Dobitë e bindjes mbi ringjalljen dhe jetën e pasme

Pas besimit te Allahu, rregullimi i jetës dhe vënia e saj në një regjim të caktuar për të siguruar qetësinë kolektive e të përgjithshme të njerëzimit, të gjitha këto varen nga besimi mbi ringjalljen dhe grumbullimin, domethënë, për jetën pas vdekjes.

Nuk mund të mendohet që njeriu i cili nuk beson se do të japë llogari për gjërat që bën, ta ketë jetën të drejtë. Përkundër kësaj, jeta e njeriut i cili në çdo hap që hedh, s’e nxjerr kurrë nga mendja se ka për të dhënë llogari para Allahut në botën tjetër, çdo sjellje e të cilit është shprehje e një llogarie, i cili çdo fjalë që thotë, çdo gjë që dëgjon dhe çdo prirje të zemrës i trajton me ndjeshmëri sipas atmosferës së dhënies llogari Allahut atje tej, zhvillohet në mënyrë mjaft të rregullt!

“Çdo veprim që të bësh ti, çfarëdo që të lexosh ti nga Kur’ani dhe çdo punë që të bëni ju, jemi patjetër Ne që ndodhemi në të dhe e dëshmojmë (që shohim çdo gjë që bëni). Nuk ka gjë qoftë edhe sa një grimcë në tokë apo në qiej që t’i ikë (dijes së) Zotit tënd! Nuk ka gjë të vogël a të madhe që të mos ndodhet në Librin e qartë! (Dija e Allahut e ka përfshirë çdo gjë. Nuk ka asgjë që të ketë mbetur jashtë dijes së Tij dhe çdo gjë ndodh vetëm me lejen e Tij!)” (Junus, 10/61)

Pra, të gjitha sjelljet dhe veprimet hetohen nga ana e engjëjve shkrues. Çdo gjë që bëjmë, e madhe apo e vogël, e fshehtë apo e hapur, çdo gjë që mund të na duket ne e vogël dhe e pavlerë, ndërsa Allahut e madhe dhe e çmuar ose e kundërta, që mund të na duket ne e madhe dhe e çmuar, ndërsa Allahut e vogël dhe e pavlerë, pavarësisht nga ç’këndvështrim të llogaritet, çdo gjë që bëjmë, vëzhgohet, hetohet dhe shënohet nga engjëj që na ndjekin dhe është i gatshëm e vëzhgues Allahu “GJYKATES” që do të na e llogarisë çdo gjë!

Jeta që përshkohet brenda kësaj fryme dhe vetëdijeje, është e drejtë; shoqëria e përbërë nga individë që jetojnë brenda kësaj fryme dhe vetëdijeje, është e qetë; gjithashtu, çdo familje që jeton brenda kësaj fryme dhe vetëdijeje shndërrohet në kopsht nga kopshtet e xhenetit!

Po, është vetëm një rrugë që njeriu t’i lërë marrëzitë: besimi dhe bindja në ringjalljen pas vdekjes. Ajo që do t’ua presë rrugën marrëzive të rinisë, që do t’i parandalojë përçartjet e saj, që do t’u bëhet burim shprese të moshuarve të cilët, duke shkuar dalëngadalë drejt vdekjes, pësojnë në çdo hap, një thyerje dhe një zhgënjim shprese, që në zemrat e paqëndrueshme të fëmijëve do të ndezë çdo çast qirinjtë dhe dritërat e lumturisë për t’u dhënë dritë atyre, është vetëm besimi dhe bindja në ringjalljen pas vdekjes, në grumbullimin në sheshin e llogaridhënies dhe në jetën e pasme!

Nga i riu te plaku, nga femra te mashkulli, nga i drejti te mizori, çdo njeri ka nevojë të besojë në ringjalljen siç ka nevojë për ujin që pi dhe ajrin që thith!

Të pish këtë sherbet që i thonë besim dhe bindje në ringjalljen, në të njëjtën kohë do të thotë të pish gllënjkë pas gllënjke qetësi, prehje e kënaqësi! Është për këtë arsye që të gjithë mendimtarët që përpiqen për paqen dhe lumturinë e njeriut dhe që kanë për synim t’i dhurojnë atij qetësi, prehje e kënaqësi, duhet ta vlerësojnë çështjen nga ky këndvështrim.

Arritja e mirëqenies, lumturisë dhe qetësisë së vërtetë nga individi, familja, shoqëria dhe tërë njerëzimi së bashku, varet nga besimi dhe bindja në ekzistencën e vendit dhe jetës ku do të bëhet llogaria e tërë akteve, të mëdha e të vogla!

Duke thënë se “kush bën një të mirë sa grimca, do ta gjejë dhe kush bën një të keqe sa grimca, do ta gjejë” (Zilzal, 99/7-8), Kur’ani shpall se ai që bën një të mirë qoftë edhe sa grimca, do ta marrë shpërblimin e së mirës së vet dhe ai që bën një të keqe qoftë edhe sa grimca, do ta marrë ndëshkimin e së keqes së vet; në këtë mënyrë Kur’ani ngulit te njerëzit këtë ndjenjë përgjegjësie. Pasi njeriu ta përvetësojë këtë besim dhe bindje, atij mund t’i thuhet: “Bëj ç’të duash!” Sepse ngjarjet dhe realiteti shprehin se është e padiskutueshme që çdo veprim do të marrë përgjegjësen e vet. Njeriu me një botëkuptim të tillë do të ndjejë domosdoshmërinë e kryerjes së punëve dhe veprimeve që do t’ia zbardhin faqen, do t’ia ndrisin ballin dhe që, në botën tjetër, s’do ta turpërojnë e s’do ta detyrojnë të shohë përtokë!

