë me koordinata të njohura vetëm prej tyre, ku u ka njoftuar se ç'ka ndodhur me të dhe se ku ndodhet. Pastaj, pas këtij komunikimi mjaft të fshehtë, shoqet janë bërë bashkë për ta shpëtuar shoqen e humbur!
Kjo do të thotë se edhe milingona flet. Gjuhën që ua ka mësuar milingonave, Zoti ia pati mësuar edhe profetit Sulejman si një bujari dhe favor të posaçëm për të. Prandaj, siç tregohet në ajetin kur'anor, profeti Sulejman ka qeshur kur ka dëgjuar paralajmërimin e milingonës për shoqet e saj dhe i është drejtuar Zotit duke i shpallur përmasat e meritës si një "fenomen dhuntie"[11] për të.
Milingonat administrohen me anë të një sistemi si ai republikan. Të gjitha milingonat punojnë dhe marrin detyra aktive për të krijuar grumbull ushqimesh në fole. Nuk ka asnjë milingonë dembele. Po qe se një milingone i vjen e rëndë ngarkesa që po bart, i thërret menjëherë shoqet dhe të gjitha së bashku e bartin gjer në fole. Ato punojnë pa pushim gjatë gjithë verës. Më në fund, pasi stoku i vënë bëhet i tillë që t'u mjaftojë të gjithave dhe secilës, tërhiqen në fole dhe i mbyllin dyert.
Mirëpo, disa herë, sipas tyre ndodh ndonjë keqvajtje. Në grurin apo elbin e grumbulluar në dheun me lagështirë shfaqet mbirje. Gjëja që duhet bërë në këto kushte, është të nxirret gruri apo elbi jashtë në diell për t'u tharë. Këtë bëjnë edhe milingonat. Pastaj, grurin apo elbin e tharë e fusin përsëri brenda. Por mbirja mund të fillojë përsëri. Këtë herë, milingonat e ndajnë kokrrën e mbirë përgjysmë dhe i veçojnë gjysmat nga njëra-tjetra. Po qe se edhe te ndonjëra nga gjysmat shfaqet mbirje, edhe atë e ndajnë në dy gjysma të tjera, duke i mbajtur kokrrat në gjendje të përdorshme si ushqim për vete.
Kokrra e mbirë nuk vlen për ushqim.
Kush ia ka mësuar milingonës tërë këto? Kush ia ka praktikuar vallë, tërë këto veprime të komplikuara një qenieje me trup aq të vogël?
Si çdo herë tjetër, përgjigjja jonë është po ajo: është Allahu që ia ka frymëzuar dhe që ia frymëzon milingonës tërë ecurinë e jetës. Me këtë frymëzim shtyhen, vihen në lëvizje dhe veprojnë ato!
Në një hadith të përcjellë nga Ibni Hurejre (r.a.), i Dërguari i Allahut na tregon një ngjarje të tillë:
"Një profet që po kalonte përmes një lugine, ulet nën një hije për të kaluar vapën. Në vendin ku ishte ulur, ndodhej një fole milingonash. Njëra nga ato e kafshoi profetin. Meqë nuk e dinte se cila milingonë e kishte kafshuar, profeti i vuri zjarrin folesë. Atëherë, nga Zoti i erdhi një qortim i tillë:
"Pse të kafshoi një milingonë po djeg një bashkësi që e madhëron Allahun pa pushim?"[12]
Shihet se edhe milingonat janë një bashkësi, një popullatë që edhe ata e madhërojnë Zotin me një gjuhë të panjohur për ne!
Edhe në një hadith të përcjellë nga Hakimi në veprën e tij "Mustedrek", Profeti ynë thotë kështu:
"Hz. Sulejmani kishte dalë për në lutjen e shiut. I kishte marrë me vete të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, gra e fëmijë. Ndërkaq, edhe secili nga banorët kishte marrë me vete kafshët e punës dhe bagëtitë.
Atje të gjithë do të bënin lutje. Secili, njeri apo kafshë, për të tërhequr mëshirën e Zotit, do t'i përgjërohej Atij me gjuhën e vet.
Ndërsa Hz. Sulejmani me turmën që e shoqëronte, shkonin në rrugë, vëmendjen e ia tërhoqi një pamje jo e zakonshme: një milingonë disi e madhe ishte shtrirë në shpinë dhe duke i përdorur antenat si duar, i kishte ngritur ato lart drejt qiellit dhe i lëvizte sikur diç donte të thoshte. Profeti Sulejman e përqëndroi tërë vëmendjen dhe dëgjoi se milingona po lutej kështu: "Allahu im, unë jam një ndër krijesat e tua. Unë nuk mund të bëj pa ushqyerjen tënde. Po të na dërgosh shi, ushqehemi. Ç'mund të them tjetër! Prandaj, ose na dërgon shi duke na dhënë mundësi të jetojmë, ose, me këtë thatësirë dhe zi, do të ngordhim të gjitha!"
Pasi dëgjoi këtë thirrje të milingonës, Hz. Sulejmani u tha njerëzve përreth: "Kthehuni pas. Allahu do të dërgojë shi për shkak të një lutjeje tjetër nga lutja juaj!"[13]
Milingona i bënte këto veprime me anë të shtytjes hyjnore, me anë të frymëzimit dhe orientimit të Zotit!
c) Kur'ani shprehet si më poshtë duke pohuar se të gjitha llojet e kafshëve janë popullata më vete dhe tërheq vëmendjen mbi këtë aspekt të kaderit:
"Edhe kafshët që ecin mbi tokë dhe zogjtë e shpendët që përplasin flatrat e fluturojnë janë popullata si ju. Ne nuk lamë asgjë mangët në Libër. Pastaj ata do të mblidhen te Zoti i tyre."[14]
Edhe në një hadith të rrëfyer prej Ebu Davudit, Profeti thotë: "Po qe se qentë nuk do të ishin një popullatë, do të jepja urdhër të mbyteshin!"[15]
Po, edhe ata përbëjnë një popullatë më vete.
Dijetarët i kishte kapur shqetësimi se mos një lloj lejleku po shfarosej. Ky buronte nga fakti se çdo qenie ka një vend të caktuar në ekuilibrin ekologjik. Shfarosja e llojit në fjalë do të thoshte hapje e një të çare në ekuilibrin ekologjik. Mirë, po kush ia kishte mësuar çdo qenieje të zinte një vend të caktuar në këtë ekuilibër? Ja, këtë çështje ne e shohim si orientim të detyruar (të përcaktuar ose të parapërcaktuar) ose si orientim që zhvillohet mes kushteve të ligjshmërisë së krijimit dhe nga ky këndvështrim i trajtojmë të gjitha llojet e shtytjeve të përgjithshme ose shtytjeve të brendshme.
[1] Në origjinal: xhebrí, të determinuar, të paradeterminuar.
[2] Në origjinal: ilahí sevk.
[3] Në origjinal përdoren fjalët "sevk" që do të thotë thjesht "shtytje" dhe "insiyak" që do të thotë "shtytje e brendshme".
[4] Në origjinal: içgüdü.
[5] Në origjinal: sevk-i tabiî.
[6] Në origjinal: ilahî sevk (sevk-i ilahî).
[7] Në origjinal: hidajet delili.
[8] Në origjinal: matlub.
[9] Nahl, 16/68.
[10] Neml, 27/18.
[11] Në origjinal: tahdis-i nimet.
[12] Buhari, Xhihad, 153.
[13] Mustedrek, I/325.
[14] En'am, 6/38.
[15] Darimi, Sajd, 3.
- Publikuar më .