Kuptimet Leksikore dhe Terminologjike të Kaderit
Si kuptim leksikor, fjala kader do të thotë matje, vlerësim, trajtësim dhe formësim. Në arabishte, kadera do të thotë: vlerësoi, caktoi, ndau në pjesë, i caktoi secilit pjesën e vet, si dhe mundi, pati fuqi, qe i aftë. Kurse trajta foljore kaddera do të thotë vendosi, ekzekutoi, veproi (aksidentoi). Kështu, duke u nisur nga këto kuptime leksikore të fjalës kader, mund të bëhet ky përkufizim terminologjik për të:
"Kaderi është akti i vlerësuar dhe ekzekutuar nga Allahu (xh.xh.) si kada (kaza, aksident, delikt)."[1]
Ajetet kur'anore që i kemi zgjedhur dhe nënvizuar më poshtë, janë të tilla që e mbështesin këtë përkufizim.
"Çelësat e të fshehtës janë te Ai, të fshehtën vetëm Ai e di. Ai e di çdo gjë që ndodhet në tokë e në det. Ai ka dijeni për gjethen që bie, për farën që ndodhet brenda errësirës së nëntokës. Çdo gjë e njomë dhe e thatë ndodhet në Librin e Qartë!" (En'am, 6/59)
"Thuaju: "Unë s'jam në gjendje t'i shkaktoj ndonjë dëm apo dobi vetes jashtë dëshirës së Allahut. Për çdo bashkësi (popull) ka një afat. Kur t'u mbarojë afati, nuk vonohen as dhe një orë, madje as dhe s'u shtyhet afati!" (Junus, 10/49)
"Çdo gjë në qiej e në tokë, çdo gjë e padukshme është në Librin e Qartë (diferencues)!" (Neml, 27/75)
"Pa dyshim, jemi Ne që i ringjallim të vdekurit, që i shkruajmë ato që kanë bërë dhe veprat që kanë lënë! Ne e kemi shënuar dhe llogaritur çdo gjë në një libër krejt të qartë!" (Jasin, 36/12)
"(O i Dërguar!) Pa dyshim, ky Libër i zbuluar ty është një Kur'an i famshëm që ndodhet në Lehvi Mahfudh!" (Buruxh, 85/21-22)
"Dhe thonë: "Nëse jeni fjalëdrejtë, thoni, kur do të ndodhë ky ndëshkim?" Thuaju: "Atë e di vetëm Allahu, kurse unë jam vetëm një paralajmërues!" (Mulk, 67/25-26)
Në një aspekt, kazaja dhe kaderi janë e njëjta gjë. Në kuptimin tjetër, bazë, kaderi është paravlerësimi dhe vendimi i Allahut (xh.xh.), kurse kazaja është ekzekutimi (aksidentimi) i vendimit të Allahut, pra zbatimi në praktikë i aravlerësimit të bërë prej Tij mbi diçka.
Kaderi është përkatësia ndaj Allahut (xh.xh.) e çdo gjëje në planin informativ dhe me qenien e vet me karakter informativ para se të ndodhë. Gjëja që ka hyrë në kushtet e ekzekutimit (kryerjes, aksidentimit) dhe që përpiqet të zërë vendin e vet mes vargut të akcidencave, shkruhet e shënohet me anë të engjëjve të respektuar në formë kopjesh faksimilesh) të Librit të Kujtesës (Levhi Mahfudh) në Librin e Kujtesës dhe në provë përsëri me kusht që të jetë brenda dijes së Allahut (xh.xh.).
Kaderi është bashkëshoqërimi i përpjekjes njerëzore me aktin krijues të Allahut (xh.xh.). Me fjalë të tjera, njeriu parashikon një akt, e dëshiron dhe i futet me vullnetin e vet dhe, ndërkaq, Allahu, po të dëshirojë, e krijon (e kryen) atë akt. Ja pra, kaderi është që Allahu (xh.xh.) që i njeh materien dhe dukuritë me dijen e Tij të pafillim e të pafund (eternale), t'i vlerësojë gjërat që kanë për të ndodhur, para se të ndodhin.
Kjo do të thotë se nuk është e drejtë që, duke u parë si një titull i diturisë hyjnore, kaderi të konsiderohet vetëm si i tillë. Edhe pse si fushë, kaderi është caktimi, vlerësimi dhe vendimi i Zotit me anë të diturisë së Tij, në të njëjtën kohë, kader do të thotë edhe Dëgjimi, Shikimi, Dëshira dhe Vullneti i Tij. Në këto kushte, mohimi i kaderit merr kuptimin e mohimit të të gjitha atributeve të Zotit. Eshtë për këtë arsye që shumë analistë e kanë trajtuar çështjen e kaderit brenda kuptimit të Individualitetit të Tij të Lartë. Ata kanë thënë: "Nuk është nevoja për të hapur një diskutim të posaçëm për kaderin. Atje ku trajtohet Individualiteti i Lartë, është e detyrueshme të trajtohet edhe kaderi". Meqë ky mendim i tyre, në një aspekt, nënkupton që kaderi të mos futet e të mos pranohet mes shtyllave (elementëve përbërës) të besimit, ne nuk themi si ata. Ne themi kështu: "Siç u besojmë Allahut (xh.xh.), engjëjve, librave, profetëve dhe ringjalljes, ne i besojmë edhe kaderit; mjafton që të mos themi ndonjë fjalë që, në mënyrë të përmbledhur ose të detajuar, në këtë apo atë formë, të kuptohet si mohim i kaderit. Sa për të vërtetën e çështjes, Ahmed b. Hanbel thotë: "Kaderi rrjedh nga fuqia e Zotit!"
Si rrjedhojë, ai që e mohon kaderin, mohon edhe shumë gjëra mbi Individualitetin e Lartë të Zotit, bindja mbi hyjnoren shndërrohet në diçka të lëkundur dhe një sistem i tërë besimi dhe bindjeje përmbyset.
Prandaj kaderi është një temë shumë e rëndësishme. Ata që nuk e kanë trajtuar këtë temë brenda mendimit sunnit, gjithmonë kanë devijuar. Edhe racionalizmi i mutezilitëve, edhe determinizmi i xhebritëve është një deviacion i tillë.
[1] Duke u mbështetur në këtë përkufizim, mund të bëjmë këtë përkufizim filozofik të kadasë (kazasë, aksidentit, deliktit) duke përcaktuar edhe raportin mes kaderit dhe kadasë: "Kadaja është realiteti imediat i kaderit".
- Publikuar më .