Me atë shpirt të dobët e delikat, fëmija mund të gjejë një jetë të qetë vetëm me anë të besimit mbi ringjalljen. Kush e shqyrton fëmijërinë e vet nga ky këndvështrim dhe rikthehet me imagjinatë në çastet e fëmijërisë, e kupton dhe e miraton këtë konkluzion.

Po, fëmija ka një zemër të ndjeshme e të brishtë, ndërkaq që nuk e ka zgjuarsinë e duhur për të bërë analizën e ngjarjeve dhe për të arritur në përfundimin e duhur. Gjithashtu, nuk mund ta përdorë vetësugjestionimin duke u dhënë pas dëfrimit për të harruar ashtu siç bëjnë të mëdhenjtë. Prandaj ndodh që fëmijët e ndjejnë frikën nga vdekja më thellë se të mëdhenjtë. Ata që këputen, bien e shkojnë çdo çast përreth tij, shkëpusin e marrin me vete edhe një copë prej tij. Kurse bota e një fëmije që i vdesin nëna dhe babai, shembet tërësisht, të gjithë yjet që ia ndriçojnë botën shpirtërore shuhen dhe qielli i ndërgjegjes i groposet në errësirë. Çdo njeri me ndërgjegje mund t’i ndjejë këto!

Në fëmijërinë time më pati vdekur një vëlla. Sa herë që i shkoja te varri, hapja duart dhe i lutesha Zotit: “Allahu im, ringjalle atë që t’ia shoh edhe një herë fytyrën!” Dhe tani, fshijeni nga zemra ime dhe nga zemra e mijërave që ndodhen në gjendjen time, besimin e ringjalljes pas vdekjes, shkuleni dhe hidheni tej këtë besim, me se do ta ndihmoni e me se do ta shëroni këtë zemër që digjet dhe këtë gjoks që këlthet dhe si do ta shuani këtë zjarr? Jo, jo, s'do të jetë e mundur ta ndihmoni atë me asgjë dhe t'ia shuani zjarrin! Është vetëm besimi në ringjalljen pas vdekjes që i jep frymëmarrje dhe e qetëson fëmijën që përpëlitet mes këtyre vorbullave e shqetësimeve!

Sigurisht, përballë vdekjes dhe ikjes një e nga një të të afërmve, është besimi se shkojnë në parajsë, që e ngushëllon, e qetëson fëmijën dhe e shpëton nga dëshpërimi i padurueshëm!

Vdekja dhe mërgimi i një të afërmi qoftë edhe të vogël me të cilin qe mësuar e pati krijuar afërsi, i një të madhi apo i një të dashuri pa të cilin është i bindur se s'ka për t'ia bërë dot, hap një plagë që s'ka për t'u mbyllur kurrë në zemrën e tij të dëlirë e delikate. Kjo është një plagë e tillë e papërballueshme, së cilës vetëm ky mendim mund t'i bëhet shërim:

"Ai iku prej këtu ose e morën, mirëpo atje Zoti ia ka hapur portat e parajsës dhe tani ai, si zogjtë, hap krahët e fluturon nëpër kopshtet dhe lulishtet e parajsës. Edhe unë, po të vdes, do të fluturoj si ai!"

Po qe se i vdekuri është nga të afërmit e rritur, do të mendojë kështu: "Ai vdiq, por do të më presë mua atje, do të më marrë në prehër, do të më përkëdhelë e do të më dojë, do të ma fërkojë kokën, do të më shtrëngojë në gji!"

Ja, janë këto mendime që do ta mbyllin të çarën e shkëputjes dhe ndarjes dhe do t'i bëhet ilaç plagës së tij që rrjedh gjak!

A doni qetësi? Atë nuk mundeni ta siguroni as me oxhakët e fabrikave që lëshojnë tym në të katër anët, as duke organizuar udhëtime mes yjeve. Qetësia, prehja dhe kënaqësia e vërtetë janë ato që mbështeten në këtë besim dhe bindje, që mbështeten në parimin e ringjalljes pas vdekjes!

Pleqtë... Pleqtë që i afrohen vdekjes hap pas hapi... Ndërsa varri ka hapur gojën dhe po i pret, po ashtu dhe ata po vrapojnë me nxitim drejt tij, me ç'gjë mund ta marrin me të mirë veten, me ç'gjë mund ta ngushëllojnë veten? Me se mund ta shpërndajnë ndrydhjen dhe hidhërimin që u shkaktojnë në shpirt flokët e bardhë që i vështrojnë çdo ditë në pasqyrë? Me se mund ta mbushin zbrazëtinë shpirtërore që u shkakton kjo gjendje? Me se mund t'i fshijnë gjurmët që u kanë lënë në zemra bijtë e bijat, nipërit e mbesat, shokët e miqtë që i dërguan në atë botë gjer në atë moshë?

Ndërsa në botën e brendshme të plakut kanë vend gjurmët e frikshme të lëna nga rinia, shëndeti, pozita, posti që i kanë ikur dhe të lëna nga vetë kjo ikje, si mund ta qetësoni dhe ngushëlloni ju këtë njeri në këtë gjendje? Ju mund t'i propozoni dhe t'i ofroni atij çdo lloj ngushëllimesh materiale, mirëpo ato prapëseprapë do të marrin fund dhe shpejt dhe në botën e tij të brendshme do të formohen gjurmë të reja dëshpëruese dhe kjo do të vazhdojë kështu pa pushim e pa krye. Atëherë, është vetëm një zgjidhje që do t'u japë prehje e qetësi pleqve së bashku me të gjithë njerëzit e tjerë: besimi dhe bindja te ringjallja pas vdekjes!

Ta bësh njeriun të besojë se varri që i shkakton tmerrin e gojës së një lugati që pret ta gllabërojë disa ditë më vonë, është porta modeste e korridorit që shkon në botën tjetër, t'ia tregosh njeriut varrin si sallon pritjeje për të kaluar te kopshtet dhe lulishtet e parajsës, t'ia përshkruash njeriut varrin si vendi ku formohen frutat e mëshirës dhe faljes, të gjitha këto janë burim ngushëllimi për të!

Me gjuhën e profetit Zekerija, Kur'ani thotë: "O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im.” (Merjem, 19/4) Pastaj, duke treguar se Zekerija i lutet Zotit t'i falë një bir të bekuar e të dobishëm, Kur'ani e përshkruan në mënyrën më të bukur poetike thirrjen e një njeriu të përgatitur për të mërguar e ikur nga kjo botë! Tregimi dhe përshkrimi në mënyrë të pashoqe i kësaj thirrjeje të buruar nga shpirti është gjithashtu një nga anët mrekullore të Kur'anit. Çdo njeri i vetëdijshëm, kur ta shohë buzëqeshjen e hidhur në buzët e zemrës ndërsa dëgjon zërin e ndërgjegjes, do ta ndjejë me të gjithë tmerrin e vet një thirrje të tillë që i këputet në shpirt. Ndërkaq, i vetmi mjet që do ta qetësonte dhe ngushëllonte atë në këtë gjendje dhe do t'ia heshtte këtë klithmë që i këputet në shpirt, do të ishte besimi në ringjalljen dhe jetën e pasme. Ky besim dhe kjo bindje, me frymën jetëdhënëse në vesh të tij, pothuajse i pëshpërit atij këto fjalë: "Ti e plotësove jetën. Detyrën e kreve. Mëshirëmadhi që të ka dërguar në këtë botë s'ka për të të lënë shumë të dërrmohesh në këtë shkretëtirë, do të të marrë pranë vetes dhe do të të dhurojë mirësitë dhe dhuntitë që ka përgatitur për ty!"

Po, janë këto dhe të tjera sihariqe me këtë kuptim që do ta bëjnë atë plak të shijojë qetësinë, prehjen dhe lumturinë e vërtetë, sepse ai po përgatitet të shkojë në botën e përjetshme që është atdheu i tij i vërtetë!

Një pjesë të madhe të shoqërisë e përbëjnë të rinjtë. Ata agresorët me jetën të mbushur plot fantazira dhe përçartje, e kthejnë jetën në skëterrë. Kurse nga ana tjetër, të rinjtë si sahabet, që u shpërthen dritë nga jeta, fytyra e të cilëve buzëqesh plot lumturi, të gjitha sjelljet e të cilëve të kujtojnë Allahun, shikimet e të cilëve përhapin shkëlqime parajse, e shndërrojnë jetën tërësisht në parajsë. Sigurisht, me besimin në ringjalljen, të rinjtë do ta gjejnë vetveten, kurse kur besimi dhe bindja në llogaridhënien në jetën tjetër dhe ndjenja e ringjalljes dhe e jetës së pasosur t'u shkulen nga koka dhe zemra e t'u hidhen tutje, të rinjtë do të kthehen në burim shqetësimi për njerëzimin. Nëse sot njerëzimi është i shqetësuar, është i shqetësuar me rininë që e ka çdo faqe të jetës të mbushur me marrëzi dhe përçartje. Duke dashur t'i gjejnë zgjidhje kësaj të keqeje, mësuesit dhe edukatorët, me luftën dhe përpjekjet e bëra, e kanë thelluar më shumë plagën duke e sjellë në një gjendje të pashpresë. Kurse shpresa dhe shërimi i kësaj plage është besimi në ringjalljen pas vdekjes.

Zgjidhja e vërtetë do të bëhet e mundur duke siguruar që rinia, çdo hap ta hedhë me besimin në dhënien llogari para Allahut, që rinia të rritet, edukohet e përgatitet me këtë vetëdije!

Hz. Omeri (r.a.) po shkonte në faltore. Para vetes pa një fëmijë që po shkonte edhe ai po atje, por me vrap. Hz. Omeri i shpejtoi hapat, iu afrua fëmijës dhe e pyeti:

"O vogëlush! Ti nuk e ke të detyruar namazin. Pse po shkon në faltore kështu, plot nxitim dhe emocion?"

Fëmija i dha vetëm këtë përgjigje të thjeshtë:

"O udhëheqësi i muslimanëve! Dje në mëhallën tonë vdiq një fëmijë!.."

Orbita e rrugës së orientuar drejt një qëllimi të qartë dhe pikëmbështetja e saj është vetëm e vetëm rregullimi i jetës sipas asaj dite kur çdo gjë do të shihet e njihet, kur çdo gjë do të përcaktohet dhe kur do të përgatitet llogaridhënia!

Ndërsa e gjithë lëvizja dhe të gjitha dukuritë në gjithësi janë të rregulluara me anë të vullnetit të përgjithshëm, njeriu është i detyruar dhe i ngarkuar me përgjegjësinë për ta drejtuar jetën e tij me vullnetin e vet. Ja pra, si përfundim të realizimit të këtij vullneti, Allahu, me cilësitë e Tij si Mëshirues e Shpërblyes, do t'u përgjigjet pozitivisht të gjitha dëshirave trupore e materiale të njeriut dhe do t'i ofrojë atij parajsa të pajisura me hyri, shërbëtorë e shërbëtore!

Vullneti është pasqyrim i cilësive hyjnore të Mëshirës dhe të Shpërblimit, kurse parajsa është forma ku shfaqen Mëshira dhe Shpërblimi. Këtu, njeriu, kur ta përdorë mirë dhe siç duhet vullnetin si domosdoshmëri imediate të Mëshirës dhe Shpërblimit, do ta marrë produktin e atij vullneti përsëri si shfaqje të Mëshirës dhe të Shpërblimit!

Sigurisht, falë rregullimit të jetës së kësaj bote sipas jetës së botës tjetër dhe të mosharrimit të ditës kur të fshehtat dhe enigmat do të dalin sheshit, individët, familja dhe shoqëria do të arrijnë qetësinë, veçanërisht të rinjtë do të gjejnë orientimin e duhur, do të jetojnë sipas rregullave dhe kështu nuk do ta shkelin e marrin nëpër këmbë qetësinë e të tjerëve!

Sehl b. Sa'd (r.a.) tregon: "Të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) e njoftuan për një të ri që kishte ditë i mbyllur në shtëpi e qante pa pushim. Zotëria i dy botëve i shkoi atij gjer në banesë. Kur hyri brenda, i riu brofi nga vendi prej gëzimit dhe iu hodh të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) në krahë. Pastaj i ra ndër këmbë dhe ashtu mbeti. Ai kishte vdekur! Profetit të mëshirës iu përlotën sytë dhe, duke iu drejtuar të pranishmëve, nga buzët iu derdhën këto perla:

"Përgatitjani kufomën shokut! Frika nga xhehenemi ia këputi jetën. Por betohem në Allahun që ka në dorë frymën time se Allahu do ta mbrojë atë nga xhehenemi!"[1]

"... Por kush ka frikë nga pozita e Zotit të vet (para së cilës do të dalë) dhe e pengon vetveten nga dëshirat dhe pasionet e këqija, do ta ketë vendin në xhenet!" (Naziat, 79/40-41)

Njeriu që bart frikën dhe shqetësimin se do të dalë para Zotit të vet për të dhënë llogari dhe e rregullon jetën sipas kësaj frike dhe shqetësimi, do të dalë para Tij në siguri të plotë! Sepse Mëshirëmadhi, në një hadith të shenjtë jep këtë sihariq:

"Nuk jap dy siguri bashkë e dy frikëra bashkë!"[2]

Ai që ka frikë këtu, atje ka arritur sigurinë. A njihni gjë tjetër veç këtij parimi që t'ia presë hovin marrëzisë së rinisë? A dini ndonjë rreth apo kornizë që ta ruajë dhe mbrojë njeriun? Po qe se përgjigjja që do të jepni është negative, do të thotë se keni hyrë në një fazë pozitive në kuptimin produktiv të fjalës. Të gjithë mësuesit dhe edukatorët duhet t'ia vënë veshin kësaj të vërtete dhe duhet ta vënë në jetë këtë parim!

Të rinjtë, rinia janë gjithçka. Po ta shohim çështjen brenda shprehjeve të Hz. Omerit (r.a.) i cili, duke parë një të ri që bërtiste me të madhe përballë një padrejtësie, arrijmë në përfundimin se një rini e pajisur me ndjenja të larta është jeta e jetës së shoqërisë. Një rini e tillë është e aftë për të ngritur qytetërime të reja. E kundërta e kësaj është edhe e kundërta e konkluzionit në fjalë. Atëherë, faktori më me rëndësi në lartësimin e një populli a të një kombi është rinia, veçse një rini e mbushur plot me besimin dhe bindjen në ringjalljen dhe jetën e pasosur. Shkurt, njerëzit besimtarë do të ndërtojnë një botë të qetë e të kënaqur dhe vetëm njerëzit besimtarë do të zotërojnë të drejtën për të jetuar një jetë të qetë e të lumtur! Rinia ose e shtrin përtokë popullin a kombin e vet, ose e ngre në këmbë! Me rininë, populli ose kombi ose janë tërë jetë, ose japin shpirt!

Një pjesë të madhe të njerëzimit e bëjnë të sëmurët, të dëmtuarit ose viktimat. Besimi dhe bindja në ringjalljen pas vdekjes, llogaridhënien dhe jetën e pasme kanë ndikim të madh edhe në shpirtin e këtyre!

Përballë vdekjes që po i afrohet çdo çast dhe varrit drejt të cilit po shkon me vrap, i sëmuri e gjen shpresën vetëm te fakti që e sheh varrin si një holl të hapur për në botën tjetër! Po qe se i sëmuri s'e sheh varrin si një rrugë që të çon në lumturi dhe një mjet që të afron në përjetësi, kurrë s'mund të bëhet i lumtur. Me këtë ngushëllohet dhe qetësohet ai përballë të therurave, përballë dhimbjeve të kokës dhe mesit, përballë kancerit dhe gangrenës dhe vetëm me këtë besim dhe bindje mund ta përballojë ai ankthin që i shkaktojnë në shpirt `putrat` e Hz. Azrailit që herë pas here i ndjen në zverk!

I sëmuri do ta harrojë sëmundjen dhe do të qetësohet kur të thotë: "Po, unë po shkoj dhe askush s'ka për të më ndaluar dot këtu, por do të arrij shëndetin tim të vërtetë, rininë time të përjetshme, se unë po shkoj në vendin e Allahut, atje ku patjetër do të kthehet secili!" Është për këtë arsye që, njerëzit e Zotit, duke e dorëzuar shpirtin, buzëqeshja e bashkimit me Mikun u është shfaqur në buzë si gonxhe që çel dhe në këtë gjendje e kanë dorëzuar shpirtin!

Në çastin e fundit të tij, Kryeprofeti i hiqte duart nga duart e Hz. Aishes dhe thoshte: "Allahu im, tashmë dua atë botë përtej!.."[3]

Një ditë më parë, ai kishte thënë kështu:

"Allahu e la të lirë një robin e Tij të zgjidhte mes të mirave të kësaj bote dhe të mirave pranë Tij. Robi zgjodhi të mirat pranë Tij!"[4]

Robi i lënë i lirë për të zgjedhur mes Botës dhe Përjetësisë, ishte vetë Profeti. Sahabiu, shoku i tij që e tregonte ngjarjen, nuk i kishte mbajtur dot lotët. Ai e kishte hequr dorën nga dora e Hz. Aishes dhe e kërkonte Mikun e Madh!

Në të njëjtën mënyrë, edhe një trim si Hz. Omeri, e vinte kokën përtokë pranë një gërmadhe dhe shprehte dëshirën për jetën tjetër me këto fjalë: "Allahu im, hiqma këtë përgjegjësi nga supet se s'mund ta çoj dot më tutje!"

Ky besim dhe kjo bindje për ringjalljen dhe jetën e përtejme ishte kërkesa dhe dëshira për vendin e jetës së përtejme ku shfaqen mijëra bukuri dhe, pastaj për ta parë Bukurinë e Përjetshme, që u zgjonte në shpirt këto ndjenja dhe që i bënte ata të shpreheshin kështu!

Sa për të dëmtuarin dhe viktimën që nuk e ka shpëtuar dot nderin dhe dinjitetin nga duart e mizorit, që digjet e përcëllohet me dëshirën e flaktë për shpagim, ngushëllohet dhe qetësohet vetëm duke menduar ditën kur mizori do t'i dorëzohet Allahut ndërsa vetë do të shpërblehet në vendbanimin e përjetësisë për ato që ka hequr në këtë botë. Sepse i dëmtuari dhe viktima e dinë mirë se padrejtësitë dhe mizoritë e bëra këtu nuk do të mbeten pa u zhdëmtuar. Një gjykatë e lartë do të hapet, do ta gjykojë gjithçka gjer në imtësi dhe fajtori e mizori do të marrin ndëshkimin e merituar, kurse i dëmtuari dhe viktima do të marrin zhdëmtimin dhe shpërblimin e merituar.

"Ja sesi Zoti yt i kap qytetet që kanë bërë faje e mizori. Kapja e Tij është shumë e vështirë për t'u përballuar dhe shumë e hidhur!" (Hud, 11/102)

Domethënë, po e kapi Zoti një herë një qytet fajtor dhe mizor, e kap ashpër dhe rëndë dhe nuk e kap për ta rregulluar. Po, vetëm në këtë mënyrë e merr i dëmtuari dhe viktima shpagimin nga fajtori dhe mizori që s'pati ç't'u bëjë vetë, dhe qetësohet e ngushëllohet!

Viktimat e fatkeqësive... Edhe viktimat e rëna në fatkeqësitë qiellore ose tokësore, viktimat që ua ka shkatërruar kopshtin dhe vreshtin breshëri, që ua ka marrë me vete përmbytja, viktima e tërmetit që i është shembur shtëpia mbi krye, të cilit i është bërë gërmadhë mirëqenia që ka ngritur, të cilit i është shpërndarë dhe shkatërruar familja si dhe të gjithë viktimat e tjera të ngjashme me këta gjejnë ngushëllim e qetësohen vetëm duke menduar ringjalljen pas vdekjes!

Sipas këtij besimi e kësaj bindjeje, malli dhe pasuria e humbur bëhen sadaka, kurse jeta e humbur e ngre personin në gradën e dëshmorit. Ja, me këtë mendim ai arrin atje prehjen dhe qetësinë!

Nga ana tjetër, foleja familjare, ndërsa me besimin në ringjalljen dhe jetën tjetër kthehet në një kënd nga këndet e parajsës, kur ky besim shkulet e hidhet, bëhet menjëherë një gropë nga gropat e ferrit! Shtëpia me fëmijën larg ndjenjës dhe jetesës fetare, me të riun që vrapon pas dëshirave e pasioneve dhe me të sëmurin që pret vdekjen, i cili përpëlitet mes dhimbjeve të veta, nuk ka ndryshim nga një rrënojë ku kanë filluar të klithin korbat ndërsa njerëzit ndodhen ende brenda! Fytyrat e vrara, çehret si mure gjykate dhe, më e keqja, largimi nga vetja duke ikur prej kësaj gjendjeje, si dhe mjerimi i hipnotizimit të vetvetes me anë të dëfrimeve. Ja pra, hyrja e lumturisë në një banesë të tillë është e mundur vetëm me anë të besimit te ringjallja pas vdekjes dhe grumbullimi në sheshin e llogaridhënies.

Po qe se mendoni ta bëni të qetë e të kënaqur këdo nga shtatë deri shtatëdhjetë vjeç, përpiquni të shtresoni te të gjitha zemrat besimin te ringjallja, grumbullimi në sheshin e llogaridhënies dhe jeta tjetër. Sepse atë kohë, të rinjtë do të hyjnë në jetën e rregullt, fëmijët do ta lënë prapësinë dhe përtacinë, të moshuarit dhe pleqtë do të jetojnë në lumturi si udhëtarë të parajsës dhe brenda asaj banese do të fillojnë të shkëlqejnë rrezet e lumturisë; pa shkuar ende në jetën tjetër, ahiret, mendimet mbi jetën tjetër do të melodizohen në atë banesë dhe, si përfundim, jeta parajsore do të bëhet e jetueshme duke qenë ende në këtë botë!

Edhe qyteti dhe tërë vendi janë banesa ose shtëpia e madhe e njeriut. Në një botë ku të rinjtë e saj janë skllevër të lidhur pas dëshirave dhe egove të veta, ku të moshuarit dhe pleqtë e saj pesimistë e të palumtur dhe ku shtypësit dhe mizorët e dëgjojnë rënkimin e të dëmtuarve dhe viktimave si të dëgjonin me kënaqësi tingujt vajtues të fyellit, qytetet, vendet dhe popujt janë të pakënaqur e të paqetë. Sepse elementët që do të sjellin qetësinë e kënaqësinë nuk janë plotësuar!

Që namazi të jetë namaz, duhet të plotësohen disa elementë përbërës; pastaj, pasi këta elementë të kryhen me përshpirtshmëri, namazi arrin përkryerjen dhe njeriu, me namazin e vet, ndjen në buzë buzëqeshjen e ëmbël të miraxhit. Në këtë mes, njeriu përjeton një çast të tillë që vlen sa mijëra vjet jetë. Po si kjo që vendet dhe popujt të mund të bëhen tërësisht të qetë e të lumtur, duhet që pjesët që i përbëjnë ato, të jenë me plot kuptimin e fjalës në përputhje me elementët përbërës të qetësisë dhe lumturisë. Një qytet apo qytezë ideale mund të ngrihet vetëm me një sistem ideal. Le ta përjetojë Platoni fantazinë e kësaj në veprën e vet "Republika"!  Le të përpiqet Farabiu fantazist ta fusë në kornizë këtë në veprën e vet "Qyteti ideal"! Këta kurrë s'do të mund ta realizojnë këtë qytet ideal, sepse u mungojnë elementët përbërës që e formojnë atë! Pa dyshim, elementi më i madh që ia siguron jetës këtë qetësi dhe lumturi, është besimi dhe bindja te ringjallja pas vdekjes, grumbullimi në sheshin e llogaridhënies dhe jeta e pasosur, është mundësia për të dhënë vetëdijen dhe shpjegimin që do ta bënte njeriun ta nënvleftësonte këtë botë dhe të priste jetën tjetër, ahiretin!

Njëra nga veprimtaritë më të rëndësishme të Profetit tonë (s.a.s.), njeriut të ekuilibrit, është ngritja e rregullit botëror të tij mbi besimin dhe bindjen e dhënies së llogarisë në jetën tjetër. Në një aspekt, kjo botë është preludi i jetës tjetër, ahiretit, është ara ku përgatitet bota tjetër dhe një rast e një mundësi e dhënë për ndezjen në zemra të pishtarit dhe dritës së jetës tjetër. Për këtë arsye kjo botë është quajtur "jevmud-dunja", "dita e sotme", kurse bota tjetër, "jeumul-ahir", "dita e nesërme". Veprat e kryera në këtë botë janë të tilla që bëhen për botën tjetër që ka për të lindur.

Ja, këtë mësim ia ka dhënë kujtdo i Dërguari i Allahut (s.a.s.) në një mënyrë që t'i kënaqë të gjitha zemrat dhe të ndezë në to flakën e besimit dhe të bindjes!

Zemrat janë mbushur me besimin te jeta tjetër, aq sa sahabet, shokët e tij ishin të gatshëm ta nënvleftësonin këtë botë dhe të mos u shihnin sytë asgjë nga gjërat dhe interesat e kësaj bote. Ja një shembull:

"Pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) shkuan dy nga shokët e tij, që të përfitonin nga ndarja e një malli që duhej të ndahej mes tyre. Që të dy pretendonin për vete të drejtë më shumë se tjetri. Pasi i dëgjoi të dy, Profeti u tha:

"Tani, njëri nga ju, duke e treguar punën më bukur, mund të më bindë mua për të dhënë një vendim në favor të tij. Edhe unë jam njeri si ju: vendos për provën më bindëse! Mirëpo në jetën tjetër, do të jepet vendim sipas të vërtetës së çështjes. Atje, i padrejti dhe fajtori do ta marrë përfundimisht tërë ndëshkimin që e ka merituar, po ashtu dhe i drejti dhe viktima do ta marrë përfundimisht shpërblimin që i takon!"

Pas kësaj fjale të të Dërguarit të Allahut, që të dy sahabet, shokët e tij, këmbëngulnin në favor të njëri-tjetrit:

"O i Dërguari i Allahut! Le ta marrë ai edhe pjesën time se unë s'dua asgjë!"

Pas kësaj, i Dërguari i Allahut i porositi të vepronin kështu:

"Shkoni, ndajeni mallin me drejtësi dhe pastaj hidhni short dhe secili le të kënaqet me pjesën që ka për t'i rënë. Pastaj bëjani hallall të drejtën njëri-tjetrit!"[5]

Siç u pa, në këtë mënyrë rregullohej jeta falë të besimit te ringjallja dhe jeta e pasme. Ishte një rregullim i tillë që, kur individi bënte një faj, e lidhte veten në një shtyllë dhe kështu e ndëshkonte veten gjersa të vinte falja. Çështja trajtohej me aq seriozitet, saqë sahabiu që besonte se mëkati që kishte bërë mund të lahej vetëm me gjakun e derdhur si dëshmor, e sakrifikonte pa u lëkundur veten në rrugën e Allahut dhe përpiqej që, me gjakun e derdhur për të pirë sherbetin e dëshmorit, të shkonte në botën tjetër krejt i pastër!

Gjatë luftës së Uhudit, kur Sa'd b. Rebi (r.a.) po ia dorëzonte shpirtin Allahut në rrëzë të malit të Uhudit, dëgjoi pëshpërimën e Muhamed b. Meslemes që po i thoshte se i kishte sjellë të falat e të Dërguarit të Allahut. Si përgjigje, Sa'd b. Rebi (r.a.) i tha:

"Bëji të fala prej meje të Dërguarit të Allahut dhe thuaji se, vallahi, pas Uhudit po ndjej aromën e xhenetit!"

Sigurisht, ç'gjë tjetër mund ta bëjë njeriun ta shijojë këtë lumturi edhe në çastin e vdekjes, madje, përveç besimit në ringjalljen dhe jetën tjetër? Ç'mundësi njerëzore mund t'ia ofrojë këtë lumturi individit, familjes dhe shoqërisë?

E tani, për ta kuptuar pak sesi e edukoi Profeti-krenari e gjithësisë (s.a.s.) ummetin, bashkësinë e vet në çështjen e besimit te ringjallja, grumbullimi në sheshin e llogaridhënies dhe jetën tjetër, le të japim disa shembuj nga perlat e dala prej gojës së tij të bekuar.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) porosit: "O njerëz! Ju do të ringjalleni dhe do të grumbulloheni këmbëzbathur, lakuriq dhe të pabërë synet. Do të ringjalleni me përbërjen grimcore tuaj të vërtetë, me shpirtrat dhe trupat tuaj dhe do të grumbulloheni edhe si trup, edhe si shpirt. Do të grumbulloheni për ta parë parajsën që e keni ndjerë në ndërgjegje, por s'e keni parë dot; përtej kësaj, do të grumbulloheni për ta parë Zotin që ia keni soditur shfaqjet dhe veprat, por që s'keni arritur dot t'ia kuptoni të vërtetën!" I Dërguari i Allahut (s.a.s.) vazhdon: "Kini vëmendjen! I pari në jetën tjetër, të cilit do t'i vishet rrobë, është Hz. Ibrahimi. Kini vëmendjen! Atë ditë, një sërë njerëzish do të sillen të kapur nga ana e majtë. Unë do të them: "O Zot, këta janë sahabët, shokët e mi!" Zoti do të më drejtohet mua: "O Muhamed! A nuk e di ti se ç'punuan ata pas teje?" Edhe unë, ashtu si robi i mirë Hz. Isa, do të them: "Për sa kohë që kam qenë pranë tyre, jam unë dëshmitar për ta, kurse pasi më more mua, Ti kujdeseshe për ta! Ti je dëshmitar për çdo gjë! Po qe se i ndëshkon ata, kjo është e drejta jote sepse ata janë robtë e Tu, kurse, po qe se i fal, pa dyshim që Ti je i fuqishëm e i urtë!"[6]

Në një hadith profetik të përcjellë nga Ahmed b. Hanbeli prej Hz. Enesit (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) porosit kështu:

"Qysh nga dita kur e krijoi Zoti e gjer më sot, njeriu nuk është përballur me një ngjarje më të tmerrshme se vdekja! Pastaj vdekja vjen më e lehtë se ç'u vjen atyre pas vdekjes. Atë ditë përballen me një tmerr të tillë që djersitin gjer në nofulla dhe u duket sikur do të mbyten në djersë. Ajo është një djersë e tillë që, po të duhet, në atë det djerse madje mund të vozisin anijet!"[7]

Hadithi profetik në vijim, të cilin Buhariu dhe Muslimi e kanë përcjellë prej Ebu Hurejres (r.a.), e shtjellon pak më në hollësi hadithin e mësipërm. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) deklaron kështu:

"Në ditën e kiametit, njerëzit ringjallen dhe grumbullohen në tri grupe. Grupi i parë janë ata që në këtë botë kanë krijuar dhe mbajtur ekuilibrin mes frikës dhe shpresës ndaj Zotit. Janë ata që e kanë pasur shpirtin të mbushur plot me dashurinë për Allahun. Janë ata që i kanë rregulluar punët sipas vetëdijes se kanë për të dhënë llogari në jetën tjetër. Edhe në çastet më të pashpresa, ata e kanë ruajtur shpresën në mëshirën e Allahut! Megjithëse kanë pasur shumë frikë nga Allahu, nuk kanë rënë në pesimizëm që është shenjë e mohimit. E kështu, ata e kanë kaluar jetën me dëshirë dhe drojë!

Grupi i dytë janë ata që, për të mundur të hyjnë në xhenet, kanë hipur në kafshë nga dy, nga tre, nga katër e gjer nga dhjetë vetë. Kështu janë përpjekur ata të dalin para Allahut, duke hipur shumë vetë në një kafshë, duke u rrëzuar e ngritur! Ashtu siç kanë vepruar në këtë botë duke shkuar bjer e ngrihu, duke u përpëlitur mes fajeve e mëkateve, edhe atje bjer e ngrihu do të shkojnë!

Grupi i tretë do të çohen për në xhehenem. Ata do të ndjekin drejtimin e detyrueshëm të treguar nga shkëndijat që shpërthejnë nga xhehenemi. Po të duan të bien në gjumin e paradites, xhehenemi do të jetë bashkë me ta; kur të bjerë nata e ata do të duan ta kalojnë natën, edhe xhehenemi do të kalojë natën bashkë me ta; edhe kur të gdhihen në mëngjes, xhehenemi do të jetë bashkë me ta dhe përsëri kur të bjerë mbrëmja, xhehenemi do të jetë bashkë me ta.[8] Sepse kështu e bartin ata qysh në këtë botë bërthamën (esencën) e xhehenemit (ferrit) në shpirtrat dhe ndërgjegjet e tyre! Ngrysen e gdhihen me bërthamën e xhehenemit! Për rrjedhojë, si të kenë jetuar, ashtu do të trajtohen. Ajo bërthamë do të mbijë, do të lëshojë degë e gjethe e do t'u ngjitet pas, pa i lënë të lirë për asnjë çast!

Ja, me këto dhe me mësime të ngjashme me këto e përgatiste i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ummetin, bashkësinë e vet, me një vetëdije serioze mbi ringjalljen dhe jetën tjetër dhe, veçanërisht në kohën e tij, sahabet, shokët dhe ndjekësit e tij, vepronin në atmosferën e vëzhgimit pas perdes të xhehenemit me të gjithë tmerrin e tij dhe të xhenetit me të gjithë madhështinë dhe shkëlqimin e tij!

Sigurisht, e vetmja zgjidhje për ta kaluar jetën në mënyrë të orientuar, të virtytshme e të vlefshme, është edukimi me këtë edukatë dhe shndërrimi i jetës tjetër, në moral të jetës së kësaj bote. Ndryshe, jeta e orientuar, e virtytshme dhe me vlera, as që mund të mendohen te individët që nuk e kanë besimin te ringjallja dhe jeta tjetër, si dhe te shoqëritë e formuara me këta individë. Po qe se te ata shihet ndonjë gjurmë virtyti dhe vlere, këto janë vetëm virtyte dhe vlera të shtresuara nga Zoti në elementin dhe bërthamën e krijimit të njeriut. Dhe pikërisht pse janë të shtresuara në krijim, ata e kanë të pamundur të bëjnë të kundërtën. Është kjo pamundësi që i shtrëngon ata të bëjnë punë të vlefshme. Ndërkaq, kjo s'është kurrë vlerë dhe virtyt në nivelin e vlerës dhe virtytit të fituar me punë dhe përpjekje!


[1] Tergib ve Terhib, vëll. 4, f. 262; Hajatu's-Sahabe, vëll. 3, f. 253.
[2] Tergib dhe Terhib, vëll. 4, f. 261.
[3] Buhari, Marda, 19; Fedailu's-Sahabe, 5; Megazi, 83-84; Muslim, Selam, 46; Tirmidhi, Daavat, 76.
[4] Buhari, Menakibu'l-Ensar; Ahmed b. Hanbel, 3/18.
[5] Buhari, Shehadat, 27; Muslim, Akdije, 4; Ebu Davud, Edeb, 87; Tirmidhi, Ahkam, 11, 18; Nesai, Kaza, 13-33; Ibn Maxhe, Ahkam, 5.
[6] Buhari, Enbija, 8-48; Muslim, Xhenet, 56; Tirmidhi, Kijame, 3; Nesai, Xhenaiz, 118-119; Ahmed b. Hanbel, 1/223, 229, 235, 253; 3/495.
[7] Ahmed b. Hanbel, 3/154.
[8] Buhari, Rikak, 45; Muslim, Xhenet, 59; Nesai, Xhenaiz, 118.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.